Si mësohen femrat t’i duan femërurrejtësit
Përkthyesja: Remzije Ajeti
Xheki e humbi kurajon, kur pa që përkundër vendosmërisë që të marrë qëndrim tjetër, martesa e saj i ngjante martesës së nënës së saj, si veja vesë. Ajo më tha: .
“Pata vendosur të krijoj familje, në të cilën njerëzit do të jenë të sjellshëm njëri ndaj tjetrit dhe ku do të mbretërojë një besim i gjithanshëm. Nuk desha të jetoj në njëfarë cirku treunazor, si prindërit e mi. Por, tani po e shoh që jam në të njëjtën situatë. ”
Kur u martua Xheki mendoi se Marku është mashkull sharmant dhe tërheqës, i cili do t’i bëhet shok i mrekullueshëm i jetës. Vetitë e tij të mira ishin ato që e entuziazmuan në shikim të parë: ana më pak e dukshme e aftësisë joshëse të tij ishte e fshehur nga ajo, e rrënjosur thellë në vetë atë. Pa marrë parasysh çfarë arsyesh i përmendim vetes për t’u dashuruar në dikë, e vërteta qëndron në atë se shumë lidhje intime krijohen sipas shembullit, të cilin e kemi mësuar nga prindërit.
Kur fillova bashkë me Xhekin t’i hulumtoj ata shembuj të vjetër familjar, ajo ndjeu se si gradualisht humbnin ndikimin në jetën e saj. Pasi i kuptoi lidhjet që ekzistojnë në mes të gjendjes së saj si perosn i rritur dhe mënyrës, në të cilën ishte edukuar, vendosi kontroll më të madh mbi jetën e vet dhe ndjenjave ndaj vetvetes.
Shumë njerëz frikësohen të ballafaqohen me faktin, se cilat forca e kanë formëzuar karakterin dhe personalitetin e tyre, duke besuar se të kaluarën duhet varrosur dhe kthimi prapa do të mund të thoshte zhytje në vetëkeqardhje dhe në plagët e vjetra. Por vetëzbulimi mund të hapë mundësi dhe rrugë të reja shqetësuese. Sa më mirë të kuptojmë çka ndikoi në formimin e personalitetit tonë, më lehtë do të lirohemi nga sjelljet, të cilat më nuk na sjellin asnjë të mirë.
PSE FAMILJA ËSHTË AQ E RËNDËSISHME
Derisa jemi të vegjël familja kujdeset për nevojat tona themelore të jetës; ajo njëkohësisht është burimi ynë i parë dhe më i rëndësishëm për ta njohur botën. Në familje mësohemi si të mendojmë për veten dhe si të ndihemi ndaj vetes, si dhe çka të presim nga të tjerët. Themelet tona emocionale varen nga fakti, se si janë sjellë prindërit ndaj nesh dhe ndaj njëri tjetrit, çfarë porosish kemi marr nga sjellja e tyre e tillë, si dhe nga mënyra, në të cilën i kemi mposhtur njohuritë e tilla në vete.
Mendimi për veten
Fëmijët e vegjël mendojnë që prindërit e tyre të fuqishëm dhe të rëndësishëm kanë monopol në të vërtetën dhe në urtësinë. Prej kësaj, çdo gjë që thonë prindërit, duhet të jetë e drejtë dhe e vërtetë. Kur prindi e sjell gjykimin për vlerën themelore të fëmijës, ai mendim bëhet fakt në vetëdijen e fëmijës së ndjeshëm në përshtypje. Nëse prindërit ua bëjnë me dije fëmijëve të tyre se janë të mirë, të vlefshëm dhe të dashur, atëherë ata do të formojnë bindje pozitive dhe të qëndrueshme për veten. Ata do të presin nga të tjerët që të sillen mirë me ta, sepse do të konsiderojnë që e meritojnë atë.
Mirëpo, nëse ndaj vogëlushes fillojnë herët të sillen me të si të jetë e keqe, si të mos jetë si duhet, e pavlerë dhe e padashur ajo do të gjejë mënyra që jetën e vet ta harmonizojë duke e përcjellë me një mendim të tillë.
Bindjet negative që disa fëmijë i krijojnë për veten vazhdojnë të jetojnë edhe në moshën e pjekurisë. Pasi kërkova një emërues të përbashkët për femrat që i shërova, e të cilat kishin qenë në lidhje me femërurrejtës, zbulova që të gjitha ato, që nga fëmijëria bartnin mendime të thella negative për veten. Këto mendime negative për veten, para së gjithash i parapërgatitën femrat për të pranuar sjelljen e keqe të partnerit.
Modeli
Derisa mendimet për veten tonë janë në zhvillim, ne gjithashtu duke u identifikuar me nënën, mësojmë ç’do të thotë të jesh femër dhe si duhet të sillen femrat ndaj meshkujve. Nga ana tjetër babai është modeli ynë i parë si sillen meshkujt ndaj femrave dhe si veprojnë ndaj tyre. Përveç kësaj, rapoti në mes të prindërve tanë na e jep mendimin e parë dhe më të rëndësishëm për faktin se si sillen qiftet njëri me tjetrin. As filmi, as televizioni, as shkolla nuk mund të jenë mësues me ndikim më të madh se sa përditshmëria në martesën e prindërve tanë. Si fëmijë ne nuk mund të kuptojmë, se ekzistojnë martesa të ndryshme. Martesa e prindërve tanë bëhet model i raportit mashkull-femër, të cilin e marrim si shembull, kur të rritemi.
Mesazhet
Një ndër mënyrat, me të cilat mësohemi nga prindërit tanë është marrja e porosive nga sjellja e tyre. Fjala porosi në këtë kuptim nuk ka të bëjë me komunikimin verbal, në mes të prindërive dhe fëmijës, por me interpretimin e sjelljeve dhe deklaratave të prindërve tek fëmijët. Për shembull, vogëlushes kurrë nuk ka nevojë t’i thuhet hapur se nuk është me rëndësi çka mendon ajo, por nëse prindërit vazhdimisht e ndërprejnë dhe e detyrojnë të heshtë, ajo shpejt do të përfundojë, se ajo që deshi ta thotë është e parëndësishme.
Porositë që i marrim si fëmijë, bëhen esencë e informatave për ne dhe për vendin tonë në botë, të cilat i shfrytëzojmë deri në fund të jetës. Shpesh, megjithatë as nuk jemi të vetëdijshëm se ekzistojnë informata të këtilla. Një ndër levërditë më të mëdha nga gjurmimi i së kaluarës sonë është fakti se me këtë zbulojmë çfarë porosish kemi marrë nga prindërit. Edhe pse ky proces është i dhimbshëm, ai na ndihmon në përpjekjet që të ndryshojmë sjelljet e tanishme, madje edhe vetë ndjenjat ndaj vetes. Përfundimisht, porositë janë të mësuara:e çdo gjë mësohet edhe çmësohet.
Modelet që përsëriten
Si fëmijë, për shkak të varshmërisë sonë, përjetojmë ndjenja të paaftësisë në botën e të fuqishmëve. Nëse mesi ynë familjar është i pakëndshëm ose i dhimbshëm ne mbrohemi ashtu që vetes i premtojmë, se kur të rritemi gjërat do t’i shtrojmë më mirë se prindërit tanë.
Mirëpo, pasi na është e njohur vetëm ajo që e kemi mësuar si fëmijë, kur rritemi ne vazhdojmë të gjurmojmë për të gjetur përjetimet dhe raportet, të cilat na ofrojnë sigurinë e të njohurës. Kështu, përkundër përbetimeve tona trimërore se ne ”do ta bëjmë atë ndryshe” shpesh përfundojmë duke i kopjuar situatat dhe raportet nga fëmijëria. Shembull i mirë i kësaj është femra, babai i së cilës është alkoolist, dhe e cila hyn në martesë me alkoolistin. Ajo përsëri e përjeton atë që e ka të njohur. Gjithashtu përpiqet që tani, kur u rrit, të dëshmojë se mund ta rikrijojë historinë e vjetër familjare duke i shtuar përfundim të lumtur. Dikur ka vuajtur, sepse mbeti pa dashurinë e babait për shkak të pijes. Tani do të provojë të luftojë për atë dashuri, te mashkulli, i cili gjithashtu pi.
Instikti që të përsëritet ajo gjendja e njohur, i shoqëruar me instiktin gjithashtu të fuqishëm që çdo gjë të bëhet më mirë e krijon grackën, në të cilën bien shumë femra. Përkundër vendosmësirë që të krijojnë lidhje më të mirë se lidhja e prindërve të vet, ato përfundojnë në lidhje jashtëzakonisht të ngjashme.
Kur fillova me Xhekin të gjurmoj të kaluarën e saj dhe historinë e familjes, zbuluam shumë modele jetësore që ishin përsëritur në problemet e saj me Markun. Në rastin e Xhekit pata fat që munda të punoj jo vetëm me të, e më vonë me Markun, por edhe me nënën e saj Lorenën. (Lorena pikësëpari erdhi që t’i ndihmonte Xhekit t’i zgjidhte disa mospajtime që i kishte në familje, gjë që më ofroi shqyrtim të çmueshëm te disa gjenerata në rastet familjare).
Historia e familjes së Xhekit
Nëna e Xhekit, Lorena i pati shtatëmbëdhjetë vjet, kur e takoi Nejtin. Për të ajo ishte një lule e bukur, e butë dhe ekzotike, e cila u rrit në fqinjësinë e varfër të qytetit. Interesohej për artin dhe megjithëse ishin të varafër e mësoi vallëzimin. Nejti u dashurua marrëzisht në të. Ai ishte djalë jashtëzakonisht i pashëm, i cili rreth vetes gjithmonë kishte një mori adhuruesesh. Ishte energjik, ambicioz dhe karizmatik. Lorenës iu bë shumë qejfi që Nejti menjëherë u interesua aq shumë për të.
Nejti kishte oreks të pafrenueshëm seksual dhe Lorena siç ishe e tërhequr dhe e padjallëzaur së shpejti mbeti shtatzënë. Familja e saj i detyroi që menjëherë të martohen. Lorena u detyrua të heqë dorë nga ëndrra e saj që të bëhet valltare. Nejti u detyrua ta braktisë shkollën dhe të punësohet, duke hequr dorë nga ëndrra që të bëhet mjek. Që të dytë ndiheshin të mashtruar thuajse u është ndaluar rinia.
Raporti i tyre qe i furishëm që nga dita e parë e martesës. Adhurimi i Nejtit ndaj gruas së re, së shpejti u shndërrua në xhelozi hidhëruese dhe posesivitet. Kërkonte të informohej për çdo hap të sajin, ndërsa kontrollin e arriti me anë të sulmeve eksploduese dhe verbale. Në periudhat e qeta edhe më tej qe dashnor i zjarrtë, por sulmet e tij tërbuese shpesh e sillnin në një gjendje të depresioneve të gjata dhe tërheqje në vete të shoqëruara me të qara të shpeshta. Përgjegjësitë tepër të mëdha të jetës bashkëshortore dhe rritja e fëmijës në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, të shoqëruara me disponimin e ndryshueshëm të Nejtit e shkatërruan edhe atë sasi të vogël të pavarësisë shpirtërore që posedonte Lorena. Në një martesë të tillë lindi Xheki.
KUR SHEMBULLI I NËNËS ËSHTË NËNSHTRUES
Njëra ndër kujtimet më të hershme të Xhekit ishte ai lidhur me momentin, kur babai i bërtiti nënës për shkak se derën e vitrinës e kishte lënë hapur.
“E quajti egoiste, të marrë dhe grua të papastër e të mallkuar e pastaj i hodhi të gjitha tenxheret dhe vorbat në dysheme dhe e detyroi t’i mbledhë të gjitha një nga një. E pashë se si dridhej, derisa lotët i rridhnin faqeve, por nuk tha asgjë. E bëri atë gjë, të cilën ishte e detyruar ta bënte. ”
Lorena nuk provoi t’ia kthejë burrit fjalën, ose ta kundërshtojë. Më vonë i ankohej Xhekit, se sa ishte fatkeqe dhe se nuk mund të bënte asgjë për ta ndryshuar atë gjendje. Me vetëdije apo pavetëdije, Lorena i ofronte bijës së saj shembull të fuqishëm se si sillet gruaja.
“Lidhja duhet të mbahet me çdo kusht”
Zënka, lidhur me dollapin, të cilën e përshkroi Xheki është shembull i raportit dhe disekuilibrimit të forcave që mbretëronin në martesën e Lorenës dhe Nejtit. Mësimi, të cilin e mori Xheki, kur e pa nënën si po i nënshtrohet maltretimit të Nejtit ishte që mënyra e vetme që të dilet në krye me agresivitetin e mashkullit është që mashkullit duhet lëshuar pe dhe duhet nënshtruar. Nga babai i saj mësoi që meshkujve u është e lejuar të sillen ashtu siç ua do qejfi, kurse gratë duhet ta pranojnë atë sjellje.
Edhe një porosi e fuqishme që buroi nga kjo skenë është: nëse nëna nuk mund ta mbrojë veten, atëherë sigurisht nuk mund të më mbrojë as mua. Me fjalë të tjera, Xheki nuk mund të mbëshetej në ndihmën e nënës, po të drejtonte babai tërbimin në të.
Derisa, çdo sjellje e prindit dërgon ndonjë porosi, vetëm ato tema që përsëriten vazhdimisht e formojnë bindjen e fëmijës për botën. Nëse, vogëlushja sheh se nëna e pranon edhe keqtrajtimin fizik dhe psikik, atëherë ajo e kupton atë, thuajse nuk ka kufij për ato që i lejohen mashkullit t’ia bëjë femrës. Gruaja, të cilën burri e rrah, i tregon bijës së vet që gruaja duhet të durojë çdo gjë vetëm e vetëm për ta mbajtur mashkullin.
Me faktin që vazhdimisht e duroi keqtrajtimin e Nejtit, Lorena i jepte porosinë së bijës që nuk është në gjendje të jetojë pa të. Xheki më rrëfeu:
“Kurrë nuk kam mund ta kuptoj pse nëna ime, të cilën e konsideroja të mrekullueshme, rri me babain tim, kur ai sillet aq mjerisht ndaj saj. Madje edhe aq e vogël, e kuptova që nuk e çmonte sa unë, që më dukej e jashtëzakonshme. E pyesja pse rri me të, posaçërisht kur qante, pasi i bërtiste e ajo ma kthente:“Kah do të shkoja! Ç’do të bëja? Kush do të kujdesej për ne?”
Porositë, të cilat i mori nga një sjellje e tillë e prindërve që: bota është një vend armiqësor për femrat pa mashkull dhe që femrat janë të paafta dhe të varura nga meshkujt si dhe që meshkujt e mbajnë tërë pushtetin në raportin bashkëshortor, kurse femrat nuk kanë kurrfarë pushteti – ishin rrënjosur thellë në mendimet dhe qëndrimet e Xhekit. Ajo u rrit e bindur thellë që gruaja duhet ta mbajë lidhjen me mashkullin,me çdo kusht, madje edhe kur ai kusht nënkupton të flijojë edhe dinjitetin dhe vetërespektin e saj.
PËRKRAHJA KULTURORE E VARSHMËRISË SË FEMRËS
Tradicionalisht shoqëria e përkrah mendimin që vajzat janë më inferiore se djemtë, që nuk mund të kujdesen për veten dhe që femrave u nevojiten meshkujt për t’u kujdesur për to. Të gjithë shohim që mediat e komunikimit masiv, meshkujt i paraqesin më të fuqishëm, më të aftë dhe më të mençur se femrat, derisa femrat shpesh i paraqesin jashtëzakonisht emotive, të pavendosura, pak të marra, pasive, të palogjikshme, që mund t’i nënshtrohen manipulimit, madje edhe qëllimkëqija. Stereotipet e këtilla edhe më shumë i bëjnë dëme aftësisë së vajzës së re që të mund të ndihet si perosnaliet i fuqishëm që meriton kujdes.
Bashkë me pikëpamjet e tilla, shkojnë edhe dallimet në arritjet, për të cilat i adhurojmë vogëlushët dhe vogëlushet. Derisa vogëlushet i lavdërojnë për shkak se sillen mirë dhe duken mirë, vogëlushët i lavrëdojnë shpesh për sukseset akademike dhe fuqinë fizike. Vogëlushet githashtu mund të dezinkurajohen në aspiratën e tyre për të hulumtuar dhe për t’u bërë të pavarura në jetë, e të inkurajohen që në vend të kësaj të zhvillojnë aftësinë e manipulimit nga të tjerët, ashtu që në emër të tyre të luftojnë për pozitën e tyre në botë. Me fjalë të tjera, në këtë mënyrë i mësojnë të bëhen të paafta.
Shumica nga ne, madje edhe kur rritemi, edhe më tutje besojmë se pak mund ta kontrollojmë jetën perosnale. Është e mundur që të tjerët t’i shohim si persona që vendosin për jetën tonë, kurse jetën ta shikojmë si diçka që na ndodh. Një bindje e tillë e favorizuar në identifikimin e fëmijës me nënën, e cila e ka dhënë shembullin e varshmërisë dhe paaftësisë më të madhe, shumë femra drejtpërdrejtë i përgatit për martesa, në të cilat mbretëron keqtrajtimi.
“Bëj ashtu si të them e jo ashtu si sillem unë”
Jo fjalët, por sjellja ndikon te fëmija. Kur nëna i thotë së bijës që të mos e lejojë mashkullin ta kontrollojë, ose ta keqtrajtojë, kurse ajo i ofron shembull të kundërt, vajza do të reagojë në porosinë e marrë nga sjellja e jo nga porosia verbale.
Paula që kishte qenë artiste e suksesshme e reklamave para se ta takonte Gerin, më tha që nëna e kishte inkurajuar t’i kushtohej karrierës dhe e kishte përkrahur edhe emocionalisht, edhe materialisht.
“Nëna ime ishte piktore e suksesshme dhe nga ajo punë filloi edhe të fitonte. Por, babai vazhdimisht e torturonte. I rrinte mbi kokë, derisa pikturonte dhe mrrolej:“E dashur, nuk mund të thuhet se je njëfarë Pikaso”. Kur i mbusha 14 vjet plotësisht hoqi dorë nga arti. E pyeta pse, kurse ajo m’u përgjigj:“Për ç’arsye, kur babait nuk i pëlqen?”Dhe ja tani!Vazhdimisht më fliste, se sa e rëndësishme është ta zhvilloj talentin tim dhe të merrem me gjëra që më pëlqejnë, pa marrë parasysh çka mendojnë të tjerët, kurse ajo vetë e ndërpreu pikturimin për shkak se puna e saj nuk i pëlqente babait. Isha shumë e tërbuar në të”.
Porosia, të cilën e mori Paula ishte që për të, Paulën është me rëndësi të bëhet njeri i pavarur dhe t’i kushtohet karrierës dhe suksesit, por që nënës së saj kjo nuk i lejohet. Më vonë në martesën me Gerin, Paula shumë shpejt e braktisi karrierën, kur Geri filloi ta kritikonte punën e saj. “Supozoj që më me rëndësi për mua ka qenë ta fitoj miratimin e tij, se sa të vazhdoj me punën time” – më tha. Përkundër përkrahjes verbale lidhur me suksesin e saj profesional, Paula reagoi në mënyrë më të bindshme në shembullin e nënës që e baraktisi karrierën vet.
Madje edhe kur ferma është e zonja të çlirohet nga ndikimi i shembullit të tillë të nënës dhe të arrijë sigurinë materiale, është e mundshme që edhe më tutje do ta konsiderojë veten më pak të vlefshme dhe ta lejojë partnerin që ta keqtrajtojë psikikisht. Rozalinda dhe Laura, që të dyja japin shembull të mirë për këtë. Siç e kam theksuar në veprën “Paradoksi i gruas së fuqishme”, femra mund të sillet si një person plotësisht i pjekur dhe i pavarur në jetën afariste ose profesionale e megjithatë të reagojë si një fëmijë i paaftë në raportin e vet më intim.
IDENTIFIKIMI I DYFISHTË
Fëmijët, në rastet e shumta në saje të përshtatshmërisë së vet, kanë aftësi që edhe nga situatat më të pavolitshme familjare të përvetësojnë shpesh, pikërisht vetitë pozitive dhe të dobishme, të cilat do t’u shërbejnë, kur të rriten. Xheki, p. sh. në mënyrë mjaft pozitive përvetësoi disa nga vetitë agresive të babait, të cilat i shërbyen në të krijuarit e karrierës. Shumë femra, baballarët e të cilave janë tiranë, kurse nënat pasive, së pari përkah gjinia identifikohen me nënën, por jo rrallë pjesë e vetive të karaktereve të tyre bëhet edhe agresiviteti i babait. Në familjet, në të cilat njëri prind është dukshëm më i fuqishëm, fëmija shpesh, edhe pse për këtë as nuk është i vetëdijshëm, merr mbi vete shumë veti të prindit më të fuqishëm, edhe pse kjo ka të bëjë me prindin me gjini të kundërt. Por, Xheki si edhe shumë femra që i kam njohur, besonte që aftësia që e përvetësoi nga babai mund t’i shërbejë vetëm në jetën profesionale. Tashmë e posedonte aftësinë e nevojshme: tani bëhej fjalë për atë, se si të mësohej ta përdorte në lidhjen e saj me Markun. (Si të përdoren edhe si t’u ndërrohet kahja disave nga këto aftësi do të shqyrtoj në pjesën e dytë të këtij libri).
FRIKA PËR HUMBJEN E DASHURISË SË BABAIT
Kur Xheki i pati 5 vjet, Lorena mbeti përsëri shtatzënë. Edhe kjo shtatzëni ndodhi në kohë të papërshtatshme:Nejti mori provizion dhe për këtë arsye të ardhurat i qenë mjaft të pabarazuara. Lorena, shtatzënia e dytë e së cilës ishte e vështirë, frikësohej nga përgjegjësitë e shtuara që do t’i sjellë edhe një fëmijë. Luftonte me shfaqjet e depresionit dhe një pjesë të madhe të kohës e kalonte në shtrat. Xhekit i kujtohej, se ajo kohë kishte domethënie të madhe në sjelljet e babait ndaj saj.
“Një herë gjatë darkës e derdha qumështin. Babai përnjëherë u tërbua ndaj meje dhe filloi të më bërtasë. Kurrë më parë nuk më kishte bërtitur. Aq shumë u hidhërua, saqë mendova se do të eksplodojë. U skuq në fytyrë e damarët në qafë i kërcyen. Më thoshte se do t’i shkatërroj të gjitha mobiliet e mallkuara në shtëpi dhe që ai po punon si gomarë, kurse unë vetëm po i shkatërroj gjërat. Pastaj më detyroi t’i fshij të gjitha dhe më rrinte mbi kokë që të bindet se do ta fshij edhe pikën e fundit, duke bërtitur dhe duke më qortuar vazhdimisht. Aq shumë dënesa sa që nga lotët as nuk shihja ç’po bëj. Mendova që erdhi fundi i botës, që e humba përgjithmonë dashurinë e babait”.
Vogëlushja, e cila mendon se e ka humbur dashurinë e prindit, përjeton agoni të vërtetë. Fakti që fëmijët e përjetojnë kryesisht momentin e tanishëm vetëm e rrit dëshpërimin e tyre; ata mendojnë që ndjenjat e tmerrshme që i përjetojnë në atë moment do të zgjatin përjetë.
Pasi fëmijët për të ekzistuar fizikisht dhe psikikisht plotësisht varen nga prindërit, nevoja e tyre për dashurinë e prindërve është e pakufizuar. Nevoja normale për t’u lidhur me prindërit bëhet edhe më e fuqishme, nëse prindi ia ndalon dashurinë dhe nëse ai për të është burim i frikës dhe i shqetësimit. Sa më shumë që të frikësohet fëmija nga prindi dhe sa më shumë që prindi të kërcënohet se do të ndahet nga ai, aq më shumë fëmija do të lidhet shtangshmërisht për të, në përpjekje që ta rikthejë dashamirësinë e prindit. Për fëmijën e hutuar, prindi hidhërak, i cili edhe e do edhe i sjell dhimbje është vigan i vërtetë. Ai vigan e kontrollon jetën e fëmijës duke përdorur frikën dhe duke manipuluar me dashurinë. Fëmija vazhdimisht detyrohet t’ia përshtatë sjelljet e tij, qoftë me qëllim që t’i shmanget pezmit të tij, qoftë për të fituar dashurinë e prindit.
Në çdo raport të babait dhe bijës ekzistojnë konflikte dhe mospajtime, por në qoftë se ton mbizotërues japin sjellja e mirë dhe respekti, bija do të zhvillojë ndjenjën e besimit dhe sigurisë ndaj meshkujve. Meqë babai është mashkulli i parë në jetën e saj, ai bëhet model, sipas të cilit do t’i formojë kërkesat e veta ndaj meshkujve, të cilët do t’i njohë për së shpejti. Sjellja e tij gjithashtu në masë të madhe do të përcaktojë mendimin e saj për vetveten.
“Nëse babai e thotë atë, atëherë duhet të jetë e vërtetë”
Kur babai e quajti me emra të ndryshëm ofendues, Xheki e kuptoi atë si vlerësim real për veten e jo si fjalë fyese të njeriut të pezmatuar dhe kritik. Fjalët e tij ishtin si goditje fizike dhe lanë vrragë në ndjenën e saj të vetëvlerësimit, sikur ta kishte rrahur ose t’i kishte rënë shuplakë. Sulmet verbale vogëlushja nuk i përjeton si padrejtësi, të cilat i bëhen asaj, por i konsideron si diçka që i ka nxitur vet me gabimet e veta. Pasi nuk mund të kuptojnë që prindërit e tyre të plotfuqishëm, të ngjashëm me zotërat, mund të gabojnë, fëmijët i besojnë çdo fjale të tyre. Mendimi negativ i prindërve bëhet fakt, në bazë të të cilit vogëlushja e formon mendimin për vete. Nëse porositë që i merr janë kryesisht pozitive, ai mendim do të jetë i shëndoshë. Por në rastet e disa fëmijëve porositë pozitive vazhdimisht mohohen me porosi negative.
Mendimi i Nejtit u bë pjesë përbërëse e besimit të Xhekit për faktin se çfarë është ajo. Kur e sulmonte burri, në mënyrë jashtëzakonisht të ngjashme, edhe pse ishte grua e pjekur, shumë lehtë kthehej prapa dhe mendonte për ndjenjën që e kishte për vete si për “vogëlushen e keqe”. Vogëlushja, të cilën e kanë nxitur të ndihet si njeri “i keq”, do të fillojë ta pranojë fajin për çdo gjë që nuk zhvillohet si duhet në shtëpinë e saj.
SI MËSOHET QË TË PRANOHET FAJI
Kur Xheki i pati 6 vjet, i lindi motra Kler. Në atë kohë, Nejti u bë shef i dyqanit të pajisjeve sportive. Me rritjen e të adhurave dhe me premtimin e një ardhmërie më të lumtur, familja u shpërngul në një apartament më të madh dhe Lorena filloi të kënaqet në rritjen dhe edukimin e Klerës, gjë të cilën kurrsesi nuk ishte në gjendje ta bënte, kur e lindi Xhekin. Xheki së shpejti u bë e vetëdijshme që Klera është kanakare. Klera ishte simbol i kthesës në lumturinë familjare. Nejti filloi ta shfrytëzonte xhelozinë natyrore të Xhekit ndaj motrës së vogël, si një dëshmi tjetër për pavlefshmërinë e saj. Gjithashtu filloi ta fajësonte për çdo acarim ose konflikt që ndodhte në familje. Edhe pse edhe më tej e sulmonte Lorenën verbalisht, tani në Xhekin gjeti edhe një burim të tërbimit të tij. Kurdo që hidhërohej e fajësonte Xhekin për pakënaqësitë e veta.
Duke u bërë cak i tërbimit të Nejtit, Xheki njëkohësisht u bë qengj kurban i familjes. Njerëzit siç ishte Nejti, që nuk dinë të marrin përgjegjësinë për të metat dhe frustrimet e veta, gjithsesi gjejnë dikë më të dobët se vetja që ta fajësojnë për pakënaqësitë personale. Për shkak të varshmërisë dhe lëndueshmërisë së vet dhe për shkak të kuptuarit të ngushtë të botës, fëmijët janë kandidatë ideal për ta marrë rolin e qengjit kurban.
Pasi iu nda ky rol, Xhekit iu mvesh faji për çdo gjë që nuk shkonte si duhej në jetën e saj.
Megjithatë, motra e saj nuk iu ekspozua akuzave të këtilla. Kjo nuk është e pazakonshme. Shpesh ndaj fëmijëve sillen në mënyra të ndryshme. Për këtë shkak ata mund të formojnë mendime mjaft të ndryshme për veten, për ç’arsye jeta e tyre do të dallohet jashtëzakonisht shumë, madje edhe lidhjet që i krijojnë, kur të rriten.
“Babai nervozohet vetëm për shkakun tënd”
Kur filloi t’i tregojë haptazi Xhekit për veprimet, me të cilat e nervozon babain, Lorena duke mos e kuptuar e përkrahu edhe më shumë mendimin se Xheki është fajtore për problemet familjare. “Babai nervozohet vetëm për shkak se. . . ” – i thoshte Lorena, e pastaj pasonin shkaqet e këtilla ose të atilla të sjelljes së pakuptuar të Nejtit.
“Nëse flisja me zë më të lartë ose haja më e shpejt, nëse nuk e kisha përshëndetur “si duhet” babain, kur kishte ardhur në shtëpi, nëna më thoshte që e nervozoja. Jashtëzakonisht shumë kohë kam kaluar duke u pyetur se çka kam bërë dhe çka kam thënë. Pse nuk mund të jem e mirë, ashtu që babai të më dojë dhe të mos hidhërohet me mua. Me miliona herë në ditë i premtoja vetes se do të bëhem më e mirë dhe që babai nuk do të bëhej më nervoz për shkakun tim. ”
Lorena pjesërisht e kthente tërbimin e Nejtit prej vetes drejt së bijës. Xheki e pranoi këtë përgjegjësi dhe besoi se është obligim i saj ta qetësojë babain, kur është i hidhëruar. Kështu energjia, e cila është dashur të drejtohej në zhvillimin e saj emocional, u shpenzua në përpjekjen që t’i ndihmojë nënës të mbajë qetësinë në shtëpi. Edhe nëna, edhe e bija jetonin sipas motos: “mos e nervozo babain”.
“Kurrë nuk mund të jesh e sigurtë si do të ndihesh për shkak të mashkullit”
Nejti nuk e keqtrajtonte Xhekin gjatë tërë kohës. Kur ishte në qejf, sillej me Xhekin ashtu që ajo ndihej si të ishte qendra e botës – e adhuruar dhe si një person i jashtëzakonshëm. Kur ishte i butë ndaj saj, Xheki mendonte që babai i saj është i mrekullueshëm, trim i vërtetë dhe besonte sërish se gjithmonë do të jetë kanakarja e tij.
“Dëshiroja të kem patina më shumë se çdo gjë në botë. Babai m’i premtoi, por pasi që i kisha tabanët shumë të ngushtë, u mor vesh që të gjesh patina për mua edhe nuk ishte punë e lehtë. Atë mbrëmje, kur planifikoi t’i kërkojë ra një shi i madh, por ai prapëseprapë shkoi. Iu desh t’i kalonte tetë dyqane që më në fund t’i gjente të përshtatshme. Kaloi ora dhjetë, kur u kthye dhe unë tashmë isha në shtrat. U zgjova, kur hyri në dhomën time. Kurrë nuk do të harroj buzëqeshjen në fytyrën e tij, derisa i lëshoi patinat pranë këmbëve të mia. Sa shumë e desha për këtë. Mendova që është babai më i mirë në tërë botën”.
Babai i mrekullueshëm dhe i kujdesshëm përballë babait të tërbuar dhe tiran formuan te e vogla Xheki përfytyrimin e mashkullit me dimensione mitike. Pasi e njohu kënaqësinë në ngrohtësië e adhurimit të tij, shfaqjet e tij të vrazhda të tërbimit për të ishin edhe më shkatërruese.
“Duhet ta dashurosh pa marrë parasysh çdo gjë”
Pavendosmëria e Xhekit kishte të bënte me faktin që, kur babai i saj i adhuruar ishte i kujdesshëm ndihej mrekullueshëm, por kur ishte i vrazhdë, atëherë ndihej e frikësuar, e braktisur dhe e hutuar.
Në martesën e saj me Markun, Xheki ndihej njësoj. Kishte përpjeta të mrekullueshme, kur Marku ishte sensibil dhe teposhta të tmerrshme, kur nuk i ofronte dashuri dhe ishte i vrazhdë. Pa marrë parasysh se si ndihej, nga ajo pritej që Markut t’ia ofronte tërë besnikërinë dhe çiltërinë, ashtu siç e kishin mësuar në fëmijëri që dashurinë dhe besnikërinë t’ia ofronte babait, madje edhe kur e maltretonte.
Porositë e fuqishme, në të cilat e kishte zanafillën sjellja e Xhekit ishin:“Ndjenjat tua nuk janë me rëndësi” dhe “Madje edhe kur mashkulli sillet keq me ty, duhet ta duash”.
SI MËSOHET QË TË MOS SHPREHET TËRBIMI
Çdo fëmijë i maltretuar ndien tërbim të madh. Si është e mundur që ndaj jush të sillen keq e ju të mos hidhëroheni? Xheki nuk ishte përjashtim. Por si edhe shumë fëmijëve të tjerë, as Xhekit nuk i lejohej të shprehte tërbimin.
“Një herë gjatë darkës thashë diçka që babait nuk i pëlqeu dhe ai më tha:“Dhëntë Zoti e u fundossh”! Ndjeva se si më digjnin lotët dhe thuajse dikush më goditi me grusht në gjoks. Vrapova në dhomën time dhe derdha një lumë lotësh. Mendimet e mia të vetme ishin:“Dhëntë Zoti e u fundossh TI! Dhëntë Zoti e vdeksh. ”Isha aq shumë e lënduar dhe e hidhëruar. E pastaj nëna erdhi në dhomë dhe më tha:“Më mirë e ke të kthehesh në tryezë, sepse babai tani vërtet hidhërohet në ty. ”Kur u ula përsëri rreth tavolinës, ajo më përshpëriti:“Kërkoi falje. ”Çdo herë, kur më poshtëronte detyrohesha ta kapërdij tërbimin. ”
Tërbimi është emocion natyror i njeriut dhe të gjithë fëmijët e përjetojnë deri në një masë, por shumë prindër kanë vështirësi me atë se çfarë qëndrimi të marrin në raste të tilla. Shpesh vlerësojnë gabimisht, se fjala është për mossuksesin e tyre si prindër. Kur fëmija sillet çuditshëm, shumica e prindërve beson se e kanë humbur kontrollin dhe për këtë shkak ndihen të pandihmë. Fëmijët duhet ta shprehin tërbimin, por në kufij të kuptueshëm. Ata duhet mësuar që të ndiesh tërbim është e drejtë, por kjo nuk do të thotë se guxojnë ta shqelmojnë qenin, ta goditin dikë ose të thyejnë gjëra. Është shumë e rëndësishme që prindi ta mësojë fëmijën në çfarë mënyre t’i shfryjë ndjenjat.
Kufizime kulturore për tërbimet e vogëlushes
Vogëlushët i udhëzojnë që pjesën më të madhe të agresivitetit dhe të tërbimit ta shfryjnë përmes sporteve grupore, rrahjes dhe garave publike, por vogëlusheve u lejohet një numër shumë më i vogël mundësish. Nga vogëlushet pritet të jenë të sjellshme dhe me natyrë të butë:nuk konsiderohet sjellje “e damave” që tërbimi të shprehet me britje, rrahje ose pjesëmarrje në sportet agresive. Edhe pse disa voëglushe përvetësojnë sjelljet e mashkullit, shumica mësohen që shfrimin e tërbimit ta bëjnë me anë të agresionit verbal. Të marrurit nëpër gojë, të ngjiturit e emrave të shëmtuar dhe sarkazmi janë mënyra të zakonshme të shprehjes së tërbimit: një mënyrë tjetër më indirekte e përfshin inatosjen, ngërdheshjen dhe të qarët.
Të kthyerit e tërbimit ndaj vetes
Kur agresioni verbal nuk është mjet mjaft efikas që të shfryhet tërbimi, siç ishte rasti me Xhekin, ndjenja e tërbimit varroset e gjallë. Për fat të keq, kur emocionit të fuqishëm siç është tërbimi nuk i lejohet që të shprehet, ai nuk zhduket. Gjen dalje tjetër. Xheki si edhe shumë fëmijë tjerë të maltretuar, atë dalje e gjeti në vetvete.
Mu si bumerang, Xheki filloi që tërbimin e saj ta kthejë ndaj vetes. Filloi të ndihet fajtore për shkak se kishte emocione aq të fuqishme e të ndaluara dhe e bindi veten se po përjetonte emocione aq të tmerrshme, vetëm për shkak se është njeri aq i tmerrshëm. Natyrisht, tërbimi u shndërrua në urrejtje ndaj vetes.
Xheki provoi të zbutë ndjenjën e tërbimit duke imagjinuar mënyra të ndërlikuara të sjelljes, me të cilat duhet t’u dëshmonte të gjithëve, madje edhe vetvetes që ajo në të vërtetë është e mirë dhe e dashur e mbi të gjitha nuk është e tërbuar. U bë tepër gjentile, tepër konformiste dhe nënshtruese. Shumë vajza u mësuan që të sillen pikërisht ashtu. Sjelljet e tilla më vonë i bartin edhe në moshën e tyre të pjekurisë.
Problemi lidhur me këtë lloj të mbrojtjes nga tërbimi qëndron në faktin se me këtë vendoset rrethi i ferrit. Sa më e sjellshme që të jetë, aq më shumë kalohet mbi ndjenjat dhe nevojat e saj, kurse vogëlushja bëhet çdo herë më e tërbuar e pastaj çdo herë më e sjellshme që të luftojë me atë tërbim. Ky është vrapimi, të cilin e vrapon çdo fëmijë i maltretuar.
“Nëse ndihesh keq, kjo është për shkak se je e keqe”
Kur Xheki u ngrit nga tryeza, pasi që i ati i tha se shpreson se do të fundoset, me këtë ia tërhoqi vërejtjen për sjelljet e tij. Të gjithë rreth tryezës filluan të bëhen kinse ajo është vajza e pacipë. Xheki u bë ajo, e cila u soll keq. Për vrazhdësinë e Nejtit kurrë nuk lejohej të flitej. Pra, jo vetëm që Xhekit nuk i lejohej të shfryjë tërbimin, kur e lëndoi i ati, por nuk i lejohej as të thotë “oh”.
Kur vogëlushes nuk i lejohet të shprehë dhimbjen, njëra ndër porositë shkatërruese që merr është: “Nëse ndihesh keq, shkaku është në të metat tua”. Bashkë me këtë, me siguri shkon edhe porosia:“Nëse ke nevojë të të ngushëllojnë, dije që të tjerëve u dukesh e shëmtuar.” Xhekit i kujtohej:
“Fillova të qaj për diçka që më tha babai e ai menjëherë filloi të më përqeshte. Më imitonte dhe më thoshte:“Vetëm shikoje atë fytyrë të shëmtuar. Askush nuk dëshiron të të shikojë të tillë”. Më tha se jam e neveritshme dhe më urdhëroi menjëherë të pushoj së përloshuri”.
Pasojë e kësaj ishte që Xheki në moshën e pjekurisë e barti ndjenjën e vetmisë dhe të ndarjes në momentet, kur kishte probleme. Në vend që të kërkonte ngushëllim, kur ndiente dhimbje ajo u mësua ta qortonte veten, gjë që vetëm e zmadhonte edhe më shmë dhimbjen e saj. Pasi e përshkroi një ngjarje, kur burri i saj, Marku u soll ashpër ndaj saj, ajo tha:
“Vërtet më vjen rëndë për faktin se si po reagoj dhe se jam e plogësht. Vetëm rrija dhe përlotesha si foshnjë. Nuk është për t’u habitur që ai mendon se jam e neveritshme. ”
Xheki e dënonte veten rregullisht, kur ndiente dhembje emocionale; vazhdonte atje, ku babai ishte ndalur. Iu bë vetvetes armiku më i keq.
Njëra ndër pasojat më shkatërruese për jetën në moshën e Xhekit ishte fakti që ajo me çdo kusht u shmangej të gjitha vendimeve të dhimbshme ose konflikteve. Por, disa vendime, të cilat njeriu i pjekur duhet t’i marrë, për shembull të bisedojë për raportin, ose ta ndërprejë nëse është i dëmshëm për të: gjithsesi i nënkuptojnë edhe dhembjet emocionale. Nëse u shmangemi këtyre vendimeve, atëherë në dhembje përzihen edhe vetëakuzimi dhe vetëdënimi.
DRAMA SI MËNYRË E JETËS
“Më kujtohen përshtypjet më të pashlyeshme të gjendjeve të acaruara që ndiheshin në ajër, kur prisnim që babai të kthehej në shtëpi. Derisa ishim bashkë nëna, motra dhe unë çdo gjë ishte e qetë dhe e rehatshme, por posa dëgjonim çelësin në derë, çdo gjë ndryshohej. Që të tria bëheshin të tensionuara, sepse kurrë nuk e dinim se si do të jetë i disponuar. Krijohej një atmosferë, në të cilën ne shpërndaheshim nëpër shtëpi si buba, ose që të fshijmë diçka në shpejtësi, ose të rregullojmë diçka, mu atje te dera për t’ia bërë qejfin. . . për t’ia sjellë pijen, pantallonat, gazetën, çfarëdo qoftë, vetëm e vetëm të mos fillojë të bërtasë. ”
Gjendja e tensionuar, të cilën e përshkroi Xheki ishte pasojë e drejtëpërdrejtë e kaosit dhe e paparashikueshmërisë që mbretëronin në shtëpi. Të gjithë frikësoheshin nga disponimi i paparashikueshëm i Nejtit. Vazhdimisht kishte lotë, lutje, britmë dhe kërcënime me dhunë fizike, e cila vetëm sa nuk ishte realizuar dhe tërë kjo përcillej me periudha të qeta. Xhekit i kujtohej që nëna për shkak të sjelljeve të egra të babait shumë herë qante, e luste, e përbetonte e pastaj, pas disa minutash ata të dy putheshin dhe pajtoheshin. Atmosfera në shtëpinë e prindërve të saj përbëhej nga acarimet e mëdha të kombinuara me elemente të dashurisë, me kujdes dhe sensibilitet. Xheki e mori porosinë që drama në esencë është pjesë përbërëse e dashurisë.
Duhet pritur që fëmijët e rritur në këso familjesh me zhurmë do të mësohen që rrëmujën dhe kaosin ta kuptojnë gabimisht si dashuri. Kur të rriten do të ndiejnë nevojë për gjendje të tilla në raportet e tyre të dashurisë. Ata e zhvillojnë atë që unë e quaj varshmëri nga drama.
Ashtu siç maskon diçka çdo varshmëri, ashtu edhe dramaticiteti i tillë mund të maskojë me sukses çdo gjë rrënuese dhe infantile në raport. Kaosi i mban pjesëmarrësit në një gjendje të një konfuzioni të tillë emocional, në mënyrë që ata të mos mund ta vlerësojnë situatën. Shpesh që të dy partnerët janë të shpenzuar dhe të rraskapitur me luftë deri në atë masë sa nuk janë në gjendje as të mendojnë.
Fëmijët nga familje të tilla rriten me mendimin që gjendja e tensionimit është pjesë përbërëse e dashurisë. Kështu vajza e rrritur në një familje të tillë, plot dramaticitet është partnere ideale për femërurrejtësit karizmatik dhe të rrëmbyer. Grindjet, gjendjet e tensionuara dhe drama për të janë “normale” dhe të njohura. Ajo kthesat nga dëshprimi drejt dashurisë, nga dashuria drejt urrejtjes, nga keqtrajtimi drejt aktit të dashurisë plot pasion i shikon si dëshmi të dashurisë.
BABALLARËT E PRIRUR TË KONTROLLOJNË EDHE BIJAT NË PUBERTET
Ja një pjesë nga letra, të cilën e luta Xhekin t’ia shkruajë babait të saj për raportet e tyre, në kohën, kur ajo ishte në pubertet:
“Të doja dhe të admiroja aq shumë, por dridhesha nga frika, kur hidhëroheshe në mua. Bëra çdo gjë për të ta bërë ty qejfin, por për ty thuajse kurrë asgjë nuk ishte e mjaftueshme. Më krahasoje me të gjitha mikeshat e mia. Kjo është më e bukur, ajo është më e mençur. Edhe po të arrija diçka, ti e nënçmoje atë. Nëse nuk e arrija atë që ti e dëshiroje më quaje të dështuar. Vazhdimisht më ke poshtëruar dhe më ke nënçmuar para të tjerëve. Kurrë nuk e kam ditur saktësisht çka dëshiron nga unë”.
Në vend që t’ia ofrojë përkrahjen dhe ndihmën, e cila i nevojitej në pubertet, babai filloi ta ndjekë edhe më shumë. Xheki më rrëfeu:
“Bëra mëkat të tmerrshëm – i zbulova djemtë. U bëra shumë e popullarizuar, por për këtë arsye, mendoj që e humba babain përgjithmonë. Thuajse u çmend. Fillonte të grindej me mua, posa më shihte. Filloi të m’i ndalonte paratë, refuzonte të më blente garderobë. Për çdo gjë më duhej ta lusja. Vazhdimisht shpikte shkaqe që të më mbante në shtëpi, po qe se kisha takim, ose duhej të dilja me shokë. Më merrte në pyetje çdo herë, kur kthehesha në shtëpi. Më duhej të jepja raport për çdo minutë që e kaloja jashtë shtëpisë. Mundohej të mbyste çdo përpjekje që bëja për t’u pavarësuar. ”
Nuk është e pazakonshme që babai të ndihet jorehatshëm pranë bijës së tij adoleshente, seksualiteti i së cilës gufon dhe e cila shpreh nevojë për pavarësi. Por sjellja e Nejti ishte e stërtepruar dhe dëmtonte Xhekin. Nejti luftonte me ndjenjat tërheqëse, konfuze e të ndaluara të bijës së vet duke e larguar nga vetja në mënyrë alternative dhe duke shprehur xhelozi dhe posesivitet. Duke nxitur grindje, duke e qortuar dhe kritikuar vazhdimisht për imtësinë më të vogël i mbante të dytë (edhe veten, edhe të bijën) në gjendje të përhershme të luftës.
Puberteti është stacioni i fundit para pjekurisë. Të gjitha përvojat e vogëlushes nga fëmijëria fillojnë të arrijnë në një pikë dhe t’ia japin formën personalitetit të saj të pjekur. Në atë periudhë ajo ndihet dhimbshëm e pasigurtë. Emocionet e saj thuajse e jetojnë një jetë të tyre duke e futur në mes të reaksioneve të mëdha. Prandaj puberteti mund të jetë periudhë e provës për tërë familjen. Vajza në pubertet ka nevojë edhe të bëhet e pavarur e në të njëjtën kohë edhe të ketë përkrahjen e familjes.
Nejti në këtë udhëkryq të ndjeshëm me sjelljen e tij krijoi te Xheki bindjen që me të diçka nuk është në rregull. Për këtë arsye ajo turpërohej nga pjekuria e saj si femër. Në përpjekjet e saj natyrore që të pavarësohet ai shihte vetëm anë negative të personalitetit të saj. Natyrisht, kjo ia përforconte Xhekit bindjen se është “vogëlushe e keqe”, gjë që e dëmtonte edhe më shumë vetërespektinë e saj.
PASOJAT E KEQTRAJTIMIT FIZIK OSE SEKSUAL
Kur Nensi erdhi tek unë për shkak të problemeve rreth depresionit dhe peshës së tepërt të trupit, as nuk ishte e vetëdijshme që dikur kishte qenë fëmijë i keqtrajtuar. Gjatë terapisë u kuptua për brutalitetin e babait. Vetëm atëherë mundi të shohë lidhjen në mes të maltretimeve të Xhefit dhe asaj se si janë sjellë ndaj saj në fëmijëri. Nensi me kohë ishte mësuar me faktin që ta kontrollojnë duke e frikësuar dhe me dajak të rëndë. Si të gjithë fëmijët e keqtrajtuar edhe ajo u mësua që ta fajësonte veten për keqtrajtimin, të cilit i ishte nënshtruar. Kur ndodhi që edhe në martesë filloi t’i mvishet epiteti “e keqe”, ajo i tingëlloi si diçka e njohur.
Nëse vogëlushja është e keqtrajtuar edhe seksualisht, faktit që ajo mësohet t’ia hedhë fajin vetes i shtohen edhe shtresat e fshehtësisë dhe turpit. Shpërkëndyesi gjaktrazues fajin për krimin e tij gjithmonë ia hedh fëmijës, të cilin e sulmon. Vogëlushja atëherë mësohet që veten ta shikojë si personalitet të pavlerë dhe me të meta. Duke pranuar poshtërimin, tradhtinë dhe shfrytëzimin si kushte për të mbetur gjallë gjatë fëmijërisë, është shumë e mundur që vogëlushja do të krijojë raport të njëjtë: shpërkëndyes-viktimë edhe kur të rritet.
Krimi i tmerrshëm i incestit më në fund në publicitet po nxit vëmendjen e merituar. Vetëm në këtë vend* ( mendohet në atdheun e autores së këtij libri – SHBA), së paku njërën nga dhjetë vogëlushet do ta sulmojë anëtari i familjes, të cilit ajo natyrisht i beson. Përvojat e tilla i sjellin vogëlushes dëm shumë të madh emocional dhe e sjellin deri te shtrembërimi i rëndë i mendimit të saj për veten, si për një femër që nuk e meriton dashurinë.