Mbretëresha e fjalës – Oriana Fallaci

Autorja: Ilire Zajmi

“Një libër mbi fatin e individit që refuzon të jetë i kataloguar, i ekranizuar, i dalë tejmode, nga ideologjitë, nga shoqëria, nga pushteti. Një libër mbi tragjedinë e poetit, që nuk dëshiron të jetë dhe që nuk është njeri – masë, instrument i atyre që komandojnë, i atyre që premtojnë, i atyre që tmerrojnë; qofshin ata të së majtës a të së djathtës, apo të së djathtës ekstreme, a të së majtës ekstreme, apo të qendrës ekstreme. Një libër mbi heroin që lufton i vetmuar për lirinë dhe për të vërtetën, pa u dorëzuar kurrë, prandaj vdes i vrarë nga të gjithë; nga padronët e nga shërbëtorët, nga dhunuesit e nga indiferentët.”

Nga një intervistë e Oriana Fallacit

Oriana Fallaci është sinonim i fjalës së fuqishme, sinonim i një gazetarie të pashembull në analet evropiane, por edhe në ato botërore. Tregimi për Fallacin është një tregim i jashtëzakonshëm për një femër guximtare e të fuqishme, ashtu si vetë emri dhe puna e saj e pashembullt. Për kontributin e jashtëzakonshëm në gazetari, Fallaci është nderuar me çmime të vlefshme, por kulmin e famës e ka arritur si fituese e çmimit Puliceri, çmimi më i lartë që jepet për të arriturat në fushën e gazetarisë. Përveç kësaj, ajo është autore e shtatë librave: “Asgjë nuk është ashtu si duket”, “Letra një fëmije të palindur”, “Inshallah”, “Intervistë me historinë”, “Penelopa e luftës”, “Nëse dielli vdes”, dhe“Një njeri”. Në librin “Asgjë nuk është ashtu si duket”, Fallaci, me një mjeshtëri të rrallë, ka shkruar ditarin e një viti të kaluar në luftë. Si reportere e luftës, shkon ta përcjellë ferrin që ende djeg në historinë amerikane – luftën e Vietnamit. Është koha e aterimit në Hënë, ndërsa në tokë vazhdojnë vrasjet, ashtu si dhjetë mijë vjet më parë. Një grua, pra një gazetare – Fallaci, niset në luftë për t’u ndodhur përballë dramës së vrasjeve e betejave të përgjakshme: asaj të Dak Tosë, fshat në kufirin e Vietnamit me Kamboxhian. Këtu fillon ditari i saj, në të cilin ajo dëshiron t’i përgjigjet pyetjes së një voglusheje : «Çka është jeta?». Dita – ditës, duke u shoqëruar me vdekjen, Fallaci shtegton në kërkim të një përgjigje pothuaj të pamundur dhe shënon të gjitha ato që sheh e dëgjon: bashkë me frikën, me krenarinë, me hidhërimin. Dhe, kështu spontanisht, lind një roman me personazhe nga jeta reale. Personazhi i Frensis Pelout, mikut francez që e përcjell si engjëll rojtar, personazhi i Nguyen Ngoc Loanit, gjenerali burracak që qan si fëmijë në krahët e saj, personazhi i Pipit, lajtenantit që humb kujtesën në beteja dhe, natyrisht, ushtarët vietnamezët dhe gazetarët para të cilëve shfaqet teatri absurd i luftës, ofensiva e Tetit, rrethimi i Saigonit etj.
Në librat tjerë, Fallaci trajton tema të ndryshme nga jeta moderne. Në librin autobiografik “Nëse dielli vdes” Fallaci shpalos rrëfimin e një gruaje moderne që mëton të zbulojë të panjohurën, me anë të një aventure të jashtëzakonshme të udhëtimit në hënë dhe në planetet tjera, gjegjësisht triumfin e shoqërisë teknologjike që me anë të përllogaritësve dhe kosmonautëve përfundimisht ndërron moralin dhe sjelljet në shoqëri.
Spektri i laryshive të temave reflektohet pothuaj në të gjitha veprat e Fallacit. Mprehtësia e gjuhës së saj artistike, plot ironi e sarkazëm, më së shumti bie në sy në veprën: «Intervistë me historinë”. Po qe se hunda e Kleopatrës do të kishte qenë më e shkurtër, tërë faqja e dheut do të ndryshonte: thotë Paskali. Duke lënë mënjanë paradoksin, është e ligjshme të mendohet se se ekzistenca jonë vendoset prej pak njerëzve: nga të mirët dhe ëndrrat e këqija të disave, nga iniciativa apo ndërmjetësimi i të paktëve, të cilët me pushtet, apo me luftën për pushtet ndërrojnë kursin e gjërave dhe fatin e shumicës. Po, atëherë si janë ata të pakëtit? Më inteligjentë se ne, më të fuqishëm se ne, më të shkathtë se ne? Apo, të ngjashëm me ne, as më të mirë e as më të këqinj se ne, krijesa që nuk e meritojnë as kolerën tonë, adhurimin tonë, individualitetin tonë? Përgjigja e tërë këtyre pyetjeve, natyrisht, është Oriana Fallaci. Është përgjigjja që kërkohet në njëzeteshtatë intervista të famshme për nga stili i tyre i papërsëritshëm, teknika e përkryer dhe jehona që kanë bërë në shumë vende të ndryshme. Duke filluar nga Henri Kisinxher e Villi Branti, nga Golda Maier e Indira Gandi, nga imperatori i Etiopisë, e deri te shahu i Persisë, nga gjenerali Giap e deri te palestinezi Jaser Arafat, nga Uiliem Kolbi dhe Alvaro Kunhal, nga Andreoti te Karilla, Oriana Fallaci i sistematizon të gjithë. Në realitet i prezenton duke i “zhveshur” pa u turpëruar, pa hequr dorë kurrë nga humaniteti i saj, ua shpalos shpirtin, duke i paraqitur ata që janë, e jo atë që thonë ata se janë. Është një libër ky që të fut frikë. Jo ngase është kaq i guximshëm, kaq i çshenjtëruar, por sepse të shtrëngon të meditosh me hidhërim. Vetë Fallaci këtë libër e shpjegon si dokument mes gazetarisë e historisë. Por, në të vërtetë, ky libër është diçka më shumë. Është një mallkim i pushtetit, një ftesë e dëshpëruar për padëgjueshmëri, një himn i pasionuar për lirinë.
Liria, shtegtimi pas identitetit të individit në shoqëri zënë vend të konsiderueshëm pothuaj në të gjitha perlat, si gazetareske, ashtu edhe letrare të Fallacit. Si një libër me tematikë të tillë, në opusin e saj shquhet libri: «Penelopa e luftës”. Ngjarja ndodh në Nju Jork dhe është historia e një Penelope që nuk i përshtatet rolit të femrës shtëpiake duke pritur Uliksin e saj, por Uliksi vetë shtegton në kërkim të identitetit dhe lirisë së tij. Por, çuditërisht mbizotëron bota mashkullore, të cilën ajo e lufton për të mbizotëruar. Dashurohet duke u rebeluar në një njeri të dobët e të luhatshëm, gjegjësisht në një homoseksual. Përballet guximshëm me trekëndëshin në të cilin gjendet e përzier me Riçardin, njeriun që dashuron, dhe Billin , njeriun që e dashuron i dashuri i saj. Në fund, Penelopa moderne ikën nga njëri dhe nga tjetri për të vazhduar luftën e saj. Luftën e gruas rebele.
Fati i femrës është shpesh preokupim në shkrimet e Fallacit. Figura e femrës gjithnjë mbizotëron, duke luftuar me të mirat e të këqijat dhe natyrisht në radhë të parë duke luftuar për identitetin dhe vështirësitë e të qenit femer në këtë botë përplot padrejtësi e të pavërteta, ku edhe sipas Fallacit vetë “Jehovai e ka krijuar mashkullin për të mbizotëruar”.
“Letra një fëmije të palindur” është monologu tragjik i një gruaje që pret fëmijën, duke shikuar lindjen, jo si një dhuratë, por si një zgjedhje personale dhe si përgjegjësi. Një gruaje që nuk i dihet as emri as adresa, as mosha: dhe të vetmet shenja të cilat do të mund ta paramendonim, janë se jeton në kohën tonë, është e vetmuar, e pavarur dhe është e punësuar. Monologu fillon në momentin kur ajo kupton se është shtatëzënë dhe ia bën vetes pyetjen agonike: mjafton të dëshirosh një fëmijë për ta obliguar që të vijë në jetë? I pëlqen atij të lindet? Në përpjekjen paradoksale për të gjetur përgjigje gruaja i sqaron femijës cilat janë realitetet që sundojnë në këtë botë, ku mbijetesa është dhunë, e nësërmja është një dje, dashuria një domethënie e paqartë, drejtësia një paturpësi. Gjersa rrjedh biseda, e pasionuar dhe e arsyeshme, lind edhe një problem i dytë: raporti i vetë asaj me fëmijën. Lind edhe një pyetje tjetër: a meriton të flijohet jeta për një jetë që akoma nuk është lindur? Dhe monologu gati bëhet një konfesion ndaj ndërgjegjës, ndërsa drama ushqehet nga personazhet tjera. Shtatë personazhe pa emra, pa adresë, pa moshë: babai i fëmijës, mikesha feministe, punëdhënësi, mjeku, doktoresha moderne, prindërit e moshuar. Të gjithë dëshmitarë të këtij raporti të pamundshëm, të bazuar në kufirin mes dashurisë e urrejtjes, të kujdesit e buzëqeshjes, të konsumuar në fund nga revolta e një krijese inteligjente që e pranon amërinë, por në anën tjetër ndihet e hendikepuar nga ajo. Në revoltën e tillë ku gruaja definitivisht sfidën ia lë fëmijës së saj: asaj të drejtën të ekzistojë pa e lënë atë ta kushtëzojë, atij të drejtën të vendosë nëse dëshiron të ekzistojë apo jo. Dhe, fëmija vendos, refuzon të heqë dorë nga jeta, sepse e ka kuptuar se sa e vështirë është ajo. Dhe, në fund, si gjithnjë, është gruaja ajo që i paguan të gjitha. Thënë me një fjalë nyja e librit është Procesi, në të cilin, si juri simbolike, marrin pjesë të shtatë personazhet.
Me këtë përmbledhje të veprimtarisë së sinonimit të gazetarisë Oriana Fallaci, u munduam të shfletojmë për artdashësit shqiptarë, faqe e fragmente intervistash, romanesh e rrëfimesh, të cilat e bëjnë
gazetaren, shkrimtaren Fallaci, njërën ndër personazhet më të famshme e më të çmuara në historiatin e gazetarisë botërore. Jo rrallë, femrat krijuese i përcjell urata:”U bëfsh e famshme dhe e zonja si Oriana Fallaci”. Famën e saj e lakmojnë të gjitha femrat që luftojnë me penë në mbarë rruzullin tokësor.