Më more për dore

Autorja: Natasha Lako

Më more për dore dhe më the:

– Nata nuk fsheh asgjë përveç ne të dyve,
kapërceje këtë natë si një kalë të zi.

Më more për dore dhe më the:

– Nuk vijmë as prej vdekjes në jetë si
Kostandini te Doruntina
as prej jetës në vdekje si Virgjili te Beatricja.

Më more për dore dhe më the:

– Jemi më të etur se vdekja vetë,
dhe më të zbrazët se vetë jeta.

Më more për dore dhe më the:

– Jemi vetëm ne të dy, ne të dy, ne të dy,
kapërceje këtë natë, si një kalë të zi.