Edith Durhami në mesin e zakoneve shqiptare
I. Edith Durham për Shqipërinë dhe shqiptarët
Në dedikimin që ia bënë Mis. Durhamit, në hyrje të veprës së tij “Shqipëria: Kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, Faik Konica shkruan:
Meri Edith Durhamit
Mikes së përjetshme të popullit
Shqiptar
Studiueses së zellshme të dokeve
Dhe historisë
Kontribueses së rilindjes së tyre
Kombëtare
I kushtohet ky libër
Si shenjë e vogël adhurimi
Dhe mirënjohje
Mjafton që këto pak fjalë, që i madhi Konicë i shkruan për Mis. Durhamin, të lexohen me kujdes dhe prej tyre të kuptohet se roli i saj ishte i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Duke i shtuar kësaj edhe një fakt tjetër, që Konica përgjatë veprës së tij madhështore të cituar më lartë, vazhdimisht i referohet, përpos shumë veprimtarëve të tjerëve, edhe kësaj zonje të nderuar angleze, vërtetë ndizet kërshëri e veçantë se kush ishte ajo dhe cili ishte misioni i saj në Shqipëri.
Meri Edith Durham, e lindur në Londër më 1863, me rrugëtimet e shumta dhe punën e saj të çmuar nëpër trevat shqiptare dhe për çështjen e tyre kombëtare, nuk është zbulim në historinë e kronikanëve të huaj që e vizituan Shqipërinë. Ajo do të përcjellë traditën e vjetër të kronikanëve të huaj, që i kishte rrënjet qysh nga shek. XIV. Ajo do të ndjekë rrugën e Lordit Bajron, bashkëvendasit të saj, i cili me përshtypjet e tij prej romantiku i la historisë së Shqipërisë si dhe veprës së tij krijuese gjurmë të pashlyeshme.
Por, Mis. Durhami me punën e saj të përkushtuar prej antropologeje do të bëhet pjesë e pandashme e historisë së popullit shqiptar më shumë se gjithë të tjerët, që e vizituan Shqipërinë para saj dhe ata që do të vijnë pas.
Shqipëria dhe shqiptarët i ruajnë edhe sot kujtimet e ngrohta për Mis. Durhamin. Dhe, po të shkosh sot në trevat që ajo i quan “Shqipëria e epërme”, do të gjesh në kujtesën e tyre, të freskët kujtimin për të, si dhe emërtimin që ajo e mbanë me plot meritë nga shqiptarët “mbretëresha e pakurorëzuar e Shqipërisë”.
Një motiv dhe një arsye krejt e rastësishme e hedh një ditë në rrugët e jetës antropologen angleze. Dhe në interes të interesimeve të saj prej kurreshtareje, si dhe fatit të shqiptarëve, udhëtimet e saj koincidojnë me ngjarje të mëdha kombëtare e historike, që e shënojnë popullin shqiptar në atë kohë.
Tragjizmi dhe pozita e rëndë shoqërore e politike, në të cilën ndodhej populli shqiptar bëjnë që ajo të bëhet jo vetëm një e interesuar për gjurmime antropologjike, për doke e zakone si dhe fenomene të tjera të rëndësishme për kulturën e popullit shqiptar, por edhe “pjesëmarrëse e drejtëpërdrejtë e ngjarjeve nga të cilat përcaktoheshin fatet e këtij vendi, u bë pra një luftëtare e çështjes shqiptare”.1
Koha mjaft e gjatë, që ajo kaloi nëpër shkrepat e këtij Kopshti Shkëmbor të Evropër Juglindore, por edhe nëpër qarqet zyrtare që atë kohë përqendroheshin nëpër qytete siç ishte Shkodra solli një vëllim të konsiderueshëm, që kur një huaj e shkruan për shqiptarët, do të thotë jo pak për kulturën dhe historinë e tyre.
Sot, në gjuhën shqipe kemi të përkthyera gjashtë vepra të Mis Durhamit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Duke u nisur nga faktit që kjo nuk është e tëra që ajo shkroi për shqiptarët, por ekziston edhe një numër i konsiderueshëm korrespondencash, letrash e ditarësh të saj, që janë ende të papublikuara, lirisht mund të themi se Mis Durhami meriton vëmendje të veçantë dhe nder të madh në panoramën historike të popullit shqiptar.
Një vështrim i shkurtër, siç është jetë ky, mund të arrijë të prek vetëm disa çështje nga korpusi i madh i pikëshikimeve që ajo arriti t’i përmbledh në veprën e saj. Por, përpjekjet do të kufizohen në çështjen e kërkimeve antropologjike që ajo bëri nëpër Shqipëri.
II. Edith Durhami – Mbretëresha e Malësisë së Veriut
Në fillim të shek. XX, në vendin e shqiponjave përmes liqenit zbret nga Mali i Zi në Shkodër artistja, historianja, shkrimtarja, etnografja, infermierja, gruaja e parë reportere e luftës, heroina dhe legjenda vetë, Edith Durhami.
Kështu do të shkruaj me plot të drejtë mikesha dhe kolegia e saj Aubrey Herbert, më 1918. Dhe me të vërtetë Mis Durhami meriton më shumë se epitetet e sipërpërmendura. Me dashurinë e saj të madhe ajo do të bëhet bashkëluftëtare e popullit shqiptar në rrugën e tij për çlirimin kombëtar. Ajo do të jetë aty ku të varfërit kanë nevojë për ndihmën materiale, pranë të sëmurëve dhe të plagosurve duke u ndihmuar atyre me fjalë e me ilaqe, ajo do të rrahë dyert e botës e do të shkruaj faqe të tëra gazetash perendimore vetëm me një qëllim, që t’a sensibilizojë çështjen shqiptare. Me një fjalë ajo do të hyjë thellë në shpirtin e shqiptarit, t’a studiojë e t’a njohë mirë atë, në mënyrë që të bëhet pjesë e pandarë e këtij shpirti deri në momentet kur i la lamtumirën kësaj bote.
Thuhet se shpirti i një populli njihet më së miri përmes kulturës së tij. Duke e njohur mjaft mirë prejardhjen e lashtë të shqiptarëve, Mis Durham nuk e pat të vështirë t’i studiojë dhe t’i përshkruaj traditat dhe kulturën shqiptare.
Një vend të prapambetur, siç ishte Shqipëria e asaj kohe, ajo do t’a shikojë si një gurrë të pashterrur traditash e kulture. Ajo do t’a quaj jorastësisht “vend i së kaluarës” si dhe për të ky regjion nuk do të jetë diçka e huaj dhe e panjohur, por një lloj pasqyre ku bota perendimore mund t’a shihte vetveten në periudhat më të hershme të zhvillimit të saj. Pra, ajo ishte e vetëdijshme se kishte arritur t’i prekte gjurmët e një civilizimi të lashtë evropian, mjerisht të mbërthyer nën prangat e robërisë shekullore, që e kishin bërë këtë vend të vendnumëronte me shekuj.
Krahas aktiviteteve politike e shoqërore nga më të ndryshmet , meqë i takonte fushës së antropologjisë, ajo do të mbledhë kudo që të shkojë gjurmë dokesh e zakonesh e folklori popullor shqiptar.
Me pendën e saj si dhe ngjyrat arriti të vizatojë shumë prej motiveve dhe elementeve karakteristike të botës shqiptare për t’i përmbledhur një ditë të gjitha në një vëllim të konsiderueshëm.
III.Kanuni i Lekë Dukagjinit në kontekstin historik e kulturor
“Për të gjitha zakonet, ligjet dhe doket, njerëzit si rregull kanë vetëm një shpjegim: Është në Kanunin e Lekës”2 , në këtë mënyrë Mis. Durhami do t’a përkufizojë linjën e përgjithshme të mentalitetit të popullit shqiptar.
Çka do të thotë kjo? Edhe pse me dyshim flet për ekzistimin e kodifikuesit të këtyre ligjeve të egra, Lekë Dukagjinin, ajo do t’i jap atij një rëndësi të madhe dhe të veqantë, si dhe do ta citojë dhe do t’i referohet vazhdimisht.
Kontestueshmërinë e ekzistimit të Lekë Dukagjinit do t’a vë në shprehje edhe një udhëpërshkruese tjetër, e cila dhjetë vjet më vonë se Mis. Durhami do të shëtisë nëpër trojet e Malësisë së Madhe dhe do të shkruaj pastaj një libër të mrekullueshëm për traditat e tyre. Është kjo Rouz Uajlder Lein nga Kalifornia dhe libri i saj “Majat e Shalës”, libër ky, i cili i është ofruar lexuesit shqiptar i përkthyer në gjuhën shqipe.
“I vetmi ligj është ligji moral, i detyruar nga tradita, nga zakoni dhe nga pajtimi i përbashkët”3, kështu do të shkruaj Rouz Uajlder Lein derisa përshkruan organizimin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Dhe shih për këtë ajo do të vazhdojë duke mos hezituar që t’a shprehë rezervën e saj për çështjen që e shtruam më lartë. “Ka një traditë se të gjitha këtyre fiseve u është dhënë që moti ky ligj moral nga një burrë i quajtur Lekë, por pa dyshim ky është një mit që është pasuruar gjatë shekujve”4. Pra, ishin këto dy pikëshikime të krahasuara nga dy udhëpërshkruese të huaja që i bëjnë figurës së jashtëzakonshme shqiptare të quajtur Lekë Dukagjini.
Ajo që dukej qartë se ai ishte përpjekur të bënte, ishte t’u vinte fre krimeve duke vendosur ndëshkime të ndryshme. Mis Durhami njihej mjaft mirë me realitetin shqiptar dhe kishte, siç shihet nga shkrimet e saj, të dhëna të mjaftueshme dhe mjaft të sakta lidhur me kanunin. Ato i kishte grumbulluar prej përvojave të malësorëve si dhe kishte bërë një qasje shumë konkrete në fund duke provuar t’a rrumbullaksonte në një nga kapitujt që paraqet tek libri Prejardhja e disa fiseve dhe disa kanune e zakone të Ballkanit. Kishte vërejtur edhe ndikimet që qeveria turke kishte pasur në këtë kod, por thelbi i tij dhe baza në të cilin ai mbështetej ishte dhe mbetej fisi.
Në një shoqëri të pacivilizuar dhe veç asaj të diktuar nga rrethana të egra politike e shoqërore, nën thundrën e huaj, një organizim hierarkik fisnor, siç do të shpjegojë me hollësi Mis Durhami është për t’u admiruar. Rregullat që dilnin nga Kanuni i Lekë Dukaginit ishin aq të respektuara saqë e mahnitën në masë të madhe zonjën angleze. Le të jenë ato sado të egra, ato respektoheshin dhe e drejtonin jetën e shqiptarëve në të gjitha segmentet e saj.
Pse po nisemi nga kjo? Kërkimet e saj në fushën e antropologjisë në tërësi u kushtëzuan me njohjen e më shumë fakteve për Lekë Dukagjinin, por përveç që thekson, që “fama e tij midis fiseve, që ende ruajnë emrin e tij, ia ka kaluar famës së Skenderbeut dhe ai mbetet i rrethuar nga një mjegull mitologjike”5, ajo nuk arrinë të jep më shumë fakte.
Në një vend tjetër do të theksojë se “Kanuni i Lekë Dukagjinit është i periudhës paraturke dhe që nga mesjeta ka vazhduar të jetojë i pandërprerë nga pushteti. Ka madje edhe disa personalitete që janë të mendimit se ky ligj i pashkruar i malësisë ka dalë nga lashtësia e largët dhe është ligji më i vjetër ekzitues në Evropë”6. Me seriozitetin e saj prej hulumtuesje na dëshmon se faktet i jep me një korrektësi dhe vërtetësi historike, gjë që sipas kësaj do të thotë se ajo asnjëherë nuk i shmanget gjenealogjisë duke e vënë në pah dhe pikërisht Kanuni i Lekë Dukagjinit do të jetë një ndër fokuset e saj thuajse të përhershme.
Qasja që i bënë ajo këtij kodi penal është shumë sfiduese dhe megjithë vërejtjet dhe kritikat e rastit varësisht prej tij del se Mis Durhami Kanunin e Lekë Dukagjinit e sheh si një bazë të fortë mbi të cilën zhvillohen frytet e një civilizimi, që i ka rrënjët thellë në historinë e mbarë njerëzimit.
Do të provojmë të sjellim këtu disa aspekte të fenomeneve të ndryshme, dokeve e zakoneve shqiptare, të cilat domosdo ishin të harmonizuara sipas kanunit të Lekë Dukagjinit, shikuar nga prizmi i një antropologeje angleze, hulumtuesje të palodhur të këtyre fenomeneve.
IV. Disa pikëpamje mbi gjakmarrjen
“Këtu të dalësh pa pushkë, është njëlloj si të dalësh pa çadër në Angli e të ankohesh se u lage”7, kështu thotë Mis Durhami me një intonacion krejt të rëndomtë duke reflektuar dhe rrezatuar një kuptim të thellë, relativisht pozitiv në këtë rast. Vetë fakti se ajo bënë një krahasim të tillë figurash si pushkë-çadër në njërën anë dhe dukurive si lagia nga shiu-vrasja, në anën tjetër bënë të kuptojmë se fenomenin e gjakmarrjes ajo e kishte kuptuar si një dukuri negative, por të përshtatur në rrethana të caktuara shoqërore.
Shtrohet pyetja pse themi kështu? Për të shpjeguar këtë çështje mjaft komplekse lipset të pikasen edhe disa dukuri të tjera. Gjakmarrja, sipas shpjegimit të kanunit të Lekë Dukagjinit vinte si rrjedhojë e vrasjes, e vrasja ishte ndëshkim “i merituar” për njerëzit që preknin nderin e familjes.
Nga kjo shohim se nderi del institucioni më i lartë dhe i çmuar i shoqërisë së Malësisë së Veriut, në këtë kontekst.
“Çfarë vlere ka jeta e njeriut në qoftë se i njolloset nderi” kështu do të deklarohen malësorët dhe prapa kësaj do të qëndrojnë duke e mbrojtur atë edhe pse me pasoja tepër të rënda vija e gjakut pasonte gjenerata me radhë. Dhe kjo nuk është e tëra, fenomeni i quajtur ”nder” merr përmasa më të mëdha , jo vetëm në suaza individuale po edhe më gjerë. Harmonizuar sipas rregullave të kanunit, individi në malësi i nënshtrohet fisit dhe ai duhej të përgjigjej gjithashtu edhe për nderin e mëhallës, ndonjë rast edhe gjithë fisit të tij.
Pra, përkundër ligjeve angleze ku çdo gabim dënohej me ndëshkim individual, gjë që Mis Durhami do të provojë t’ua shpjegoj malësorëve, në malësi rregullat si edhe vetë jeta përcaktoheshin nga kolektiviteti, respektivisht fisi në tërësi.
Kishte vetëm një shpjegim për Mis Durhamin nga malësorët, gjaku mund të lahej vetëm me gjak. Duke e vendosur në hapësirën kohore dhe në rrethanat në të cilat kishte jetuar ai popull, Mis Durham i bënë një qasje shumë të arsyeshme duke e konsideruar përsëri kanunin si ruajtës të vlerave dhe rendit në shoqëri. Ishte e pamundur në ato rrethana të organizoje diçka të vetme në baza individuale dhe për një kolektivitet të shëndosh, kanuni me rregullat e tij tepër të rrepta sillte një stabilitet dhe rregull në shoqëri edhe pse këtë rregull dikush mund t’a keqkuptonte duke i dhënë konotacion tjetër.
Si raste të veçanta, që gjithashtu i takonin nderit dhe njëherit ndëshkoheshin me gjak janë edhe fjalët fyese. Nga kjo vërejmë se Mis. Durhami ka pikasur me syrin e saj të mprehtë, që në mesin e malësorëve kishte një mirëkuptim dhe respekt të veçantë për faktorin njeri dhe gjithçka që dilte jashtë këtyre rregullave të këtij mirëkuptimi ndëshkohej me gjak (në shoqëritë civile demokratike të kohës sonë shohim shpesh të ketë keqkuptime e mosrespektim të faktorit njeri, madje edhe në instancat më të larta dhe ky do të jetë një fakt kur Mis Durhami me plot të drejtë do t’a përkrahë shoqërinë “e egër” e të pa civilizuar shqiptare të asaj kohe).
Si një nga fyerjet më të rënda konsiderohej martesa me dikë tjetër e vajzës së fejuar. Sa i përket fejesës dhe martesës ato gjithashtu ishin të rregulluar sipas kanunit. Martesa konsiderohej e shenjtë dhe vajza kishte vetëm një mundësi t’i ikte martesës së padëshiruar, të betohej në virgjëri të përjetshme (për këtë shih kapitullin tjetër). Mis Durhami i jep të gjitha këto në formën zingjirore, në mënyrë që të jenë një tërësi e pashkëputur. Në vijimësi të tyre edhe rrëmbimi i vajzës kërkonte gjak njësoj siç kërkon gjak edhe tradhtia bashkëshortore, mirëpo kjo e fundit nuk ndodhte shpesh, shihet të ketë theksuar ajo.
Këto ishin disa nga rastet kur cenohej nderi i fisit, raste të cilat Mis Durhami me një pasion të pashoq arriti t’i ilustrojë vende vende edhe me shembuj. Por, mëtutje ajo me kërshërinë prej studiuesje nuk do të ndalet pa e prekur këtë fenomen prej të gjitha këndvështrimeve të saj.
Gjakmarrja-vrasja e zakonshme. ishin këto dy terme, që asesi nuk duhej ngatërruar. E dyta ishte pikënisje e së parës, ndërsa që e para e pasonte të dytën. Me këtë vërejmë se Mis Durhami shkonte shumë larg duke i dalluar problemet dhe analizuar ato në thellësinë psikologjike dhe emocionale. Në anën tjetër pos këtyre fakteve ekzistonin edhe dukuri të tjeta të rregulluara sipas kanunit kur vrasja përligjej e nuk dënohej fare. Ky është me të vërtetë një argument që dëshmon qëllimin e këtyre kodeve si dhe u jep atyre një konotacion etik duke i vendosur në anën e drejtësisë sado që arsyet ishin ndonjëherë të paperceptueshme dhe të padrejta. Gjaku mund të merrej me rastin e grabitjes dhe nuk kishte nevojë të lahej. Në anën tjetër nëse të afërmit e të vrarit arrinin t’a vrisnin gjakësorin në po të njejtën ditë atëherë gjaku ishte larë dhe nuk merrej më. Në rastet kur një grua ikte me dashnorin ata që të dy kishin të drejtë t’i vrisnin burri ose vëllai i saj dhe shih për këtë nuk ndëshkoheshin, por në rast se burri vriste vetëm gruan dhe jo të dashurin e saj, atëherë familja e gruas kishte të drejtë t’a merrte gjakun e të bijës.
Sipas këtyre rregullave të nxjerra këtu shihet se Lekës i atribuoheshin të gjitha rregullat që synoni ruajtjen e paqes.
Se çfarë autoriteti gëzonte miku në mentalitetin e malësorëve do të vërehet edhe nga fakti, që sipas kanunit burri përgjigjej për mikun që i vinte në shtëpi, gjithashtu ishte i detyruar t’a marrë hakun edhe për një të huaj që ka ndenjur qoftë edhe një natë në shtëpinë e tij në rast se ai sulmohej të nesërmen gjatë rrugës.
Mikpritja shqiptare është temë që mund të përmendet, por të flitet për të nevoitet një kapitull i veçantë. Kësaj radhe po e gërshetojmë sa për të ilustruar faktin që malësorët i kishin adoptuar rregullat e tyre të maleve në mënyrë që bujaria e tyre ishte në nivel shumë të lartë edhe pse gjakmarrja ishte një fenomen që do të zgjonte indinjatë tek të huajt.
Figura e mikut është e pikturuar si e shenjtë në syrin e malësorëve shqiptar. Ai do të respektohej edhe nëse ishte në gjak me familjen që e strehonte. Kishte rast kur në konakun e tij malësori mbante vrasësin e të birit dhe, edhe pasi që kuptonte se kë e kishte brenda në shtëpi, ai do të vazhdojë t’a mirëpres dhe t’i japë besë se nuk do t’i ndodh asgjë gjatë kohës sa ishte në konakun e tij. Por, me t’i kaluar besa e dhënë ai nuk do të lente pa e marrë gjakun e të birit. Mis Durham e vlerëson lartë institucionin e besës dhe figurën e mikut, fenomene këto, të cilat ishin krijuar si kult në vetëdijen e malësorve. Pra, ajo i bënë një çasje krejt shkencore fenomenit duke mos moralizuar dhe vënë para drejtësisë problemet në fjalë.
Syri i Mis Durhamit arriti të kapë atë që ishte esenciale, që kulturën dhe traditat e popullit shqiptar i veçonte gjatë shekujve dhe mbronte me të drejtë origjinalitetin e tyre.
V. Figura e gruas në veprën e Edith Durhamit dhe fenomeni i virgjëreshave të përbetuara
Në vazhdimësinë e përshkrimit dhe vlerësimit të zakoneve shqipatare, Mis Durham do të sjell në veprën e saj fenomene me shumë interes dhe do t’i vendosë ato në vazhdën e procesit jetësor e tradicional.
Gruaja për gruan, është thënie që shpesh haset në slloganet dhe programet e ndryshme të shoqatave të cilat luftojnë për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe nëse kështu do të filloj një vështrim i shkurtër për mendimin e saj për femrën shqiptare ndoshta kjo thënie do të merrte konotacione të tjera dhe do të vendosej ndoshta gabimisht në ndonjë kontekst të gabuar. Kësaj radhe kemi të bëjmë me gruan perendimore, e cila do të pikturojë portretin e gruas shqiptare me ngjyrat më interesante, pa e veshur atë me petkun e fantazisë, por gjithjnë duke e favorizuar dhe përshtaur me rrethanat ku ajo jetonte.
Derisa në njërën anë Mis Durhami do të përshkruaj statusin mjaft të ashpër të gruas, rregulluar sipas kanunint të Lekë Dukagjinit, në anën tjetër ajo do të përkrahë dhe arsyetojë në masë të madhe atë, duke ia përshtatur hirit të saj traditën e lashtë si dhe do të vë në shprehje fenomene të tjera interesante që lidheshin me fatin dhe rrugën e saj jetësore. Nëse e shikojmë figurën e gruas në kanunin e Lekë Dukagjinit, do të shohim se ajo del e diskriminuar tej mase. Këtë e ilustrojnë faktet si këto p.sh. që ajo gjithmonë blihej me para, foshnja vinte në jetë e fejuar në mënyrë të pandryshueshme dhe një pjesë e parave të blerjes paguhej menjëherë pas lindjes, një grua që mendohej se lindëte vetëm vajza ishte e pavlerë dhe nuk shpresonte të martohej përsëri, lindja e një vajze quhej fatkeqësi e shumë e shumë fakte të tjera që shprehin diskriminimin gjinor janë fakte që Mis Durhami do t’i theksojë pa hezituar në veprën e saj.
Nga kjo shtrohet pyetja se çfarë ngjyra i jep ajo figurës së femrës shqiptare? A e sheh ajo të diskriminuar atë, apo ka edhe ndonjë motiv tjetër ku mund të shihen përparësitë e saj në këtë shoqëri? Sipas vlerësimit të Mis Durhamit mbështetur në analiza të thella psikologjike që i bën ajo botës shqiptare në përgjithësi e botës së femrës në veçanti, shohim që deri në një masë ajo arrinë ta vlerësojë pozitivisht dhe vende vende t’i jap përparësi fenomenit grua. Natyrisht duke e theksua vazhdimisht diskriminimin që i bëhej asaj sipas kodeve penale, të cilat ishin të hartuara nga një burrë.
Por, megjithatë imazhi i errët që krijohet sipas rregullave të cituara më lartë ishte mjaft vështirë të zbutej me ndonjë element optimist, i cili do të shkonte në favor të gruas shqiptare. Mis Durhami me mprehtësinë e saj studiuese do të arrijë të na bind se në mesin e këtyre zakoneve të egra kishte edhe diçka që femrës i jepte përparësi. Fakti që femra në malësi ishte e mbrojtur prej çdo dhune që mund t’i vinte nga jashtë dhe në rast se ndodhte diçka e tillë vinte deri tek gjakderdhja, ilustron mirë faktin se ajo ishte e mbrojtur me ligj prej çdo të lige që mund t’i kanosej.
Por mbi të gjitha figura e virgjëreshës së përbetuar na del si më interesantja dhe ky fenomen kërkon analizë të stërholluar, përndryshe do të mbetet në hijen e paqartësisë. Kush ishin ato dhe cilat ishin kushtet që ajo duhej të plotësonte për të realizuar një gjë të tillë? Cilat ishin rrethanat që e kushtëzonin femrën shqiptare të ndërmerrte një hap të tillë? Të gjitha këto pyetje sjellin deri te një përgjigje e vetme. Ky fenomen ishte rezultat i diskriminimit që pësonte femra sipas rregullave të kanunit të Lekë Dukagjinit. Një vendim i tillë merrej zakonisht në rastet e martesave të padëshirueshme ose në raste të tjera kur familja nuk kishte trashëgimtarë dhe femra asesi nuk mund ta trashëgonte familjen. Nga kjo shohim që femra nuk kishte të drejtë t’i shpreshte pakënaqësitë e saj, ajo detyrohej të gjejë metoda të ndryshme mjaft të vështira nëse donte të ndërronte realitetin e saj. Përndryshe, gjithçka duhej t’i përshtatej ligjeve të egra të kanunit.
Në realitetin e ri të krijuar, pra pasi që ajo të jetë betuar para këshillit të burrave të fshatit për virgjëri të përjetshme, ajo është në një mënyrë e barabartë me burrin. Kësaj “barazie gjinore” Mis Durhami i jep më shumë se sa ngjyra kritikuese dhe e shikon nga këndi psikologjik, duke i dhënë figurës së femrës një
mundësi transformimi apo kushtimisht t’a quajmë mundësi ikjeje nga vetvetja. Në realitet ajo dukuri ishte një tjetërsimi nga qenja femërore, një tjetërsim i llojit të vet që pësonte ndryshime psikologjike, por edhe fizike. Ajo që nga ai moment do të vishej si burrë, kishte të drejtë edhe të mbante armë. Shoqërohej me burra dhe pinte duhan bashkë me ta. Këto janë elemente që e shprehin tjetërsimin e saj fizik për të shkuar në ekstremin tjetër ku vihet re tjetërimi psikologjik në rastet kur tregohet që ajo tani kishte të drejtë t’i shiste motrat e saj më të reja. D.m.th ajo tani kishte pësuar një transformim të qenësishëm dhe ndjenja e brishtë femërore ishte shndërruar në personalitet të ngurtë mashkullor. Përmes kësaj Mis Durhami dëshiron të paraqesë jo vetëm femrën e viktimizuar, por edhe mundësinë e saj për ikje nga vetvetja. Kjo megjithatë konsiderohej si pozitive në një masë të caktuar dhe në rrethana të caktuara. Një qasje e mirfilltë, siq është kjo që bënë Mis Durhami, mesiguri do të sjellë deri tek një kuptim i saktë i realitetit të krijuar në rrethana të caktuara jetësore.
Njëra nga figurat më së bukuri të përshkruara dhe një nga figurat më ineteresante historike shqiptare është figura e Tringë Smajës. Kjo ishte njëherit njëra ndër personazhet më të realizuara të Lahutës së Malcis’, shkruar nga i madhi At Gjergj Fishta. Trimëria e saj i kalon kornizat e asaj që mund t’a karakterizojë një femër në përgjithësi. Ja si do t’a përshkruaj Mis. Durhami takimin me të: “Tringë Smaja nga Gruda, një virgjinë shqipatre, e fortë dhe e shëndoshë, që nuk di se çështë frika, kishte rrëmbyer në Deçiç një kalush trupgjatë e të shkurtër, ngjyrë hiri, bërë si një baldosë, e kishte ngarkuar me kafe, bukë, kripë dhe kishte ardhur për të gatuar për njerëzit e fisit të Grudës”8.
Ishte takuar pra edhe vetë me të dhe nuk hezitonte t’ia veshte asaj të gjitha virtytet dhe hiret e një guaje, por edhe trimërinë dhe bujarinë e një burri. Duke gërshetuar këto elemente mes veti mund të mendojmë se kjo megjithatë reflekton një dozë përkrahje të fenomemit në fjalë.
Fenomeni i virgjëreshave të përbetuara do t’i intrigojë dhe do të jetë objekt studimi për të huajt që e vizituan Shqipërinë. Edhe në kohën e sotme kemi antropologen e njohur amerikane Antonia Young, e cila e fascinuar me punën që bënë para saj Mis Durhami, Rouz Uajlder Leini e disa udhëpërshkrueseve të tjera, do të shkojë gjurmëve të tyre dhe do të ndalet për të mbledhur fakte dhe për të bërë një studim më të plotë dhe më të thellë të fenomenit në fjalë.
Gruaja shqiptare i posedon të gjitha virtytet njerëzore, ajo në sytë e Mis Durhamit është pikturuar me ngjyra jo të errëta , pra me një dozë optimizmi gjë që tregon disponimin e saj pozitiv në këtë drejtim. Ajo përveq këtij imazhi femrën shqiptare e paraqiti edhe nga një kënd tjetër që bënë të kutojmë se ajo përveq e paemancipiuar dhe analfabete, dinte të jetë edhe e emancipuar dhe të luftonte për çështjen kombëtare në radhë me burrat. Do të jetë mahnitës takimi dhe përshkrimi që i bënë ajo shkollës së parë të vajzave dhe drejtueseve të saj në Korqë. Korqa e bukur, djep i lëvizjes kombëtare dhe qytet ku ndodhej shkolla e vetme për femra ishte në fokus të interesimeve të saj. Fjalët më të bukura do t’i thotë ajo gjatë përshkrimeve të saj për këtë shkollë të cilën “e drejtonte zonjusha Qiriazi, një mësuese trimëreshë, mjaft e aftë dhe aq entuziaste sa meritonte vlerësimet më të larta”.9
Korrektësia e madhe në mbledhjen e shënimeve, faktografia e saktë si dhe qasja shumë serioze që Mis Durhami u bënë fenomeneve të sipërpërmendura bënë të përfundojmë se ajo ishte dhe do të mbetet hulumtuesja dhe studiuesja më e zellshme, që arriti të bëhet mike e përjetshme e popullit shqiptar, si dhe të lërë gjurmë të pashlyeshme në historinë e tij.
VI. Përfundim
Këto ishin disa përpjekje për të shikuar nga disa këndvështrime veprimtarinë shumë dimesionale të Edith Durhamit në Shqipëri. Zonjës së nderuar angleze, e cila hyri në Shqipëri si “ Edithi e Londrës” dhe doli nga ajo si “Maria e Anglisë”, Mbretëreshës së Pakurorëzuar të Malësisë së Veriut, e cila do të bëhet bashkëluftëtare e denjë në rrugën e vështirë të popullit shqiptar për çlirimin kombëtar. Gruaja e rrallë që pati një vullnet dhe një moral aq të lartë. Edhe në kohën kur u kthye në vendin e saj ajo me shpirt e me mendje ishte pranë popullit që aq shumë e deshi dhe e nderoi. Të “premten e zezë” të vitit 1939, pasi mori lajmin që forcat fashiste të Musolinit invaduan Shqipërinë Mis Durhami edhe pse mjaft e shtyer në moshë (76 vjeç), do të dalë të parakalojë rrugëve të Londrës me slloganin “duart larg nga Shqipëria”. Ishte kjo dashuria e madhe e saj për Shqipërinë, e ngulitur thellë në shpirtin e një të huaje.
Me plotë të drejtë themi se figura e Edith Durhamit është një figurë çelës si për shqiptarët ashtu edhe për anglezët në zhvillimin e marrëdhënieve Shqiptaro-Angleze, marrëdhënie këto që në themelin e tyre do të kenë, ndër të tjera, edhe punën e çmueshme të udhëpërshkruesve anglezë në Shqipëri, puna e të cilëve sjell gjithashtu një burim objektesh studimi për letërsisë krahasimtare.
Ishte kjo mikja e paharruar e popullit shqiptar dhe jemi ne ata që posa të kthejmë kokën nga e kaluara do të shohim se si e çmuan të huajt këtë Kopsht Shkëmbor të Evropës Juglindore, si i panë ata vlerat e këtij populli dhe t’u jemi mirënjohës atyre duke u dhënë vendin e merituar në historinë tonë kombëtare.
___________________________________________
1 Cituar nga Kudret Isai, parathënie e veprës “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët” nga Edith Durham, Naum Veqilharxhi, Tiranë, fq.1
2 Edith Durham “Shqipëria e Epërme”, fq.116
3 Rouz Uajlder Lein “Majat e Shalës”, fq. 37
4 Po aty
5 Edith Durham
6 cituar sipas Faik Konicës “Shqipëria Kopsht Shkëmbor i Evropër Juglindore”
7 Edith Durham, Brenga e Ballkanit-Kreu VI fq. 78
8 Edith Durham, Lufta për Shkodrën, fq.267
9 Po aty, fq. 344