Paula

Autorja: Isabel Allende

Përkthyesi: Amik Kasorubo

Kam dëgjuar aq shpesh të flitet që ne në Kili jetonim në një regjim matriarkati, saqë gati i kam zënë besë; deri edhe im gjysh dhe njerku im, zotërinj autoritarë me formim feudal, e pohonin këtë pa as më të voglin dyshim. Nuk e di kush e ka shpikur mitin e matriarkatit dhe as si është trashëguar për më shumë se njëqind vjet; mbase ka qenë ndonjë udhëtar kohësh të tjera, një nga ata gjeografët danezë apo një tregtar nga Liverpuli që ka kaluar nëpër brigjet tona dhe ka vënë re se gratë kiliane ishin më të forta dhe më të organizuara se shumica e burrave, prandaj, me mendjelehtësi, arriti në përfundimin se ato mbanin frerët e pushtetit dhe ai tuafllëk i përsëritur kaq e kaq herë erdhi e t’u bë një dogmë. Ndërsa e vërteta është se ato urdhërojnë vetëm brenda mureve të shtëpisë së tyre dhe jo në çdo rast. Burrat kontrollojnë pushtetin politik dhe ekonomik, kulturën dhe doket, bëjnë ligjet dhe i zbatojnë simbas qejfit dhe kur presionet shoqërore dhe aparati ligjor nuk mjaftojnë për t’i nënshtruar gratë, ndërhyn feja me vulën e saj patriarkale të padiskutueshme. Gjëja e çuditshme është se janë gratë ato që marrin përsipër ta forcojnë sistemin, duke rritur bij arrogantë dhe bija servile; po të merreshin vesh për të vepruar ndryshe, mund ta shkatërronin brenda një brezi shoqërinë ku mbretërojnë meshkujt. Varfëria i ka detyruar njerëzit për shekuj me radhë t’i bien territorit të ngushtë të kombit nga njëri skaj në tjetrin, duke kërkuar mjetet e jetesës; nuk është aspakt për t’u çuditur që po ai njeri që në dimër gërmon në thellësitë e minierave të Veriut, në verë të gjendet në luginën qendrore për të mbledhur fruta, apo mbi ndonjë peshkatore në Jug. Njerëzit shkojnë e vinë, por gratë nuk lëvizin, ato janë si pemë që kanë lëshuar rrënjë në tokë. Përqark tyre sillen rrotull fëmijët e vet apo të të tjerëve, ato përkujdesen për pleqtë, për të sëmurët, për nevojtarët, ato janë boshti i bashkësisë. Në të gjitha klasat shoqërore, me përjashtim të atyre të kamura, vetmohimi dhe shpirti punëtor janë konsideruar si virtytet më të mëdha për femrat, shpirti i flijimit është një çështje nderi, sa më shumë të heqin e të vuajnë për familjen, aq më shumë ndihen krenare. Mësohen shpejt që ta konsiderojnë shokun e tyre si një fëmijë torollak, të cilit i falin të meta të mëdha, që nga të dehurit deri te dhuna në shtëpi, sepse është burrë. Në vitet gjashtëdhjetë një grup grash të reja, që kishin pasur fatin t’i hidhnin një sy botës matanë vargmalit të Andeve, guxuan e hodhën një sfidë. Derisa ishte puna për ankime të vagëlluara, askush nuk u dha rëndësi, por në vitin 1967 doli në dritë revista e parë feministe, e cila e shkundi plogështinë provinciale në të cilën vegjetonim. Lindi si një tekë tjetër e pronarit të më të madhes shtëpi botuese të vendit, një milioner që kishte shetitur botën, qëllimi i të cilit nuk ishte t’i zgjonte vetëdijet apo ndonjë gjë e ngjashme me këtë, por të fotografonte adoleshente hermafrodite për faqet e modës. E ruajti të drejtën ekskluzive për të kontaktuar modelet e hijshme, kërkoi në mjedisin e tij shoqëror një njeri që të bënte kusurin e punës dhe zgjodhi Delia Vergaran, një gazetare e sapodiplomuar, pamja aristokrate e të cilës fshihte një vullnet të hekurt dhe mendime subversive. Ajo grua krijoi një revistë elegante, me një paraqitje po aq të rafinuar dhe me të njejtat kotësira të shumë revistave të asaj kohe dhe të tashtishme, por një pjesë të revistës ia kushtoi përhapjes së ideve feministe. Mblodhi rreth vetes disa bashkëpunëtore të guximshme dhe së bashku i dhanë jetë një stili dhe një gjuhe që deri atëherë s’ishin parë në Kili. Qysh në numrin e parë revista ngjalli kritika të zjarrta; të rinjtë e pritën me entuziazëm, ndërsa grupet më konservatore i dolën për krah moralit, atdheut dhe traditës, të cilat pa dyshim do të rrezikoheshin nga barazia midis gjinive. Një nga ato rastësitë e çuditshme të fatit kishte dashur që Delia të lexonte në gjenevë një letër timen, që ia kishte treguar nëna, kështu mësoi për mua. Vemendjen e saj e tërhoqi toni i disa fjalive dhe, kur u kthye në Kili, më kërkoi që të më përfshinte edhe mua në planin e saj. Kur më njohu, unë isha pa punë, isha gati për të lindur dhe për dreq s’kisha asnjë lloj kredencialeje: nuk kisha kryer universitetin, e kisha kokën rrafsh me fantazi dhe për shkak të shkollimit tim endacak shkruaja me shumë gabime gramatikore; megjithatë më ofroi një faqe pa më vonë asnjë kusht tjetër përveç se të shkruaja me një fije ironie, sepse midis një tufe artikujsh luftarakë duhej diçka e lehtë. E pranova ofertën pa e ditur sa gjë e vështirë ishte të shkruaja me porosi në një stil hokatar. Kur jemi ndërmjet nesh, ne kilianët qeshim për hiç asgjë dhe jemi hazërxhevap, por në sytë të tjerëve bëhemi seriozë pa arsye dhe na paralizon frika se mos bëhemi qesharakë, gjë që më ndihmoi, sepse nuk m’u desh të përballoja shumë konkurrencë. Në rubrikën time i trajtoja burrat si të qenë banaorë primitivë të shpellave dhe ma merr mendja se cilido burrë që do të guxonte të shkruante për gjininë e kundërt me atë ton fyes, do të linçohej në mes të sheshit nga një trumë grash të egërsuara, por askush nuk më merrte seriozisht. Kur dolën numrat e parë të revistës me artikuj mbi kontraceptivët, mbi divorcin, dështimet, vetëvrasjen dhe mbi argumenta të tjerë tabu, u bë kiameti. Të gjithë i mbanin në gojë emrat e atyre që punonin në revistë, hera herë shqiptoheshin me adhurim, por shpesh herë duke u ngërdheshur. Na u desh t’u bënim ballë shumë mësymjeve dhe në vitet e mëpastajme, të gjitha me përjashtimin tim që isha martuar me një hibrid anglez, u ndanë nga burrat e tyre kreolë, të cilët nuk ishin në gjendje të duronin famën luftarake të grave të tyre.
Shenjën e parë të telasheve që lidheshin me gjininë time e vura re kur isha ende një shëmtaraqe pesëvjeçare dhe nëna më mësonte të punoja me shtiza në korridorin e shtëpisë së tim gjyshi, ndërsa vëllezërit e mi luanin mbi vidhin që ndodhej në oborr. Gishtat e mi pak të plogët përpiqeshin të thurrnin leshin me shtiza, por më dilnin thyesat, më ngatërrohej lëmshi i leshit, mbulohesha me djerësë nga përpjekjet që bëja për t’u përqëndruar dhe bash në ato çast nëna më tha: rri ulur me këmbë të bashkuara, si një zonjushe. E flaka tej punën dhe bash atë çast vendosa të bëhesha burrë; i qëndrova besnike atij mendimi derisa u bëra njëmbëdhjetë vjeçe, kohë kur më tradhtuan hormonet dhe trupi im filloi të ndryshonte përfundimisht. Do të kalonin edhe dyzet vjet të tjera para se ta pranoja gjendjen time dhe të kuptoja se me një sforcim të dyfishtë dhe me gjysmën e shkallës së njohjes do t’ia kisha mbërritur atyre rezultateve që nganjëherë arrijnë t’i kenë disa njerëz. Sot nuk këmbej asgjë me askend, por sa isha e re ma nxinin jetën padrejtësitë e përditshme. Nuk është kështu fjala për smirë frojdiane, nuk ka asnjë arsye pse të lakmohet ajo shtojcë e vogël dhe tekanjose mashkullore, po ta kisha s’do të dija çtë bëja me të. Delia më dha një turrë librash autoresh amerikano-veriore dhe europiane dhe më tha t’i lexoja në rend alfabetik, për të parë në më davariteshin mjegullnajat romantike të trurit tim që ishte i helmuar nga një tepri letërsie imagjinare, kësisoj zbulova shkallë-shkallë si ta shprehja rrjedhshëm atë mllefin e mbytur që s’më ishte ndarë kurrë. U bëra një antagoniste e tmerrshme për xhaxha Ramonin, i cili duhej të përdorte tërë marifetet e tij të gojëtarisë për të më bërë ballë; tashti isha unë ajo që hartoja dokumentat në tri kopje mbi letër me vulë dhe ai që nuk dëgjonte t’i nënshkruante.
Një mbrëmje na ftuan bashkë me Majkllin në një darkë në shtëpinë e një politikani të njohur socialist, i cili kishte bërë karrierë duke u përpjekur në emër të drejtësisë dhe të barazisë për popullin. Simbas tij populli përbëhej vetëm nga burra, s’i kishte shkuar ndër mend se ishin edhe gratë. E shoqja kishte një post drejtues në një ndërmarrje të madhe dhe shpesh shtypi e përmendëte si një rast të rrallë gruaje të emancipuar; nuk e di pse ishte martuar me atë protomashkull. Edhe të ftuarit e tjerë ishin njerëez të shquar të politikës apo të kaluarës dhe ne, që ishim nja dhjetë vjet më të rinj, ndiheshim si të huaj në atë grup të sofistikuar. Kur ishim duke ngrënë, dikush i lavdëroi shkrimet e mia humoristike, më pyeti në kisha ndërmend të shkruaja diçka serioze dhe në një hov frymëzimi iu përgjigja se do të më pëlqente të intervistoja një grua jo besnike. Një heshtje e akullt pushtoi sallën e ngrënies, të ftuarit, të hutuar, ua ngulën vështrimin pjatave që kishin përpara dhe për një copë kohë askush s’e hapi gojën. Më në fund e zonja e shtëpisë u ngrit më këmbë, shkoi në kuzhinë për të përgatitur kafenë dhe unë e ndoqa, me pretekstin se doja ta ndihmoja. Tek ishim duke vënë filxhanat në një tabaka më tha se, po t’i premtoja ta mbaja të fshehtë dhe të mos e nxirrja në shesh emrin e saj, ishte gati të ma jepte intervistën. Të nesërmen shkova në zyrën e saj me një regjistrator. Zyra ishte një sallë plot dritë në një ndërtesë xhami e çeliku bash në qendër të qytetit, ku ajo sundonte pa shemra në pultin e komandimit, mes një turme teknokratësh të veshur me kostume ngjyrëhiri dhe me kravata me vija të gjera të tërthorta. Më priti pa treguar shenja padurimi, shtatderdhur, elegante, me një fund të shkurtër dhe duke buzëqeshur; kishte veshur një kostum të Shanelit dhe në qafë kishte disa vargje zinxhirash të praruar. Ishte gati ta rrëfente historinë e saj pa ndier skrupuj ndërgjegjeje. Në nëntor të atij viti revista botoi dhjetë rreshta mbi vrasjen e Çe Gevarës, lajm që tronditi botën dhe katër faqe me intervistën time me atë grua të pabsesë që e shkundi nga themelet shoqërinë e qetë kiliane. Brenda javës u dyfishuan shitjet dhe mua më futën në organikë. Erdhën mijëra letra, shumë nga organizata fetare dhe nga personalitete të së djathtës politike, të trembur nga shembulli i keq publik i asaj të pacipe, por morëm edhe letra nga lexuese të tjera, në të cilat na rrëfenin aventurat e tyre. Sot është e vështirë të merret me mend si mund të shkaktonte një reaksion të tillë një gjë aq banale, sepse, në fund të fundit, pabesia është po aq e lashtë sa dhe vetë martesa. Askush nukia fali protagonistes se, për të tradhtuar burrin, ajo ishte shtyrë nga po ato motive që e shtyjnë një burrë nga rasti, nga mërzia, nga dëshira për të punuar një rreng, nga prirja ojnatare, nga shpirti i sfidës, nga kureshtja. Zonja që kisha intervistuar unë, nuk ishte e martuar as me një pijanec të vrazhdë, as me një të gjymtuar të mbërthyer në një karrocë me rrota dhe as që vuante nga tallazet e një dashurie të pamundur; në jetën e saj nuk kishte asnjë lloj tragjedie, shkurt vetëm se nuk kishte arsye t’i qëndronte besnike të shoqit, i cili gjithashtu e tradhtonte. Shumëkush u tmerrua nga mënyra si i kishte organizuar gjërat; kishte marrë me qira një apartament për të qenë bashkë me dy shoqe të saj, e mbanin në rregull dhe të pastër dhe gjatë javës e përdornin me radhë për të çuar aty dashnorët e tyre, kështu që nuk kishin nevojë të shkonin nëpër hotele, ku dhe mund t’i njihnin. Askujt s’i kishte shkuar ndër mend se gratë mund të shfrytëzonin një rehati të atillë, një apartament enkas për takime dashurie ishte një privilegj kryesisht mashkullor; madje kishte edhe një fjalë frengjisht për ta emërtuar: garsonierë. Për brezin e gjyshit tim garsonierat përdoreshin rëndom nga zotnijtë e kamur, por tashmë shumë pak vetë mund t’ia lejonin vetes atë luks dhe përgjithësisht secili sajonte si e ku mundëte sipas të ardhurave të tij. Gjithësesi nuk mungonin dhomat me qira për dashuri tinzake dhe që të gjithë e dinin sa kushtonin e ku mund të gjendeshin.
Njëzet vjet më vonë, në një nga udhëtimet e mia të gjata rreth botës, në një vend tjetër, shumë larg Kilit, hasa të shoqin e zonjës të veshur me kostumin e Shanelit. Ai kishte qenë në burg, ishte torturuar gjatë viteve të para të diktaturës ushtarake dhe trupin e shpirtin i kishte gjithë vraga. Në atë kohë jetonte në mërgim, i ndarë nga familja, dhe nuk ishte mirë me shëndet, sepse të ftohtit e burgut i kishte depërtuar thellë dhe po ia gërryente kockat, po ishte gjithnjë i pashëm dhe tmerrësisht mendjemadh. Më mbante mend përciptas, në kujtesën e tij më dallonte vetëm për atë intervistë që e kisha lexuar me një frymë.
“Kam dashur gjithmonë të dija cila ishte ajo grua e pabesë”, më tha me ton konfidencial. “Kam folur për të me të gjithë shokët e mi. Ato ditë në Santiago nuk flitej për gjë tjetër. Do të më pëlqente ta vizitoja atë apartament, pse jo? Edhe me të dyja shoqet e saj. Më fal që nuk po tregohem modest, Isabel, por mendoj se ato tri farë grash e meritonin që të kishin të bënin me një mashkull për të qenë”.
“Po të jem e sinqertë, duhet të them se s’besoj të kenë mbetur mangut ndonjëherë…”
“Tashmë ka kaluar shumë kohë, s’po ma thua kush ishte?”
“Jo”.
“Të paktën thuamë e njoh apo jo!”
“E njeh… në mënyrë biblike”.
Puna në revistë e më vonë në televizion qenë si një valvulë shkarkimi për karakterin e çuditshëm e gjithë të papritura që kisha trashëguar nga të parët e mi, përndryshe presioni që më ishte grumbulluar brenda meje do të kishte shpërthyer dhe unë do të kisha përfunduar në çmendinë. Mjedisi i kujdesshëm dhe moralist, mendësia provinciale dhe ngurtësia e normave shoqërore të atyre kohëve në Kili të ndrydhnin. S’kaloi shumë dhe im gjysh u mësua me jetën time publike e nuk i flaku më në plehra artikujt e mij, nuk i komentonte, por kohë mbas kohe më pyeste ç’mendonte për ‘to Majklli e më përsëriste se duhej të isha e kënaqur që kisha një burrë aq të duruar. Nuk i pëlqente nami im si feministe, as fustanet e mia të gjata dhe kapelat dalë mode dhe aq më pak Sitroeni im i vjetër i lyer si perde dushi, por m’i falte ekstravagancat, sepse në jetën time të njimendët luaja rolin e nënës, të bashkëshortes dhe të zonjës së shtëpisë. Ngaqë më pëlqente së tepërmi të skandalizoja dynjanë, isha e zonja të kaloja rrugëve me një sutjen majë bishtit të një fshese – natyrisht vetëm, nuk mund të gjendej njeri që të më shoqëronte – por në jetën private kisha përvetësuar formulën e lumturisë së përsosur familjare. Në mëngjes i çoja në shtrat sillën tim shoqi, në mbrëmje e pritja tërë pekule, i bëja gati vermutin e tij të zakonshëm, natën i mbështetja në një karrige kostumin dhe këmishën që duhej të vishte të nesërmen, i lustroja këpucët, i qethja flokët, i prisja thonjtë dhe i bleja rrobat, pa i dhënë bezdinë që të rrinte e t’i provonte, siç bëja me fëmijët e mi. Nuk ishte ky vetëm një budallllëk nga ana ime, ishte edhe tepri energjie.
Nga hipitë kisha ruajtur pamjen e jashtme, në të vërtetë jetoja si bletët punëtore, duke punuar dymbëdhjetë orë në ditë që të paguaja hesapet. E vetmja herë që provova marihuanën, të cilën ma dha një hipi i vërtetë, e kuptova se s’ishte për mua. Piva gjashte rersht dhe nuk më dehu euforia marramendëse për të cilën kisha dëgjuar të flitej aq shumë, veçse m’u ça koka nga dhimbja; si duket genet e mia pragmatike baske nuk preken nga gëzimi badihava që falin drogat. U ktheva në televizion, kësaj radhe me një program humoristik feminist dhe bashkëpunoja me të vetmen revistë për fëmijë që botohej në vend, të cilën fillova ta drejtoja kur themelusi i saj vdiq nga një sëmundje e papritur. Disa vjet me radhë u argëtova duke intervistuar vrasës, fallxhorë, prostituta, nekrofilë, pehlivanë, sharlatanë që bënin mrekulli të paqarta, psikiatër të çmendur dhe lypsarë që shtireshin si të gjymtuar, të cilët merrnin me qira fëmijë të sapolindur për t’i prekur shpirrtërat e mëshirshëm. Shkruaja receta kuzhine që mbështeteshin në frymëzime të rastit dhe kohë mbas kohe sajoja horoskope duke u nisur nga ditëlindjet e miqve të mi. Astrologia jetonte në Peru dhe posta vonohej gjithmonë apo letrat e saj humbisnin nëpër qorrsokakete e fatit. Një herë i telefonova dhe i thashë se e kishim horoskopin e marsit, por na mungonte ai i shkurtit dhe ajo m’u përgjigj që ta botonim atë që kishim, s’prishte asnjë punë, renditja nuk dëmtonte gjë; që nga ajo ditë nisa t’i përpiloja duke arritur të njëjtën përqindje përfundimisht të hajrit. Detyra më e rëndë ishte Posta e Zemrës, të cilën e nënshkruaja me pseudonimin Franciska Roman. Meqenëse nuk kisha përvojë, mbështetesha te intuita që kisha trashëguar nga Memeja dhe te këshillat e gjyshes Hilda, e cila ndiqte tërë teleromanet që ishin në modë dhe ishte një eksperte e vërtetë në punë të zemrës. Arkivi i korrespondencës së Franciska Romanit sot do të më hynte në punë për të shkruar disa vëllime tregimesh: ku do të kenë përfunduar ato kuti plot e përplot me letra melodramatike? Nuk e shpjegoj dot ku e gjeja kohën të merresha me punët e shtëpisë, me fëmijët dhe me burrin, por bëja ç’bëja dhe ia dilja në krye. Kur kisha kohë të lirë qepja fustanet e mia, shkruaja përralla dhe vepra teatrore dhe shkëmbeja me nënën time një varg të pasosur letrash. Ndërkohë Majklli më rrinte pranë dhe gëzonte atë lumturi pa konflikte ku kredheshim me bindjen e patëkeq se, po të kishim respektuar rregullat, të gjitha do të na kishin shkuar fjollë tërë jetës. Marrëdhëniet tona i përngjitnin një dashurie të vërtetë dhe s’ka dyshim që unë e dashuroja. Ishte një prind tolerant, por jo shumë i pranishëm; gjithsesi ndëshkimet dhe shpërblimet ishin barra ime, mendohej se fëmijët duhet të rriteshin ga nënat. Feminizmi im nuk shkoi deri aty sa t’i ndalnim punët shtëpijake, ç’është e vërteta as që më pat shkuar ndër mendj një gjë e këtillë, unë mendoja se të ishte e lirë donte të thoshte të dilja nga qerthulli i familjes dhe të merrja përsipër detyra mashkullore, por nuk më shkoi ndër mend se puna ishte edhe t’u kalohej të tjerëve një pjesë e barrës sime. Si rrjedhojë ndjeva një lodhje të madhe, siç ndodh miliona grave të brezit tim, të cilat sot dyshojnë në vlerën e lëvizjeve feministe.
Mobiljet e shtëpisë zhdukeshin kohë mbas kohe dhe zëvnedësoheshin nga orendi antike të Tregut Persian, ku një tregtar sirian shkëmbente rraqe të vjetra me rroba burrash; sa më shumë. Majklli i zhbënte kostumet e tij, aq më shumë shtëpia mbushej me legena të cifluar, me makina qepëse me pedale, me rrota karrosh dhe me fenerë gazi. Vjehrrit e mi, të trembur prej disa personazheve që vinin rrotull nëpër sthëpi, bënin ç’u vinte doresh për t’i mbrojtur nipat nga rreziqe të mundshme. Fytyra ime në televizion dhe emri im në revistë sikur i grishnin haptazi disa mendje të hallakatura, siç qe rasti i një nëpunësi të postës që mbante letërkëmbim me marsianët apo rasti i asaj vajzës që braktisi fëmijën e porsalindur përmbi skrivaninë e zyrës sime. E mbajtëm kërthinë për disa kohë dhe e kishim ndarë ta birësonim, kur një natë, tek po ktheheshim në shtëpi, mësuam se gjyshërit e ligjshëm e kishin marrë me vete, të mbrojtur nga policia. Një minator i veriut, fallxhor nga zanati, të cilit i qe tretur gjumi ngaqë kishte parashikuar shumë katastrofa, fjeti në divanin e sallonit tonë dy javë rresht, derisa përfundoi greva e Shërbimit Sanitar Kombëtar. Qyari kishte ardhur në kryeqytet që të kurohej në Spitalin Psikiatrik pikërisht atë ditë që qe shpallur greva. Pa të holla e pa miq, por me aftësitë profetike të pacenuara, ia doli t’i gjente ata njerëzit e paktë që ishin gati ta ndihmonin në atë qytet armiqësor. Këtij i mungon një vidhë, mund të nxjerrë thikën dhe të na therë të tërëve, më tha Grani tejet nervoze. I mori të dy nipat me vete që të flinin me të, derisa zgjati buajtja e fallxhorit, i cili na doli se ishte krejt i parrezikshëm, madje mund të thuhet edhe se na shpëtoi jetën. Ai parashikoi se në një lëkundje tërmeti do të shembeshin disa mure të shtëpisë; Majklli bëri një kontroll të imët, i përforcoi disa vende dhe kur ra tërmeti, u shemb vetëm muri i oborrit, duke zgërlaqur lulepatatet dhe lepurin e komshisë.
Grani dhe gjyshja Hilda na ndihmonin për t’i rritur fëmijët. Majklli u edukoi atyr qëndrueshmëri dhe dinjitet, shkolla i arsimoi dhe kusurin e fituan në saje të gjallërisë dhe të talentit të tyre natyror. Unë u përpoqa vetëm që të dëfrenin. Ti ishe një vajzë e ditur, Paula. Qysh e vogël kishe prirje pedagogjike, vëllait tënd, qenve dhe kukullave u takonte të ishin nxënësit e tu. Kohën që të mbetej e lirë nga ky ushtrim mësueseje e kaloje duke luajtur me Granin, duke vizituar një shtëpi pushimi për të moshuar që ishte pranë nesh dhe duke mësuar të qepje me gjyshen Hilda. Edhe pse nëna ime të blente fustane të bukura në Zvicër, e veshur me ato rrecka që qepje vetë, dukeshe si varfanjake. Ndërsa gjyshi im i kalonte vitet e pensionit duke u përpjekur të zgjidhte problemin e shndërrimit të rrethit në katror dhe probleme të tjera të pafund matematike, Grani shkrihej me nipat e saj që s’linin dy gurë bashkë, që ngjiteshin në mbitavan për të luajtur komitçe, që futeshin fshehtas në klub për t’u larë në pishinë dhe organizonin pa pikë gajle shfaqje teatrore me maska të veshur me këmishënatet e mia. Ti kaloje tërë verën me atë grua të mrekullueshme, duke gatuar biskota dhe tërë dimrin duke bërë shalle për miqtë e tu të strehës së të moshuarve; më vonë, kur u larguam nga Kili, u shkruaje letra secilit syresh, derisa vdiq edhe më i fundit nga ata stërgjyshër fëmijësh të tjerë. Ato qenë vitet më të gëzuara e më të sigurta të jetës sonë. Ti e Nikolasi keni një botë të pasur kujtimesh të lume që ju kanë ndihmuar në kohë të vështira, kur luteshit duke qarë që të ktheheshit përsëri në Kili; por atëherë nuk mund të ktheheshim, Grani prehej rrëzë një shkurreje jasemini, i shoqi e kishte humbur fare arsyen nga pleqëria, miqtë kishin vdekur apo ishin shpërndarë nëpër botë dhe për ne nuk kishte fend në atë shtet. Kishte mbetur vetëm shtëpia, nuk ka ndryshuar. S’ka shumë që shkova për ta parë dhe u habita nga dimensionet e saj: m’u duk si një shtëpizë kukullash me një parrukë gjysmë tullace mbi çati.
Majklli u tregua shumë i duruar me mua, nuk më la ta humba fillin nga thashethemet dhe nga kritikat që provokoja, nuk ndërhynte në planet e mia sado në hava të ishin dhe më doli krah edhe kur gaboja; por prapë se prapë rrugët tona po ndaheshin çdo ditë e më shumë. Ndërsa unë jetoja midis feministeve, boshemienëve, artistëve dhe intelektualëve, ai u përkushtohej projekteve, llogaritjeve, godinave që ndërtoheshin, lojës së shahut dhe brixhit. Rrinte deri vonë në zyrë, sepse për profesionistët kilianë është provë urtije të punonin nga agimi deri inë mbrëmje dhe të mos bënin pushime; e kundërta konsiderohej si shenjë e një mendësije burokratike dhe e shtynte sipërmarrjen private drejt dështimit të sigurtë. Ishte një shok dhe një dashnor i mirë, por nuk kam ruajtur shumë kujtime nga ai, gjithçka lidhet me të më është turbulluar në styë e mi, si një fotografi e zhvatërzuar. Na kishin edukuar me traditën që burri duhej të mendonte për të mbajtur familjen dhe gruaja të përkujdesej për shtëpinë dhe për fëmijët, por për ne nuk ndodhi pikërisht kështu; unë fillova të punoja para tij dhe u bëja ballë pjesës më të madhe të shpenzimeve, rroga e tij shlyente kredinë e shtëpisë dhe investohej, imja bëhej tym për shpenzimet e përditshme. Ai mbeti besnik i vetvetes, gjatë jetës së tij ndryshoi fare pak, por unë e befasoja vazhdimisht, nuk isha kurrë e qetë, shikoja padrejtësi gjithandej, pretendoja ta shndërroja botën dhe përqafoja kaq shumë kauza, sa hutohesha edhe vetë dhe fëmijët e mi jetonin për herë mes hutimit. Dhjetë vjet më vonë, kur jetonim në Venezuelë dhe idealet e mia e kishin pësuar keq nga hallet e mërgimit, i pyeta fëmijët – që ishin rritur në kohën e hipive dhe të ëndrrave socialiste – si do t’u kishte pëlqyer të jetonin, dhe që të dy u përgjigjën njëzërit dhe pa u marrë vesh me njëri-tjetrin: si borgjezë të kamur.
Xhaxha Ramoni dhe nëna ime u kthyen nga Zvicra po atë vit kur më vdiq babai. Njerku im i kishte ngjitur shkallët e vështira të karrierës diplomatike dhe kishte zënë një vend me rëndësi në Kanceleri. I çonte nipat në pallatin qeveritar dhe u thoshte se ajo ishte rezistenca e tij private dhe i vinte të uleshin në sallën e gjatë të ngrënies të Ambasadorëve, mes perdesh kadifeje dhe portretesh të etërve të mëmëdheut, ku kamerierë me dorashka të bardha u sillnin atyre lëng portokalli. Kur ishe shtatë vjeçe të dhanë një hartim në shkollë mbi familjen dhe ti shkrove se i vetmi pjesëtar interesant i familjes tënde ishte xhaxha Ramoni, princ dhe pasardhës i drejtpërdrejtë i Jezu Krishtit, pronar i një pallati ku kishte shërbyer me uniformë dhe roja të armatosura. Mësuesja më dha emrin e një psikiatri për fëmijë, por nami yt shpëtoi pak më vonë, atë ditë që duhej të të çoja te dentisti: e harrova atë punë dhe të lashë të pritje me orë para portës së shkollës. Mësuesja u përpoq të gjente tët atë apo mua, por nuk ia doli, kështu që më në fund i telefonoi xhaxha Ramonit. Thuaji Paulës të mos lëvizë, po vi menjëherë, u përgjigj ai dhe ç’është e vërteta gjysmë ore më vonë u duk një limuzinë presidenciale me flamure, e shoqëruar nga dy policë me motoçikleta; nga makina zbriti një shofer me kapelen në dorë, hapi derën e mbrapme dhe që andej, me parzmin mbushur me dekorata, doli gjyshi yt i cili kishte hedhur krahëve mantelin e zi të rasteve të shënuara që, në një çast frymëzimi, kishte shkuar për ta marrë në shtëpi. Ty s’të bëri përshtypje vonesa e tepruar, bija ime, por vetëm ai grup perandorak dhe fytyra e mësueses tënde, e cila u hutua aq shumë sa u përkul deri në tokë për të përshëndetur xhaxha Ramonin.
Im atë vdiq nga një sëmundje e përnjëhertë, nuk pati kohë të bënte bilancin e madhështisë dhe mjerimit të tij, sepse një gulç gjaku ia përmbyti zemrën dhe u shkapet rrugës si të qe një lypacak. E morën njerëzit e Asitencës Publike dhe e çuan në morg, ku autopsia përcaktoi shkakun e vdekjes. Duke rrëmuar nëpër xhepat e rrobave gjetën disa letra, bënë lidhjen midis dy llagapeve dhe më thirrën që të identifikoja kufomën. Kur dëgjova atë emër, nuk më shkoi mendja tek im atë, sepse kisha shumë vjet që nuk e mendoja më, në jetën time s’kishin mbetur gjurmë nga jeta me të as edhe mllef që më kishte braktisur: mendja më shkoi te vëllai, emri i dytë i të cilit është Tomas dhe që aso kohe ishte zhdukur me ndjekësit e sektit misterioz të mesisë argjentinas. Kishim muaj që nuk merrnim lajme prej tij dhe, meqë si familje ishim të prirur ndaj tragjikes, na shkonte mendja në të keqe. Ime më i kishte bërë tym paret që ta gjente, por s’kishte pasur ndonjë rezultat dhe sikur po i zinte besë fjalës që ishte përhapur se i biri kishte shkuar midis revolucionarëve kubanë, sepse mendimi që po ndiqte gjurmët e të ndjerit Çe Gevara i rëndonte më pak nga mendimi tjetër se ishte hipnotizuar nga një sharlatan që hiqej si i shenjtë. Para se të shkoja në morg, i telefonova xhaxha Ramonit në zyrë dhe, duke belbëzuar, i thashë se im vëlla kishte vdekur. Mbërrita para tij në atë ndërtesë kobzezë, iu paraqita një nëpunësi fytyrëngrirë, i cili më çoi në një sallë të ftohtë ku kishte një barelë me një trup të mbuluar me çarçaf. E ngritën mbulesën dhe u duk trupi lakuriq i një njeriu të shëndoshë, të murrëtyer ë e kishin qepur nga qafa deri te vetja si qepen dysheket, për të cilin nuk ndjeva absolutisht asgjë. Xhaxha Ramoni erdhi mbas pak, ai i hodhi një vështrim të shpejtë dhe tha se ishte im atë. Iu afrova përsëri kufomës dhe ia këqyra me vemendje tiparet, sepse nuk do të kisha më mundësi ta shihja përsëri.
Atë ditë mësova se kisha një vëlla prej babe më të madh se unë, fryt i një dashurie tjetër, që më kujtoi djalin me të cilin kisha rënë në dashuri në mësimet e matematikës, kur isha pesëmbëdhjetë vjeçe. Mora vesh se kishte pasur edhe tre fëmijë të tjerë, më të vegjël se unë, me një grua tjetër, të cilëve, si për ironi, u kishte vënë emrat tanë. Xhaxha Ramoni mori përsipër punën e varrimit dhe hartoi një dokument, me anë të të cilit hiqnim dorë nga çdo lloj trashëgimie në të mirë të asaj familjes tjetër: Huani dhe unë vumë emrat tanë dhe fallsifikuam nënshkrimin e Panços, që të mos shtyheshin punët. Të nesërmen përcollëm arkivolin atij njeriu të panjohur nëpër një shteg të Varrezave Kryesore, askush tjetër nuk erdhi në atë funeral të thjeshtë, im atë la shumë pak miq në këtë botë. Nuk kam pasur asnjë kontakt me vëllezërit e mi prej babe. Kur rri e mendoj tim atë, e shoh ashtu të ngrirë në vetminë rrënqethëse të asaj salle të akullt morgu.
Kufoma e tim eti nuk qe e para që më ka qëlluar të shoh nga afër. Nga larg kisha parë disa njerëz të vrarë rrugëve në atë luftë që tronditi Libanin dhe gjatë një tentative për revolucion në Bolivi, por ata më ishin dukur më shumë si marioneta se sa njerëz; Memenë mund ta kujtoj vetëm të gjallë dhe nga daja Pablo s’mbeti as nam as nishan. Të vetmin të vdekur të njimendët të fëmijërisë sime më qëlloi ta shihja kur isha tetë vjeçe dhe rrethanat bënë që të mos e harroja kurrë.
Atë natë të 25 dhejtorit 1950 ndejta zgjuar për orë të tëra, me sy të çapëlyer mes territ mbushur me zhurma në shtëpinë në breg të detit. Vëllezërit dhe kushërinjtë e mi flinin në shtretër portativë po në atë dhomë dhe përmes mureve të holla ndieja frymëmarrjen e atyre që flinin në dhomat e tjera, zukamën e pandërprerë të frigoriferit dhe hapat e heshtur të minjve. Disa herë më shkoi mendja të ngrohesha dhe të dilja në oborr për t’u flladitur nga puhiza e kripur që vinte nga deti, por më pengonte ecejaku i paprerë i buburrecave të verbra. Prekja trupin me tmerr e habi nën çarçafët e lagështitur nga vesa e përhershme e bregdetit, ndërsa pamjet e asaj mbasditeje zbulimesh kalonin si shkrepëtima përpara pasqyrimit të zbehtë të hënës në dritare. I ndieja ende buzët e lagështa të peshkatarit në qafën time dhe zërin e tij që më pëshpëriste në vesh. Nga larg më vinte zhaurima e shurdhët e oqeanit dhe kohë mbas kohe në rrugë kalonte ndonjë makinë, duke përndritur për pak çaste plasat e grilave. Më dukej sikur në gjoks më ushtonin tinguj kumbonësh, sikur më ndrydhte një gur varri, sikur një kthetër e fuqishme m’i afrohej grykës dhe më mbyste. Djalli u shfaq natën në pasaqyrë… Nuk kishte në atë dhomë, e vetmja pasyrë e shtëpisë ishte një katërkëndësh i ndryshkur në banjë, ku nëna lyente buzët dhe që ishte varur shumë lart për mua; por i Ligu nuk rri vetëm ndër pasqyra, më kishte thënë Margara, ai endet edhe në errësirë duke qëmtuar për mëkatet e njerëzve dhe u futet në trup vajzave të mbrapshta që t’u grijë të përbrendshmet. E vija dorën ku ma kishte vënë ai dhe e tërhiqja sakaq e trembur, pa e kuptuar ç’ishte ajo ndjenjë neverie e përzier me një kënaqësi të turbullt. Ndjeja përsëri gishtat e ashpër dhe të fortë të peshkatarit që më shkisnin nëpër trup, përkëdheljen e faqes së tij të parruar, kundërmimin dhe peshën e tij, llafeturpet që më thoshte në vesh. Pa dyshim që vula e mëkatit do të më ishte damkosur në ballë. Si s’qe kujtuar askush? Kur u ktheva në shtëpi, nuk pata guxim ta shihja në sy as mëmën dhe as gjyshin, iu fsheha Magarës dhe, duke bërë kinse më dhimbte barku, rashë në shtrat heret fort, mbasi bëra një dush të mirë dhe mbasi fërkova mirë e mirë tërë trupin me sapunin blu të teshave, por s’kish gjë që të m’i hiqte njollat. Isha ndotur, isha ndotur përgjithnjë… Megjithatë nuk më shkonte ndër mend të mos i bindesha urdhrit të atij peshkatari, të nesërmen do ta takoja përsëri në shtegun e mullagave dhe do ta ndiqja pa tjetër në pyll, edhe sikur ta paguaja me jetën time. Po ta marrë vesh gjyshi yt, më zhduk, më kishte paralajmëruar. Heshtja ime ishte e shenjtë, unë përgjigjesha për jetën e tij. Mundësia e atij takimi të dytë më mbushte frikë por edhe më tërhiqte, ç’kishte matanë mëkatit? Zere se orët s’kalonin aspak tek rrija e dëgjoja frymëmarrjen e rregullt të vëllezërve dhe të kushërinjve dhe bëja hesap edhe sa kohë donte që të vinte agimi. Sapo të dilnin rrezet e para të diellit do të ngrihesha dhe do t’i mbështetja këmbët në dysheme, sepse kur zbardh dita buburrecat kthehen nëpër foletë e tyre. Kisha uri, më shkonte mendja te qumështi me biskota në kuzhinë, kisha ftohtë dhe rrotullohesha brenda kuvertave të rënda, por aty për aty më zinin ethet e kujtimeve të ndaluara dhe zhytesha në kllapainë që më shkaktonte mendimi i asaj që kishte për të ndodhur.
Të nesërmen në mëngjes heret, kur e tërë familja po flinte ende, u ngrita pa bërë zhurmë, u vesha dhe dola në hajat, i rashë rrotull shtëpisë dhe hyra në kuzhianë nga dera e mbrapme. Kusitë prej hekuri dhe prej bakri vareshin nëpër mure, mbi tryezën prej graniti bojëhiri kishte një kovë me ujë deti plot me butakë të freskët dhe një qese me bukë të një ite më parë. Nuk ia dola ta hapja shishen e qumështit, por mora një copë djathë me pak prevede ftonjsh dhe dola në rrugë për të shikuar diellin që po dilte nga mbrapa malit si një portokall i zjarrtë. Pa e ditur pse, bëra nga gryka e derdhjes së lumit, ku ishte qendra e atij fshati të vogël peshkatarësh dhe ku, në atë orë, s’kishte shenjë jetë. E kalova kishën, postën, dyqanin, kalova matanë lagjes me shtëpi të reja, të gjitha të njëllojta me çati llamarine dhe me ballkone të drurta të kthyera nga ana e detit, shkova tej qoshkut të gazetave, barit dhe bilardos dhe nuk pashë njeri. Mbërrita në zonën e peshkatarëve, ku shiheshin baraka prej dërrasash dhe tezga të punuara shkel e shko për shitjen e fryteve të detit dhe të peshkut, rjeta të ndera për t’u tharë që ngjanin si pezhishka të stërmëdha, barka të përmbysura mbi rërë, duke pritur që të zotët ta merrnin veten nga zallamahia e Krishtlindjeve dhe të dilnin përsëri në det. Ndjeva zëra dhe pashë një trumë njerëzish pranë njerës nga shtëpitë më të fundit, aty ku lumi derdhet në det. Dielli ishte ngritur lart dhe m’i digjte supet. Kur mbarova kafshatën e fundit të djathit dhe të prevedes së ftonjve mbërrita aty ku mbaronte rruga, iu avita me kujdes grumbullit të vogël të njerëzve dhe kërkova të bëja tutje, por më zmbrapsën. Atë çast erdhën dy karabinierë me biçikleta, njëri i ra bilbilit ndërsa tjetri bërtiti që të hapeshin, dreqi e mori, se kishin ardhur njerëezit e ligjit. Rrethi u ça menjëherë dhe ia dola ta shihja përmbi rërën e errët të shtratit të lumit peshkatarin e shtrirë sa gjeë gjatë, me krahë të hapur si në kryq, po me ato pantallona të zeza, po me atë këmishë të bardhë dhe po me ato këpucë gome të një dite më përpara, kur më pat çuar në pyll. Njeri prej rojave tha se e kishin goditur në kokë dhe atëherë dallova një njollë gjaku pranë veshit dhe në qafë. Seç më shpërtheu në kraharor dhe m’u mbush goja me një shije limonash të thartë, u palosa dysh e përshkundur nga gulçe të përzieri, rashë më gjunjë dhe volla përmbi rërë një mishmash djathi, prevedeje dhe faji. Ç’do këtu kjo vajzë e vogël? Thirri dikush dhe një dorë u përpoq të më zinte për krahu, por unë u ngrita më këmbë dhe vrapova e dëshpëruar. Vrapova e vrapova me një dhimbje therëse ndër brinjë dhe me atë shijen e hidhur në gojë dhe nuk ndala derisa u duk çatia e kuqe e shtëpisë sime, atëherë rashë buzë rrugës e u bëra grusht midis shkurreve. Kush më kishte parë në pyll me peshkatarin? Si e kishte marrë vesh Tata? S’e kuptoja dot, vetëm një gjë ishte e sigurtë: se ai njeri nuk do të zbriste më kurrë në det për të kërkuar butakë, se kishte vdekur mbi rërë duke paguar për fajin e të dyve, se unë isha e lirë dhe s’kisha pse të shkoja në takim dhe se nuk do të më çonte më në pyll. Shumë më vonë dëgjova zhurmat e shtëpisë, shërbyeset që po përgatitnin sillën, zërat e vëllezërve dhe të kushërinjve të mi. Kaloi gomari i shitësit të qumështit me bidonat që përplaseshin njëri me tjetrin dhe çiraku i furrtarit me triciklin e tij, ndërkohë Margara doli të blente duke dërdëllitur me vete. Shkova rrëzës deri te hajati i lulepatateve, lave fytyrën dhe duart te rrëkeja e ujit që rridhte nga mali, rregullova paksa flokët dhe shkova në dhomën e ngrënies, ku gjyshi ishte ulur në poltronën e tij me një gazetë në dorë dhe me një filxhan qumështi me kafe që nxirrte avull para vetes. Pse më shikon kështu? Më përshëndeti, me buzë në gaz.
Dy ditë më vonë, kur mjeku ligjor e dha lejen, të vdekurin e çuan në shtëpinë e tij të thjeshtë për ta përgjuar. I gjithë fshati, edhe gjindja që kishte shkuar aty për pushim, shkoi për ta parë, rrallë herë qëllonte që aty të ndodhte ndonjë gjë interesante dhe askush nuk donte ta humbiste atë rast vrasjeje, i vetmi me sa mbahej mend në atë vend pushimi qysh kur ishte kryqëzuar ai piktori. Edhe pse nëna ime mendonte se ajo nuk ishte një shfaqje e përshtatshme për mua, Margara më çoi ta shihja sepse Tata – i cili kishte marrë përsipër ta paguante varrimin – tha se vdekja është një gjë e natyrshme dhe është më mirë të mësohesh me të pa humbur kohë. Në të perënduar të diellit iu ngjitëm lart malit deri te një kasolle e drurtë zbukuruar me kurora letre, me një flamur kilian dhe me disa tufa lulesh të thjeshta mbledhur nëpër qipshtet e bregut. Kur mbërritëm, meloditë e stonuara të kitarave ishin duke u zvargur dhe të pranishmit, të cilëve u kishte rënë në kokë vera që kishin pirë me tepri, po koteshinin mbi karriget e kashtës që ishin vënë në trajtë gjysmërrethi përqark arkivolit, një arke të rëndomtë me dru pishe të papunuar ë ndriçohej nga katër qirinj. E ëma, e veshur me të zeza, mërmëriste lutje me gjysmë zëri duke i gërshetuar me ngashërima e me mallkime, tek ngiste zjarrin në një sobë me dru mbi të cilën valonte një çajnik i nxirë nga bloza. Komshijet sillnin filxhanat për të gostitur njerëzit me çaj dhe vëllezërit më të vegjël, me flokë të lyer me brilantinë dhe me këpucët e të dielave ndër këmbë, vraponin në oborr midis pulave dhe qenve. Përmbi një komo shkatarraqe ishte fotografia e peshkatarit veshur ushtar, me një kordelë të zezë tërthorazi. Gjatë gjithë natës do të venin e do të vinin farefis e miq që të mos e linin vetëm të vdekurin para se ta kallnin në dhe, duke u rënë kitarave me aq sa dinin, duke ngrënë atë që u sillnin gratë nga kuzhinat e tyre, duke përkujtuar të vdekurin me fjali të cungëta, siç bëjnë të dehurit kur janë të trishtuar. Margara bëri përpara duke mërmëritur diçka midis dhëmbëve dhe duke më tërhequr nga krahu, sepse unë mbetesha mbrapa. Kur mbërritëm para arkivolit më detyroi të afrohesha dhe të thosha një Atynë lamtumire, sepse, simbas saj, shpirtërat e të vrarëve nuk gjejnë kurrë paqe dhe kthehen natën për të munduar të gjallët. Pashë të shtrirë mbi një çarçaf të bardhë njeriun që tri ditë më parë më kishte përkëdhelur në pyll. Në fillim e pashë me një frikë që s’tregohet, pastaj me kureshtje, duke u përpjekur të gjeja ndonjë përqasje midis tyre, por nuk e gjeta. Ajo fytyrë nuk ishte fytyra e mëkatit tim, ishte një maskë e murrëtyer me buzë të ngjyera, me flokë të ndarë në mes e të ngrirë me brilantinë, me dy shuka pambuku në vrimat e hundës dhe me një shami të lidhur rreth kokës për të mbajtur nofullën.
Edhe pse mbasditeve spitali mbushet me njerëz, të shtunën dhe të dielën paradite është gjithnjë bosh. Unë mbërrij aty kur ende është errësirë, lodhja që më është grumbulluar gjatë tërë javës m’i tërheq këmbët rrëshqathi dhe më bën ta zvarris për tokë çantën, pa pikë fuqie. Përshkoj po ato korridore të heshtura, ku deri edhe rrahjet e zemrës sime jehojnë në ajër dhe më duket sikur eci mbi një shirit transportjeri që rrotullohet në drejtim të kundërt, nuk bëj përpara, jam gjithmonë në të njëjtën pikë, përherë e më e lodhur. Pëshpërisë formula magjike që i kam sajuar vetë dhe dora dorës që i avitem ndërtesës, korridorit të hapave të bjerrur, pavionit dhe shtratit tënd, zemrën ma ngërthen ankthi. Ti je shndërruar dhe je bërë si një foshnje e madhe, Paula. Ke dy javë që ke dalë nga Reparti i Terapisë Intensive dhe vërehen fare pak ndryshime. Në pavion erdhe shumë e nderë, si e llahtarisur dhe u qetësove pak nga pak, por nuk vërehen shenja se ke filluar të kuptosh, vazhdon t’i mbash sytë të mbërthyer te dritarja, të palëvizur. Unë ende nuk dëshpërohem, edhe pse parashikimet janë ugurzeza; kam bindjen se do të kthehesh midis nesh e edhe pse s’ke për të qenë më ajo gruaja brilante dhe plot hir që ke qenë më parë, mbase do të bësh një jetë thuajse normale dhe do të jesh e lumtur, do të kujdesem unë për këtë. Shpenzimet janë shtuar sa s’thuhet, shkoj në bankë për të thyer të hollat që më avullohen nëpër duar aq shpejt sa nuk arrij ta kuptoj ku shkojnë, por më mirë të mos bëj hesape, nuk është kjo koha për të qenë të matur. Duhet të gjej një fizioterapist, sepse shërbimet e spitalit nuk bëjnë kurrfarë dobie; kohë mbas kohe duken dy vajza që s’e kanë mendjen te ti; të lëvizin krahët dhe këmbët prishaqefas për nja dhjetë minuta, simbas udhëzimeve të paqarta që u jep një burrë energjik me mustaqe, i cili duket se është përgjegjësi i tyre dhe që të ka vizituar vetëm një herë. Të sëmurët janë shumë dhe mundësitë janë të pakta, prandaj t’i bëj unë vetë ushtrimet. Katër herë në ditë të bëj mesazh në tërë trupin që ta detyroj të lëvizë, filloj nga gishtat e këmbëve, një e nga një dhe pastaj ngjitem lart, butë dhe me fuqi, sepse s’është punë e lehtë të të hapen duart apo të të përthyhen gjunjtë apo bërrylat; të ve të rrish ulur në shtrat dhe të rrah shpinën që të të pastroj mushkëritë, të hedh pika uji në grykën tënde të tharë, sepse ngrohja e mjedisit e than ajrin dhe për të shmangur shformimet e mundshme të ve libra poshte tabanit të këmbëve e t’i lidh me benda, t’i ndaj edhe gishtat e duarve me copa gome dhe përpiqem të ta mbaj kokën drejt me anë të një qaforeje të formuar me një nënkrejse nga ato që përdoren në udhëtime dhe me leukoplast, por këto sajime nga halli janë për gjynah të Zotit, Paula, duhet të të çoj sa më parë në një vend ku mund të të ndihmojnë, thonë se rehabilitimi bën mrekullira. Neurologu thotë të kem durim, thotë se nuk është ende e mundur të të shpërngulin në asnjë vend tjetër, veçse po t’i biem botës me avion nga njëra anë në tjetrën bashkë me ty. Ditën dhe një pjesë të natës e kaloj në spital, jam miqësuar me të sëmurët e dhomës sate dhe me familjarët e tyre. Elvirës i bëj mesazhe dhe jemi duke sajuar një gjuhë shenjash që të merremi vesh, sepse fjalët s’i urdhëron dot; të tjerëve u tregoj ngjarje të ndryshme dhe ata nga ana e tyre më japin kafe dhe feta buke me proshutë që i sjellin nga shtëpia. Gruan-kërmill e kanë çuar në dhomën e atyre që janë duke mbaruar, s’e ka të gjatë. I shoqi i Elvirës kohë mbas kohe thotë “vajza juaj duket më e zgjuar se ajo”, por unë ia lexoj ndër sy se thellë-thellë nuk e beson. U kam treguar të gjithëve fotografitë e martesës sate dhe u kam rrëfyer jetën tënde, tashmë të njohin mirë dhe disa derdhin lotë pa u diktuar, kur vjen të të takojë Ernesto dhe të flet në vesh, duke të të përqafuar. Yt shoq është po aq i lodhur sa dhe unë, sytë i kanë zënë rreth, është dobësuar dhe rrobat i zvargen në trup.
Uilli ka ardhur përsëri, përpiqet të vijë sa më shpesh, për të mos e ndier shumë këtë ndarje të gjatë që duket sikur s’ka të sosur. Kur u lidhëm bashkë katër vjet si tashti, i patëm dhënë fjalën njëri-tjetrit që të mos ndaheshim kurrë, por jeta na i thërrmoi planet tona. Ky njeri është forcë e gjallë, ka shumë virtyte sa dhe të meta, e thëthin tërë ajrin që ka përreth dhe më le të telendisur, por më bën mirë të rri me të. Në krah të tij fle pa ëndërra, më deh siguria dhe ngrohtësia e trupit të tij. Në mëngjes më sjell kafenë në shtrat, më detyron të rri e të pushoj edhe një orë tjetër dhe shkon ai në spital që ta ndërrojë infermieren e natës. Hyn në sallën e përbashkët i veshur me bluxhinse dalë boje, me këpucë të rënda druvari, me setër lëkure të zezë dhe me një kapë baske si ajo që mbante gjyshi im, të cilën e ka blerë në Plaza Major; edhe pse vishet ashtu, i përngjet një detari plak gjenovez, druaj se kanë për ta ndalur rrugës që ta pyesin cilat janë rrugët e lundrimit për të shkuar në Botën e Re. Të sëmurët i përshëndet me një gjuhë të çuditshme me theks meksikan dhe ulet pranë shtratit tënd për të t’i përkëdhelur duart dhe për të të treguar ç’do të bëjmë kur të vish në Kaliforni, ndërsa të shtruarit e tjerë vështrojnë të habitur. Uilli nuk e fsheh dot shqetësimin, duke qenë avokat pa parë shumë njerëz të gjymtuar ndër aksidente dhe ka pak shpresë se ti mund ta marrësh veten, prandaj më përgatit për më të keqen.
“Do të përkujdesemi për të, ka shumë familje që bëjnë një gjë të tillë, s’do të jemi të vetmit; përkujdesi dhe dashuria për Paulën ka për të qenë një qëllim tjetër i jetës sonë, do të njohim një trajtë tjetër lumturie. Ne do të vazhdojmë jetën tonë dhe do ta marrim me vete kudo që të shkojmë, ç’problem ka?” më thotë me atë pragmatizmin e tiji shpirtgjerë dhe pak të patëkeq që më ka pasë bërë për vete kur e pata njohur.
“Jo!” e kundërshtoj, pa e kuptuar se jam duke bërtitur. “Nuk dua t’i dëgjoj profecitë e tua orëliga. Paula do të shërohet!”
“Po ta ha shpirtin ky mendim, flet vetëm për ‘te, nuk arrin të mendosh asgjë tjetër, je duke ecur buzë një gremine me aq vrulla sa nuk ia del të ndalesh. Nuk më lejon të të ndihmoj, nuk pranon të më dëgjosh… duhet të krijosh një distancë emocionale me Paulën, përndryshe ke për t’u çmendur. Dhe po u sëmure ti, kush do të përkujdeset për vajzën tënde? Të lutem, lermë të merrem me ty…”
Shëruesit vinë në buzëmbrëmje, nuk e di si janë gjendur këtu, kanë marrë përsipër të ta kthejnë shëndetin dhe fuqinë. Në jetën e përditshme janë nëpunës, teknikë, funksionarë, njerëz të rëndomtë, por në kohën e lirë studiojnë shkencat ekzoterike dhe thonë se janë në gjendje të shërojnë me fuqinë e bindjeve të tyre. Më garantojnë se do t’ia kthejnë përsëri gjallërinë trupit tënd të drobitur, se shpirti yt po mëkëmbet, po përtërihet dhe se nga kjo palëvizshmëri ka për të dalë një grua tjetër edhe më e mirë. Më thonë se s’duhet të të shikoj me sytë e mëmës, sepse vetëm ashtu mund të të shoh ndryshe, e patrandur, pa pyetur për frikën dhe mjerimin e këtij pavioni spitali; por më këshillojnë edhe që të përgatitem, sepse në e paç kryer fatin tënd në këtë botë dhe je gati për t’ia nisur udhëtimit të gjatë të shpirtit, s’ke për t’u kthyer më. Ata bëjnë pjesë në një organizatë botërore dhe mbajnë lidhje me shërues të tjerë për të të dhënë fuqi, ashtu sikurse edhe murgeshat mbajnë lidhje me kongregata të tjera për t’u lutur për ty, thonë se shërimi yt varet nga vetë vullneti që ke për të jetuar, vendimi i fundmë është në duart e tua. Nuk guxoj t’u them asgjë nga gjithë këto njerëzve të tu në Kaliforni, sepse s’ka dyshim që s’do t’i shihnin me sy të mirë këta mjekë shpirtërorë. As Ernestoja nuk e miraton këtë mësymje shëruesish, nuk do që gruaja e tij të bëhet një dukuri publike, por unë mendoj se s’të bëjnë keq, ti as që i ndien. Edhe murgeshat marrin pjesë në këto ceremoni, u bien kumbonëve tibetiane, shpërndajnë temjan andej-këndej dhe i luten zotit të tyre të krishterë e gjithë shpurës qiellore, ndërsa të pranishmit e tjerë në pavion i kundrojnë ato rite me një farë rezerve. Mos u tremb, Paula: nuk vallzojnë të mbuluar me pupla dhe as nuk therrin gjela për të të spërkatur me gjak, ata sa të bëjnë pakëz fllad për ta larguar teje energjinë negative, pastaj t’i mbështesin duart mbi trup, mbyllin sytë dhe përqëndrohen. Më kërkojnë që t’u ndihmoj, të përfytyroj një rreze drite tek hyn në kokën time, tek kalon përmes meje dhe del duarsh të mia drejt teje, më thonë të të përfytyroj të shëruar dhe të resht së qari, sepse trishtimi prish ajrin dhe huton shpirtin. Nuk e di nëse këto veprime të bëjnë mirë, por një gjë është e sigurtë: gjendja e njerëzve brenda pavionit ka ndryshuar, janë më të qeshur. I kemi vënë vetes për detyrë të kontrollojmë trishtimin, gjejmë në radio programe me muzikë popullore, gostisim njëri-tjetrin me biskota dhe i paralajmërojmë ata që vinë për vizitë të mos hyjnë brenda me fytyra të vrara. Është zgjatur edhe ora e tregimeve, tashti nuk flas vetëm unë, marrin pjesë të gjithë. Ai që flet më shumë është i shoqi i Elvirës që di një dynja qyfyreshsh, të gjithë me radhë nisin e rrëfejnë jetën e tyre dhe kur shterrojnë aventurat vetjake fillojmë e i sajojmë: kështu: duke shtuar hollëria e duke e lënë të lirë fantazinë, jemi përsosur e vinë të na dëgjojnë edhe nga pavione të tjera.
Në shtratin ku më parë rrinte gruaja-kërmill, tashti kemi një të sëmurë të re, është një vajzë e zeshkët mbushur me të prera thike e me vurrata, që katër maskarenj deshën ta përdhunonin në një park. Sendet e saj i kanë shënuar me një rreth të kuq, personeli nuk e prek me dorë pa dorashka, por ne e kemi pranuar në familjen e çuditshme të kësaj dhome, e lajmë dhe e mëkojmë. Në fillim pandehu se e kishin ndryrë befas në një çmendinë dhe dridhej e mbuluar kokë e këmbë me çarçaf, por pastaj, pak nga pak, midis kumbonëve tibetiane, këngëve të radios dhe rrëfimeve të të gjithëve, u qetësua dhe filloi të buzëqeshte. Ka zënë miqësi me murgeshat dhe me shëruesit, më kërkon t’i lexoj me zë të lartë thashethemet e revistave mbi familjet mbretërore të Europës dhe mbi yjet e kinemasë, sepse ajo vetë nuk e ngre dot kokën. Përballë Elvirës ndodhet një paciente që sapo e kanë sjellë nga Reparti Psikiatrik, quhet Aurelia dhe do të operohet nga një tumor në tru, sepse vuan vazhdimisht nga kriza konvulsionesh. Mëngjesin e ditës së caktuar për operacion u vesh e u zbukurua me kujdes, na përshëndeti të gjithëve duke na përqafuar dhe doli. Të vaftë mbarë, do të të mendojmë, bëj zemër i thoshim teksa ajo po largohej nëpër korridor. Kur sollën barelën për ta çuar në sallën e operacionit, nuk e gjetën: kishte dalë në rrugë dhe u kthye të mbasnesërmen, mbasi policia qe bërë telef duke e kërkuar. U caktua një ditë tjetër për ta bërë operacion, por as asaj radhe nuk u bë dot gjë, sepse Aurelia përlau një proshut që e kishte sjellë fshehurazi në çantë dhe anestezisti tha se në ato kushte as që i futej punës. Tashti kirurgu është me pushimet e Pashkëve dhe kushedi se kur do të jetë e lirë salla e operacionit, dorë për dorë shoqja jonë po i bën bisht. Thotë se sëmundja i është shkaktuar ngaqë i shoqi është imponent dhe nga gjestet që bën e kuptoj se do që të thotë impotent. Atij s’i punon dhe mua më hapin kokën, psherëtin e nënshtruar, po ta bënte ai atë punë unë do të isha e lumtur dhe as që do të sëmuresha; aq është e vërtetë sa dhimbjet e kokës më kanë filluar gjatë muajit të mjaltit, kur ai rrota interesohej më shumë për ndeshjet e boksit që transmetonin në radio se sa për këmishënaten time me dekolte puplash. Aurelia kërcen dhe këndon flamenkon, flet me bejte, Paula, dhe kur unë s’e kam mendjen, të spërkat me parfumin e saj dhe t’i lyen buzët me të kuq. Tallet me mjekët, me shtriganët dhe me murgeshat, i konsideron të gjithë një bandë kasapësh. Nëse deri tashti vajza nuk është shëruar nga dashuria e s’ëmës dhe e të shoqit, do të thotë se nuk ka ilaç ta shërojë, thotë. Kohë mbas kohe vijnë nga policia për të pyetur vajzën e përdhunuar dhe nga mënyra si sillen me të duket sikur ajo nuk është viktima, por fajtorja: ç’kërkoje në orën dhjetë të natës në atë lagje? Pse nuk bërtite? Ishe e droguar? Të ndodhi sepse e kërkove vetë, ç’ke që qahesh tashti? Aurelia është e vetmja që ka forcë t’i kundërshtojë, u ngulet përpara me duart në ije dhe nis e i shan. Nuk jua japin për të rrogën, bythecë, gjithmonë gratë duhet ta paguajnë. Rrini urtë, zonjë, nuk ju duhen këto punë, përgjigjen ata të indinjuar, por gjithë ne të tjerët duartrokasim, sepse kur aurelia nuk është në krizë, është pikë nga mendja. Poshtë shtratit mban tri valixhe me rroba shumëngjyrëshe skene dhe ndërrohet disa herë në ditë, bën tualet të rëndë dhe i rregullon flokët e oksigjenuar gjithë rrica-rrica; mjaft ta ngacmosh paksa dhe ze e zhvishet për të na treguar trupin e saj të hijshëm dhe na pyet të gjejmë ç’moshë ka dhe t’ia masim belin: ka po atë bel që ka pasur çupë e re, e kanë pasur për fis, edhe e jëma kishte qënë një grua me bukuri të rrallë. Dhe me një vrer të hidhur shton se tërë ato të mira nuk i hyjnë në punë kushedi sa, meqenëse i shoqi është eunik. Kur ai vjen ta vizitojë, ulet në një karrige e nis e dremit i mbytur nga mërzia, ndërsa ajo e fyen dhe ne heqim keq që të shtihemi se nuk kujdesemi ç’po ndodh.
Uilli po mendon ku të të çojë, Paula, kemi nevojë për më shumë shkencë e për më pak magji, ndërsa unë përpiqem t’u mbush mendjen mjekëve të të lenë të largohesh dhe ta bind Erneston që ta pranojë gjendjen siç është. Nuk dëgjon të ndahet prej teje, por nuk ka rrugë tjetër. Sot në mëngjes erdhën dy vajzat nga Reparti i Rehabilitimit dhe vendosën të të çojnë në palestër për herë të parë, në katin përdhe. Unë kisha veshur uniformën time të bardhë dhe shkova me ‘to, duke shtyre karrocën me rrotëza; ka shumë njerëz në këtë vend dhe mua ka kohë që më shohin të vërtitem nëpër korridore, saqë të gjithë pandehin se jam infermiere. Përgjegjësit të repartit i mjaftoi vetëm një shikim që të bindej se s’kishte ç’të bënte për ty, niveli i vetëdijës është zero, tha, nuk i bindet asnjë lloj urdhri dhe ka një trakeotomi të hapur, nuk mund të mbaj përgjegjësi për një pacient në këto kushte. Prandaj vendosa të të largoj sa më parë nga ky spital dhe nga spanja, edhe pse s’e marr dot me mend si mund të bëhet ky udëhtim, është një punë fort e vështirë të të zbresim me ashensor disa kate; njëzet orë fluturim nga Madridi në Kaliforni janë diçka që s’ta rrok mendja, por do t’ia gjej anën. Kam gjetur një karrocë me rrotëza dhe me ndihmën e të shoqit të Elvirës të vura në të, të lidha në shpinoren e saj me një çarçaf, sepse paloseshe sikur të mos kishte kocka, të çova për pak kohë në kapelë e pastaj të nxora në tarracë. Më shoqëroi Aurelia që, ashtu e mbështjellë me robëdëshambrin e saj prej kadifeje blu, i përngjiste një zogu shumëngjyrëash; duke ecur, u ngërdheshej kureshtarëve kur të shikonin ngulmas, në të vërtetë seç ke një pamje të tmerrshme, bijë. Të vura përballë parkut, mes dhjetra pëllumbash që erdhën për të çukitur thërrime buke. Dua ta sjell pak një qejf Paulën, tha Aurelia dhe nisi të këndonte dhe të lëvizte trupin me aq hir sa aty për aty ai vend u mbush me spektatorë. Befas i hape sytë, në fillim me vështirësi, sepse po të mundonte drita e diellit dhe ajri i freskët që nuk e dihatje prej shumë kohe dhe, kur vatërzove shikimin, t’u shfaq përpara një grua e kolme e veshur me blu që po hidhte një valle të përndezur të Seviljes midis një trume pëllumbash të trembur. Ngrite vetullat me një farë habije dhe nuk di ç’ndodhi në ato çaste në mendjen tënde, Paula: nise të qaje fort e brengosur, me një vaj pafuqie dhe frike. Të përqafova, të shpjegova ç’po ndodhte, tashti për tashti nuk mund të lëvizësh, por dalëngadalë ke për ta marrë veten, nuk mund të flasësh se ke një vrimë në grykë dhe ajri nuk të mbërrin në gojë, por kur të ta mbyllin, mund t’i rrëfejmë të gjitha njëra-tjetrës, të thashë se të dua shumë bija ime dhe se s’do të të le kurrë vetëm. Pak nga pak u qetësove pa m’i ndarë sytë dhe mendoj se më njohe, por mbase gabohem. Ndërkohë Aurelien e kapi një nga ato krizat e saj dhe kështu mbaroi aventura jonë e parë me karrigen me rrotëza. Neurologu mendon se të qarët nuk provon asgjë, nuk kupton pse ti vazhdon të jesh po në një gjendje, ka frikë se mos ke pësuar ndonjë goditje cerebrale dhe më tha se do të të bëjnë një varg këqyrjesh javës së ardhme. Nuk dua analiza të tjera, dua vetëm të të mbështjell me një kuvertë dhe me ty ndër krahë të iki vrap në skajin tjetër të botës, ku ndodhet një familje që të pret.