Takimi i parë me një feministe
Përkthyesja: Ilire Zajmi
Unë do të bëja më mirë sikur ti vëja kapak gojës kur dal në shëti. Dje në në vendtakim e teprova. Flitej për gjërat që shkaktojnë më shumë trishtim, dikush thoshte se s ka gjë më të trishtueshme se funeralet që nisen nga spitalet, dikush tjetër për vendet e punës në periferi, si ato që ekzistojnë edhe tani, ato që regjisorët klasikë edhe unë i quajmë “një komunitet feminist”.
Atëherë një zonjës vërtet i erdhi rëndë, dhe klithi se më mirë do të bëja të mos luaja rolin e spirituozes. Edhe që edhe shumë kolege të mia, mendonte për aktoret, kanë filluar të vetëdijësohen dhe citoi vajzushën Xhejn Fonda. Janë raste kur të vie të thuash në mënyrë spontane: “ çfarë force me atë trup, atë baba, atë vëlla e gjithçka tjetër për bukuri bile edhe at ish -burrin… “ Gabim: gruaja është e vetmuar, të afërmit nuk çojnë peshë, fizikisht ka filluar të ligështohet, dhe Xhejn ka filluar të plaket ( tani më duket se më mirë duket i ati i saj , në moshë e i pashëm edhe pse nga pikëpamja ime i përkdhelur gjithmonë)
“ Shiko, e dashur, gjinia jonë me shekuj ka ndejtur para një pasqyre” më tha një femër e ulur afër meje “ dhe për shekuj me radhë gruaja është zbukuruar për t’iu pëlqyer burrave”. Mund ta imagjinosh kënaqësinë e atyre të cilëve nuk ke dashur që t’iu pëlqesh?
“O zot” mendova “a nuk ka gjëra më të mira kjo jetë”. Por nuk hapa gojën.
“ Do të vij dita kur do të fokusojmë sytë tanë ironikë në burrat që kalojnë rrugës dhe do ta ripërtërijmë për ta kërkesën poshtëruese e cila ka kushtëzuar rininë tonë dhe ka pakësuar ndjeshmërinë tona” : “ah sa mirë”
“ Ah kjo qenka shume spirituoze” thashë duke parë disa zotërinjë që kishin hapur sytë. Vërtet, për çështje të atraktivitetit fizik ai që ndihet tërheqës është ai që gjithnjë gabohet.
“Do të vij një ditë kur burri do të shërbejë vetëm për të hedhur spermën dhe do të kalojë pranë Rakel Uelçit pa e vërejtur. Ai do ta hedh spermën edhe te ndonjë grua e trashë e padepiluar të cilës do ti vij shorti, kur e ka radhën të gjenerohet apo vetëm të dëfrehet” .
“Paj, atëherë braktisni paragjykimet “ thashë unë, pjesësisht e kënaqur.
“ Paragjykimet janë zhdukur moti! “ më tha ajo. “Nuk është koha të bëhemi psikoanaliste të të varfërve, por ka ardhur koha të bëjmë politikë”.
“ Po ju lutem , mendoni se unë nuk mbroj dhe nuk i kuptoj të drejtat e grave, pikërisht unë që kam punuar e po punoj dh Zoti e di..” fillova unë. E ajo, me një durim për t’u admiruar, por me shumë pak stil:
“Aty ku duhet të mbrohen të drejtat sistemi është i gabuar. Në një shoqëri mashkullore kjo do të ndodh gjithmonë. Të drejtat e grave do të jenë pjesë e natyrës vetëm në një shoqëri feministe. Ndoshta ti nuk mund ta kuptosh sepse nuk je një grua e vërtetë, je e ndikuar nga autoritarizmi dhe e udhëhequr nga ambiciet. E konsideron veten një grua të jashtëzakonshme , e ky është krimi më i rëndë ndaj gjinisë tënde. Ti je një shumësi e shkëlqimit dhe dobësive. Përderisa buzëqesh me modesti të rrejshme ndaj komplimenteve të këtij zotërie, që nuk është më shumë se sa një drejtues televizioni, syri yt i paturpshëm pyetet ku është feshur zotëriu që të shoqëronte. Veshja jote ka firmën e një rrobaqepësi e pasaporta jote mbiemrat e një babai e të një burri!”
Nuk munda të mos shpërthej:” Po ju zonjë, dini më tepër se një djall”.
Në këtë pikë ajo u hidhërua shumë
“Unë nuk jam një zonjë, që është femërorja e zotëriut”, protestoi ajo. Nuk di më tepër se një djall që është identifikim i vetëdijes së keqe mashkullore dhe nuk aplikoj asnjë lloj kulture që e kanë shpikur burrat. Për mua dhe për gratë e së ardhmes Leonardo da Vinçi e Musolini nuk kanë ekzistuar kurrë”.
“Nuk dua të polemizoj” thashë.
“ Ndoshta mund të debatojmë për të parin sepse ishte homoseksual” mu përgjigj, gjithnjë duke vazhduar me të sajën.
“ Jo fol për të dytin nëse mundesh, që ka qenë në gjendje t’i fekondojë të gjitha gratë, bile edhe ato më të shëmtuarat”
“ Ti meriton atë që ke” bërtiste ajo gjithnjë e më fuqishëm.
“ Unë kam vetëm gjërat që më pëlqejnë, dhe meritoj edhe më mirë. Më pëlqejnë telashet e mia ashtu si orenditë e mia: jam një grua e lumtur”.
“Ti je një skllave!.
“E ju keni ide shumë konfuze. Nuk jeni e vetmja, mos u brengosni
Pastaj i thamë njëra tjetër gjithçka” “budallaqe, idiote” e gjëra të tjera derisa shpërtheva në të qeshura. Feministja e përjetoi keq të qeshurën time dhe rriti dozën e kundërshtimit. Përfundimisht humba durimin e ia plasa në fytyrë:” A i japim fund, oj Evë e ndryrë?’
Ajo buçiti: “Ja! Pse jo Adam i ndyrë? Mashkulli është gjithmonë i privilegjuar! A e ke vërejtur që në biseda, lloji njerëz quhet njeri? E gruaja? A të ka rënë në sy se edhe në hyrjet e lokaleve publike shkruan “ fëmijët duhet të shoqërohen”? Përse nuk thuhet fëmija – për fëmijën femër ?
Një lot i rrodhi në faqe. Ky ishtë një vështrim me vend. Është një çështje për t’u shqyrtuar. Do ta mbajë në mend. Nëse ndonjëherë e blej një villë do ta shkruaj te hyrja” “Kujdes nga bushtra”.
NJË GRUA E LUMTUR
Nesër do të shkojmë në fshat. Mos vallë do të rrimë si disa djajë të varfër që rrinë duke u venitur në këtë vapë.
Unë do t’i bëj gati valixhet e mia dhe do iki. Jo, ndoshta do të bëj gati një sënduk apo edhe arkën , sepse jemi duke shkuar në një vend të bukur e të qetë, ku nuk ka asgjë, prandaj duhet ti marrë edhe ndërresat, shtretërit, pjatat, gotat.. Është një vend në maje të bjeshkës: atje si thuhet nuk dëgjohen as jehonat. Por pa ndonjë pamje përpara, sepse burri im ka frikë për të ëmën që vuan nga lartësitë prandaj edhe ka marrë me vete një kasetë, ashtu që fëmijëve të mos u bjerë ndërmend ndonjë ide e mbrapshtë. Mban freskët, jo mban ftohtë..
E thanë në parashikimin e motit që ndonjë natë mund të rastis temperaturat të shënojnë nën zero. E më pas bie shi, shi..
Ai tipi i agjencisë më tha se që atje është një re e palëvizshme.
Për këtë ndihem keq, pasi pikërisht për këtë arsye burri im nuk mund të vijë, i bën keq lagështia. Mjeku i tha se nëse dëshiron të pushojë kësi vend nuk duhet ta shoh as në kartolinë. I ka thënë të shkojë ndonjëherë në atë vendin… si quhej? Ah, Kapri.
Thonë që është një vend buzë detit ku gjithnjë ka diell, ku mund të lahesh, ku ka lule e në mbrëmje njerëzia shkon në vallëzim. I gjori, iu desht të merrte me vete një dyzinë rrobash, pantollona, fanella, sepse gjithnjë ka njerëz që të vështrojnë përreth.
Jo si ne që atje ku shkojmë nuk kemi nevojë për asgjë pasi atje nuk është askush. Për këtë ndihem keq, sepse nuk mund të marrë lajme nga burri im, por ai thotë se është më mirë kështu, sepse kur je larg familjes të marrësh lajme nga ta është më tepër se vuajtje. Sepse ai është vetëm, nuk është si unë. Mua më pëlqen të flas, kam fëmijët e mi, kam vjehrrën… dhe jam e lumtur sepse kam një martesë të mirë. Edhe vjehrrra ime është një grua shpirtmirë: më konsideron si vajzën e saj, nuk ma zë për të madhe për asgjë, i shfrytëzon rrobat e mia .. çorapet përshembull , ka një pasion të papërshkueshëm për çorapet e mia, vetëm se ka një këmbë të stërmadhe dhe i shqyen sa herë i vesh… E pastaj është nga ato që nuk i fut hundët gjithkah, atë mund ta shërbesh edhe në shtrat .. janë fshehtësi familjare këto që nuk duhet përmendur. Por pse edhe burri im çfarë mundimi më sjell? Nuk vjen kurrë në shtëpi! Ka burra që gjithmonë janë në udhëtime të punës e nuk është mirë se lodhen shumë e pastaj kthehen në shtëpi e ankohen se vdiqën nga lodhja..
Burri im nuk lodhet shumë se është një burrë i ndjeshëm.
Por kur nuk vjen e di se është duke e kaluar kohën me ndonjë femër të bukur, atëherë përse të fus vetes siklet ? Këtë e di të sigurtë sepse ai mi tregon të gjitha, është burrë i mirë, nëse nuk do t’i besonte gruas së tij kujt tjetër do t’i rrëfehej?
Unë jam e lumtur, sepse u martova kaq mirë.
EDUKATA SEKSUALE
Alo, mami, më dëgjon? Vëri veshen afër kufjes, të lutem , sepse po më harxhohen impulset. Mami, Mami jam emëruar! Por çfarë thua, një fëmijë? Jo as që jam shtatëzënë … Emërimi, posti. Ku? Në vendin më të mirë, në Milano… Ah, do ta kuptosh çfarë udhëtimi po bëjmë, jemi aktualisht në Monca.
Si profesoreshë? Mos u entuziasmo kaq shumë të lutem. Nuk e di nëse kam të drejtë ta marrë titullin. Po, natyrisht që jam e diplumuar në letërsi, por jo edhe në seksologji… E atëherë? Posi prandaj e fitova vendin e mësueses së edukatës seksuale.. Jo, mami, dukja ime nuk ka të bëjë aspak me edukatën fizike… Jo jo ajo punë nuk bëhet me trup , seksi bëhet me tru! A dëshiron që të tallen me ne ata që përgjojnë bisedat telefonike? Mami.! Çfarë ke tani? Ndihesh keq? Jo, mendova se… E di që nuk je e shurdhër , por nuk të dëgjoja fare… Të lutem, nuk desha të të ofendoj.. Uh çfarë fjalë të ndyra, mami.. Pse, a nuk duhet as të bëj parapagimin për autobusin urban? …Si nuk kam fakte të mbajë katër orë mësimi? Ta merrë mendja. Dy apo tre pozita, për orën e parë. Pastaj, heqja e tre katër tabuve… dhe u bënë dy orë mësim. Pastaj një orë kushtuar mjeteve kontraceptive kur koleget e mia të letërsisë janë ende duke shpjeguar për Iliadën e Homerit…. Mami, jo jo mos u brengos. Se mua nuk ma hedh dot askush…
Por të thashë mami. Alo!Alo! ( një ndryshim i dritës dhe ulem e rraskapitur në kanape, telefonin imagjinar në vesh, zërin e ulur e të ndërprerë)
Bepe, je ti? Natyrisht që mësimi mori fund! Por të duket se nuk do të thërras të parin pas orës sime të parë të edukatës seksuale? Ke qenë gjithnjë njeriu i parë të cilit ia kam shprehur emocionet apo thjesht mbresat e mia. Që prej se jemi martuar. Bile edhe më parë, nëse për këtë… Dhjetë vjet fejesë. Dhe ja: pas dhjetë minutave më linden dyshimet e para, pas një çerek ore më kaploi një reagim i fortë pskologjik.. Jo, tani më kaloi. Pas gjysmë ore isha e sigurt .. Për çfarë? Ta them tani: kur ra zilja vendosa formalist të të vras.. Bepe? A je aty? Natyrisht që do ta sqaroj Bepe.
Në fillim, në mënyrë të qetë e pastaj më zhurshmëm, pastaj me kujdes e krenari ata e morën në duart e tyre mësimin tim. I hodhën poshtë teoritë e mia, kujtimet e mia të pakta dhe mungesën e sigurisë time duke ma zhveshur botën që ekziston gjithnjë në këtë planet por të cilën unë e injoroja në mënyrën më absolute. Për këtë të konsideroj ty përgjegjës. Ti mund të më thuash se kam mundur të stërvitem vetë pa pritur që të aftësohem si mësuese në shkollat e larta të shtetit, për tu vëtedijësuar kësisoj për mundësitë që ofron seksi… Natyrisht, që e bëra këtë edhe për letërsinë italiane. Ku e di unë përse më zgjodhën mua? Besoj të jetë lojë fati… Do të më thuash që kam manifestuar vullnet të pakët që nuk kam ditur të “shfaq” ëmbëlsitë e trajnimit shtëpiak…. Po, natyrisht, por pasi gjithnjë e kam ditur se njeriu lind me cilësi të pakta .. motra ime për shembull është një këngëtare e njohur , edhe pse ka lindur si e ngurtë… Nëna ime beson se kurset e edukatës seksuale mund të zgjasin maksimalisht me dhjeta orë mësimi, por unë kam arsye të besoj se ti nuk do të arrije të mbuloje as 15 minuta të një ore mësimore.
Jo unë nuk të bëjë asgjë: do të mendojnë femrat për ty. Nuk di a do të gjykohesh. Nuk të duket vetja ndoshta ndonjë personazh mitologjik, objekt i ndonjë drame ku dergjet gjaku. Prandaj, mos e zgjat fort. Frigoriferi është përplot, shtëpia është e pastër. Ujiti lulet. Dhe mirupafshim.