EDITORIAL – Nr. 7

Sazana Çapriqi

PERSPEKTIVA E FOLKUT GJINOR

Me gjithë numrin shumë të madh të organizatave të grave të regjistruara në Kosovë, me gjithë përkrahjen evidente nga strukturat e adminsitratës së UNMIKut madje edhe përkundër përkrahjes, së paku morale nga institucionet vendore, në Kosovë gratë vazhdojnë të mbesin në margjinat e skenës politike, shkencore, intelektuale etj të shoqërisë. Ku është problemi?
Shoqëria kosovare di fare pak ose aspak për aktivitetin e grupeve apo shoqatave të grave. Për më keq, ajo, pra shoqëria kosovare as që dëshiron të dijë për to. Aktiviteti i shoqatave të grave kryesisht provokon buzëqeshje tallëse a shpërfilljeje te një numër i madh kosovarësh pa dallim gjinie, madje shumë shpesh edhe te një numër jo i vogël ndërkombëtarësh siç jemi mësuar t’i quajmë njerëzit e shteteve të tjera që jetojnë e punojnë përkohësisht në Kosovë. Kjo sepse edhe përkundër numrit shumë të madh të shoqatave të grave në Kosovë, që janë ku më pak e ku me shumë aktive në punët që bëjnë, shkalla e suksesit të tyre në aktivitetet me të cilat pretendojnë se merren, me përjashtime të vogla mbetet një mister edhe për vetë shoqatat e të mos flasim për shoqërinë kosovare. Megjithatë, ka në Kosovë disa gra që do të diskutonin me shumë patos se lëvizja e grave në Kosovë ka suksese spektakulare dhe natyrisht do të fillojnë të numërojnë se sa takime dha sa trajnime për çështje gjinore janë mbajtur, sa trajnime të tjera për fuqizimin e gruas në vendimmarrje, sa të tjera për vetëdijësimin e gruas për rolin e saj në politikë, në ekonomi, në biznes, agroekonomi e kështu me radhë, pastaj sa e sa gra nga Kosova kanë marrë pjesë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare.
Në 10-15 vitet e fundit ka pasur përpjekje të grave për vetorganizim, dhe ka pasur pjesëmarrje të grave në lëvizjen e fundit nacionale të Kosovës e megjithatë ato akoma nuk kanë arritur të imponohen para opinionit me një strukturë koherente të organizuar dhe me vizion të qartë. Domethënë në Kosovë akoma nuk është arritur të konsolidohet një lëvizje identifikuese e grave. Kjo për arësyen e thjeshtë se spektrit të gjërë të grupeve të grave në Kosovë i mungon një elitë intelektuale e cila do të mund t’i artikulonte kërkesat, synimet dhe vizionet e grave kosovare për arritjen e një pozite më të avansuar të gruas. Lëvizja e grave në Kosovë sot sillet mes një folk patriotizmi e një feminizmi infantil, naiv. Kjo lëvizje mbetet gjithnjë e paartikuluar, nuk imponon ndonjë seriozitet intelektual andaj as që mund të arrijë të faktorizohet në këtë shoqëri. Për sa kohë që ajo mbetet thellësisht jointelektuale, buzëqeshjet ironike për aktivitetet e saj gjinore do të vazhdojnë nga të gjitha palët, nga burrat e nga gratë, nga gjeneratat e moshuara dhe nga ato të rejat. Thjesht do të vazhdojë të shihet si një shfaqje e parëndësishme cirku e cila përveç do përfitimeve materiale të grupit nuk lëviz gjë nga vendi në kuptimin e sensibilizimit gjinor të kësaj shoqërie. Duke qenë jointelektuale ajo veç se e ka hutur më shumë këtë ambient patriarkal e të paemancipuar dhe ka krijuar më shumë konfuzion se sa ka arritur ta senzibilizojë atë. E keqja më e madhe në këtë hapsirë ka ndodhur kur në kohën që kërkohej të artikulohet me kulturë ajo që quhet senzibilizim mbi perspektivën gjinore, e kjo është një punë jashtëzakonisht e komplikuar dhe e ndjeshme të cilën mund ta bëjnë vetëm elitat intelektuale të shkolluara, te ne kanë marrë bajrakun për senzibilizimin, edukimin e masave apo të zhvillimit të instituteve gjinore gratë që në jetën e vet nuk kanë qitur as edhe një shkronjë të vetme në letër lidhur me tematikën që e proklamojnë. E kjo nuk ka ndodhur askund as në rajon as në botë.
Dukuria manovruese e NGOizimit të grave, përveç monologut monoton ekstenziv mbi padrejtësinë historike, mbi tradicionalizmin a fanatizmin, mbi prapambetjen e shoqërisë sonë në botkuptimet e roleve gjinore nuk ka arritur të bëjë asnjë hap përpara për ndryshimin e rendit të tillë të gjërave. Madje nuk ka arritur as të ndikojë apo të shfrytëzojë mekanizmin lehtësues që krijoi UNIMK-u me kuotën e përfaqësimit gjinor në Parlament. Ka nga ato që pohojnë se kjo kuotë u krijua si rezultat i angazhimit të lëvizjes së grave. Do të ishte fat i madh po të ishte kështu. Për hir të së vërtetës dhe për të mos mjegulluar gjërat, duhet pranuar se roli i lëvizjes së grave në këtë plan ishte minimal. E këtë më së miri e dëshmon hendeku i madh që ekziston në mes të grave në politikë dhe atyre të shoqërisë civile. Derisa gratë në politikë i akuzojnë ato të shoqërisë civile për uzurpim fondesh këto të fundit i akuzojnë të parat për uzurpim postesh. Pastaj, shoqëria civile është gjithnjë e më e zëshme në kërkesën për përfaqësim cilësor e jo sasior. Nga ana tjetër kjo kërkesë nuk ka të bëjë me potencialin a kapacitetin individual intelektual, a profesional të cilësdo nga deputetet, së paku nuk do të duhej të kishte, sepse gratë në Parlament nuk janë as më pak e as më shumë të zonjat se sa pjesa tjetër e kolegëve të tyre nga 70 përqindshi. Kushdo që i ka zgjedhur sigurisht që ka pasur një mbështetje për zgjedhjen e tyre. Sidoqoftë, fakti se momenti inicues i zgjedhjes së tyre është bërë me qëllim të përfaqësimit gjinor nuk mund të anashkalohet. Megjithatë shpeshherë ndodh që zonjat deputete e harrojnë apo nuk kanë dëshirë ta pranojnë këtë fakt. Nëse 70 përqindëshi burrërror për këto pesë vjet të përlamentarizmit kosovar ka bërë zhurmë për çështjet që ata mendojnë se u takojnë, sikundër mund të jetë dilema e madhe se kush e çliroi Kosovën a kush ishte më trim në luftën e fundit, gratë janë shquar për atë se fare nuk kanë pasur për çka do ta ngrisnin zërin. E ato janë futur aty për të artikuluar çështjet e gjinisë. Prandaj, angazhimi i zyrës amerikane që nga fillimi i madatit të Parlamentit të kaluar, për të formuar grupin parlamentar, mbipartiak të grave i cili në rrugë institucionale do të mund të iniconte çështje dhe të kërkonte zgjedhje të problemeve të grave, nuk u kurorzua me sukses. Për hir të së vërtetës duhet shtuar se në fakt këto dy palë, pra gratë në politikë dhe gratë në shoqërinë civile jo se kanë urrejtje e armiqësi të thella e të patejkalueshme, por e tërë mosmarrëveshja mes tyre ka të bëjë me çështje të pikëpamjeve të ndryshme, e në masë të madhe është edhe çështje sedre. Në vend se të krijojnë partneritet ato nuk mund të pajtohen se cilës palë i takon të udhëheqë procesin e barazisë gjinore në shoqërinë tonë. Deri tani ato nuk kanë arritur të gjejnë rrugë të përhershme bashkëpunimi, edhe përkundër presioneve të shumta të organizatave e donatorëve ndërkombëtarë. Përpjekja për të krijuar ‘Lobin e grave të Kosovës’ si një grup që do t’i mblidhte në një forum gratë nga politika dhe nga shoqëa civile, fillimisht u duk si një iniciativë e sukseshme por nuk doli e tillë. Pretendimet e grupit ishin të mëdha por interesat e anëtareve tejet kundërshtuese.
Lëvizjet moderne, bashkëkohore ku hyn edhe lëvizja e grave, nuk synojnë të rrënojnë rendin ekzistues shoqëror me metoda të dhunës ato synojnë të ndryshojnë vetëdijen shoqërore si kusht për ndryshimin e sjelljes së shoqërisë, për një emancipim dhe ndryshim shoqëror më të thellë. Në këtë kuptim edhe lëvizja e grave në botë ka qenë dhe është e sukseshme vetëm në ato vende ku ka arritur të imponohet me seriozitetin e angazhimit intelektual dhe të influencojë praktikën dhe teorinë shkencore, sidomos të shkencave shoqërore. Vetëm kësisoji ka arritur të tundë paradigmën patriarkale të shoqërisë, të lëkundë paragjykimet, pikëpamjet stereotipe lidhur me raportet gjinore. Ndryshe lëvizja e grave ka mbetur e fragmentarizuar, e margjinalizuar dhe si e tillë e parëndësishme. Në këtë kuptim edhe lëvizja e grave në Kosovë do të quhet e dështuar për sa kohë që nuk arrinë të motivojë një potencial krijues intelektual që do t’i imponohej me seriozitet kësaj shoqërie. Me rezultate evdiente, para së gjthash, me punën e vet profesionale në fushat ku vepron, me forcën e argumentimit do të nxiste debate për çështjet gjinore, do të provokonte vetëdijen kritike dhe kësisoji do të lëkundëte pargjykimet e botëkuptimet patriarkale të shoqërisë sonë. Kështu dhe vetëm kështu gruaja do të arrijë të pushtojë hapësirën e sferës publike, të bëhet faktor i barabartë dhe të jetë pjesëmarrëse e rëndësishme në proceset e zhvillimit shoqëror.