Nesër plakem

Autorja: Ledia Dushi

Grunajen
e kanë lëshue
ehe korbat…
I nxehti
m’asht mbledhë n’sy;
qafaqiellat
përmajin qerpikët…
N’dritën e buzëve
asht nji rraje ujnash
që t’mundon…
Reja pështjellet malit
si sëmundja e fytit.
Dhelpnat turren
me u çmendë
rrëzueshëm bjeshkëve,
tue luejt
me barkun e frymë
prej ujkut,
t’hangun n’dhambë,
prej frymarrjes t’gjijve,
pikon
djersa tambël
e vëlueme puthjesh…

Përnatë zhdeshi tiparet
tue i vue
te kambët e shtratit,
tue kja
për mungesën e lotëve…
… unë
jam andrra jeme…