Mallkim

Autorja: Vjollca OSJA

Ujërat ku hodhëm farën e syve
shterruan.
Shkretimi tret zërin e vet nëpër fushë
ku luanin jaseminët me gishta të bardhë.
Ka vetëm një fëmijë që virr’
duke u tharë në diell
me amforat e kyçeve të thara
e ninulla të trembura nën sy.
S’preket peranduria e lëmyshqeve
që nisi sundimin në mjekra të mënçura
Kalbi një qiell,
e asnjë zog s’e prish lirinë e saj t’tendosur.

Rri pezull trishtimi i hijes së luleve
pa mundë me ra askund.

Zot,
njerëzit zbresin gjithnjë në tokë të gabuar!