Eudora Welty: Tregimtarja nga jugu

Autori: Henry Mitchell

Përkthyesja: Shpresa Arifi

Jackson, Mississippi. Disa thonë që Eudora Welty shkruan më mirë nga të gjithë në kontenë Hinds, por asaj nuk i pëlqejnë mburrjet asnjëherë. Disa të tjerë mendojnë që ajo është më e mira në Mississippi-n qëndror ose në gjithë Amerikën.
“Mos e teproni kaq shumë”!, shprehet ajo, kur kritikët e paguar fillojnë t’i thurin lëvdata pambarim.
I tha njëherë një mik: “Eudora, si ka mundësi që i lexon kritikat letrare? Mjaft shkrimtarë nuk i lexojnë fare ato”.
“Njoh mjaft shkrimtarë që nuk i lexojnë”, tha ajo, “por unë i lexoj. Jam aq kureshtare, saqë nuk mund t’i lë pa lexuar”.
Dhe kjo, natyrisht, është e vërtetë. Zonjusha Welty është tejet kurioze. Përveç kësaj, ndonëse ajo s’shprehet tamam kështu, është disi e këndshme të marrësh në dorë një gazetë ose revistë e të shohësh se si përpiqen me këmbëngulje të kritikojnë dy veprat e tua të fundit. Ajo i ka shkruar në orë të ndryshme me intervale në dhomën e gjumit, pikërisht këtu në Jackson, dhe ato janë një mrekulli po t’i lexosh.
Një kolegj i “Washington Post”-it, shkrimtari Reynolds Price, u indinjua dhe tha që s’ka kuptim ta krahasosh “Humbja e betejave” (1970) me romane të tjera amerikane. Price-i propozoi që, së pari ai të krahasohet me “Shtrëngata” të W.Shakespeare-it dhe pastaj të bëhen debate rreth tij.
“E di që kështu është shprehur”, tha zonjusha Welty, kur gjatë dy ditëve pata kënaqësinë të rri me të dhe të shijoj gjellët e saj. “Dhe do të bisedoj me Price-in rreth kësaj çështjeje, pasi ai e ka tepruar duke më krahasuar me Shakespeare-in”.
Ai ishte më i zoti i “Washington Post”-it, për të bërë edhe njeriun më të ndershëm të skuqej. Një gazetë në Hjuston shkruante vetëm që libri ishte “një arritje gjigante”, ndërsa në “New York Times” flisnin vetëm për “gëzimin e përgjithshëm”, megjithëse shtonin se zonjusha Welty ka një sens humori më origjinal sesa shkrimtarët e tjerë bashkëkohorë amerikanë. Në Philadelphia, ku ndihe deri diku ndikimi i Quaker-it4, këtë roman e quajtën me modesti një kryevepër dhe e lanë me kaq.
“Më pëlqen të lexoj përmbledhjet e përmbajtjeve të librave”, tha zonujusha Welty, “dhe kur shkoj nëpër duar liba, në mënyrë të pandërgjegjshme kërkoj që ata të jenë të mirë”.
“A s’bën ajo një jetë të vetmuar?”, më pyeti taksisti që më çoi në shtëpinë e Welty-t. Ai e quajti veprimin e saj të paarsyeshëm. Ta quash Welty-n të paarsyeshme është absurde. Ajo nuk është e tillë. Por edhe në vetmi ajo nuk jeton. Po të dinte ajo që taksisti kishte të tillë mendim për të, do të zemërohej.
Rrallë ndodh që ajo nuk takon ndonjë mik (dhe kur je lindur, ke ndjekur shkollën e jeton në Mississippi për 60 vjet dhe vazhdon të jetosh në po atë qytet jo shumë të madh, ke aq miq sa t’ia dalësh mbanë) për të pirë një gotë, për drekë ose për darkë. Zakonisht hanë në shtëpinë e saj ose të tyren, sepse njerëzve nga jugu nuk iu pëlqen të enden restoranteve të panjohura, me përjashtim të New Orleans-it, ku prejardhja e tyre është e ndryshme.
Familja e zonjushës Welty nuk ishte nga jugu në kuptimin e vërtetë të fjalës, megjithëse ajo është bërë e famshme me personazhet e saj jugorë. Babai i saj erdhi në Jackson nga Ohio dhe nëna nga Virginia perëndimore. Por zonjusha Welty e ka kaluar gjithë jetën në Jackson. Njëherë në shkollë i dhanë një ditë pushimi, sepse arriti të gërmëzonte emrat e 82 konteve të Mississippi-t si dhe qendrave të tyre, kur disa ishin mjaft të vështira – Oktibbeha, p.sh. Gjithashtu, dihet me siguri që ajo blinte simite Tootsie, dhe është po aq e sigurtë që në atë kohë bënte mjaft kujdes për shkrimet e veta dhe i kënaqte shokët e klasës.
Ajo ende jeton në shtëpinë e re me tulla të Welty-ve (të ndërtuar gati 60 vjet më parë), me salla të bollshme e orendi të viteve 20-të. Disa prej mureve janë plasaritur. Zonjusha Welty thotë që qyteti Jackson është ndërtuar mbi një truall argjilor e gëlqeror të vendosur sipër një shtrese ranore. Të duket sikur kalimi i viteve shkakton lëkundje tërmeti, që e detyrojnë njeriun të heqë dorë nga riparimi i mureve të plasasritura.
Kohët e fundit zonjushën Welty e zbuan nga një restorant në Jackson, çka tregon, ndër të tjera, që ajo nuk bën jetë të vetmuar. Ngjarja ndodhi mbasi ajo kishte fitur në lokal dy djem me flokë të gjata, pamja e jashtme e të cilëve nuk i pëlqeu pronarit.
“Por ndoshta ishte gabimi juaj ose ndoshta e keqkuptuat kamarieren”, e pyeti dikush zonjushën Welty, pasi, në fund të fundit, pronarit nuk do t’i interesonte të flakte jashtë zonjushën Welty në Jackson, ashtu si Alice Roosevelt-in në Rive Gauche, që në të dyja rastet do t’i bënte lokalet të famshme.
“Nuk e keqkuptova kamarieren”, u përgjigj eudora duke ngritur pak zërin, sikur donte të thoshte se nuk e kishte për zakon të keqkuptonte veprimet e njerëezve”. Ajo ma tha shkoqur: Duhet të largoheni të gjithë! Po ajo kishte theksuar se nuk duhet t’u vinte keq, pasi ata e kishin si rregull që t’i nxirrnin jshtë lokalit klientët me flokë të gjata. Mirëpo për çudi brenda kishin mbetur klientë të qethur, pamja e të cilëve të gënjente.
Edhe këtë herë zonjusha Welty e përmbajti veten, por ka raste që duhet nxjerrë dufi, prandaj menjëherë i dërgoi një letër gazetës “Clarion Ledger” për ndodhinë. Miqtë e saj të rinj nuk ishintë pirë apo rrëmujaxhinj, por ishin ulur si qingja duke pritur pjatën me karakaleca. Eudora nuk do të përkulej kësaj here.
Ajo e tregoi qartë qëndrimin e vet në atë letër. Bëri ç’kishte për të bërë dhe nuk ka më ndërmend të merret me atë punë. Nuk është më e pakënaqur, por edhe në qoftë se është, kjo nuk ka të bëjë me pronarët e restoranteve, por me armiq madhorë të përjetshëm, si vdekja, gjethet e zverdhura ose nematodat.
“Nuk mund ta marrësh me mend”, tha ajo, “por ky kopshti ishte i bukur njëherë e një kohë. Nëna kujdesej vazhdimisht për të”. Si nëna dhe e bija ishin kopshtare të mira, kopshtare që e njohin me të vërtetë zanatin e tyre, ndryshe nga ata që kanë nëpër kopshte grumbuj lulesh shumëngjyrëshe. Ato lexonin gjithmonë rubrikën e V.Sackville-West-it në gazetën “Observer” dhe Elizabeth Lawrence-in. Me të tilla njohuri ato krijuan një kopsht me të vërtetë mahnitës.
Atë vit që u shfaqën nematodat, mori fund thuajse gjithçka. Zonja Welty u sëmur – ajo vdiq kohët e fundit – ndërsa Eudora shkruante romanin “Humbja e betejave” në shtëpi, në prani të nënës dhe dy infermiereve të cilat qeshnin shumë (libri nuk ka fatkeqësira dhe të zbavit si në parajsë), duke mos qenë në një mendje me zonjushën Welty.
E në mes të kësaj hareje, nematodat dëmtuan trëndafilat të cilët ishin ngjeshur njëri mbas tjetrit, si një trung peme, por që nuk mundi t’i shpëtojë dot asgjë. Zonjusha Welty mbolli një mollë të egër në krye të parcelës së trëndafilave, për të mos e lënë të ëmën të shihte fatkeqësinë që kishte pllakosur në mes të parcelës.
Thonë që normalisht dëmtimi i trëndafilave do ta kishte nxjerrë zonjën Welty menjëherë nga kuzhina, por tashmë ajo nuk ishte më e zonja për të tilla beteja. Shumë thesare u venitën. “Lavdia e Dizhonit” dhe “Alpinistët lëkurëverdhë të fatit” u thanë; po ashtu edhe “Sirena”. Por “Safrano”, trëndafili i vjetër ngjyrë kaki, po rritej mjaft mirë, dhe “Hëna e argjendtë” ia doli mbanë sikurse “Zonja Banks”.
Personazhet e tregimeve të saj u ngjajnë trëndafilave, disa mbijetojnë, të tjerët jo. Tregimi i saj i parë “Vdekja e një tregtari shëtitës” (shkruar në 1936, kur zonjusha Welty ishte 24 vjeç), shtjellon jetën e një njeriu që nuk punon mirë truri. Ai nuk arrin ta shohë realitetin dhe vdes pa e kuptuar vetveten apo botën përreth.
Romani i saj i fundit “E bija e optimistit”, trajton po ashtu veprimtarinë e atyre njerëzve që përpiqen të gjejnë identitetin e tyre (zakonisht janë të paqartë e gabojnë). Një nga idetë e librit është se ka dallime të vogla midis shtresave shoqërore kur është fjala për shqiptimin, intonacionin dhe tiparet e tjera sipërfaqësore të tyre.
Ndoshta kjo është arsyeja që historia e Phoenix Jackson-it (e përfshirë në përmbledhjen me tregime “Një perde gjelbërimi”), vlerësohet mjaft edhe sot, ndonëse pak nga lexuesit e kanë njohur personalisht heroinën, një zezake mjaft e moshuar, që shkon te doktori për të marrë ilaçin e nipit të helmuar me finjë.
Disa lexues janë të mendimit që “Humbja e betejave” është vepra e saj më tipike dhe më e mirë, ndonëse kritikët aludojnë për një tour de force.
Romani përshkruan historinë e një familjeje femerësh të bardhë në atë pjesë të Mississippi-t, që nddhet pranë kufirit Tennessee-Alabama-Mississippi. Ngjarja zhvillohet në vitet 30-të, personazhet janë nga më të varfërit, por krenarë dhe punëtorë të ndershëm, si dhe mjaft të ndërgjegjshëm, për detyrimet dhe lidhjet familjare.
Autorja mendon që asnjë nuk do ta besonte subjektin, në qoftë se ngjarja do të vendosej në të tashmen, prandaj e ka vendosur atë 40 vjet më parë. “Do të dëshiroja që personazhet të ishin nga shtresat më të ulta, pa para, pa arsim, të mos kishin asgjë veç vetes dhe ajo çka mbetej, ta fitonin vetë”.
Por edhe kështu personazhet janë të ndërlikuar dhe shumë syresh i keqkuptojnë rolet e tyre. “Hymbja e Betejave” ka të bëjë pak me betejat e humbura dhe titulli s’është gjë tjetër veçse një ironizim i betejave të tyre të fituara, ndonjëherë pa e kuptuar as ata vetë.
Hero kryesor, trashëgimtari i familjes, quhet Jack. Atë e kanë futur në burgun e Parchman-it pa ndonjë arsye bindëse dhe ndodh që të kthehet në shtëpi ditën e takimit të përvitshëm familjar.
Në qoftë se krahasimi me Shakespeare-in duket i paarsyeshëm, dhe kështu është, kritiku që kishte të njëjtin mendim, e krahasoi atë me “Iliadën” dhe “Don Kishotin”. “Më kujton Iliadën”, tha ai Ç”do gjë më kujton Iliadën”, u përgjigj zonjusha Welty.
Linja e narracionit, thjeshtësia dhe eleganca e gjuhës. veprimet e natyrshme, marrëdhëniet e vrullshme vetjake dhe ashpërsimi herë-herë i dialogut, madje duke arritur një efekt emocional me nuanca arkaike, të gjitha këto, pasqyrojnë më tepër metodën bazë të Homerit sesa atë të Shakespeare-it.
Elementi komik në këtë subjekt dhe në mjaft subjekte të tjera i ngjan më tepër Damon Runyon-it ose Cervantes-it sesa Mark Twain-it.
Sikurse një kritik i paarsyeshëm e krahasoi atë me “Shtrëngata” të Shakespeare-it, edhe mjaft lexues tregohen pak sa të paarsyeshëm, duke sjellë ndërmend (kur lexojnë veprën) Cervantes-in dhe Homerin. Ashtu si recensentët që në përgjithësi kanë mendime superlative dhe bëjnë krahasime me veprat e mëparshme madhore, edhe lexuesit shpesh reagojnë sikur zonjusha Welty të ishte më tepër një profete apo priftëreshë sesa një tregimtare e talentuar.
“Javën e kaluar mora një letër nga një taivanez”, tha ajo, “i cili, për arsye personale, donte të bëhesha gjyshja e fëmijëve të tij. Është një letër e bukur dhe e ngrohtë, por nuk di si t’i përgjigjem, nuk dua të bëhem gjyshja e askujt”.
“Ja dhe një letër nga një murgeshë – ato shkruajnë mjaft letra – e cila ankohet që vajzat skautiste nuk përshkruhen me vërtetësi në një tregimin tim. Nuk di si t’i përgjigjem. Ja dhe një letër tjetër nga një murgeshë indiane, që ka rënë në dashuri me një prift dhe kërkon këshillën time. E ku ta di unë se ç’duhet të bëjë ajo? Ju uroj këtyre njerëzve gjithë të mirat, por s’e kam idenë si t’u shkruaj e nga t’ia filloj”.
Kohët e fundit zonjusha Welty mori një letër nga një burrë i këndshëm që e pyeste pse nuk trajtonte në tregimet e saj temën e hebrejve në getot e Mississipp-it.
“Siç e dini në Mississippi ka hebrej, por ata nuk jetojnë nëpër geto dhe ka më shumë gjasa që të jenë kryetarë bashkie. Ndonjëherë marr disa letra që më habisin dhe më duket se nuk mund të bëjë asgjë për të zgjidhur hallet e tyre prej këtu”.
Shumica e letrave kanë një tipar të përbashkët: idenë që zonjusha Welty është e aftë të analizojë të gjitha marrëdhëniet njerëezore.
Dy romanet fundit, si gjithë veprën e saj, nisi si tregime të shkurtra. Ajo kishte menduar që “Humbja e betejave” të përfundonte atëherë kur Jack-u të kthehej nga burgu për të marrë pjesë në takimin e përvitshëm familjar. Por zonjusha Welty ishte apasionuar tërësisht mbas këtij personazhi, kur ai u shfaq për herë të parë në faqen 71, ndërkohë që personazhet e tjerë e kishin paraqitur atë tashmë si hero. Prandaj ajo la “disa faqe më shumë” për t’u marrë me Jack-un, më saktë 436 faqe, duke krijuar kështu një roman të cilin e konsideron më tepër si tregim sesa një paraqitje të përkryer të botës.
Romanin e saj të fundit “E bija e optimistit”, botuar në vitin 1972, ajo po ashtu e filloi si një tregim pa fund.
“Është krijimi im i parë që përmban hollësi të vërteta autobiografike. Nuk jam e sigurtë nëse veprova drejt. Personazhi i nën’s mishëron nënën time. Djemtë janë vëllezërit e saj. Mund të kisha shtuar edhe ndonjë personazh tjetër. Ndërsa për ngjarjet në Virginia-n perëndimore, kam patur parasysh vendlindjen e nënës”.
Gjëja më e spikatur në vepër është finalja e gjatë dhe lirike (“…Këmisha tij e bardhë do të shkëlqente për një kohë të gjatë pa lëvizur para syve të saj, si Venusi në qiellin e malit Salus, ndërsa gjyshja, nëna dhe vajza e vogël, prisnin kthimin e tij ulur, duke soditur perëndimin e diellit…”).
Shkrimi i “veprave të arrira”, është i mbarsur me rreziqe, por zonjushës Welty s’i ka munguar kurrë guximi të përballet me sfidën. Njëherë gjatë bisedës ajo përmendi disa eksplorues lulesh, që shkojnë në Nepal dhe Sikim e rrezikojnë jetën e tyre për të sjellë në kopshtet tona lulet e alpeve.
“Është diçka me vlerë zbulimi i luleve të reja të pranverës. Ia vlen të përpiqesh, të rrezikosh diçka për to”, tha ajo.
Ajo i vendosi zbuluesit e bimëve që sjellin thesaret e kopshteve nga Himalajat përballë botës së zakonshme e të përditshme: “Fjalët pothuaj nuk kanë më asnjë kuptim dhe gjithçka mund të jetë një gënjeshtër. Madje sot nuk ka asnjë rëndësi nëse diçka është e drejtë ose jo”.
Lënia pas dore e mirësjelljes, vetjake, shtimi i ashpërsisë dhe i dhunës, mbështetja në vizione të paqarta dhe jo në realitetin e vërtetë, këto e shqetësojnë atë.
Në pamjen e jashtme asgjë nuk e ndryshon sensin e saj të humorit edhe kur përmend politikën. Dhe ja aluzioni që ajo bën: “Kur i sjell ndërmend të gjithë këta politikanë, njerëz si Napoleoni, mendoj se ata nuk ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri”.
Dikush tha se ju nuk do të pranonit që Lyndon Johnson-i të ishte i shkurtër.
“Jo”, tha ajo. “Unë mendoj që duhet thënë se ai nuk ishte shumë i gjatë, por i gjatë”.
Si shkrimtare e mirënjohur, zonjusha Welty përpiqet të gjejë kohë për të medituar dhe për t’u frymëzuar. Ajo nuk jep më leksione si dikur, pasi nuk ka nevojë për të fituar bukën e gojës me këtë punë. Zakonisht nuk takohet me gazetarë, jo thjesht për snobizëm, por sepse kurrë nuk ndjehet e sigurtë në bisedat me ta.
Po nëse një gazetar gjen rastin ta takojë, ajo mund të flasë plot 12 orë, ndërsa gatuan darkën. Asaj i është fiksuar që vizitori do të parapëlqente të hante më mirë një hamburger në Dhomën e Tmerrit sesa të darkonte në qejf të vet me Eudora Welty-n. Por kur i mbushet mendja që vizitori i shijon gjellët e saj njësoj si ato të një restoranti të zakonshëm, ajo shtron një gosti me lëng mishi të ftohtë, pure avokadoje dhe kos, me rosto e mishra të tjerë, me djathra të shijshëm, me sallatë domatesh të pjekura e të kuqe si pjeshka Indie (pjeshka e kujtimeve të fëmijërisë) dhe me kafe të fortë e të freskët.
Kafeja ishte shumë e shijshme, ndryshe nga ajo e automatit.
Asaj i pëlqen jo vetëm të gatuajë, madje pa ndihmën e ndokujt, por dhe të bisedojë e të lajë vetë pjatat, ndërkohë.
Përveç librave për kopshtarinë, gatimin e fushave të çdo lloji, Eudora ka një interes të veçantë për romanet misterioze dhe për fjalorët. Ajo ka fjalorin e madh anglisht të Oxford-it dhe me të kalon mjaft orë të këndshme. E pëlqen shumë poezinë, sidomos Yeats-in, Donne-in dhe Marvell-in, por thotë: “Në të vërtetë kam frikë se nuk e kuptoj drejt poezinë moderne. Jam një person plotësisht real. Më duhet të kem parasysh një pamje reale, a e thashë mirë fjalën reale? Përherë më duhet të erceptoj një pamje të tillë”.
Pasioni për pamje reale i përshkon përherë sujbektet e saj. Zonjusha Welty krahason sende të tilla reale, si trëndafilët e kuq të venitur me ngjyrën e gjuhës së qenit të gjuetisë dhe zhurmën e karkalecave në mbrëmje me tingullin e farërave që hidhen në një enë alumini.
Por gjithnjë spikat prirja e saj për komedinë. Për shembull, kur bie fjala për fanatizmin amerikana për tabelat, ajo përmend tabelën e vet të preferuar, që e ka parë dikur në një stacion treni: “Ndalohet e qeshura dhe e folura me zë të lartë kur treni ndodhet në stacion”.
Me gjithë adhurimin e madh të lexuesve apo të atyre që i kërkojnë këshilla kur dashurohen me një prift, ajo nuk mendon se mund të bëhet shkrimtare kulti për ta.
“S’do të më pëlqente kurrë të bëhesha një shkrimtare kulti dhe s’kam vënë re ndonjë shenjë të tillë. Do të ishte e tmerrshme. Fillimisht njeriu nis ta besojë këtë, pastaj bëhet absurd dhe budalla. Nuk kam shitur kurrë shumë libra, s’kam qenë një shkrimtare me popullaritet të madh dhe mjaft njerëz as që ma kanë dëgjuar ndonjëherë emrin”.
Në të vërtetë vetëm këto vitet e fundit – në moshën 60-vjeçare – ajo ka mundur të jetojë me shkrimet e veta. Në fillim tregimet e shkurtra nuk ia pranonin dhe më vonë filluan t’ia botonin lirë. Përmbledhja e titulluar “Një perde gjelbërimi” (1941) me tregime të tilla të famshme, si “Shtegu i rrahur” dhe “Njeriu që u step”, u botua që në fillim të viteve 40, por gjatë tre dekadave dhe dy botimeve të para u shit vetëm 6700 kopje.
Agjenti i zonjushes Welty, Diarmuid Russell nga New York-u, theksoi në revistën letrare tremujore “Shenandoah” që “të ardhurat nga librat nuk janë ndonjë pasuri për autoren apo botuesin”, ose në rastin konkret, për agjentin.
“S’do t’ia dilja dot mbanë pa Diarmuid-in”, tha zonjusha Welty. Ai u bë agjenti i saj në vitin 1940 dhe vazhdon të punojë ende për të. Russelli është i biri i shkrimtarit A.E. dhe qëlloi thjesht një rastësi që ai ishte edhe ekspert për lulet e egra amerikane.
“Kur më propozoi të bëhej agjenti im, as që e dija që kishte agjentë për këtë punë. Ju dërgoja revistave tregimet e mia dhe kur m’i kthenin, ua dërgoja të tjerave. Kjo është mënyra më e përshtatshme, kështu duhet ta nisin të gjithë. Por tani me gjithë këto çështje ligjore, lejen për të ribotuar dhe të drejtën për të botuar jashtë vendit, nuk mund t’ia dilja dot vetë”.
“Para përfundimit të dy veprave të fundit, nuk e përballoja dot jetën vetëm me shkrime. Isha me fat që mbaja leksione dhe shkollat ishin bujare duke më ftuar të jepja kurse të shkurtra leksionesh. Kështu gjithmonë ia dilja mbanë, por asnjëherë nuk fitoja shumë. Megjithatë ka edhe revista, si “The New Yorker”. Ata mendojnë që shkrimtarët duhet të fitojnë ca para nga revistat. Paguajnë mirë, madje edhe kur e dinë që një tregim mund ta blejnë më lirë, por puna është se ti kurrë nuk je e sigurtë se kur mund ta shkruash tregimin…”.
“S’mund ta rregullosh këtë punë në mënyrë të tillë, që të krijosh kur ke nevojë për të holla”.
Me të hollat e një tregimit të botuar në revistën “The New Yorker” zonjusha Welty bleu dy makina të përdorura Ford, një për mbesën dhe tjetrën për vete.
Njëherë dikush i propozoi që po të ngiste një makinë të veçantë dhe të paraqiste epigrame në televizion një herë në muaj, ajo shpejt do të quhej orakull.
“Oh, kjo s’është e vërtetë, e provova njëher – isha një Ford 16-vjeçar që punonte mirë. Ende s’e kuptoj pse hoqa dorë prej tij,sidoqoftë edhe kur e kisha makinën e vjetër, askush nuk mendonte që isha orakull”.
Kur sheh librat e botuara, ajo është e shqetësuar. “Asnjëherë s’kam qenë e përgatitur për kritikat e librave. Asnjëherë nuk jam e përgatitur për diçka. Dua të them se nuk e kam idenë si do ta presin librin. Kur e shoh librin në shitje e kuptoj që çka kam bërë privatisht në Jackson dhe çka ka qenë e imja bëhet publike. Ndjehem e pambrojtur”.
Autorja e saj e parapëlqyer është Jane Austin, një shkrimtare të cilës i kthehet herë pas here. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të jugut, nuk ka ndonjë preferencë të veçantë për Milton-in. Ajo ndoqi një kurs për të vite të shkuara dhe qysh atëherë nuk ka lexuar gjë prej tij.
“Mos do të thuash që nuk je puritane?”, e pyetën njëherë.
“Jo, nuk është e vërtetë, por në qoftë se në vend të Milton-it do të vinit Jane Austin-in, të jeni i sigurtë se do të ishti më pranë puritanizmit. Më falni”.
Me sa jam në dijeni në tregimet e shkurtra shkruar nga shkrimtarët e jugut gjatë shekullit të kaluar, shprehet adhurimi i tyre për Milton-in. Pati mendime që ndikimi i Milton’it ishte ndoshta aq i ndjeshëm, saqë edhe zonjusha Welty në mënyrë të pavetëdijshme e mbartte atë. Siç dihet shpesh shkrimtarët ndikohen në mënyrë të pandërgjegjshme.
Nuk kam lexuar asnjë rresht nga James Fenimore Cooper-i, por kritikët po merren prapë me të, kjo është e trishtueshme. Fama letrare është diçka e brishtë. Njëherë dikush më tha se kur shkrimtari i kalon të 50-at, të gjithë e sulmojnë. Kam mendimin që ndonjëherë ata vendosin:
U lodhëm duke thënë që shkruan mirë.
Vuri buzën në gazë dhe u ngrit në këmbë për të marrë thesarin e vet privat, që ia kishte dërguar dikush – esenë e një studenti për Shakespeare-in. Aludimi për kritikët i kujtoi Shakespeare-in dhe humori i saj i shfrenuar nuk i shtiu në mend skenën e përkryer të ndonjë drame, por esenë e djaloshit nga Georgia. Ishte e qaartë që studenti nuk e njihte mirë Shakespeare-in, por të paktën ai e ndjente që duhej të thoshte diçka mbresëlënëse për të:
“Disa thonë që Wiliam-i ishte një copë jete pa varr, një yll i shndritshëm, ishte si mjelma i liqenit”.
Duke lexuar esenë zonjusha Welty qeshi aq shumë, saqë nuk fliste dot më.
“Një copëz jete pa varr, ja ku e gjeta një titull për ty”, tha ajo duke gulçuar. (Njëherë Henry Miller-i ka thënë që pëlqente tregimet e saj, por jo titujt e tyre). Mirëpo zonjusha Welty është tejet e veçantë pikërisht për titujt dhe emrat. Pagëzimi i personazheve është për të shumë i rëndësishëm.
“Këtu në Mississippi ka emra të mrekullueshëm. Lexoja shumë gazeta në rini dhe më pëlqente veçanërisht Oxford Eagle. Aty kam hasur emrin e një gruaje, por e ndjeja që të gjitha emrat shpesh ishin vënë nga zoti Faulkner. Ai vinte emra të përsosur. Nuk di se sa është e vërtetë, por njëherë Faulkner-it i zunë në gojë një emër dhe ai tha: Është një emër shumë i njohur. Nuk mund të pres gjersa të vdesë. Që pastaj të mund ta përdorte”.
Zonjusha Welty tani ka ndërmend të botojë një kurs leksionesh, por është ende në mëdyshje. A do të sjellë kjo vepër ndonjë gjë të re dhe me vlerë? A ia vlente ta botonte?
“Mbas suksesit të jashtëzakonshëm të dy romaneve të fundit në këto dy vjet, a ju ka shkuar ndërmend të shkruani një vepër të rëndomtë, thjesht për variacion?, e pyeti dikush.
“Do të shqetësohesha shumë në qoftë se do të shkruaja një vepër dosido dhe ajo të vlerësohej, thjesht për forcë zakoni. Ndodhin dhe gjëra të tilla.
Edhe Milton-i, natyrisht, do të kishte pasur të njëjtin mendim.