Dekameroni i grave

Autorja: Julia Voznesenskaya

Përkthyesja: Remzije Ajeti

Në libër flitet se si nja dhjetë gra të reja, duke u gjetur bashkë në një maternitet, e kuptuan se u vendos që ai institucion të shndërrohet në karantinë dhe ato do të detyrohen t’i kalojnë aty edhe dhjetë ditë, gjë që natyrisht nuk i gëzoi aspak. Atëherë, njërës prej tyre i ra ndër mend ta përsëritin historinë, të cilën e rrëfeu ose ndoshta e shpiku vetë një shkrimtar firentinas, njëfarë Bokaço; domethënë, që gjatë dhjetë ditëve t’i rrëfehen njëra tjetrës për përjetimet e tyre të ndryshme lidhur me jetën, meshkujt, dashurinë; t’ia besojnë njëra tjetrës rrëfimin për dashurinë e parë, qoftë edhe nëse ajo nuk qe e madhe, me fjalë të tjera të rrëfejnë për të gjitha ato gjëra që prekën gjithmonë zemrën e femrës. Propozimi u pranua njëzëri dhe gjatë dhjetë ditëve u rrëfyen njëqind rrëfime të ndryshme, përmbajtjen e shkurtër të të cilave do të mund ta lexoni në fillim të çdo kreu, por nëse gjeni kohë të mjaftueshme, do t’i lexoni edhe vetë rrëfimet.

DITA E DYTË: Rrëfimi i pestë, të cilin e rrëfen stjuardesa Albina, në të vërtetë është varianti sovjetik i “Lolitës” së Nabokovljevit.

Para se të fillonte rrëfimin, Albina iu drejtua Disidentes Galjinë dhe e pyeti:
Ja, Galjë, ju sigurisht e keni lexuar atë romanin e ndaluar të Nabokovljevit, “Lolita”?
Po, e kam lexuar. Por, ai nuk është i ndaluar, ai thjesht është botuar në Perëndim. Madje edhe vetë shkrimtari qysh moti ka shkuar në Perëndim.
Kurse, duhej të ndalohej!
Albinë, a thua nga ju duhet ta dëgjoj këtë? Nuk është e mundur që në libra ju habit ajo, me të cilën merreni në jetën e përditshme.
Në jetë askush me asgjë nuk mund të më habisë, kjo është e vërtetë, por këtë do ta ndaloja për shkak të gënjeshtrës e jo për shkak të seksit. Në këtë libër, vogëlushe të mia, një herdhemadh i vërtetë, me kënaqësi shkruan se si ia mbyti një vogëlusheje nënën, me qëllim që kjo të mos i pengonte të kënaqej me vogëlushen. Në fund ia shkatërroi jetën edhe vetë vogëlushes dhe e mbyti.
Albinë, çfarë po flisni ashtu? Heroi i romanit nuk e mbyti as nënën, as të bijën. Ai nga xhelozia e mbyti dashnorin e Lolitës, kurse nëna dhe e bija pësuan fatkeqësi, rastësisht; njëra ra nën rrotat e automobilit, kurse tjetra vdiq gjatë lindjes.
Ashtu, vetëm shkruan, kurse ju, naivet, besoni. Duhet lexuar midis rreshtave! Mirëpo, ai ndoshta me qëllim ia la në dorë nënës ditarin e vet, në të cilin shkroi se me budallaqen plakë u martua vetëm për arsye se ia kishte vënë syrin vogëlushes. Galjinë, unë mendoj që ai tip u mashtrua jashtëzakonisht keq në llogari. Ai kishte ndër mend që atë ta mbyste në ujë, por nuk i shkoi përdore.
Mirë, të marrim me mend se është pikërisht ashtu. E Lolita? A nuk vdiq ajo, derisa po lindte fëmijën?
Galjinë, pse jeni aq kokëfortë? Sa orë zgjati lindja e foshnjës suaj?
Nuk e kam llogaritur. Diku tri-katër orë me siguri. E pse?
E sikur t’ju kishin dhunuar me penisat e tyre të trashë e të qelbur që nga mosha juaj dhjetë vjeçare e t’ju ndrydhnin çdo gjë brenda, ju nuk do të liroheshit aq lehtë nga fryti juaj. Bijën time tri ditë u munduan ta sjellin në këtë botë. Tashmë patën vendosur të më bëjnë operacion cezarian. Sikur të më pyeste dikush, unë atij Nabokovit tuaj dhe të gjithë burrave-shtazë që u sulen fëmijëve, me darë të zjarrta do t’ua shkulja atë send! Dhe këtë së pari do t’ia bëja atij maskarait që ma bëri mua atë punë, si ai Lolitës… Oh, sa shumë e urrej!
Fytyra e Albinës u skuq dhe u bë e shëmtuar; lotët i rodhën rrëke duke shplarë hijet e grimit dhe ngjyrën e zezë të qepallave. Galja u sul drejt saj. U ul në shtratin e saj dhe e përqafoi:
Qetësohu, Albinoçkë! Mund ta humbni qumështin. Nuk duhet të rrëfeni asgjë, as nuk duhet të sillni ndër mend asgjë.
Pse të mos e sjell ndër mend? Edhe në momentin e vdekjes do të më kujtohet ajo gjë. Kurse, rrëfimi është i shkurtër, gati që nuk ka fare çfarë të tregohet. Ai Nabokovi si duket, dëshiroi të mbledhë për vete sa më shumë para, prandaj e mbushi tërë librin me fëlliqësitë e tij dhe çdo faqe e leu me spermë. Kurse, ju, intelektualet naive, psherëtini, thuajse çdo gjë është e lyer me mjaltë. I kam dëgjuar unë ato bisedat tuaja, jam sjellë unë në ato shoqëritë tuaja të kulturuara. Kurse, në jetë gjithë ajo ndodh shumë thjesht, prandaj edhe nuk ka për çka të tregohet. Vetëm mund ta varësh veten nga mllefi kundër të gjithë burrave dhe nga mllefi kundër jush.
Albina i fryu hundët, i fshiu sytë, mori frymë thellë dhe filloi të flasë:
Nëna ime ishte budallaqe, mu si nëna e asaj Lolitës. Babai na braktisi, prandaj ne jetonim nga rroga e saj, në fshatin Tomaçevë, te Luga, afër Leningradit, ku ajo punonte si mësuese. Si fëmijë kam qenë aq e bukur, sa që kjo thjesht ishte e pabesueshme. Kur unë dhe nëna kalonim rrugës, të gjithë ktheheshin të na shikonin dhe na hidhnin fjalë. Kurse, ne kjo na pëlqente. Siç i kuptoj tani gjërat, gëzimi i vetëm i nënës ishte që e ka të bijën kukull të tillë. Vitet e para në shkollë kam qenë nxënëse e mirë, derisa jetova me nënën. E pastaj çdo gjë e mori teposhtën, por, për këtë do të flas më vonë…
Ju kujtohet, vogëlushe të mia, se si pat filluar ajo çmendia për patinazhin? Të gjithë prindërit ëndërronin vetëm një gjë, se si t’i regjistronin fëmijët në shkollën e patinazhit dhe të krijojnë prej tyre Çernouosovë dhe Belozhopovë. Edhe mua nëna m’i bleu patinat dhe filloi të më dërgojë të dielave në Leningrad, në shkollën e patinazhit që mbahej të dielave. Vasha të mia, unë në patinazh fillova të përparoj mjaft shumë. Po të mos ishte ai maskarai Kajurov, ndoshta tani nuk do të shërbeja lëngje dhe buzëqeshje në aeroplan, por tash edhe vetë do të udhëtoja me aeroplan si kampione nëpër Evropë!
E tani disa fjalë për Kajurovin. Erdhi një herë në shkollën e patinazhit trajneri i njohur Kajurov, i cili tashmë kishte shkolluar shumë talente për akull. Na vështronte se si rrëshqitnim në akull dhe më zgjodhi mua.
“Kjo vogëlushe posedon talent të padyshimtë. Por, duhet të punojë sistematikisht dhe atë me një trajner me përvojë. Ka kushte të posaçme për këtë, si dhe teknikë të ekzekutimit.”
Teknikë! Mutsihane! Edhe nëna ime, edhe trajnerja ime u shndërruan në veshë, kurse unë edhe më shumë. Kurse, ai na tërhoqi më tutje në terrenin e vet.
“Për shkak të lumturisë së bijës suaj, është e nevojshme të kaloni në Leningrad. Kurrsesi nuk guxojmë të humbim në kohë: çdo muaj i trajnimit sot – është vit i suksesve në të ardhmen.”
I dha nënës aq kohë sa të marrë frymë thellë dhe të shqetësohet thellë e pastaj tha:
“Kërkoni ndërrim të banesës për Leningrad, kurse unë do të bisedoj me gruan. Mendoj se do të pranojë që Albinoçka tani për tani të banojë te ne dhe do të mësojë tek unë në shkolën e sportit.”
Tashmë u bëra për të “Albinoçka”… Ne sa nuk fluturonim t’ia puthnim duart për gjithë atë mirësi. Mirësi! Mutsihane! Më falni, vogëlushe të mia, që po shaj – më shpëtoi. Po si të mos më shpëtojë! Vetëm dëgjoni ç’bëri ai maskara me mua!
Tek ai ishte njëfarë gruaje, ashtu fluturimthi, gjithmonë në kalim, sa për t’ia mbyllur sytë botës. Me çfarë e detyroi ai atë të luante atë rol unë nuk di, vetëm di se ajo nuk ishte gruaja e tij. Nëna dhe unë nuk parandienim asgjë. Shkuam te Kajurovi, ku ajo zonjë na priti si të ishim ne mysafiret e saj më të dashura:
“ Oh, fëmijë i dashur! Oh, e dashura ime!”
Na shërbeu me prodhime delikatese, kurse nëna madje pranoi edhe të pijë një gotë. Dhe rrinte e ulur në çoshen e karriges – brengosej për ardhmërinë time. Kajurovi, fjalë pas fjale, thuajse e godiste tryezën me to, menjëherë kaloi në problemin në fjalë.
“S’ka arsye të kthehet me ty dhe të humbë kohë. Nesër do të fillojë të shkojë në shkollë, do të fillojmë menjëherë me stërvitje. Aljoçkë, përgatite dhomën e vogëlushes!”
Gruaja e tij e rrejshme, ajo Aljoçka, më mori me vete të ma tregonte dhomën time të ardhshme. Atëherë nuk e dija se ajo dhomë do të jetë burgu im për plot tri vjet. Madje, as burg jo, por çeli e torturave të mia. Hyra në atë dhomë dhe përpak u pshurra nga lumturia. Çdo gjë ishte fare e re. Mobiliet miniaturiale, shtrati i vogël, pikërisht për mua, kurse në të rrinte ulur një kukull e madhe, e importuar dhe më priste. Alja gënjeu se ia kishte dhuruar dikush, prandaj ja, gjoja se donte të ma jepte për të mirën time. Më vonë e kuptova që Kajurovi ishte përgatitur dhe i kishte bërë të gjitha llogaritë qysh më herët.
U përshëndeta me nënën dhe ajo u nis në rrugë. Atëherë Kajurovi tha:
“Vogëlushja është e lodhur, dërgoje në shtrat. Kur të zhvishet shikoja muskujt dhe më thuaj a është çdo gjë në rregull”.
Ajo qelbësira punonte për të me gjithë shpirt. U zhvesha para saj në dhomën time të re. Ajo më shikonte në të gjitha anët, m’i prekte duart dhe këmbët dhe tha:
“Nuk di, fëmijë i dashur, a do të dalë diçka nga gjithë kjo. Më duket që muskujt e këmbëve i ke të shtanguar, ose, ndoshta po gabohem…?
Qelbësira bëhej sikur po hamendej, kurse unë u stepa: a është e mundur që unë nuk do të bëhem kampione? Shikoja unë pa m’u trembur syri e këndej vetëm sa nuk ia plasa vajit. Atëherë ajo ma ledhatoi kokën dhe filloi të më qetësojë:
“Semjon Iliç është trajner jashtëzakonisht i mirë. Mos u shqetëso, ndoshta akoma nuk është humbur çdo gjë. Ta thërras që ai personalisht të shikojë.
Kurse unë budallaqja u gëzova:
“Teze Alja, thirreni!”
Oh sa mirë e kishin menduar çdo gjë, sa mirë ishte përpunuar gjithë plani. U paraqit pastaj Kajurovi, tanimë i veshur me robëdëshambër, nën të cilin i dukeshin këmbët e shtrembëra me qime.
“Ç’po ndodh këtu?”
Alja atëherë filloi t’i fliste për këmbët e mia dhe bëhej sikur vërtet dyshonte në diçka. Derisa ajo fliste, Kajurovi m’i prekte këmbët dhe gilcat e kofshëve, disa herë ma preku me dorë vaginën, e ledhatoi dhe tha:
“Po, kjo duhet të përpunohet. Të gjitha varen nga Albinoçka; nëse ushtrimet i kupton seriozisht, me kohë të gjitha të metat do të mënjanohen. A do të përpiqesh, vogëlushe?”
Kurse, unë me lot në sy i thashë: “Po, xha Semjon, do të përpiqem”.
Ai më kapi për dore, thuajse donte të më qetësonte, më uli në prehërin e vet lakuriq, më mbuloi me robëdëshambrin e tij dhe më shtrëngoi fort pas vetes. Që të më qetësojë. Kurse, ajo Alja e tij qëndronte pranë tij, më ledhatonte kokën dhe më fliste diçka që të më tërhiqte vëmendjen në diçka tjetër, së paku kështu mendoj sot. E çfarë ndodhte tek ai nën robëdëshambrin e tij, unë atëherë as që e dija, as që mund ta dija. Vetëm, kur e lexova atë LOLITËN tuaj, mua përnjëherë m’u bë e qartë që ai i kënaqte nevojat e tij me mua, kjo është fare e saktë.
Por, më thoni, vogëlushe të mia, si mund të ekzistojnë gra të tilla si Aljoçka. Unë asaj kurrsesi s’mund t’ia fal! Bëj vetë me burra ç’të duash, është shekulli njëzet, është bërë përparim anembanë, por pse aq poshtërsisht të keqpërdoret fëmija i pafajshëm që të plotësohen kënaqësitë e njeriut?!
Më vonë ngjarjet u zhvilluan në mënyrë edhe më të vrazhdë. Ju mendoni se më dhunoi dhe pikë? Mutsihane! Kajurovi gjëra të tilla nuk bënte, sepse e dinte se do t’i ankohesha nënës, e cila do ta ndiqte në gjyq. Një njeri aq i poshtër nuk do të mund të kalonte me një dënim të vogël. Prandaj, ai veproi më me mençuri, në mënyrë më të pabesë. Ai i rregulloi ashtu punët që dy vjet bëri me mua ç’deshi, kurse unë as nuk e kisha idenë se ç’po ndodh. Dhe këtë nuk e bëri vetëm, por edhe me ndihmën e shokut të vet.
Nuk besoni? Dëgjoni atëherë ç’ndodhi më vonë. Të nesërmen ai dhe unë u nisëm për në shkollën e sportit. Atje, në sallën e patinazhit ku ishte akulli artificial fëmijët rrëshqitnin ma të madhe. Kajurovi më lëshoi menjëherë në akull që të më shohin trajnerët tjerë. Unë u tregova çfarë di të ekzekutoj në akull, ata më lavdëruan, kurse Kajurovi pastaj ia bëri me sy njërit prej tyre:
“Si po të duket Vitja, a i ka muskujt e këmbëve tepër të fortë. Alja thotë se është fare e pashpresë.”
Atë bisedë ata po e bënin ashtu që e dëgjoja vetëm unë. Trajnerët tjerë nuk ishin në afërsi, kur u zhvillua kjo bisedë. Më urdhëruan të rrëshqas edhe pak, të ekzekutoj dallëndyshen e pastaj Vitja më shikoi dhe tha:
“Po, mjaft është keq dhe sa po shoh unë me të do të ketë shumë punë,” pastaj e thirri një vogëlushe dhe e luti t’i tregojë mjeshtëritë e saj në akull. Kjo vogëlushe rrëshqiste shkëlqyeshëm. Lëvizte si dallëndyshe dhe lëshohej në akull me këmbë fare të hapura.
“Të kujtohet- tha Vitja – në fillim ishte gjithashtu rast i pashpresë. E shiko tani!”
Atëherë, Kajurovi tha: “Eja te unë pas orarit të punës të merremi pak me Albinën!”
Kurse, ky ia ktheu: “Si jo! Vogëlushja sigurisht është e talentuar – duhet shpëtuar situatën.”
Çfarë, a thua ende nuk po e qëlloni se si vepruan me mua? Më urdhëruan të zhvishem, më preknin, më vështronin e pastaj më urdhëruan të ulem mbi tavolinë dhe t’i hap këmbët.
“E-heej!- tha Vitja si trajner më me përvojë.- Ja, ku është te kjo çdo gjë e shtanguar. Duhet bërë një operacion të vogël dhe të lirohen nyjet.”
Dhe pastaj në prezencën time ata filluan të diskutojnë a duhet të më dërgojnë në spital për shkak të operacionit, apo të provojnë vetë t’ia dalin në krye asaj pune. Ata flisnin se si mjekët në spital, në të vërtetë janë më me përvojë, por gjatë operacionit ata mund të dëmtonin padashur ndonjë nyjë dhe atëherë do t’u vinte fundi të gjitha shpresave në aspektin e sportit kulminant. Përfunduan se më së miri do të ishte ta bëjnë vetë atë operacion, por thanë se nuk kanë guxim, sepse nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Në fund më pikëlluan fare. Unë ia plasa vajit dhe fillova t’i lut:
“Xha Semjon! Xha Vitja! Kryeni vetë atë punë, nuk do t’i tregoj askujt! Madje as nënës!
Dhe kështu ata vetë e kryen operacionin “kampionja botërore në patinazh”; njëri më mbante dhe më puthte, gjoja se më qetësonte, kurse tjetri përpiqej dhe shkatërronte sa mundte. Dhe kështu vepruan me ndërrime. Tavolina u mbulua me gjak, i cili filloi të pikte edhe në dysheme. Unë dënesja, por qëndroja. Vetëm kapesha për duart e tyre dhe lidhesha pas tyre, fashistëve, vetëm e vetëm të ndieja më pak dhimbje. Njëri më mundonte, tjetri më puthte, përqyrrani më ledhatonte… E kryen ata atë punën e tyre, nuk di nga sa herë dhe kur fillova ta humb vetëdijen ata u ndalën. Kajurovi më dërgoi në banjë, më lau dhe më vendosi në shtrat. Më zuri gjumi me lot në sy, por me shpresë se tani me mua çdo gjë është në rregull.
Të nesërmen Kajurovi nuk më dërgoi në shkollë. Më urdhëroi të rri në shtrat që “të pushoj pas operacionit”, kurse ai u nis të shkojë në stëvitje. Gjatë kohës së drekës u kthye bashkë me shokun e tij Vitjën – të verifikojë se si ndihet pacienti, a po përmirësohet gjendja? Ju tashmë po e qëlloni në çfarë mënyre e verifikonin atë. Po, përsëri mbi atë të njëjtën tavolinë, vetëm se kësaj radhe nuk kishte aq shumë gjak. Por, dhimbjet ishin po aq të forta. Dhe gjithmonë e ndieja atë dhimbje, gjithmonë, unë kampionja e ardhshme botërore detyrohesha t’i shtrëngoj dhëmbët. Këtë punë më vonë ata e quajtën “masazhi i nyjeve të shtanguara”. Për këtë, madje gjatë stërvitjeve mbi akull filluan të flisnin fare hapur.
“A ia ke bërë Albinoçkës masazhin? Disi më duket nuk po e bën si duhet lëshimin me këmbë të hapura në akull. Do të vij sot që personalisht t’ia bëj masazhin.”
Ja, kështu ata të poshtër më shfrytëzuan për kënaqësitë e veta plot dy vjet, kurse unë i duroja të gjitha. Pastaj, në një rast shkuam në një turne – atëbotë, tashmë po merrja pjesë në garat më të mëdha. Disi ndodhi që Kajurovi nuk pati sukses të më vendoste në dhomën e vet, megjithëse të gjithë konsideronin që ai është njëfarë kushëriri im. Më vendosën në të njëjtën dhomë me atë vogëlushen, të cilën na e tregoi Semjoni ditën e parë. Më ra ndër mend që flisnin për të, sikur edhe ajo ka pasur nyja të shtanguara dhe ia kanë bërë operacionin edhe asaj, prandaj e pyeta:
“Edhe ty gjithashtu ta kanë bërë operacionin e nyjave, apo jo? Ndërsa, unë e di edhe më tutje kam dhimbje të pandërprera. Por, kam frikë t’i tregoj Kajurovit, sepse do të më përzëjë nga shkolla. Më thuaj si qëndron puna me ty?”
Ajo, vogëlushja Katja, kaherë i kishte kuptuar të gjitha. Asaj ia kishte sqaruar njëra nga vajzat e përpunuara më herët. Ajo ma zbuloi, çka kishin bërë në realitet me ne dhe çfarë po bëjnë edhe tani. Dhe shtoi:
“Por, mos i trego askujt për këtë, përndryshe edhe Vitja, edhe Semjoni do të na përzënë dhe nga patinazhi ynë nuk do të ketë asgjë. Duhet duruar Aljkën. Semjoni thotë se më vonë mua kjo punë do të më pëlqejë shumë. Unë nuk i besoj, por megjithatë do të duroj, sepse e dua shumë patinazhin. E posa të bëhem kampione, do t’ia gjej vetes një trajner tjetër që nuk do të më mundojë. Më së miri do të ishte të jetë – grua.”
Kurse, unë marroçja, posa u kthyem në Leningrad, i tregova Kajurovit tërë bisedën time me Katjën dhe e luta të mos ma bëjë më atë punë, sepse më shkaktonte dhimbje të mëdha. Ndërsa, ai nuk u frikësua aspak që unë i kisha kuptuar të gjitha. Ai qen, përkundrazi u gëzua:
“Meqë tani i di të gjitha “masazhin” tonë mund ta bëjmë më të llojllojshëm. Atëherë as ti nuk do të kesh aq dhimbje.”
Dhe u bë i llojllojshëm. Ndoshta për shkak të mjeshtërive të tij fillova të kem më pak dhimbje, mirëpo mua më kaploi dëshira të bëj vetëvrasje. Nuk mund të duroja më dhe ika te nëna. Frikësohesha t’ia tregoj të gjitha, prandaj thjesht i thashë se nuk dëshiroj më të merrem me patinazh, gjoja se më është mërzitur dhe po ndihesha keq. Kajurovi erdhi menjëherë të më marrë dhe e bindi nënën të më kthejë, duke theksuar se sjelljet e mia nuk ishin asgjë tjetër veçse trille. Më detyroi të hip në automobil dhe duke qarë më ktheu në Leningrad.
Mendoja e mendoja, si ta heq qafe dhe më në fund e zbulova mënyrën. Gjatë garave të rëndësishme fillova të rrëzohem me qëllim mbi akull, thuajse jam e çalë. Ose para të gjithëve e rrokja barkun dhe thërrisja:”Oh, sa shumë po më dhemb. Çdo gjë po më dhemb brenda, thuajse është shpuar me shkop”.
Kajurovi dridhej nga zemërimi dhe frika, ma mbushte mendjen ta ndërprej atë cirkus, më premtonte famë botërore dhe çdo gjë në botë, por unë vazhdoja me timen. Ai nuk duroi më dhe përfundimisht më ktheu te nëna. Gjithmonë mund të gjente grumbuj të vogëlusheve të tilla që ëndërrojnë të bëhen kampione botërore.
Te nëna fillova të vij në vete, mirëpo dhimbje të barkut pata një kohë të gjatë, kurse natën e shihja në ëndërr Semjon Kajurovin. Edhe tani, edhe pse më rrallë e shoh në ëndërr turirin e tij dhe turirin e neveritshëm, të shtrembër e të buzëqeshur të Vitjës. “Është koha për masazh të vogël, masazh, masazh…”
Ju, Galjë, thoni që ai Nabokovi juaj nuk e mbyti nënën e Lolitës? A e dini ju në çfarë mënyre e mbytën Kajurovi dhe Vitja nënën time? Jashtëzakonisht thjesht: një herë i pashë në ëndërr dhe në gjumë fillova të qaj me zë. Nëna erdhi fluturimthi te unë, më përqafoi dhe unë duke u ngjitur pas saj, ashtu gjysmë e përgjumur, ia tregova të gjitha. Nëna më qetësoi sa pati mundësi, më vendosi përsëri në shtrat dhe pa u ndier doli nga dhoma. Të nesërmen fqinja më dërgoi në morg. Atje nëna ime rrinte shtrirë, e vdekur. E kishin nxjerrë nga lumi Luga.
Atëherë Albina, zëri i së cilës dridhej, nuk u përmbajt më. E futi kokën në jastëk dhe krahët filluan t’i dridhen nga të qarët. Galja u ul pranë saj që ta qetësonte duke ia ledhatuar shpinën.
Zina, E Damkosura, lëvizte kokën dhe murmuriste ndër dhëmbë:
Ja, çfarë bëjnë, ata të qytetit. A thua pak kanë plaka.
Posa e qetësoi Albinën, Galja e filloi rrëfimin e saj.