Miti i djallit
Zhytem në mitet e botës
e rrëmbehem flakshëm
nga bukuria e fjalës së kulluar
dhe legjenda e jetës
S’është me rëndësi
a ishte Enkidu
duke gërmuar pavdekësinë
apo Ozirisi në kërkim të vetes
ishte Orfeu
që s’arriti ta kthejë Euridikën
apo vëllai i Doruntinës
që solli besën
Rishijohen mitet e botës
në shthurjet e kohës
Veç mitin djallëzor
mbi Kosovën
e përlan koha
(Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001)