QIELLI I VERIUT
Përkthyesi: Gentian Çoçoli
në kujtim të R.T.S.L.
Di t’a shquaj dridhmën e një skune
ç’prej një milje larg: di t’i shquaj
boçet e reja ndër bredha. Dhe sa qetë
gjiu vë një lëkurë të qumësht, qielli
pa re, veç një bishti të krehur të gjatë kali.
Ishujt s’kanë luajtur vendi që verës së shkuar
edhe sikur të ngulja këmbë të kundërtën,
-duke shkitur, me atë mënyrën e ëndërrt,
pakëz veri, pakëz jug apo gjerasi,
ate ata janë të çlirë nën sinoret blu të gjiut.
Këtej ane muaji ynë është mbuluar lule:
Zhabina, Tërfil të Kuq, Çikore të pushta,
Murrizi përzhitet, Luleshqerra, sythet feksin,
yjet inkandeshente të dredhave gjithë merë.
Të tjerë kthejnë të ngjyejnë lëndinat me mrekulli.
Kthyen kryeartëzat e simotrat e tyre,
edhe këngën pesënotëshe e Harabelit gushëbardhë;
tek lutet e lutet, lot të lë ndër sy.
Natyra përsërit vetveten a thuajse kështu:
përsëris, përsëris, përsëris, rishoh, rishoh, rishoh.
Vite më parë më tregove se këtu
(1932?) “zbulove për të parën herë femrat”
dhe mësove të lundrosh, mësove të puthësh.
“Aq shumë dëfreva”, më the atë verë klasike,
(Dëfrimi – dukej se përherë të linte zbrazët…)
E le Qiellin e Veriut, u ngulite shkëmbit
të tij, shkite bluzë përhumbëse… Dhe tash – ke
shkuar përgjithmonë. S’mund më t’i latosh vargjet e tua.
(veç Harabelat munden për këngët e tyre).
fjalët s’mund më të ndërrojnë. Mik i shuar, ti më s’ndryshon.