Statusi dhe roli i vajzave e grave në jetën politike

Zyhdi Dervishi

Në fillim të shekullit XX në Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsideroheshin sjellje deviante orvajtjet e vajzave dhe të grave për t’u aktivizuar si veprimtare në jetënpolitike. Që nga ajo kohë mendësitë dhe praktika e përfshirjes së vajzave e grave në veprimtaritë politike kanë ndryshuar shumë jo vetëm në Amerikë, por edhe në të gjithë vendet e tjera të botës. Po në Shqipëri?

1. RRITJE E SHKALLËS SË PËRFAQËSIMIT PËRMES ZIGZAGEVE: FRUSTRIM NË DY RRAFSHE

Në studimet sociale është argumentuar e rritja e pjesëmarrjes së grave dhe të vajzave në organet drejtuese të organizatave shoqërore dhe veçanërisht në strukturat politike e shtetërore, është shprehje dhe faktorë i rëndësishëm i emancipimit të tyre.
Veçanërisht nga mesi i viteve ’60 të shekullit XX deri në ditët tona në mjedise të ndryshme flitet gjithnjë e më shpesh për karriera profesionale, shoqërore dhe politike të vajzave të grave ose për femrat që priten drejt karrierave të tilla. Mjaft psikologë e sociologë mendojnë se “çështja karrierë” i frustron vajzat dhe gratë, së paku në dy rrafshe kryesore. Vajzat dhe gratë që i përkushtohen përparimit në veprimtarinë profesionale, shoqërore dhe sidomos në atë politike nuk mund të mos e privojnë veten nga mjaft kënaqësi të jetës së përditshme, nga disa modele të sjelljes e të të menduarit të ngjashme me ato të nënës dhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes së vet (Lewis E., 1968:33). Orientimi me përparësi ndaj karrierës ndikon që vajzat dhe gratë të jenë “më të flohta, më larg” të afërmve dhe miqve në jetën e përditshme, të ndjejnë një vakum edhe në këtë drejtim. Një vakum i tillë bëhet më problematik edhe për faktin se përgjithësisht anëtarët e familjes, të afërmit, miqtë dhe shoqet e shokët nuk i kuptojnë ose edhe herë-herë i keqkuptojnë vajzat e gratë, të cilat për hir të karrierës lipset të përshtasin modele sjelljesh të ngjashme me ato të burrave profesionale më të suksesshëm në karrierë, të jenë, si të thuash, më mashkullore në mendimet dhe veprimet e tyre (Lewis E., 1968:34).
Por, përgjithësisht, edhe shumica e vajzave dhe grave që nuk dalin nga “rrjedha e jetës së zakonshme” ndjehen të frustruara, pasi ato përgjithësisht e konsiderojnë veten plotërisht të afta të përparojnë në karrierë, por rrethanat ekonomike, politike e shoqërore dhe mendësitë e shoqërisë, jo vetëm nuk i favorizojnë, por edhe i pengojnë. Mendojmë se shumica e vajzave dhe grave shqiptare e përjetojnë më me dramaticitet këtë ndjenjë frustrimi, edhe për faktin se përgjithësisht janë më të prirura drejt afirmimit të personalitetit të tyre si veprimtare shoqërore e politike se sa nga kënaqësitë e jetës së përditshme, si komforti material në shtëpi, pushimet e fundjavës etj.
Veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore pothuajse në të gjithë shoqëritë, e sidomos në ato më të urbanizuara është rritur ndjeshëm numrin e “pesha specifike” e përfaqësimit të vajzave e të grave në organet e ndryshme vendimmarrëse. Një prirje e tillë është e pranishme edhe në vendin tonë. Për shembull, në Asamblenë Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë të zgjedhur më 2 dhjetor 1945, femrat përbënin vetëm 3.65 për qind të deputetëve, (gazeta “Bashkimi”, 10.01.1946, f.1; përllogaritje e autorit). Ndër vite gradualisht u rrit pesha specifike e përfaqësimit të vajzave e të grave në organet drejtuese të partisë dhe të shtetit. Sidomos duke filluar nga gjysma e dytë e viteve ’60, kur u intensifikua lëvizja mbarëpopullore për emancipimin e plotë të vajzave dhe të grave. Më 1970 ato përfaqësonin rreth 42 për qind të anëtarëve në organet e zgjedhura të pushtetit shtetëror (HPPSH, 1981:435). Në vitin 1990 rreth 41 për qind e drejtuesve të organeve të ndryshme vendore ishin vajza ose gra (UNICEF, 1998:67). Natyrisht shumica e vajzave dhe e grave ishin të zgjedhura në organet e niveleve të ulëta dhe realisht pak ndikonin në vendimmarrje.
Gjithashtu edhe në organin më të lartë ligjvënës të Republikës së Shqipërisë u rrit gradualisht numri dhe pesha specifike e vajzave dhe grave. Në kushtet e regjimit totalitar monopartiak, zgjedhjet e fundit për deputetë të Kuvendit Popullor u zhvilluan më 1 shkurt të vitit 1987. Në radhët e deputeteve të Kuvendit Popullor që dolën nga këto zgjedhje, vajzat dhe gratë përbënin 29.20 për qind, (gazeta “Zëri i Popullit”, 03.02.1987, f. 1-2; përllogaritje e autorit). Përvoja dhe studimet shoqërore provojnë se Kuvendi Popullor i Shqipërisë gjatë periudhës së regjimit socialist nuk kishte pushtet real. Ai më shumë sanksiononte ligjërisht vendimet e Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror të PPSH. Megjithatë, organet partiake e shtetërore të këtyre viteve bënin përpjekje për të rritur shkallën e përfaqësimit të femrave në tërë sistemin e organeve drejtuese e vendimmarrëse. Natyrisht, në rrethanat ku hallkat kryesore të pushtetit ishin përqendruar në duart e udhëheqësit të partisë-shtet, një emancipim i tillë i femrave kishte shumë elemente artificialiteti.
Veçanërisht që nga fillimi i viteve 1970-të u krijuan mundësi me të gjera për të aktivizuar më shumë vajza e gra si drejtuese të strukturave politike, shoqërore e kulturore pasi, veç të tjerash, u rrit ndjeshëm numri dhe pesha specifike e atyre me arsim të lartë. Kështu, në krahasim me ato të vitit 1964, deri në vitin 1989 numri i vajzave dhe i grave me arsim të lartë u rrit 47.1 herë, duke arritur në 28 829, ndërsa pesha specifike e tyre ndër specialistët me arsim të lartë u rrit nga 6.2 për qind në 37.9 për qind. (Drejtoria e Statistikës, 1965:122; 1990:43).
Shpesh rritja e numrit dhe e peshës specifike të vajzave e të grave në organet drejtuese politike e shoqërore, nga propaganda zyrtare interpretohej si përparësi e rendit socialist në krahasim me atë kapitalist.
Rritja e shkallës së emancipimit të vajzave dhe të grave gjatë periudhës së rendit socialist ka qenë përgjithësisht një proces përparimtar, me rrjedhoja komplekse në zhvillimet shoqërore, ekonomike e kulturore të vendit. Veçse një emancipim i tillë ka qenë mjaft i sforcuar dhe shpesh i diktuar nga struktura të caktuara administrative. Herë pas here Byroja Politike ose Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë përcaktonin kuotat e përfaqësimit të vajzave e të grave në organet drejtuese të sektoreve të ndryshëm të veprimtarive ekonomike, shoqërore, kulturore etj. Dhe për të plotësuar këto kuota shpesh ngriheshin në përgjegjësi, caktoheshin si drejtuese edhe vajza e gra pa përgatitjen e përvojën profesionale që ishte e nevojshme. Mosarritjet ose gabimet në punë të kësaj kategorive vajzash e grashë përforconin paragjykimet përçmuese për aftësitë drejtuese dhe përgjithësisht intelektuale të femrave shqiptare, dëmtonin rëndë imazhin e tyre. Në “sytë” e opinionit të shumicës së mjediseve shoqërore në Shqipërinë e atyre viteve puna cilësore e qindra e mijëra vajzave e grave drejtuese eklipsohej nga një numër më i vogël rastesh të mossuksesit të tyre. Veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të viteve ’80-të në opinionin e shoqërisë shqiptare qarkullonin më lirshëm mendësi përçmuese, që, në thelb, shprehnin pakënaqësi e deri proteste të heshtur, ose, më saktë, nën zë ndaj vajzave e grave të paafta të ngritura në përgjegjësi si “gratë janë vetëm për të plotësuar numrin në organet drejtuese të partisë e të shtetit”, se “nuk drejtohet vendi me mjelëse lopësh” etj.
Ashpërsimi i konkurrencës politike ndërmjet partive që në fillim të viteve ‘90-të të shekullit XX, ka ndikuar në pakësimin e numrit dhe të peshës specifike të vajzave dhe të grave në organet qendrore e lokale të pushtetit. Kështu, për deputetet e Kuvendit të parë pluralist të Shqipërisë të pas Luftës së Dytë Botërore, të zgjedhur më 31 mars 1991, femrat përbënin vetëm 3.6 për qind, (gazeta “Zëri i Popullit”, 03.04.1991, f. 1-2; përllogaritje e autorit). Në procesin e konsolidimit të demokracisë pluraliste konstatohet një farë rritjeje e ngadalshme e peshës specifike të vajzave dhe të grave në Kuvendin e Shqipërisë dhe në organet e pushtetit vendor. Megjithatë, femra ende përfaqësohet në mënyrë krejt të pamjaftueshme në struktura të tilla. Në Kuvendin e Shqipërisë në shtator 1999, vajzat e gratë përbëjnë vetëm 7.1 për qind të numrit të përgjithshëm të deputetëve, (IRI, 1999:22-27; përlloagritje e autorit).
Edhe nëpër rrethet ku është shtrirë ky studim, përfaqësimi i vajzave dhe i grave në organet drejtuese të pushtetit vendor dhe të partive politike është i pamjaftueshëm. Në rrethin e Matit vajzat dhe gratë përbëjnë rreth 18 për qind të të zgjedhurve në organet drejtuese të partive politike; në këshillin e rrethit të Durrësit, ato përfaqësojnë vetëm 17.1 për qind të anëtarëve, ndërsa në këshillin bashkiak vetëm 14.2 për qind; në rrethin e Kukësit ndër 14 kryetarë komunash, nuk ka asnjë grua; në rrethin e Dibrës, asnjë grua nuk punon si kryetare apo sekretare në prefekturë, në këshill të rrethit, në bashki apo komuna; në rrethin e Pogradecit vajzat dhe gratë përbëjnë 17.6 për qind të anëtarëve të këshillit të rrethit, afro 26.6 për qind të anëtarëve të këshillit bashkiak dhe vetëm 9.1 për qind të anëtarëve të këshillit të komunave.
Gjithashtu edhe në rrethin, e sidomos në qytetin e Tiranës, ku është më e lartë pesha specifike e vajzave dhe e grave me arsim të lartë, me grada e tituj shkencorë, përfaqësimi i tyre në organet e pushtetit vendor dhe në organet drejtuese të degëve të partive është mjaft i ulët: ndër anëtarët e këshillit të rrethit ato përbëjnë vetëm 12.9 për qind, në këshillin bashkiak vetëm 14.8 për qind, ndër 3 kryetarë bashkie dhe 13 kryetarë komunash të zgjedhur në rrethin e Tiranës, asnjë nuk është grua; ndër 163 kryepleq vetëm një është grua, në këshillat drejtuese të degëve të Tiranës të 11 partive politike më me influencë vajzat dhe gratë përbëjnë vetëm 26.7 për qind, ndërsa në kryesitë e tyre 27.5 për qind.
Nga një shqyrtim i kujdesshëm i të dhënave të tilla arrihet në përfundimin se përgjithësisht, sa më të rëndësishme të jenë ose të konsiderohen funksionet drejtuese në strukturat partiake e shtetërore, aq më i paktë është përfaqësimi i vajzave dhe i grave në to. Për shembull, në vitin 2000 në Republikën e Shqipërisë funksionojnë rreth 53 parti politike. Asnjera prej tyre nuk ka në krye një grua. Në asnjë qeveri të krijuar në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka pasur më shumë se 2-3 gra ministre. Madje, kur gratë vihen në poste drejtuese të rëndësishme opinioni përgjithësisht “harron” të flasë për aftësitë e tyre profesionale. Në kohën e monizmit ka qenë mbisunduese mendësia se “gratë janë të pazonja për punë drejtuese, por s’ke ç’i bën parimeve të partisë që i favorizojnë”, se “gratë në drejtim më shumë ngatërrojnë punë se zgjidhin probleme” etj. Ndërsa në kushtet e zhvillimeve pluraliste janë mjaft të përhapura mendësitë se “gratë në poste drejtuese janë kukulla më të bindura në duart e kryetarëve të partive politike”, se “ndershmëria dhe, ndofta drojtja e grave për të abuzuar me detyrën drejtuese shërben si koperturë për të mbuluar korrupsionin e politikanëve kryesorë”, se “gratë janë robote që komandohen nga drejtuesit realë, por herë-herë të padukshëm të strukturave politike” etj.
Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX edhe vajzat e gratë shqiptare nisën “të ngjitin shkallët” e karrierës diplomatike. Në vitin 1998 ato përbënin rreth 8 për qind të diplomateve profesioniste të vendit. E para dhe e vetmja grua shqiptare u emërua ambasadore në vitin 1997.
Në sektorin e bankave që funksionojnë në Republikën e Shqipërisë punojnë shumë vajza e gra, mjaft prej të cilave kanë përfunduar studimet universitare dhe specializime pasuniversitare në Shqipëri ose në vende të zhvilluara të Perëndimit me rezultate të shkëlqyera. Mirëpo në organet kryesore vendimmarrëse të banave shumë pak përfaqësohen ekonomistet vajza ose gra. Asnjë nga 7 bankat që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri gjatë dhjetë viteve të fundit nuk ka patur dhe nuk ka drejtuese grua.

2. OPINIONE TË VAJZAVE DHE GRAVE: SA DHE SI DUHET NDRYSHUAR REALITETI POLITIK?

Ky është realiteti. Po ç’dëshira kanë vajzat dhe gratë për të ndryshuar një realitet të tillë?
Ndërmjet tre alternativave të një pyetjeje të anketës, vetëm 3.82 për qind e vajzave dhe e grave janë shprehur se do të parapëlqenin më shumë të afirmoheshin si kuadro të pushtetit vendor, ndërkohë që rreth 54.56 për qind dëshirojnë më shumë të afirmohen si specialiste në profesionin e tyre dhe 37.79 për qind parapëlqejnë një jetë të rehatshme, larg të qenurit person publik. Në këto parapëlqime reflektohen ndikime të vlerave përkatëse të kulturave të disa vendeve të urbanizuara të Perëndimit, veçanërisht ato amerikane. Madje në këtë aspekt konstatoht një proces i kundërt me formimin psikokulturor të vajzave e grave shqiptare në krahasim me atë të grave amerikane. Kështu për shembull në fillim të shekullit XX në opinionin e shqërisë amerikane konsideroheshin si sjellje deviante përpjekjeve e grave për t’u afirmuar si veprimtare në jetën politike, shoqërore, kulturore etj.
Nën trysninë e mendësive të tilla, deri para dy dhjetëvjeçarësh shumica e grave amerikane përgjithësisht parapëlqenin jetën me komfort material të kompletuar se sa statusin e një personi ime ndikim në strukturat e ndryshme shoqërore, politike e kulturore, me ndikim në opinionin publik (Macionis, J., 1987:69). Ndërsa në Shqipëri gjatë periudhës së rendit socialist, veçanërisht nga mesi i viteve 1960-të deri në fillim të proceseve demokratike, vajzat dhe gratë përgjithësisht aspironin më shumë të bëheshin “dikushi në shoqëri, të kishin zërin e tyre” në jetën shoqërore, artistike etj., se sa të siguronin njëfarë mirëqënie ekonomike. Kjo prirje, në njëfarë mënyre është shprehje e emancipimit të sforcuar të vajzave e grave shqiptare gjatë këtyre viteve kur shoqëria shqiptare po çlirohej më shpejt e më rrënjësisht nga dnikimi i mjaft vlerave dhe normave kulturore tradicionale konservatore. Dhe, padyshim, një prirje e tillë ka qenë përparimtare dhe solli arritje konkrete në afirmimin e personalitetit të vajzave e të grave, veçanërisht të atyre me arsim të lartë, në shoqëritë shqiptare.
Mirëpo, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, prirjet e dukuritë spontane, më së shumti me natyrë anarkiste, që shoqëruan zhvillimet demokratike në Shqipëri kanë ndikuar që vajzat dhe gratë të çpunësohen në mënyrë masive, të detyrohen të mbyllen përsëri në shtëpi ose, së paku, në ekonominë shtëpiake si në shoqërinë tradicionale shqiptare të para Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa në shoqërinë amerikane dhe në mjaft shoqëri të vendeve më të urbanizuara të Perëndimit, veçanërisht gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit po shtohet numri dhe pesha specifike e grave mbi 40 vjeç që përpiqen të afirmohen në opinionin publik, si veprimtare në jetën politike, shoqërore, kulturore etj.
Natyrshëm shtrohet çështja: Ç’mendojnë vajzat dhe gratë për shkallën e përfaqësimit të tyre në organet politike drejtuese për të ardhmen?
Disa të dhëna kryesore të anketimit, të përgjithshme dhe të specifikuara sipas nivelit të shkollimit, parashtrohen në grafikun vijues:

Shkalla e përfaqësimit të vajzave e të grave në organet e pushtetit vendor (në përqindje)

shqyrtimi analitik i shifrave të mësipërme, përvijohet përfundimi që më shumë se gjysma e vajzave dhe e grave të anketuara e ndjejnë veten të afta të përfaqësohen me dinjitet në organet e pushtetit vendor në masë të barabartë me burrat. Madje pesha specifike e atyre që ndjejnë dhe mendojnë kështu rritet dukshëm në vartësi të rritjes së shkallës së arsimimit të tyre.
Pesha specifike e të anketuarave që mendojnë se vajzat dhe gratë duhet të përfaqësohen rreth 25 për qind në organet e pushtetit vendor është e lartë, rreth 33 për qind. Ky grupim i të anketuarave përjetojnë së paku ndjenjën e inferioritetit dhe të pesimizmit, të cilat shprehen në mendësi të tilla: “Shqipëria ka rënë aq poshtë, sa nuk e ngrenë dot burrat e jo më gratë”, “në një vend ku ka shumë rrugaçëri politike, gratë kanë të vështirë, ose më saktë, nuk duhet të merren me politikë”, “dashur pa dashur politika të tjetërson, po tjetërsimi i grave është ë i shëmtuar se tjetërsimi i burrave”, “vajza ose gruaja që angazhohet në politike, sado e ndershme të jetë, nga opinioni përgojohet si e përdalë” etj.
Rreth 8 për qind e të anketuarave shprehen se në strukturat e pushtetit vendor prania e vajzave dhe e grave lipset të jetë mbizotëruese, në masën 75 për qind. Këtë përpiqen ta arsyetojnë me mendësitë se “vajzat dhe gratë nuk janë “infektuar” nga epidemia e korrupsionit sikurse burrat”, se “vajzat dhe gratë janë më të ndjeshme ndaj shqetësimeve e problemeve të njerëzve”, se “ato janë më të përkushtuara dhe më korrekte ndaj detyrës” etj. Një ekonomiste mesogrua, gjatë intervistës theksoi: “Ne grave fati na ka mallkuar të kryejmë gjithnjë detyrën e pastrueses. Burrat e çrregullojnë, e bëjnë pis shtëpinë, ne e pastrojmë. Me sa duket edhe në politikë këtë rol do të kemi. Por fatkeqësisht është grumbulluar shumë pisllëk korrupsioni nga burrat dhe është vështirë të pastrohet. Ndaj ne gratë ndjehemi të pafuqishme përballë këtij realiteti, ndaj jemi të detyruara të hiqemi mënjanë.”
Zhvillimet pluraliste në Shqipëri gjatë dhjetëvjeçarit të fundit kanë mundësuar aktivizimin e njerëzve në veprimtari politike të shumëllojshme, kanë kultivuar aftësitë dhe kanë çliruar energjitë e tyre politike. Por, zhvillime të tilla për femrat kanë qenë disi problematike, jo shumë favorizuese. Këtë e shprehin edhe vajzat e gratë e anketuara. Më shumë se gjysma e tyre mendojnë se proceset politike të 5-6 viteve të fundit e favorizojnë pak (46.71 për qind) ose aspak (9.55 për qind) pjesëmarrjen e vajzave dhe të grave në veprimtari të ndryshme politike. Vetëm 5.52 për qind e të anketuarave mendojnë se zhvillimet politike të viteve të fundit kanë krijuar kushte shumë të përshtatshme për afirmimin e personalitetit të vajzave e të grave edhe në fushën politike.
Kësisoj, shumica e vajzave dhe e grave e ndjejnë vetën larg zhvillimeve politike, si të thuash, po divorcohen emocionalisht dhe realisht me politikën. Po cilët janë faktorët kryesorë ekonomikë, politikë, psikokulturore etj., që përcaktojnë një “divorcim” të tillë?
Disa nga të dhënat më përfaqësuese të anketimit rreth kësaj çështjeje përmblidhen në tabelën që vijon:

Pengesa kryesore që frenon pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në organet e pushtetit vendor (në përqindje)

Shqyrtimi analitik i të dhënave të anketimit dëshmon se vetëm 12.95 për qind e vajzave dhe e grave pohojnë se janë indiferente ndaj politikës. Në një farë mënyrë këto mund të konsiderohen si të “vetëdivorcuara” me politikën. Ndërsa shumicës së vajzave dhe të grave të anketuara, “divorcimi me politikën”, si të thuash, u është imponuar nga faktorë objektivë dhe veçanërisht subjektivë.
Në gjendjen e tanishme të zhvillimit të ekonomisë dhe të shërbimeve në Shqipëri, detyrimet shtëpiake zenë një vend të konsiderueshëm në veprimtarinë e anëtarëve të familjes. Detyrime të tilla rëndojnë më shumë mbi vajzat dhe sidomos gratë me fëmijë të vegjël. Detyrimet familjare, veçanërisht të nënave ndaj fëmijëve të tyre të vegjël deri në moshën e adoleshencës janë një pengesë reale për aktivizimin në jetën politike. Kështu ndodh edhe në vende të urbanizuara të Perëndimit, ku mjaft gra, gjatë periudhës së rritur të hershme (nga 20 deri në 40 vjeç) merren kryesisht me rritjen e fëmijëve. Dhe pasi fëmijët kapërcejnë moshën e adoleshencës, mjaft prej tyre fillojnë të aktivizohen edhe në jetën shoqërore e politike (Macionis J., 1987:177).
Përvoja tregon se në vendin tonë gratë e mënjanuara nga jeta shoqërore e politike, sidomos ato që gjatë periudhës së rritur të hershme kanë qenë në rolin e shtëpiakes, në moshën e pjekurisë e kanë të vështirë, ose, më saktë, të pamundur të aktiviohen në jetën politike, sepse veç të tjerash, angazhimi në punët rraskapitëse në ekonominë shtëpiake i dekualifikon pothuajse të gjitha gratë në atë shkallë, saqë ato nuk mund të përditësohen me zhvillimet bashkëkohore edhe në fushën politike. Një mësuese rreth të dyzetave që banonte në Kodër – Kamëz, dhe që për shumë vite kishte punuar në një fshat të rrethit të Pukës, gjatë intervistës, ndër të tjera, theksoi: “Që kur kam ardhur këtu para 3 vjetësh, jam e papunë. Më duket vetja krejt e ngujuar brenda mureve të shtëpisë së re, të papërfunduar. Ndjehem shumë e plogështuar. Më duket se kam humbur fillin e punës dhe të lidhjes me shoqërinë që nuk do ta gjej më kurrë. Gratë e papuna nuk jetojnë, por vegjetojnë. Burrat e papunë shkojnë të paktën ndërrojnë një cigare a një muhabet me njeri-tjetrin në sheshet “Omonia” të Tiranës. Kurse ne gratë as këtë “privilegj” nuk e kemi”.
Është relativisht e vogël (rreth 8.92 për qind) pesha specifike e vajzave dhe e grave që mendojnë se kanë aftësi të kufizuara për t’u angazhuar në veprimtari politike. Madje vajzat ndihen disi më inferiore në këtë aspekt. Është rreth 2.1 herë më e lartë pesha specifike e vajzave se e grave që mendojnë se nuk kanë aftësitë e nevojshme për t’u marrë me veprimtari politike. Shumica e vajzave mendojnë se nga pjesëmarrja aktive në jetën politike mund të bëhen preh e thashethemeve dhe të mbeten të pamartuara. Një mësuese e gjuhës frënge këtë shqetësim e shprehu në mënyrë të figurshme: “Vajza e pafejuar ngjan me një pjergull të shtrirë përdhe që mund ta shkelë kushdo. Kur fejohet ajo bëhet si pjergulla që mbështetet në degët e një lisi, domethënë në krahët e burrit. Në degët e “lisit” pjergulla ngrihet më lart dhe nuk mund ta shkelë “askush”.
Ndoshta, mbështetja te “lisi” – bashkëshort dhe shtimi i detyrimeve familjare, veçanërisht ndaj fëmijëve i nxit e i “trimëron” nënat të merren me veprimtari politike, si një rrugë për zgjidhjen e mjaft problemeve jetike të fëmijëve të tyre si shkollimi, punësimi, strehimi etj. Përgjithësisht gra të tilla kanë një kuptim pragmatik për pjesëmarrjen në politikë. Një grua, e cila kishte tri vajza të rritura, e pra studente dhe dy të tjerat në shkollën e mesme, gjatë intervistës, ndër të tjera, theksoi: “Kam vënë dy herë kandidaturën për deputete. Prindërit, burri dhe dy vëllezërit më kundërshtonin vazhdimisht, më “këshillonin” të mos futem në llumin e politikës. Unë mendoj se femra, sapo bëhet nënë deri sa t’i nxjerrë fëmijët në jetë, është e detyruar t’i ketë duart në pisllëk, me qëllim që ta pastrojë atë për të rritur fëmijë të pastër dhe për të ruajtur pastërtinë e vet. Megjithëse nuk kam qenë e suksesshme, angazhimin në politikë ende e ëndërroj si mundësi për të arsimuar ose specializuar vajzat në universitetet e vendeve perëndimore. Zgjidhja e këtyre problemeve do të më bënte më të motivuar e më këmbëngulëse për t’u marrë edhe me shqetësimet e të tjerëve, të gjithë shoqërisë”.
Një ndër dhjetë vajza ose gra nuk aktivizohen në organet e pushtetit vendor ngaqë nuk i lejon, përkatësisht, babai ose burri. Veç të tjerash, kjo tregon se një pjesë e konsiderueshme e vajzave dhe e grave janë ende nën tutelën e babait ose të bashkëshortit, domethënë nuk janë të lira të integrohen në jetën politike të komunitetit lokal. Përvoja tregon se burrat e papunë ose që kanë dështuar në veprimtarinë tregtare, pra përgjithësisht ata që janë më të stresuar nga “të papriturat e reformave anarkike të tranzicionit paskomunist” priren t’i “thyejnë” gjithë përpjekjet e grave për t’u aktivizuar në veprimtarinë politike, sidomos në nivel lokal. Kjo kategori burrash janë bërë më llafazanë e më gojështhurur, përgojojnë veçanërisht politikanët në organet qendrore dhe ato lokale.
Kritirerizmi i sëmurë i burrave pengon aktivizimin e vajzave dhe të grave në jetën politike. Një ekonomiste mesogrua, e cila në fillim të proceseve demokratike ishte orvatur të përfshihej në jetën politike, gjatë intervistimit shfajësohej dhe fajësonte: “Shpërbërja e SMT-së më la pa punë. Duke qenë se kisha përvojë drejtuese gati njëzetvjeçare, mendova se mund të bëja diçka si anëtare e zgjedhur ose nëpunëse në bashki. Por burri im, ish-oficer në lirim, i përgojonte e i shante aq shumë njerëzit e politiës sa mua m’u neverit edhe vëllai im deputet, i cili është një model ndershmërie dhe korrektësie. Burri im përsëriste shpesh: Je më pak e turpëruar të dalësh krejt e zhveshur në qytet se sa të zhtesh në kënetën e piestë të politikës”. S’guxova asnjëherë t’ia shpreh bashkëshortit dëshirën për t’u marrë me politike”.
Është shumë e lartë pesha specifike e vajzave dhe e grave që detyrohen të mënjanohen nga jeta politike nën trusninë e paragjykimeve vetpërçmuese (7.86 për qind) dhe të paragjykimeve përçmuese të burrave (rreth 24.20 për qind) për aftësitë politike të tyre. Kësisoj një ndër tre gra ose vajza shmanget prej jetës politike nga psikoza e turpit ballkanik, ose, më saktë, nga mendësitë prapanike të së kaluarës. Përgjithësisht femrat që aktivizohen në zgjidhjen e çështjeve politike, sado korrekte e të ndershme të jenë, akuzohen për shkarje morale. Kjo i shqetëson më shumë vajzat se sa gratë, pasi opinione të tilla i pengojnë ato të martohen. Dhe jo pak vajza, me aftësi e personalitet të afirmuar në jetën politike e shoqërore, nuk janë martuar nën trysninë e këtyre mendësive, megjithëse nuk kanë abuzuar dhe nuk abuzojnë moralisht. Por, nga ana tjetër, sa më shumë t’ju kalojë mosha, aq më pak të përshtatshme për t’u marrë me politikë konsiderohen vajzat beqare. Përgjithësisht, shumica e shqiptarëve mendojnë se “një njeri, vajzë apo djalë qoftë, që nuk ka zgjidhur problemet e veta jetike nuk mund zgjidheë hallet e të tjerëve”. Në shumë krahina të Shqipërisë, qarkullojnë mjaft opinione në trajtën e proverbave që përçmojnë statusin e të qënit beqar të djemve, dhe veçanërisht të vajzave: “Beqari – qyqari”, “Beqari është si shkopi i qorrit” etj. (IKP, 1983:763). Gjithësesi gjatë dhjetëvjeçarit të fundit ndikimi i mendësive të tilla ka filluar të zbehet.
Të ndodhura nën presionin e paragjykimeve që mund t’u shkaktojnë “trauma” shoqërore të pashërueshme në jetë, rreth 47,59 për qind e nënave të anketuara, nuk dëshirojnë që vajzat e tyre të angazhohen në veprimtari politike ose mendojnë se mund dhe dueht të aktiviohen aq sa për të mbrojtur interesat e tyre. Ndaj mjaft nëna dëshirojnë që vajzat e tyre të arsimohen në ato fakultete që i përgatisin më shumë si profesioniste se sa si veprimtare shoqërore. Gjatë vitit shkollor 1997-1998 vajzat përbënin rreth 61 për qind të studentëve në fakultete ekonomike të vendit, rreth 58 për qind të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, rreth 75 për qind të studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja (INSTAT, 1998:49; përllogaritje të autorit). Në parapëlqime të tilla të vajzave shprehet edhe ndikimi, e herë-herë imponimi i prindërve, veçanërisht i nënave të tyre. Një mësuese rreth të pesëdhjetave që kishte dy djem dhe një vajzë, gjithë pezëm u shpreh: “E kam dashur dhe e dua shumë shkollën. Ndoshta dhe për këtë jam nëna më e palumtur në botë. Dy djemtë nuk kanë mbaruar as shkollën e mesme dhe merren me tregti, ose, më saktë, bëjnë sikur merren me tregti. Gjithmonë janë në zgrip të pasigurisë, anës rrezikut që mund t’u marrë edhe kokën. Vajzën e kam në maturë. E kam futur në disa kurse private pasi dëshiroj që ajo të vazhdojë studimet e larta për mjekësi ose farmaci. Mendoj se një profesion i tillë mund t’i sigurojë asaj një jetë më të qetë, larg vorbullës së zhvillimeve të rrëmujshme politie e të reformave gjithëfarëshe në Shqipëri”.
Vetëm 18.62 për qind e nënave të anketuara shprehen se me gjithë vështirësitë e momentit, vajzat e tyre duhet të merren me politikë. Përgjithësisht këto janë optimiste se në të ardhmen situata politike në Shqipëri do të ndryshojë, do të krijohen mundësi që edhe vajzat e tyre të aktivizohen me aftësi e dinjitet në veprimtari politike në nivel kombëtar e lokal. Një mjeke mesogrua, që në çdo gjest e fjalë të saj, rrezatonte mirësi e optimizëm, ndër të tjera, veçoi: “Gruaja që guxon të bëhet nënë nuk dueht të kthehet pas, nuk duhet të plogështohet nga pesimizmi. Ajo duhet t’i përgatisë fëmijët, djem ose vajza, për të përballuar çdo sfidë të jetës, qoftë edhe në veprimtarinë aq problematike të politikës. Nëse vajza ime e vetme do të shprehte aftësi për t’u angazhuar në politikë unë nuk do ta pengoja, përkundrazi, do ta inkurajoja”.

3. PËRKIME DHE KUNDËRSHTI NË PIKËPAMJET POLITIKE TË BASHKËSHORTËVE: PSE?

Në studimet sociologjike është argumentuar se përkimet, përafrimet dhe kundërshtitë e pikëpamjeve, të bindjeve politike ndërmjet bashkëshortëve, ndërmjet nënave dhe vajzave ndikojnë në një masë të konsiderueshme në aktivizimin apo shmangjen e tyre nga jeta politike. Në vendin tonë, kur sistemet e lidhjeve nënë-bijë dhe ndërmjet bashkëshortëve janë mjaft aktive, ndryshimet dhe afritë e pikëpamjeve, të bindjeve politike të tyre shprehen në trajta më të theksuara në veprimtarinë politike të grave dhe të vajzave.
Një tablo e përkimeve, ndryshimeve dhe kundërshtive të pikëpamjeve e të bindjeve politike ndërmjet grave të anketuara, nga njera anë, dhe bashkëshortëve, nënave dhe vajzave të tyre të rritura, nga ana tjetër, jepen në tabelën vijuese.

Shkalla e përkimit të bindjeve politike të grave të anketuara me bindjet e:

Siç shihet, rreth tre të katërtat e grave të anketuara pohojnë se kanë bindje politike të njejta me ato të bashkëshortit. Mendoj se në shumicën e rasteve të tilla mund të flitet për konformim të grave me bindjet e ashëshortit se sa për një përkim të bindjeve të tyre. Këtë ide e provon edhe fakti se pesha specifike e grave me arsim të lartë që pohojnë se kanë bindje të njejta me bashkëshortin është rreth 12 për qind më e voël se ajo e grave me arsim të mesmë. Përvoja tregon se shumica e grave që konformohen politikisht me bindjet e bashëshortit janë më pak të pavarura të angazhohen në veprimtaritë politike dhe në kuadrin e organeve të pushtetit vendor.
Gra të tilla, në njëfarë mënyre, shndërrohen në hije të burrit dhe në mjedise të ndryshme bëhen qesharake, etiketohen si “biba”, si “altoparlante të burrit”, si “manekine që nuk shohin e nuk kuptojnë asgjë politike që ndodh nën hundën e tyre” etj. Një mesogrua që vite më parë kishte punuar si inxhiniere kimiste në Uzinën e Autotraktorëve në Tiranë, me pesimizëm dhe indinjatë u shpreh: “Gratë e papuna si unë, edhe sikur të duan, nuk mund të mendojnë politikisht ndryshe nga bashkëshortët. Fatkeqësisht në Shqipëri fjala e fundit e politikës nuk thuhet as në forumet politike, as në shtyp, as në radio ose televizion. Informacionet politike më të freskëta e më të rëndësishme qarkullojnë nëpër tymin e duhanit e mjergullën e alkoolit të kafeneve të shumta, domethënë janë të monopolizuara në duart e burrave. Në këto rrethana, gruaja informohet për politikën nga “humoret politike” të bashkëshortit, ndaj është shumë vështirë të ketë pikëpamje e bindje politike të ndryshme nga ato të bashkëshortit”.
Rreth një e katërta e grave të anketuara shprehen se bindjet e tyre politike janë të ndryshme (18,73 për qind), ose të kundërta (6,86 për qind) me ato të bashëshortit. Nga vëzhgimet e tërthorta dhe bisedat me gra të tilla arrin në përfundimin se shumicës së tyre u kristalizohen bindje politike të ndryshme ose të kundërta me ato të bashkëshortit, si rrjedhojë kryesisht e mosmarrëveshjeve të ndryshme që kanë për çështje familjare. Përvoja tregon se jo pak gra angazhimin në jetën politike e konsiderojnë si një rrugëzgjidhje të konflikteve familjare, ose, së paku, si mundësi për të mbushur boshllëkun shpirtëror që u krijojnë konflikte të tilla. Mirëpo, jo rrallë, pjesëmarrja e grave në politikë i acaron mosmarrëveshjet familjare, veçanërisht ato me bashkëshortin.
Ende në mjedise të ndryshme të shoqërisë shqiptare është mjaft ndikuese mendësitë se “një grua që nuk është në gjendje të zbusë grindjet në familjen e vet nuk mund të zgjidhë hallet e të tjerëve”, se “gruaja nuk mund të kryejë funksione politike kur ndihmohet nga bashkëshorti, pale kur kundërshtohet prej tij” etj.

4. SA DHE SI PËRÇOHEN BINDJET POLITIKE NGA NËNA TE BIJA?

Nga të dhënat e anketimit rezulton se ka vijimësi të bindjeve politike në “linjën” nënë-bijë. Madje, megjithëse gjatë 8-9 viteve të fundit në vendin tonë janë realizuar ndryshime politike rrënjësore, të cilat përgjithësisht shprehen edhe si ndryshime bindjesh politike ndërmjet brezave, rreth dy të tretat e nënave të anketuara ndikojnë në bindjet politike të vajzave të tyre në moshë relativisht të rritur. Është më e vogël (24,14 për qind) pesha specifike e nënave që mendojnë se vajza ose vajzat kanë bindje politike të ndryshme nga të tyre. Përgjithësisht nëna të tilla ndjehen disi të shqetësuara nga këto ndryshime, veçanërisht në qytetet e vogla dhe në krahinat fshatare.
Vetëm 6,90 për qind e nënave të anketuara kanë pohuar se vajza ose vajzat kanë bindje politike që kundërshtojnë të tyret. Përgjithësisht kjo kategori nënash ndjehen si të shokuara. Kundërshtinë në çështjet politike shpesh e interpretojnë si “shmangje të vajzave nga përvoja jetësore e rruga e tyre, që e konsiderojnë të drejtë”, si “rebelim që nuk u shkon sidomos natyrës së vajzave” etj.
Nga anketimi dhe bisedat e intervistat me vajzat e reja konstatohet se në shumicën e rasteve kundërshti të tilla janë të pamotivuara, të paargumentuara. Ato janë përgjithësisht reagime të çastit dhe shprehin përpjekjet e vajzave të reja për t’i shpëtuar tutelës imponuese të nënave. Një studente e kursit të parë në Fakultetin e Ekonomisë, e shprehu në mënyrë lakonike një reagim të tillë kundërshtues: “Mamaja është mësuese historie në shkollë të mesme. Me arsyetime pa fund ajo përpiqet të më bindë se vetëm pikëpamjet e saj politike janë të drejta. Një “melodi” e tillë e përsëritur deri në mërzi më bën që të kundërshtoj, pa patur bindje të kundërt me mamanë. Dhe kur mamaja e kupton se unë kundërshtoj spontanisht, pra kundërshtoj për hir të kundërshtimit, bëhet edhe më këmbëngulëse në bindjet e veta. Kurse unë shpesh vetëm kundërshtoj, pa dhënë asnjë shpjegim”.
Një mësuese historie, duke u bazuar edhe në njohuritë profesionale, arasyetonte: “Në periudha tranzicioni ose kthesash historike është i natyrshëm ndryshimi i pikëpamjeve, i bindjeve politike të njerëzve brenda një familje. Por përvoja tregon se shpesh vajzat që adoptojnë bindje politike të ndryshme nga nëna, priren ta kundërshtojnë e ta mohojnë nënën në gjithçka. Ndaj ne nënat jemi jo pak të shqetësuara”.
Vazhdimësia në bindjet politike nga nëna te bija në tre breza, ndër të tjera tregon se gjatë viteve të tranzicionit dhe për një të ardhme, së paku të afërt, “forca e inercisë” ka penguar dhe do të pengojë ndryshimin e shpejtë të modeleve të të menduarit, të të vepruarit politik të shumicës së grave dhe të vajzave. Veçanërisht për të tanishmen dhe të ardhmen, së paku të afërt, një inerci e tillë është më shumë e dëmshme se e dobishme. Është domosdoshmëri e kohës që në mendësitë e praktikat politike të shqiptarëve të realizohet një kthesë rrënjësore, nëpërmjet të cilës të tejkalohen recidivat dogmatike të skajshme, të majta dhe të djathta të periudhës komuniste dhe parakomuniste të historisë së Shqipërisë të shekullit XX.
Kjo kthesë është pjesë e rëndësishme e distancimit të shoqërisë shqiptare nga gabimet e së kaluarës, për t’u orientuar drejt zgjidhjeve të reja të problemeve ekonomike, politike, psikokulturore etj., sipas standarteve të shoqërive më të përparuara të vendeve të urbanizuara të Perëndimit. Në këtë lëvizje përparimtare vajzat dhe gratë mund e duhet të luajnë rol të rëndësishëm pasi ato, siç argumentojnë studiues të huaj, edhe në sistemet totalitare kanë ndikuar për të zbutur ashpërsinë e reformave (Hobsbawm E., 1994:407). Një frymë e tillë është e nevojshme të rigjallërohet e të kultivohet në shoqërinë shqiptare të ditëve tona si një faktor i rëndësishëm për shërimin e plagëve sociale, të cilat po kontraktojnë zhvillimet komplekse të periudhës së tranzicionit.

5. TË PARAGJYKUARA APO TË FAVORIZUARA NGA LEGJISLACIONI SHQIPTAR?

Në shqyrtimin e raporteve të vajzave dhe të grave me strukturat shtetërore, të qendrës dhe ato vendore, rëndësi të veçantë kanë edhe çështje të tilla: Si i favorizojnë aktet ligjore dhe nënligjore vajzat e gratë në veprimtarinë e tyre profesionale e shoqërore? A realizohen në praktikë favorizime të tilla nga nëpunësit? si i përjetojnë vajzat dhe gratë favorizimet e veçanta nga legjislacioni etj?
Është shumë e vogël, vetëm 3.91 për qind pesha specifike e vajzave dhe e grave të anketuara që mendojnë se ligjet dhe aktet nënligjore të aprovuara në Shqipëri gjatë 7-8 viteve të fundit i favorizojnë shumë ato. Më shumë se gjysma e tyre janë shprehur se një legjislacion i tillë nuk i favorizon fare vajzat dhe gratë (12.61 për qind) ose se i favorizon pak (41.74 për qind). Natyrshëm shtrohet çështja: Si e përjetojnë një situatë të tillë ligjore vajzat dhe gratë?
Rezultatet kryesore të anketimit pasqyrohen në tabelën e poshtëshënuar:

Si e konsiderojnë vajzat dhe gratë e anketuara favorizimin e tyre prej legjislacionit (në përqindje)

Rreth gjysma e vajzave dhe e grave të anketuara shprehen se dëshirojnë të favorizohen nga legjislacioni për t’u punësuar sipas specialitetit. Veç të tjerash, kjo tregon se ato e shohin të ardhmen e tyre të lidhur me afirmimin në fushën e veprimtarisë profesionale. Ndërkohë që mjaft burra kanë braktisur profesionin për t’u marrë me tregti, një orientim i tillë i vajzave dhe i grave drejt profesionit është jo vetëm më realist, por edhe më vizionar e më i dobishëm për shoqërinë, për të tanishmen dhe sidomos për të ardhmen e saj.
Afro një e pesta e të anketuarave dëshirojnë që legjilacioni t’i lehtësojë nga barra e rëndë e punëve shtëpiake. Gjatë 4-5 viteve të fundit në “axhendën” e punëve të përditshme, veçanërisht në qytetet e mëdha, grave u është shtuar edhe një detyrë, sa e rëndë aq edhe stresuese; përkujdesja për fëmijët e vegjël, që shkojnë në kopësht dhe në shkolla, me qëllim që ata të mos i rrëmbejnë trafikantët. Një mesogrua, e cila gjatë viteve ’80 kishte punuar si tipografe në Kombinatin Poligrafik u shpreh gjithë indinjatë: “Më mirë të sfilitesh duke punuar turni i tretë sesa të jetosh çdo ditë me ankthin se mund të rrëmbejnë fëmijën. Na dëbuan nga puna e shtetit, por na u shtua punë mbi punë”.
Në fshatra gratë mbajnë peshën kryesore të punëve të pamekanizuara, sfilitëse, që kryhen në ekonomitë e vogla bujqësore familjare. Legjislacioni dhe zhvillimet ekonomike mund dhe lipset t’i lehtësojnë gratë nga detyrime të tilla. Për këtë është e nevojshme që të realizohen hap pas hapi një sistem reformash ekonomiko-shoqërore, të cilat të synojnë plotësimin sa më korrekt të kërkesave vetjake të çdo individi të shoqërisë. Në këtë kuadër edhe të vajzave e të grave.
Rreth një e katërta e të anketuarave pohojnë se do të dëshironin që legjislacioni t’i favorizonte në veprimtari që evidentojnë më mirë aftësitë e tyre si veprimtare shoqërore (11.95 për qind), si drejtuese të partive e të shoqatave politike (6,52 për qind) dhe në fushën e krijimtarisë artistike, shkencore etj. (6.74 për qind) etj. Është shumë e ulët, vetëm 4.80 për qind pesha specifike e vajzave dhe e grave nga fshati (rreth 11.25 për qind më e ulët se ajo e shoqeve të tyre nga qyteti), që shpresojnë lehtësira nga legjislacioni për t’u angazhuar në veprimtari politike dhe shkencore e artistike. Ndërkohë, është më e lartë, rreth 11.03j për qind pesha specifike e grave nga fshati, në krahasim me ato nga qyteti, që kërkojnë mbrojtje ligjore për t’u lehtësuar nga barra e punëve të rënda në ekonominë shtëpiake.
Pavarësisht nga legjislacioni, rreth 72 për qind e vajzave dhe e grave të anketuara pohojnë se nëpunësit e organeve të pushtetit vendor nuk i favorizojnë ose i favorizojnë fare pak për zgjidhjen e problemeve që i shqetësojnë si vajza, si gra e si nëna. Shumica e të anketuarave shprehen se edhe nëpunësit e organeve të drejtësisë janë pak të predispozuar të ndihmojnë vajzat dhe gratë në zgjidhjen e problemeve gjyqësore.
Natyrshëm shtrohet çështja: nëpunësit e ç’përkatësie gjinore i stigmatizojnë më shumë me paragjykime përçmuese ose i ndihmojnë më shumë vajzat dhe gratë e anketuara?
Disa nga të dhënat kryesore të anketimit përmblidhen në grafikun vijues:

Fusha e veprimtarisë, ku do të parapëlqenin t’i favorizonte më shumë legjislacioni vajzat dhe gratë (në përqindje)

Rreth gjysma e vajzave dhe e grave të anketuara shprehen se dëshirojnë të favorizohen nga legjislacioni për t’u punësuar sipas specialitetit. Veç të tjerash, kjo tregon se ato e shohin të ardhmen e tyre të lidhur me afirmimin në fushën e veprimtarisë profesionale. Ndërkohë që mjaft burra kanë braktisur profesionin për t’u marrë me tregti, një orientim i tillë i vajzave dhe i grave drejt profesionit është jo vetëm më realist, por edhe më vizionar e më i dobishëm për shoqërinë, për të tanishmen dhe sidomos për të ardhmen e saj.
Afro një e pesta e të anketuarave dëshirojnë që legjilacioni t’i lehtësojë nga barra e rëndë e punëve shtëpiake. Gjatë 4-5 viteve të fundit në “axhendën” e punëve të përditshme, veçanërisht në qytetet e mëdha, grave u është shtuar edhe një detyrë, sa e rëndë aq edhe stresuese; përkujdesja për fëmijët e vegjël, që shkojnë në kopësht dhe në shkolla, me qëllim që ata të mos i rrëmbejnë trafikantët. Një mesogrua, e cila gjatë viteve ’80 kishte punuar si tipografe në Kombinatin Poligrafik u shpreh gjithë indinjatë: “Më mirë të sfilitesh duke punuar turni i tretë sesa të jetosh çdo ditë me ankthin se mund të rrëmbejnë fëmijën. Na dëbuan nga puna e shtetit, por na u shtua punë mbi punë”.
Në fshatra gratë mbajnë peshën kryesore të punëve të pamekanizuara, sfilitëse, që kryhen në ekonomitë e vogla bujqësore familjare. Legjislacioni dhe zhvillimet ekonomike mund dhe lipset t’i lehtësojnë gratë nga detyrime të tilla. Për këtë është e nevojshme që të realizohen hap pas hapi një sistem reformash ekonomiko-shoqërore, të cilat të synojnë plotësimin sa më korrekt të kërkesave vetjake të çdo individi të shoqërisë. Në këtë kuadër edhe të vajzave e të grave.
Rreth një e katërta e të anketuarave pohojnë se do të dëshironin që legjislacioni t’i favorizonte në veprimtari që evidentojnë më mirë aftësitë e tyre si veprimtare shoqërore (11.95 për qind), si drejtuese të partive e të shoqatave politike (6,52 për qind) dhe në fushën e krijimtarisë artistike, shkencore etj. (6.74 për qind) etj. Është shumë e ulët, vetëm 4.80 për qind pesha specifike e vajzave dhe e grave nga fshati (rreth 11.25 për qind më e ulët se ajo e shoqeve të tyre nga qyteti), që shpresojnë lehtësira nga legjislacioni për t’u angazhuar në veprimtari politike dhe shkencore e artistike. Ndërkohë, është më e lartë, rreth 11.03j për qind pesha specifike e grave nga fshati, në krahasim me ato nga qyteti, që kërkojnë mbrojtje ligjore për t’u lehtësuar nga barra e punëve të rënda në ekonominë shtëpiake.
Pavarësisht nga legjislacioni, rreth 72 për qind e vajzave dhe e grave të anketuara pohojnë se nëpunësit e organeve të pushtetit vendor nuk i favorizojnë ose i favorizojnë fare pak për zgjidhjen e problemeve që i shqetësojnë si vajza, si gra e si nëna. Shumica e të anketuarave shprehen se edhe nëpunësit e organeve të drejtësisë janë pak të predispozuar të ndihmojnë vajzat dhe gratë në zgjidhjen e problemeve gjyqësore.
Natyrshëm shtrohet çështja: nëpunësit e ç’përkatësie gjinore i stigmatizojnë më shumë me paragjykime përçmuese ose i ndihmojnë më shumë vajzat dhe gratë e anketuara?
Disa nga të dhënat kryesore të anketimit përmblidhen në grafikun vijues:

Nëpunësit që i favorizojnë dhe që i paragjykojnë më shumë vajzat dhe gratë (në përqindje)

Siç shihet, ëshë më e lartë pesha specifike e vajzave dhe e grave të anketuara që ndjehen më të paragjykuara dhe ndihmohen më shumë nga nëpunësit meshkuj. Këtu duket sikur kemi të bëjmë me një kontradiktë. Në të vërtetë këtu shprehet një profil i rëndësishëm i modelimit psikokulturor të shqiptarëve, veçanërisht të burrave: prirja për të ndihmuar të dobtit, pra një respekt i tillë shprehet edhe si mëshirë. Por vajzat dhe gratë shqiptare përgjithësisht, jo vetëm, nuk e lakmojnë mëshirën, por edhe e neveritin atë. Shumica e vajzave dhe e grafe e ndjejnë veten plotësisht të afta për të përballuar vështirësitë e sfidat e jetës, madje edhe duke u kundërqendruar mendësive shoqërore, veçanërisht të burrave, të cilat përgjithësisht i kanë shpërfillur e denigruar ato duke i konsideruar si “krijesa të dobëta”, si “krijesa që u ngjiten të gjithë sëmundjet epidemike të shoqërisë”.
Është rreth dy herë më e vogël pesha specifike e vajzave dhe e grave të anketuara që mendojnë se paragjykohen më shumë nga nëpunëset femra se sa nga nëpunësit meshkuj. Por mjaft prej vajzave dhe grave mendojnë se kjo “anemi” paragjykimesh shpreh më shumë se respekt, shpërfillje të problematikës e të shqetësimeve të tyre nga shoqet nëpunëse. Një mesogrua, që gjatë 4 viteve të fundit ishte sfilitur nëpër zyrat e gjykatës e të administratës së shtetit shqiptar për problemin e rikthimit të pronave të babait, i dallonte qartë mënyrat e komunikimit, me nëpunëset femra dhe me ata meshkuj: “Përgjithësisht nëpunëset gra formalisht të presin më qetë, nuk t’i shprehin hapur as mendimet e as paragjykimet, por përpiqen të pengojnë zgjidhjen e problemit, duke ia “postuar” prapamendimet për të kolegëve ose kolegeve të tyre. Ndërsa nëpunësit meshkuj mund të presin edhe vrazhdë, madje herë-herë ashpër, por janë më të prirur ta zgjidhin çështjen dhe, për më tepër, nuk të përgojojnë, nuk e përcjellin opinionin e tyre të pafavorshëm nga njera zyrë në tjetrën”.
Mendësi të tilla provohen edhe nga një e dhënë tjetër domethënëse: pesha specifike e të anketuarëve që mendojnë se favorizohen me shumë nga nëpunësit meshkujt është rreth dy herë më e lartë se ajo që mendojnë se ndihmohen më me përparësi nga nëpunëset femra. Mjaft vajza dhe gra shprehen se “ne jemi më të prirura të bëjmë komplimente “për sy e faqe”, se sa të ndihmojmë realisht njera-tjetrën”, se “egoizmi i ndërsjellë ndërmjet femrave është më i hidhur se ndërmjet burrave”, se “po nuk e ndihmuam, së paku të mos e pengojmë njera-tjetrën” etj. Veçanërisht në kushtet e zhvillimeve të pastabilizuara, e herë-herë anarkike në Shqipëri, ku pothuajse mungojnë strukturat sociale mbrojtëse të konsoliduara, është e domosdoshme që vajzat e gratë të bëhen më të vetëdijshme dhe të vetorganizohen në formën e grupeve të presionit për realizimin në proces të të drejtave, për vetemancipimin në një shoqëri me demokraci të brishtë.

6. POZICIONIMI I VAJZAVE DHE I GRAVE NË SPEKTRIN E POLITIKËS – FAKTOR EKUILIBRIMI

Gjatë dy shekujve të fundit përdoren shpesh termat “e majta” dhe “e djathta”. Këto terma antitetike, shkruan studiuesi italian bashkëkohës Norberto Bobbio, “përdoren për të përshkruar kontrastin në mes të ideologjive dhe në mes lëvizjeve, i cili ndan në dysh universin, natyrisht konfliktual të mendimit dhe të veprimit politik. Si terma antitetike ato janë në raport me universin, të cilit i referohen, reciprokisht ekskluzivë dhe bashkëlidhurazi shterues: ekskluzivë në kuptimin se nuk ka doktrinë e as lëvizje që të jetë njëkohësisht e djathtë dhe e majtë; shterues në kuptimin që, të paktën nga një pikëpamje themelore… një doktrinë a një lëvizje do të jetë medoemos ose e majtë ose e djathtë” (1997:8). Në Shqipëri për “të djathtën” dhe “të majtën” është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet intensivisht në procesin e zhvillimit të demokracisë pluripartiake që nga fillimi i viteve ’90 të shekullit XX.
Diskutime të tilla, jo vetëm ndërmjet njerëzve të paangazhuar si rrogëtarë në politikë, por edhe në shtyp e në forumet politike, përshkohen nga paqartësitë dhe çoroditja, nga gjithfarë paragjykimesh, dhe nga kalimi i mjaft njerëzve nga njëri skaj në tjetrin: ish-komunistë ose, më saktë, ish-anëtarë të Partisë së Punës brenda një kohe fare të shkurtër u konvertuan në anëtarë ose lidër të partive të djathta; fshatarë fare të varfër bëhen anëtarë të partive të djathta dhe nënshkruajnë peticione për kthimin e tokave ish-pronarëve të para Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë tregtarë të rinjtë suksesshëm, të cilët nuk kishin aderuar asnjëherë në ish-Partinë e Punës bëhen anëtarë të partive të reja komuniste të formuara në Shqipëri gjatë dhjetë viteve të fundit dhe i ndihmojnë ato financiarisht.
Gjithashtu kanë ndryshuar shumë edhe përfytyrimet e mendësitë e shumicës së shqiptarëve për “të majtën” dhe “të djathtën”. Gjatë viteve të regjimit socialist (1945-1990) forcat politike të afishuara si të djathta u persekutuan në forma të ndryshme deri në më të skajshmet.
Edhe studiues të huaj kanë konstatuar se regjimi komunist në Shqipëri jo vetëm nuk ishte, por edhe nuk përpiqej të bënte “një farë kozmetike” për t’u paraqitur më i liberalizuar në marrëdhëniet me kundërshtarët e vet politikë të djathtë, siç ndodhte herë pas here në vendet e tjera ish-socialiste të Lindjes, veçanërisht pas vdekjes së Stalinit. (Rothschild, J; 1998: 145-148). Madje, sa më shumë përparonin reforma me natyrë demokratizuese në fushën ekonomike, politike e ideokulturore në vendet e tjera ish-socialiste, sidomos që nga fillimi i viteve /70 të shekullit XX, aq më shumë komunistët shqiptarë në pushtet përforconin masat e shumanshme për ta izoluar shoqërinë shqiptare nga ndikimi i reformave të tilla, të cilat i karakterizonin si “degjeneruese, revizioniste”. Në kundërshtim me idetë e praktikat e sovjetikëve për rihabilitimin e të djathtëve “me qëllim që të krijohej një unitet i ri social” dhe me praktikat e revolucionit kulturore proletar të zhvilluar në Kinë, që i çelte rrugën edhe afirmimit të rrymave kulturore e artistike të orientimit të djathtë (PPSH, 1986: 233-241) regjimit monist në Shqipëri përpiqej intensivisht me metoda të sofistikuara e deri represive për të çrrënjosur nga shoqëria shqiptare gjithçka që në një mënyrë ose tjetër kishte të bënte me të djathtën.
Në këtë kohë, me përjashtim të të burgosurve politikë, pothuajse askush tjetër jashtë burgut nuk guxonte ta deklaronte publikisht veten të djathtë. Ishte krijuar mendësia se ta etiketoje veten “të djathtë” ishte njësoj si të deklaroje se vuan nga “një sëmundje ngjitëse shoqërisht shumë e rrezikshme, ndaj një pacient i tillë ishte e dmosdoshme të izolohej në burg.” Ata persona të cilët nuk u burgosën ose nuk u internuan nga strukturat përkatëse të regjimit komunist e fshihnin me kujdes të kaluarën e tyre si pjesëtarë të forcave politike të djathta, madje përpiqeshin të afishoheshin si të majtë me qëllim që të ruanin vendin e punës, të siguronin të drejta studimi për fëmijët etj. Të krijohej iluzioni se pothuaj gjithë shoqëria shqiptare gjatë periudhës së regjimit socialist ishte e pozicionuar në skajin e majtë të spektrit politik ose shumë pranë këtij skaji.
Në shtjellën e zhvillimeve demokratike pas-komuniste gjatë dhjetë viteve të fundit shoqëria shqiptare “u zhvendos” ose, më saktë, u krijua iluzioni se u zhvendos në anën e djathtë të spektrit politik. Veçanërisht gjatë gjysmës së parë të viteve ’90 të shekullit XX, një pjesë aktive e opinionit politik e konsideronte të majtën si “sëmundje leproze”. Shumica e njerëzve përpiqeshin të largoheshin nga “një sëmundje” e tillë. Edhe një pjesë e ish-anëtarëve më fanatikë të Partisë së Punës nisën të vetëparaqiten si demokratë, madje edhe si liberalë dhe si antikomunistë. Kjo frymë kalimi nga skaji i majtë në atë të djathtë të spektrit politik u shpreh në mënyrë sintetike në deklarimin publik të një deputeti në sallën e Kuvendit të Shqipërisë: “më mirë fashist se komunist”. Pas Luftës së dytë Botërore një deklarim i tillë në çdo vend të Evropës do të provokonte protesta të fuqishme të njerëzve përparimtare brenda dhe jashtë sallës së parlamentit.
Natyrshëm shtrohen pyetjet: Në këtë vorbull kalimesh reale, ose, më së shumti, në mendësi nga skaji i majtë në atë të djathtë të spektrit politik ose anasjelltas, si janë pozicionuar politikisht vajzat dhe gratë? Si ndikon pozicionimi i grave në “atlasin” e ndryshimeve politike në shoqërinë shqiptare të ditëve tona? Çfarë rrjedhojsh do të sillte në zhvillimet politike rritja e shkallës së aktivizimit të vajzave dhe të grave në jetën politike të Shqipërisë? etj.
Disa të dhëna kryesore të anketimit për pozicionimin e vajzave dhe të grave në spektrin politik jepen në tabelën e poshtëshënuar:

TABELA: Si i vlerësojnë vajzat dhe gratë e anketuara bindjet e veta politike (në përqindje)

Siç shihet nga këto shifra, shumica dërrmuese e vajzave dhe e grave të anketuara (nga 77 për qind deri në 90 për qind) janë shprehur se e ndjejnë veten të pozicionuara në atë që përgjithësisht konsiderohet si “zona më e ekuilibruar e spektrit politik”, domethënë se “zonën” që shtrihet nga qendra e majtë në qendrën e djathtë. Është shumë e vogël pesha specifike e grave dhe e vajzave që i cilësojnë bindjet e tyre të skajit të majtë ose të djathtë. Edhe në këtë aspekt të formimit politik të vajzave dhe grave ka vijimësi. Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, vajzat dhe gratë shqiptare, si ato që përkrahën aktivisht politikën e Partisë së Punës, ashtu edhe ato që e kundërshtuan fshehurazi një politikë të tillë, asnjëherë nuk u shpërfaqën me pikëpamje e qëndrime të skajshme (Hobsbawm, H., 1994:407). Përgjithësisht edhe gjatë shekullit XX, që është karakterizuar si epoka e ekstremeve, vajzat dhe gratë shqiptare nuk u “infektuan nga epidemia aq problematike e skajshmërive”.
Bindje e qëndrime të tilla politike të ekuilibruara të vajzave dhe të grave shqiptare prcaktohen nga bashkëndikimi i disa faktorëve shoqërorë e psikokulturorë. Me mirësinë dhe shpirtgjerësinë e tyre vajzat dhe gratë, veçanërisht nënat shqiptare, tradicionalisht kanë ndikuar për “të ftohur gjakrat” në sherret e ndezura ndërmjet burrave, për të kapërcyer mosmarrëveshje të zakonshme deri te konfliktet më të mprehta. Madje, në jo pak raste, fjala e ngrohtë e nënave ka ndërprerë “zinxhirin tragjik të gjakmarrjes”, që i asfiksonte jetën shumë burrave e djemve të rinj në rrjedhën e shumë breznive. Gjithashtu vajzat, gratë dhe sidomos nënat, kanë qenë dhe janë shumë të përkushtuara për të ndihmuar anëtarët të tjerë të familjes, për të humanizuar marrëdhëniet në familje dhe ndërmjet të afërmve, imponojnë më shumë korrektësi në sistemin e marrëdhënieve shoqërore. Ndaj jam i mendimit se rritja e shkallës së pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në jetën politike do të ushtrojë një ndikim të ndjeshëm për ç’tensionimin e “klimës politike mjaft të acaruar” në vendin tonë, do të gjallërojë një frymë mirëkuptimi dhe një kulturë tjetër komunikimi ndër politikanët e orientimeve të ndryshme, do të shërbente si një faktor i rëndësishëm për kufizimin dhe shërimin e “plagës-gangrenë” të korrupsionit që po “paralizon arteriet” kryesore të zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
Edhe në shkallë botërore po rritet roli i vajzave dhe i grave në përpjekjet e shumanshme për të larguar zhvillimin e shoqërisë nga dhuna e skajshme, për të ekuilibruar proceset e ndërlikuara socialkulturore etj. Kjo ide është argumentuar, jo vetëm nga studiues të shkencave sociale, por edhe nga teologë të feve të ndryshme, të cilat përgjithësisht kanë qenë dhe janë të orientimit mashkullor. Për këtë çështje me rëndësi mbarëbotërore, përfaqësues të shquar të Fesë Baha-i, ndër të tjera, kanë shkruar: “Në të kaluarën bota ka qenë qeverisur me anë të forcës dhe burri ka sunduar mbi gruan për arsye të cilësive të tij më të dhunshme e agresive, si të trupit dhe të mendjes. Por ekuilibri tashmë është duke ndryshuar, forca po e humbet mbizotërimin e vet dhe mprehtësia e mendjes, intuita e cilësitë shpirtërore të dashurisë e të shërbimit, në të cilat gruaja është e fortë, po shkojnë në ngjitje. Pra, epoka e re do të jetë një epokë më pak mashullore dhe e përshkruar më shumë nga ideale femërore, ose më saktë, do të jetë një epokë në të cilën elementët mashkullorë e femërorë të qytetërimit do të jenë më mirë të balancuar “ (Hatçer, U.-Daglles M., 1994:73). Edhe në shoqërinë shqiptare po shtohet prania e idealeve dhe e balancave të tilla.
Ndikimi i vajzave dhe grave në spastrimin e politikës shqiptare nga “llumi i veseve”, në humanizimin e marrëdhënieve ndërmjet politikanëve që i konsiderojnë rivalët jo si kundërshtarë, por si armiq, përforcohet edhe nga një veçori dalluese në modelimin psiokokulturor të shqiptarëve. Përgjithësisht në Shqipëri burrat janë mjaft të vrazhdë në komunikimet me njëri – tjetrin, përdorin një zhagon të tejrënduar me fjalë fyese e shprehje vulgare. Përgjithësisht e konkurrojnë me ashpërsi njëri-tjetrin. Mirëpo gjithsesi janë të prirur të krijojnë, si të thuash, ortakëri nga më të çuditshmet për interesa të caktuara progmatike. Përvoja tregon se pothuajse në çdo rast, kur në kolektivat ose në grupimet e burrave “depërtojnë” me punë vajza ose gra, gjithë sistemi i marrëdhënieve ndërmjet tyre ristrukturohet gati rrënjësisht.
Ndryshe nga shumica e italianëve, të cilët në komunikimet me njeri-tjetrin dhe me femrat pothuajse gjithnjë përdorim një “fond” të konsiderueshëm të të ashtuquajturit zhargon i pistë, në prani të vajzave dhe të grave burrat shqiptarë përgjithësisht komunikojnë më me takt me njëri-tjetrin, nuk përdorin fjalë e shprehje vulgare. Një nga studiueset e huaja që e ka njohur më mirë formimin psikokulturor të shqiptarëve, Edith Durham, që në vitet ’30 të shekullit XX, vinte në dukje se me gjithë punët e rënda që kanë mbi supe, gratë nuk janë aq të shtypura sa duken, burrat i trajtojnë me njëfarë fisnikërie të ashpër dhe i respektojnë, ata janë shumë të kursyer e të përmbajtur në përdorimin e fjalëve e të gjesteve fyese në prani të grave, të cilat shpesh i quajnë fisnike (1990:91-92, 544-5445). Megjithë ndryshimet që kanë ndodhur, një dukuri e tillë është mjaft vepruese edhe në marrëdhëniet ndërmjet burrave dhe grave në ditët tona.
Gjithashtu nën trysninë e shikimit të “syve” të vajzave dhe grave, burrat janë më të vetëpërmbajtur në veprimet e tyre abuzive, janë më pak të prirur të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për qëllime korruptive etj. Ndaj, sidomos gjatë 4-5 viteve të fundit pronarët e firmave private, drejtues të institucioneve të ndryshme shtetërore etj., janë përpjekur vazhdimisht, në forma të maskuara dhe herë-herë fare haptazi për të mënjanuar gratë sidomos në ato sektorë ku “luhet më drejtpërdrejtë loja e interesave vetjake” të pronarëve të firmave private ose të nëpunësve të lartë, siç janë tenderat etj.
Në rrethana të tilla mjaft vajza ose gra në rolin e sekretares po zëvendësohen nga burra me mjekër e mustaqe. Nën zë qarkullojnë mendësitë: “ryshfetet e tenderave ndahen jo nën hijen e flokëve të grave, por nën hijen e mustaqeve të burrave”, “në vitet e ekonomisë së tregut gratë i shkurtuan flokët për të qenë më transparente, ndërsa burrat i zgjatën jo vetëm flokët, por edhe mjekrën e mustaqet për të mbuluar me to gjithfarë pisllëqesh në maratonën e korrupsionit”, “nga ndershmëria apo nga frika gratë i shmangen batakut të korrupsionit” etj. Ndaj mendojmë se rritja e shkallës së pjesëmarrjes së vajzave dhe të grave në jetën politike, si të thuash, do të injektojë një frymë antikorruptive në gjithë sektorët e veprimtarive në shoqëri, veçanërisht në politikë.