Femrat në dramat e Rasinit

Autori: Ruzhdi Ushaku

Përkthyesi: Ruzhdi Ushaku

(Në 300 vjetorin e vdekjes)

Femrat në jetën e Rasinit

Krijimtaria është jetë, ose më mirë të themi, njeriu mund të krijojë me plot kuptimin e fjalës vetëm atëherë kur përjeton. Mendoj se do të ishte e pakuptimtë të merremi me temën e këtij punimi, përkatësisht të flasim për femrat në dramat e Zhan Rasinit, e të mos i sillemi sadopak jetës private të autorit, përvojës dhe përjetimeve të tij, sepse është e pamundur të njihet aq në hollësi psikologjia e femrës (siç është rasti me Rasinin), pa pasur kontakte me to, dhe pa përjetuar diç me to. Interesimi i tij për femra nisi të shihej që në kohën e qëndrimit të tij në qytezën Uzès. Aty pati rastin të njihej me femra plot pasion, por duke fshehur këtë ndjenjë, sepse ai nuk kishte shkuar aty të kërkonte dashuri, por beneficione. Këto femra janë për të “të mrekullueshme”, por shërbëtori i zotit duhet të jetë i verbër. Kjo pasqyrohet në letrën të cilën Rasini i ri ia dërgon La Fontenit, ku i thotë se nuk guxon t’ i flasë shumë për femra, sepse e kanë porositur: “Jini të verbër”, e pastaj vazhdon: “Nëse nuk mund të jem plotësisht i tillë, më duhet të paktën të jem memec.”(1)
Detyra e ka shtrënguar të jetë rob i vetvetes, pranë asaj që ka ndier si djalë i ri. Nga Nimi i shkruan mikut të tij Lë Vasërit se e kishte parë një zonjushë trupbukur e cila i ka pëlqyer shumë. I ka pëlqyer veçanërisht teni i saj i gjallë dhe i ndritur, syt e mëdhenj dhe lëkura e bardhë, sipas të cilës shihet se çfarë ishte shija e Rasinit. Pasionet për të cilat Rasini do të shkruaj aq shumë, nuk do t’i trillojë por ato ai i ka vërejtur që në Uzès. Kështu Moriaku do të shkruaj: “Djaloshi i cili bart në vete Hermionën, Roksanën, Fedrën, adhuron karakterin e njerëzve të Langdokut, dhe i lavdëron ata ngase i çojnë pasionet deri te tepria e skajshme.”(2) Rasini ishte dëshmitar i një ngjarjeje ku pasioni shfaqej dukshëm. Në të vërtetë, është fjala për një çupë e cila në vendin ku kishte qëndruar Rasini, kishte bërë vetvrasje dhe, siç ishte vërtetuar, nuk ishte mbytur për shkak të turpit, sepse mendohej se kishte qenë shtatzënë, por kishte bërë vetëvrasje për një motiv tjetër, që ishte më i fuqishëm se ajo vetë, e ky motiv ishte pasioni i zjarrtë i dashurisë. Në fakt, këtu në Uzès ka dëgjuar dhe ka parë, por nuk ka përjetuar asgjë të jashtëzakonshme me femra. Përjetimet e tij me femra nuk janë të shumta, por nëse i përmbahemi të thënës se “Nuk është me rëndësi sa jetohet por çka përjetohet”, atëherë do ta kemi të qartë se në jetën e Rasinit kanë luajtur rol të madh dy femra. Aventurat e dashurisë, të cilat Rasini i ka përjetuar apo me të cilat është ballafaquar, i kanë ndihmuar që në mënyrë të hollësishme të analizonte shpirtin e femrës, dhe të hynte në fshehtësitë e jetës së femrës. Përmes dy dashurive të tij të njohura, Rasini e ka njohur psikologjinë e femës, ndjenjat, të metat dhe fshehtësitë e saj. Në karrierën e dashurisëe së Rasinit dallohen dy femra: aktorja e tetatrit Thérèse Du Parc dhe La Champmeslé.

Thérèse Du Parc
Ishte kjo aktorja e famshme e trupës së Molierit, të cilën Rasini ia pat rrëmbyer këtij të fundit, e në të cilën u dashurua marrëzisht, e madje flitej se me të kishte pasur bashkëshorti të fshehtë. Pas grindjes me Molierin dhe Por-Roajalin, Rasini sikur gjeti ngushëllim tek kjo aktore plot hir dhe shumë tërheqëse. Përmes saj ai depërtoi nëpër salone të ndryshme, u përshkua në një botë për të të fshehtë. Ajo aktronte nëpër salone të ndryshme si në Palais-Royal, Hôtel de Bourgogne etj. U popularizua shumë në rolin e Andromakës. Njohtimi i Rasinit me zonjën Du Parc i mundësoi këtij të njihte për herë të parë tragjikën e dashurisë dhe xhelozisë. Më vonë Du Parc e lëshon Palais-Royal-in (1667) dhe hyn në trupën e komedienëve të mëdhenj (Grands Comédiens). Thérèse Du Parc ishte shtatë vjet më e vjetër se Rasini dhe njëra prej komikeve më të ndritshme të kohës. Rasini e ka ndier se ç’ ishte xhelozia, kur ka marrë vesh se një kreshnik (kalorës) kishte dashur të martohej me zonjushën Du Parc, dhe kështu xhelozia do të jetë një prej temave aktuale në veprat e Rasinit. Për të flitej: “Ishte xheloz në të gjithë”. Vdekja e papritur e zonjushës Du Parc i shkaktoi Rasinit dhëmbje dhe shqetësime të mëdha. Dhëmbje të madhe, sepse humbi qenien aq të dashur, e shqetësime sepse akuzohej si vrasës dhe hajn. Ndërkaq, Rasini ishte i prekur dhe i shqetësuar shumë nga vdekja e saj, edhe pse ajo pati shumë adhurues, gjë që shumkush i gjuanin fjalë. Eshtë karakteristike letra të cilën e shkruan Bussy zonjës Montmorency, duke mësuar se një fisnik donte të martohej me zonjushën Du Parc. Ai shkruan: “E adhuroj yllin e zonjushës Du Parc që ka dhuruar një mijë pasione një mijë njerëzve, e kurrë një pasion mesatar.”(3)Kështu Bussy donte t’ia hidhte Rasinit se kishte qenë njëri prej njëmijë kandidatëve. Mirëpo, përkundër të gjithave, është fakt se Rasini ishte dashnori i saj më i afërt dhe më i pëlqyer, të cilin ajo e donte më së shumti. Me ndihmën e saj Rasini depërtoi në një rreth të çuditshëm të femrave bredhëse, të humbura, ku u njoh me fshehtësi dhe shqetësime të ndryshme të botës femërore. Ai u njoh me intrigat dhe shkathtësitë me të cilat shërbeheshin femrat, siç pohon me të drejtë Antoine Adam: “Ai hetoi sesi aty bëhej tregti e paligjshme lesheli me ujë bukurie, pluhur (pudër) dashurie dhe helmi.”(4) Andaj mund të themi se Du Parc ishte njëra prej dy femrave më të njohura në dashurinë e Rasinit. Femra e dytë e cila po ashtu luajti rol të rëndësishëm në jetën dhe krjimtarinë e Rasinit ishte aktorja La Champmeslé.

La Champmeslé
Ishte aktorja më e njohur e Hôtel de Bourgogne. Ajo ishte vendosur në Paris me burrin e saj i cili po ashtu ishte aktor, dhe kështu pat hyrë në jetën e Rasinit kur u paraqit në Hôtel de Bourgogne në rolin e

Hermionës. Rasini u mahnit kur e pa për herë të parë, dhe kështu u dashurua në të. Edhe pse nuk ishte e bukur, Rasini në të pat zbuluar diç posaçërisht tërheqëse dhe joshëse si dhe prirje të veçantë aktrimi. Siç thotë Mme de Sévigné: “ Ajo nuk ishte e bukur nga afër, por kur ajo i shqipton vargjet, është shumë e bukur.” (5)Ndërkaq, sikur edhe për zonjushën Du Parc, shumëkush ia hidhte Rasinit edhe për zonjën Champmeslé, përkatësisht se Rasini ishte i humbur në mesin e numrit të madh të dashnorëve. Megjithatë, është fakt se Rasini edhe këtu ishte në krye të të gjithë dashnorëve. Mbase do të pyesnim si është e mundur që ajo të kishte aq shumë dashnorë pranë burrit të saj. Eshtë fakt se jeta e tyre ishte mjaft e shthurur, kështu që ata nuk kishin ndonjë kontrol të ndërsjellë. Kështu lindën aventura të ndryshme dashurie ku do të shpërthejnë pasione për të cilat Rasini do të shkruaj aq shumë në pjesët e tij teatrore. Bashkëshorti i zonjës Champmeslé ishte mjaft indiferent, pra ose shihte ose bëhej se nuk shihte se ç’ ndodhte rreth tij. Ai Rasinin e shihte si mbrojtës, mecenë të gruas së tij (protecteur de sa femme). Mirëpo, kjo dashuri edhe pse në fillim dukej ideale, nuk mund të mbahej përherë dhe I e cila kishte ndërruar aq dashnorë, e braktis edhe Rasinin, për çka nuk u dit arsyeja. Se sa ka qenë Rasini këmbëngulës në pasionin e dashurisë, shihet nga fakti se edhe pas këtij incidenti gjithnjë e dashuronte zonjën Champmeslé. Përfundimisht Rasini e ndërpreu çdo takim me të pas martesës saj me grofin Clermont-Tonnerre për çka dëshmon edhe një strofë satirike, ku me një lojë fjalësh ku Racine ka kuptimin e rrënjës e Tonnerre atë të rrufesë, ku bëhet fjalë se Rrufeja erdhi dhe e çrrënjosi rrënjën (pra Rasinin) nga zemra e saj.(6)
Me këtë rast duhet të përqëndrojmë vëmendjen tonë rreth një pyetjeje: a ka mbështetje krijimtaria e Rasinit në frymëzimet që i ka pasur nga këto dy aktore? Lidhur me këtë ka mendime të ndryshme. Eshtë karakteristik supozimi i Mme de Sévigné, e cila thotë se krijimtaria e Rasinit është e lidhur ngusht me emrin e këtyre dy aktoreve, dhe se ndjenja e thellë e pasioneve të cilën Rasini e paraqet në veprat e tij, mund të jenë rezultat i frymëzimit dhe ndjenjave të thella për qenien e dashur. Vërtet se aty ka vend për supozime që mbështeten në një realitet jetësor, por megjithatë nuk mund të pajtohemi plotësisht me këtë mendim, sepse Rasini ka shkruar drama edhe para se të njihej me këto dy femra, e në këto drama ka ditur shumë mirë të pasqyronte pasionet. Ndërkaq, veprat e tij të mëvonshme janë të përshkuara me një mjeshtri më të përsosur dhe të shkruara me një ndiesi të stërhollë. Andaj mund të përfundojmë se dashuria e zjarrtë të cilën Rasini e ka përjetuar dhe ndier vetë, xhelozia dhe të gjitha përjetimet e tij në dashuri, kanë pasur refleks të dukshëm në dramat e tij. Dy vepra janë shkruar ekskluzivisht dhe kushtuar këtyre dy aktoreve. Për zonjushën Du Parc shkroi Andromakën, kurse i frymëzuar nga zonja Champmeslé shkroi Berenisën (Bérénice).
Fakti se Rasini përshkroi (portretoi) karaktere të femrave të ndryshme jashtë këtyre dy aktoreve, na bën të bindemi se Rasini ka shkruar jo vetëm për atë që ka ndier dhe përjetuar vetë, por edhe për ato që ka parë me syt e vet, dhe kështu ia ka dalur , në saje të prirjes dhe talentit të tij prej poeti, të shkruante vepra të pavdekshme të moralit dhe psikologjisë njerëzore.
Pas botimit të Fedrës Rasini martohet me Cathérine de Romanet e cila i takonte një familjeje të pasur fisnike dhe e cila nuk ka ushtruar asnjë ndikim në krijimtarinë letrare të tij. Ajo kurrë nuk i ka lexuar veprat e tij dhe vetëm sa i ka ditur titujt e dramave, dhe ata i ka mbajtur në mend duke i dëgjuar nga goja e të tjerëve.
Pas këtij parashtrimi, duke pasur një pasqyrë për jetën e Rasinit, kohën kur ka jetuar, do të kuptojmë se Rasini ka qenë i nxitur nga këto motive: dëshira për afirmim si shkrimtar i oborrit, pastaj përjetimet dhe ato që ka parë dhe dëgjuar vet. Andaj krijimtarinë e tij letrare do ta kuptojmë si tërësi të këtyre komponentave duke i harmonizuar me kohën dhe hapësirën në të cilat jetoi dhe krijoi Rasini.

Teatri
Shekulli XVII, si shekull i klasicizmit, ka pasur refleksin më të madh në teatër si gjini kryesore letrare. Fisnikët dhe aristokracia kanë pasur si zbavitje dhe argëtim kryesor dramat teatrore, të cilat shfaqeshin nëpër oborre dhe salone. Luigji XIV dhe oborri i tij tregonin interesim të madh për teatër, kurse tematika të cilën e ka kultivuar Rasini ka trajtuar jetën e oborrit në përgjithësi.
Teatri i Rasinit është vendosur në një nivel intelektual dhe moral shumë më të lartë. Ky paraqet një gjini të veçantë të psikologjisë dhe dashurisë tragjike, të shoqëruar me norma morale, në dallim prej teatrit të Kornejit i cili ka më tepër karakter historik-politik. Merita e madhe e Rasinit është porteretimi i shkathtë i i tipeve dhe karaktereve të ndryshme të oborrit, në mesin e të cilëve dominojnë tipet e femrave, të cilat, në krahasim me ata të mashkujve, spikaten në mënyrë më të dukshme dhe analizohen në mënyrë më të stërhollë. Si njohës i mirë i shpirtit femëror, Rasini ka arritur të na i paraqesë në skenë tipet e femrave të ndryshme, karakterin dhe rolin e tyre në oborr dhe në jetën private. Për të pasur një ide a pasqyrë të qartë të karaktereve të ndryshme femërore, i kam kategorizuar sipas disa vetive të përbashkëta, ndonëse secili tip i ka edhe veçoritë e caktuara që e dallojnë nga tipet e të njëjtës kategori.

Femra të zjarrta-të dashuruara-xheloze
(Fedra, Hermiona, Ërifila)

Fedra
Eshtë heroina kryesore e tragjedisë homonime, kryeveprës së Rasinit, ku ky na ka paraqitur, në mënyrën më të përsosur, tipin e një femre të dashuruar, afshet e të cilës arrijnë në pikën kulmore. Këto pasione do ta shpiejnë drejt turpit, krimit dhe greminës. Eshtë kjo Fedra e cila do të përjetojë luftën e mundishme me pasionet, me të cilat e kanë ngarkuar perënditë dhe të cilave nuk do të mund t’ u rezistojë. Fedra është gruaja e perandorit Tezeut, e dashuruar marrëzisht në thjeshtrin e saj Hipolitin. Këtij ia shpall dashurinë duke menduar se Tezeu ka mbetur në luftë. Hipoliti e refuzon, Tezeu kthehet nga lufta dhe Fedra ndien brerjen e ndërgjegjes, kështu që fatin e saj e lë në mëshirën e dadës Ënonë. Dada Ënonë e bind Tezeun se djali i tij i ka shpallur dashuri Fedrës. Fedra ia qanë hallin Hipolitit të pafajshëm dhe don të pranojë të vërtetën, mirëpo duke marrë vesh se Hipoliti e do Arisinë, bëhet shumë xheloze. Në fund e pi helmin dhe ia pranon Tezeut të gjitha. Ënona e fajsuar për krim, mbytet në det. Perandoresha Fedër duket për herë të parë në pamjen e III-të të aktit I-rë me dadën e vet. Eshtë kjo Fedra me fytyrë të dobët, e zbehtë, e rraskapitur, të cilën e mundon një motiv i brendshëm, i fshehtë, të cilin e zbulon Ënona e shkathët. Çka mund të jetë tjetër pos dashurisë e cila e mundon këtë perandoreshë? Eshtë kjo dashuria e cila nuk e kursen askend, dhe prek njësoj secilin. Fedra nuk e ka atë qëndrimi krenar e kryelartë që i ka hije një perandoreshe, sepse vuan nga dashuria, me të cilën e kanë dënuar perënditë. Atë nuk e mbajnë këmbët, aq është e munduar dhe e molisur. Gjunjtë e saj dridhen. Një fuqi e panjohur sundon me ndjenjat dhe arsyen e saj. Syve të saj u pengon madje edhe drita e ditës, dhe çdo gjë që e rrethon është e tepërt dhe e mërzitshme: “Mes yeux sont éblouis du jour que je revois, et mes genoux tremblants se dérobent sous moi.”(7) Mjafton të lexohen vargjet e mësipërme dhe përpara nesh të kemi fytyrën e qartë të Fedrës së dashuruar. Nuk na është dashur shumë për të zbuluar motivet e Fedrës fatkeqe, sepse ajo këtë e ka shfaqur sheshit me dukjen e saj të parë. Ajo përpiqet ta zbusë plagën e pashërueshme ashtu që do ta pranojë se e do thjeshtrin e saj. Prejse e ka parë për herë të parë jeta e saj pa të e ka humbur çdo kuptim dhe çdo ngashënjim. Fedra do të dëshironte disi t’ i shmangej, sepse është e vetëdijshme se nuk guxon ta dashurojë. Ajo fillon ta urrejë vetë jetën, ndien urrejtje ndaj afshit të dashurisë së zjarrtë i cili e mundon aq shumë, por e tërë kjo është e kotë. Ajo turpërohet dhe është e vetëdijshme se nuk do të duhej të futej një dashuri mes saj dhe Hipolitit. Mirëpo, edhe përkundër këtyre përpëlitjeve, një fuqi më e madhe të cilës ajo nuk ka aftësi t’ i rezistojë, e afron kah Hipoliti. Vetëm vdekja do të mund të zgjidhte luftën e mundishme të kësaj femre të pafat, e cila shpesh bie në sprova t’ i japë fund jetës saj dhe kështu të fshijë njollën e madhe të turpit dhe brerjen e ndërgjegjes. Ajo është munduar të urrejë, të harrojë, por, përkundrazi, ajo ndesh në të kudo që i shmanget. Paraqitja e tij, fytyra e tij, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrën e saj. Ai është gjithnjë i pranishëm dhe i freskët në syt e saj dhe në mendimet e saj. Mbase është ky i vetmi mashkull a njeri të cilin e sheh dhe e shikon, dhe çdo gjë tjetër që e rrethon janë vetëm hije të zbehta dhe të pavlerë. Në pamje e V-të të aktit II-të paraqiten Fedra e Hipoliti. Mund ta marrim me mënd si duket ajo në këtë çast. Posa e ka vërejtur, trupin e saj e përshkojnë drithma frike. Atë sikur duan ta lëshojnë këmbët. Dridhet pranë kësaj qenieje më të dashur, sikur një fëmijë që i frikohet dënimit dhe varet nga mëshira e më të fortit. Posa e ka parë, gjaku i saj nuk qarkullon si duhet në damarë, rrahjet e zemrës bëhen më të fuqishme dhe më të shpeshta, por edhe më të dhëmbshme. Ajo nuk është e vetëdijshme se vërtetë ekziston. Sikur kalon në një botë tjetër, ku çdo gjë është aq e pasigurtë. Si e dehur nga shikimi i tij , ajo i drejtohet Ënonës: “ Le voici. Vers son coeur tout mon sang se retire. J’ oublie, en le voyant, ce que je viens lui dire.”(8) Fedra nuk guxon t’ ia pranojë haptas Hipolitit se e dashuron, por përpiqet që t’ ia bëjë këtë me dije në mënyrë të tërthortë. Lajkat që kjo ia bën Hipolitit zbulojnë pasionet e saj, ndjenjën që ka ndaj tij. Në të ajo sheh Tezeun e dytë. Kjo shihet qartë nga ky varg drejtuar Hipolitit: “Il avait votre port, vos yeux, votre langage.” (Ai kishte qëndrimin tuaj, syt tu, të folurit tuaj).(9) Këto fjalë ngërthejnë epshin e madh që ajo ndien ndaj tij, duke i evokuar kujtimet në burrin e saj. Në fund ajo do ta pranojë haptas se e dashuron. Ajo ka mbledhur aq guxim, por ai guxim do të shembet sepse Hipoliti refuzon dashurinë e saj. Tani nis një luftë mendimesh. Zhgënjimi dhe turpi bashkohen në një fuqi të pavetëdijshme, dhe Fedra do të tentojë të bëjë vetëvrasje me shpatën e tij. Në aktin e III-të, pos brerjes së madhe të ndërgjegjes, e cila ëshë bërë më e fuqishme dhe më e dhëmshme, del në pah ndjenja dhe shprehja e turpit, e cila gjithnjë rritet e bëhet e padurueshme. Prej gjithë asaj që ka ndodhur, Fedrës i ka mbetur një imazh i paqartë. Gjendja e saj shpirtërore dhe pasiguria, kur ia ka pranuar Hipolitit dashurinë, thua të kishin qenë jashtë arsyes dhe vetëdijes së saj. Për të do të kishte qenë ngushëllim mjaft i madh sikur Hipoliti bile të ishte zbehur, kur kjo ka dashur të vritej. Do të ishte e lumtur sikur ta dinte se Hipoliti nga dhimbsuria e ka penguar që ajo të vritej. Këtu Fedra, pakëz na del si naive, por kjo mund të arsyetohet, kur të kihet parasysh se ajo është një grua e dashuruar me zjarrin më të madh, e cila nuk mund ta bindë veten se nuk e dashuron pala tjetër. Mbase edhe e ngushëllon vetveten, edhe pse e ndien zërin e të vërtetës. Në atë të vërtetë ajo nuk guxon të besojë. Asaj i kanë mbetur vetëm iluzionet e pikëllimit dhe të shqetësimit. Ajo është e lumtur që njëherë e pat prekur dora e Hipolitit, kur ky e pengoi që ajo të vritej. Pasion i çuditshëm! A nuk është ky kulmi i dashurisë së zjarrtë? Në mendimet e saj përshkohen ide të ndryshme. Nuk është e qëndrueshme e stabile, dhe është e pasigurtë në hamendjet e saj. Naiviteti i saj si rezultat i dashurisë së verbër, nuk do të na befasojë kur ajo ende mendon se ndoshta Hipoliti megjigjatë e do, se ndoshta ka ngurruar dhe i ka ardhur turp si një i ri dhe i papërvojë t’ i përgjigjet në dashurinë e saj. Ajo do të përpiqet në të gjitha mënyrat që ai të bëhet i saj. I lutet Venerës që t’ ia falë zemrën e tij. Vetëvrasja e dytë të cilën tenton ta bëjë Fedra, pengohet nga konfidentja Ënonë. Asaj i vjen ndër mënd që ta lajmërojë Tezeun se djali i tij i pari ia shpalli dashurinë Fedrës. Kështu Fedra e lë fatin e saj në duar të konfidentes së vet. Në pamjen e IV-të të skenës III-të e shohim Fedrën pakëz dinake, e cila për ta shpëtuar nderin dhe dinjitetin vetjak e akuzon rrejshëm thjeshtrin. Për mendimin tim, kjo dinakëri nuk ngërthen një plan të Fedrës të përgatitur më parë as dyftyrësinë e saj, por dobësinë e saj duke rënë nën ndikimin e të tjerëve. Eshtë në sprovë nderi dhe autoriteti i një gruaje dhe njerke perandoreshë, dhe nuk do të guxonim t’ i bienim në qafëa shumë, sepse mbi të gjitha shtrohet çmimi i lartë i jetës, aq i shtrenjtë për çdokend, e aq më parë për atë që dashuron marrëzisht. Në pamjen e V-të aktit të IV-të, pasioneve të larta të dashurisë së Fedrës u bashkohet edhe një fuqi më e madhe, e cila thua se i fshin të gjitha normat e tjera psikike, e kjo është xhelozia. Ky kalim i Fedrës së dashuruar në një Fedër xheloze, na zbulon edhe një veti të rëndësishme të karakterit të saj. Ajo bëhet xheloze në princeshën Arisi, të cilën e dashuron thjeshtri i saj. Edhe një barrë më e rëndë e cila do ta mundojë shumë. Një goditje e rrufeshme e xhelozisë mbizotëron mendimet e saj. Ajo është e mashtruar. Hipoliti megjithatë nuk është naiv dhe i pandjenja, siç mendonte kjo më herët. Ai megjithatë di të dashurojë. Toni i saj pralajmëron xhelozinë e madhe e cila sa vjen e rritet, dhe e cila do të jetë arsyeja vendimtare për vdekjen e saj. Ndjenjat e saj pasqyrohen në këto vargje: “Hyppolite est sensible, et ne sent rien pour moi! Aricie a son coeur! Aricie a sa foi!” (10)

Dashuria tashti kalon në xhelozi të madhe, xhelozi e cila do t’ i mbizotërojë të gjitha. Një qenie tjetër e ka goditur duke i shkaktuar një dhëmbje të skajshme dhe më të fuqishme. Po, çdo gjë disi ka mundur të durohej, por që thjeshtri i saj të dashurojë një tjetër, kjo është e pamundur të durohet. Eshtë e pamundur të paramendohet një rivale e cila e vë në lojë fatin e saj. Tani çdo gjë është e humbur. Eshtë fikur edhe rrezja e fundit e shpresës. Vetëm vdekja do ta çlirojë nga të gjitha këto mundime dhe prej luftërave jetësore. Ajo ndien se është e padenjë për të jetuar. Jeta e saj nuk ka më asnjë kuptim, dhe e vetmja dhuratë që do ta ketë nga ajo, është dhëmbja, turpi, brerja e ndërgjegjes e mbi të gjitha xhelozia. Pse pra të jetojë e turpëruar, pa dashuri. Ajo do ta pijë helmin. Dhe, derisa jeta e saj fiket ngadalë nën ndikimin e helmit, ajo do t’ i pranojë të gjitha. Nuk do të lejojë që të pësojë qenia e pafajshme, e akuzuar me pa të drejtë, me çka dëshmon se ajo ende e dashuron. Eshtë e vetëdijshme për të gjithë atë që ka bërë. Ajo e arsyeton vetveten dhe duke i pranuar të gjitha gabimet e veta lë përshtypjen e një femre të paaftë që të luftojë kundër dëshirës së hyjnive, të cilat kanë futur në të zjarrin e pafikshëm të dashurisë. Kështu fiket një jetë, si rezultat i perëndive të pamëshirshëm. Fedra nuk është prej atyre femrave të cilat me gjakftohtësi i fshehin krimet e tyre, duke mos ndier aspak brerje të ndërgjegjes. Ajo e ndien se çdo gjë e akuzon, çdo gjallesë dhe send. Madje edhe muret presin çastin për t’ u shembur mbi të dhe për ta dënuar për shkak të gabimit të saj. Mbase ne do ta ankojmë Fedrën si grua të palumtur. Do t’ i dhimbset çdokuj që ka dashuruar, e nuk ka qenë i dashur. Ne nuk do ta akuzojmë si femër negative sepse ajo i sheh dhe i ndien gabimet dhe turpin. Ajo është grua e denjë. Nëse dashuron, të dashurosh nuk është gabim. Na mbetet, pra, që të ndiejmë dhimbsuri të sinqertë për një qenie njerëzore të palumtur, për një viktimë të dashurisë së madhe, të dinjitetit, krenarisë dhe të prestigjit. Ne e bashkëndiejmë dhëmbjen e saj. Edhe pse është mbretëreshë, ajo është e gjorë. Krahas famës dhe pasurisë ekziston, pra, edhe diç më sublime. E kjo është dashuria, krenaria dhe ndërgjegja.
Fedra është figura e gruas së dashuruar dhe xheloze e pikturuar me suksesin më të madh, me ç’ rast Rasini ka arritur të përshkruaj më së miri luftën mes ndërgjegjes dhe pasionit, dashurinë e madhe e cila Fedrën e bën viktimë dhe robreshë të afshit të saj. Fedra deri në fund dëshmon për ndjenjën e saj njerëzore dhe për dinjitetin e lartë dhe si e tillë vdes.

Hermiona
Hermiona është njëri prej karaktereve femërore të portretuara me mjeshtëri të madhe. Ajo bën pjesë në kategorinë e femrave të dashuruara, xheloze, tek e cila ndeshim në disa tipare të veçanta. Atë e ndeshim në tragjedinë Andromaka . Kjo është një princeshë e re, e bija e mbretit Menelaut, e cila duhet të martohet me Pirruan, të birin e Akilit. Mirëpo, Pirrua e dashuron robëreshën e vet Andromakën. Hermiona e re dhe e papërvojë, e cila e dashuron me pasion Pirruan, bëhet xheloze kur merr vesh se ai e do Andromakën. Si pasojë e xhelozisë dhe urrjetjes do të vijojë fundi tragjik, ku Pirrua do të vritet, kurse kjo nga dashuria e madhe ndaj tij do të bëjë vetëvrasje.
Hermiona është një princeshë e re dhe e papërvojë, kryelarte dhe krenare për prejardhjen dhe famën e saj, por e pamëshirshme. Si e fejuar e Pirruas ajo ndien dashuri të madhe për të, dashuri kjo që më tepër i gjason asaj naive dhe platonike. Hermiona paraqitet në pamjen e I-rë të aktit II-të si një vashë e re e dashuruar, ndaj të cilës Pirrua nuk tregon asnjë shenjë dashurie, dhe si e mashtruar dhe e braktisur ndien dhëmbje të madhe, vuajtje e sekëlldi, ku ndeshen krenaria e saj e lënduarnga dëshpërimin në dashuri. Ajo ka ëndërruar aq shumë për njeriun që e dashuron. Endërrat e saj u përngjajnë atyre ëndrrave fëmijërore që sajojnë ideale, ashtu siç ka ëndërruar edhe ajo për Pirruan., madje edhe kur nuk e ka njohur atë. Ndërkaq, kur merr vesh se Pirrua e ka refuzuar, e dëshpëruar në dashurinë të cilën e ndien prore, bëhet xheloze dhe është e gatshme për çdo hakmarrje dhe krim të mundshëm. Rivalja Andromakë i ka shkaktuar dhëmbje të madhe, dhe e xhindosur në të , e shtyn Pirruan që t’ ia marrë të birin e saj Astiniaksin dhe t’ ia dorëzojë grekëve. Hermiona këtu tregohet si e shkathët, sepse përveç hakmarrjes, qëllimi i saj është që kështu Andromaka të urrejë Pirruan. Hermiona si e re dhe e papërvojë është mjaft e luhatshme dhe jostabile. Ky labilitet është deridiku i kuptueshëm. Ajo dashuron dhe, për këtë arsye nuk është lehtë t’ i thuhet “lamtumirë” qenies së dashur. Ajo ende ka shpresë. Ndoshta Pirrua do të pendohet, do t’ i kthehet dhe do të bie në gjunjë përpara saj, duke kërkuar mëshirë a përdëllim. Këtu na del krenare dhe sovrane, femër e cila ndien peshën e nderit dhe krenarisë që dikush të përkulet përpara saj. Në pamjen e IV-të të aktit III-të bëhet e pamëshirshme dhe e vrazhdë ndaj Andromakës. Dashuria plot epshe e zjarr që e ndien për Pirruan, pranimi i saj i haptë se e dashuron, na zbulojnë karaktertin e femrës së dashuruar, e cila është e ngrehur nga rryma e pasioneve, sikur edhe Fedra. Ajo ka ardhur këtu për Pirruan, dhe përkundër pabesisë dhe tradhëtisë së tij, është e gatshme t’ ia falë të gjitha duke shpresuar se një ditë ai megjithatë do t’ i kthehet. Vendimi i Pirruas që të kurorëzohet me Andromakën e godit me dhëmbjen më të madhe. Urrejtja dhe ashpërsia e saj arrijnë kulminacionin. Në pamjen e I-rë të aktit V-të shohim Hermionën e vetmuar dhe të palumtur, të cilën e ka përcjellur dashuria e pafat. Lufta e mendimeve shndërrohet në xhelozi dhe urrejtje. Ajo bredh nëpër oborrin mbretëror pa qëllim të caktuar, duke akuzuar vetveten pse e dashuron njeriun i cili nuk e do. Kjo urrejtje dhe xhelozi do të shndërrohen në dëshirë të madhe për hakmarrje, por kjo hakmarrje është e pavetëdijshme. Ajo do ta cysë Orestin, i cili e dashuron pa masë, e për të cilin ajo nuk ndien aspak dashuri, që ta vrasë Pirruan. Hermiona ka ende pakëz shpresë se Pirrua megjithatë e don. Eshtë karakteristike pamja e II-të e aktit të V-të kur kjo e pyet konfidenten e vet a dukej Pirrua i pakënaqur në ceremoninë e darsmës. Kujtojeni Fedrën e cila tregonte veti të ngjashme. Naiviteti i Hermionës nuk është i panatyrshëm, kur të mendojmë në një femër aq të dashuruar dhe xheloze e cila nuk është në gjendje të gjykojë drejtë. Megjithatë, shpresat janë të humbura. Goditja e rëndë të cilën ia ka dhënë ky kurorëzim, e shtyen në krim. Xhelozia e saj shfaqet në formën e mirëfillët. Kurse dashuria e saj, epshet e zjarrta, kaprici dhe hakmarrja, të cilën e ka bërë në mënyrë të pavetëdijshme, pasqyrohen në pikëllimin e saj të thellë kur merr vesh për vdekjen e Pirruas. Ajo mbetet besnike dashurisë së zjarrtë, por si e tillë edhe besnike naivitetit të saj, duke besuar gjithnjë se Pirrua e ka dashur, dhe kështu bën vetëvrasjeia. Përmbi trupin e vdekur të Pirruas rrëzohet edhe një viktimë e re, si pasojë e dashurisë së madhe, e cila është më e fuqishme se arsyeja. Kështu kemi tipin e princeshës së re, të dashuruar, e cila është foshnjarake, krenare, kryelartë, sublime. Ajo është xheloze dhe e pamëshirshme, dhe kjo është arma kryesore e me të cilën ajo lufton. Ajo ndien kënaqësi për t’ i rënë dikush nën gjunj dhe për t’ i kërkuar ndjesë. Brengat dhe dëshpërimet e saj që burojnë nga dashuria nuk do t’ ia zbulojë kujtdo, dhe ajo vetë do t’ i vajtojë ato. Kështu ajo nuk do ta zbulojë dashurinë që e ndien si një femër xheloze. Ajo këtë e mban mbyllur në kutinë e saj shpirtërore e cila do të shpërthejë më vonë, por ky shpërthim nuk do ta kursejë as atë vetë. Duke bërë vetëvrasje, ajo tregon se ishte e guximshme dhe se dashuronte në mënyrë të sinqertë.
Mbase në disa çaste e raste do të ndiejmë urrejtje, përbuzje ndaj saj, por në disa raste e çaste tjera mbase edhe do të ndiejmë simpati dhe keqardhje e dhimbsuri. Ajo duhet të jetë xheloze kur dashuron. Gabimet dhe mashtrimet e Pirruas ajo nuk i sheh ose nuk don t’ i shohë, dhe për këtë arsye është gjithnjë në gjendje dhe e gatshme t’ ia falë ato. Do të na dhimbset si një princeshë e re dhe e papërvojë e cila në imagjinatën e saj ka ngritur pallatin e dashurisë ideale, por ky pallat është shembur mbi të në mënyrë të pamëshirshme duke e mbytur një qenie të re, e cila nga iluzioni i dashurisë ka pasur vetëm helm dhe dëshpërim.

Ërifila
Eshtë kjo një vashë e re, robëreshë e Akilit, të cilën e ndeshim në tragjedinë Ifigjenia. Ajo nuk di asgjë për prejardhejn e vet as kush ishin prindërit e saj. E dashuruar në Akilin, të fejuarin e Ifigjenisë, bëhet xheloze dhe e keqpërdor mirësinë e kësaj të fundit. Ërifila gëzohet kur merr vesh se rivalja e saj do t’ u flijohet perëndive. Mirëpo, duke marrë vesh se Ifigjenia po përgatiste arratinë, ia bën kësaj një grackë në të cilën bie vetë. Ërifila paraqitet në pamjen e I-rë të aktit II-të. Në shikim të parë kemi një Ërifilë të qetë, të butë, e cila ia ka lakmi Ifigjenisë për prindërit që ajo i ka. Si e gjorë, ajo ankohet në fatin e saj të keq pse nuk e ka ndier kurrë dashurinë e nënës. Kjo dukuri sikur paralajmëron një vashë të re të pafat për të cilën do të ndiejmë dhimbsuri, mirëpo, dashuria dhe epshet e zjarrta, e mbi të gjitha xhelozia, do ta bëjnë atë të ngjashme me Fedrën dhe Hermionën. Karakterin e saj e krijon dhe e formon vetë zhvillimi i ngjarjes. Strehimin dhe lirinë të cilat ia ka premtuar Ifigjenia e re bëmirërse e fisnike, pasi që do të martohej me Akilin, kësaj i shkakton edhe më shumë dhëmbje. Liria e ofruar thua se nuk i duhet dhe thua se nuk ka kurrfarë rëndësie. Pse? Ajo e dashuron Akilin dhe martesa e tij me Ifigjeninë do të ishte orë e kobshme dhe fatkeqësia më e madhe e saj. Akili është krijesa më e dashur, sepse e vetmja dashuri që ka filluar të ndiente, është afshi i zjarrtë për të, derisa për ndonjë dashuri tjetër ajo nuk di. Dashuria e saj është njësoj e zjarrtë, por platonike, e ngjashme me atë të Hermionës. Shkaku i xhelozisë së madhe ajo është e gatshme t’ ia shuaj vetes jetën posa të bëhet kurorëzimi i rivales së saj me njeriun të cilin kjo e dashuron. Tani bëhet plot smirë dhe është e gatshme t’ i bëjë keq dhe t’ i shkaktojë fatkeqësi rivales së vet, por për këtë nuk ka fuqi të mjaftueshme, kështu që i mbetet vetëm shpresa tek donjë fatkeqësi e mundshme, apo ndonjë kob që do ta godiste Ifigjeninë. Në pamjen e IV-të të aktit II-të, në një dialog me Ifigjeninë, paraqitet si vashë plot smirë. Dashuria e vetme të cilën ajo e çmon më së shumti, është ajo e njeriut të cilin e dashuron. Kjo është për të gjëja më e fuqishme, më e fortë dhe më sublime, ku edhe njerëzit më të dëshpëruar gjejnë ngushëllim dhe prehje. Për këtë dëshmojnë më së miri këto vargje me të cilat ajo i drejtohet Ifigjenisë:
“Du moins, si vos respects sont rejetés d’ un père,
Vous en pouvez gémir dans le sein d’ une mère,
Et de quelque disgraâce enfin que vous pleuriez,
Quels pleurs par un amant ne sont point essuyés?(11)
Të kesh dashnor është lumturia më e madhe dhe kënaqësia më e madhe për kuptimin e saj. Nuk ka dhëmbje e lot të cilat nuk mund t’ i fshijë dashnori. Me këto fjalë ajo dëshiron ta provojë Ifigjeninë. E fsheh dashurinë e vet, të cilën e ndien për Akilin dhe mbrohet kështu me shkathtësi. Eshtë e vetëdijshme se nuk ka forcë e mundësi andaj edhe dashurinë e saj të zjarrtë për Akilin e fsheh nga rivalja. Smira e saj shihet në mënyrë edhe më të qartë kur i gëzohet mosmarrëveshjes mes Ifigjenisë dhe Akilit. Përkundër kësaj, kjo nuk i mjafton; urrejtja dhe dëshira për hakmarrje janë tiparet kryesore të karakterit të saj. Pamja e I-rë e aktit të IV-të na paraqet një vashë të mjerë, të cilën lajmi se Ifigjenisë nuk do t’ i ndodhë asgjë, e bën të palumtur. Kësaj i mbetet të gjejë një tjetër rrugë dhe një tjetër mënyrë që të hakmerret, dhe jo vetëm kaq, por edhe që të fusë në grindje Agamemnonin (babanë e Ifigjenisë) me Akilin. I lajmëron grekët për arratinë e Ifigjenisë e cila duhej të flijohej, por në vend të saj bie vetë viktimë, sepse kjo ishte viktima e mirëfilltë të cilën e kërkonin perënditë për flijim. Duke mos ia dalur të realizonte planet e veta, dhe pasi që smira, xhelozia dhe ambiciet e saj dështuan, ajo nuk ndien më nevojë për të jetuar dhe është e gatshme të vdesë. Për dashurinë prindore nuk ka ditur kurrë, kurse e vetmja dashuri të cilën e ka ndier nuk iu ka ofruar. Ajo do të bëjë vetëvrasje, duke flijuar veten, duke goditur veten me thikë në krahëror dhe deri në fund të jetës do të mbetet krenare, trimëreshë dhe kryelartë. Edhe një viktimë e dashurisë, xhelozisë, por deridiku edhe e ambicieve. Edhe një viktimë e re, fati i të cilës është mjaft prekës, edhe pse në disa çaste ndiejmë antipati për të.

Femrat ambicioze

Femrat ambicioze te Rasini dallohen nga fakti se tek ato nuk ekziston pasioni i dashurisë. Interesi për dashuri nuk ka kurrëfarë rëndësie. Këto janë kryesisht femra në moshë, tek të cilat ndjenjat për dashuri janë tashmë të fikura, dhe pasioni i vetëm i tyre është fama, pasuria dhe ambicie të natyrës tjetër. Njëra prej femrave ambicioze më karakteristike në teatrin e Rasinit është Agripina.

Agripina
Agripinën e ndeshim në tragjedinë “Britannicus”. Tematika e cila përpunohet në këtë tragjedi është marrë nga historia e Romës antike. Agripina është nëna e tiranit të ri Neronit. Është kjo mbretëreshë e moshuar dhe me përvojë, një vejushë e nxitur nga ambicie dhe etje për famë, që i ka siguruar vetes dhe djalit të vet pushtetin përmes intrigave dhe kallave të ndryshme, kurse ai pushtet është dashur t’ i takonte princit të ri Britanikut, thjeshtrit të saj. Ndërkaq, Neroni i ri dhe ambicioz çlirohet nga çdo ndikim i nënës së vet, del si kriminel duke vrarë vëllaun e vet nga baba, princin Britanik.
Agripina paraqitet për herë të parë në skenën e I-rë të aktit të I-rë me konfidenten e saj. Është kjo mbretëresha e vjetër e shqetësuar, e cila brengoset për shkak të birit të saj të padëgjueshëm dhe frikohet për shkak të autoritetit të saj të humbur. Ajo është e fyer nga arroganca e tij dhe nuk guxon të lejojë të jetë e poshtëruar dhe të cënohet autoriteti i saj. Ajo duhet të dijë patjetër për çdo gjë që ndodh në oborrin mbretëror, që asgjë mos të ndërmerret a të veprohet pa u pyetur dhe pa e ditur ajo dhe të jetë e informuar për çdo gjë. E zemëruar nga mosrespekti i Neronit, ajo di të kërcënojë, gjë që shihet që në fillim si tipar i karakterit të saj. Si ambicioze, ajo zbulohet nga çdo gjest dhe lëvizje që bën. Në këtë ambicie zotëron edhe arsyeja me të cilën ajo sundon mirë dhe me shkathtësi. Kërcënimi i saj përmban një fuqi dhe energji të veçantë dhe si e tillë ajo do të dijë të shfaqet në fytyrën e saj të vërtetë. Për fyerjen e bërë, ajo është në gjendje t’ i hakmerret edhe djalit të saj kur thotë:
“Mon nom peut-être aura plus de poids qu’il pense.”(12)
Ky varg premton shumë dhe nuk do të befasohemi nëse do të ndodhë ndonjë krim apo hakmarrje, sepse ajo është mësuar me to. Ajo do ta tregojë se kush është Agripina, nëse do të jetë nevoja. Vargu i sipërshënuar është pakëz ironik, sepse ajo me mjeshtri e përdor autoritetin dhe famën, dhe në mënyrë alegorike don të ndjellë më shumë frikë, pa humbje, në mënyrë që kështu të jetë e nderuar dhe sovrane. Sa frikë dhe tmerr ka futur Agripina lavdidashëse dhe ambicioze në djalin e saj Neronin, shihet nga qëndrimi i vet Neronit, i cili i shmanget çdo takimi me të, kur i drejtohet mikut të vet:
“Mais enfin mes efforts ne me servent de rien,
Mon génie étonné tremble devant le sien.” (13)
Ai nuk ka guxim të paraqitet përpara saj, sepse e njeh mirë. Agripina si femër dallohet me intriga dhe kalla të shumta, të cilat kanë më tepër karakter politik sesa sentimental. Ajo është përplot ambicie, egoizëm dhe mendjemadhësi. Në skenën e III-të të aktit III-të ajo bëhet ironike dhe egoizmi i saj rritet gjithnjë sa më shumë që vëren se i bie fama dhe autoriteti. Ambiciet arrijnë në shkallën kulminante. Ajo do t’i hakmerret djalit të vet. Do t’ i pranojë të gjitha intrigat dhe fitmet që i ka bërë. Do të pranojë se ka vrarë, helmuar dhe dëbuar e internuar. Do të bëj të gjitha këto pa kurrfarë luhatjeje.
“Je confesserai tout, exils, assassinats,
Poison même…”(14)
Se sa është e zemëruar në djalin e vet dhe e gatshme të shfaqë urrejtejn dhe ambicien e saj, shihet sheshazi nga ky varg:
“Ah! lui-même à mes yeux puisse-t-il se montrer?”(15)
Ajo ka vendosur t’ i hakmerret djalit të vet. Nuk do të hamendet dhe do të mbetet besnike vendimit të marrë. Ambicia tek kjo femër është më e fuqishme se dashuria amnore, egoizmi më i fuqishëm se ndjenjat e nënës. Agripina i ka humbur tërë ndjenjat njerëzore. Do të bëjë çdo gjë vetëm e vetëm që të arsyetojë një kërcënim si “Do ta shohë ai se kush jam unë!” Ndërkaq, planet e saj kanë dështuar, sepse Neroni më i shkathët ia ka siguruar vetes ngadhënjimin. Ai e vret Britanikun nga xhelozia. Agripina edhe pas disfatës mbetet besnike karakterit të saj. Egoizmi i saj mbetet i freskët deri në fund. Ajo do të mund të pajtohej me djalin e saj, sepse furtuna e rrezikut tashmë ka kaluar, domethënë rivali i djalit të saj të cilit ia ka pasur frikën tashmë është i vdekur, por fyerja të cilën ia ka bërë djali i saj është gjithnjë e gjallë, e pranishme dhe e pashërueshme. Ajo është e pafuqishme që të luftojë kundër djalit të vet, kështu që i mbetet vetëm sa për ta mallkuar dhe asnjë ndjenjë e nënës nuk mund të zbusë tërbimin e saj. Ajo e mallkon jo ndoshta pse e ankon Britanikun, sepse edhe ashtu ajo është e çveshur nga ndjenjat, madje edhe për djalin e saj, por për arsye se frikohet për fatin e saj, sepse Neroni i pavarur nesër do të jetë i gatshëm për krime tjera. Ajo brengoset për fatin dhe autoritetin vetjak. Pasi që nuk ka asnjë rrugëdalje, ajo do të jetë e detyruar të pajtohet me fatin , duke u ngushëlluar se Neroni do ta ndiej brerjen e ndërgjegjes për krimin e bërë, por është e vetëdijshme që ndoshta nesër edhe ajo vetë do ta kafshojë frutin të cilin e ka kultivuar vetë. Kësaj mbretëreshe lavdidashëse, mizore dhe ambicioze, Rasini i ka dhënë fuqi për ambicie të mëdha por edhe dobësi për të paraparë e llogaritur fundin e kobshëm i cili do ta shkatërrojë. E vetmja dashuri të cilën ajo e ndien është ajo ndaj djalit të vet, por në këtë dashuri ka përmasa egoizmi dhe ambicjeje.

Atalia
Emrin e Atalisë e mban tragjedia homonime, të cilën Rasini e shkroi pas 12 vjetësh pauze. Kjo tregjedi i takon gjinisë religjioze-politike, me tematikë biblike. Në këtë tragjedi sikur edhe në atë Esther, shihet qartë se Rasini i ka shkruar në frymën janseniste, sepse në atë kohë Rasini i ishte kthyer jansenizmit. Kjo pjesë teatrore, ku nuk ka intriga dashurie, u shkrua nga Rasini për edukatoret e reja të Sen Sirit (Saint-Cyr). Kjo tragjedi nuk u pat pritur mirë, sepse ishte e drejtuar kundër lëvizjes reaksionare në politikën fetare të Luigjit XIV. Perandoresha Atali, e cila e pat shtier në dorë pushtetin e pernadorëve hebraitë, i përndjeku monoteistët çifutë. I likuidoi të gjithë pasardhësit e Davidit dhe hoqi dorë nga feja e të parëve të saj, duke krijuar kultin e ri të quajtur Baal. Ndërkaq, hebrenjtë, fshehurazi ngritën pasardhësin (pinjollin) e ri Joasin, i cili i vetmi kishte mbetur gjallë prej të të gjithë trashëgimtarëve. Tragjedia përfundon me kryengritjen e priftërinjëve hebrenjë dhe me vrasjen e Atalisë.
Atalia është njëri ndër karakteret e femrave të pikturuara me suksesin më të madh. Ajo është një perandoreshë despotike, gjakpirëse, lakmitare, ambicioze, e pandjenja, lavdidashëse, gjithnjë e gatshme për krime dhe hakmarrje. Tipi i saj na zbulon thellësinë e jetës saj psikike dhe synimet e fshehta të cilat e motivojnë. Në fillim atë e shohim si të shqetësuar dhe të brengosur. Ajo sheh ëndrra të këqia; sesi një e fëmijë e vret dhe ia rrëmben fronin. Hyrja e saj në tempull me qëllim që të zbulojë Joasin e vogël (i cili fshehet nën emrin e rremë Elisian), tregon tipin e një mbretëreshe të pamëshirshme, gjakpirëse dhe egoiste. Qëndrimi i saj është madhështor. Ajo hyn ballëlartë, e si plotësim i tërë kësaj dallohet toni i saj plot urrejtje e ambicie. Atalia ka futur frikë e tmerr tek të gjithë hebrenjtë dhe besimtarët. Ajo në syt e tyre i gjason vdekjes. Shikimi i saj thua se i plandos dhe i përmbys të gjithë të pranishmit. Sipas tregimit të një oborrtari, del qartë sesi duket Atalia:
“Cette femme superbe entre, le front levé.”(16)
Urrejtja dhe ambiciet e saj janë të drejtuara drejt Elisianit të vogël, i cili do t’ia vulosë fatin. Kjo ambicie do të kalojë në duf- hidhërim, i cili nuk njeh moshë as padajllëzi, duf a hidhërim i zhveshur nga ndjenja njerëzore. Për të është krejt e natyrshme për ta prerë në fyt një fëmijë të pafajshëm. Ajo ka bërë aq krime dhe vrasje, saqë gjaku dhe krimi janë ushqim dhe oreks i saj. Në fund të pamjes së VI-të të aktit II-të kryelartësia e saj shprehet edhe në mënyrë më të dukshme kur thotë:
“Je puis, quand je voudrai, parler en souveraine.”
Dyshimi dhe mosbesimi sundojnë mbi mëndjen dhe arsyen e saj. Ajo di edhe të kërcënohet kur thotë:
“Que Joad mette un frein à son zèle sauvage,
Et ne m’ irrite point par un second outrage.”(17)
Këto vargje paralejmërojnë gatishmerinë e saj për hakmarrje ndaj atyre që veprojnë kundër dëshirës saj. Ajo nganjëherë shtiret se ndien dhimbsuri dhe ndiesi , por e tërë kjo ngërthen ironinë e saj dinake, dhe hipokrizinë . Atalia nuk i mohon krimet dhe vrasjet që i ka bërë. Ato i ka bërë për shkak të hakmarrjes, e përshkuar me ambicie të madhe. Ajo nuk pendohet për këtë, madje mburret me diç të tillë. Ndjenja humane dhe përdëllimi janë të huaj për karakterin e saj. Vrasje për vrasje, fyerje për fyerje, këtë janë fjalët të cilat ajo i përsërit pareshtur.
Ajo mburret kur hakmirret, gjë që shihet qartë nga këto vargje:
“Oui, ma juste fureur, et j’en fais vanité,
A vengé mes parents sur ma postérité.”(18)
Në pamjen e V-të të aktit të V-të na paraqitet Atalia si një despote e pashpirtë, e luajtur mendësh, e cila ka pësuar disfatë. Klithma e saj ndihet deri në kupë të qiellit. Ajo megjithatë do ta shfaqë urrejtjen deri në çastet e fundit të jetës saj dhe do t’i mallkojë perënditë për fatkeqësinë që ia kanë shkaktuar. Duke parë se mizorisë dhe ambicieve të saj i ka ardhur fundi, ajo mbetet besnike karakterit të vet dhe deri në momentin kur gjaku i saj do të pushojë së rrjedhuri nëpër damarë, ajo mbledh fuqinë e fundit për të shqiptuar fjalën “Venger” (“Hakmarrje”). Kështu edhe vdes. Kjo është një femër e cila nuk guxon të besojë në disfatë, ajo beson vetëm në fuqinë dhe ambicien e saj, dhe si e mundur ajo deri në fund dëshmon për urrejtjen dhe ambicien e saj këmbëngulëse. Me Atalinë Rasini ka treguar edhe njëherë fuqinë e tij prej poeti duke i dhënë kësaj femre tiparet karakteristike të ambicieve të mëdha. Përnga mosha, ambiciet dhe krenaria, ajo i gjason mjaft Agripinës. Çdo lëvizje e saj e shpie kah humnera. Krenaria dhe ambiciet, në të cilat beson më së shumti, do t’ i mbeten veti e pasuri e saj deri në vdekje.

Femrat e papërlyera e fisnike

Janë këto femrat që zënë vend të rëndësishëm në tetatrin e Rasinit. Ato janë të buta, fisnike, sentimentale, plot respekt, e besnikëri. Rasini ka arritur të pikturonte disa prej këtyre fytyrave femërore. Njëri prej tipeve më të spikatura të femrave fisnike dhe të papërlyera është ai i Andromakës në tragjedinë me të njëjtin emër.. Pasi që jemi njohur shkurtimisht për përmbajtjen e tragjedisë Andromaque, me rastin e analizës së personazhit të Hermionës, pak do të ju rikujtoj Andromakën karakteri i të cilës është krejt i kundërt prej asaj të Hermionës.
Andromaka është bashkëshortja e Hektorit, të cilën e ka zënë rob Pirrua i rreptë. Bashkë me Andromakën është i zënë rob edhe biri i saj Astiniaksi.
Andromaka na paraqitet në pamjen e katërt të aktit I-rë dhe, nga fjalët e para që i shqipton ajo, në dialog me Pirruan, ndeshim në një nënë të pafat e cila dridhet nga frika për fatin e birit të saj. Toni i saj i butë na lë të kuptojmë se me çfarë butësie dhe dashurie nëne flet për djalin e vet. Astiniaksi i vogël është e vetmja pasuri dhe i vetmi thesar që i ka mbetur nga Hektori. Eshtë kjo nëna e cila së bashku me djalin e vet vajton fatin e zi. Çasti i vetmisë për të do të thotë amshim. Fjalët me të cilat ajo i drejtohet Pirruas, mjaftojnë që ta kuptojmë Andromakën si nënë:
“J’ allais, seigneur, pleurer un moment avec lui
Je ne l’ai point encore embrassé d’ aujourd’hui.”(19)
Kushdo që ka sadopak ndjenjë, që në fillim do të fillojë të ndiej simpati për të. Janë këto fjalë të shqiptuara me çiltëri, me atë afshin e dashurinë e madhe të nënës, janë këto fjalë të çdo nëne të mirë. Fama, pasuria, mbretëria, për të nuk çojnë peshë, dhe nuk kanë aspak rëndësi. Kjo shihet qartë kur Pirrua i ofron mbretërinë si dhe lirinë për djalin e saj, vetëm me kusht që ajo të pranojë të bëhet gruaja e tij. Andromaka dëshmon edhe për një tipar të karakterit të saj si grua fisnike dhe besnike ndaj burrit të vet. Ajo më me qejf do të tërhiqej në ndonjë vënd të shkretë dhe me lotët e saj të vajtojë fatin e mjerë. Lotët që ajo i derdh për burrin dhe djalin janë lot të besnikërisë, lot të dashurisë së një nëne, lot të një gruaje të denjë dhe nëne të mirë. Dy dashuri që bashkohen e shkrihen i japin fuqi dhe energji më të madhe që ta durojë këtë dhëmbje të madhe. Në tiparet e djalit të saj, ajo sheh burrin e vet. Syt, goja, trimëria e Hektorit, të gjitha këto ajo i sheh në fytyrën e djalit të saj, gjë që shihet qartë nga këto vargje:
“C’ est lui-même, c’ est toi mon époux que j’ embrasse.”(20)
A nuk mjafton që prej këtij vargu të kuptojmë se sa besnike është ajo ndaj burrit të saj, se sa i freskët është ai në kujtimin e saj, dhe çfarë nderimi tregon ajo ndaj tij, dhe me çfarë dashurie e freskie shqipton emrin e tij. Ai për të nuk ka vdekur dhe është gjithnjë i pranishëm në mëndjen dhe jetën e saj.
Dashuria e nënës dhe besnikëria spikaten në mënyrë edhe më të qartë në pamjen e IV-të të aktit III-të, kur ajo i drejtohet Hermionës me këto fjalë:
“Ma flamme par Hector fut jadis allumée;
Avec lui dans la tombe elle s’ est enfermée.
Mais il me reste un fils, vous saurez quelque jour,
Madame, pour un fils jusqu’ où va notre amour.”(21)
Ajo ka dashuruar vetëm njëherë dhe ka pasur vetëm një dashuri, e cila është varrosur me vdekjen e burrit të saj. Asnjë qenie në këtë botë nuk mund t’ ia zëvendësojë Hektorin. E vetmja dashuri që i ka mbetur është dashuria e nënës, dashuri kjo që është mbi të gjitha. Ajo këtë e ka shijuar, ajo e di mirë ç’ do të thotë dashuria e nënës. Andromaka është nënë e paaftë, e cila lufton me furtunën marramendëse të jetës. Despoti i egër, i cili e do atë, por nuk është i dashur prej saj, më në fund do ta përdorë fuqinë e tij, duke e goditur në pikën më të ndieshme, duke iu kërcënuar se do t’ ia vrasë djalin. Tek Andromaka shpërthejnë dy luftëras kundërshtie; kujtimi në skenën e Luftës së Trojës dhe fjalët e Hektorit të cilat lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtimin e saj, si dhe dashuria ndaj birit të saj. Ajo dëgjon zërin e burrit të vet, zë ky aq i qartë, i freskët, i cili e thërret për besnikëri para se të vdiste në fushën e betejës. Ajo këtë nuk mund ta harrojë. Jo. Një anë tjetër që e tërheq, është fati i djalit të saj. Ajo gjendet në një situatë kritike, në një tensionim psikik, mes dy burimeve të idhëta, mes cilëve duhet të zgjedhë. I mbetet vetëm që në mënyrë të rreme të pranojë të vë kurorë, për ta shpëtuar djalin e vet, dhe në fund, si grua besnike, dinjitoze dhe nënë vetëmohuese, t’ i dhënë fund jetës. Drejt kësaj vdekjeje ajo do të shkojë e lumtur që i ka mbetur besnike burrit dhe që po flijohet për djalin.
Atë e përcjell fati dhe ajo ngadhënjen, sepse xhelozia e Hermionës i ka dhënë fund jetës së Pirruas.
Vallë a nuk kemi përpara syve tanë një shembull të shkëlqyer të vetëmohimit e flijimit, të dinjitetit, dashurisë së çiltër, besnikërisë dhe krenarisë? Karakteri i nënës dhe bashkëshortes në kuptimin më pozitiv të fjalës e definojnë Andromakën si grua fisnike, për të cilën do të ndiejmë simpati të madhe, do të ndiejmë dhimbsuri për fatin e saj të, dhëmbjen e cila e përshkon, dhe do t’ i gëzohemi çdo triumfi të saj.
Dashuria e nënës të cilën Rasini e ka treguar në fytyrën e Andromakës nuk paraqet aktualitet për shekullin XVII as për antikën, por është edhe sot e kësaj dite temë për çdo kohë dhe hapësirë. “Andromakat” e Rasinit i ndeshim në çdo hap, edhe pse ka edhe mjaft përjashtime, sidomos kur mendojmë në Andromakën si grua besnike.

Ifigjenia
Ifigjenia bën pjesë gjithashtu në kategorinë e femrave të papërlyera dhe fisnike. Në dallim prej Andromakës ajo është një princeshë e re dhe e papërvojë, e edukuar në një familje të mirë. Ajo është e bija e mbretit Agamemnon dhe e perandoreshës Klitemnestër.Ajo e do Akilin dhe ndien për të dashuri të madhe, por përkundër Hermionës, e cila është e moshës së njëjtë sikur kjo, tek Ifigjenia mbisundon nderimi ndaj prindërve, arsyeja dhe mirësjellja, që janë më të fuqishme se pasionet e saj. Ajo është në gjendje për ta humbur njeriun e dashur, madje edhe për ta flijuar jetën për të mirën e popullit të vet dhe nga respekti ndaj babasë saj. Është përplot ndjenja njerëzore dhe dinjiteti. Kjo është një vashë shpirtpastër, e papërlyer, që nuk di për urrejtje dhe ambicie, e gatshme t’ i ndihmojë çdokujt, gjë që shihet edhe nga sjellja e saj ndaj robëreshës Ërifilë, e cila shfrytëzon mirësinë e saj dhe i përgatit grackën. Në pamjen e II-të të aktit II-të, nga fjalët e para të Ifigjenisë dalin në shesh nderimi i madh dhe dashuria e madhe që ajo ndien për babanë e saj. Ajo mburret që është bijë e një babe të tillë, kur thotë:
“Quel bonheur de me voir la fille d’ un tel père.”(22)
Pastaj tek Ifigjenia zë fill një dyshim dhe luftë mendimesh kur e ndien shikimin e ftohtë të babës saj. Mungesa e Akilit e brengos shumë. Kur merr vesh se Akili e ka shtyer ceremoninë e kurorëzimit, ajo sikur pajtohet me fatin dhe i nënshtrohet dëshirës së tjetrit. Kur merr vesh se Ërifila e do Akilin, në vend që prej saj të presim breshëri sulmesh të rrepta, shohim një vashë të butë, e cila është në gjendje të falë madje edhe këtë. Në vend që t’ i hakmerret rivales së vet, ajo, përkundrazi, lufton për lirinë e saj. Ajo di ta qetësojë të dashurin e vet të tërbuar, i cili don t’ i hakmerret babës saj dhe t’ i tregojë se ajo gjithnjë e do babën e vet përkundër faktit se ai don ta flijojë, kur thotë:
“C’est mon père, Seigneur, je vous le dis encore,
Mais un père que j’ aime, un père que j’adore.”(23)
Është e prekshme pamja e IV-të e aktit IV-të, kur ajo i dorëzohet mëshirës së babasë së vet, por gjithnjë krenare për këtë. Ajo nuk i frikohet vdekjes, aq sa i frikohet hakmarrjes së Akilit. Duke u frikuar për fatin e nënës dhe babës së vet, ajo harron krejtësisht në vdekjen e saj. Për popullin e vet, për dashurinë ndaj babasë, është e gatshme të sakrifikojë të gjitha: dashurinë, rininë dhe qenien e saj të papërlyer. Ajo e ndien veten fajtore për vuajtjet dhe kokëçarjet që ia ka shkaktuar nënës së vet, e cila me të gjithë fuqitë e saj e mbron vajzën e vet me çmimin e jetës. Ne do t’ i gëzohemi përfundimit fatlum të fatit të kësaj vashe e cila i ka pushtuar zemrat tona. Për fatin e saj të gjithë jemi frikuar dhe jemi dridhur, kemi qenë të shqetësuar. Ajo këtë e ka merituar, sikur edhe Andromaka. Në dashuri Ifigjenia është skofjare dhe e turpshme, dhe pareshtur i bindet detyrave duke mos u lejuar pasioneve që ta pushtojnë. Nderi, fama për të janë diç më sublime se dashuria, madje se edhe vetë jeta. Duke e lënë figurën e Ifigjenisë së re, e cila si karakter ka lënë në ne përshtypje të mirë, po kalojmë në fytyrën e Esterit, gjithashtu njërës prej femrave fisnike karakteristike.

Esteri
Esteri është personazhi kryesor i dramës me të njëjtin emër. Në këtë pjesë teatrore shihet qartë shpirti religjioz jansenist të cilin e ka mbjellur Rasini duke shkruar dramën pas pajtimit të tij me jansenistët. Tematika është marrë nga Bibla, por ka domethënie të fortë fetare, ku Rasini ka pikturuar bashkëkohësinë franceze. Në fakt, fjala është për përndjekjen e hebrenjëve nga perandori persian, i cili e ka për grua Esterin, për prejardhejn e së cilës nuk di gjë. Esteri do ta shfrytëzojë fuqinë mbretërore, do t’ia zbulojë perandorit të kaluarën e saj dhe kështu do ta shpëtojë popullin e vet nga kërdia.
Kjo është një çifute, hijeshia e së cilës e ka pushtuar perandorin persian Asureun i cili e ka bërë mbretëreshë pa e pyetur për prejardhjen e saj. Kjo është një femër-mbretëreshë të cilës iu ka çelur fati, por nuk është kryelartë e sovrane, siç do t’ i kishte hije një mbretëreshe. Modestia, pastërtia shpirtërore, fisnikëria dhe butësia janë tiparet kryesore të karakterit të saj. Lumturia dhe mirëqenia e saj identifikohet në të vërtetë me lumturinë dhe lirinë e popullit të saj. Autoritetin e fuqinë e saj prej mbretëreshe do ta përdorë për t’ i ndihmuar popullit të vet, edhe pse do t’i duhet të bëjë një hap pasigurie, i cili do ta vë në sprovë edhe jetën e saj. Atë mund ta bëjë të lumtur vetëm lumturia e përbashkët. Do ta shohë rrezikun i cili i kanoset hebrenjëve nga ploja dhe do të flijohet, duke u gjendur para zgjedhjes mes jetës ose vdekjes, në mënyrë që ta shpëtojë popullin e saj. Është e gatshme të flijohet dhe nuk i frikohet vdekjes, kurse atdhedashurinë e saj e dëshmon kur shprehet si vijon:
“Contente de périr s’ il faut que je périsse
J’ irai pour mon pays m’ offrir en sacrifice.”(24)
Edhe pse është mbretëreshë, ajo nuk është e lumtur, sepse e bashkëndien dhëmbjen me popullin e saj, dhe çdo dhëmbje të popullit të e ndien si të vetën. Do të jetë më e lumtura dhe më e kënaqura prej të gjitha mbretëreshave, në se do t’ i shkojë përdore ta shpëtojë popullin e saj. Ajo do t’ i bjerë në gjunj mbretit Asureut, për të kërkuar mëshirë. Do të dridhet përpara fatit të pasigurtë, me buzë të terura dhe syt që kërkojnë mëshirë. Dhe në fund, si femër e guximshme dhe vetëmohuese, duke rrezikuar jetën ajo do t’ ia zbulojë mbretit të kaluarën e saj dhe do t’ ia dalë ta shpëtojë popullin e saj. Personazhi i Esterit është njëri prej tipeve më prekse dhe më të mallëngjyeshme të femrave. Ajo ngërthen tiparet e krenarisë njerëzore, vetëmohimit, humanitetit dhe ndiesisë.
Kemi edhe një kategori femrash me karakter më kompleks dhe të cilat ngërthejnë veti të llojllojshme, e të cilat do të mund të përfshiheshin në një grup të veçantë. Janë këto femrat tek të cilat pasioni i shfrenuar, ambiciet dhe xhelozia nuk luajnë rol të madh. Ato dashurojnë por edhe janë të dashura. Ato janë femra të respektshme dhe me ndjenjën e detyrës. Njëra prej tyre është Arisia, të cilën e ndeshim në tragjedinë “Fedra”. Kjo është princesha e re e Athinës, e zënë rob në oborrin e perandorit Tezeut. Ajo dashuron Hiopolitin e ri i cili e dashuron po ashtu. Arisia është një vashë e cila e ka shijuar pikëllimin dhe lotët duke i humbur në luftë gjashtë vëllezërit. Edhe pse është e robëreshë, ajo është krenare për prejardhjen dhe të kaluarën e saj. Asaj i pëlqen tek Hipoliti jo vetëm sharmi dhe bukuria joshëse por edhe fisnikria e tij, virtutet e larta dhe krenaria. Arisia nuk do të përulet sikur Fedra dhe femrat e tjera, sepse qëllimi i saj është ta bëjë për vete mashkullin, ku edhe ia del. Ajo nuk ka ambice apo lakmi për pushtet, por dashuron me ndjenjën më të sinqertë, dhe dashuria e Hipolitit ndaj është pasuria më e çmuar në jetën e saj. Se dashuria për të është diç më sublime se pasuria dhe mbretëria, dëshmojnë këto vargje me të cilat ajo i drejtohet Hipolitit:
“Mais cet empire enfin si grand, si glorieux,
N’est pas de vos présents le plus cher à mes yeux.”(25)
Ajo dashuron sinqerisht dhe si e tillë është e gatshme të flijohet për të dashurin e saj dhe ta shpëtojë nderin e tij. Arisia çmon më shumë famën dhe të kaluarën e saj, kurse bukuria për të është e dorës së dytë. Ajo është krenare ashtu siç dinë të jenë të gjitha femrat e tilla, kur i bëjnë për vete mashkujt. Edhe pse ajo dashuron me afsh të madh, ajo nuk e zbulon tërë atë pasion të cilin e ndien. Portreti saj na del më i zbehtë prej atyre të femrave tjera, mirëpo ajo di ndonjëherë të jetë energjike dhe e matur, sidomos në çastet kur situata është kritike.

Junia
Portreti i Junisë të cilën e ndeshim në tragjedinë “Britannicus”, me shumë tipare i afrohet atij të Arisisë. I vetmi dallim qëndron në faktin se Junia nuk është e zënë rob, por është princeshë në oborrin e Neronit të pamëshirshëm. E dashuron Britanikun nga e cili është edhe e dashur. Nuk mund ta fshehë dashurinë e saj që e ndien për atë. Kjo është një dashnore dinjitoze, të cilën nuk e verbon aq lehtë luksi e salltaneti, fama dhe pasuria të cilat ia ofron Neroni i dashuruar marrëzisht. Ajo është e ndërgjegjshme dhe e matur dhe nuk i lejon vetes që të jetë shkaktare e fatkeqësisë së tjetrit. Ajo nuk do të dëshironte , me çfaredo çmimi, të bëjë të palumtur një femër vëndin e të cilës ia ofron Neroni, që do të thotë se ajo vërtetë e do Britanikun dhe se ajo ka një karakter të ndërgjegjes së shëndoshë dhe ndjenjës njerëzore. Ajo rregullisht ia bën me dije Britanikut se e dashuron, gjë që pasqyrohet edhe nga vargu vijues:
“Votre image sans cesse est présente à mon âme.(26)
Britaniku është gjithnjë i pranishëm në qenien e saj edhe, kur nuk janë bashkë. Junia është e vetëdijshme për intrigat dhe mashtrimet e Neronit, e sheqetësuar dhe e brengosur për fatin e njeriut të cilin e dashuron. Duke marrë vesh për vdekjen e të dashurit të vet, ajo do t’ u flijohet perëndive dhe kështu do ta dëshmojë se ka dashuruar me sinqeritet dhe se deri në vdekje ka mbetur dashnore e denjë dhe besnike.
Në këtë kategori do të mund të renditeshin edhe dy femra të cilat dallohen pakëz prej të cekurave më lart, nga fakti se janë me më përvojë, se dashurojnë, por të cilat kanë mjaft fuqi për t’ i shuar epshet e tyre duke ndier fuqinë e detyrës, autoritetit dhe rrethanat. Njëra prej këtyre fytyrave femërore është edhe Berenisa, emrin e të cilës mban edhe vetë drama. Kjo është një femër plot pasione, e cila dashuron pafund, por tek e cila më në fund ngadhënjen arsyeja, gjë që nuk është rasti me femrat tjera të pasionuara. Nga pasioni i madh që ajo ndien për perandorin Tit, do të pritnim ndonjë përfundim tragjik, mirëpo ndodh diç krejt e kundërt. Arsyeja, ndjenja e detyrës dhe e namit mbizotërojnë ndaj pasionit. Kjo është mbretëresha palestineze e cila ka hyrë në oborrin e mbretit Tit në të cilin është dashuruar pa masë. Ajo ndien shqetësim dhe frikë kur vëren se Titi nuk e shikon sikur përpara. Shikimet e tij të ftohta sikur e përshkojnë zemrën e saj të akullt. Mund ta marrim me mënd pikëllimin dhe shqetësimin e saj kur e merr vesh se do të jetë e detyruar të ndahet prej njeriut të cilin e dashuron. Do ta ankojmë këtë dashuri e cila do të fiket para se të ndizej. Toni i fjalëve të saj plot dëshpërim nuk do të na befasojë kur thotë:
“Nous séparer? Moi? Titus de Bérénice?”(27)
Është vështirë ndarja nga njeriu të cilin e ka dashur aq shumë dhe të cilin e dashuron gjithnjë. Ajo i drejtohet Titit me ironi, ashtu siç do t’ i drejtohej çdo femër të dashurit të vet, e cili po e braktis me këtë apo atë pretekst. Ajo do të qante sikur të kishte fuqi dhe guxim. Berenisa do të shkojë dhe do ta braktisë të dashurin e saj, me mjaft teke. Përkundër lutjeve të Titit që të mbetet aty, është e vetëdijshme se është e padëshirueshme në atë rreth dhe se ligjet nuk lejojnë që ajo të jetë bashkëshorte e Titit. Ajo vetëm e fajëson vetveten që ka dashuruar, e për të gjitha të tjerat është e vetëdijshme kur thotë:
“Hélas! et que je fais que de vous trop aimer?”(28)
Berenisa ka dashuruar dhe ka dashur që t’ i kthehet dashuria, por këtë nuk ia lejojnë rrethanat, dhe e vetëdijshme për këtë, e lëshon Romën duke shqiptuar për mëkurrë një “Adieu” plot dhimbsuri. Ky episod dashurie nuk përfundon tragjikisht, por është tragjik, sepse ndiejmë dhimbsuri për një dashuri e cila është fikur e mbase për një rini të varrosur. Kjo lamtumirë e qetë, melankolike e dy të dashuruarve, lë tek ne përshypje të dhimbsurisë dhe simpatisë, e ndoshta do t’ ia vëm fajin për këtë konventave shoqërore dhe zakoneve, të cilat janë të pandjenja dhe të pamëshirshme.

Monima
Monima është heroina kryesore e dramës Mithridate. Ajo është e përcaktuar për mbretin Mitridat, por e dashuron djalin e tij Ksifaresin, të cilit ia fsheh dashurinë, për ta ruajtur krenarinë e vet, dhe autoritetin e burrit të saj të ardhshëm. Kjo është një vashë e re skofjare, që dallohet me energji të madhe, ndjenjën e detyrës dhe krenarisë vetjake. Nga nderimi ndaj Mitridatit, ajo është mjaft e fuqishme për t’i ngulfatur ndjenjat e saj për Ksifaresin e ri, dhe dashurinë e e saj ia zbulon vetëm atëherë kur merr vesh se edhe ai e do atë dhe se Mitridati ka vekur. Mirëpo, Mitridati kthehet dhe ajo ka aq fuqi që sërish t’ i ngulfasë ndjenjat e saj dhe ta ruaj nderin dhe dinjitetin. Si e dashuruar ajo ankon fatin e saj, pse është dashuruar patjetër në njeriun të cilin nuk guxon ta dashurojë. E caktuar për Mitridatin dhe përkundër pasioneve të saj, ajo duhet të jetë e tij. E vetëdijshme për pozitën dhe detyrën e ndaj bashkëshortit, ajo përpiqet gjithnjë t’ i shmanget Ksifaresit. E re dhe e papërvojë, ajo do t’ i pranojë Mitridatit se e do djalin e tij. Këtë Mitridati e merr vesh edhe vet, me dredhi. Kjo do ta urrejë për këtë vet Mitridatin dhe, e fyer, me kapric nuk do të pranojë të kurorëzohet. Për atë shtrati bashkëshortor do të ishte më i pikëlluari dhe më i urryeri se varri madje. Ajo do të shkojë e gëzuar drejt vdekjes, duke e ditur se e ka humbur njeriun e dashur. Helmi është për të dhurata më e bukur, sepse kjo është hera e parë që ajo mund të sundojë me vetveten. Kur mbreti mbetet në fushën e betejës, e Ksifareksi shpëton gjallë, do të pritnim gëzimin e saj të madh. Ajo vërtetë gëzohet, por dhimbsuria e madhe për Mitridatin e plotëson fundin e kësaj tragjedie dhe karakterin e saj si femër e drejtë, trimëreshë, e ndershme dhe e kujdesshme. Është kjo një qenie fisnike, plot krenari dhe shumë tërheqëse, plot hir e bukuri, dhe si e tillë mbetet si njëra prej tipeve të femrave pozitive. Duke e lënë këtë vashë të ëmbël, të turpshme, të guximshme, e cila mund t’ i ndydhë ndjenjat e veta për shkak të nderimit ndaj burrit të vet për të cilin është caktuar, jemi të kënaqur që fundi i saj megjithatë nuk është tragjik, dhe po kalojmë në një tip të nënës që Rasini, po ashtu, e ka pikturuar me mjeshtri të madhe.

Klitemnestra
Klitemnestra është po ashtu njëri ndër tipet e nënës së mirë dhe vetëmohuese, pozita e të cilës është shumë më e mirë se ajo e Andromakës. Derisa Andromaka është një robëreshë e pafuqishme, Klitemnestra është mbretëreshë e fuqishme, femër plot krenari dhe e gatshme për t’ u flijuar për vajzën e saj. Është kjo një nënë e cila brengoset për fatin e vajzës së vet , për ardhmërinë e saj, krenarinë dhe famën. Ajo nuk i lejon askujt që t’ ia poshtërojnë vajzën , sepse nami i vajzës është edhe i vet nënës. Në pamjen e I-rë të aktit III-të ajo kundërshton , sepse është e fyer që ceremonia e martesës do të bëhet pa praninë e saj, duke mos e ditur arsyen e vërtetë, përkatësisht se vajza e saj në të vërtetë do të dërgohet për t’ u flijuar. Është e arsyeshme, sepse secila nënë në vëndin e saj do të ishte e fyer dhe rrallë ndonjë do të mund të pajtohej me një gjë të tillë, për çka ajo bindet, gjë që mbase nuk do të pritnim prej saj. Qëllimi kryesor dhe brenga më e madhe e kësaj nënes është që vajza e saj të jetë e lumtur. Qëndrimi i saj pasqyron një grua-nënë, me tipare pozitive, gjë që shihet nga vargjet me të cilat ajo i drejtohet bijës së vet:
“Mais n’ importe: il veut, et mon coeur s’ y résout,
Ma fille, ton bonheur me console de tout.”(29)
Ajo harron se është mbretëreshë, harron autoritetin dhe krenarinë kur bie në gjunj përpara Akilit duke e lutur t’ ia shpëtojë të bijën e saj të cilës i kanoset rreziku. Ajo nuk do të turpërohet pse ashtu me përulje i lutet Akilit, sepse si një nënë e cila sakrifikohet për fëmijën e vet, nuk ndien asnjë mëkat as turp. Dashuria dhe vetëmohimi i nënës arrin kulminacionin në pamjen e III-të të aktit V-të. Vetëm duke e kapërcyer trupin e saj të vdekur do të mund ta mbytnin Ifigjeninë. Ajo e mban vajzën e vet në përqafim të hekurt aq fort , saqë asnjë forcë nuk mund t’ ia hapë duart e saj, duar këto që me dashurinë e madhe të nënës shtrëngojnë pasurinë e saj të vetme dhe të vetmen lumturi. Vetëm vdekja e cila nuk njeh as trimëri, as dashuri nëne , do të mund t’ ia shkepte prej duarve dhe përqafimit të nënës:
“La mort seule, la mort pourra rompre les noeuds
Don’t mes bras nous vont joindre et lier toutes deux.”(30)
Për fat të saj, vajza i shpëton, sepse në vend të saj flijohet robëresha Ërifilë. Mu atëherë mund të shohim fytyrën e nënës së lumtur, gëzimi i të cilës arrin kulminacionin. Tek Klitemnestra, dashuria e nënës është paraqitur si mjaft e fuqishme, por kjo sadopak është gjë normale, sepse asnjë nënë nuk do të mund të shikonte indiferente vdekjen e fëmijës së vet. Ne atë do ta çmojmë megjithatë jo vetëm si nënë të mirë, por edhe si grua të mirë, të edukuar dhe dinjitoze për kuptimin e shekullit XVII.

Konfidentet dhe roli i tyre aktiv

Që në fillim e kam theksuar se Rasini në pjesët e tij teatrore ka pikturuar tipe të ndryshme të oborrit mbretëror prej mbretërve dhe mbretëreshave deri tek shërbëtorët dhe njerëzit e besueshëm apo konfidentet. Është interesant se roli i konfidenteve në dramat e Rasinit është bukur i madh. Ato janë femra të moshave të ndryshme, që i përcjellin heroinat kryesore, dhe kështu, ose për shkak të besimit të madh që e gëzojnë, ose përmes shkathtësive të tyre, hyjnë në jetën intime të heroinave, njihen me fshehtësitë e tyre dhe herëherë janë këshillëdhënëse të mira, dinake, të shkathta, kështu që me intrigat e tyre shpesh bëhen nxitëse të ndonjë ngjarjeje të kobshme, tragjike e herëherë dhe ngjarjeje fatlume. Përmes tyre shpesh zbulojmë fshehtësitë e heroinave kryesore të cilat ndonjëherë bëhen viktima e dredhive, intrigave dhe ideve të tyre. Disa konfidente na përkulen e nderojnë me krenari , sepse fama dhe ngadhënjimi i heroinave kryesore është edhe meritë e tyre. Secila heroinë kryesore e ka edhe konfidenten e vet apo femrën e besueshme me të cilën bëjnë plane në dobi të vet, e disa prej tyre, si më pak të fuqishme për të zotëruar me vetveten, ia lënë fatin e tyre në duart e konfidenteve të veta. Kështu është rasti me konfidenten e Fedrës, Ënonën, e cila është njëra prej atyre më karakteristike, e të cilës i ka shkuar për dore të fitojë besim dhe të depërtojë në jetën intime të patrones saj. Ajo është bërë diç më shumë se një konfidente.

Ënona
Është kjo një femër e shkathët, dinake, kureshtare, të cilës nuk i shpëton gjë pa marrë vesh se ç’ ndodh në oborr. Ajo gjithmonë gjendet në momentin e pikërishëm dhe kur i duhet. Kështu ka arritur të fitojë besimin e madh të Fedrës, e cila është e paaftë që përpara saj të fshehë pasionin që ka për njeriun e dashur, dhe deshe s’ deshe , ajo duhet të rrëfehet dhe t’ i pranojë të gjitha. Kureshtja është sëmundja kryesore e Ënonës. Ajo do të përdorë të gjitha mjetet, vetëm për t’ i marrë vesh të gjitha fshehtësitë, andaj nuk do të habitemi nëse Fedra do të duhet t’ ia zbulojë të gjitha. Ënona e shkathët, zbulon se Fedra është e dashuruar në Hipolitin dhe qëllimi i parë është arritur. Ënona e vjetër dhe e shkathët bëhet gati për të dhënë këshilla. Në mendjen e saj farkohen plane, të cilat janë mjaft joshëse, të përshtatshme, por jo edhe me një të gjykuar të mjaftueshëm. Rreziku afrohet dhe të gjitha planet kanë dështuar, sepse Tezeu nuk ka vdekur, kurse për patronen e saj do të vijnë momente kritike rreziku dhe përgjegjësie. Edhe në këtë situatë të pashmangëshme Ënona do të gjejë një zgjidhje. Ajo do ta trillojë një intrigë e cila rrallë dokujt do t’ i kujtohej. Do ta këshillojë patronen e vet që ajo ta akuzojë Hipolitin për mosbesnikëri apo tradhëti. Këtë përgjegjësi kaq të madhe do ta marrë mbi vete Ënona e cila, edhe pse ndien brerje të ndërgjegjes, më shumë e josh të bëhet më e dashur tek Fedra, dhe duke shpëtuar nderin e kësaj, do ta shpëtojë edhe nderin e vet. Ënona do të flasë aq bindshëm dhe me shkathtësi kur i drejtohet Tezeut për tradhëtinë e djalit tij, ashtu që Tezeut nuk do t’ i duhej shumë për të dyshuar në të apo për të mos i besuar plotësisht.Ënona e kënaqur menjëherë largohet nga skena, sepse druan mos po i zbulohet gënjeshtra. Ajo di të ngushëllojë dhe të zbusë dhëmbjen e Fedrës me fjalë ngushëlluese të zgjedhura me mjeshtri:
“Vous aimez. On ne peut pas vaincre sa destinée.”(31)
Përkundër sakrifikimit të madh pas të cilit pritet ngadhënjimi, fati nuk e përkrah Ënonën, kështu që ajo akuzohet për të gjitha. Në vend të shpërblimit dhe lëvdatave, ajo merr hisen e hidhur të pamiradisë dhe të fyerjeve. E zhgënjyer, ajo mbytet në det dhe kështu e përfundon jetën e saj, duke akuzuar vetveten pse është sakrifikuar aq shumë.

Kleona
Kleona është konfidentja e Hermionës. Edhe ajo është intime me patronen e vet, të cilës jo vetëm që i jep këshilla, por edhe e nxit për të ndërmarrë hapa të ndryshëm. Ajo edhe më shumë e nxit urrejtjen dhe xhelozinë e Hermionës, duke ia hjedhur se ajo e do njeriun i cili nuk e do. Fjalët e saj janë plot provokim:
“Quoi! vous en attendez quelque injure nouvelle?
Aimer une captive et l’ aimer à vos yeux,
Tout cela n’ a donc pu vous le rendre odieux!”(32)
Nuk do të befasohemi pra nëse Hermiona e tërbuar dhe xheloze do të ndërmarrë edhe ndonjë prej krimeve më të mëdha. Kleona gjithmonë paraqitet në momentin e duhur. Ajo është përshkuar nëpër turmë për t’ iu afruar sa më shumë vendit të ceremonisë ku Pirrua do të vë kurorë me rivalen e patrones së saj, në mënyrë që kështu do të mund t’ ia përshkruaj dhe pasqyrojë këtë pamje patrones së vet. Në saje të gojtarisë së bukur dhe shkathtësisë së përshkrimit të skenës, tek Hermiona shpërthen një tërbim i madh dhe ajo do të shkaktojë fundin tragjik jashë kontrolit të vetëdijes.

Sefiza
Sefiza është konfidentja e Andromakës. Rrallë duket në skenë, sikur të mos të ishte aq e nevojshme. Megjithatë, Andromaka do t’ ia besojë fshehtësitë e veta dhe shpesh do t’ i dëgjojë këshillat e saj. Kjo sikur nuk mundohet të bindë shumë, por sikur në mënyrë ironike e nxit Andromakën që të mendojë dhe ta vlerësojë situatën, në mënyrë që kjo mos të bëhet edhe më tragjike.

Dorisa
E ndeshim në tragjedinë Iphigénie. Sikur edhe shumë konfidente tjera, ajo na i zbulon fshehtësitë e patrones saj Ërifilës. Ajo mendon përafërsisht kështu: “Sa çudi, patronja ime më duket e palumtur, tani më shumë se më heret; tani kur do të duhej të ishte krejtësisht e lumtur, sepse Ifigjenia e do dhe e çmon sikur një motër. Ah, po! Këtu ka diç! Mbase është fjala për dashuri. Ndoshta dashuron…” Ja konfidentja Doris e cila niset drejt hulumtimit dhe zbulon se patroneja e saj e do Akilin. Ajo e këshillon zonjën e vet me shkathtësi, por nuk është aq e guximshme që vetë të farkojë ndonjë plan, kështu që vetëm mund t’ i shprehë keqardhje, këshillë dhe ngushëllim, sepse kjo është gjëja më e sigurtë dhe më e parrezikshme.

Ismena
Është konfidentja e princeshës së re të dashuruar Arisisë, e ngjashme me Ënonën e Fedrës, pos që tipi saj është më i zbehtë, ashtu siç është më i zbehtë edhe portreti i i patrones së saj në krahasim me Fedrën. Edhe ajo di të japë këshilla, të farkojë plane. Ismena, para Arisisë ka zbuluar se Hipoliti e do patronen e saj, sepse ka përcjellë çdo shikim dhe qëndrim të saj.
Këto janë tipet më karakteristike dhe më të rëndësishme të konfidenteve, të cilat i portretoi Rasini, dhe të cilët së bashku me të gjithë fytyrat e femrave të karaktereve dhe natyrave të ndryshme të cekura më lart, sajojnë një tablo a pamje më të plotë të portreteve të femrave në oborret e shekullit XVII, të cilat janë pasqyruar në teatrin e Rasinit.

Përfundim

Rasini njeri dhe shkrimtar. Shkrimtari i oborrit i cili është shërbyer me patronatin e Luigjit XIV, ka arritur që në skenën teatrore të paraqesë njërën prej shtresave më të fshehta shoqërore të asaj kohe, e ky është rendi i aristokracisë dhe i fisnikëve.Nuk duhet të na mashtrojë maska antike e teatrit të tij, sepse nën këtë maskë fshehet fytyra dhe shpirti i vërtetë i oborrit francez. Nën maskën e shumë heronjëve antikë fshehen shumë personalitetete të njohura, siç janë fisnikët, grofat, aristokracia dhe vetë mbreti. Rivali i Rasinit, Korneji, shkruan tragjedi, por ato kanë më shumë karakter historik-heroik. Përkundër këtij, Rasini mundohet jo vetëm të rradhisë përpara nesh ngjarjet, por edhe të ndalet në momente të rëndësishme psikologjike të heronjëve. Është interesante se tek Rasini femrat mbajnë rolet kryesore, në dallim prej Kornejit. Dëshmi për këtë janë se kryeveprat e Rasinit mbajnë emra femrash. Rikujtoni dramat apo tragjeditë: “Phèdre”, “Andromaque”, “Bérénice”, “Iphigénie”, “Esther”, “Athalie”. Tipet e mashkujve sikur humbasin dhe zbehen në mesin e tipeve të fuqishme dhe të reljefuara të femrave. Mendoj se fakti se Rasini për heronj kryesor të pjesëve tetatrore të tij i merr femrat është i arsyeshëm. Qe përse:Kemi thënë se tragjeditë e Rasinit kanë më tepër karakterin psikologjik dhe të dashurisë. Është po ashtu e vërtetë se Rasini është marrë më tepër me jetën private të këtyre oborrtarëve. Ata i ka paraqitur si anëtarë të familjes në kuptimin e ngushtë të jetës familjare, kurse si luftarakë dhe trima i paraqet shumë rrallë. Pse janë femrat bartëse të roleve kryesore? Sepse në jetën private femrat në fakt luajnë rolin kryesor. Derisa mashkujt luftojnë, kujdesen për famë, heroizëm e trimëri, femrat nuk shkojnë në luftë por e shfrytëzojnë atë kohë në intriga të ndryshme. Në mungesën e burrave të tyre, vëllezërve, babave, ato ndihen si patrone, dashurohen, por edhe përgatisin edhe grusht shtete të ndryshme. Mbase edhe rrethanat apo vetë ambienti i bën të tilla. Karakteret e tyre Rasini i krijon përgjatë zhvillimit të ngjarjeve. Ato karaktere na zbulohen gjatë veprimit vetë, na bëhen më të dukshëm dhe më të qartë.
Nëse e krahasojmë përvojën e Rasinit me pjesët e tij teatrore, edhe aty do të gjejmë diç. Rasini si njeri ka qenë adhurues i madh i femrave, dhe mbase Mademoiselle du Parc dhe ajo La Champmeslé nuk do të ndikonin aq si dashnore të tij, sepse për mendimin tim, përmes dy dashurive është e pamuindur të njihet aq në hollësi shpirti i femrave.Por, mundësia që ia kanë ofruar ato që Rasini të njohë psikologjinë e femrave tjera, të cilat kanë jetuar nëpër salone e oborre, dhe si dëshmitar okular, në saje të talentit të madh prej shkrimtari, ai krijoi vërtetë portrete të qëlluara të femrave të asaj kohe.
Ato janë të paafta që përpara tij të ruajnë ndonjë fshehtësi. Duke i bashkuar këto fakte, domethënë dy dashuri të mëdha të Rasinit, pastaj atë që Rasini pau dhe dëgjoi, mund të themi se ai është realist në pasqyrimin e jetës oborrtare. Ai jo vetëm që ia ka dalur që të analizonte hollësisht portretet e femrave, por ia ka dalur që përpara nesh të paraqesë një varg femrash të moshave të ndryshme, pozitave, prejardhjeve dhe ambicieve të ndryshme. Të gjitha këto tipe të femrave të rrethanave, interesave dhe aspiratave të llojllojshme, sajojnë një tablo të plotë të botës femërore të asaj kohe.
Rasini e ka ditur se çfarë intrigash dhe ngjarjesh zhvilloheshin në pallatin mbretëror. Ai na ka shpënë në një botë për të cilën rrallë kush para tij është zotuar, mbase askush nuk është zotuar ta bënte. Na ka përshkruar një botë mizore, egoiste, plot kob e krime. Me tragjeditë e tij , Rasini i drejtohet të kaluarës, kohës së tij, por edhe të ardhmes, sepse ka qenë thellësisht i bindur se dashuria e nënës, xhelozia, besnikëria, ambiciet dhe veti të tjera janë koncepte dhe dukuri të përhershme, të cilat në thelb mbeten të njëjta për çdo kohë dhe se me ndërrimin e dokeve a shprehive dhe të rendit shoqëror ndjenja njerëzore mbetet relativisht e pandryshuar.

LES PERSONNAGES FÉMININS DANS LE THÉÂTRE DE JEAN RACINE

Résumé
Quand on parle du théâtre français du XVII siècle et surtout de la tragédie classique française , on pense surtout, à deux fameux poètes qui étaient les plus importants : Pierre Corneille et Jean Racine.
Les pièces de Corneille représentent un genre de tragédie historique et héroïque alors que les pièces de Racine se distinguent de celles de Corneille et représentent un aspect psychologique et social dans la tragédie française. Pour bien comprendre Racine et ses oeuvres nous avons besoin de connaître d’ abord sa vie, les circonstances, le temps et l’ ambiance où il vivait. Pour le connaître comme écrivain il faut le connaître comme homme. Du moins faut-il retenir quelques moments importants de sa vie : son enfance, son éducation janséniste, et prendre en considération l’ influence de Port-Royal et de ses maîtres jansénistes , parmi lesquels Lancelot, Antoine Le Maître.
Racine qui devait devenir un homme d’ église ne se sentait aucune disposition pour cette carrière et il commença à découvrir la vérité de la vie. Pendant le séjour à Paris il a fait la connaissance avec La Fontaine, Le Vasseur et d’ autres. En 1661 il est obligé de retourner à Uzès et là habillé en noir des pieds à la tête, il étudiait la théologie : Mais c’est précisément là qù il a senti l’ appel de la vie et de l’ amour.
Il retourne à Paris, rompt définitivement avec les jansénistes et commence sa carrière au théâtre : La Du Parc et la Champmeslé sont les deux femmes importantes qui ont joué un grand rôle dans sa vie privée et dans sa création poétique : Grâce à ces deux fameuses actrices , Racine a lui-même senti la puissance de la passion, l’ amour, la jalousie, dont il parlera plus tard dans ses oeuvres . Grâce à elles il a pu connaître d’ autres femmes de caractères divers et pénétrer dans leur vie intime .
Chaque personnage racinien a ses traits caractéristiques qui nous révèlent les mouvements psychologiques , les intentions et leurs intérêts .
Racine est connu comme peintre de personnages de divers âges, positions, états. Rappelez-vous tous ces rois , qui dans la vie privée ne sont pas courageux , héroiques, braves . Ils sont impuissants devant la passion , devant l’ amour et la jalousie :
En voici quelques-uns :
L’ amoureux Pyrrhus qui tombe aux pieds d’ Andromaque, qui s’humilie et implore sa pitié .
Néron poussé par l’ ambition de régner, et aussi par la jalousie commet les crimes .
Titus aime mais raisonne. La raison est plus forte que l’ amour.
Le jeune Britannicus et Hypolite ont pour idéal seulement l’ amour ; la gloire et la richesse pour eux ne représentent rien.
Passons maintenant aux femmes qui ont été peintes le plus souvent.
Grâce à ce qu’il a vécu lui-même, à ce qu’ il a entendu et vu, il a réussi à créer les caractères féminins les plus beaux et les plus marquants du classicisme français.
On peut se demander pourquoi chez Racine les femmes sont les personnages principaux. Sans doute parce que Racine a traité la vie familiale, c’est-à-dire il nous a montré ces personnages dans leur vie privée et intime. Dans cette vie c’ étaient les femmes qui jouaient le rôle principal et qui étaient les initiatrices des intrigues et des différents événements .
En tant que bon connaisseur du coeur féminin, Racine nous a donné un tableau précieux des différentes sortes de femmes, en nous découvrant leur univers intérieur plein de mystères.
Comme peintre de la passion il nous a décrit des femmes passionnées chez lesquelles dominent l’ amour et la jalousie. Parmi les femmes amoureuses et jalouses du théâtre racinien, les plus caractéristiques sont : Phèdre, Hermione, Roxane et Eriphile. Bien qu’elles appartiennent à un même groupe, chacune d,elles a quelques traits spécifiques. Chacune d’ elles est amoureuse mais la manière dont elles aiment dépend des circonstances, des obstacles, de la position, et même de l’âge. Alors qu’ Hermione et Eriphile qui sont plus jeunes que Phèdre se sont montrées ivres d’amour, et pensent seulement à la vengeance, Phèdre nous démontre que l’amour physique est un mal, une torture inévitable. Chez Hermione et Eriphile nous avons quelque chose de capricieux, d’ innocent. Etant jeunes, et sans expérience, elles ne raisonnent pas beaucoup, mais se laissent conduire par leur caprice.
Agrippine et Athalie n’ aiment pas. La seule passion qui leur soit restée c’ est l’ ambition. Pour elles, l’amour, la sensibilité, l’ humanité, ont perdu tout sens et toute puissance.
Andromaque est un exemple éclatant d’ une mère, et d’ une épouse fidèle. C’ est le symbôle de l’ innocence, de la pureté d’ âme, de la fidélité et de l’ amour maternel.
Esther est une reine noble prête à sacrifier sa vie pour le bien de son peuple.
Iphigénie est une jeune fille sympathique, pleine de respect et de courage ; la vertu chez elle triomphe de la passion.
N’ oubliez pas Bérénice qui dit « Adieu » à son amant sachant que c’est la voie de l’honneur ; Monime qui étouffe son amour pour garder son honneur.
Rappelez-vous ces confidentes qui bien des fois provoquent les événements fatals.
En analisant le coeur des différentes femmes, Racine nous a présenté un tableau complet des femmes de la Cour.
L’amour, la passion, la jalousie, l’ambition et tous les autres sentiments que Racine a mis en relief comme étant les traits principaux de ses héroines donnent lieu à des luttes intérieures qui sont de l’éternel humain. Nous rencontrons chaque jour ces femmes ; elles ne sont pas reines comme chez Racine, mais leurs passions sont les mêmes.


Në Sarajevë, 1962 (Përktheu autori)

Shënimet :

  1. La vie de Jean Racine par François Mauriac, f. 44.
  2. Ibidem, f. 46.
  3. La carrière de Jean Racine par Raymond Picard, f. 268.
  4. Antoine Adam, Racine…, f. 274.
  5. Ibidem, f. 276.
  6. La carrière de Jean Racine par Raymond Picard, f. 273.
  7. Racine, Phèdre, f. 21, v. 155, 156.
  8. Racine, Phèdre, f. 38.
  9. Ibid., f. 40.
  10. Racine, Phèdre, f. 60.
  11. Racine, Iphigénie, f. 32.
  12. Racine, Britannicus, f. 29.
  13. Ibid., f. 38.
  14. Ibid., f. 53.
  15. Ibid., f. 42.
  16. Racine, Athalie, f. 22.
  17. Ibidem, f. 28.
  18. Ibidem, f. 16.
  19. Racine, Andromaque, f. 27.
  20. Ibidem, f. 42.
  21. Ibidem, f. 50.
  22. Racine, Iphigénie, f. 30.
  23. Ibidem, f. 47.
  24. Racine, Esther, f.57.
  25. Racine, Phèdre, f. 37.
    26.Racine, Britannicus, f. 57.
    27 Racine, Bérénice, f. 36.
  26. Ibid, f. 49.
  27. Racine, Iphigénie, f. 41.
  28. Ibidem, f. 70.
  29. Racine, Phèdre, f. 63.
  30. Racine, Andromaque, f. 33.

Bibliografia

Racine, Phèdre, Librairie Larousse, Paris VIe édition.
Racine, Andromaque, Librairie Larousse, Paris VIe édition.
Racine, Britannicus, Librairie Hachette, Paris.
Racine, Iphigénie, Librairie Hachette, Paris.
Racine, Bérénice, Librairie Hachette, Paris.
Racine, Athalie, Librairie Hatier, Paris.
Racine, Mithridate, Librairie Hatier, Paris.
Racine, Esther, Librairie Ch : Poussielgue, Paris 1901.
Adam, Antoine, Histoire de la Littérature française au XVIIe siècle, t. IV, Edition Domat, Paris.
Mauriac, François, La vie de Jean Racine, Librairie Plon, Paris.
Picard, Raymon, La carrière de Jean Racine, Librairie Gallimard, Paris.
Istorija francuske knji_evnosti, t. I, u redakciji profesora I. I. Anisimova, S. S. Mokuljskoga, A.Q. Smirnova, Naucna knjiga, Beograd.