Dora nesër
Sot qenka
Dora jote
Ngjyrë kopshtesh
Plot me rrudha si livadhet
Me të prera lule ari
Formë pune, vizatuar
Që më thonë.
Do të përshkosh zhaurima si përrenjtë e përmbytur
Në konfuzionin tënd.
Shoh
Re rubini
Që po mblidhen që po mblidhen
Po rëndohen
Pak më vonë do të të rrethojnë
Shi i brishtë
Shi brilant
Do të të shoqërojë e do të lahet do të shtrihet
Në jastëkë të butë qetësie
Bashkë me ty.
Për një kohë do të vështrosh
Nga maja e malit ku pikturohet
Qartë qielli
Vijën e hollë të dy jetëve të tua.
E vjetra është e tërhequr
Si një bllok korrigjimesh
Vija e re.
Mozaiku u përfundua
Dhe mbi të mund të lozin vetëm zogjtë.
Atëherë të shoh
Me sy drejt shiut
Mua më ngjan fytyrëndritur
Si njeriu që njeh Zotin
Sa vonë, sa vonë
Rikthehesh kuptimit të qartë
Je vajzë plangprishur në shtëpinë e mendimit
Mos u trishto, përsëri!
Turbullirat janë krizë në pafajni
Asgjë më pak
Asgjë më tepër
Dobësi.
Nuk më thotë, dora tjetër, veç
Atë kohë që ke humbur
Ata gurë që ke kërkuar
Ti
Smerlde i ke pasur…
Farë pranë e s’i ke njohur
Mua, fati yt
Më parathotë se do të vazhdojë
Të rrjedhë shiu rreth teje
Lotë brilantë të çlirimit.
Më në fund
Thjeshtësia është
Të dish ku të mbështesësh kokën.
* * *
Ti do ecësh larg
Bijë e ujit
Rrugë të gjatë ke për të bërë
Nëpër dalldinë e zjarrit
Mozaikun tënd
Që përmblidhet me një ngjyrë
Me një formë
O Zot! Ti s’ke faj
Nëna jote ka qenë e marrë
S’ka qenë e çmendur…