EDITORIAL – nr. 3
Ra ky mort e u pamë! .
Është shumë e zakonshme që letërsia të klasifikohet në baza nacionale. Kështu pra mund të flasim për letërsi italiane, angleze, gjermane etj. Mirëpo, nuk e dija se për të qenë pjesë e lëtërsisë shqiptare duhej plotësuar një kusht me rëndësi kruciale: të jesh shkrimtar e jo shkrimtare. E mësova këtë gjë jo shumë kohë më parë kur më rastisi të jem anëtare e komisionit për shqyrtimin e teksteve shkollore. E dija se librat ishin hartuar nga grupe ekspertësh nga Kosova dhe nga Shqipëria me qëllim që të hartoheshin tekste të përbashkëta prandaj edhe prisja se do t’i gjej shkrimtarët më të rëndësishëm (pa dallim gjinie) nga të dyja anët e kufirit. Kjo gjë e shtonte edhe më shume kërshërinë time. I shfletova me radhë njërin pas tjetrit të gjithë librat e leximit letrar të shkollës fillore dhe të mesme dhe nuk pashë askund as edhe një shkrimtare të vetme që ishte përfshirë në këto tekste. Më kot e kërkova shkrimtaren time të preferuar Diana Çulin, nuk e gjeta. Siç nuk i gjeta as Elena Kadarenë, Edi Shukriun, Mira Meksin, Mimoza Ahmetin, etj etj.
Athua cilat do të kenë qenë kriteret e përzgjedhjes së shkrimtarëve të prezentuar? Rendi e do që kjo të jetë vlera artistike e letrare. Kam frikë se përkatësia gjinore është kriteri më i rëndësishëm i përzgjedhjes. I patundshëm, si gjithmonë. Ndryshe si mund të shpjegohet fakti se një numër i konsiderueshëm i shkrimtarëve të cilët nuk kanë ndonjë rëndësi të posaçme letrare e artistike megjithatë figurojnë në tekstet shkollore? Dhe prapë është për t’u habitur se sa mirë e sa lehtë janë pajtuar ekspertët e letërsisë shqipe në këtë pikë. Në parëndësinë e saj, siç e quajnë ata. Punë grashë.
Dhe sa lehtë janë pajtuar, burrash, të përfshijnë shkrimtarë që s’thonë gjë për letërsinë shqipe, as fëmijëve në Tiranë e as atyre në Prishtinë.
Krejt kjo ndodh në kohën kur shqiptarët janë përfshirë në festën e madhe të lirisë. Dhe mund të konsiderojnë se i kanë kapërcyer barrierat që s’linin të përfshiheshin të gjithë shkrimtarët shqiptarë në një vend. A do të thotë kjo se kjo kohë i jep të drejtë shkrimtares Virginia Woolf që thotë se gratë nuk kanë atdhe? A do të thotë kjo se gratë kanë përpara edhe një betejë dhe se këtë duhet ta bëjnë vetëm?