Filigrani

Autorja: Edi Shukriu

Fijet e shpirtit
thurin
stoli të drithëruara
të durimit të filigrant
që s’përtojnë të flasin
për ëndërrimet e ditëve
hijen e shijen e moteve
frikën e lutjet e shekujve

E blatuar me gjuh pagane
në rrjetë është zënë gruaja

trekëndëshi i strukur në ornamente
lut plleshmrinë e vonuar
edhe në Udhët e Kryqeve

Trajtat e rrumbullakuara
grishin parreshtur Diellin

me valë të pikëzuara
rrezatojnë amshueshmëri

Hapur ka krahët shqiponja
lacërat mbahen fort
për dritën e gurit me vlerë
Syin e Keq e hëngërt vetvetja!

Në përjetshmëri
Nyjëzohen
Fijet e moteve

Ç’thuret bota
E pa fill pa skaj

(Nënqielli, Rilindja, Prishtinë, 1990)