Gjinia dhe censura
Sa kohë që dihet se qëllimi primar dhe i fundit i censurës është kontrollimi apo edhe më mirë pengimi i mendimit dhe i shprehjes së lirë, mund të konkludojmë se, për fat të keq në Kosovë, është arritur që të frenohet në masë të madhe mendimi dhe shprehja e lirë e shkrimtareve shqiptare. Dy janë shkaqet e censurës ndaj shkrimtareve shqiptare: përkatësia etnike dhe ajo gjinore. Këtu, censura nuk ushtrohet direkt, në formë të ndalimeve të botimit apo të dënimit të shkrimtareve të caktuara, por më tepër në formë të një propagande të përgjithshme, që është treguar edhe më e suksesshme. Të dy këto shkaqe të censurës, edhe pse burojnë nga arsye krejtësisht të ndryshme, kanë pasur efekt të përbashkët negativ; autocensurën, si formën më efikase të ushtrimit të kontrollit.
Në Kosovë ekziston edhe një formë tjetër e censurës. Për shkak të injorimit, me ose pa dashje, që bëhet ndaj shkrimit që sot në botë njihet si «shkrimi femëror», shkrimtaret e Kosovës mbahen në izolim të plotë nga simotrat e tyre të botës, madje edhe nga vetë shkrimtaret e tjera shqiptare, që nuk jetojnë në Kosovë.
Le të shpjegojmë tani secilën nga këto forma veç e veç.
Forcat e aparatit shtetëror, përmes një propagande të gjerë dhe shumë agresive, synonin të mohonin, jo vetëm ekzistencën e shkrimtareve shqiptare, por edhe vetë mundësinë e ekzistimit të një kategorie të tillë të grave shqiptare. Arsyeja për një gjendje të tillë, gjithnjë sipas propagandës serbe, është te fanatizmi dhe shovenizmi i shqiptarëve që nuk u lejon kurrfarë të drejtash grave. Injorimi dhe mohimi i shkrimit femëror nuk bëhet me qëllim që të pengohet si i tillë, por bëhet me qëllim të denigrimit të armikut, d.m.th. të popullit shqiptar në tërësi: gratë shqiptare nuk janë të rrezikshme si shkrimtare – nuk ka të tilla; por janë të rrezikshme si gra «me mundësi të pakufizuara të reprodukimit». Kjo propagandë, më tepër është e drejtuar nga bashkëkombësit e vet; për të arsyetuar dhunën në Kosovë dhe për të apeluar te gratë e popullit të vet që të lindin më shumë fëmijë, si kundërpërgjigje ndaj këtyre «makinave për reprodukimin e kombit», sesa kah pengimi i veprimtarisë së shkrimtareve shqiptare. Fatkeqësisht, efektet që ka krijuar janë tejet negative, madje në dy drejtime: a) te serbët është arritur të krijohet stereotipi i gruas shqiptare: grua e pashkolluar e nënshtruar plotësisht autoritetit të burrit. Publiku serb nuk njeh asnjë shkrimtare shqiptare, nuk di se ekziston qoftë një përkthim i vetëm i ndonjë shkrimtareje shqiptare në gjuhën serbe. E deri diku, ky lloj stereotipi ka depërtuar edhe tek komuniteti ndërkombëtar.
Shqiptarët e përdorin këtë propagandë për të ushtruar kontroll ndaj grave shqiptare.
Sa herë që ato përpiqen të ngrejnë zërin kundër pozitës së vet nënshtruese, akuzohen se janë në shërbim të drejtpërdrejtë të shtetit, që në Kosovë konsiderohet pushtues. Apo, në rastin më të mirë, i tërë faji për pozitën e grave i mvishet vetëm shtetit. Per ilustrim do të përmenëd rastin e një shkrimtareje, e cila ka qenë e dënuar për veprimtari revolucionare gjatë viteve të tetëdhjeta. Edhe shumë kohë pas larjes së dënimit nuk ndërprehet ndjekja dhe persekutimi i saj (nuk i lëshohen dokumentat e udhëtimit jashtë shtetit, kërcënohet herë pas here nga inspektorë të sigurimit, bëhet presion i madh ndaj saj që të bëhet spiune etj). Sa kohë që kjo merret me veprimtari revolucionare pa e potencuar përkatësinë gjinore, ajo glorifikohet nga shokët e vet, si ideali i gruas shqiptare. Në momentin kur kjo ndjehet e lodhur nga të gjithë, e revoltuar nga mënyra se si trajtohet nga të dyja palët, e më tepër nga të vetët, për shkak të përkatësisë gjinore dhe e shpreh këtë revoltë përmes një poezie të vetme, ajo e humbë aureolën e shenjtërisë dhe shndërrohet në mëkatare që duhet demaskuar e dënuar. E tërë kjo ndodh për shkak se kjo grua guxon të përdorë fjalë që «prekin moralin kombëtar». Fjalë, që burrat mund t’i përdorin, por jo edhe gratë, sidomos gratë revolucionare.
Pastaj, gratë shkrimtare gjenden edhe nën veprimin e cenzurës gjinore nga bashkëkombasit e vet, që ka për qëllim të ruajë pozitat dominante ekzistuese të njërës gjini ndaj tjetrës. Këtu vlen të përmendet fenomeni i rrallë, mbase është rast unik në botë, kur burrat shkruajnë me pseudonim të grave. Një gjë e tillë bëhet për disa arsye. Ka pasur raste kur autori ka qenë i ndjekur politikish dhe si i tillë ka qenë i ndaluar, pra ai është fshehur nga persekutimet nën maskën e emrit të femrës. Në rast se autori nuk e ndjen veten mjaft kompetent për të hyrë në konkurrencë me autorë të tjerë të gjinisë së vet, konsideron se do të depërtojë më lehtë si grua. Kjo ndodh vite më parë në kohën e socializmit, kur ekzistonte një liberalizëm ndaj krijimtarisë së grave. Por, ky fenomen nuk ka shpëtuar pa pasoja negative për vete gratë. Fryma liberaliste bën që të shumtën e herave të botohen vepra me firmën e ndonjë gruaje pa kurrëfarë kriteresh, kjo pastaj bën që veprat e tilla të konsiderohen të dorës së dytë dhe të parëndësishme. Nën hijen e një pikëpamjeje të tillë bien edhe vlerat e vërteta që për pasojë kanë dekurajimin e shkrimtareve të ardhshme për t’u marrë me shkrime, që gjithsesi do të kosiderohen të dorës së dytë. Manipulimi me pseudonimin e gruas, në tregimet gjoja të vërteta të gazetave e revistave të shumta pornografike, bëhet për të knaqur shijen perverse të publikut. Këto shkrime, jo vetëm që dhunojnë ndjenjat delikate ndaj dashurisë e seksit, por edhe keqpërdoren për t’i frikësuar e dekurajuar gratë që merren me shkrime, jo vetëm pornografike…
Dy format e përmendura të censurës kanë prodhuar edhe formën tjetër më efikase, autocensurën, pre e të cilës janë shkrimtaret shqiptare të Kosovës e jo vetëm ato, por edhe të gjitha gratë kosovare. Kjo njëherit është edhe forma më efikase dhe më e dhimbshme e kontrollit. Sipas Orvellit, auotocensura e vret imagjinatën e shkrimtarit, dhe njëherësh e shkrin guximin intelektual. Se sa qëndron një mendim i tillë, do ta ilustroj me shembullin në vijim. Ftesën për të diskutuar publikisht në temën «gratë dhe politika», shumë gra të Kosovës e morën me rezervë: Nuk është koha të diskutohen tema të tilla. Kjo është luks i madh për ne. Tema tjetër «gratë kundër dhunës» ishte pak më e afërt me kohën aktuale, por edhe kjo ishte diçka për të cilën duhej menduar mirë e mirë. Shembulli është edhe më reprezentativ nga fakti se një përgjigje e tillë vjen nga një grua gazetare, e cila çdo ditë raporton nga zonat e luftës, e që njëherit është edhe shkrimtare. «Një gjë është të raportosh në mënyrë objektive» thotë ajo «e diçka krejtësisht tjetër të flasësh në vetën e parë. Edhe pse, pranoj se ka shumë për t’u thëne në këtë temë». Kjo nuk do koment.
Autocensura, në anën tjetër, është edhe forma më e dhimbshme e censurës. Ngaqë bëhet në mënyrë të qetë e pa zhurmë është shumë vështirë të dëshmohet ekzistenca e saj. Prandaj, si të luftohet diçka që nuk ekziston?!… Pastaj, ndodh shumë shpesh që edhe personi që ushtron autocensurë të mos jetë i vetëdijshëm për një gjë të tillë, por ta kuptojë atë si vetëpërmbajtje të përkohëshme, jo nga detyrime të jashtme por nga nevoja të brendshme krejtësisht të pafajshme.
Qëndrim injorues nuk ushtrohet vetëm ndaj shkrimtareve shqiptare të Kosovës, por edhe ndaj atyre botërore. Nuk përkthehen, nuk promovohen, nuk shkruhet për to. Njihen vetëm disa që mund të numërohen në gishta. Fakti se vepra «Një dhomë për vete» e V. W. përkthehet 70 vjet pas botimit të parë origjinal, dhe atë me iniciativën individuale të disa grave, flet mjaft për këtë dukuri.
Përkthimi dhe botimi i «Një dhomë për vete» që konsiderohet manifest i feminizmit, mu tani është përpjekje e shkrimtareve për të mbijetuar censurën.
(Fjalë e mbajtur në Bellaxhio , shkurt 1999)