Gjuha dhe gjinia
Shumë kohë më vonë, Edipi i plakur e i verbuar, po endej rrugëve. Nuhati erën e njohur. Ishte Sfinga. Edipi i tha, “Të ta bëj një pyetje. Përse nuk e njoha nënën time?” “Më dhe përgjegje të gabuar,” i tha Sfinga. “Por, nga kjo dolën të gjitha,” ia ktheu Edipi. “Jo,” i tha ajo. “Kur të pyeta. Ç’është ajo që në mëngjez ecë me katër këmbë, në mesditë me dy e në mbrëmje me tri, ti u përgjegje Njeriu. Se përmende gruan fare.” “Kur thuhet Njeriu,” tha Edipi “me këtë përfshihet edhe gruaja. Gjithkush e di këtë.” Ajo i tha, “Ty ta merr mendja kështu.”
A ka gjuha gjini? Gjuha si institucion shoqëror, si ‘sistem vlerash’(Saussure), nuk mund të ketë tipare dalluese të seksit, mashkull ose femër, por janë format dhe mënyrat e komunikimit ato që lidhen me seksin e folësit, dhe në këtë kuptim përcaktojnë dallimet gjinore. Termat si: ‘fjalë burrash’ apo ‘fjalë grashë’ nuk u referohen fjalëve të veçanta që përdoren ekskluzivisht nga burrat, respektivisht nga gratë. Këta terma më tepër kanë të bejnë me kontekstin e të folurit apo me sjelljet e caktuara, të cilat shoqëria i njeh dhe i pranon si mashkullore apo femërore. Përkatësia shoqërore, klasa, raca apo gjinia, determinojnë edhe gjuhën e individit. “Gjuha të cilën e flasim, e shkruajmë, e kuptojmë (e të gjitha këto janë rende të ndryshme të gjërave) përcaktohet nga pozita jonë në botë, si dhe nga mjedisi të cilit i përkasim. Sipas supozimit terminologjik, se gjuha si sistem është dialekt i cili ka pasur sukses në planin politik, (ngase në aspektin linguistik nuk ka dallime mes gjuhës dhe dialektit), dhe se të folurit është përdorimi praktik i saj, socilonguistika flet për sociolekte brenda një gjuhe të dhënë.”(R. I.)
Në ditët e sotme, përveç linguistikës ka edhe një varg disiplinash të ndryshme shkencore që merren me studimin e gjuhës apo të aspekteve të veçanta të saj, sikurse janë, psikolinguistika, antropologjia, sociolinguistika, sociobiologjia, kritika letrare, historia e gjuhës e të tjera. Mes çështjeve të studimit shtrohet edhe pyetja: përse ndryshon gjuha e gruas nga ajo e burrit dhe ku qëndron ky ndryshim? Studimet e ndryshme që janë bërë në temën e gjuhës dhe gjinisë kryesisht sillen rreth dy kategorive:
format dhe mënyrat me të cilat gjuha i krijon, i ruan apo i tregon pikëpamjet ndaj gjinisë,
format dhe mënyrat, qoftë të gjuhës së folur apo të shkruar, që në një mënyrë apo tjetër tregojnë seksin e folësit.
E para lidhet me studimin e rolit dhe pozitës që zë burri dhe gruaja në shoqëri. E dyta me diskutimet e shumta për faktorët e ndryshëm të influencës, të lindur apo të fituar (nature or nurture), të trashëgimisë apo ambientit.
Ndërsa dy modelet janë teoria e dominimit (gjuha si mjet dominimi apo kontrolli) dhe ajo e ndryshimit (gjuha si përvojë e ndryshme ndaj botës dhe realitetit).
Teza kryesore e Dale Spender, në librin e saj ‘Man Made Language’ (Gjuhë burrash), është se meshkujt dominojnë shoqërinë patriarkale angleze, ata kanë kontrollin mbi prodhimin kulturor, dhe ky dominim, shfaqet në gjuhë dhe ruhet po përmes gjuhe. Roli i gruas si dhe vet qenja e saj vështrohet kryekëput nga pikëvështrimi mashkullor, madje edhe nga vetë gruaja. “Cilat janë implikimet e një shoqërie e cila ka një gjuhë të ndërtuar mbi premisën, se bota si e tillë është mashkullore në rast se nuk dëshmohet ndryshe?” Gruaja detyrohet t’i përshtatet versionit të së vërtetës mashkullore, edhepse ai nuk është kompatibil me përvojën reale dhe me verzionin e të vërtetës së saj. “Që të dy sekset jetojnë në realitetin e dekretuar mashkullor e që të dy i japin kuptimin botës sipas termave të domethënjes mashkullore.” Rregulla semantike e këtij sistemi të shoqërisë patriarkale është se mashkulli është normë kështuqë, karakteristikat femërore bëhen vetvetiu të këqia apo negative.
Helene Ciouxs, sipas asaj që ajo quan modeli binar patriarkal, ka radhitur këtë listë të kundërshtive binare: Aktive/Pasive, Dielli/Hëna, Kultura/Natyra, Dita/Nata, Baba/Nënë, Koka/emocioni, Logjika/Senzitivja, Logos/Pathos. Filozofia dhe letërsia lidhen gjithnjë me këtë sistem binar, që përfundon tek dysia mashkull/femër. Kështu paraqitet ‘e mira’(vetvetja) dhe ‘e keqja’ (tjetri). Në këtë dysi ndarja del asimetrike, të dyja polet nuk gjenden në një shkallë të barabartë por janë në një raport hierarkie. Gjithmonë ana ‘feminine’ është ana pasive apo negative, gjinia femërore është ‘gjinia tjetër’. “Ajo përcaktohet dhe dallohet në raport me burrin dhe jo ky me gruan; ajo është jothelbësorja përballë thelbësores. Ai është Subjekti, ai është Absolutja: ajo është Tjetri.” (S. Beauvoir).
Modele të tilla të mendimit nuk kufizohen në një gjuhë apo në një kulturë. Në vlerësimin për mjeshtrinë artistike të njërës nga piktoret kosovare, Sh. M. shkruan: “Artsitja luhatet mes figuracionit dhe abstrakcionit, mes impresionit dhe ekspresionit. Kjo luhatje do të mund të jetë pasqyrim i asaj thyerjeje tipike për femrën krijuese që hamendësohet mes karierës artistike, e cila kërkon përkushtim të madh, dhe obligimeve kufizuese të ‘thirrjes’ së gruas. Por sado e kushtëzuar me fatin femëror dhe sado diskontinuele në kërkime, T.P. nuk të jep asnjë shenjë të senzibilitetit dhe të dorëshkrimit ‘femëror’ pos deridiku në përdorimin më të lirë të ngjyrave intensive, që ideve i japin një dekorativitet të jashtëm.”
Sipas Deborah Tannen, e folura e gruas ndryshon nga e folura e burrit. Në librin e saj ‘You Just Don’t Understand’ (Ti nuk mund ta kuptosh) përshkruan ndryshimet që kryesisht kanë të bëjnë me mënyrën se si e përjeton burri dhe gruaja botën dhe realitetin në të cilin jetojnë. Në shoqëri, burri bën përpjekje që të ngjitet në shkallët e hierarkisë, botën e sheh si një vend për të arritur një status dhe për ta ruajtur atë. Derisa gruaja, bisedën e përjeton si mjet për të gjetur përkrahje apo miratim të ideve të veta. Një grua para se ta ftojë mysafirin do të konsultohet me të shoqin për të dëshmuar se te ata ka harmoni. Derisa burri, do ta ftojë mysafirin, edhe pa u pasë marrë vesh me gruan, sepse po ta kuptojnë shokët se ai duhet ta pyes gruan paraprakisht, kjo do të thotë që para shokëve do të ulet autoriteti i tij. Edhe për Tannen, poashtu norma është mashkulli. Fjala ‘njeri’ apo ‘lloji njerëzor’ e dëshmojnë këtë, meqë termet që e përcaktojnë njërin prej dy sekseve, përdoren edhe për të shprehur të gjithë llojin.
Robin Lakof, në librin e saj ‘Language and Women’s Place’, (Gjuha dhe vendi i gruas), thotë se gruaja përjeton diskriminim linguistik në dy forma: përgjithësisht sipas mënyrës që gjuha e trajton atë dhe në mënyrën se si gruaja mësohet ta përdorë gjuhën. Format e ndryshme leksike si subjekti i përgjithësimit (generic subject) kanë efektin e përjashtimit të gruas. This discovery will benefit all mankind. (Ky zbulim do t’i shërbejë gjithë njerëzimit) The spaceship was manned by experiences scientists. (Ekuipazhi i anijes kozmike përbëhej nga shkencëtarë me përvojë). Sipas dysisë simbolike asimetrike të gjinive, gjinia mashkullore gjithnjë paraqitet si universale, e përgjithshme, e me këtë edhe si neutrale. Paraqitja e formës mashkullore si neutrale është ajo që na pengon të shohim specifikat gjinore. Derisa përgjithsimi i tillë, i mban karakteristikat femërore si partikulare, në të njejtën kohë, fsheh prejardhjet e mashkullores si partikulare, duke e ngritur atë në nivel të përgjithshëm, neutral. Gjuha si institucion shoqëror, shfaq karakterin e vet gjinor pikërisht në hierarkinë e sekseve e cila, në gjuhë shfaqet si diçka e paracaktuar dhe e vetkuptueshme. Vetëm atëherë kur e shohim dhe e dallojmë këtë hierarki mes sekseve do të mund të shohim edhe karakterin gjinor të gjuhës.
Në aspektin e përdorimit të gjuhës, dallimet gjinore kanë të bëjnë me mënyrën se si gruaja mëson ta përdorë gjuhën. Gruas i delegohet pëgjegjësia për të rritur brezin e ri e prandaj ajo duhet gjithmonë të jetë shembulli apo modeli i sjelljes së mirë. Që të mund të luaj si duhet rolin e ‘zonjës’ gruaja u shmanget thënjeve të rënda apo të vrazhda, çka mes të tjerash arrihet me edukimin e gruas që nga mosha e hershme e saj. Si në familje, si në shkollë e gjetiu, sjelljet prej çapkëni janë më të tolerueshme për djalin sesa për vajzën. Ajo duhet të ketë më tepër kujdes se si luan, si sillet, si flet sepse: “Ti je vajzë!”, do t’i thonë të gjithë.
Kërkesat e shoqërisë për një sjellje të hijshme dhe për një gjuhë si i ka hije ‘gruas së ndershme’ V. Woolf i shihte si pengesë në zhvillimin e një shkrimtarjeje si artiste. Imagjinata e gruas shkrimtare kërkon dhe zhytet në thellësitë e qenjes. Mirëpo, në këtë kërkim ajo ndeshet në një gjë të fortë. “Të flasësh pa figura, ajo ka menduar për diçka, diçka për trupin për epshet për të cilat si grua s’i kishte hije të fliste. Burrat, i thoshte arësyeja e saj, do të pësojnë shok. Vetëdija për atë që burrat do të thonë për gruan, që e thotë të vërtetën për epshet e saj, e kanë zgjuar atë nga gjendja e pavetedijshme artistike. Transi ka përfunduar. Imagjinata nuk i punon më.” Këtë pengesë për zhvillimin e mendimit artistik Woolf e quan ‘konvencionaliteti ekstrem i gjinisë tjetër’. Përkundër faktit se burrat për vete gëzojnë një liri të madhe në këtë kuptim, ata e dënojnë ashpër një liri të këtillë për gratë. Ajo pranon se nuk kishte arritur të kapërcente barrierat që shoqëria i kishte vënë, për të treguar të vërtetën për përvojën e saj trupore. Barrierat e tilla kapërcehen gjithnjë e më shumë mirëpo gruaja që i kapërcen këta kufinj shpeshherë quhet e pafytyrë, ose konsiderohet se ka humbur feminitetin e saj. Varësisht nga përmbajtja e fjalës së saj, qoftë të shkruar apo të folur, ajo mund të cilësohet si “gojështhurur” apo si ‘grua burrnore’. Në asnjërin rast ajo nuk mund të jetë vetëvetja; ose është më pak se grua, dmth. grua sipas modelit të ‘gruas së ndershme’, ose më pak se burrë. Ngase dysia simbolike mes sekseve nuk është simetrike, ajo është hierarkike dhe nuk lejon barazi.