Kërkues i vetvetes

Autorja: Blaga Dimitrova

Përkthyesi: Agim Vinca

I dëshpëruar kërkoj njeri.
Feneri i Diogjenit është i zbehtë
për ta ndriçuar errësirën e tunelit.
Njeriu humbet në turmë –
flluskë në kënetë.
Më lehtë gjendet
Zoti në qiell
se njeriu
në rrëmetin
e këtij planeti të mallkuar
në fund të shekullit XX.
Njerikërkues –
zanat më i pashpresë
se ai i arkërkuesit,
se ai i thesarkërkuesit,
se ai i zotkërkuesit.
S’të mbetet tjetër
pos të bëhesh kërkues i vetvetes.
Dhashtë zoti të zbulosh në vete
gjurmë njeriu!