Duke vozitur
Përkthyesja: Enida Rusi
Një histori, një histori!
(Jepi. Tregoje.)
Kisha ardhur në këtë botë si një
parafango Plymouthi.
Në fillim erdhi djepi
me pengesat e tij të akullta.
Më pas kukullat
dhe dhënia pas buzëve të tyre plastike.
Pastaj ishte shkolla,
rreshtat e vegjël e të drejtë me karrige,
duke ndotur vazhdimisht emrin tim,
por gjithë kohës nën det,
një i huaj, krahët e ë cilit nuk punonin.
Më pas ishte jeta
me shtëpitë e saj mizore
dhe me njerëz që rrallë preken
edhe pse prekja është gjithçka –
por unë u rrita,
u rrita si një derr në një kapotë,
dhe më pas erdhën mjaft dukuri të çuditshme,
shiu i mërzitshëm, dielli që shndërrohet në helm
dhe e gjitha, sharra që çajnë zemrën time,
por unë u rrita, u rrita,
vura rubinë dhe bleva domate
dhe tani, kur jam me mes të jetës,
do të thosha nëntëmbëdhjetë në mendjen time,
po vozis, po vozis
edhe pse rremat ngjisin dhe janë ndryshkur
dhe deti vezullon e rrokulliset
si një kokërdhok i çoroditur,
por unë po vozis, po vozis,
edhe pse era më shtyn prapa
dhe e di që ishulli nuk do të jetë i përkryer,
cenet e jetës ai do të ketë,
absurditetet e tryezës së darkës,
por do të ketë një portë
dhe unë do ta hap
e do të çlirohem nga miu brenda meje
mi brejtës dhe i helmtë.
Zoti do ta kapë me duart e tij
dhe do ta përqafojë.
Siç thonë afrikanët:
Kjo që u tregova është rrëfenja ime,
në qoftë e ëmbël, në qoftë e hidhur,
shko diku tjtër dhe lër diçka të kthehet tek unë.
Kjo histori merr fund me mua që vazhdoj të vozis.