Përse banoj në zyrën postare

Autorja: Eudora Welty

Përkthyesi: Ilir Sofroni

Po ia kaloja për bukuri me mamanë, babagjyshin dhe dajë Rondo-n, gjer ditën kur ime motër Stella – Rondo u kthye në shtëpi pas ndarjes me të shoqin. Zotin Whitaker! Sigurisht, unë qeshë e para që shkove me z. Whitaker, kur ai u duk fillimisht në China Grove si fotogarf shëtitës, mirëpo Stella-Rondo bëri si bëri gjersa futi sherrin mes nesh. I tha atij se isha pa taban dhe se shkoja nga frynte era, duke mbajtur anën që më vinte për mbarë; shpifje e paramenduar me laps në dorë: unë jam ajo që jam. Stella-Rondo është plot 12 muaj më e vogël se unë, ndaj dhe e kanë përkëdhelur.
Në jetë i ka ecur, duke marrë prej saj ç’ka dashur, edhe pse nuk ka ditur ta vlerësojë. Kur mbushi 8 vjeç babagjyshi i fali një gjerdan të hatashëm nga ata “Shto-një-perlë”, të cilin e humbi pas një viti, duke luajtur beisboll – të katandisur vetëm me dy perla).
Kështu, menjëherë pas martesës dhe largimit nga shtëpia, gjëja e parë që bëri ishte ndarja. Nga z. Whitaker. Ai fotografi sygërrdoq të cilit, siç thoshte ajo vetë, i zinte fort besë. U kthye në shtëpi nga një prej atyre qytettheve andej nga Illinois-i dhe për habinë tonë të paparë solli me vete fëmijën 2-vjeçar.
-Si nuk t’u thanë duart më mirë! Paske patur këtë perri leshverdhë dhe nuk më shkrove kurrë as dy gisht letër. Ma nxive faqen para njerëzve, – thotë mamaja. Po ku pyeste ajo ç’thoshin bota.
Stella-Rondo pa e çarë kokën heq kapelen, të cilën do të doja t’ia shihnit. – Pse mama? – thotë ajo. – Shirley – T. – në e kemi adoptuar dhe këtë mund t’ua dëshmoj.
-Si thë? – thotë mamaja, ndërsa unë bëra vetëm një “hëm”. Qeshë përkulur mbi stufën e nxehtë dhe po mundohesha t’ia ndaja dy pulat e pjekura për pesë vetë dhe një fëmijë të paftuar, për të cilin nuk na kishte lajmëruar njeri.
-Çdo të thuash me atë “hëm”? – ia bën Stella-Rondo, kurse mamaja thotë: – Edhe unë e dëgjova, motra e mamasë.
U thashë se asgjë s’desha të thosha dhe vazhdova se kushdo qoftë Shirley – T.-ja, atë sikur e kishte nxjerrë babagjyshi nga hundët, poqese ai do ta hiqte mjekrën, çka dihej se s’kish për ta bërë gjallë në botë. Babagjyshi është i ati i sime mëje dhe rri ngaherë me turinj.
Stella-Rondo u xhindos. – Motër, e di që nuk të skuqet faqja, se gjithnjë e tillë ke qqenë, sidoqoftë do të ta dija për nder sikur të mos e zije në gojë vajzën time të adoptuar, – tha ajo.
-Shumë mirë, – i thashë. – Më mirë s’bëhet. Afërmendsh që sakaq e vura re se ajo ngjan edhe me z. Whitaker. Ka po atë mrrolje vetullash. Duket sikur e kanë pjellë të dy bashkë, z. Whitaker dhe babagjyshi.
-Kjo s’është e vërtetë, kaq mund të them, – kërcen Stella-Rondo.
-Për mua, ajo është Shirley Temple1 në vend, – thotë mamaja, mirëpo shi atë çast Shirley – T.-ja iu largua.
Kështu, pasi u shtruam në tryezë, Stella-Rondo s’priti dot gjersa e ndezi babagjyshin kundër meje.
-Babagjysh, – thotë ajo. Ai po mundohej të copëtonte thelën e tij të mishit. – Babagjush! Unë u përfshiva e tëra nga befasia. Babagjyshi duket thuajse njëmilionvjeçar dhe ka një mjekër aq të gjatë sa s’thuhet. – Babagjysh, motra s’arrin ta kuptojë pse ti nuk e heq mjekrën.
Babagjyshi lë m-ë-nj-a-n-ë thikën dhe pirunin. Është një aristokrat i vërtetë. Kështu thotë mamaja, kurse ai thotë që jo. – Mos më bënë veshët, apo çfarë? Ti s’e kupton pse nuk e heq mjekrën?
-Babagjysh, – them, – natyrisht që e kuptoj, por unë nuk e thashë një gjë të tillë.
-E pacipë! – thotë ai.
-Babagjysh, ti e di që s’do të doja kurrën e kurrës ta hiqje mjekrën. Këtë as e kam çuar kurrë nëpër mend! Gjithçka e sajoi Stella-Rondo, ndëras po hante gjoksin e pulës.
-Pra, përgjegjësja e postës s’e kupton pse nuk e heq mjekrën! Punë që ta gjeta falë lidhjeve të mia me qeverinë! “Vend pëllumbash”, kështu e ke quajtur më duket?
Jo vetëm për nga madhësia, paçka se ajo në të vërtetë është zyra postare e parafundit në tërë shtetin e Mississippi-t.
-Babagjysh, – i them. – As e thashë një gjë të tillë dhe as e kam parë atë zyrë si vend pëllumbash. Të jam përjetë mirënjohëse për çka ke bërë për mua, edhe pse ajo për nga madhësia zë vendin e parafundit në shtetin e Mississippi-t, veç nuk ka si të mos fyhem kur im gjysh më quan të pacipë.
-Po, po ti e the! – hidhet Stella-Rondo. – S’di të kemi këtu ndonjë të shurdhër.
-Mjaft tani! – thotë mamaja me sytë nga unë.
Atëherë unë përplasa pecetën mbi tryezë dhe u ngrita.
Sapo dola nga dhoma, mamaja thotë: – Thirreni të kthehet, se do t’i bjerë këmbës nga uria. Kurse babagjyshi thotë: – Këtë mjekër kam nisur ta rrit që në moshën 15-vjeçare, kur jetoja në bregdet. Ai do të vazhdonte kësisoj të rrëfente gjersa të binte nata, sikur Shirley-T.-ja të mos e kish humbur çokollatën që e pat ngrënë qysh kur ia blenë.
-Po dal të shtrihem në përkundëse, – thotë babagjyshi. – Kurse ju mos u ngrini, veç mbani vesh ç’po u them: sa të rroj, kurrë s’do ta heq mjekrën, as edhe një qime, dhe dijeni se ky muhabet po më bezdis. Pastaj ai më kaloi pranë në korridor, bëri për nga oborri dhe u shtri në përkundëse.
Ishte ditë feste.
As pesë minuta më vonë, krejt befas, në korridor u dha dajë Rondoja i veshur me një kimono rozë të prerë skiç të Stella-Rondo-s, e cila kish të ngjarë që z. Whitaker t’i jetë dukur e mahnitshme.
-Dajë Rondo9! – them. – Nuk të njoha fare! Ku po vete?
-Motër, – thotë ai. – Hapmë rrugën, jam helmuar.
-Po të jesh helmuar, rri larg babagjyshit, – i them unë. – Mos iu afro përkundëses, se nuk shpëton dot pa ngrënë ndonjë shpullë kokës. I është mbushur mendja se e thashë qëllimisht atë punën e mjekrës, sidomos pas asaj që bëri për të më rregulluar në zyrën postare. I thashë i stërthashë sa u lodha, por ai sillet sikur nuk dëgjon. Kam frikë se babagjyshi ka mbërdhifur nga veshët.
-Ku e gjeti sot në këtë ditë të bukur, – thotë dajë Rondo-ja dhe sa çel e mbyll sytë ia mbath andej nga oborri.
Në të vërtetë daja kishte pirë edhe një shishe tjetër nga ai ilaçi. Megjithëse çmimi i tij është fort i kripur, e përsërit këtë avaz çdo 4 korrik2 si buka që ha. Pastaj zë përkundësen dhe gërrhet. Kurse tani, me pamjen e një të letuari, ai po shalakatej si mos më keq drejt përkundëses.
Babagjyshi u zgjua duke bërtitur llahtarshëm dhe pa u tundur vendit u përpoq ta ndërsente dajë Rondo-n kundër meje. Ia dëgjova fjalët një më një. I tha se unë nuk paskam ditur të lexoj gjersa u bëra 8 vjeçe, nuk e kuptonte si dreqin ma zinte gjithmonë postën e nesërmja në zyrë, pa mundur ta lexoja dot të tërën dhe se daj Rondo-ja nuk e dinte se ç’kishte hequr ai për të më rregulluar në atë punë. Pastaj i tha se Stella-Rondo ishte vajzë e zgjuar dhe se e kishte hak ndihmën për t’u larguar nga ky qytet. Ndërkohë, babagjyshi rrinte shtrirë në përkundëse dhe shplekste mjekrënduke u kolovitur aq lezetshëm, sa të kënaqte tek e shihje, kurse i gjori dajë i lutej ta ngadalësonte lëkundjen e përkundëses, ngase, duke e parë, po trallisej si me magji. Por babagjyshi bash për këtë i pëlqente përkundësja. Kështu dajë Rondo-s iu morën aq shumë mendtë, saqë hë për hë nuk mund të më kundërvihej. Ai është vëllai i vetëm i mamasë dhe shembëlltyra e njeriut mendjengushtë. Pyesni ndokënd për të. Ndonjë farmacist të diplomuar.
Atë çast dëgjova Stella-Rodno-n duke hapur dritaren e katit të sipërm. Gjatë martesës se nga kish psonisur një dreq zakoni sikur me dritare mbyllur qenkësh më freskët. Prandaj dhe iu desh ta hapte, para se të thërriste, që ta dëgjonim.
Ajo hap dritaren dhe thërret: – Oh! Po ta kishit dëgjuar do të mendonit se qe plagosur për vdekje.
Dajë Rondo-ja dhe babagjyshi as që i ngritën sytë të shihnin dhe vazhduan në të tyren. Nuk mund të mos ia plasja gazit.
U ngjita sipër me një frymë dhe hapa derën me forcë. – Ç’pate Stella-Rondo? – i them. – Mos je plagosur gjë për vdekje?
-Jo, – thotë ajo. – Nuk jam plagosur për vdekje, por dua të më bësh një nder. Të lutem vështro nga dritarja dhe më thuaj ç’të sheh syri.
Atëherë unë vë dorën mbi sy dhe shoh jashtë.
-Shoh oborrin e përparmë, – them.
-Nuk shikon njeri aty? – më pyet ajo.
-Shoh dajë Rondo-n tek rreket ta ngrejë babagjyshin nga përkundësja, – i them. – Asgjë tjetër. S’do mend që me dritaret e mbyllura, këtu bën një vapë aq mbytëse, saqë për ta patur mendjen top duhet të dalësh medoemos përjashta e të shtrihesh në përkundëse, para se festa e 4 korrikut të ketë mbaruar.
-Nuk vë re ndonjë gjë të veçantë te dajë Rondo-ja? – pyet Stella-Rondo.
-Pse? Jo, asgjë, përveç-se është veshur me një kimono të shpifur rozë, të cilën edhe të ma falnin s’do ta vishja, – i them.
-S’prish punë, se nuk po ta fal njeri. Ajo është pjesë e pajës sime dhe z. Whitaker më ka bërë dhjetëra foto veshur me të, – thotë Stella-Rondo. –Ku ta ketë hallin dajë Rondo-ja, pa më pyetur fare, del në mes të ditës me diell i veshur me rrobat e pajës sime, duke e ditur se atë kimono e vara te dera e banjës sapo u ktheva këtë mëngjes pas ndarjes me tim shoq, ashtu siç isha me kacabunj?
-Ku ta di unë. Po ti çfarë prej që të bëj? – e pyes. – Të hidhem nga dritarja?
-Jo, nuk pres asgjë të tillë. Vetëm dua të të them se i veshur kësisoj dajë Rodno-ja duket si i lajthitur, kaq, – thotë ajo. – Pamja e tij po m’i sjell zorrët në gojë.
-E pra, s’më duket se ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, – i them. – Gjithçka është brenda kufijve të arsyes. Ju lutem të mos harroni që i dola krah dajë Rondo-s. Pastaj i thashë Stela-Rondo-s: – Po të isha në vendin tënd dhe të kthehesha në shtëpi me një fëmijë dyvjeçar, për të cilin s’qeshë bërë kurrë e gjallë, dhe pa asnjë shpjegim për ndarjen time, nuk do t’i jepja gojës kaq pa fre.
-Të thashë sapo hyra në shtëpi, mos ma përmendësh më vajzën time të adoptuar dhe ti ma dhe fjalën, – vetëm kaq do të thoshte Stella-Rondo dhe ia nisi heqjes së vetullave me një piskatore të lirë të markës “Kress”.
Atëherë unë përplasa derën dhe zbrita poshë për t’u marrë me domatet e pabëra që do t’i shtronim turshi. Dikush duhej ta bënte këtë punë. Natyrisht që mamaja u kish dhënë leje dy zezakeve qqë punonin te ne; gjithmonë thoshte se edhe Zoti të sheh vëngër po të punosh më 4 korrik, madje ajo as që e çonte këtë nëpër mend. Njëherë ndodhi që dikush ra në liqen dhe mezi e nxorrën të gjallë.
Dikur mamaja hyn brenda serbes. Ngre kapakun e tenxheres dhe thotë: -Hëm! Nuk është hiç mirë as për shëndetin e rënduar të dajës dhe as për vogëlushen e gjorë të adoptuar. Turp të të vijë!
E humba durimin dhe i them: -Stella-Rondo bën mirë t’i falet fatit që ishte ajo dhe jo unë që shkeli në këtë shtëpi me atë fëmijë. Më zë data kur mendoj pritjen që do t’më kishit bërë, po të qeshë kthyer nga Illinois-i me atë fëmijë 2-vjeçar, të pazakontë nga pamja, pa shtuar se, siç thuhet, fëmija është e zeza e kafshatës.
-Veçse s’duhet të harrosh motra e mamasë, që ti nuk u martove me z. Whitaker dhe nuk shkove për të jetuar në Illinois, – thotë mamaja duke më tundur lugën mu para fytyrës. – Sikur të kishte qenë kështu, unë do të lumturohesha po të të shihja ty me vogëlushen tënde të adoptuar kur të ktheheshe pranë nesh e lënduar nga ndarja, njësoj si për Stella-Rondo-n.
-Po ia fut kot, – i them.
-Mos më kundërshto, do të lumturohesha dhe pikë, – thotë mamaja.
Por unë i thashë se nuk ma mbushte dot mendjen, sado që ajo foli e foli gjersa u nxi e tëra. Pastaj shtova: – Veç kësaj, ti e di po aq mirë sa dhe unë që fëmija nuk është i adoptuar.
-As mos e fol, është i adoptuar, – përpiqet t’i vërë kapak mamaja.
-Mama, ta dish mirë se Stella-Rondo e ka atë vajzë prej kohësh, veçse nuk guxon të na e thotë.
-Pse kështu, motra ime? – thotë mamaja. – Thashë se do të kalonim një festë të këndshme, kurse ti tamam sot gjen kohën të dyshosh për fjalët e sat motre.
-Si kushërira Annie Flo, që vdiq pa ia besuar askujt të fshehtat e jetës,- i kujtova mamasë.
-Të kam thënë se do ta ndez surratit po përmende emrin e saj, – thotë mamaja dhe ma ngjesh me pëllëmbë.
-Si të duash, këtu jemi e do ta shohim, – i them.
-Unë, – thotë mamaja, – unë jam e prirur t’i besoj fëmijët e mi. Sikur ta shihnit, ajo peshon mbi një kuintal dhe e ka këmbën fort të vockël.
Atë çast më erdhi ndër mend diçka e tmerrshme.
-Mama, i them, – a mund të flasë ai fëmijë? M’u desh të flisja nën zë. – Kam frikë se ky fëmijë nuk është… Ti e di ku e kam fjalën. A e kupton, – i them, – se gjer më tani ajo s’ka nxjerrë as edhe një fjalë të vetme nga goja? Mua ashtu më duket, – vazhdoj unë dhe e bëj fytyrën si s’ma nxë goja ta them.
Të dyja ngrimë në vend dhe shihnim ngultas njëra-tjetrën. S’kish gjë më të tmerrshme.
-Më kujtohet fort mirë që Joe Whitaker-i pinte shpesh si i babëzitur, – thotë mamaja, – aq sa unë e varfëra kujtoja se merrte drogë. Pa e zgjatur, ajo bëri përpara kah fundi i shkallëve dhe thirri Stella-Rondo-n.
-Stella-Rondo! O-o-o-o! Stella-Rondo!
-Çfarë ke? – pyeti Stella-Rondo nga kati i sipërm, pa marrë mundimin të ngrihej nga shtrati.
-A mund të flasë jot bijë? – pyet mamaja.
-A mundet çfarë? – thotë Stella-Rondo.
-Të flasë! – thotë mamaja. – Xoguxoguxogu!
-Kush tha se s’mund të flasë? – ia kthen duke bërtitur Stella-Rondo.
-Jo motër, – thotë mamaja.
-S’është nevoja të ma thuash, e di se kush nuk e mban fjalën në këtë shtëpi, – thotë Stella-Rondo.
Kur ja, krejt papritur shtëpia u mbush me ulërimën e zërit më të lartë janki që kisha dëgjuar ndonjëherë, “O ma! Çiçi, çiçi!” Pastaj dikush filloi të hidhej e të pritej në korridorin e sipërm. Dukej sikur nga çasti në çast do të shembej shtëpia.
-Jo vetëm flet, por edhe kërcen me taka! – thërret Stella-Rondo. – Madje ua kalon edhe disave që s’dua t’ua përmend emrin.
-Zemra e vockël e gjyshes, – thotë mamaja tepër e çuditur. – Sa e zgjuar është! Dhe nis të flasë si fëmijë. Pastaj më kthehet mua: – Të të vijë turp, motra e mamasë! Ngjitur menjëherë lart dhe kërkoju ndjesë Stella-Rondo-s dhe Shirley-T.-së.
-Për çfarë? – i them. – Unë vetëm sa dyshova në ishte apo jo fëmija normal. Tani që u provua, nuk kam ç’them tjetër.
Mirëpo mamaja më ktheu shpinën dhe u largua e inatosur. Ja mbajti me të katra drejt e lart dhe e mori vogëlushen në krahë. Ajo besonte se ishte e adoptuar. Stella-Rondo që nga lart s’bënte tjetër veçse nxiste mamanë kundër meje, kurse unë mbeta pa përkrahje atje, mbi stufën e nxehtë, duke gatuar. Kështu, pra, babagjyshi, mamaja dhe fëmija kaluan të tërë në anën e Stella-Rondo-s.
Pastaj i erdhi radha dajë Rondo-s.
Duhet të pranoj se në të kaluarën dajë Rondo-ja hera-herës qe treguar shumë i mirë me mua dhe ashtu siç vajtën punët, nuk ma mori mendja se do t’më bënte fare leckë. Njëherë Stella-Rondo i punoi atij diçka fort të pakëndshme – i grisi letrën që i pati ardhur nga Flanders Field-i, duke i ndërprerë lojën e dërgimit të letrave – dhe ai ia mori radion që i kish dhuruar e ma dha mua. Stella-Rondo se deshi veten! Për gjashtë muaj me radhë na u desh të gjithëve ta thërrisnim Stella dhe jo Stella-Rondo, sepse ndryshe nuk na kthente përgjigje. Gjithmonë kam menduar se dajë Rondo-ja ishte truri i familjes. Një herë tjetër ai më nisi ekskursion te Shpella e Mamuthit me shpenzimet e veta.
Por atë ditë, më 4 korrik ndryshonte puna. Qe dita e ilaçit.
Kur po darkonim, Stella-Rondo ngriti zërin dhe tha se dajë Rondo-ja duhej të hante medoemos diçka. Më në fund ai tha se do të provonte mos hante pak peksimadhe me ketchup, por asgjë më shumë. Kështu që ajo i solli dajës çka i donte mideja.
-Mos të duket normale të luash me ketchup-in i veshur me kimononë rozë të Stella-Rondo-s? – i them dajës. E kisha me gjithë mend. Përderisa Stella-Rondo nuk qe e zonja të kujdesej për pajën e vet, dikush duhej ta bënte atë punë.
-Kish gjë ti? – pyet dajë Rondo-ja, tek po matej ta hidhte gjithë ketchup-in mbi peksismadhet.
-Mos ia vër veshin asaj, – thotë Stella-Rondo. – Tërë pasditen mbeti te dritarja e dhomës sime duke u tallur me pamjen tënde.
-Si the? – pyet dajë Rondo-ja. S’kam parë inatçi më të keq se ai! Po e preke atëherë kur s’duhet, ka borxh të të bëjë namin për hiçgjë.
Prandaj Stella-Rondo thotë: – Motra tha sae dajë Rondo-ja duket si i lajthitur me atë kimononë rozë.
A ju kujtohet kush e tha këtë në të vërtetë?
Dajë Rondo-ja zbrazi tërë ketchup-in, pastaj kërceu nga karriga, zhveshui kimononë, e vërviti atë në dyshemenë e ndotur dhe nisi ta shkelte me këmbë. Ashtu si u katandis, kimonoja duhej çuar patjetër në Jackson për t’u pastruar dhe për t’ia bërë palat nga e para.
-Ky na qenka mendimi që paske për dajën tënd, ë? – thotë ai. – Të dukem si i lajthitur, kështu? E pra, ky është kulmi! S’mjafton një ditë e tërë kot në shtëpi, por tani duhet të dëgjoj edhe fyerje të tilla pas krahëve!
-Dajë Rondo, unë nuk e thashë një gjë të tillë, – i them, – dhe as që kam ndërmend të ta tregoj se kush e tha. Pse, ti dukesh në rregull. Vetëm sikur t’i biesh vetes ca më tepër mbrapa dhe të mos flasësh kur je duke ngrënë, – i them. – Madje do të bëje mirë të shkoje të shtriheshe.
-Të shtrihem një mut, – thotë dajë Rondo-ja. Nga përgjigjja që më dha duhej ta kisha nuhatur se po bluante në mendje diçka të rrezikshme.
Atë natë, me gjendjen e rënduar që po kalonte, nuk bëri asgjë veçse luajti “Kazino” me mamanë, Stella-Rondo-n, Shirley-T.-në dhe i fali kësaj të fundit një monedhë me dy koka. E gudulisi Shirley – T.-në gjersa vogëlushja u gajas nga kënaqësia dhe i thirri “babi”. Por të nesërmen që pa gdhirë ai më hodhi në dhomë një pako të tërë me fishekzjarre 5 centësh, nga ata qqë s’i blinte kush, dhe që të gjithë plasën. Paaskësh qenë mall i mirë. Kushdo tjetër do t’ia kish mbathur me të katra.
Në të vërteë unë bëhem keq nga çdo lloj zhurme. Mjeku gjithmonë më thotë se nuk ka hasur kurrë një pacient kaq të ndjeshëm. Prandaj dhe pas shpërthimit qeshë krejt e mbaruar. As të haja nuk mundesha. Njerëzit më treguan se zhurma e shpërthimit ish dëgjuar gjer te varrezat, kurse tetua plakë, Jep Patterson, që mbahej për bukuri, kujtoi se kish ardhur Dita e Gjykimit dhe qe nisur të takonte gjithë t’afërmit e saj. Ngaqë zakonisht këtu te ne është shumë qetë.
Po ju them se nuk m’u desh më shumë se një minutë për të vendosur çdo të bëja. Më ish kundërvënë e tërë familja që kish marrë anën e Stella-Rondo-s. Por në ka diçka për të cilën unë s’të fal, është krenaria.
Kështu e ndava mendjen, do të shkoja drejt e në zyrën postare. Në pjesën e pasme të saj ka gjithë atë vend, thashë me vete.
Nuk më bëhej hiç vonë në e merrnin vesh apo jo vendimin tim. Madje as që u rreka t’ua mbaja fshehur.
Pikësëpari dhe këtë e dinin, u futa me tërsëllëmë në dhomën ku të gjithë po luanin “Vajza e plakur” dhe hoqa nga priza freskuesen; gjithandej plasi vapa. Pastaj rrëmbeve nga shpina e ndenjëses së babagjyshit nënkresën që e pata qqëndisur vetë. Ngaqë iu prish rehati, ai lëshoi një “oh”. Më pas u ngjita lart, i futa Stella-Rondo-s një të rrahur vendçe dhe atje, mu në sirtarin e komosë së saj, nën një fotografi të Nelson Eddy-t, gjeta edhe bylyzykun tim hajmali.
-Eh, si është kjo dynja, – thotë dajë Rondo-ja, ndërsa po çeplendisej me një copë proshutë derri. – Motra, jam gati të të fal edhe shtratin tim portativ, po pate ku ta shtrosh, me kusht që t’ia mbathësh këtë çast dhe të më lesh të qetë. Dajë Rondo-ja po fliste sikur ishte në hënë.
-Faleminderit për shtratin portativ, kurse sa për atë fjalën “të qetë”, ti s’ke gojë ta thuash, gjersa hedh fishekzjarre në dhomën e një vajze të re në orën 630 të mëngjesit, – ia ktheva. Dhe sa për aty ku kam ndërmend të shkoj, – i them – nuk duhet të harrosh se jam përgjegjësja e zyrës postare në China Grove të shtetit të Mississippi-t dhe sido që të vijë puna, të paktën kam ku ta fut kokën.
Pas asaj që thashë, të gjithë u gjallëruan dhe më vunë veshin.
Dola në oborr dhe nisa të rrëmihja për të nxjerrë ca lule akshami, të cilat do t’i mbillja përqark zyrës postare.
-Ah-ah-ah! – thotë mamaja duke hapur dritaren. – Ato janë lulet e mia. Gjithçka e mjellë në oborr është imja. Nuk di të jesh marrë ndonjëherë me lulet në jetën tënde.
-Bukur fort, – i them. – Atëhere po marr fierin. Për këtë s’ke ç’thua, se e kam ujitur vetëm unë. Le që po të dua, nuk e kam fare të vështirë të siguroj falas një kuti plot me farëra të shumëllojshme, ku të mos jenë dy njëlloj.
-Pa shih, po ku kështu? – do të dijë mamaja.
Mirëpo unë i them: – Tepër vonë. Ti kujdesu për shtëpinë tënde, unë për timen. Po të dish ta ndjekësh radion, mund të dëgjosh gjithmonë oferta të tilla të mrekullueshme dhe të sigurosh falas çfarë të duash.
Do të doja t’iu thosha, se aty për aty hyra brenda vrulltazi dhe mora radion. Nuk di se si u përmbajtën, sidomos Stella-Rondo, e cila dikur qe mësuar ta kishte të vetën, por që tani e dinte fort mirë se s’do ta kishte më, sepse unë mund ta paditja kur t’më tekej. Me shumë njerëzillëk mora makinën qepëse, ngaqë pata shtënë më shumë para se të tjerët kur ia blemë mamasë për Krishtlindjet e vitit 1929, dhe një kalendar të madh e të dobishëm me këshilla për dhënien e ndihmës së parë mjekësore. Termometri dhe ukuleleja3 më takonin mua me ligj, kurse me ndihmën e shkallëzës portative mora reçelin me lëkurë shalqini dhe tërë kavanozat me liko frutash e turshi që i kisha përgatitur vetë. Pastaj nisa të heq vazot e kaltëra nga muret në formë harku, të korridorit që të shpinte në dhomën e grënies.
-Kush të tha se mund t’i marrësh edhe vazot, znj. Priss? – thotë mamaja, duke e tundur erashkën me sa i hante krahu.
-I bleva vetë dhe s’kam ndërmend të ndahem prej tyre, – i them. – Por, meqë i paskeni kaq merak, atëherë e dini çfarë? Po vendos nga një në secilën anë të dritares së postës, që të mund t’i shihni kur të vini të më pyesni për letrat tuaja.
-Unë jo, njëherë! Sa të rroj nuk do ta kaloj pragun e asaj dere, – thotë mamaja. – Fëmijë bukshkalë! Kaq shpejt i harrove paratë që kemi shpenzuar për ty kur vazhdoje normalen.
-As unë! – thotë Stella-Rondo. – Letrat e mia mund t’i mbash atje palë, gjersa të myken, s’më bëhet vonë fare. Nuk do vij të marr as edhe një, për bé, që të të lehtësoj nga ky detyrim.
-Meqë ra fjala, – i them, – kush na qenka ky që do ulet të të shkruajë gjithë këto letra të gjata dhe kartolina? Z. Whitaker? Apo pse ishte i vetmi mashkull që zbriti në Chine Grove dhe ti e përlave pandershmërisht, u dashka të mbajë një letërkëmbim të gjatë me ty, që u ktheve në shtëpi pa asnjë shpjegim për ndarjen tuaj dhe pa thënë asnjë fjalë për fëmijën, mu sikur mbiu nga qielli? Mund të mos jem e mençur sa ty, por ama këtë gjë s’arrij ta kuptoj.
Atëherë mamaja thotë: – Motra e mamasë, më ra goja duke të thënë se Stella-Rondo u kthye vetëm ngaqë e kishte zënë malli, pastaj vajza nga mosha që ka, s’mund të jetë e saja. Dhe shton: – Tani pse të mos ulemi të gjithë siç jemi të luajmë “Kazino”?
Pastaj Shirley – T.-ja nxjerr gjuhën dhe më përqesh krejt e përçudnuar. Ajo vajzë s’i ka lënë gjë të parëve të vet. I thashë se po bëri kështu ndonjë ditë sytë do t’i çakërdiseshin e do t’i dilnin vendit.
-Tani është tepër vonë, nuk ma ktheni dot mendjen, – u them. – Këtë duhet ta kishit bërë që dje. Po shkoj në zyrën postare dhe ndoshta e vetmja mënyrë për t’më parë është të vini tek unë.
Atëherë babagjyshi thotë: – Edhe sikur të kem ndërmend të dërgoj ndonjë letër, kurrë s’do t’më shihni të shkel në atë zyrë postare. Dhe shton: – Pse ç’kujtove, se do të vij si cjapi te kasapi, që të zgjatësh gërshërët nga ajo dritarja jote e vogël dhe t’më presësh mjekrën? Kujt do t’ia hedhësh ti!
-As ne nuk na i hedh dot, – thotë Stella-Rondo.
Kurse unë i thashë: – Nëse s’ta hedh dot kush, atëherë ku e ke z. Whitaker?
Pastaj kërcen dajë Rondo-ja dhe thotë: – Nga sot e tutje s’ke më punë të lexosh mesazhet që më dërgojnë me kartolina, të cilat pastaj ia shpjegon gjithkujt në China Grove. Por unë i them: – Më është bërë zakon të nxjerr përfundimet e mia dhe do të vazhdoj edhe në të ardhmen ta bëj këtë. Pastaj vazhdoj: – Përderisa njerëzve u pëlqen t’i shkruajnë të fshehtat e tyre në kartolina të tilla të lira, atëherë ç’faj ka postieri?
-Mos të të gënjejë mendja se do të vijmë të postojmë ndonjë kartolinë tjetër, – thotë mamaja.
-Kësaj i thonë, për inat të sime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë, – i them. – Po e patët ndarë mendjen të mos keni më punë me postën e SHBA-së, të paktën mendoni për Stella-Rondo-n. Çfarë do të bëjë tash e tutje sikur të dojë t’i shkruajë z. Whitaker që të vijë këtu e t’i lutet asaj.
-Uaah! – ia bëri Stella-Rondo. E dija që do të qante. Mu atje në kuzhinë ajo pati një shpërthim të paparë zemërimi.
-Jam kureshtare të shoh se sa do të vazhdojë të shtiret, – them unë. – Dhe tani po shkoj.
-Lamtumirë, – thotë dajë Rondo-ja.
-S’e kuptojë, – thotë mamaja, – se si mund të grindemi ditën e festës apo një ditë pas saj, dhe për çfarë, pse Stella-Rondo e la plakushin Whitaker dhe na solli më të ëmblën vogëlushe të adoptuar! Më duket se duhet të gëzohemi!
-Uaah! – ia bëri prapë Stella-Rondo dhe sërish shpërtheu në lotë e zemëruar.
-Vërini veshin fjalëve të mia: ai e la atë, – u them. – E ku e njihni ju z. Whitaker. Unë e njoh atë. Në fund të fundit, unë e njoha e para. U thashë që në krye të herës se do a linte. Madje parashikova deri në imtësi gjithçka ndodhi.
-Ku të ketë shkuar ai? – pyet mamaja.
-Mbase në Polin e Veriut, po pati ndërmend të jetojë i qetë tash e tutje, – i them. Stella-Rondo vetëm qante, pa mundur dot të thoshte një fjalë. Ia mbathi në dhomën e saj dhe përplasi derën.
-Pa shih se ç’bëre, motra ime, – thotë mamaja. – Shko, kërkoji ndjesë!
-Nuk kam kohë, po nisem, – i them.
-E po ç’bën, pse sillesh kot vërdallë? – pyet dajë Rondo-ja.
Atëherë, unë rrëmbeva orën e kuzhinës, dola pa ua varur fare, dhe kurrë s’i thashë mirupafshim Stella-Rondo-s.
Para shtëpisë po kalonte një vajzë me një karro të vogël.
-Goce, – i them, – a vjen të më ndihmosh t’i mbart këto plaçka gjer në fund të kodrës, se po shkoj të banoj në postë?
Me karron e saj na u deshën nëntë rrugë për t’i mbartur. Dajë Rondo-ja doli në verandë dhe i hodhi vajzës një monedhë.
Do të kalonin plot pesë ditë dhe pesë netë nga çasti që i pashë dhe më panë për herë të fundit. Stella-Rondo mbase mund të ketë rrëfyer përrallat më të llahtarshme në botë për z. Whitaker, por unë nuk i kam dëgjuar. Veçse, siç e dini, unë nxjerr gjithnjë përfundimet e mia.
Ah, po, desha t’ju them se këtu në postë më pëlqen. Është vend ideal, tamam siç ju kam thënë dhe gjithçka e kam rregulluar pas qejfit. A e dëgjoj radion? S’lë lajm nga lufta pa dëgjuar. Dëgjoj radion, qep në makinë, lexoj libra, hekuros, loz në piano mbrëmjeve, – kësaj i thonë qetësi, kështu më pëlqen. Fasulen e bardhë kacavjerrëse e mbolla përgjatë pjesës së përparme të postës të rrethuar me tela.
Kuptohet që në postë puna ka rënë shumë. Familja ime është, padyshim, më kryesorja në China Grove, por tek e fundit ç’më hyn mua në qese nëse pjesëtarët e saj s’bëhen më të gjallë për letrat që u vijnë apo për ato që shkruajnë! Disa prej banorëve të këtushëm më dolën në krah, kurse ca të tjerë m’u kundërvunë. Po unë di çfarë bëj. Përherë ka njerëz që s’vijnë të blejnë më pulla në postë, vetëm e vetëm ngaqë s’duan ta prishin me babagjyshin.
Por unë jam këtu dhe këtu do të vazhdoj të jem. Dua t’u them të gjithëve se jam e lumtur.
Dhe nëse Stella-Rondo vjen këtë çast në postë, më bie në gjunjë dhe përpiqet të shfajësohet për ndodhitë e saj me z. Whitaker, unë thjesht do të zë veshët dhe s’do pranoj ta dëgjoj.