Aroma dehëse e borzilokut ose duke lexuar poezinë e Natasha Lakos
SHKRIMTARE E LETRAVE DHE E KINEMASË
Natasha Lako (1948) është e pranishme më se tridhjetë vjet pa ndërprerje në rrjedhat e poezisë shqipe. Të jesh i pranishëm një kohë kaq të gjatë në rrjedhat e një letërsie, madje në një konkurrencë të fortë çfarë është ajo e poezisë shqipe dhe jo vetëm në kohën kur hierarkitë letrare diktoheshin nga kritika e ideologjizuar zyrtare, por edhe në periudhën pas ndryshimeve të mëdha politike të viteve ’90, do të thotë të posedosh vlera të padyshimta artistike. E lindur në një qytet me traditë kulturore, siç është Korça, por e formuar si krijuese në mjedisin letrar të Tiranës (kah mesi i viteve nëntëdhjetë ka qëndruar një kohë edhe në botën e jashtme), Natasha Lako ka ditur të përfitojë nga bagazhi kulturor i vendlindjes dhe i mjediseve të tjera që ka frekuentuar gjatë jetës dhe ta sublimojë këtë përvojë në krijimtarinë e saj letrare.
Në shënimet e shkurtra të vëna në fund të librit të saj të fundit, Këmbë dhe duar, Natasha Lako cilësohet me fjalët “shkrimtare e letrave dhe e kinemasë”. Edhe pse është autore edhe e një romani, Stinët e jetës (1976), mund të thuhet lirisht se ajo e ka derdhur talentin e saj në dy fusha kryesore të krijimtarisë: në fushën e poezisë lirike dhe në atë të skenarit artistik.
Nga shënimet bibliografike të Natasha Lakos mund të shihet se ajo është autore e shtatë përmbledhjeve me poezi: Marsi brenda nesh (1972), E para fjalë e botës (1979), Yllësia e fjalëve (1986), Këmisha e pranverës (1984, botuar te “Rilindja” e Prishtinës), Natyrë e qetë (1990), Thesi me pëllumba (1995) dhe Këmbë dhe duar (1998).
Është një rastësi e bukur që edhe numri i skenarëve të hartuar nga kjo autore, bashkëshorte e bashkëpunëtore e aktorit dhe regjisorit të njohur shqiptar, Mevlan Shanaj, sillet brenda kësaj shifre – shtatë. E cilësuar, pos si poete, edhe si “shkrimtare e kinemasë”, Natasha Lako është autore e skenarëve të filmave artistikë: Mësonjëtorja (1979), Një emër midis njerëzve (1983), Fjalë pa fund (1984), I paharruari (1985), Muri i gjallë (1989), Fletë të bardha (1990) dhe Lule të kuqe, lule të zeza (2003), premiera e të cilit u shfaq, pos në Tiranë, edhe në Prishtinë.
Si poete Natasha Lako ka bërë emër jo vetëm në hapësirën shqiptare, por edhe jashtë saj. Në vitin 1973, kur ishte ende në fillim të karrierës së saj, pati privilegjin të hynte në antologjinë Ismail Kadaré et la nouvelle poésie albanaise (Ismail Kadareja dhe poezia e re shqipe), të përgatitur nga përkthyesi dhe kritiku francez Michel Métais (Mishel Mete), tok me tre të mëdhenjtë e letrave shqipe: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, të cilët përzgjedhësi i tyre i quante “poetë që flasin për tërë një popull”. E gjejmë edhe në shumë antologji të tjera të poezisë shqipe, të botuara brenda dhe jashtë, ndër të cilat vlen të përmenden antologjia e poezisë moderne shqipe e Robert Elsie-t An elusive eagle soars (Një shqiponjë e arratisur fluturon), e botuar në Nju-Jork në vitin 1993 dhe antologjia e Aleksandër Zotos Antologie de la poésie albanaise (Antologji e poezisë shqipe), që doli nga shtypi në vitin 1998 në Francë. Pos si poete dhe skenariste, përkatësisht si “shkrimtare e letrave dhe e kinemasë”, Natasha Lako e ka provuar veten edhe si përkthyese e poezisë, duke sjellë për herë të parë në gjuhën shqipe poetin e njohur bashkëkohor suedez, Tomas Transtromer.
NDJESHMËRI E PASUR, MOTIVE TË LARMISHME
Natasha Lako është krijuese me botë të pasur shpirtërore, e cila regjistron në vargje, në mënyrë pothuajse sistematike, përjetimet e veta individuale, të cilat në poezinë e saj shfaqen të ndërlidhura ngushtë me fenomenet e përgjithshme që ndodhin në natyrë dhe në shoqëri.
Duke shkruar për poezinë e Natasha Lakos dikur (1987) kam vërejtur se bota poetike e kësaj poeteje është e pasur me motive, ndjenja, ide e reagime emocionale, që artikulohen në vargje pothuajse gjithmonë në mënyrë të qartë e konkrete, nëpërmjet një uni të zhdërvjellët lirik. Atëbotë Natasha Lako ishte ende e re, pothuajse në fillim të rrugës së saj krijuese, kurse letërsia dhe kultura shqiptare krijoheshin në rrethana të tjera nga këto të sotmet – në kushtet e trysnisë ideologjike dhe të estetikës normative të realizmit socialist.
Sot, gati dy dekada më vonë, krijimtaria letrare e Natasha Lakos është pasuruar me vlera e veçori të reja artistike, por, duke ruajtur karakterin e saj në thelb lirik, përpiqet t’u përgjigjet kërkesave së kohës – të shfaqë unin e saj në raport me rrethanat e reja shoqërore e historike në të cilat është gjendur shoqëria shqiptare në periudhën postkomuniste.
Nëse në dy-tri përmbledhjet e para, Marsi brenda nesh, E para fjalë e botës dhe Yllësia e fjalëve, të botuara në vitet ’70-’80, bota e interesimeve të saj tematike ishte relativisht e ngushtë dhe sillej kryesisht brenda kuadrit: vendlindja, dashuria, jeta e re, që ishin motivet më frekuente të krijimtarisë së saj të asaj kohe, në poezinë e mëvonshme, veçanërisht në atë të krijuar në prag dhe pas rënies së sistemit totalitar (Natyrë e qetë, Thesi me pëllumba dhe Këmbë e duar), kjo botë do të vijë duke u bërë më e gjerë e më komplekse, në atë mënyrë që, krahas anëve të mira, reflekton gjithnjë e më shumë edhe anët negative të jetës. Bie në sy gjithashtu edhe përpjekja këmbëngulëse, herë-herë gati e sforcuar, e autores për të depërtuar në thellësitë e shpirtit dhe në fshehtësitë e botës, që e bën poezinë e saj jo rrallë, ndonëse më pak se atë të disa poetëve të tjerë bashkëkohorë, poezi të ndërdijes dhe të destruktivitetit njerëzor.
Në trajtesën e para 17 vjetëve, Yllësia poetike e Natasha Lakos, te libri (Shih: Agim Vinca, Orët e poezisë, “Rilindja”, Prishtinë 1990, f. 337-358), nënvizoja se Natasha Lako është poete që krijon mozaikun poetik të çasteve të papërsëritshme jetësore, duke e argumentuar këtë pohim me materialin që ofronte poezia e saj e asokohshme. Këto çaste nga pikëpamja tematike mund të jenë të sferave të ndryshme; mund të kenë të bëjnë me dashurinë, me natyrën, me frymëzimin poetik, me aspekte të jetës shoqërore e, në të rrallë, edhe të historisë kombëtare. Mund të jenë të lidhura me vendlindjen, me familjen ose me atdheun. Mund të jenë edhe të gërshetuara e shumëplanëshe. Kjo s’ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që poetja, Natasha Lako, me intuitën e saj të pagabueshme artistike, arrin t’i kapë ato dhe t’i fiksojë në letër me mjete adekuate gjuhësore e stilistike, duke përçuar tek lexuesi ndjenja, ide, pamje dhe detaje që nguliten thellë në kujtesën e tij. Vjershat e këtij tipi, çfarë janë, fjala vjen, Nuk më lë bora të shoh, Një gjethe vjeshte ra mbi flokë, Më more për dore, Mëngjes tiranas, Buzëmbrëmje, Vizatimi i një rruge të Korçës, Etydë e të tjera si këto janë shprehje elokuente e temperamentit krijues të Natashës dhe ekzemplarë të stilit të saj konciz. Për ta parë konkretisht këtë lloj vjershe, mjafton të citojmë poezinë Etydë, në të cilën, me pak penelata, krijohet një atmosferë e gjallë dhe jepet një mesazh interesant – mesazhi se lumturia përbëhet nga çastet e vogla jetësore, ku pleksen natyrshëm aksioni dhe kontemplacioni.
Gëten në çantë, jakën pak sport,
me hijen time dielli po lot.
U shfaq një fletë nga libri i tij,
në trotuar po ec, një fëmijë.
Një fije bari, një zog përtej,
dhe pak më poshtë një trung i prerë.
Në çantë Gëte, pak poezi,
dielli lexon librin e tij.
Njeriu sendërtohet plotësisht në jetë kur arrin t’i kombinojë në mënyrë harmonike mendimin dhe veprimin, ndjenjën dhe arsyen, artin dhe shkencën, siç ndodh me “heroin” e vjershës së mësipërme. Në këtë funksion përmendet aty edhe emri i poetit të madh gjerman, Gëte, që është simbol i poetit të pavdekshëm, në njërën anë, por edhe i krijuesit epikurean, që fton për t’u shijuar gëzimet e jetës, në anën tjetër. Titulli i vjershës, Etydë (vepër e vogël muzikore, por edhe një lloj vizatimi), sikurse edhe vargu tetërrokësh në formë distiku të rimuar, është po ashtu në funksion të përmbajtjes dhe porosisë së saj.
GJITHËSIA E QUAJTUR GRUA
Robert Elsie, në veprën Historia e letërsisë shqipe, duke folur për poezinë e Natasha Lakos, thotë se ajo nuk është vetëm poete grua, por edhe poete e gruas. Gruaja është pa dyshim një nga temat qendrore të lirikës së Lakos. Për më tepër, ajo është një shenjë dalluese e poezisë së saj; një mit. Njëra nga përmbledhjet e saj titullohet E para fjalë e botës. Fjala e parë që shqipton fëmija në jetë, posa nis të flasë, është fjala nënë. Kështu disi thuhet në vjershën hyrëse të këtij libri. Në një vjershë tjetër, që mban titullin E para, artikulohet ideja se gruaja është ajo që i ndien e para të gjitha në këtë botë: ardhjen e pranverës, rënien e gjethit në vjeshtë, thinjën në flokë, shkrirjen e dëborës, vajin e foshnjës, lindjen e dashurisë, sikundër edhe fikjen e saj.
Të gjitha e para i ndien gruaja,
Gruaja, harmonikja, shenjë e gjithësisë…
Në frymën e traditës më të mirë të poezisë shqipe (naimiane-çajupiane-lasgushiane), gruaja në vizionin e kësaj poeteshe është sinonim i bukurisë, i mirësisë, i dashurisë dhe i harmonisë. Ajo është një qenie me konstrukt të veçantë fizik dhe me botë të pasur shpirtërore, që ka dhuntinë e vazhdimësisë së jetës. Si e tillë, ajo është, si thotë poetesha Lako, “shenjë e gjithësisë”, përkatësisht një gjithësi në miniaturë.
Natasha Lako është jo vetëm njëra nga gratë më të shquara krijuese në letrat shqipe, por edhe njëra nga krijueset që kanë shkruar më së shumti për figurën e gruas; të gruas-nënë, të gruas-motër, të gruas-bijë, të gruas-gjyshe; të gruas në përgjithësi.
Në vjershën Natyrë e qetë, që ka si titull një term nga artet figurative, jeta e gruas trajtohet nëpërmjet theksimit të mjetit tradicional të punës së saj – gjilpërës. Si në një tablo ekspresioniste, stivohen në sfond – një libër, një laps, ca fletë të bardha dhe një gjilpërë.
Jeta ime prej gruaje,
ka lënë në hapësirë
një libër të bibliotekës, një laps, ca fletë
dhe një gjilpërë të vogël për të qepur.
Detaji i gjilpërës, si simbol i jetës së vuajtur të gruas, sidomos në të kaluarën, vihet në funksion të idesë së vjershës. Zëri që flet këtu u drejtohet njerëzve dhe në radhë të parë botës mashkullore, me një ton të lehtë qortues e akuzues:
Në çdo gëzim dhe çdo dhimbje,
ju ndjeni në zemër,
atë gjilpërë të vogël të padukshme gruaje,
të mbetur në mes të kësaj bote pa anë e pa fund.
Efekti poetik përftohet nëpërmjet kontrastit: bota e madhe, pa anë e pa fund – gjilpëra e vogël, e padukshme; e pranishme në të gjitha gëzimet dhe dhimbjet njerëzore.
Natasha e sheh gruan prej këndesh të ndryshme. Në opusin e saj gjejmë poezi kushtuar grave të shquara të kombit, që nga mbretëresha Teuta e gjer te Parashqevi Qiriazi e Margarita Tutulani, heroizmi, dija dhe sakrifica e të cilave e bëjnë të ndihet krenare. Mirëpo, për gruan ajo nuk këndon vetëm si atdhetare e iluministe, por edhe si poete e vizioneve moderne. Gruaja për të cilën shkruan Natasha Lako, nuk është vetëm gruaja amvisë, por edhe gruaja intelektuale, krijuese e artiste.
Një “artiste” e tillë është heroina e poezisë Erë borziloku ose rrëfimi për atë që më tregoi përrallën e parë, që është ndër krijimet e veçanta e më të realizuara poetike të Natasha Lakos. Ky është krijimi më i gjatë poetik i përfshirë në këtë përmbledhje dhe mbase i tërë opusit krijues të autores, për të cilin mund të thuhet – jo vetëm për shkak të gjatësisë (rreth 130 vargje), por edhe duke u nisur nga përbërësit e tij ideotematikë e kompozicionalë – se ka strukturën e një poemthi lirik.
Duke folur për strukturën e poezisë lirike, teoricieni i njohur gjerman, Kajzer, thotë se lirikës i përgjigjet stili i evokimit. Mbi këtë parim mbështetet, me a pa vetëdije, edhe kjo vepërz e bukur poetike, e cila i dedikohet personit që folësit të saj ia ka rrëfyer përrallën e parë në jetë.
Rrëfimi për gjyshen i ngjan një përralle të bukur, fantastike, ku gjithçkaje i vjen era borzilok. Era e borzilokut (bimë barishtore njëvjeçare me lule të bardha e erë të këndshme) është figurë mbizotëruese e këtij rrëfimi të çuditshëm poetik. Gjyshja e kësaj “sage” shqiptare, po aq sa edhe universale, nuk bie erë parfumi, por erë borziloku. Rrëfimi për të nis nga ardhja e saj në shtëpi të burrit dhe shtrihet deri në infinit. Konkretizimit artistik të figurës së gjyshes, e cila edhe pse merr përmasa mitike, prapë mbetet një figurë reale, tokësore, i kontribuojnë edhe figura të tilla si: bohçja e vjetër, shamia, shalli i zi, sënduku i rrobave, prehri i mbushur me mollë dhe relikte të një bote të shkuar. E identifikuar që në titull si “rrëfyese e përrallës”, figura e saj, sa reale, aq edhe ireale, duket edhe vetë si e dalë nga përralla. Si në baladat e lashta shqiptare, zhduken kufijtë mes ëndrrës dhe realitetit: “nga gjyshe kalëronte në nuse, nga grua kalëronte në motër dhe bijë”. E mbështjellë me shallin e zi të natës, gjyshja e Natasha Lakos t’i kujton plakat e jetës të romanit Kronikë në gur të Kadaresë; ajo është burim i jetës, arkiv i kujtesës, mëmëgjyshe e shtëpisë dhe e familjes; është jeta vetë. Gjyshja, së cilës pothuajse askund s’i përmendet emri, është edhe simbol i artit, i këngës popullore, që ndryn në vete gaze e helme, brenga e gëzime. Ajo është një grua që dikur jo vetëm ka kënduar këngë e ka kërcyer valle, por shëmbëllen me një magjistare të vërtetë, që bën çudira:
Po të donte ajo shihej ajo që kishte ikur,
po të mos donte ajo, nuk mund të shihnim përtej kurrë.
Po të donte ajo këndonin bilbilat
Dhe po të donte ajo qanin.
Dhe jo vetëm kaq. Ajo është sinonim i dramës historike të njerëzve të këtij trualli gjatë shekullit që lamë pas, që e karakterizojnë luftëra, demonstrata e memorandume. Shprehja “thonë”, që përdoret në fillim të vargjeve të këngës së parë, i jep rrëfimit ngjyrën e përrallës e legjendës, duke e bërë atë më interesant e më tërheqës. Edhe mosha e saj, me numrat proverbialë 99 dhe 101, edhe fjalët e krijuara me parashtesën “stër” (stërgjyshe, stërkohë, stërlule, stërborë), e mitizojnë plotësisht figurën e gjyshes. E përjetuar thellë dhe e mbajtur gjatë në qenien e poetes, kjo është një poezi për të cilën mund të thuhet se imagjinata krijuese e poetes ka punuar me kapacitet të plotë. Në poezi si kjo Natasha Lako e ka arritur zenitin e vet poetik. Është i vetmi krijim poetik, i cili mban përfundi një datë (1986-1989), që tregon vitet në të cilat është krijuar vepra.
Erë borziloku ose rrëfimi për atë që më tregoi përrallën e parë përbëhet nga tetë këngë, prej të cilave gjashtë të parat emërohen me numra rendorë: Kënga e parë, Kënga e dytë, Kënga e tretë, Kënga e katërt, Kënga e pestë, Kënga e gjashtë, kurse dy të fundit, e shtata dhe e teta, mbajnë si tituj togfjalëshat: Kënga e nëndheshme dhe Kënga e fundit. Te Kënga e nëndheshme, “nëna e madhe”, prehri i së cilës bie përjetësisht erë molle e erë borziloku, përafrohet me fushat dhe malet e atdheut (Në njërën anë Tomorri,/ në anën tjetër Morava,/ në mes ti), kurse kënga e fundit, që fillon me fjalën “lamtumirë”, është kënga e përshëndetjes me gjyshen që s’është më dhe që është shndërruar në “stërpluhur e stërkëmbanë” dhe në kujtim të pashuar që s’vdes kurrë. Të tetë njësitë tekstore të kësaj vepërze poetike, që i ngjan një simfonie lirike, i lidh një ide dhe figurë bazë: ajo e gruas që bie erë borzilok. Kalimi nga një këngë në tjetrën bëhet në mënyrë spontane e të natyrshme, ashtu sikurse edhe kalimi nga një kohë në tjetrën: nga e kaluara në të tashmen dhe anasjelltas. Titulli i veprës, që sajohet me lidhëzën “ose”, vë shenjën e barazisë midis heroinës, gjyshes që i ka rrëfyer përrallën e parë në jetë së mbesës dhe erës së borzilokut. Te ky poemth, të gjithë ne gjejmë gjyshet tona, ato që dikur, në fëmijëri, duke na mbajtur në prehër e duke na përkëdhelur, na treguan përrallën e parë, atë të paharrueshmen.
TEATRI TRAGJIK I PRISHTINËS
Fryt i një shpirti të ndjeshëm lirik, poezia e Natasha Lakos shpalos të bukurën e harmoniken, por nuk i mbyll sytë as para të keqes dhe tragjikes. Në poezinë e saj ndihet fuqishëm aroma e borzilokut si refleks i vendlindjes dhe fëmijërisë, por në poezinë e saj, veçanërisht në atë të vëllimeve të fundit, ndihet edhe era e barotit si refleks i historisë dhe aktualitetit.
Një poezi me përmbajtje të tillë, tragjike, por me një strukturë të ngjeshur kuptimore e ritmike, është vjersha që poetja i blaton Prishtinës, kryeqendrës së Kosovës martire.
Diku kah mesi i viteve ’70, kur ende ishte një poete e re e me perspektivë, Natasha Lako kishte ardhur në vizitë në Kosovë, për të marrë pjesë, tok me dy kolegë të saj më të moshuar, në manifestimin tradicional letrar – Mitingu i poezisë në Gjakovë. Te kjo vizitë e largët, por e paharruar, do kërkuar gjenezën e vjershës Ah Prishtinë, e zhurmshme Prishtinë, që është një nga poezitë e bukura e të frymëzuara të Natashës.
Ah Prishtinë, e zhurmshme Prishtinë,
teatri luan klimë kontinentale.
Ah Prishtinë, e zhurmshme Prishtinë,
në thinjat e tua dimërore rrëshqasin fëmijët.
Ah Prishtinë, e zhurmshme Prishtinë,
livadhet e tua i var kasapi.
A Prishtinë, e zhurmshme Prishtinë,
lulet çelin në një pranverë të pakapshme.
Ah Prishtinë, e zhurmshme Prishtinë,
teatri luan verë dhe dimër.
Teatri, kasapi, lulet, livadhi, ndonëse fjalë kuptimisht të largëta me njëra-tjetrën, janë figurat kryesore mbi të cilat ngrihet kjo poezi, kurse pastirrma “ah” në titull të saj dhe në fillim të çdo distiku, shpreh gjendjen emocionale të subjektit lirik. Pasthirma “ah” në gjuhën shqipe shpreh dhembje, pikëllim, keqardhje, frikë, admirim… Si e tillë, ajo, në vargjet e kësaj vjershe, bëhet shprehëse e ndjenjës së dashurisë e të dhembjes, por edhe të frikës e keqardhjes, për diçka të shtrenjtë e të largët, që rrezikohet nga kasapi, ashtu siç rrezikohej Prishtina dhe e tërë Kosova nga pushtuesi serb. Të shtojmë se kasapi, në këtë kontekst, sikurse te tregimi Kulla i Anton Pashkut, është ai që kërcënon qenien dhe ekzistencën e tjetrit, në planin fizik e shpirtëror, individual e kolektiv, pra agresori gjakpirës, vrasës dhe prishës i identitetit.
Epiteti “e zhurmshme”, që po ashtu përsëritet në secilin distik, shpreh gjallërinë e Prishtinës si qytet i të rinjve, sidomos mbrëmjeve pranverore, por ai mund të lexohet edhe si refleks i zhurmës mediale, që u bë për Kosovën në shkallë botërore, pas ngjarjeve të vitit 1981, por edhe më vonë. Ndërkaq, fjala teatër, pos që zgjon asociacionin e teatrit si institucion emblematik në qendër të qytetit, që s’do mend se i ngel në kujtesë çdo vizitori, ka edhe konotacione të tjera, më të gjera: kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, në dy dekadat e fundit, por edhe më parë e, në njëfarë dore, edhe sot, ka qenë arenë ku janë luajtur e vazhdojnë të luhen, “dimër e verë”, drama të mëdha politike e shoqërore të një klime të ashpër, “kontinentale”. Përsëritja e shpeshtë e emrit Prishtinë në tekstin e kësaj vjershe është po ashtu në funksion të intensifikimit të ndjenjës dhe përjetimit, të mallit dhe përgjërimit që e përshkon si rrymë unin e subjektit lirik për objektin e këngëtimit, Prishtinën e zhurmshme të fundshekullit.
*
Me këtë libër Natasha Lako del para lexuesve me krijimet e veta më të mira poetike, të përzgjedhura nga vetë autorja, me ato të cilat kanë arritur t’i qëndrojnë provës së kohës dhe t’i flasin edhe lexuesit të sotëm. Ky libër është sajuar me poezi të zgjedhura nga të gjitha vëllimet e botuara deri më sot të poetes (natyrisht jo në mënyrë të barabartë): Marsi brenda nesh, E para fjalë e botës, Yllësia e fjalëve, Natyrë e qetë, Thesi me pëllumba dhe Këmbë e duar, plus vjershat e vëllimit ende të pabotuar si libër më vete, të quajtur nga vetë autorja Lëkura e ujit. Radhitja e poezive është bërë sipas kriterit kronologjik, domethënë sipas kohës së botimit të përmbledhjeve, metodë kjo që mundëson njohjen e rrugës së zhvillimit të kësaj poezie përgjatë viteve nga përmbledhja në përmbledhje. Në qoftë se në këtë vëllim lexuesi do të gjejë krijimet më të mira e më me vlerë të poeteshës së mirënjohur Natasha Lako, pra ato që i kanë rezistuar kohës, kjo do të thotë se, krahas kriterit kronologjik, në të është përfillur edhe kriteri qenësor i krijimtarisë letrare – kriteri artistik.