Ndërrimi i hijeve
Përkthyesi: Agim Vinca
Nuk e fajësoj mjeshtrin!
Ah, të ishte ai fajtor!
E re isha dhe i besova betonarmesë.
Atëbotë të besosh ishte nder dhe mburrje.
(Ndryshe nga ç’është sot).
Vetë e murosa hijen time në mur.
Dhe ec e fluturo lart pa hije,
ec e thirr me zë të lartë ,
ec e thuaja këngës në kupë të qiellit,
ec e qesh me shkulm të zemrës.
Kështu më kaloi jeta,
e murosur në pendën e kohës së keqe
buzë ujit të amullt, të shurdhër.
Ja betonarmeja jote!
Dhe erdhi dita kur muri ra,
kur hija ime hapi krahët e ngurosura
dhe deshi të fluturonte.
Por ra në gur e u bë fir,
sepse thellë në mua ishte murosur
hija e ftohtë e murit të betontë.