La Chamande
Përkthyesja: Mërgime Pustina
Fragment
Ajo e ndjente se është pre e një sëmundjeje të mrrekullueshme, të çuditshme, që ajo e dinte se është lumturi, veçse ngurronte që t`a emërtoje kështu. Në një mënyrë ajo e kuptonte si ekstravagancë, që dy qenie intelegjente, nevrike, kritike, të arrijnë në pikën e fundit të shestimeve , në atë pikë kur lidhen ngusht me njeri tjetrin, me një lloj ngashërimi në zë kur nuk ka çka të shtohet tjetër, dhe kur munden qartazi të thonë “Unë të dua”. Ajo e dinte se vërtet nuk ka çka të shtojë, që s`ka asgjë tjetër të shpresojë, që fundja kjo ishte ajo që quhet tërësi, por ajo pyeste veten se si do t`ia bënte më vonë, një ditë, për të mbijetuar me kujtimin e kësaj tërësie. Ajo ishte e lumtur, kishte frikë. Ata i tregonin njëri tjetrit çdo gjë: fëmijrinë, të kaluarën e sidomos, sidomos ktheheshin pandërprerë në muajtë e kaluar, ata përsëritnin pambarim, si të gjithë dashnorët, takimet e tyre të para, të gjitha hollësitë e lidhjes së tyre. Ata pyesnin veten me një topitje (të vërtetë dhe pak të marrë) si klasike, si kanë mundur të dyshonin aq kohë, në ndjenjat e tyre. Ajo e priste Antoanin në një kafeteri të vogël në rrugën Lille, ku zakonisht takoheshin në mbrëmje rreth orës 6 e gjysmë. Ajo bisedonte me djaloshin e quajtur Etjen, njeri mjaft i bukur, shumë llafazan, për të cilin Antoani dyshonte se ushqen ndjenja të fajsisë.
Pas ndarjes, dy orë më vonë, ajo besoi se ka ndodhur ndonjë fatkeqësi. E lodhur nga dashuria, e dëshpruar, kokë bosh, ajo filloi të mendonte se ky shqetësim gjysëm orësh ishte më tepër punë nervash se ndjenjash, dhe ajo vendosi të flejë më shumë, të pijë më pak etj. Ajo ishte e mësuar të jetojë vet, thellësisht, që të lejojë lehtësisht që dikush apo diçka të mundet t`i bëhet i domosdoshëm në jetën e saj. Kjo, në të vërtetë asaj i dukej më tepër e llahtarshme se sa e dëshirueshme. Vetura e saj rrëshqiste rrugës, ajo ngiste mekanikisht duke e admiruar Senën e artë, prej larg në mbrëmjen e bukur pranverore. Ajo buzëqeshte ngapak. “Çka i ndodhi asaj? Në këtë moshë! Me jetën e saj? Fundja, ajo, para së gjithash ishte një femër e mbajtur, një femër me qëndrim përbuzës ndaj normave morale”. Ky mendim e bëri të qeshej dhe një drejtues makine i
ndalur afër saj, i buzëqeshi. Ajo ia ktheu buzëqeshjen, hutueshëm, vazhdoi me mendimet e veta.
“Po kush ishte ajo?” Ajo që mund të ishte në sytë e të tjerëve atë e linte tërësisht indiferente. Ajo nuk e analizonte vehten, a ishte kjo një e keqe? Një shenjë e topitjes intelektuale? Ajo kishte lexuar shumë, kur ishte më e re, para se të zbulonte se ishte e lumtur. Ajo shumë shpesh vetëvehes i parashtronte pyetje, por para se të bëhej kjo kafshë e ushqyer mirë, e veshur dhe skofjare për t`u ballafaquar me probleme. Ku shkonte ajo, ç`bënte ajo? Në saje të vijës së jetës në pëllëmbën e saj, ajo gjithmon me neglizhencë pranonte se do të vdesë e re, madje ajo llogariste në këtë. Po nëse mplaket? Ajo u përpoq ta paramendojë veten të varfër, e plakur, e braktisur nga Sharli, duke punuar dhunshëm ndonjë punë pa sharm. Ajo provoi që të ndjejë frikë por nuk ia arriti. Në këtë çast asaj i dukej se çkado që të ndodh, Sena do të jetë njëlloj e artë dhe e ndritshme, afër pallatit të madh, dhe se kjo ishte gjëja më e rëndësishme. Ajo ishte e sigurtë se për të jetuar, nuk kishte nevojë për këtë veturë të shpejtë e as për këtë pallto të Laroshit. Sharli, gjetkë, poashtu ishte i sigurtë, gjë që e bënte fatkeq. Ajo nuk e dinte se Sharli, i mësuar ta gjejë
në shtëpi kur të kthehet, ecte gjërë e gjatë nëpër dhomë, njësoj sikurse ajo tri orë më parë kur pyeste : “Po si të mos kthehet më?” Mirëpo, ajo nuk e kuptoi brengën e Sharlit sepse kur u kthye, ai qetësisht, i shtrirë në shtrat lexonte “Le monde”. Ai e kishte mësuar zhurmën e veturës së saj. E pyeti ; “ si kalove?” me zë të qetë dhe e përqafoi butësisht. Ai përdorte një kolonjë që asaj i pëlqente. Asaj i shkoi ndërmend se duhej të mendonte t`i blejë të njejtin Antoanit. “Mirë, tha ajo. Kisha frikë se …” Ajo u ndal. Kishte dëshirë ti flasë Sharlit, t’i tregojë të gjitha, “kisha frikë mos e humbi Antoanin, kisha frikë se e dashuroj.” Por ajo nuk mundi. Nuk kishte askend për t`i treguar për këtë pasdite të çuditshme, ajo asnjëherë nuk kishte dëshirë për t`ia hapur zemrën ndokujt, për t`u rrëfyer, dhe ndjehej pak e pikëlluar. “… Kisha frikë të jetoj mënjanë, shtoi ajo hutueshëm. Mënjanë kujt? Jetës. Asaj që të tjerët e quajnë jetë. Sharl, athua duhet vërtet , dashuruar, të keshë ndonjë dëshirë , pasion fatkeq, të punosh, të fitosh për jetë, të bësh gjëra për të ekzistuar? Nuk është e domosdoshme, tha Sharli ( uli shikimin) deri në çastin kur jeni të lumtur. Kjo ju duket e mjaftueshme? Plotësisht, tha ai. Diçka në zërin e tij, një dridhje e çuditshme, e largët nostalgjike e cvilisi Lusilën. Lusila u ul mbi shtrat, e kapi për dore, ia ledhatoi fytyrën e lodhur. Sharli mbylli sytë, buzëqeshi lehtë. Ajo ndjehej e mirë, e aftë ta bëjë të lumtur, ta mirëkuptojë, dhe nuk mendonte, nuk e thoshte se këto ndjenja fisnike ishin rezultat i paraqitjes së Antoanit dhe se poqese ai nuk do të ishte shfaqur, ajo do ta kishte urrejtur Sharlin. Kur jemi të lumtur me vullnetin tonë i përfitojmë të tjerët për t`i ndihmuar lumturisë sonë dhe vetëm atëherë kur nuk jemi më, e dijmë se ata nuk ishin veçse dëshmitarë të parëndësishëm.
“Çka do bëjmë sonte?” pyeti ajo. -Jemi në darkë te Diana, tha Sharli. Ju harruat? Zëri i tij shprehte dyshim dhe ngazëllim në të njejtën kohë. Ajo e kuptoi menjëherë arsyen dhe u skuq. Në
përgjigjen e saj me “po” ajo e thoshte të vërtetën dhe njëkohsisht e shtynte të dyshojë. Ajo megjithate s`mundej t`i thoshte: E kam harruar darkën, por jo edhe Antoainin. Unë vij nga ai. Madje, na ishim aq të hutuar sa e harruam darkën dhe caktuam takim për të nesërmen.”
“Unë nuk kam harruar, tha ajo, por nuk dinja se do të jemi te ajo. Cilin fustan doni që ta vesh?”
Ajo habitej pse nuk ishte e kënaqur që sërish do ta shihte Antoanin, pas disa orësh. Përkundrazi, ajo ishte e bezdisur. Ata, këtë pasdite, pritnin një lloj paroksizmi në emocione dhe asaj i dukej se duke lejuar që kjo shprehje të mund të përdoret në ndjenja, goditja do t`ishte e plotë. Ajo do të preferonte të darkojë në qetësi me Sharlin. Hapi gojën për t`ia thënë por u zmbraps: kjo atij do t`i bënte shumë kënaqsi dhe do të ishte kënaqësi me gënjeshtra. Ajo nuk dëshironte ta gënjejë. “Çka deshtët të thoni?
-Nuk di, Harrova.
-Mendimet tuaja metafizike ju japin një shprehje dhe pamje edhe më ngatrestare se zakonisht.
Ajo filloi të qeshi: “Unë kam pamje ngatrestare në përgjithësi?
-Plotësisht. Nuk do të kisha guxuar, për shembull, kurrë t`ju lë të udhëtoni vet. Ju kisha gjetur në
ndonjë sallë tranzit. Kurse 9 orë më vonë Zoti e di ku, duke shfletuar ndonjë libërth dhe me njohuri të përkryer për jetën e një kamarieri. Shprehja e fytyrës së tij për një mundësi
të këtillë tregonte shqetësim dhe Lusila ia plasi gazit . Sharli me të
vërtet e konsideronte të paaftë që të ballafaqohet me jetën dhe në një moment ajo e kuptoi se çka i pëlqente tek ai, madje më shumë se ndjenja e sigurisë. Ai e pranonte papërgjegjësinë e saj, e kuptonte zgjedhjen që ajo e kishte bërë pa vetëdije, që e kishte bërë 15 vjet më parë, që asnjëherë të mos e braktiste nga adoleshenca e saj.
Zgjedhje që padyshim Antoanin e pezmatonte. Dhe ndoshta koincidenca e përkryer mes personazheve, atij si e shihte Sharli dhe atij që ajo dëshironte të bëhej, e shtynte të mendojë se athua do të jetë ajo më e fortë se e gjithë dëshira që obligohej ta mohojë.
“Duke pritur, të marrim nga një uiski, tha Sharli, unë jam i lodhur për vdekje.
-Paulina nuk dëshiron që unë të pi më, tha Lusila. Ju mund t`i kërkoni një dopio dhe unë do të pi prej gotës suaj.”
Sharli buzëqeshi dhe i ra ziles. “Kam filluar t`a luaj rolin e vajzës së vogël, mendoi Lusila, edhepse pa vullnet, dhe pas një kohe të shkurtër në shtratin tim do të kem kafsha me plush. “ Ajo u ngrit, bëri një sheti nëpër dhomën e saj dhe duke shikuar shtratin pyeste veten nëse një ditë ajo do të zgjohej afër Antoanit.
Ata kishin një takim në kafe-bar. Sharli dhe Lusila erdhën ndër të parët, vallëzuan dhe biseduan në mënyrë të hareshme sepse Lusila fliste si një laraskë. Përnjëherë ajo u ndal. Shikonte në drejtim të derës, në këmbët e një njeriu të madh, pak më të gjatë se të tjerët, veshur me kostum gri dhe syverdhë. Ajo e njihte përmendësh fytyrën e këtij njeriu, çdo shenjë ndër kostumin gri, edhe formën e krahërorit. Ai u nis drejt tyre, u ul. Diana, poshtë bënte makiazh dhe ai e ftoi Lusilën për vallëzim. Dora e tij mbi krahun e saj, kontakti I pëllëmbeve të dorës dhe distanca e çuditshme, pak tepër e madhe, që ai e mbante mes fytyrës së tij dhe të Lusilës, distancë që ajo e ndjente saktësisht si një dëshirë, e trazonin aq shumë dhe deri në atë pike që ajo të marrë një shprehje të lehtë të mërzisë me qëllim të mashtrimit të një publiku i cili madje as që
i shikonte. Ishte hera e parë që vallëzonte me Antoanin me melodinë sentimentale që ishte e popullarizuar kudo në këtë pranverë. Ai e përcolli deri te tryeza. Diana e cila ishte kthyer, vallëzonte me Sharlin. Ata u ulën jo shumë afër njeri tjetrit. “Ti po argëtohesh mirë?” e pyeti me zemrim. “Po si, tha Lusila e habituar, ti jo? -Aspak, tha ai. Unë nuk argëtohem në tubime të këtij lloji. Dhe, për dallim nga ti, unë ndjej neveri nga situatat e rreme” Në të vërtetë ai nuk mundi ti flasë Lusilës për mbrëmjem ndërsa kishte dëshirë për te. Mendimi se ajo pas disa çastesh do të shkonte me Sharlin, e tmerronte. Ai ishte në sprovë të një krize të virtytit, të ekskluzives, që shkakton lehtazi, dëshira hileqare. “Ti je e krijuar për një jetë të këtillë”, tha ai -Po ti?
-Unë jo. Ka meshkuj që lejojnë me burrërinë e tyre të udhëheqin dy femra. Mua, burrëria ime më pengon që të duroj me ëndje.
– Sikur ta kishe parë vehten në dhomën e Dianës, tha Lusila, ti kishe një shprehje aq të ndrojtur…
– Ajo filloi të qesh.
– “Mos qesh, tha Antoani me një zë të përmbajtur.
Brenda dhjetë minutave do të jesh në krahët e Sharlit ose vetëm, sidoqoftë larg nga unë…
-Por nesër…
-U ngopa me “të nesërmet” tha ai. Duhet ta kuptosh. Lusila heshti. Ajo u përpoq të bëhet serioze por pa sukses. Alkooli e bënte euforike. Një djalosh i panjohur u afrua që ta ftojë për vallëzim, Antoani e ktheu me një zë të thatë dhe ajo u zemërua. Dëshironte të vallëzojë, të flasë, madje edhe të arratiset me një të tretë, ajo nuk ndjehej e detyruar për asgjë veçse të dëfrehet.
“Kam pirë pak tepër, u ankua ajo.
-Kjo shihet, tha Antoani.
-Ndoshta është dashur edhe ti të veprosh kështu, tha ajo. Ti s`je aspak zbavitës.”
Ishte hera e parë që fjaloseshin. Ajo e vështronte profilin e tij karakteristik dhe u mallëngjye:
“Antoan ti e di mirë se… -Po po që më do për të mirë”. Dhe ai u ngrit. Diana u kthye në tryezën e tyre. Sharli dukej i lodhur. Ai i hodhi një vështrim lutes Lusilës dhe i kërkoi ndjesë Dianës: duhej të zgjohet heret dhe ky ambient për të ishte me të vërtetë shumë i zhurmshëm. Lusila nuk kundërshtoi. Por, në veturë, për herë të parë prej kur e njihte, ajo u ndi si e burgosur.