Njeriu në anën tjetër

Autorja: Lindita Arapi

diku prapa murit
duhet të vijë ky zë…
herë vjen si një rënkim që
dobësohet,
herë më bëhet se është
një këngë e trishtuar nate,
zëri stonon, bëhet i paqartë,
vibron
si një zë që përpiqet të kuptojë
nuancat e vuajtjes së vet,
nuk jam e sigurt…
më duket se ai zë
është këngë e përkryer dashurie.
nuk e di nëse dikush këndon…
nuk e njoh as fqinjin që banon në
anën tjetër.