E PARA VDEKJE NË NOVA SCOTIA

Autorja: Elisabeth Bishop

Përkthyesi: Gentian Çoçoli

Në dhomën akull të pritjes
nëna ime e shtriu Arturin
ndënë kromografë:
Eduardi, Princi i Uellsit
me Princeshën Aleksandra dhe
Mbretin Xhorxh e Mbretëreshën Marie.
Ndën to mbi tavolinë
rrinte një leshko i stupur,
qëlluar e stupur nga xhaxha
Arturi, babai i Arturit.

Qysh kur xhaxha Arturi
i këtputi atij një plumb,
Arturi nuk tha më një fjalë.
E mbajti të fshehtën e vet
mbi liqenin e bardhë akull,
tryezën me syprinë mermeri.
Parzmin e kish të thellë, të bardhë,
të ftohtë, të bëhej ta përkëdhelje:
sytë i kish qelqe të kuq,
kaq shumë të dëshirueshëm.

“Eja”, më tha nëna,
“Eja dhe thuaji pafshim
Arturit, kushëririt tënd”.
Sa u ngrita më dhanë
një lulak lugine
t’ia vija atij në dorë.
Tabuti i Arturit qe
copë e ngrirë keku,
dhe leshkoja sykuq e shihte
që liqenit të bardhë, të ngrirë.

Arturi qe i vockël,
tërë i bardhë si kukull
që s’është ngjyrosur ende.
Xhek Frost pat nisur ta ngjyrosë
siç di të ngjyrosë veç ai
Gjethet e Panjës (Përjetë).
E pat nisur me flokët,
ca njlla të kuqe e mandej
Xhek Frosti e hodhi furçën,
e la atë përjetë të bardhë.

Çiftet zemërmirë e vezullues
rrinin ngrohtë në të kuq e pellusha:
këmbët u mbështilleshin
me ato pellusha rradhë zonjash.
Ata e ftuan Arturin të qe
faqja më e shkurtër e gjyqit.
Po ku të shkonte ashtu Arturi,
me atë lulak të gjorë në dorë,
me sytë e mbyllur sa fortë,
dhe ato rrugë humbur në borë?