Dhembje koke e mprehtë si hënë
Këtë herë jemi të pasur
Unë kam hipur në makinën tënde të gjerë sa një shtëpi
Kam ftohtë.
Ti më thua në vesh: Hajde ta bëjmë!
Habitem pse zakonisht nuk ndodhi kështu.
I bie në të më vonë. Je i mërzitur sepse ka ngordhur arushi i vogël e shëtisnin lart e poshtë me zinshir.
Jam e trishtuar edhe unë. Arushin e kanë hedhur në Lanë. F.më tha: Është kafshë ajo aty? I thashë “Jo”, më ngjan si dru. Por më pas u binda për të kundërtën.
Mbrëmë pashë në ëndërr një kalë. Mami im donte ta vriste, po unë ika në një vend që s’e kisha parë ndonjëherë. Isha pa rroba. Nga një pasqyrë s’di si shihja të pasmet e mia. Ishin të bardha, por nuk ngjallnin ndjesi. Thjesht ndodheshin aty. Ra shi. Hoqa çorapet dhe ia vesha kalit. Flinte shtrirë. I. më tha që kuajt e Beckett-it masin kohën. “Nuk di gjë”, i thashë*”, kali im ka qenë njeri dhe pastaj u bë kalë, ndaj i vesha vetëm dy çorape sepse vetëm dy këmbët që kishin qenë këmbë i mbërdhinin. Këmbët që kishin qenë duar jo”.