Sociologjia dhe feminizmi
Përkthyesja: Remzije Ajeti
Lëvizja bashkëkohore dhe mendimi për lirimin e gruas dhe ndikimi i saj në sociologji
ÇFARË JANË STUDIMET GJINORE?
Motivimi intelektual, i grave, që të japin përgjigje në pyetjen dhe enigmën e pabarazisë së vet, qysh në fillim të viteve të shtatëdhjeta e fitoi emërtimin e vet dhe formën e vet institucionale (më pak ose më shumë formale), statutin dhe emrin – women’s studies. Çfarë janë women’s studies? Si mund të përkthehet kuptimi dhe veçantia e theksuar qartë e kuptimit të këtij emërtimi? A është ky vetëm studim i pozitës së grave, ose kuptimi megjithatë ngërthen domethënie shumë më të gjerë dhe më të ndërlikuar?
Vështirësitë në të definuarit dhe të kuptuarit e kuptimit women’s studies (të emërtuara gjithashtu, jo rrallë, female studies, feminist studies, gender studies) dalin nga karakteri i tyre dykuptimor dhe dydimesional i qëllimeve të dhëna. Dydimensionaliteti i karaktereve dhe qëllimeve të women’s studies ndoshta më për së afërmi mund të paraqitet me kuptimin e dyfishtë, të cilin vetë emërtimi e bart në vete dhe i cili për këtë arsye nuk mund të përkthehet njëkuptimshëm dhe që gjatë përkthimit të mos humb ajo pjesa tjetër e kuptimit e me këtë edhe gjithë ndërlikueshmëria e këtij neologjizmi. Women’s studies, nga njëra anë janë studime për gruan, studime interdisiplinare dhe kritike të të gjitha aspekteve të raporteve shoqërore midis gjinive, ndarjes shoqërore të punës, natyrës, historisë, ku analiza e pozitës së gruas zë vendin qendror. Studimet për gruan, siç lajmëron në mënyrë telegrafike Sheila Tobias, ligjëruese në kursin e parë të madh të studimeve gjinore në Universitetin Cornell- janë: “hulumtime intelektuale të mungesës së gruas gjatë historisë; vështrim i freskët, jofrojdian në psikologjinë sociale të gruas; studim i personazheve gra në letërsi dhe idetë për gratë në art; studimi i historisë ekonomike dhe juridike të familjes; pastaj persiatje për “androgjininë” si gjendje e shoqërisë dhe frymës, në të cilën dallimet e gjinive do të mund të tejkaloheshin në mënyrë shoqërore, ekonomike dhe politike”.
Nga ana tjetër women’s studies janë edhe studime të grave, domethënë studime në shërbim të gruas e jo vetëm lidhur me gruan, ose ta parafrazojmë njërën nga definicionet e shumta, ato janë “studime të grave lidhur me gratë, në shërbim të grave”1. Pra, përveç shqyrtimit “të ftohtë” intelektual të rrënjës së mosdukjes së gruas gjatë historisë, në këtë emërtin ngërthehet edhe ai dimensioni tjetër – dimensioni aktivist, pedagogjik, emancipues, madje edhe i ndieshëm. Ky, dimensioni tjetër është i orientuar drejt asaj që njohuria e re për gruan, njohuri e cila është e liruar nga paragjykimet të mos mbetet vetëm brenda disiplinës së re akademike, por gjithashtu t’u “ofrojë grave përvojë kuptimore arsimore në hulumitmet e tyre në kërkim të identitetit vetjak”. Duke pasur parasysh këtë intencë të dyfishtë të women’s studies, do të ishte joeadekuate, madje edhe e gabueshme, që ky emërtim të përkthehet në kuptimin e ngushtë dhe të theksohet vetëm njëri orientim, qoftë vetëm orientimi akademik, qoftë orientimi aktivist. Në këtë emërtim ngërthehen persiatjet teorike dhe hulumtimet empirike të lëndës – gra (të aktualizuar në një mënyrë të re) në shkencat shoqërore –por kjo nuk është e tëra. Në të gjithashtu ngërthehet dhe gjithë ajo që në atë “lëndë”, domethënë gruan, ndodh në dekadat e fundit në skenën publike dhe private – të gjitha ato lëvizje, personale dhe grupore, teorike dhe joteorike, institucionale dhe ato jashtë tyre, që u kristalizuan në rrymat bashkëkohore të lëvizjes së grave. Women’s studies, pra, ka domethënien e studimit të pozitës së gruas dhe me këtë është edhe pjesë e shkencës, por njëkohësisht, ky studim në synimin e vet është orientuar aktivisht drejt ndryshimit të pozitës së gruas, drejt realizimit praktik të barazisë së gjinive dhe me atë intencën e vet është qenësisht i lidhur me lëvizjen për lirimin e gruas.
Pikërisht, për shkak të këtij dimensioni aktivist dhe lidhshmërisë me lëvizjen e gruas, është më e drejtë që ky term të përkthehet si studime femërore, edhe përkundër kuptimit të mundshëm kufizues, se si “studime për gruan”, sepse në këtë rastin e dytë do të humbte më shumë nga tërësia e kuptimit të termit – gruaja në atë mënyrë do të kthehej në një lëndë të thjeshtë të hulumtimit. Gjithashtu, ky emërtim, pikërisht për shkak të dydimensionalitetit të vet na mundëson të vetëdijësohemi për kundërthëniet, të cilat lindin për shkak të konfliktuozitetit relativ të dimensionit akademik dhe aktivist, për çfarë do të bëhet fjalë më vonë.
Studimet gjinore janë një nga frytet e lëvizjes për lirimin e grave. Ato, sipas mendimit të shumicës së autorëve, lindën nën ndikimin e drejtëpërdrejtë dhe duke iu falënderuar lindjes dhe rritjes së lëvizjes së gruas. Sheila Tobias konsideron që studimet gjinore, as që do të ekzistonin, po të mos ekzistonte lëvizja e grave, e cila “grave-ligjëruese u dha guxim që të bëjnë presion në repartet e tyre dhe administratën, të kërkojnë mjete financiare të nevojshme që të fillonte ligjërata e kursit të ri”. Në eseun e vet për studimet gjinore Sarah Slavin Schramm, konsideron që studimet gjinore janë ngjarje paralele për ringjalljen e sërishme të lëvizjes së grave nga mesi i viteve të gjashtëdhjeta dhe fare qartë mund të vërehet koincidenca gjeografike – kurset e studimeve të grave lindën në ato pjesë të SHBA-ve, në të cilat lëvizja për lirimin e gruas ka qenë e fuqishme dhe ka pasur ndikim në mjedisin akademik. Nxitja, natyrisht nuk erdhi nga mjedisi akademik, sidomos jo në fillim. Studimet e grave kurrë nuk kanë qenë të përmbledhura vetëm në mjedisin universitar, por së pari zunë fill dhe u zhvilluan në mjediset e tjera – qendrat arsimore për të rritur, në grupet joformale feministe në bashkësitë lokale, në qendrat specifike të grave si forma të aktivitetit të lëvizjes, si dhe format e tjera alternative të arsimit. Universiteti, sidomos në fillim, sipas mendimit të kundërshtarëve të zemëruar, nuk e miratoi me dëshirë këtë preokupim shkencërisht të paarsyeshëm të të marrurit me çështjen e grave. Njësoj si disa vite më herët, kur lëvizja e zezakëve u përpoq të depërtonte në universitetin amerikan, ashtu ndodhi edhe me përpjekjen e grave që t’i kundërvihen sistemit të fortifikuar historik, i cili në mënyrë sistematike i përjashtonte gratë dhe pakicat – universiteti nuk qe i gatshëm për vetëdijen e re lidhur me gratë.
Studimet e grave janë pjesë dhe ndoshta shkëlqimi i fundit i lëvizjes studentore të viteve të gjashtëdhjeta. Që në zanafillën e vet lëvizja studentore si një nga qëllimet e veta kryesore e vuri reformën e universitetit dhe u përpoq që t’i kundërvihet monopolit të universitetit mbi strukturën dhe definicionin e diturisë, mbi përmbajtjen dhe format e arsimimit të lartë. Qysh në vitin 1965 në shumë universitete amerikane janë organizuar ‘kurse të lira” e diku madje edhe janë formuar “universitete të lira”. Këto kanë qenë përpjekeje që të ofrohet arsimim alternativ dhe të afiromohen ato tema, të cilat deri atëherë në universitete qenë të lëna pas dore ose kanë qenë përjashtuar fare – siç, ka qenë për shembull, ekonomia marksiste, revolucioni kubanez, ose historia e zezakëve. Lëvizja e zezakëve në vete pati një dimension të rëndësishëm, theksoi kërkesën për rivalorizimin akademik dhe miratimin e statutit shkencor të studimit të racës, raporteve racore dhe problemit të pakicave. Black studies përfaqësonin përpjekjen për ndryshimin e strukturës shoqërore të universitetit, në të cilin raca e bardhë dominoi që nga fillimi dhe përjashtoi, si nga kolegjiumet e veta, ashtu edhe nga pikëpamje e vet shkencore, të gjitha racat e tjera dhe pakicat. Motivet e organizimit të kurseve të studimeve të grave në universitet, siç konsideron S.Tobias, janë të ngjashme me impulset, të cilat sollën deri te studimet e racore dhe etnike – në qendër ka qenë përpjekja e riinterpretimit të fenomeneve shoqërore duke kyqur tema të lëna pas dore dhe “jorelevante”, siç janë seksi dhe raca dhe duke bërë korrigjimin e teorisë shoqërore në dritën e vetëdijes së re kritike.
Mirëpo, edhe përkundër rezistencës së dukshme studime gjinore gjatë viteve të shtatëdhjeta, si në planin praktik (kadrovik), ashtu edhe në planin teorik, arritën “të futen” në mjedisin akademik dhe të bëhen temë e barabartë e interesimit siç është për shembull, semiologjia ose ndonjë temë tjetër e rëndësishme shkencore. Ky fakt – hyrja e studimeve gjinore në universitet – paraqet, sipas mendimit të S.Tobiasit, “një inovacion të fuqishëm akademik”.
Megjithatë studimet gjinore nuk do të arrinin të realizonin pozitë të barabartë në struktutën akademike, sikur ideja për studimet e gruas/për gruan të mos kishte hasur në një përkrahje të jashtëzakonshme te pjesa femërore e kuadrit të universitetit, te profesoreshat, te docentet, asistentet dhe natyrisht studentet. Mungesa e deriatëhershme e grave në kuadrin mësimor, në teorinë e shkencave shoqërore dëshmoi për faktin – që shkencat shoqërore thjesht e mbajtën dhe teorikisht i dhanë kuptim “natyrshmërisë” së përjashtimit të gruas nga struktura e fuqisë shoqërore. Mungesa e shqyrtimit të pozitës së gruas në universitet si dhe apatia e vetë universitetit për çështjen e paragjykimeve gjinore dhe pabarazive gjinore, siç thekson S. Tobias ndodhi pikërisht duke iu falënderuar impulsit të lëvizjes së grave, të kuptuar si “fenomen politik’ e jo thjesht si rezultat i rregullimit të gabimeve të më hershme, ose të mungesës së imagjinatës akademike.
Fakti që gruaja deri në erupcionin e lëvizjes së grave ishte e padukshme në shkencat shoqërore ka qenë dëshmi e fuqishme e qëndrimit që pozita e gruas dhe përvoja e gruas akoma janë jashtë rrjedhave kryesore të kulturës njerëzore, prandaj është fare e arsyeshme të fillohet “ndreqja e gabimeve” me ndihmën e një studimi të posaçëm multidisiplinar për gruan. Qëllimi i një studimi të këtillë ka qenë që grave t’u ofrojë njohuri për veten, për historinë dhe pozitën e vet, por edhe për politikën e gjinive, e cila në shoqëri dominon në formën e qëndrimeve kulturore dhe supozimeve, të cilat “e dëmtojnë gruan në mënyrë të posaçme dhe i frustrojnë nevojat normale njerëzore për jetën më të begatshme njerëzore”. Vetëdija lidhur me atë që “gjysma femërore e realitetit” ka mbetur zonë e pahulumtuar dhe e lënë pas dore, qe një nxitje e madhe që në studimet gjinore të kompenzohet “amnezioni” shumëvjeçar i shkencave shoqërore dhe pozita e gruas të studiohet në mënyrë të gjithanshme.
Vala e parë e kurseve të studimeve gjinore në universitetet amerikane (1969-1970) kishte veçoritë e shqyrtimeve dhe zbulimeve fillestare të temave të llojllojshme, të cilat e ndriçojnë zonën e gjinive dhe pozitën e gruas dhe shfaqte shprehjen e dëshirës që për gratë të dihet më shumë dhe të ligjërohet më shumë. Ato kurse kishin për qëllim që të hapin një varg temash të reja dhe të pahulumtuara – historinë e gruas, pozitën e gruas bashkëkohore, martesën, lindjen në mjediset e ndryshme kulturore, gratë dhe mediumet massive, idetë për gratë në literaturë dhe art, analizën e stereotipeve kulturore dhe paragjykimeve për gratë në shoqëri, procesin e socializimit dhe ndikimit të tij në konstituimin e karakteristikave shoqërore të gjinive etj. Mirëpo, për shkak të hapjes së shumë temave përnjëherë dhe për shkak të përfshirjes jashtëzakonisht të gjerë në problemin e përvojës së gruas, studimet gjinore në këtë fazën e parë shumë shpesh kanë mbetur në nivelin përshkrues, me konstruksione të historisë njerëzore teorikisht jot ë thelluara ose së paku me konstruksione të tjeshtëzuara të histories njerëzore dhe shoqërore.
Vala e dytë e zhvillimit të studimeve gjinore, që është karakteristikë për periudhën 1971-1976 është e shënuar me një rritje të madhe të numrit të kurseve dhe me “pushtimin” e mjedisit të universitetit. Në këtë periudhë studimet gjinore fitojnë statut akademik dhe ligjërohen në universitete anembanë SHBA-ve, kurse në disa shtete Evropiane si pjesë e studimeve të rregullta, ose si studime të veçanta postdiplomike. Tregues i këtij zhvillimi dhe zgjerimi të studimeve gjinore është fakti që në janar të vitit 1977 në San Francisko u themelua Shoqata e Parë Nacionale e studimeve gjinore (National Women’s Studies Association). Në njërin nga referatet në konferencen themeluese të shoqatës është paraqitur e dhëna që gjatë vitit 1976 në SHBA kishte pasur katër mijë kurse të studimeve gjinore, formale ose joformale, kurse njëqind e pesëdhjetë e një universitete kanë pasur në programin e vet studimet gjinore. Në vitin 1982 kishte madje shtatëmbëdhjetë mijë kurse të regjistruara të studimeve gjinore nëpër universitete dhe jashtë tyre. Në këtë kohë rëndësia e studimeve gjinore u rrit përnjëherë dhe jo vetëm për shkak të këtij “bumi” numerik, por edhe për shkak se në këtë periudhë pushtoi një shkallë shumë më të lartë të seriozitetit teorik. Në to në mënyrë më të themeltë zuri fill analiza e problemeve themelore të raporteve gjinore dhe kritika e kufijve të disiplinave ekzistuese akademike. Elaborimi teorik ndikoi në mënyrë më të rëndësishme edhe në ndryshim, në vetë mjedisin akademik; struktura e universitetit dhe shkenca zyrtare përfundimisht filluan ta miratojnë rëndësinë shoqërore dhe teorike të problemit të raporteve të gjinive. Një nga shenjat më të rëndësishme të këtij ndryshimi është fakti që në këtë periudhë në SHBA, por edhe në vendet e tjera perëndimore, gati secila revistë më serioze e shkencave shoqërore i kushtoi hapësirë të rëndësishme ndriçimit të këtij problemi. Gjithashtu u shfaqën një numër i madh i revistave dedikuar kryesisht problemeve gjinore dhe pozitës së gruas. Momenti më i rëndësishëm në pjekurinë teorike dhe pushtimin e statutit akademik të studimeve gjinore, siç thekson S.Tobias, është themelimi i revistës më serioze The Signs – Journal of Women in Culture and Society, në vitin 1975, të cilën e editon shtëpia e njohur botuese “University of Chicago Press”, kurse e redakton grupi i feministeve akademike. Dekada e aktiviteteve të zhvilluara intelektuale në ndriçimin e shumë aspekteve të pozitës së gruas dhe raporteve gjinore në shoqëri, e cila nuk u kënaq me të vërtetat e dhëna solli rezultatet e veta – “legjtimimin e studimit të grave për kulturën vetjake, korrektimin e rëndësishëm të studimeve të deritanishme “të njeriut dhe kulturës së tij” dhe arsimimin feminist. Një zhvillim i tillë i ngjarjes dëshmoi qartë që principet, mbi të cilat u rrit lëvizja e gruas, lindën mbi një bazë të fuqishme intelektuale dhe nevoja për njohuritë lidhur me gratë dhe dedikuar grave ka vendin e vet legjitim brenda mjedisit akademik amerikan.
RAPORTI I STUDIMEVE GJINORE DHE LËVIZJES PËR LIRIMIN E GRAVE
Studimet gjinore lindën nën ndikimin dhe duke iu falënderuar lëvizjes bashkëkohore për lirimin e grave, prandaj veçoritë e tyre në një pjesë të madhe janë përcaktuara nga kjo lidhje dhe ndikim. Ato lindën si pjesë organike e kësaj lëvizjeje shoqërore si shprehje intelektuale e aspiratave të saj dhe përpjekjeve të vetëdijësimit të shoqërisë për kundërthëniet gjinore të lëna pas dore. Studimet gjinore, megjithatë nuk përfaqësojnë vetëm instrumentin ideologjik të lëvizjes së gruas. Ato kanë gjithashtu për qëllim që me anë të analizave të veta të rrënjëve dhe formave të pabarazisë së gjinive të kontriubojnë në mënyrë të rëndësishme në zhvillimin e shkencave shoqërore në interpretimin e këtyre çështjeve. Siç mund të merret me mend tashmë prezenca e dy dimensioneve në studimet gjinore – dimensioni ideologjik dhe teorik – dëshmon për dy synime kontradiktore dhe nxit dilema të shumta dhe diskutime lidhur me atë se çfarë duhet të jenë studimet gjinore, cili është synimi i tyre dhe qëllimi i veprimit.
Përveç këtij acarimi midis ideologjisë dhe teorisë (i shprehur çdo herë e më shumë viteve të fundit) lidhur me këtë temë është interesant edhe një lloj problemit specifik. Ky është raporti dykuptimësh dhe shpesh herë jo i qartë i studimeve gjinore ndaj shkencave shoqërore. Ky tensionimi tjetër, nga njëra anë është rezultat i intencave interdisiplinare të studimeve gjinore dhe problemet që rrjedhin prej kësaj janë të ngjashme me të gjitha ato përpjekjet e mëhershme interdisiplinare – displinat shkencore edhe më tutje mbeten të mbyllura, prandaj njohuritë interdisiplinare janë të integruar në masë të pamjaftueshme. Nga ana tjetër, problemi i raporteve të studimeve gjinore ndaj disiplinave të tjera shkencore në vete ngërthen edhe çështjen themelore – a mund ta definojnë lëndën e vet studimet gjinore dhe a mund të konstituohet në bazë të saj një disciplinë e re – sociologjia e seksit/e gjinisë?
Kur është fjala për tensionimin e parë, është mirë të theksohet që në të gjitha tekstet, të cilat merren me analizën e lindjes dhe zhvillimit të studimeve gjinore ekziston, më pak ose më shumë, vetëdija e sqaruar për kundërthëniet e dy dimensioneve të studimeve gjinore – ideologjike-aktiviste dhe akademike-intelektuale. Ngjashëm me lëvizjet e tjera shoqërore të kohës modene, të cilat dëshmojnë për kundërthëniet shoqërore të lëna pas dore, ashtu edhe lëvizja për lirimin e grave paraqet si një nga qëllimet e veta themelore ndryshimin e vetëdijes shoqërore për raportet e gjinive. Mirëpo, ky shënim për kundërthëniet e lëna pas dore dhe nevoja për ndryshimin e vetëdijes shoqërore bart në vete kundërthënien themelore në të kuptuarit e funksionit të asaj vetëdijeje të re “të tranfsormuar”. Vjen deri te raporti problematik i teorisë dhe praktikës, i cili siç dihet, ka qenë një nga antinomitë themelore në historinë e lëvizjes socialiste dhe komuniste. Ky raport problematik midis teorisë dhe prakikës, natyrisht nuk ka mund t’i shmanget krejtësisht as lëvizjes për lirimin e grave. Njësoj si në lëvizjet e tjera, shikimi i këtij raporti është shpesh i ndryshëm, kurse zgjidhjet zakonisht shihen në anë të kundërta. Studimet gjinore, si shprehje e ambicjeve intelektuale të lëvizjes së grave, por edhe si pjesë organike e aktivitetit të saj gjenden në raport të ndërlikuar dhe problematik me nismëtarin e vet – lëvizjen e grave. Si në përpjekjet e ngjashme historike të tejaklimit të raportetve shoqërore të pabarabarta, ashtu edhe në luftën për barazinë e gjinive, teoria përjeton fatin të njohur mirë nga historia e mendimit socialist. Ajo në ngushticën midis kërkesës për t’i shërbyer lëvizjes dhe synimit të vet kokëfortë dhe heretik që në aventurën e mendimit të realizojë së paku pavarësinë relative nga qëllimet direkte të lëvizjes. Pa marrë parasysh të gjitha detyrat e dhëna, të cilat ia gjen lëvizja, teoria kurrë nuk heq dorë nga synimi që në mënyrë të themeltë dhe teorike t’i hulumtojë në mënyrë të pakompromis jo vetëm kushtet e praktikës shoqërore ekzistuese, por edhe praktikën e vet personale, por edhe praktikën e lëvizjes së “vet”. Domosdoshmëria e largimit të teorisë nga kërkesat e thjeshta ideologjike, të cilat që në vrullin e lindjes së lëvizjes i qenë “dhënë” është rezultat i qenies së saj inherente dhe gjurmuese dhe të drejtës për pavarësi.
Konflikti i pashmangshëm midis ideologjisë së lëvizjes dhe nevojës së teorisë për pavarësinë nga direktivat e thjeshta ideologjike, megjithatë në rastin e lëvizjes për lirimin e grave dhe studimeve gjinore merr tiparet e veta specifike dhe bukur joortodokse. Për dallim nga ato lëvizjet shoqërore, të cilat pretendojnë marrjen e pushtetit dhe në të cilat është shprehur fuqishëm kërkesa e nënshtrimit të mendimit teorik qëllimeve ideologjike, tensionimi midis funksioneve ideologjike dhe njohëse në lëvizjen e grave ka karakter të një lloji tjetër. Kërkesa për nënshtrimin e teorisë këtu nuk është aq e shprehur dhe ky konflikt më shumë pasqyrohet në vështirësitë me rastin e përpjekjes së sintezës ose “pajtimit” të këtyre dy kërkesave. Të gjitha autoret, të cilat merren me analizën e qëllimeve të studimeve gjinore theksojnë barazinë e ndërmarrjes së studimit dhe ndryshimit të raporteve kierarkike të gjinive. Marrja e statutit akademik të studimeve gjinore e bëri, megjithatë këtë tensionim më të qartë dhe më aktual, sepse mundësia e pajtimit të këtyre dy kërkesave – studimit teorik dhe ndryshimit shoqëror – tregohet posaçërisht e vështirësuar në mjedisin akademik. Universiteti kurrë nuk ka pasur prirje për t’u lidhur drejtpërdrejt me qëllimet shoqërore dhe politike, as nuk pranoi (përveç nën presionin e kryengritjes së studentëve) në instrumentalitetin e drejtëpërdrejtë të veprimtarisë shkencore për qëllimet shoqërore progresive. Gjithashtu, disiplinat shkencore për shkak të akademizimit të vet shumë shpesh janë larguar nga proceset e gjalla dhe të ngutshme shoqërore dhe shpesh janë nën goditjet e kritikës për shkak të indiferencës dhe apatisë ndaj çështjeve politike. Mirëpo, për shkak të rrezikut specifik që studimet gjinore të kyçen plotësisht në kontekstin akademik dhe ashtu të humbin atë joindiferencën dhe ndjeshmërinë e vet ndaj çështjeve të pozitës së gruas, domethënë që në to të mbizotërojnë kërkesat akademike për profesionalizmin, i cili supozon neutralitetin politik – në të gjitha analizat, posaçërisht insistohet në përpjekjen e sintezës së kërkesave teorike dhe politike.
Studimeve gjinore u jepet një detyrë ambicioze që “të përcjellin njësoj strategjitë e brendshme dhe të jashtme, ta kultivojnë teorinë brenda mureve të universitetit dhe të ndikojnë në mënyrë kontinuive në krijimin e mundësisë që të sfidohen ndryshimet jashtë mjedisit të universitetit. Frika që studimet gjinore, edhe përkundër faktit që paraqesin “risi të fuqishme akademike” do ta topitin tehun e vet – “përkushtimin për ndryshim”- dhe përkundër pikëpamjeve të rëndësishme teorike edhe më tutje do të ruajë status quo-në, është prezente në të gjitha persiatjet për studimet gjinore. Madje edhe ato autoret, të cilat janë të vetëdijshme për mospajtimin e këtyre dy strategjive, megjithatë insistojnë në format e veprimit brenda universitetit, i cili atë përkushtim për ndryshim do ta ruajë si faktor aktiv, “vetëdije të zgjuar” në të gjitha veprimtaritë akademike dhe teorike që merren me problemin e pozitë së gruas.
Mirëpo, edhe përkundër këtyre përpjekjeve që studimet gjinore të ruajnë dydimensionalitetin e vet, që ajo të mbetet differentia specifica e tyre, qysh tani mund të vërehen pikëpamje të llojllojshme të raporteve midis kërkesave teorike dhe ideologjike. Mirëpo, para se të theksojmë ato dallime, është e nevojshme të vihet theksi edhe një herë në veçantinë e dydimensionalitetit të studimeve gjinore që rrjedh nga veçantia e lëvizjes së gruas. Për dallim nga lëvizjet e tjera më të vjetra shoqërore, siç është lëvizja e punëtorëve, lëvizja e gruas nuk është organizuar në mënyrë kierarkike, nuk e ka strukturën e vet të vendosur, “qendrën” e vet, “kuadrin” e vet, as “sistemin e mësimit” të pacenuehëm. Kryengritjet antiautoritare janë karakteristika qenësore dhe çelës i vizionit emancipues në lëvizjen e grave. Për këtë arsye ajo u degëzua, u zhvilua dhe u definua si “pluralizëm i formës”, në të cilin asnjë rrymë nuk e realizoi hegjemoninë dhe nuk I nështroi tendencat e tjera. Kjo është me rëndësi të theksohet, sepse kërkesat e lëvizjes së gruas për angazhueshmërinë e teorisë nuk e kanë atë theksin e kufizuar dhe instrumental, i cili do ta kthente teorinë në “shërbëtore të lëvizjes”. Përveç kësaj, karakteri i lëvizjes së gruas edhe në një kuptim heq dorë nga lëvizjet tradicionale. Strategjia e saj nuk themelohet aq në organizimin e fuqishëm si mënyrë e luftës për ndryshimin e kushteve shoqërore, sa në presionin polimorf, në kritikën e kushteve shoqërore të kierarkisë së gjinive dhe në intencën e saj iluministe didaktike. Lëvizja e gruas në një nga dimensioned e veta më autentike është “lëvizje didaktike” (Florence Howe), lëvizje e orientuar në ngritjen dhe zhvillimin e vetëdijes shoqërore dhe individuale për pozitën e grave dhe raportet e gjinive, lëvizje që me veprimet e veta aktive dëshiron të ndryshojë raportet tradicionale midis gjinive, por jo si me betejën e klasave “me luftën midis gjinive” në mënyrë të dhunshme të nxitë ndryshimin e strukturës shoqërore. Për këtë arsye intenca e dyfishtë e studimeve gjinore rrjedh nga dydrejtimshmëria e aksionit në ndryshimin e praktikës dhe vetëdijës për gjinitë. Nga njëra anë, ai aksion është i orientuar drejt kritikës dhe në ndryshimin e raporteve shoqërore të pabarazisë gjinore, në kritikën e vetëdijes shoqërore conservative, të qëndrimeve shoqërore dhe paragjykimeve për gjinitë (dhe në kuadër të kësaj, në kritikën e konservatizmit të shkencave shoqërore në trajtimin e këtij problemi). Nga ana tjetër, ai aksion është praktikisht i orientuar njësoj edhe në “ngritjen e vetëdijes të një numri të madh të grave që jetojnë nën presionin e atyre qëndrimeve të njëjta shoqërore dhe paragjykimeve dhe e bartin barrën e fatit historik të gjinisë femërore – e jetojnë “dëmtueshmërinë shoqërore” të gjinisë së vet, në aspektet e ngatërruara të varshmërisë dhe mosrealizimit të qenies së vet individuale dhe shoqërore.
Pra, për shkak të karakterit specifik të strategjisë së lëvizjes së gruas tensioni midis qëllimeve teorike dhe politike thjesht nuk mund të kthehet në konflikt midis direktivave “partiake” dhe kërkesave imanente teorike, por më parë bëhet fjalë për vështirësinë e pajtueshmërisë së kërkesave didaktike, iluministe dhe demokratike dhe kërkesave për qasje teorike, më të fuqishme analitike në studimin e pozitës së gruas. Është fjala për tensionimin midis dy kërkesave – kërkesës që studimet gjinore t’i plotësojnë nevojat për nji arsimim sa më të gjerë emancipues të grave dhe kërkesës që studimet gjinore të bëhen fushë e re e studimit shkencor më të hollësishëm të pozitës së gruas që do të kishte lëndën e vet, metodologjinë e zhvilluar, aparatin shkencor dhe të ngjashme. Brenda kursevet të studimeve gjinore në universitet ky “raport problematik midis teorisë dhe praktikës”, konflikti midis qëllimeve didaktike dhe teorike shprehet shumë më fuqishëm sesa në mjediset e tjera, në të cilat ekzistojnë studimet gjinore.
Këtë dyfishmëri, interaksion dhe konfliktuozitet të funksionit didaktik dhe teorik në studimet gjinore të autoreve, të cilat merren me analizën e tyre nuk e shohin në mënyrë identike, nuk e emërojnë me emërtimet e njëjëta dhe përfundimisht as zgjidhjen e tyre nuk e shohin në të njëjtën mënyrë. Sarah Slavin Schramm, për shembull, është përfaqësuese e asaj tendence, e cila dimensionin teorik të studimeve gjinore dëshiron që plotësisht t’ia nënshtrojë kërkesave ideologjike të lëvizjes së gruas. Dydimesionalitetin e studimeve gjinore ajo e sheh në interaksionin “e afektives” dhe “intelektuales”. Mirëpo, edhe pse insiston në atë që fokusi të jetë i njëjtë si në planin afektiv, ashtu edhe në planin intelektual në të kuptuarit e funksionit të studimeve gjinore depërton qëllimi që ato të transformohen në instrument të thjeshtë të lëvizjes së grave. Është interesante që kjo autore në tekstin e vet asnjëherë nuk e përdor termin teorik, ashtu që të sqaronte dimensionin intelektual të studimeve gjinore, por kënaqet vetëm me definicionin e shkurtër, sipas të cilit “perspektiva e vetëdijshme e vetë grave, e cila është e domosdoshme” dhe në të cilën gratë i shfrytëzojnë “supozimet feministe me qëllim që ta formësojnë ardhmërinë dhe njëkohësisht që të hulumtojnë këtu dhe tani”. Shkaku për këtë lënie pas dore të ambicieve teorike, analitike të studimeve gjinore në pikëpamjen e “perspektivës së vetëdijshme” në shërbim “të supozimeve feministe” qëndron në konstatimin e saj bukur vullgar dhe të pa bazë për studimet gjinore si ideologji të lëvizjes së grave. Të gjitha lëvizjet e mëdha shoqërore, thekson S.Slavin Schramm, kanë pasur “ideologjitë e veta të mëdha”. Lëvizja e grave, megjithatë deri tani ka treguar “gati mungesë të plotë të ideologjisë koherente”. Autorja e definon ideologjinë si “strukturë largpamëse të përpunuar, të thurur fuqishëm, e cila është më abstrakte se strategjia dhe se taktika”. Pa qëndrueshmëri ideologjike, stragjike, dhe taktike, konsideron ajo, nuk është i mundshëm ndryshimi i rëndësishëm në pozitën shoqërore të gruas. Mirëpo, problemi lind, kur autorja vendos ta definojë, kush do të jetë “bartës” i ideologjisë koherente të lëvizjes. Atë bartës, sipas mendimit të saj, e përfaqësojnë studimet gjinore – ato kanë për detyrë dhe rol që duke e kombinuar intelektualen dhe afektiven të shërbejnë si “ideologji dhe strategji organizuese”. Shkurt, sipas mendimit të saj është i dëshirueshëm (në emër të ideologjisë koherente) largimi i studimeve gjinore nga kërkesat teorike dhe afrimi më i madh drejt detyrave ideologjike dhe aktiviste. Në një pikëvështrim të tillë të drejtimit të zhvillimit të studimeve gjinore, është evidente që mbizotëron instrumentalizimi “luftarak”, domethënë ideologjik i studimeve gjinore dhe të nënshtruarit e dimensionit teorik ideologjisë vullgare dhe të kuptuarit më të thjeshtë të ideologjisë dhe “strategjisë organizuese”. Dydimensionaliteti i studimeve gjinore këtu shndërrohet në rekomandime të pamatura të njëdimensionalitetit ideologjik dhe “operativitetit” strategjik.
Kritika e autoritetit të “ideologjive të mëdha” që është një nga kontributet emancipuese më të rëndësishmet të lëvizjes së grave, në këtë rast duket e lënë pas dore fare. Shqyrtimet e Sarah Slavin Schramm-it për qëllimet e studimeve gjinore u transformuan në dëshirë të shqiptuar fare zëshëm për njëfarë ideologjie monopolite dhe “konsistente”, sipas autoritetit të vjetër dhe të madh, e cila edhe lëvizjen e grave, njësoj ashtu do ta bëjë “të madhe” dhe “të fuqishme”.
Për fat të mirë, pikëpmaje të tilla të thjeshta për rolin dhe përmbajtjen e studimeve gjinore janë në pakicë, në krahasim me pikëpamjet më serioze dhe më përgjegjëse të autoreve të tjera, të cilat merren me analizën e raporteve të momentit ideologjik dhe teorik në studimet gjinore. Ellen Boneparth, nga Universiteti San Jose në Kaliforni, në të cilin që nga viti 1976 ekziston katedra e veçantë e studimeve gjinore (e gjithahstu edhe në 44 kurse në 19 degë të universitare), dyfishmërinë dhe tensionimin e qëllimeve e sheh midis “autodidaktizmit” dhe “mësimit për të tjerët”, midis “ngritjes së vetwdijes” dhe “diturisë”, midis aktivitetit “politik” dhe “akademik” dhe në fund midis strategjisë “së brendshme” dhe “të jashtme”. Natyrisht, ajo nuk e pranon faktin që studimet gjinore të privohen nga roli i vet aktivist dhe pedagogjik, sepse konsideron që dallimi kryesor i studimeve gjinore në raport me disiplinat tradicionale shtrihet në përkushtimin e tyre për ndryshime. Megjithatë duke menduar për përvojat e veta, ajo megjithatë e pranon që në kurset e studimeve gjinore në universitete theksi ka qenë më shumë në “të mësuarit teorik”, në ligjërata dhe hulumtime, prandaj mbizotëroi orientimi akademik. Ajo thekson që tensionimi midis teorikes dhe aktivistes nuk duhet të zgjidhet vetëm në dëm të teorikes. Është e dëshirueshme, konkludon E.Boneparth, që në universitet dimensioni aktivist, didaktik të paraqesë një pjesë të studimeve gjinore, por jo si process dominant, manifest politizues, por si dimension latent përcjellës dhe funksion i procesit akademik arsimor. Në këtë mënyrë, konsideron autorja, është e mundur që në kurset e universitetit të arrihet edhe njëra edhe tjetra – që të shtrohen “çështje të rënda teorike dhe të jepet përgjigje në to në mënyrë të paanshme, por edhe me qëllim që studentëve t’u hapen pikëpamjet, ashtu që të mund të përgatiten për sfidat e shembujve tradicional “të botës reale”. Kjo zgjidhje, për dallim nga zgjidhja e thjeshtëzuar, te S.Slavin Schramm ofron mundësi më të shumta që në studimet gjinore të universitetit një kujdes i veçantë t’u kushtohet problemeve teorike dhe metodologjike të analizës së rrënjëve dhe formave të nënshtrimit të gruas, dhe ajo njohuri në “instancën tjetër” ka efekt emancipues dhe didaktik te gratë.
Një zgjidhje edhe më energjike të këtij acarimi midis dy dimensioneve të studimeve gjinore ofroi Sheila Tobias, njëra nga pionieret e studimeve gjinore në SHBA. Në mënyrë më precize dhe më të menduar nga autoret paraprake, S.Tobiasi tregon për “mopajtueshmërinë” dhe konfliktuozitetin e qëllimeve të studimeve gjinore – midis kërkesës që studimet gjinore në mënyrë parësore të merren me kritikën feministe të shkencave shoqërore dhe atyre që besojnë që ngritja e vetëdijes së grave duhet të jetë me rëndësi parësore. Shkaku themelor i konfliktuozitetit të këtyre qëllimeve, sipas S.Tobias-it qëndron në faktin që këto qëllime të ndryshme supozojnë dhe kërkojnë forma të ndryshme të punës, programe të ndryshme, metodologji të ndryshme të hulumtimit dhe të prezentimit të lëndës. Shumica e feministeve akademike, vëren autorja, mendojnë që është e mundur që në një vend të arrihen të tri qëllimet e studimeve gjinore “mundësia e legjitimimit të studimeve gjinore” për kulturën vetjake dhe korrektimi i rëndësishëm i hulumtimeve ekzistuese për “njeriun dhe botën e tij”, si dhe arsimimi feminist. Ajo, megjithatë me të drejtë tërheq vërejtjen që të gjitha këto qëllime nuk mund të realizohen në një vend dhe përmes një forme të veprimit. Sipas mendimit të saj, zgjidhja e vërtetë e konfliktuozitetit të qëllimeve të studimeve gjinore është e mundshme vetëm me degëzimin e formave të llojllojshme të veprimit me çka do të kënaqej secili nga qëllimet e vëna: zhvillimi dhe zgjerimi i studimeve të pavarura të Universitetit, në të cilat në mënyrë teorike dhe më të themeltë do të shqyrtohej çështja e pozitës së gruas dhe do të bëhej kritika e vazhdueshme e disiplinave akademike; integrimi i studimeve gjinore në programin mësimor të disiplinave të tjera akademike, në të cilat do të ndriçoheshin problemet e gjinive të lëna pas dore në secilën shkencë shoqërore; zhvillimi i të ashtuquajturave community based të studimeve gjinore në bashkësitë lokale, jashtë mjedisit akademik, qëllimi dhe mënyra e punës së të cilit është më shumë bihevioriste se akademike: mësimi i grave se si të fitojnë lirinë që të mbijetojnë dhe t’i plotësojnë nevojat e veta themelore; futja e lëndës “raportet gjinore” në shkollat e mesme dhe institucionet e tjera arsimore etj.
Ndarja e studimeve gjinore universitare dhe “lokale’ është e domosdoshme, thekson S.Tobias-i, sepse qëllimet dhe format e veprimit të tyre janë inherente. Studimet universitare gjinore nuk mund t’i plotësojnë në tërësi nevojat politike, didaktike në ngritjen e vetëdijes së shtresës së gjerë të grave dhe nuk mund ta lidhë mësimin në mënyrë aq të drejtpërdrejtë me vetëaktualizimin dhe aksionin politik. Gjithashtu, studimet gjinore “lokale”, në të cilat kjo karakteristikë politike, aktiviste dominon domosdoshmërisht nuk mund t’i ofrojë plotësisht hapësirë studimit teorik dhe analizës sistematike raportit të gjinive të pabarabarta në aspektin shoqëror. Qëllimi i tyre themelor është që të ofrojë forma emancipuese të arsimimit të një shtrese sa më të gjerë të grave.
Studimet gjinore universitare, për të cilat megjithatë, primar është orientimi teorik, nuk mund të plotësojë nevojën për arsimim të gjerë të gruas. Pikërisht për shkak se këtu primar është orientimi teorik, Sheila Tobias-i propozon që të definuarit e lëndës së studimit të mos përqendrohet vetëm në gruan, por që lënda e studimit të jetë shumë më e gjerë dhe më universale, që si temë qendrore e interesimit të definohet çështja e karakterit shoqëror të gjinive (issue of gender). Ky përgjithësim dhe kalim nga studimi i çështjes së grave si problem gjinor në studimin e gjinive, do të bëjë, thekson autorja, që studimet gjinore të fitojnë autoritet shkencor dhe të mos jenë të kritikuara si probleme margjinale, lokale dhe problem të pakicave. Mundësitë e shqyrtimeve teorike më të rëndësishme dhe teorikisht më integruese, gjithsesi do të ishin shumë më të mëdha.
Kërkesën për “lirinë e teorisë” në studimet gjinore në mënyrën më energjike e shprehin Annette Kuhn dhe AnnMarie Wople në tekstin hyrës të përmbledhjes Feminism and Materialism. Këtë përmbledhje tekstesh, ato si redaktore e definojnë si “interevenim në studimet gjinore”. Për problematikën dhe vështirësitë e pajtimit “harmonik” të dy dimensioneve të studimeve gjinore Kuhni dhe Wolpe e dëshmojnë me anë të pohimit. Sipas të cilit studimet gjinore kanë qëllim të dyfishtë dhe potencialisht kundërthënës –studimet gjinore kuptohen si mjete, me anën e të cilave gratë mund të krijojnë njohuri për veten, për historinë personale dhe pozitën personale, pastaj atë njohuri ta zgjerojnë përmes praktikës pedagogjike. Mirëpo, kundërthëniet midis aspektit njohës dhe pedagogjik të studimeve gjinore të këtyre autoreve specifikohen edhe në një mënyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, kjo është mënyra kronologjike. Ato konsiderojnë që qëllimi i studimeve gjinore që kishte synim mësimin dhe vetëdijësimin, kishte qenë primar në fazën e parë, kur kjo fushë ishte e pahulumtuar dhe kur çdo përpjekje e hulumtimit plotësonte kryesisht nevojat e lëvizjes së grave dhe atë nganjëherë pa marrë parasysh kualitetin dhe koherencën e tyre.
Në fazën e hershme të studimeve gjinore, theksojnë këto autore, konsiderohej që gratë, pa marrë parasysh nacionalitetin e tyre, pozitën racore ose klasore, e përbëjnë grupin homogjen të lidhur me një karakteristikë të përbashkët – me “shtypjen” e tyre në të gjitha aspektet e jetës. Për nivelin e atëhershëm të vetëdijes lidhur me problemin e pozitës së gruas ka qenë karakteristike njohja e formave të shumta të shtypjes që i përjetonin gratë dhe ngecja në përshkrimin e thjeshtë të këtyre fenomeneve. Atëherë në realitet “eklekticizmi i bashkuar i punimeve descriptive dhe empirike” u konsiderua studimi i vërtetë shkencor dhe kjo ishte e mjaftueshme. Në tensionin e dëshirës, që të njihen dhe të kyqen në aksionin e ndryshimit sa më shumë aspekte të nënshtrimit të gruas, vërtetë ka pasur pak përpjekje të koncentruara që të zhvillohet analiza sistematike e situatave të përshkruara. Dominimi i deskriptives dhe didaktikes në fazën e hershme të studimeve gjinore është përgjegjës, sipas mendimit të A.Kuhn-it dhe A.Wople-s, për lënien pas dore të artikulimit më preciz dhe më eksplicit të bazave teorike dhe rigorozitetit më të madh në analizë. Në fazën e vet të parë, siç e thekson këtë në mënyrë më të ashpër autorja tjetër Catherine R. Stimpson-i, studimet gjinore shpesh kanë qenë “të pagdhendura, sektare, stërholluese, të gabueshme, rigjide dhe artificiale.
Këto autore theksojnë që pas një dekade ekzistimi të studimeve gjinore universitare dhe fitimit të statutit akademik nga ana e tyre më nuk është e mundshme të ngecet në nivelin deskriptiv dhe eklektik dhe në këtë mënyrë edhe më tutje ”çdo gjë që është e shkruar për gratë dhe që është e frymëzuar me cilindo lloj të perspektivës feministe do të merret automatikisht si kontribut i rëndësishëm”. Në fazën më të pjekur të studimeve gjinore është e nevojshme të orientohet drejt teorikes, analitikes dhe eksplanatueses në studimin e raporteve të gjinive dhe “të ballafaqohemi në mënyrë sistematike me numrin e madh të problemeve teorike që shfaqen në shumë punime dhe të cilat ndërmerren në emër të “studimeve gjinore” ose “teorisë feministe”. Susan Sontag i bashkohet këtij orientimi dhe thekson që më nuk është e nevojshme, as e logjikshme që “kërkesat për thjeshtësinë intelektuale të vihen në plan të parë në emër të etikës së solidaritetit”.
Mirëpo, konfliktuoziteti midis anës didaktike, nga njëra anë dhe pretendimeve teorike të studimeve gjinore nga ana tjetër, sipas mendimit të këtyre autoreve nuk u pasqyrua vetëm në dominimin e “të mësuarit” deskriptiv dhe eklektik mbi aventurat analitike dhe teorike të mendimit, por ai tensionim u tregua gjithashtu edhe si rezistencë anitiintelektuale për çdo përpjekje teorike më abstrakte që nuk ka të bëjë drejtpëdrejt me realitetin e gjallë dhe nuk transformohet “automatikisht’ në aksion në luftën për barazinë. Edhe pse të vetëdijshme për karakterin autoritar të diskursit tradicional akademik dhe rrezikun që studimet gjinore të integrohen në mjedisin akademik dhe sistemin arsimor tradicional dhe në këtë mënyrë, si edhe disiplinat e tjera akademike, të largohen nga rrjedhat e drejtpërdrejta dhe të gjalla të realitetit, Kuhn-i dhe Wolp-e, megjithatë konsiderojnë që “nevoja për teorinë”nuk guxon të mospërfillet, sepse lind nga nevoja urgjente dhe specifike për konstruktimin e të kuptuarit analitik dhe efikas, të pozitës së gruas. Intervenimin në njohuri ose teori duhet kuptuar si pjesë konstituive të ndryshimit në botë. Mospajtueshmëria e detyrave të thjeshta ideologjike me qëllimet teorike këtu fare në mënyrë precize artikulohet dhe theksohet si kërkesë primare për seriozitet teorik të studimeve gjinore – sepse domosdoshmëria e ndryshimeve teorike është pjesë përbërëse e ndryshimit në botë.
Nga pikëvështrime të këtilla të rolit dhe qëllimeve të studimeve gjinore mund të konkludojmë që studimet gjinore gjatë zhvillimit të vet kanë kaluar nëpër fazën e “harmonizimit” me qëllimet e thjeshta, didaktike, ideologjike të lëvizjes, por pas një dekade të ekzistimit të vet, i kanë vënë vetes detyrë ambicioze të elaborimit teorik të problemit të gjinive dhe pozitës nënshtruese të gruas. Në këtë mënyrë është hapur rruga drejt pjekurisë teorike të studimeve gjinore, drejt barazisë më të madhe dhe rëndësisë në raport me dispiplinat e tjera “të akademizuara”, por duhet pranuar edhe drejt dispilinave teorikisht shumë më të zhvilluara. Në pushtimin e nivelit më të lartë të pjekurisë teorike të studimeve gjinore, i ka kontribuar posaçërisht degëzimi i tyre në forma të ndryshme të veprimit, “pluralizmi i qasjes”, me të cilin mund të plotësohen nevojat dhe qëllimet e llojllojshme. Ambiciet teorike është e mundur të plotësohen në kuadër të studimeve gjinore universitare, kurse ato qëllimet e tjera didaktike dhe ideologjike, është e mundur të realizohen në studimet gjinore “lokale’, në kuadër të bashkësisë më të gjerë shoqërore. Në këtë mënyrë është e mundshme të shqyrtohet edhe “pajtimi” i intencave teorike dhe ideologjike të studimeve gjinore dhe të mënjanohen rreziqet që të kërkohet një zgjidhje monopolite, në të cilën fare sigurt do të mbizotëronte imperativi ideologjik, kurse ai teorik do të kthehej në rolin nënshtrues, instrumental.
Ndarja e formave të veprimitarisë së studimeve gjinore, si definim preciz i qëllimeve të tyre të llojllojshme, jo vetëm që ka rëndësi praktike, por para së gjithash është jashtëzakonisht e rëndësihme për afirmimin e teorisë në studimet gjinore. Llojllojshmëria e formave të studimeve gjinore ofron mundësi reale që ato të largohen nga kërkesat fillestare për “inventarizim” të thjeshtë të nëpërkëmbjes së gruas dhe të drejtohen në shqyrtime teorike themelore të analizës dhe ridefinimit të çështjes së gruas dhe raportit të gjinive në shkencat shoqërore. Kalimi nga qasja deksriptive në një qasje më të ashpër analitike, në realitet është shenjë e mundësive teorike dhe ambicieve të studimeve gjinore paraqet rrugën e vërtetë në kthimin e “seriozitetit” të problemit. Vetëm atëherë, kur në studimet gjinore u ndie qartë nevoja për teori “serioze”, e jo vetëm përshkrim didaktik, u krijua mundësia reale që problemi i pozitës së gruas të lëvizë nga pozita e vet margjinale brenda shkencave shoqërore dhe të bëhet çështje shoqërore relevante dhe çështje teorike, e cila nuk mund të mendohet më në formula të thjeshta dhe formula të mendjes së shëndoshë. Poliformiteti i studimeve gjinore është shenjë edhe e pjekurisë së fazës së re të zhvillimit të studimit të pozitës së gruas. Ai premton kontribute shumë më të rëndëishme teorike të studimeve gjinore se që ka qenë e mundur kjo të paramendohet në fillim të zhvillimit të tyre, sepse më në fund mbizotëroi vetëdija që përveç studimit aktivist dhe ngritjes së vetëdijes së grave, teoria është njësoj qenësore, aq më shumë e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme në ridefinimin dhe ndryshimin shoqëror të raporteve të pabarabarta midis gjinive.
_______________________________________________
1 Kjo nënkupton studimet që i kanë bërë gratë, ku objekt studimi ka qenë gruaja dhe rezultatet e këtyre studimeve janë në shërbim të grave. (shënim i përkthyesit)