Të paragjykuara dhe të dhunuara
Në kulturën folklorike të popullit tonë është mjaft e spikatur mendësia se vajzave e grave u ngjiten fjalët e liga, thashethemet si ferra deleve. Si “përthyet” një mendësi e tillë në realitetin e shoqërisë shqiptare të ditëve tona? A janë lehtësuar nga pesha e paragjykimeve që i kanë rënduar tradicionalisht vajzat dhe gratë shqiptare? Si ndikojnë paragjykimet në ecurinë e veprimtarive profesionale e shoqërore të vajzave dhe grave? Paragjykimet nxisin apo vetëm e justifikojnë dhunën ndaj vajzave e grave? etj.
II.1.Nën trysninë e paragjykimeve të shumëfishta
Përvoja e zhvillimit të mjaft vendeve të përparuara evropiane apo më gjerë, tregon se në gjithë veprimtaritë e shumanëshme për emancipimin e vajzave e të grave, rëndësi të veçantë kanë përpjekjet sistematike për të sfumuar e kapërcyer, jo vetëm paragjykimet e llojllojshme të burrave për to, por edhe paragjykimet e ndërsjellta të njera – tjetrës. Nga intervistat e bisedat me shumë gra e vajza, nga studimi i dukurive të caktuara të marrëdhënieve ndërmjet tyre, nga njera anë, dhe me meshkujt, nga ana tjetër, në shoqërinë shqiptare ë ditëve tona dhe sidomos nga të dhënat e anketimit rezulton se vajzat dhe gratë janë nën trysninë e dyfishtë të paragjykimeve të tilla. Të dhënat e tabelës në vijim shprehin mendimin e ndjenjat e të anketuarave rreth kësaj çështjeje pra, sa ndihen të paragjykuara vajzat dhe gratë nga njera – tjetra dhe nga burrat.
Këto të dhëna shqyrtohen të detajuara sipas grupmoshave të klasifikuara dhe të përdorura më dendur në literaturën sociologjike bashkëkohore. Mendojmë se një klasifikim i tillë është i aplikueshëm edhe në “terrenin” e ndërlikuar dhe “flu”, krejt të paqëndrueshëm të shoqërisë shqiptare në periudhën e tranzicionit paskomunist, sidomos lidhur me problematikën e paragjykimeve sociale, të cilat si një “mjergull e dendur” avuj acidesh helmojnë ndjenjat, mendimet dhe përjetimet e individëve, të grupimeve sociale, veçanërisht të vajzave dhe të grave.
Siç shihet nga të dhënat e tabelës, vajzat dhe gratë ndjehen mjaft të paragjykuara jo vetëm nga burrat, por edhe nga njera – tjetra. Të anketuarat mendojnë se vajzat e gratë paragjykojnë më shumë njera – tjetrën gjatë moshës së adoleshencës, deri në 25 vjeç. Kjo është periudha kryesore e formimit dhe e konsolidimit të personalitetit të tyre dhe njëkohësisht mosha më e përfolur. Në shoqërinë shqiptare është mjaft e përhapur mendësia se “në këtë moshë vajzat dhe gratë janë më të predispozuara të marrin rrugës e së keqes”, “të shkelin moralisht në dërrasë të kalbur” etj. Një studente e kursit të parë në Fakultetin Histori-Filologji, gjatë intervistës u shpreh me dhimbje të trazuara me indinjatë: “Më duket se kudo më shohin sy dyshues: të nënës, të babait, të dy vëllezërve më të rritur se unë, të taborrit të kushërinjve dhe të kushërirave, të fqinjëve etj. Më duket sikur edhe pemët e rrugës dhe muret e godinave më shohin me dyshim. Një dyshim i tillë jo vetëm më bezdis, por edhe më krijon një gjendje ankthi, kam filluar të dyshoj te vetja, po më duket vetja gjithnjë më e huaj në këtë botë me “akuj dyshimi” që më rrethon”.
Është më e lartë, rreth 38 për qind, pesha specifike e të anketuarave që mendojnë se femrat e grupmoshës 19-15 vjeç janë shumë të paragjykuara edhe nga burrat. Mjaft burra në Shqipëri aktualisht mendojnë se, sidomos vajzat e kësaj grupmoshe, duke përjetuar shpresa dhe zhgënjime të forta, mund të bëhen pre e veseve të ndryshme, e mashtrimeve të çdo lloji etj. Në forma të ndryshme këtë mendësi e shprehin shumë baballarë për vajzat e tyre të kësaj moshe, të cilat janë të pafejuara. Një mendësi e tillë ëhtë më e përhapur në fshatra, dhe përgjithësisht ka krijuar një gjendje të rënduar ankthi te mjaft prindër. Në një fshat në veri të Shkodrës, një mësues me arsim të mesëm rreth të pesëdhjetave u shpreh: “Ne burrat në fshatra kemi filluar të mendojmë përsëri si gjushërit ose stërgjyshërit tanë: më mirë një djalë harrakat që bie në burg ose të ngatërron në histori të hidhura gjakmarrjesh e ngujimesh se sa një vajzë që të le trupin në derë. Nga trupi nuk të shpëton as ngujimi dhe as pushka. Ne që kemi vajza adoleshente jemi në ankth, deri sa t’i çojmë në bukën e vet”.
Nga shifrat e kësaj tabele konstatohet prirja se shumica e të anketuarave mendojnë që vajzat dhe gratë përgjithësisht ndihen më pak të paragjykuara me kalimin nga mosha e rritur e hershme, drejt pjekurisë.
Ndoshta trysnia e paragjykimeve të tilla përcakton në masë të konsiderueshme parapëlqimin e vajzave e të grave për përkatësinë gjinore të drejtuesve të njësive ku ato punojnë. Nga të anketuarat vetëm 12.89 për qind janë shprehur se do të ishte më mirë që drejtuesi i njësisë ku ato janë të punësuara të ishte burrë. Shpesh një përzgjedhje e tillë arsyetohet me mendësinë se burrat janë më seriozë dhe janë më pak të prirur të merren me vogëlsira bezdisëse dhe thashetheme në punë. Është më e lartë, rreth 20.44 për qind pesha specifike e të anketuarave që shprehen se do të ishin më të përshtatshme drejtueset femra, sepse, siç arsyetojnë mjaft prej tyre, “do të merreshin vesh më mirë me njera – tjetrën”, “gratë drejtuese janë më të njerëzishme se burrat”, Çi njohin më mirë preokupimet dhe shqetësimet e vajzave e të grave si femra dhe si nëna” etj. Një ish-mësuese letërsie, duke përgjithësuar përvojën e saj gati dhjetëvjeçare si shitëse në disa firma private, veç të tjerash, theksoi: “Pronarët privatë burra më së shumti janë të pashkolluar. Ato janë shumë të vrazhdë në komunikimet me të punësuarit, madje edhe kur janë shpirtmirë. Vrazhdësia e tyre është fyese, sidomos kur të flasin në sytë e klientëve. Më e keqja është se modele të tilla komunikimi vulgar ia kanë futur në gjak edhe administratorëve, të cilët më shpesh sillen si sejmenë të pronarëve. Ndërsa pronaret ose drejtueset gra mund të jenë më të lidhura me vajzat ose gratë e punësuara, mund t’i përgojojnë më dendur, dhe më hidhur, por së paku “për sy e faqe” komunikojnë me dashamirësi, veçanërisht kur të pranishëm janë edhe klientët”.
Rreth 66.35 e të anketuarave kanë pohuar se për ta nuk ka rëndësi përkatësia gjinore e drejtuesit, por korrektësia, përkushtimi në punë dhe përpjekjet e tij për të qenë i suksesshëm. Kjo shpreh një farë psikologjie pragmatike të vajzave e të grave dhe njëkohësisht faktin se vajzat e gratë shqiptare përgjithësisht nuk kanë dallime të theksuara në mendësinë për aftësitë drejtuese të femrave dhe të meshkujve. Shumica e vajzave dhe grave e ndjejnë veten njësoj të afta si burrat për punë drejtuese, megjithëse opinioni i përgjithshëm i shoqërisë i denigron ato. Por e rëndësishme është që vajzat dhe gratë po çlirohen nga ndikimi i mendësive vetpërçmuese, nga paragjykimet për burrat si drejtues më të aftë dhe po orientohen nga suksesi, si një kriter bazë i zhvillimit të shoqërisë në kushtet e ekonomisë së tregut. Një ekonomiste që kishte punuar për gati 8 vjet në disa firma private, gjatë intervistës ndër të tjera, theksoi: “Burrat nuk janë më të aftë se gratë në drejtimin e ekonomisë, por janë më të suksesshëm pasi njohim më mirë, si të thuash, “labirintet e nëndheshme” të ekonomisë e të shoqërisë shqiptare, skutat e errëta të saj. Pa “menaxhuar” edhe “rrjedhat” e kësaj pjese të padukshme të ekonomisë nuk mund të jesh e suksesshme në Shqipëri. Ne gratë e kemi të vështirë, ose të pamundur, të depërtojmë në këto kthina, të cilat më së shumti nuk janë të pastra nga çdo pikëpamje>
II.2.Familje të dhunshme, gratë më të viktimizuara
Në studimet sociologjike, dhuna brenda familjes konsiderohet si një nga anët e errëta, më problematike të jetës familjare (O’Reilly J., 1983:23-24). Veçanërisht në shoqëritë më tradicionaliste, me peshë specifike të lartë të popullsisë fshatare, dhuna brenda familjes ka përhapje më të gjerë. E tillë është edhe shoqëria shqiptare e ditëve tona. Megjithëse gjatë dhjetëvjeçarit të fundit ka patur zvendosje masive të popullsisë nga zonat fshatare në drejtim të qyteteve, ende më shumë se gjysma e shqiptarëve banon në fshatra. Për shembull, në fund të vitit 1998 popullsia rurale përbënte rreth 54.0 për qind në strukturën e përgjithshme të popullsisë (INSTAT, 1999:4; përllogaritje e autorit). Veç kësaj, përvoja tregon se lipset një kohë relativisht e gjatë që banorët e shpërngulur nga fshatrat të përditësohen me mundësitë dhe mënyrën e jetesës urbane. Në brendësi, dhe sidomos në rrethinat e qyteteve të mëdha si Tirana etj., po krijohen lagje të tëra me banorë nga fshati, të cilat sociologu i shquar amerikan Herbert Gans i karakterizonte me konceptin “fshatra urbane” (1975:101-103). Natyrshëm shtrohen pyetjet: Si paraqitet dukuria e dhunës në mjediset familjare të shoqërisë shqiptare? Çfarë dendurie kanë aktet e dhunës ndaj vajzave e grave? Cilët pjesëtarë të familjes ushtrojnë më shumë dhunë ndaj vajzave e grave? Si e përjetojnë dhunën që ushtrohet ndaj tyre vajzat e gratë dhe si ndikon një dhunë e tillë në ecurinë e gjithë veprimtarive të tyre profesionale e shoqërore? etj.
Rreth 47.0 për qind e vajzave dhe e grave të anketuara pohojnë se në shtëpinë e prindërve ku janë rritur ushtrohej dhunë në forma të ndryshme, madje me denduri të lartë. Kështu kanë përjetuar dhunë në familjen e prindërve çdo ditë ose çdo javë përkatësisht 7.66 për qind dhe 19.82 për qind e vajzave dhe e grave të anketuara. Një denduri e tillë e akteve të dhunës në mjediset familjare, edhe nëse nuk është ushtruar drejtpërdrejt ndaj të anketuarave, ka ndikuar në tensionimin psikokulturor deri edhe në tjetërsimin e tyre. Por, dhuna brenda familjes gjithsesi ka lënë gjurmë edhe në vetëdijen e vajzave dhe të grave të anketuara që e kanë përjetuar atë rreth një herë në muaj (14.86 për qind) ose edhe më rrallë se një herë në muaj (56.31 për qind).
Po cilët kanë qenë më agresive në ushtrimin e dhunës dhe më të viktimizuar nga dhuna brenda familjes së prindërve të vajzave apo të grave të anketuara? Të dhënat kryesore të anketimit pasqyrohen në tabelën që vijon.
Siç shihet nga të dhënat e tabelës, rreth një e pesta e vajzave dhe e grave të anketuara janë rritur në familje ku babai ushtronte dhunë ndaj nënës së tyre. Në familjet fshatare një dhunë e tillë shfaqej me denduri rreth 2 herë më të lartë se në ato qytetare. Përvoja jetësore dhe studimet socialpsikologjike provojnë se një formë e tillë e dhunës ndikon ndjeshëm në keqedukimin e vajzave, shkakton deformime shpesh të pakorrigjueshme në vetëdijen, në personalitetin e tyre. Tingëllojnë aktuale idetë e Branko Merxhanit, i cili në korrik 1930 shkruante se burrat që rrahin gratë e tyre dhe sidomos prindërit që godasin e rrahin fëmijët “për çdo shqetësim pa rëndësi nuk bëjnë gjë tjetër përveç se përgatisin njerëzit e dështuar të jetës së pastajme, kliente për psikiatrët, çmendinat, për burgjet” (1996:112). Përvoja tregon se të rinjtë dhe të rejat që socializohen në familjet, nët ë cilat ushtrohet më shpesh dhunë ndaj anëtarëve të tjerë dhe sidomos ndaj tyre, janë më të prirur të përjetojnë çoroditje, të kërkojnë “rrugë të lehta në jetë” e deri të inkriminohen.
Edhe në “linjat” e dhunës që ushtrohet brenda saj, familja shqiptare shpërfaqet me profil tradicional. Baballarët ushtrojnë dhunë kryesisht ndaj djemve të tyre, si në familjet qytetare, ashtu edhe në ato fshatare. Ndërsa ndaj vajzave ushtrohet më shumë dhunë nga nënat e tyre. Është e lartë (rreth 5.36 për qind) pesha specifike e të anketuarave që pohojnë se në familjet e tyre ushtronin dhunë vëllezërit ndaj motrave. Ende në shoqërinë shqiptare konsiderohet si “funksion” i rëndësishëm i vëllezërve më të rritur përkujdesja ose tutoria ndaj motrave më të vogla, deri edhe e drejta për të ushtruar dhunë ndaj tyre, nëse ato nuk i binden “kodit” të urdhrave të meshkujve të familjes. Një tutori e tillë është përforcuar sidomos gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, pasi është konsoliduar opinioni se vëllezërit në moshë të re ose të rritur “kanë për detyrë të ruajnë nderin e motrave të tyre”, “të mos i lejojnë ato të shkasin në rrugën e turpit”, domethënë të prostitucionit. Në një “klimë” të tillë tejet të tensionuar mjaft prindër, veçanërisht baballarë e justifikojnë dhe herë-herë e nxisin, vigjilencën e dhunën e djemve të tyre ndaj vajzave, veçanërisht në fshatra. Një burrë rreth të shtatëdhjetave, që kishte punuar si minator në galeritë e minierës së qymyrgurit dhe banonte në një fshat pranë Tiranës, gjatë intervistës, tha mjaft i brengosur: “Djali i dytë shpesh e fyen dhe e qëllon vajzën e vetme që mëson në klasën e tretë të shkollës së mesme. Më dhimbset shumë dhe përpiqem ta zbus djalin. Ai më hakërrehet edhe mua: Më mirë drurin se sa t’ju sjell turpin në shtëpi dhe të mos e ngrini kokën për gjithë jetën”.
Përvoja tregon se vajzat janë më të prirura të tolerojnë dhunën që ushtrojnë prindërit ndaj tyre, se sa dhunën e vëllezërve. Përgjithësisht dhuna e vëllezërve ndaj motrave reflektohet në marrëdhëniet e tyre të acaruara edhe pas martesës së motrave dhe, në jo pak raste, gjatë gjithë jetës.
Një nxënëse maturante në shkollën e mesme, gjatë intervistës së saj theksoi: “Babai është autoritar. Edhe ai më ka qëlluar me pëllëmbë, por vetëm pasi jemi bindur të dy se unë kam gabuar rëndë. Kurse dy vëllezërit binjakë, që janë në moshë pak më të mëdhenj se unë, reagojnë ashpër ndaj çdo mendimi ose kërkese që u bëj prindërve, pasi u duken ekstravagante. Vëllezërit shpesh përpiqen t’u imponohen edhe prindërve që ata të jenë më të rreptë ndaj meje. Nëna është e pafuqishme të më mbrojë. Në familje ndjehem si e pandehur përballë një trupi gjykues që përpiqet të më ndëshkojë edhe pa të drejtë, ose së paku gjithnjë më mban nën trysninë e kërcënimit”.
II.3.Pasojat shumëpërmasore të dhunës brenda familjes
Natyrshëm shtrohen çështjet: Si ka ndikuar dhuna brenda familjes së prindërve në ecurinë e veprimtarisë së anëtarëve të saj? Ç’mendojnë vajzat dhe gratë e anketuara për veprimet e dhunshme brenda familjes? Çfarë gjurmësh lë dhuna familjare në vetëdijen e viktimave dhe të anëtarëve të tjerë?
Opinionet kryesore të vajzave dhe grave të anketuara gjithsej dhe të grupuara sipas vendbanimit të tyre në fshatra apo në qytete, pasqyrohen në grafikun vijues.
Si ka ndikuar dhuna brend familjes në ecurinë e veprimtarisë së anëtarëve të saj (në përqindje)
Siç shihet nga të dhënat e grafikut, është e lartë pesha specifike e të anketuarave që e justifikojnë dhunën në familjen e prindërve, si mjet për të parandaluar gabimet e fajet. Përgjithësisht justifikohet dhuna e ushtruar nga prindërit ndaj fëmijëve.
Ende në familjen shqiptare nënës ose babait i “njihet e drejta të luajnë rolin e policit”. Deri në moshën e paraadoleshencës fëmijët ndodhen kryesisht nën përkujdesjen e nënës. Shumica e nënave, të stresuara nga çpunësimi, nga varfëria, nga mënjanimi prej jetës shoqërore etj., manifestojnë njëfarë çoroditje e paqëndrueshmërie në marrëdhëniet me fëmijët e tyre të vegjël: i përkëdhelin e i llastojnë më shumë se ç’duhet dhe, kur kuptojnë se e kanë kaluar masën në këtë drejtim kalojnë në skajin tjetër, ushtrojnë dhunë ndaj tyre. Përgjithësisht qëndrime të tilla të skajshme i keqedukojnë fëmijët sepse, nga njera anë, u kultivojnë teka e kapriço ekstravagante, dhe, nga ana tjetër, i kontraktojnë aftësitë për të menduar dhe vetëvepruar.
Këto qëndrime problematike të prindërve ndaj fëmijëve të tyre janë kritikuar e stigmatizuar herë pas here nga opinioni i intelektualëve shqiptarë. Që në vitin 1930 Branko Menxhani do t’i kundërvihej me ashpërsi praktikave të tilla të atyre prindërve “që i përdorin djemtë e tyre si kukulla të solisura me përkëdhelje pa fund… ose si skllevër të vegjël që rrihen e goditen për çdo shqetësim pa rëndësi… Nuk ka dënim që të mos jetë shumë a pak i dëmshëm. Shumë mëma kur dënojnë djemtë e tyre pandehin se diç bëjnë. Po dënimi nuk sjell veç një përmirësim të jashtëm. Po dëmi që provokon brenda në shpirtin e djalit është i pallogaritshëm. Dënimi lëron (kultivon – Z.D.) tek djali inatin, reaksionin, të cilat luftojnë kryesisht dhe kurdoherë me mjete negative: bindje të dëmshme, rëndim të fantazisë, gënjeshtra, dinakëri, vjedhje e rafinuar etj” (1996:112, 114).
Mjaft nëna, veçanërisht me arsim të pamjaftueshëm ose me banim në zonat fshatare nuk kanë përgatitjen e nevojshme për mirëdedukimin e fëmijëve të tyre në moshën e paraadoloshencës, veçanërisht të djemve. Ndaj është e domosdoshme të fillojë sa më shpejt realizimi i programeve afatshkurtra e perspektivë për aftësimin e grave, veçanërisht të atyre me arsim tetëvjeçar dhe të mesëm, për edukimin e fëmijëve të tyre të vegjël në përputhje me standartet e përparuara pedagogjike e psikologjike bashkëkohore. Miredukimi i fëmijëve në këtë moshë është garanci që në moshën e adoleshencës të rinjtë të kenë më pak probleme, të “kenë më pak nevojë” për imponime nga babai etj.
Përgjithësisht nënat e kanë më të vështirë t’i imponohen fëmijëve të tyre të pabindur, veçanërisht djemve në moshën e adoleshencës. E pafuqishme për të drejtuar sjelljet e fëmijëve, në shumicën e rasteve nëna është e shtrënguar të pranojnë përdorimin e dhunës nga bashkëshorti i saj “për të mposhtur kryeneçësinë” e djalit ose të vajzës adoleshente që braktis shkollën ose punën, që përpiqet të gjejë rrugë të lehta në jetë, të cilat më së shumti kalojnë në batakun me llumin e veseve të shumëllojshme, si vjedhja, prostitucioni, drogimi etj.
Opinioni i shumicës së grupimeve shoqërore e përligj ushtrimin e dhunës nga prindërit ndaj fëmijëve në raste e për motive të tilla. Një grua rreth të 50-tave që punon mësuese në një shkollë në periferi të Tiranës, me një ndjenjë të trazuar pezmi e brenge, por dhe me bindje të qëndrueshme, gjatë intervistimit, ndër të tjera, theksoi: “Thonë se më e tmerrshme se gjithçka tjetër është nata e parë në varr. Unë e kam kaluar këtë natë për së gjalli. Nuk më shqitet nga kujtesa ajo natë vjeshte me shi të rrëmbyer. Djali im, nxënës në vitin e tretë të shkollës së mesme po vonohej. Burri ecte nëpër guzhinë gjithë nervozitet, turfullonte diçka të pakuptueshme. Kur djali u duk në derë ai iu hakërrua. I lodhur e disi i shpërfytyruar djali iu kundërpërgjigj me një zë dhe zhargon që nuk e kisha dëgjuar asnjëherë. Burri u bë meit. U ngrit në këmbë dhe ulëriu sa kishte në kokë: “Më mirë të vras me dorën time se të ngordhësh mes pisllëqeve dhe shiringave të drogës në ndonjë bodrum të qelbur” dhe e qëlloi me karrike. Djali u rrëzua në dysheme pa ndjenja. Një curil i hollë gjaku i rridhte mbi vetullën e majtë. Mora në telefon vëllain e burrit. Ai erdhi shpejt dhe më ndihmoi ta dërgonim djalin në spital. Pasi e vizituan mjekët më thanë se kishte një fakturë serioze në parakrahun e dorës së djathtë. Djali qëndroi disa javë në spital. Kur u përmirësua ia ndërrova shkollën me qëllim që ta largoja nga shoqëria e mëparshme. Gjithnjë jam në një dilemë të pezullt: të mallkoj, të neverit burrin që i theu dorën djalit apo ajo frakturë ishte e keqja më e vogël, ishte ndërprerja e rrugës së keqe ku ishte futur djali, ishte frakturë që i ruajti kokën atij. Megjithëse me vështirësi, shpesh e justifikoj tim shoq edhe për këtë sjellje të ashpër ndaj djalit. Përndryshe, ndoshta, do ta kisha humbur përgjithnjë, të vetmin djalë, dritën e vetme të syrit”.
Veçanërisht në vendet më të urbanizuara si Italia, Gjermania, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj., gjatë 3-4 dhjetëvjeçarëve të fundit është rritur shkalla e individualizimit të mënyrës së jetesës, ose, po të shpreheshim me termin që përdoret dendur në shkencat sociale është përforcuar prirja “e atomizimit të shoqërisë” (Sciola, L., 1990:45). Kjo prirje shprehet në aspekte të ndryshme të sistemit të marrëdhënieve nderindividuale në shoqëri të tilla, në mendësitë e kulturën e jetesës etj. Në kuadrin e proceseve socialkulturore me natyrë “atomizuese” po shtohet pesha specifike e kohës së lirë që banorët e vendeve më të urbanizuara e kalojnë në vetmi ose në rrethe mjaft të ngushtë miqsh e shokësh, po rrallohen e thjeshtëzohen ceremonitë kolektive fetare, të gëzimeve e të hidhërimeve dhe po pakësohet numri i pjesëmarrësve në to, po rritet numri dhe pesha specifike e të rinjëve që nuk bashkëjetojnë me prindërit dhe i të moshuarëve që jetojnë të vetmuar etj. Institute kërkimore shkencor të specializuara për sondimin e opinionit kanë argumentuar në botime serioze idenë se fryma e solidaritetit kolektiv ndër anëtarët e familjeve dhe të grupeve sociale më të gjera në shoqëritë më të urbanizuara është një vlerë në rënie. Për shembull, në Itali gjatë viteve 1993-1994 një vlerë e tillë përllogaritet të ketë rënë 27.9 për qind (1995:42).
Si rrjedhojë e difuzimit të ndikimeve kulturore të vendeve më të urbanizuara të Perëndimit nëpërmjet programeve televizive, ikje-ardhje të emigrantëve etj., edhe në shoqërinë shqiptare të 7-8 viteve të fundit po shfaqen simptomat e atomizimit. Mjaft të rinj, që në moshën e adoloshencës largohen nga familja e prindërve, pasi marrin rrugën e emigracionit. Kjo kategori të rinjsh del jashtë sferës së ndikimit të prindërve, të cilët, sidomos gjatë 3-4 viteve të fundit, përgjithësisht ndjehen të braktisur. Megjithëkëtë, marrëdhëniet ndërmjet prindërve, e veçanërisht nënave dhe fëmijëve të tyre që jetojnë në Shqipëri ende përshkohen nga emocione të forta. Përvoja e mjaft vendeve tregon se prindërit më të lidhur emocionalisht me fëmijët e tyre janë më të prirur të justifikojnë përdorimin e dhunës për të orientuar veprimtarinë dhe sjelljet e të rinjve “në rrugën e së mbarës”, siç e përfytyrojnë ata vetë, dhe sidomos për t’i ruajtur të mos infektohen nga epidemia e veseve të mëparshme e të reja që janë përhapur gjerësisht në shoqërinë shqiptare, veçanërisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, si drogimi, prostitucioni, abuzimet e ndryshme etj.
Është e konsiderueshme pesha specifike e të anketuarave (4.50 për qind) që mendojnë se dhuna brenda familjes u ka nxitur “viktimave” mendimet e prirjet krijuese, feçanërisht djemve dhe vajzave të talentuara, por “të pashtruar”, që banojnë veçanërisht në qytete. Jo pak të rinj ose të reja që shkruajnë poezi ose prozë, që kompozojnë këngë ose pikturojnë, që luajnë pjesë dramatike ose me instrumente muzikore etj., përshkruajnë se si imponimi prej prindërve, që jo rrallë herë ka qenë i dhunshëm, ka shërbyer si nxitje kryesore për t’i larguar ato nga “kotësia e mjediseve të rrugës” dhe për t’i futur në rrugën aq të vështirë, por të bukur dhe fisnike të artit. Një i ri, violinist i talentuar, e interpretonte kështu dhunën e ushtruar ndaj tij: “Kam qenë fëmijë i vështirë. Nëna më qëllonte shpesh aq sa, si të thuash, dora iu bë me kallo. Por për mua ato “kallo” janë të shenjta, pasi pa to nuk do të kisha hyrë nën magjinë e harkut të telave të violinës”. Në opinionin e mjaft intelektualëve dhuna shpesh interpretohet si “mekanizëm” për të ngjallur vitalitetin krijues të shqiptarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të të rinjëve.
Përgjithësisht shqiptarët çmojnë shumë dinjitetin vetjak, nuk pranojnë që ndaj tyre të thuhet qoftë edhe një fjalë rënduese dhe aq më pak të ushtrohet dhunë. E vetmja formë e dhunës që justifikojnë përgjithësisht shqiptarët është ajo që ushtrohet nga prindërit ndaj fëmijëve. Por, siç e pohojnë 27.03 për qind e të anketuarave, dhuna brenda familjes shkakton trauma të rënda në marrëdhëniet familjare. Është afro 2.1 herë më e lartë pesha specifike e vajzave dhe e grave të anketuara nga fshati, që kanë një mendim të tillë, në krahasim me ato nga qyteti. Një diferencë e tillë shpjegohet kryesisht me karakterin më agresiv të dhunës që ushtrohet në familjet fshatare.
II.4.Gruaja nën kërcënimin e vazhdueshëm të dhunës së bashkëshortit
Nga sa përshkruam, mjaft prej grave janë rritur në familje të dhunshme. Po marrëdhëniet e tyre me bashkëshortët a janë të tensionuara nga ushtrimi i ndërsjelltë i dhunës, sidomos i burrave ndaj tyre? Si nëna, a janë të dhunshme ato ndaj fëmijëve të tyre? Nëna apo babai ushtron më shumë dhunë në familjen shqiptare të ditëve tona?
Të dhënat kryesore të anketimit për dhunën që ushtrojnë bashkëshortët ndaj grave të veta, parashtrohen në tabelën vijuese.
Sa shpesh ushtron dhunë bashkëshorti ndaj grave të anketuara
(në përqindje)
Rreth 29,56 për qind e grave të anketuara përjetojnë dhembjen dhe, për më tepër, poshërimin e shkaktuar nga dhuna e burrave ndaj tyre. Madje është e lartë (rreth 6,94 për qind) pesha specifike e grave që shpërfytyrohen çdo ditë ose çdo javë nga dhuna e bashkëshortit.
Të dhënat e anketimit provojnë se më të kërcënuara nga dhuna e bashkëshortit janë gratë e fshatit. Kështu, pesha specifike e grave fshatare që përjetojnë pasojat e dhunës që ushtrojnë burrat ndaj tyre është 86.95 për qind, ose rreth 3.6 herë më e lartë se ajo e grave me banim në qytet. Në këtë aspekt ka një rikthim në traditën shqiptare të zonave rurale të para Luftës së Dytë Botërore. Normat kulturore të kanuneve, të zbatuara më me përpikmëri në zonat malore, si të thuash, përligjin dhunën e burrit ndaj gruas së tij. Kështu, për shembull, në “Kanuni i lek Dukagjinit”, theksohet se “Burri ka tager (të drejtë – Z.D.) …me e rrahë e me e lidhë gruen e vet, kur të mbrrijë me ia përbuzë fjalën e urdhnit”. Kanuni nuk e shpallte fajtor burrin nëse ai rrihte gruan dhe prindërit e gruas nuk kishin të drejtë t’i kërkonin llogari atij për një veprim të tillë. Në artikullin e njëzetetetë, të këtij kanuni ndër të tjera, pohohet: “Me rrahë burri gruen nukbje në faj kah kanuja, e as prindja s’mund t’a kërkojn të rrahmen” (Gjeçovi, Sh., 1993:40, 36). Gjatë 7-8 viteve të fundit mendësi të kësaj natyre po rigjallërohen, dhe jo vetëm po justifikojnë, por edhe po nxisin aktet e dhunës së burrave ndaj grave të tyre, me gjithë pasojat e shumanshme qqë i shoqërojnë ata.
Pasoja të tilla janë më problematike, për të tanishmen dhe të ardhmen, edhe për faktin se në kushtet e fshatit provokohen nga forma dhune me nivel më të lartë agresiviteti. Por edhe kundërveprimi i grave në jo pak raste ka qenë i skajshëm. Gjatë 5-6 viteve të fundit shumica e krimeve të cilësuara “krime kundër personit”, si vrasje plagosje etj., të kryera prej grave kanë ndodhur në fshatra. Përgjithësisht gratë fshatare janë shumë të durueshme dhe për hir të ruajtjes së familjes, tolerojnë shumë teka e keqtrajtime nga ana e bashkëshortit. Ato janë shumë humane dhe shumë më pak të inkriminuara se gratë në disa vende të urbanizuara të Perëndimit dhe burrat në Shqipëri. Kështu, për shembull, në vitin 1998, sipas statistikave që disponojnë strukturat zyrtare përkatëse të shtetit shqiptar gratë kryen vetëm 4.8 për qind të krimeve kundër jetës së personit. Shumica e krimeve të tilla janë kryer në fshatrat shqiptare. Shqyrtimi i krimeve të tilla dëshmon se pothuajse në çdo rast gratë kanë kryer krimin e rëndë të vrasjes ose të plagosjes të bashkëshortit, të kunatit, të vjehrrit ose të vjehrrës, të ndonjë anëtari të fisit të burrit etj., vetëm kur janë kërcënuar seriozisht me jetën ose janë fyer rëndë në nderin e dinjitetin e tyre. Gjithashtu mungesa e strehimit i detyron bashkëshortët të banojnë në të njëjtin apartament edhe pas divorcimit. Dhe në raste të skajshme vrasja e ish-bashkëshortit të dhunshëm shihet nga gruaja si rrugë e vetme për të shpëtuar nga keqtrajtimi. Kësisoj gratë në Shqipëri janë nxitur nga rrethana të caktuara për të hyrë në rrugën e krimit kundër jetës së tjetrit.
Një juriste e cila në rolin e avokates kishte mbrojtur në gjygj 2 gra vrasëse, ndërsa të tjera, theksoi: “E thënë me pak fjalë, këto dy kliente ishin më shumë viktima të provokimit të rëndë nga rrethanat dhe veçanërisht nga viktimat. Njera kishte vrarë bashkëshortin që e kishte keqtrajtuar dhe poshtëruar për 6 vjet me radhë, ndërsa tjetra kishte vrarë vëllain e bashkëshortit që kishte tentuar ta përdhunonte. Nga tmerri që kishin përjetuar dhe përjetonin këto dy fatkeqe ishin shndërruar në dy kufoma të pakallura në dhe. Kishin humbur kryesoren: dëshirën për të jetuar. Nuk bënin pothuajse asnjë përpjekje për të mbrojtur veten. Madje, gjatë bisedave me to të krijohej përshtypja se nuk do të ishin më mirë se në varr edhe kur të linin mjediset e burgut. Njera shpesh e më shpesh përsëriste: Kam menduar mijëra e mijëra herë për të vrarë veten, por nuk e kam bërë jo se më duhet jeta, por sepse djalin tim të vetëm që e lashë pa baba, nuk dua ta le edhe pa nënë. Më mbajnë të lidhur me këtë botë vetëm sytë e djalit tim 4-vjeç”.
Shumë fakte provojnë se shkaku kryesor që i shtyn gratë drejt krimeve të caktuara janë format e ndryshme të dhunës psikologjike, fizike etj., të ushtruara nga burrat ndaj tyre.
Mendojmë se është detyrë e ngutshme e shoqatave të grave, e organizatave të tjera shoqërore, e strukturave të ndryshme partiake, shtetërore, kulturore etj., të sensibilizojnë opinionin publik për këtë gjendje të rëndë të grave të fshatit, të terorizuara fizikisht, ose së paku psikologjikisht nga dhuna e ushtruar ndaj tyre prej bashkëshortit, të zbulojnë faktorët kryesorë shoqërorë, ekonomikë, demografikë, psikokulturorë etj., që nxisin një dhunë të tillë dhe të bashkërendojnë një sistem masash të shumanëshme e sistematike për parandalimin e shmangien e saj.
Të dhënat e anketimit dëshmojnë se një formë e tillë e dhunës brenda familjes përcaktohet në një masë të konsiderueshme nga niveli arsimor i grave. Sa më pak të arsimuara të jenë gratë, aq më shumë kërcënohen nga dhuna e bashkëshortëve të tyre dhe e kundërta. Kështu, pesha specifike e grave me arsim tetëvjeçar, të cilat në forma të ndryshme janë lënduar nga dhuna e bashkëshortëve është 50.70 për qind ose 2.4 herë më e lartë se ajo e grave me arsim të lartë që i janë nënshtruar një “fati” të tillë.
Mendojmë se lipset konsideruar shumë shqetësues fakti që një ndër pesë gra me arsim të lartë, përjeton fryma të ndryshme të dhunës nga bashkëshorti i vet. Trysnia psikologjike e imponimi ekonomik deri në rrahje në prani të anëtarëve të tjerë të familjes si fëmijët, prindërit e burrit etj., tregon se dhuna e ushtruar ndaj grave me arsim të lartë ndikon negativisht, jo vetëm në zhvillimin e aftësive të tyre profesionale, por edhe cënon dinjitetin e personalitetin e tyre në shoqëri. Në shumicën dërrmuese të rasteve, aktet e dhunës të ushtruar ndaj grave brenda familjes, në një formë ose në një tjetër publikohen nga “agjencia” e thashethemeve, e cila “punon me kapacitet të shumëfishuar”, si rrjedhojë e shtimit të papunësisë, e rigjallërimit të lidhjeve farefisnore, e “vakuumit” në aktivitete kulturore e artistike etj. Përvoja tregon se gra të tilla me personalitet “të gjymtuar” nga dhuna e burrave, mund të mëshirohen nga grupime shoqërore më të gjera, por përgjithësisht nuk respektohen dhe, herë – herë, shpërfillen. Veçanërisht në jetën politike. Është mjaft e përhapur mendësia se “një grua që nuk është në gjendje t’i mbushë mendjen burrit, babait, vëllezërve ose kushërinjëve të vet, që keqtrajtohet prej tyre, nuk mund të drejtojë burrat e botës”. Një mendësi e tillë shprehet praktikisht në jetën e përditëshme si një këshillë “e urtë”, por sfiduese për vajzat dhe gratë: “Respektin që nuk e gjen në shtëpinë tënde mos e kërko në mëhallë apo në fshat”.
Dhuna që ushtrojnë burrat ndaj bashkëshorteve të veta është e domosdoshme të trajtohet si njera nga çështjet më të mprehta të shoqërisë shqiptare të ditëve tona dhe për të ardhmen, së paku të afërt, pasi një dhunë e tillë përgjithësisht u shkakton grave gjendje stresante të rënduara. Kështu 60.87 për qind e grave të anketuara janë shprehur se nga dhuna që ushtrojnë burrat ndaj tyre, ato përjetojnë emocione negative të forta si neveri dhe urrejtje. Qoftë edhe një ditë në vit të përjetojë gruaja një ndjenjë të tillë ndaj bashkëshortit, marrëdhëniet ndërmjet tyre nuk mund të mos jenë të tensionuara për një kohë të gjatë. Ndërsa vetëm 26.81 për qind e të anketuarave pohojnë se veprimet e dhunshme të bashkëshortit ndaj tyre u provojnë emocione negative më të zbehta si bezdi (5.07 për qind) dhe keqardhje (21.74 për qind). Përgjithësisht gratë ndjejnë keqardhje për burrat e tyre që bëhen të dhunshëm e agresivë nga skamja apo ndonjë traumë familjare etj. Një ndjenjë e tillë, veç të tjerash, shpreh karakterin fisnik të grave shqiptare, të cilat për hir të familjes, veçanërisht të fëmijëve, janë të prirura të durojnë vuajtje të ndryshme, të tolerojnë edhe dhunën që ushtron bashkëshorti ndaj tyre.
II.5.Dhunë në familje edhe ndaj fëmijëve: faktor stresues apo parandalues?
Mjaft fakte provojnë se në familjen shqiptare të ditëve tona, fëmijët jo rrallë u nënshtrohen formave të ndryshme të dhunës së prindërve të tyre së paku deri në fund të moshës së adoleshencës. Disa të dhëna kryesore të anketimit pasqyrohen në tabelën që vijon.
Denduria e ushtrimit të dhunës së babait dhe nënës ndaj fëmijëve të tyre në familjen shqiptare të ditëve tonë
(në përqindje)
Siç shihet nga këto shifra, rreth gjysma e grave të anketuara pohojnë se ndaj fëmijëve të tyre ushtrohet dhunë jo vetëm nga babai, por edhe nga nëna, si në familjet fshatare, ashtu edhe në ato qytetare. Madje si baballarët, edhe nënat janë pothuaj njëlloj të dhunshëm ndaj fëmijëve të tyre. Nënat ushtrojnë më shumë dhunë ndaj vajzave të tyre, duke e justifikuar këtë me mendësitë se dhuna është e domosdoshme si mjet detyrimi që “vajzat të mos marrin rrugë të keqe”, se “dhuna ka shpëtuar shumë vajza adoleshente nga degjenerimi e kaosi shoqëror që përjeton Shqipëria”, se “dhuna ndaj vajzave është pjesë e përgjegjësisë dhe e kontrollit të nënave ndaj tyre”, se “vajzat më mirë të zemërohen me nënat, që i detyrojnë edhe me dhunë të shkojnë në rrugë të mbarë, se sa t’i mallkojnë gjithë jetën për shkarjet nga lëshimet liberale të tyre” etj. Një nënë, që ushtronte sistematikisht dhunë ndaj vajzës së saj gjimnaziste, “për ta shtruar”, siç shprehet ajo, në një bisedë me kolege të saj, pedagoge në universitetin e Tiranës ndër të tjera, tha: “Unë e qëlloj dhe do ta qëlloj time bijë deri ditën që ajo do të marrë diplomën e Universitetit. Me gjithçka, pra dhe me pëllëmbë. Unë do të përpiqem ta ruaj vajzën time nga ky mjedis i infektuar me gjithfarë “virusesh” shoqërore, që shkaktojnë trauma të pariparueshme, veçanërisht për vajzat. Lus perëndinë të mos mbyll sytë pa e diplomuar time bijë. Në shoqërinë shqiptare diploma e universitetit, jo vetëm të jep tjetër personalitet, por është edhe një farë mburoje prej të ligave që të vijnë edhe andej nga nuk i pret”.
Çështja e ndikimit të dhunës së prindërve ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, është një nga më të ndërlikuarat e më të diskutuarat jo vetëm në studimet sociologjike, psikopedagogjike etj., por edhe në bisedat e përditshme. Diskutime të tilla gjallërohen ndjeshëm në periudha ndryshimesh të vrullshme shoqërore e kulturore, sikurse edhe këta që po përjeton populli ynë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.
Mendimet kryesore të grave të anketuara rreth ndikimit të dhunës ndaj fëmijëve të tyre, përgjithësohen në të dhënat e tabelës që vijon:
Nga shqyrtimi i këtyre shifrave rezulton se është e lartë pesha specifike e grave që nuk i kanë dhënë përgjigje një pyetjeje të tillë, rreth 17.18 për qind. Madje pesha specifike e grave me arsim universitar, që nuk janë shprehur për këtë çështje është më e lartë, përkatësisht 8.49 për qind dhe 9.38 për qind më e lartë se pesha specifike e grave me arsim tetëvjeçar dhe të mesëm. Ndër të tjera, kjo diferencë tregon se çështja e ndikimeve të dhunës së prindërve mbi fëmijët është shumë e ndërlikuar. Edhe në litraturën më të arrirë sociologjike e psikopedagogjike të kohëve moderne deri në ditët tona ka pështjellim e kundërthënie të vazhdueshme, shpesh problematike rreth kësaj çështje. Studiues të ndryshëm kanë sjellë argumente të shumëllojshme “pro” dhe “kundër” funksioneve afirmative dhe disfunksioneve të dhunës së prindërve të ushtruar ndaj fëmijëve të tyre.
Të dhënat e këtij anketimi provojnë se mjaft prej grave, në familjet ku janë rritur kanë përjetuar dhunën e prindërve dhe janë të prirura të justifikojnë ushtrimin e dhunës ndaj fëmijëve të tyre. Kësisoj rreth 62.10 për qind e grave vlerësojnë kryesisht funksionet pozitive të dhunës së ushtruar nga prindërit ndaj fëmijëve, si faktor që i dertyron ata të shmangin gabimet ose fajet e të jenë më të disiplinuar, si faktor që i mbron nga shkarjet morale dhe nga përdorimi i drogës. Një mesogrua, që punonte si mësuese në një shkollë të mesme të Tiranës“ në intervistën e saj për këtë problem, ndër të tjera theksoi: “Ndoshta ne shqiptarët e përdorim dhunën ndaj fëmijëve edhe ngaqë jemi të stresuar ose, më saktë, të frikësuar për të ardhmen e fëmijëve tanë. Pasi e përdorim dhunën ndaj fëmijëve bëhemi pishman si dreqi, por edhe po të mos e përdorim dhunën frikësohemi më shumë kur mendojmë se fëmijët mund të futen në ndonjë qorrsokak, prej ku nuk mund të dalin gjithë jetën. Prindërit në Shqipëri, veçanërisht nënat ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve të tyre në moshën e adoleshencës si masë profilaktike, për t’i mbrojtur ato nga “leproza” e veseve të shumta që kanë molepsur shoqërinë e ditëve tona”.
Vetëm 17.62 për qind e të anketuarave pohojnë se dhuna e ushtruar nga prindërit u ndrydh mendimet dhe aftësitë krijuese fëmijëve (10.57 për qind) dhe u shkakton trauma psikike të pariparueshme (7.05 për qind). Përvoja jetësore dhe studimet socialpsikologjike tregojnë se, veçanërisht djemtë, që në fëmijëri dhe në moshën e adoleshencës kanë qenë të ekspozuar ndaj dhunës familjare të ushtruar drejtpërdrejt ndaj tyre, ose ndaj anëtarëve të tjerë të familjes, janë më të prirur për modele sjeljeje të dhunshme e deri agresive në kushte sociale më të gjera (Macionis J., 1987:374). Ky përfundim konfirmohet edhe nga “gjeografia sociale e kronikës së zezë” në realitetin shqiptar. Sipas të dhënave që gjenden në Zyrën e Statistikës të Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, gjatë vitit 1998 rreth 41.1 për qind të krimeve kundër jetës së tjetrit si vrasje, plagosje, grabitje me dhunë, rrëmbim personi etj., janë kryer nga të rinj të grup-moshës 19-26 vjeç. Një shkallë e tillë inkriminimi mund të konsiderohet mjaft e lartë, po të kemi parasysh faktin që në përbërjen e popullsisë së Republikës së Shqipërisë të rinjtë e kësaj grupmoshe përbëjnë jo më shumë se 12.1 për qind (INSTAT, 1999:5: përllogaritje e autorit). Nga vëzhgimet dhe sidomos nga studimi i sfondit familjar të personave të rinj që kanë kryer vepra penale me shkallë të lartë agresiviteti kundër jetës së tjetrit rezulton se shumica e tyre janë rritur e socializuar në mjedise familjare ku ushtrohet dhunë, ku, veçanërisht meshkujt më të rritur, flasin sistematikisht për modele sjelljesh perverse, për krime e dhunë kundër të tjerëve etj. Në disa krahina dhe qytete të vogla të Shqipërisë së Mesme familjet ose fiset ku socializohen të rinj të tillë të prirur për veprime kriminale me shkallë të lartë rrezikshmërie karakterizohen nga opinioni si “familje ose fise të tersta”, si “sera të dhunës e të krimit”.
Dhuna në shoqërinë shqiptare të ditëve tona po kontrakton e tjetërson pothuajse gjithë sistemin e marrëdhënieve ndërmjet njerëezve. Përpjekjet për të kufizuar dhe shëruar një “sëmundje” të tillë sociale është e domosdoshme të fillojnë me çrrënjosjen e mendësive të prindërve, që në forma të ndryshme justifikojnë dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve të tyre. Gjithashtu kjo arrihet me aftësimin e prindërve për të miredukuar fëmijët jashtë formave të dhunshme të detyrimit, me “kulturimin” e mekanizmave psikokulturore, që shmangin elementet e konfliktimit në marrëdhëniet e fëmijëve me prindërit dhe me të tjerët etj.