Shkrimi femëror dhe statusi i shkrimit

Autorja: Sazana Çapriqi

LETËRSIA E GRAVE DHE SHKRIMI FEMËROR

Termat si më lart janë shumë të reja në ambientin tonë kulturor dhe në diskursin për letërsinë. Si të këtilla mund edhe të krijojnë ngatërrime e keqkuptime. Pastaj, ka edhe mendime të natyrës, a duhet të bëhet një ndarje e tillë e letërsisë. Rëndomë, kundërshtohet përdorimi i kritereve joletrare për të bërë ndarjen e letërsisë. Nuk ka lëtersi grashë sikurse që nuk ka letërsi burrash e kështu me radhë. Megjithatë, kritika feministe në radhë të parë, si dhe kritika gjinore nuk pajtohen me këto mendime. Sipas tyre, arësy për një ndarje të tillë ka, madje shumë.
Çështja e statusit të krijimtarisë letrare të grave shtjellohet në plan teorik i cili në radhë të parë i paraqet dallimet gjinore si dhe mënyrën se si këto dallime paraqiten në tekstin letrar. Sipas zhvillimit të kritikës feministe apo gjinore dallohen dy drejtime kryesore, kritika feministe anglosaksone dhe kritika feministe franceze.

Ginokritika

Kritika anglosaksone analizon letërsinë e grave sipas dimensionit sociologjik dhe sipas analizës së rolit të përcaktuar shoqëror të gruas. Para së gjithash, interesohen për mënyrën e paraqitjes së grave në tekste letrare. Pastaj edhe për perspektivën e gruas në rolin e lexueses. Megjithatë kjo lloj kritike e angazhuar në kriticizmin e patriarkatit kishte mundësi të kufizuara metodologjike gjë që i bën kritiket feministe të merren më shtruar me çështje metodologjike në mënyrë që më saktë dhe në mënyrë më specifike të përcaktojnë fushën e hulumtimit të tyre.
Kështu lindi grupi i kritikeve që konsideronin se detyrë primare e tyre është studimi i krijimtarisë letrarë të gruas si dhe gjurmimi i veçorive që janë specifike për shkrimin e gruas.
Elaine Showalter është e para që formulon termin ‘ginokritika’ si term i cili bën të kuptosh angazhimin e kësaj kritike në fushën e krijimtarisë së gruas. “Njohja e letërsisë së grave si temë me përparësi na detyron që të pranojmë një pozicionim të ri më të përshtatshëm konceptual si dhe të ridefinojmë natyrën e problemit teorik që shtrohet para nesh. Tani nuk kemi të bëjmë më me dilemat ideologjike të pajtimit të pluralizmit revisionist por këtu bëhet fjalë për elemente esenciale të dallimit. Si mund të konstituojnë gratë një grup të veçantë në letërsi? Ku dallon shkrimi i grave?” (Showalter).
Objekt studimi i ginokritikës është letërsia apo shkrimi i grave, duke pritur që një ndarje kaq e qartë do të krijojë hapësirë të re për metodën e leximit të teksteve të grave.

Écriture feminine

Në anën tjetër, kritika feministe franceze niste nga qëndrimi poststrukturalist i Derrida-së dhe nga shkolla psikoanalitike e Lacan-it. Teoricienet si Hélèn Cixous dhe Luce Irigaray zhvillojnë teorinë e tyre duke e trajtuar çështjen e shkrimit të grave dhe përkatësinë gjinore në një mënyrë krejtësisht tjetër nga kritiket anglosaksone. Ato nuk e trajtojnë përkatësinë gjinore sipas dallimit sex-gjini, prandaj kategoria gjinore nuk paraqet ndonjë rëndësi të veantë për këtë teori bashkëkohore feministe.
Ato merren me problemet e shkrimit dhe me kreativitetin e grave me theks të veçantë mbi raportin e grave me gjuhën, e cila sipas këtyre dy kritikeve është me karakter falocentrik. Prandaj ato theksojnë nevojën e grave që të shkruajnë në një mënyrë të ndryshme respektivisht të shprehen me metoda të ndryshme nga ato të traditës dominuese mashkullore.
Hélèn Cioux është ajo që e vuri në përdorim termin shkrim femëror (écriture feminine). Janë të shumtë kritikët letrarë, sidomos ata që nuk janë marrë me kritikë feministe, që e përdorin këtë si term alternativ për të emërtuar shkrimin e femrave në përgjithësi, apo si një term që paraqet një stil sentimental të shkrimit i cili në mënyrë tradicionale është konsideruar si formë apo stil i shkrimit që lidhet me gratë. Ajo vetë nuk e kupton këtë term si diçka që domosdoshmërisht lidhet me gjininë e autorit apo autores; kjo më tepër ka të bëjë me një lloj të caktuar të shkrimit. Megjithatë, edhe ajo mendon se në rrethana të caktuara socio-kulturore gratë janë më të prirura të shkruajnë sipas modelit të asaj që quhet écriture feminine. Ky është lloji i shkrimit që e mundëson përfshirjen e përvojës trupore në tekst. E me rëndësi të veçantë këtu është përfshirja e ritmeve që kanë prezencë të përhershme te një person i rritur. Cioux ka mendimin se shkrimi femëror është gjithmonë subverziv, si i tillë e rrënon logjikën konvencionale të gjuhës, e kundërshton gramatikën dhe sintaksën e saj. Gratë shkruajnë në mënyrë “shpërthyese” ato i mohojnë zakonet, i përqeshin “të vërtetat”. Ato nuk duan e as nuk duhet të përvetësojnë kuptimet dhe instrumentet e gjuhës falocentrike sepse kjo është mënyra mashkullore. Shkrimi femëror është përmbysje rregullash, është antiinstitucional e heterogjen. Në pyetjen se çka është shkrimi femëror, Cioux ka dhënë përgjigjen esenciale që ndoshta më së miri shpjegon kuptimin e këtij termi: “Shkrimi femëror është një vend që nuk ka asnjë borxh ekonomik a politik ndaj gjithë poshtërsisë dhe kompromisit. Nuk obligohet të riprodhojë sistemin. Ky është ai shkrimi. Nëse ka një vend tjetër që mund t‘i ikë përsëritjes, ai vend gjindet në këtë drejtim, ku e shkruan vetëveten, ku ëndërron, e ku e shpikë botën e re.”
Shkrimi femëror thjeshtë është një komunikim ndryshe. Prandaj, vlen të trajtohet më vete pa e krahasuar me format tjera ekzistuese. Thjesht, shkrimi femëror duhet të pranohet si kategori e veçantë, që nuk ka të bëjë me vlerën letrare domosdoshmërisht. Vlera më e madhe e tij qëndron në faktin se është ndryshe. Kjo është vlerë e madhe.

GRATË DHE LETËRSIA

‘Gruaja duhet të ketë para dhe një dhomë me vete në mënyrë që të mund të bëjë letërsi’ (Woolf).
Arësye pse gruaja duhet të ketë një dhomë të veten për të bërë letërsi është se intimiteti dhe vetmia janë parakushtet e domosdoshme për krijimtari. Këto janë parakushtet për secilin krijues pavarësisht nga seksi biologjik. Megjithatë arësyet pse V. Wool e trajton këtë çështje si të ndarë janë disa të cilat edhe ajo vetë i shpjegon në pamfletin e saj ‘Një dhomë…’
Po të nisemi nga vetë termi ‘Gruaja dhe letërsia’ thotë ajo, hasim që në fillim disa vështirësi sepse vetë termi nuk na del krejtësisht i qartë. E para, mbase do të thotë gruaja shkrimtare, apo mbase do të thotë natyra e gruas dhe mënyra se si kjo natyrë e gruas influencon letërsinë, e Woolf beson se gratë në mënyrë të natyrshme janë të ndryshme nga burrat dhe ky ndryshim patjetër që reflektohet edhe në letërsi. Mbase kjo ka të bëjë me letërsinë që shkruhet për gruan apo ndoshta edhe personazhet letrare.
Pastaj, kjo mund të ketë edhe kuptimin, gruaja dhe letërsia që ajo krijon. Përse është letërsia që krijon gruaja e ndryshme, cilin lloj letërsie e krijon gruaja etj. meqë ajo vetë beson se ka dallim në krijimtarinë letrare të gruas në formë po edhe në elemente të tjera.
Mëtutje, termi mund edhe të ketë kuptimin e letërsisë që shkruhet për gratë. Ç’lloj letërsie krijohet për gruan? A ka dallim në këtë lloj letërsie kur është autori grua nga ajo kur autori është burrë? Meqë mundësia e arsimimit të rregullt e përcakton në masë të madhe potencialin krijues të një autori dallimet në mundësitë e arsimimit të duhur për gruan dhe burrin kanë qenë të mëdha. E kjo nuk ka se si të mos hetohet. Në fakt gjykuar sipas historisë, gruaja për një periudhë të gjatë ka qenë krejtësisht e përjashtuar nga shkollimi gjë që e shpjegon mungesën e saj në krijimtarinë letrare.
“Është enigmë e paqartë, si është e mundur që në kohën elizabetiane nuk doli asnjë grua që të shkruajë një fjalë të vetme kur me sa duket çdo i dyti burrë kishte aftësi të shkruaj një kënge a një sonnet” (Woolf)
Për të kuptuar këtë duhet t’i referohemi historisë që të mësojmë për konditat në të cilat jetoi gruaja e kohës elizabetiane. E nga kjo del se gruaja e kësaj periudhe ishte tejet servile ndaj të shoqit i cili, kishte të drejtë që madje edhe ta rrihte sa here të donte, e kishte të lejuar me ligj, kurse babai i saj mund ta martonte kurdo dhe me kë të donte ai vetë. Pikërisht në këtë kohë letërsia lulëzon nga personazhe gra të cilat me sa duket nuk përkonin aspak me figurën reale të gruas së kohës. Është vështirë të mësojmë shumë për këtë grua dhe për arësyet që e penguan të shkruante poezi, meqë shënimet për jetën e saj mungojnë ngaqë ajo vetë nuk shkroi asnjë letër dhe nuk mbajti ditarin e jetës së saj.
Në mungesë të të dhënave Woolf i referohet imagjinatës. Xhudit Shekspir, thotë ajo, ishte e motra e W. Shekspirit që edhe ajo sikurse i vëllai kishte mendjen e ndritur prej gjeniu por ajo nuk i pat mundësitë që i vëllai i kishte. Nuk e dërguan në shkollë e as nuk e mësuan shkrim lexim në shtëpi. Nuk i lejohej të shihte botën që të zhvillonte përvojën. E kur më në fund ikën nga shtëpia ngaqë duan ta martojnë me dhunë ajo shkon në Londër e dëshiron të bëhet aktore. Mirëpo, ambicja e saj përqeshet dhe ajo përfundon si dashnore e ndonjërit prej burrave të teatrit. E kur merr vesh se ka ngelur me barrë ajo vret veten nga turpi. E pra ky do të ishte fati i ndonjë gruaja që në kohën e Shekspirit mund të kishte talentin e tij. Krijimtaria kërkon plotësimim e disa parakushteve. “Gjeniu si Shekspiri nuk lindet në mesin e njerëzve të pashkolluar, të punëtorëve të krahut, të njerëzve servilë.” Sigurisht se talentet mund të ekzistojnë edhe në këto mese por atyre u mungojnë kushtet për ta shprehur atë. Në mesin e shtrigave të asaj kohe do të ketë pasur romansiere të humbura, për të cilat shoqëria sigurisht se nuk ka pasur mirëkuptim. Po të jetonin në kushte të ndryshme vizionet e tyre patjetër që do të gjenin shprehje në ndonjë produkt kreativ. Krijuesi, qoftë burrë a grua, ballafaqohet gjithmonë me vështirësi të shumta. “Qentë lehin, njerëzit të pengojnë me ndërhyrjet e tyre; duhet fituar paranë; shëndeti të zhgënjen. E të gjitha këto vështirësi vetëm sa theksohen nga indiferenca e botës. Bota nuk të kërkon që të shkruash poezi, romane, histori. Ajo nuk ka nevojë për to.’ (Woolf)
Këto janë vështirësitë me të cilat ballafaqohet çdo krijues, megjithatë, gruaja ka më shumë pengesa se burri. Sa i takon gruas ajo madje përveç në raste të rralla kur familja e saj është shumë e pasur, nuk mund të këtë së paku një dhomë të vetme për veten e saj ku mund të mbyllet e t’i përkushtohet shkrimit.
Duke pasur parasysh këto dallime atëherë mund të themi se mendimi që gruja nuk është e aftë intelektualisht të krijojë letërsi të ashtuquajtur të lartë, nuk qëndron.

PSE LETËRSI DHE LETËRSI E GRAVE?

Kundërshstarët më të mëdhenj të kategorisë së lëtërsisë së grave më së shpeshti operojnë me kategorinë esencialisht letrare se letërsia është një, pavarësisht se kush e shkruan. Shkrimi letrar ose ka vlerë artistike ose këtë vlerë nuk e ka. E vlera artistike është dhe duhet të jetë kriter i vlerësimit apo ndarjes, kategorizimit letrar. Në njëfarë mënyre, kjo del edhe tek ‘Një dhomë për vete e V. Woolf’ kur flet për mednjen androgjene: ‘në secilin prej nesh gjenden dy forca, mashkullore dhe femërore. Në trurin e burrit dominon mashkullorja ndaj femërores, kurse në trurin e femrës dominon femërorja ndaj mashkullores’. Ajo parapëlqen të theksojë thënjen e Colridge se mendjet e ndritura janë androgjene. Mëtutje, pohon se një mendje e zhvilluar androgjene nuk operon ndaras duke u bazuar në seksin biologjik. Për një shkrimtar burrë do të ishte fatale poqese ai do të fokusohej në anën mashkullore të natyrës së seksit të tij. E për shkrtimtaren grua do të ishte poaq fatale sikur të përqendrohej në seksin e saj. Woolf konsideron se një përqendrim i tillë ekskluziv e dëmton artin prandaj është fatale për vlerën artistike të veprës letrare insistimi i autores që “të theksojë paknaqësitë, të bëj apele për drejtësi për çfarëdoqoftë kauze; apo në çfarëdo mënyre të flasë me vetëdije si grua”. Sipas Woolf “çdo gjë që shfaq anim të vetëdijshëm gjinor është përfundimisht fatale. Një gjë e këtillë nuk është fertile.”
V. Woolf duke pasur koncepte të qarta dhe moderne për artin e letërsinë insiston në kategoritë letrare duke hetuar rrezikun që u kanoset vazhdimisht shkrimtareve femra. Një pjesë e madhe e tyre duke mos qenë të vetëdijshme për rrezikun, shfaqin haptas tendenca anuese me qëllimin më të mirë për t’i kontribuar kauzës së grave.
Megjithatë, edhe V. Woolf po edhe shume kritikë të tjerë arsyteojnë me plot argumente qëndrueshmërinë e ekzistimit të kategorisë së letërsisë së grave.
Edhe V. Woolf pohon se shkrimtaret e shekullit të XVII janë të rëndësishme vetëm për faktin e thjeshtë se janë gratë e para që morën guximin të shkruanin e me këtë shtruan rrugën për pasardhëset e tyre. Meqë ishin të parat gra që u morën me shkrime shpeshherë i nënshtroheshin presioneve të shumta nga shoqëria që nuk mund të pranonte lehtë angazhimin intelektual të grave. Duke qenë nën presione nga më të ndryshmet këto gra nuk arrijnë të largohen e të çlirohen nga ngarkesat dhe të arrijnë jopersonalitetin, gjë që sipas V. Woolf është esenciale për krijimin e artit të lartë.
Nga sa u tha shihet që ndarja e letërsisë në letërsi dhe letërsi e grave bëhet me qëllim të lartësimit të statusit të shkrimit femëror në nivel të pranueshmërisë qytetare. Statusi i shkrimit femëror pashmangshëm është i lidhur me statusin që gëzon vetë femra në shoqëri dhe vështirë mund të kuptohet kategoria letërsi e grave dhe shkrim femëror pa konceptin e statusit të këtij shkrimi.