Ç’do të ndodhte sikur burrat të kishin menstruacione?
Përkthyesja: Sazana Çapriqi
Athua ç’do të ndodhte sikur papritmas, si me magji, burrat të kenë men-
-struacion e gratë jo?
S’ka pikë dyshimi se menstruacioni do të bëhej një eveniment për ta lakmuar dhe shumë i denjë për mburrje.
Burrat do të fryheshin se sa shumë u vijnë dhe sa kohë u zgjasin.
Të rinjtë do të bisedonin për menstruacion si për fillimin e lakmueshëm të burrërimit. Ajo ditë do të shënohej me dhurata, me ceremoni fetare dhe me darka burrash.
Për të parandaluar mungesat mujore nga puna, në mesin e të fortëve, Kongresi do të financonte Institutin Nacional të Dismenoreas. Mjekët nuk do të merreshin aq shumë me hulumtimin e sulmeve në zemër, nga të cilat burrat do të ishin të mbrojtur në baza hormonale, por do të hulumtonin çdo aspekt të mundshëm të dhimbjeve menstruale.
Mjetet higjenike do të financoheshin nga federata dhe do të jepeshin falas. Natyrisht, do të kishte edhe aso burrash që, megjithatë, do të paguanin për hir të prestigjit, etiketat komerciale, siç janë: tamponët Paul Newman, pambukun Muhammad Ali, maxi vatën Gjon Vejn dhe pecat Xho Nemat «Për ditët e lehta të beqarisë».
Sondazhet do të dëshmonin se burrat arrijnë rezultate më të mira në sport dhe se fitojnë më shumë medalje olimpike gjatë ditëve të mensesit.
Gjeneralët, politikanët e krahut të djathtë dhe fundamentalistët do ta lexonin menstruacioni (men-struation») si dëshmi se vetëm burrat mund t’i shërbejnë Zotit dhe atdheut në luftë («Duhet të japësh gjak që të marrësh gjak), se vetëm ata mund të zënë pozita të larta politike («Si mund të jenë gratë të rrepta, pa cilkin mujor që udhëhiqet nga planeti Mars?»), vetëm ata mund të jenë priftërinj, meshtarë, Zoti vetë («Ai e fali këtë gjak për mëkatet tona»), apo rabinë («Pa pastrimin mujor të ndyrësisë, gratë janë të papastra»).
Ndërsa, radikalët apo liberalët do të insistonin se gratë janë të barabarta, por të ndryshme; dhe se secila grua që pranon epërsinë e të drejtës menstruale mund të futet në rangun e tyre («Gjithçka tjetër është vetëm një çështje») apo që pranon t’i shkaktojë vetes ndonjë plagë të madhe («Duhet të japësh gjak për revolucionin»).
Në rrugë do të krijohej zhargoni («Ai është burrë tri shtresash») dhe do të «çoknin duart» nëpër qoshe me këso fjalësh, «O burrë, sa bukur dukesh!»
«Po, burrë jam me to!»
Emisionet e TV do ta diskutonin këtë temë fare haptazi. (Ditët e lumtura: Riçi e Potsi përpiqen ta bindin Fonzin se ende është «Ai i famshmi», edhe pse dy muaj me rradhë nuk i kanë ardhë. Hill Street Blues: I tërë rrethi ka ciklin e njëjtë.) Edhe shtypi do të bënte të njëjtën gjë. (FRIKA NGA PESHKAQENËT KËRCËNON BURRAT ME MENSTRUACIONE. GJYKATËSI THIRREJ NË MUJORET PËR TË FALUR DHUNUESIT.)
Burrat do t’i bindnin gratë se seksi është më i mirë «gjatë atyre ditëve të muajit». Do të thuhej se lezbejkat kanë frikë nga gjaku, pra nga vetë jeta, dhe se në të vërtetë atyre nuk u duhet tjetër, pos burrit me menstracion të rregullt.
Shkollat e mjekësisë da ta kufizonin regjistrimin e femrave («mund t’u bjerë të fikët sa ta shohin gjakun»).
Natyrisht, intelektualët do të jepnin argumentet më morale e më logjike. Si mund të mësojë gruaja çfarëdo dicipline që kërkon ndjenjën e kohës, të hapësirës, të matematikës – apo aftësinë e matjes së çfarëdo gjëje, pa këtë dhunti natyrore të matjes së cikleve të hënës dhe të planeteve? Në filozofi e në religjion si mund të vënë femrat baraspeshë me faktin se janë të shkëputura nga ritmi i universit? Apo, për shkak se nuk mund të përjetojnë vdekjen e ringjalljen simbolike për çdo muaj?
Menopauza do të festohej si ngjarje pozitive, si simbol se burrat kanë akumuluar mjaft vite të urtësisë ciklike dhe se nuk kanë nevojë për më shumë.
Liberalët e të gjitha fushave do të përpiqeshin të jenë të sjellshëm. Ata do të shpjegonin se vetë fakti që «këta njerëz» nuk posedojnë dhuntinë e matjes së jetës, është dënim i mjaftueshëm për ta.
Përktheu: Sazana Çapriqi