Përpiqem të gjej mënyra të tjera qëndrimi në karrige

Autorja: Ilirjana Stringa

Më duket se defekti nuk qëndron te forma dhe as te përmbajtja.
Të gjitha teoritë mbi to janë krejt të pranueshme në orën 14.00 të çdo dite. R. thosh se në këtë orë të ditës rreth nesh vërtiten qenie të çuditshme. Unë i besoja. pastaj pinim kafe në periferi, flisnim për të shkuarën dhe për të njohurit tanë. R. ishte i mirë. megjithë kuptimin rëndomtë që ka marrë sot kjo, ai ishte i mirë. R. ishte i mirë.
(Mendoj em rreze infra për R.)

Oborri i gjyshes është po ai që ka qenë. Janë shtuar shkurret dhe shumica e pemëve janë tharë. Fikut, ku im ungj me hallën më lolovitnin në lisharës, tani i ka mbetur vetëm një degë.

Dëgjoj një godije në zemrën time: qetësohem kur e përfytyroj aty për aty brenda meje në po atë mënyrë si dëgjoj tek shqiptohet papritur … “duzinë” apo “fluger” e pra fikut i ka mbetur vetëm një degë. herën e fundit që hipa, fiqët qenë tharë në degë. më të mirët i kishin ngrënë zogjtë. vendet e ngrohta ishin mbushur me bletë. më pëlqejnë fiqtë që i kanë ngrënë zogjtë. janë “mjalt’hoshtë”. është si të thuash “gjumë i zgjatur”.

shumëfishimi i realiteteve me anë të kinemasë dhe televizorit më të gojëhapur. heq prizën. gjysma e realiteteve zhduket. mungesa e kësaj gjysme mbërrin tek unë në blu të errët.

merret vesh që gjyshja është plakur. sa herë e shoh më e vogël më duket. kur unë isha e vogël ajo ishte e madhe: shpirti i nënës, floriri i nënës, më merr të qarët kur mendoj, ç’kam humbur e jam rritur kësisoj kur sëmuresha gjyshja më frynte. hidhte kripë mbi prush dhe pfhhh më frynte

*Jam sëmurë. Tmerrohem kur lexoj për hapësirën, kohën, shpejtësinë e dritës dhe vrimat e zeza. Më ngjan vetja pakogjë.