Dy këngë
1
E ç’i duhet zjarri i fikur
Atij që ndarjen ka zanat!
Njera dallgë sapo e fshiku,
Dallga tjetër e çoi larg.
Ta dish se me ç’mëri të mitur
Për ty zvarriten zvarr e rënë –
Unë, e ngjizura në mitrën
E detit të madh, jo të nënës!
I shtrenjti mik, ti nduke ashtu
Si mollën nduk – globin krejt!
Tek flet me hapësirat blu,
Ti gjithsesi me mua flet.
Si vajza që mbi shkëmb ka pragun
Dhe duart kryq kurrë s’i ka vënë –
Jam bijë e ngjizur në barkun
E detit të madh, jo të nënës.
Nuk qajnë çupat tona, jo,
Nuk shkruajnë, nuk presin letra!
Jo, sërish do të them: ti shko
Suliu detit, peshko – dhe pa rrjeta!
Dikur, ndërsa rrymat detare
Do të shohësh lart në kuvertë,
Do thuash: “Unë e desha – detaren!
Detarja humbi – ra në det!”
Thellë te një shkop koralesh mbathur
Ndoshta je ti – bishtargjendës,
Ti bija, e ngjizur në barkun,
E detit të madh, jo të nënës!
13 qershor 1920
2
Gjeer dje në sy me zjarr shikonte,
Tani – bishtin e syrit nga ora!
Gjer dje i drojtur me zogjtë shkonte, –
Krejt laureshat tani – sorra!
Llaçkë unë, i mençur ti,
I hedhur, unë e shtangur papra.
Për gulçin e grave, të përjetshmin:
“I dashur, ç’të bëra unë, pra?”
Lotët – ujë dhe gja, të dyja –
Ujë, – ajo u la në gjak e lot!
S’është nënë, por njerkë – Dashuria:
Mëshirë e gjyq prisni kot.
I marrin të dashurit anijet,
I rrëmben udha e bardhë ata…
Dhe rënkimi rënkon nëpër botë:
“I dashur, ç’të bëra unë, pra?…
Gjer dje – rrinte lepe më këmbë!
Si princ kinez, aspak i ndryshëm!
Kur, fap, i hapi dy pëllëmbët –
Ra jeta – kopek i ndryshkur!
Fëmijëvrasëse në gjyqin me tmerr
Qëndroj – e urryer, pa krah.
Unë ty do të them dhe në ferr:
“I dashur, ç’të bëra unë, pra?”
Pyes shtratin, pyes karriken:
“Pse të heq, të vuaj gjithmonë?…
“Iu vel puthja – shkoi, e la miken:
Një tjetër të puthë” – më thonë.
Vetë doje të duheshim me zjarr
Por ike – në stepëngrirën – hata!
Ja ç’më bëre, i dashur, ja çfarë.
I dashur, ç’të bëra unë, pra?
Të gjitha i di – kot kundërshton!
Prap shoh – veç jo mike – manare!
Atje ku Dashuria mërgon,
vjen vrap aty Vdekja – kopështare.
Vetvetiu – pse ta shkundësh pemën! –
Mollë e pjekur bie që la…
Për gjithçka, për gjithçka ti ndjemë,
I dashur, ja ç’të bëra unë, pra!
14 qershor 1920