E shkuara blu
Përkthyesi: Arian Begaj
Veç nga “episodi konsiderohet afatmbaruar” dhe nga “lini një njoftim të shkurtër”, ç’tjetër është fotografia?
shtëpiake e kujtesës. Stenografe e saj. Ligjërata e shkurtër grafike e saj – në gojtari është kaq llafatore, saqë dendur shtrëngohet ta ndërpresë fyeshëm harresa. Është fjalori ortografik i kujtesës, kur nuk i bie mend me ç’shenja të veçme shkruhet një fytyrë e gjysmëfikur dhe me sa “kur”. Është aeropiratja e saj. E detyron kohën të këmbejë kursin dhe e mban peng mbi të pacaktuarën. Sidoqoftë, derigjithku arriftë e sigurt atje ku dëshiron nostalgjia terroriste.
Megjithëkëtë është edhe denoncuese e kujtesës fotografia. Kur ajo fshihet. Pasi vrau.
Fotogarfitë: pasuria e patundshme e kujtesës. E mbarështojnë lirshëm ikona imagjinare dhe jo-alibilindëse.
Fotografitë: aktakuza e rëndë, pasditë tona të shpeshta paraprake, kundër mosqenies “për dëmtimin e pashërueshëm trupor”, i cili do të na provokojë.
U jam mirënjohëse. Kalova me to vitbrishta të zvargura dhe fatkeqësi të mbara. Dhe lopët thatike i ushqyen dhe të majmet i paralajmëruan. Më rritën dashurira që i braktisi të vogla lindja e tyre dhe ulërinin. E paçmuara, pasi nuk lejuan askënd timin të vdesë.
Sa herë që nuk munden, shkaktarja isha unë, e cila si admiruesja e papërmbajtshme e padurimit të Orfeas, u ktheva të vështroj mbrapa, duke dhunuar marrëveshjen delikate që kisha bërë me përfytyrimin e rremë.