I huaj

Autorja: Lindita Arapi

kështu kaloi edhe një tjetër fytyrë.
në trena që vetëm ikin e ikin,
duke lënë pas vetëm erën,
vetëm erën që përkundet në palat e fustanit tim
ndërrohemi,
dhe e kupton…
asgjë nuk kishte të bënte me ty,
pavarësisht se si lozin me ty drithërimat e tua
je i huaj.
pavarësisht se ajo fytyrë mund të ishte
fytyra gjithë jetës e kërkuar
iku…
kurrë më s’keni për t’u parë.
kështu janë historitë e tua
si këta trena që vijnë, qëndrojnë një çast e ikin,
ti mbetesh
aty mbi platformë,
i tradhëtuar
dhe nuk do ta pranosh se i ke ardhur botës
për të qenë i huaj.

vështron rrotull,
gjithkund përreth teje
ka njerëz
dhe njeriu është bërë ta duash.