Brazil, 1 janar, 1502

Autorja: Elisabeth Bishop

Përkthyesi: Gentian Çoçoli

…natyrë e qëndisur …peizazh i veshur…
Peizazhi në art, Sër K. Klark

Janare: Natyra përshëndet sytë tanë
njëlloj si të kishte përshëndetur të tyret:
çdo pëllëmbë shesh mbuluar gjethishte –
fletë të mëdha, imcake, fletë gjigante,
në blu, blu-blertë dhe në ulli,
me rremba të beftë dhe cepa,
apo ndryshe një atlas përmbys nëngjethesh;
përbindësha fieresh
me një spikamë argjend –e-gri,
edhe lule, si zambakë gjigantë uji,
vërtitur ajrit, edhe më, mbi gjethe –
alle, të verdha, dy lloje të verdhash, rozë
të kuqe të ndezura dhe të bardha në të blertë:
solide veç të ajërta: të freskëta sikur
sapo t’i kishin sajuar dhe hequr kornizën.

Një qiell i bardhë, një cergë e dëlirë
sprapsen për detaje puplore:
harqe të thyer, një timon i blertë thyer,
do palma zeshkane, ulur galiç, delikate;
atje pushonin, në profil, sqepa habitës,
shpendë të mëdhenj simbolikë heshtnin,
sekush jepte veç gjysmën e gufimit, puplave,
gushën ngjyrë kthjellë a të stërkalur.
Në plan të parë shquhej ende Mëkati:
pesë dragonët ë sormë ndanë shkëmborësh.
Shkëmborë lëmuar nga likenet, përzhitjet
ngjyrë hiri të hënës i mbulojnë,
kanosur nga poshtë prej myshkut me ato
flakët e vet të blerta e të ëmbla skëterre,
mësymur sipri
prej lianesh kacavjerrëse, të pastra
“një gjeth po dhe një gjeth jo” (në portugalisht):
Hrdhucat me zor dihatin: me sytë mbërthyer
kah një m’e vogël, femër, që afron,
bishti i saj i lig shkon para e prapa,
i kuq flakë mu si tel në flakë.

Kështu edhe kristianët, të fortë si gozhdët,
të vegjël si gozhdët, edhe vezullues,
ngjeshur në parzmore kërcitëse, erdhën e
gjithë çfarë gjetën iu duke e tëhuaj:
as dashnorë që shëtisnin, as tenda,
as qershi për të mbledhur, as muzikë flauti,
porse përkonte, megjithatë,
me një ëndërr të lashtë shëndeti e begatie,
thuaj e harruar atje në tokat e tyre –
shëndeti shtuar edhe një flakadan kënaqësie.

Fill pas Meshës, duke mërmëritur ndoshta,
L’Homme armé a ndonjë melodi të afërt,
bënin para kah fabrika e varur,
sekush në gjurmë të një indiani për veten –
ato gra trupvogla e të çmendura që klithnin,
i klithnin njëra-tjetrës (apo qenë zgjuar zogjtë?)
dhe prapseshin, përherë prapseshin mbas saj.