Para murit të heshtjes
Përkthyesja: Remzije Ajeti
SUADA
Suadën, juristen tridhjetëvjeçare nga Brçko e njoha rastësisht. Aty nga fillimi i korrikut më thirri me telefon që të më tregonte se ajo është gruaja fatlume, e cila u punësua në “kafiterinë” e mikeshës sime. Ndihej borxhli ndaj meje edhe pse ia pranova se kam pasur parasysh një person krejtësisht tjetër, kur fqinjës sime të papunësuar ia përmenda, se mikeshës sime po i duhet një pastruese. U pamë, për një kohë shumë të shkurtër, pas njëzet ditësh, meqë për herë të tretë nuk desha ta refuzoj ftesën e saj për kafe. Përveç kësaj, kishte edhe arsye. Kishte marrë rrogën e parë.
Më befasoi freskia e saj, që nuk i përshtatej një gruaje refugjate, burri i të cilës ndodhej në internim në kampin e përqendrimit. E vlerësova si një person të cekët, edhe pse më intrigonte fakti që ajo vetë pa u mbështetur në ndihmat humanitare kujdesej të bijën katër vjeçare dhe të birin njëzet muajsh.
Nga mesi i gushtit më telefonoi përsëri. Sinqerisht u gëzova, kur më tregoi se i shoqi kishte arritur, së bashku me një të internuar tjetër, të ikin nga Lluka, llogori famëkeq serb. “Duket si lugat, por do të përmirësohet”, tha dhe menjëherë e ktheu kahjen e bisedës drejt punës së saj të re, në realitet, një pune shtesë, duke më sqaruar se si dy herë në javë ia pastron banesën një profesoreshe të gjuhës italiane, kurse kjo si shpërblim i jep mësime nga kjo gjuhë.
Takimi ynë i dytë, para hyrjes në NAMU, qe i rastësishëm. U nisa të blej kaseta të reja, kurse ajo ishte duke e “mbytur” kohën midis punës në “kafiteri” dhe orës së gjuhës iatliane. I propozova të shkojmë në kafenenë “Korzo” të pijmë nga një kafe, duke shpresuar se ajo do të dëshirojë të bisedojmë për të shoqin e ndoshta edhe ta bindë atë, që të pranojë të më japë një intervistë. Biseda, megjithatë, mori një kahje krejt tjetër nga ajo që unë po prisja. Nuk më erdhi aspak keq për këtë. Në afat prej më shumë se gjysëm ore e njoha një person krejt tjetër. Suada as nuk është e cekët, as nuk është e hareshme, siç e kam vlerësuar herën e parë.
Derisa po e prisnim kafenë më pyeti për punën time. Ishte e zhgënjyer për shkak të faktit që unë shkruaja për “Monitorin”. Nuk mund ta kuptonte që një boshnjake mund të punojë në këto kohë për malazezët, qofshin ata edhe të “gjelbërt” dhe antiqeveritarë. U tërhoq vetëm pasi i tregova se kam ndër mend të botoj në “Monitor”, një fejton që flet për boshnjaket e dhunuara, por hoqa dorë nga kjo punë, sepse kam vendosur të shkruaj një libër për këtë. Nuk m’u desht shumë të kuptoj arsyen e vërtetë të tërheqjes së saj. Atë e interesonte hulumtimi im.
Provova t’i ikë bisedës për atë duke i thënë se si është jashtëzakonisht vështirë të binden viktimat e dhunimit të flasin për përvojat e tyre, madje edhe në rastet, kur u garantohet anonimiteti i plotë. Mendova se pas kësaj do të heqë dorë, por Suada deshi të dinte pse heshtin viktimat. “Çdo rast është i veçantë, nuk mund t’i gjeneralizoj arsyet”, iu përgjigja pa dëshirën time.
“Ju e dini shumë mirë pse heshtin ato, por po eskivoni të flisni për atë. Pikërisht në faktin, për të cilin ju nuk dëshironi të flisni qëndron esenca e problemit. Asgjë, e dashura ime, nuk ndërrohet me qinda vite. Sot dhunimi formalisht trajtohet si krim, e në realitet ai shikohet si një fatkeqësi, e cila i ndodhi mashkullit, si një mahi e pakripë. Mashkullit as që i merret për të keq aq shumë. Gratë duhet të heshtin, sepse ai trajtohet si turp i tyre. Ashtu na trajtonë tashmë me shekuj. Ju asgjë nuk do të ndryshoni me atë fejtonin apo librin tuaj. Pse po humbni kohë në të?”
“Dëshiroj ta zbuloj të vërtetën dhe ta publikoj atë. Nuk pres ndonjë mirënjohje për atë.”
“Po mirë, a e zbuluat të vërtetën?”
“Jam liruar nga disa mashtrime fillestare. Nuk jam larg të vërtetës dhe konkludimit përfundimtar. Dhunimet kanë qenë masovike. Por, për këtë nuk kam pasur dyshime as para dy ose tre muajsh. Megjithatë besova se kjo është dhunë e pakontrolluar e jo projekt. Madje as nuk kam qenë larg mendimit se ana muslimane, për shkak të situatës dëshpëruese, po provon ta shfrytëzojë këtë për shkaqe propagande. Fatkeqësisht, sot nuk mendoj më ashtu.”
Më dëgjonte me kujdes. Prita se do të reagonte menjëherë. Kësaj radhe qeshë e përgatitur të dëgjoj vërejtje edhe më të ashpra në llogari të patriotizmit tim. Gati më befasoi, kur më pyeti qe sa kohë njihemi.
“Dy muaj”- u përgjigja dhe në të njëjtin moment e kuptova pse po e interesonte aq shumë hulumtimi im. Fytyra e saj që përnjëherë u zbeh dhe u shqetësua, fytyra e saj fliste për çdo gjë. Para se ta ndërprente heshtjen e pakëndshme, e piu edhe një hurbë kafe.
“Dy muaj nga dita në ditë keni kërkuar gra të dhunuara, kurse unë ju kam qëndruar para hundës. Mua më kanë dhunuar. Më kanë dhunuar me të vërtetë, jo për shkaqe propagande” – tha dhe e mbuloi fytyrëm me duar thuajse dëshironte të mbrohej nga shikimi im.
Të nesërmen, në mëngjes Suada erdhi në banesën time. E pranoi para meje se një kohë shumë të gjatë luftoi me vetveten të vinte apo të mos vinte. Nuk ishte me rëndësi fakti që e pranoi se qe viktimë e dhunimit. I nevojitej dikush, të cilit do t’i rrëfehej.
* * *
E di se ju interesojnë rastet në Brçko, por unë nuk mund t’ju flas shumë për këtë, sepse pas okupimit të qytetit, shumë pak kam lëvizur nëpër qytet. Kam kontaktuar shumë pak me njerëz. Të gjithë miqtë tanë, në momentin e fundit, para rrënimit të urës, shkuan. Ne hamendeshim. E paguam shtrenjtë këtë.
Tim shoq e morën kah mesi i majit, më 16 maj, në mbrëmje, midis orës nëntë e nëntë e njëzet minuta. Unë nuk qeshë në banesë, kur ndodhi ajo, sepse posa fjetën fëmijët, shkova deri te fqinja në katin e parë. Dy ditë para kësaj ngjarjeje asaj ia morën burrin. Edhe ata janë muslimanë dhe janë të vetmit, përveç nesh, që kishin mbetur në hymjen tonë. Nga ndërtesa u shpërngulën 16 familje muslimane, kurse në banesat e tyre menjëherë u vendosën serbët.
Atë mbrëmje u nisa te ajo, sepse atë pasdite më tregoi se një e njohur e saj, serbe atë mbrëmje do t’ia sillte ndonjë lajm për të shoqin. Qe një minutë në nëntë, kur nga banesa jonë u nisa në katin e tretë. Im shoq mbeti në banesën tonë. Ai më propozoi të mos pres deri në mëngjes, por të shkoj menjëherë dhe të pyes ç’ka të re. Mbeta tek ajo njëzet minuta duke mos marrë vesh asgjë, sepse e njohura e saj nuk ishte lajmëruar. Kur u ktheva në banesën time, im shoq nuk ishte aty.
Më kapi paniku, sepse e dija që ai nuk del nga banesa për t’u shëtitur natën. Ai as ditën nuk kishte guxim të dilte në rrugë, sepse muslimanët nuk i “gëlltiste” vetëm nata, por edhe dita. Flitej për qinda njerëz që ishin dërguar diku dhe ishin likuiduar. Mendoj se ishte fjala për mijëra, sepse këtu nuk kam takuar asnjë qytetar të Brçkos që nuk e ka, ose nuk e njeh ndonjë, të cilin e kanë vrarë ose mbyllur në Llukë.
Kur erdha pak në vete, vërejta se çdo gjë është në vendin e vet. Natyrisht, së pari fëmijët, të cilët flenin qetë në dhomën e vet. Nuk vërejta asnjë shenjë të dhunës, përveç porosisë së tij të papërfunduar: “Mos u brengo…”, e kishte shkruar në një copë letre. Ishte evidente se e kishin marrë me dhunë, edhe pse pa zhurmë të madhe, sepse në të kundërtën fëmijët do të zgjoheshin nga gjumi. Me orë të tëra mbeta e shtangur duke mos ditur çfarë të bëj dhe kujt t’i drejtohem për ndihmë.
Të nesërmen, në mëngjes e mora me telefon mikun e tij të mirë, serb. Askush nuk u përgjigj. E mora me mend se janë në punë. Pasdite telefonova përsëri dhe u paraqit në telefon gruaja e tij. Ai nuk ishte në shtëpi. Deri në mbrëmje telefonova disa herë dhe vazhdimisht paraqitej e shoqja. Në fund asaj i tregova për tim shoq. Më premtoi se do ta përcillte porosinë time. Të nesërmen, pasdite, siç më propozoi ajo, e mora me telefon përsëri. Më tha se ia kishte përcjellë porosinë time të shoqit dhe ai kishte premtuar se do të bënte çdo gjë që është në mundësinë e tij, megjithëse ishte shumë rrezik. Këtë të fundit as që qe e nevojshme të ma thoshte. Këtë e dija edhe vetë.
Ditën e katërt pas burgosjes së tim shoq, dy veta erdhën në banesën time. Qe para mbrëmjes. Akoma nuk qe errësuar krejtësisht. Kishin veshur uniforma, ato të maskuarat dhe kishin armë. Nuk i njihja. Mendoj se nuk janë nga Brçko. M’i morën të gjitha të hollat, 900 marka gjermane(DM), orën dhe stolitë e mia: dy zingjirë, bylyzykun dhe tri unaza. Thanë se ky është kontributi im vullnetar për popullin serb dhe republikën serbe.
E shikuan banesën, por nuk prekën asgjë. Madje, njëri prej tyre, përafërsisht moshatarë i tim shoq, tridhjetë e pesë vjeçar, e pyeti time bijë si quhet dhe ia ledhatoi flokët. Tjetri më pyeti pse nuk e braktisa Brçkon, kurse unë iu përgjigja duke i thënë se nuk kam bërë asgjë të keqe dhe nuk kam arsye të frikësohem. M’u përgjigj se e kam të keqe “racën” dhe se duhet të shporrem nga toka serbe. Sa më parë, aq më mirë.
Pasi e shikuan mirë banesën, ai i njëjti më urdhëroi të hyj në dhomën e fjetjes, kurse “kolegu” do të mbetet me fëmijët. Më dhunoi në shtratin tim të martesës. Nuk më goditi, madje tha se nuk ka dëshirë t’i rrah femrat. M’u kërcënua që të mos e refuzoj dhe të mos bërtas, sepse “kolegu” e humb shpejt durimin e pastaj e shtrëngon thikën.
Nuk lëshova asnjë zë, madje as nuk m’u përlotën sytë. “Ishe e urtë si qengj””, tha derisa po e vendoste revolverin në këllëf. Pastaj më urdhëroi të shkoj deri në dhomën, ku ishin fëmijët dhe ta pyes kolegun a dëshiron edhe ai. “Pyete në mënyrë të sjellshme, ashtu siç i ka hije të pyetet serbi: Zotëri, a dëshironi të më q…”, më tha duke u zgërdhirë. Duke e vërejtur luhatjen time, ma hodhi fustanin dhe bërtiti: “Nisu, nënën ta qifsha!” E dëgjova.
Ai tjetri, “kolegu”, së pari më mati me shikim duke e fiksuar, më duket, çdo pjesë të trupit tim. Pastaj ngadalë, tha fjalë për fjalë: “Jam ngopur tashmë me p… e turkeshave, por meqë më duhet, nuk më vjen rëndë. Nuk do të dëshiroja të të refuzoj, meqë po më lut në mënyrë aq të bukur”. Ai më dhunoi në banjo. Kokën me dhunë ma futi në toalet dhe më dhunoi nga prapa. As ai nuk më rrahu. Megjithatë në kokë më mbeti një gungë. Gunga m’u formua nga skaji i wc-esë.
Derisa akoma qemë në banjo më urdhëroi që në afat prej pesë minutash “të shporrem me gjithë pjellën time” nga banesa. Duke parë më vonë se e kam marrë valixhen, ma ndaloi të marr çkado përveç rrobave në trup. Vetëm fëmijëve ua mora jaknet, por nuk më lejuan të marr shishen dhe qumështin për tim bir.
Tashmë qe errësuar, kur dola nga ndërtesa. As nuk dija nga t’ia mbaj, as nuk dija çfarë të bëj. Pata ndër mend, që së paku atë natë të strehohem te fqinja në katin e parë, ajo tek e cila qeshë, kur ma morën burrin, por sapo arrita në katin e dytë dëgjova britma dhe dënesje që bëheshin më të fuqishme sa më shumë që i afrohesha banesës së saj. Nuk di a po i rrahnin apo po i dhunonin, atë dhe të bijën. Për to deri tani nuk kam mund të marr asnjë lajm, edhe pse pyes për to vazhdimisht qoftë tek refugjatët tjerë, qoftë te Kryqi i Kuq.
Personi i vetëm që më ra ndër mend në atë moment dhe e cila qe më së afërmi banesës sime, qe një e njohur, serbe. Dikur kemi punuar bashkë dhe kemi pasur një shoqëri të mirë. Kur e ndërroi vendin e punës, nuk u pamë me vite të tëra. Jo shumë moti u shpërngul në të njëjtën rrugë, nja njëqind metra larg ndërtesës sime. Nganjëherë takoheshim, por nuk e vizitonim njëra tjetrën. Më pat treguar se është shkurorëzuar dhe është martuar për herë të dytë dhe se i shoqi i tanishëm nuk i do ndenjat në shtëpi. Ky ishte shkaku pse nuk e vizitova asnjë herë.
Derën ma hapi i shoqi. U shtanga, sepse m’u duk aq i mrrolur, sa që më me dëshirë do të ikja, po të kisha kah. Më tha se e shoqja nuk ishte në shtëpi, por po e priste në çdo moment dhe nëse është urgjent, mund ta pres. Kur hyra brenda i thashë se ushtarët, dy ushtarë më kanë përzënë nga banesa ime. Vërejta se pamja e fytyrës i ndërroi. U bë më e butë, shumë më e butë. Menjëherë më pyeti a janë të uritur fëmijët dhe e hapi frigoriferin, i cili ishte përplot, siç ishte dikur edhe frigoriferi im, kur jetonim mirë.
Vetë më propozoi të hyj në banjo dhe të “rregullohem” dhe kur u ktheva në kuzhinë, bija ime tashmë po hante një sanduiç, kurse ai e mbante në prehër birin tim. Më propozoi që të marr vet qumështin dhe biskotat t’ia përgatis ushqimin, duke më kërkuar falje që nuk ka në shtëpi ndonjë ushqim tjetër për fëmijë.
Para se të kthehej e shoqja, së bashku me nënën e saj, e cila po qëndronte tek ata tashmë dy muaj, më pyeti a kam nga të shkoj. I thashë se nuk di nga t’ia mbaj dhe i rrëfeva për tim shoq. Nuk tha asgjë. Heshtte derisa e ushqeja tim bir. Pastaj, papritmas, më pyeti a mbrohem nga shtazënia. Për pak nuk më ra pjata nga dora. Ai njeri, i cili po më njihte tashmë vetëm gjysmë ore, e dinte saktë çfarë më ka ndodhur.
Për dallim nga ai e shoqja u soll si bushtër e vërtetë. Kur më pa, në të njëjtin moment nga fytyra iu zhduk ajo buzëqeshja për mua shumë e njohur, për shkak të së cilës, dikur mua më dukej posaqërisht simpatike. Menjëherë më tha se ata po jetojnë me vështirësi dhe se me ardhjen time e kam ekspozuar rrezikut familjen e tyre. Më tha që në realitet, mund ta kaloj natën, meqë tashmë ndodhem aty, por se ajo nuk mund të kujdeset për fëmijët e mi, sepse po të dëshironte halle të tilla, do t’i kishte lindur fëmijët e saj.
Më vonë, pasi i vura në gjumë fëmijët, deshi me mua ta shoshisë politkën, edhe pse i shoqi disa herë e qortoi duke i thënë se është e pakëndhsme të diskutohet tani për gjëra të tilla. Unë nuk i përgjigjesha, sepse mua as nuk më jetohej, por ajo vazhdimisht bluante. Edhe po të mos varesha nga ajo, pas asaj që më kishte ndodhur, nuk do të isha në gjendje t’i kundërvihesha, edhe për kundër faktit, se fliste budallallëqe dhe gënjeshtra që i njihte tërë bota. Në një moment i shoqi e ndërpreu mjaft ashpër, kur filloi të flasë për muslimanët se si ata janë krijesat më gënjeshtare, se si ata imagjinojnë likuidimet dhe masakrat, ndërsa pika më kulminante e gënjeshtrave janë të ashtuquajturat dhunimet. Nëna e saj, një fshatare primitive nga Krepshiqi, e ndihmonte duke thënë, se si ajo e dinte se pa e lëvizur kudra bishtin qeni nuk leh.
Në mëngjes, para se të niset në punë, i shoqi para saj dhe së sëmës, më tha të mos dal askund nga banesa dhe të ndihem si në shtëpinë time, kurse ai do të provojë të gjejë ndonjë lidhje që të më ndihmojë të kaloj në Kroaci. E ndjeva veten keq, sepse e njohura ime u skuq. Filloi të kërkojë falje duke u arsyetuar se është e nervozuar për shkak se po i prezentojnë serbët si plaçkitës dhe vrasës, ndërsa ajo nuk mund të durojë që të gënjehet ashtu për popullin e saj. Para se të niset në punë, më tha që t’u jap fëmijëve çkado që u nevojitet nga frigoriferi dhe të mos ia vë veshin “plakës” dhe “bërbëlitjeve” të saj.
“Plaka” nuk më la të qetë dhe tërë kohën u mundua të ma mbushë mendjen që të shkoj, sepse po ia shkatërroja martesën bijës së saj. Po të kisha kah, do të shkoja, por fatkeqësisht, personat e vetëm, prindërit e shoqes sime më të mirë, e cila tashmë dy vjet jeton në Australi, më thanë hapur se nuk kanë ndër mend t’i rrezikojnë të gjitha për shkak të një muslimaneje.
Nga mesdita cingërroi telefoni dhe unë ia dhashë “plakës” dëgjuesen. Thirrja si duket qe për mua, sepse e dëgjova, kur tha se kam dalur jasht t’i shëtis fëmijët. Pas një gjysmë ore, telefoni cingërroi përsëri, por kësaj here unë u bëra e pasjellshme dhe vetë u lajmërova në telefon. Bëra mirë, sepse burri i të njohurës sime më tha të bëhem gati dhe pas një ore ai do të vijë të më marrë duke u befasuar si kam guxuar të dal fare nga banesa. Më tha gjithashtu të mos brengosem, nëse ai vonohet.
Erdhi, megjithatë, vetëm pas orës tre e gjysmë. E shoqja tashmë qe kthyer nga puna. Më tha që i shoqi do të vonohet, sepse kanë dalur disa probleme të vogla. Ishte me një disponim më të mirë. Më ofroi ushqim, por unë nuk mund të haja. Kisha ndjenjën se lukthin e kam përplot, edhe pse 24 orë nuk kisha vënë gjë në gojë.
Dola nga Brçko me veturë të ambulancës dhe pastaj udhëtuam gati dyzet minuta. Deri në vendin e caktuar, në Savë ku hypën në barkë, me ne dhe vozitësin qëndroi edhe bashkëshorti i të njohurës sime. Para se të hypin në barkë, ai njeri fisnik ma dha një batanije, që ta përdor në rast se në anën tjetër të lumit detyrohem ta kaloj natën jashtë dhe 50 DM që të më gjenden për çdo rast. Më premtoi se do të përpiqet të marrë ndonjë lajm për tim shoq dhe po të jetë e mundur do t’i ndihmojë të lirohet. Nuk di ai apo dikush tjetër i ndihmoi, mirëpo im shoq arriti të ikë nga llogori i përqëndrimit. Një ditë para ikjes një rojtar i lajmëroi që të bëhet gati dhe të nesërmen i dha afat 15 minuta që të ikë, paraprakisht duke i shpjeguar, në detaje, kah duhet të shkojë që të arrijë deri te territori që ishte nën kontrollin e ushtarëve boshnjakë.
Nga ana tjetër, në Kroaci, e kalova natën në një shelgjishte. Posa zbritëm nga barka, filloi sulmi. Bombat fluturonin mbi kokat tona. Shtihej edhe nga njëra, edhe nga tjetra anë. Në djall të mallkuar, shtihej. Gjëmonte. Toka dridhej. Tashmë u bë natë, kur u qetësua çdo gjë dhe unë me fëmijët u mbështolla në batanije dhe e kaluam natën aty.
Në mëngjes hasëm në patrullën e ushtrisë kroate. Na e treguan rrugën dhe një kohë udhëtuan me ne. Deri në Zhupanj na voziti një ushtar kroat. Pastaj, deri në Zagreb nuk patëm kurrfarë vështirësish, përveç që rruga qe lodhshme dhe e gjatë. Farefisin e befasuam, por edhe ua prishëm komoditetin. Tani në banesën dydhomëshe jetojmë tetë persona.
Zagreb, 3 shtator 1992
GORDANA
Takimin dhe bisedën me Gordanën, 39 vjeçaren viktimë të dhunimit, ma organizoi veprimtarja e Kryqit të Kuq, zonja V. Një natë më parë ma kishte lënë porosinë që të nesërmen, në mëngjes, në orën nëntë të jem në stacionin e autobusëve në Sopotë dhe të marr me vete edhe kasetofonin. Natyrisht, porosia ishte e qartë.
Derisa me jugon e saj “të çakorduar” voziteshim në drejtim të Novskoj, ajo më shpjegoi, se po më pret takimi me një çift bashkëshortorë nga Banja Lluka, me një kroate dhe një musliman, që të dytë intelektualë. Më tha që në fillim të asaj jave arritën të dalin në Kroaci. E merrte me mend se i shoqi do të insistonte të jetë prezent gjatë bisedës.
Që nga dera e hyrjes në “kafiterinë” gjysmë të zbrazët, në qendër të Novskës, zonja V. pranë një tryeze vërejti një burrë tullac, të kthyer me shpinë drejt nesh, të cilin e kishte njohtuar një ditë më parë. Në realitet, së pari e njohu jaknen e tij ngjyrë hiri dhe mantelin pak më të mbyllët, të cilin e kishte hedhur në mbështetësen e karriges së zbrazët. E shoqja na u bashkangjit, pikërisht në momentin, kur ai na po na sqaronte se ajo për një çast shkoi në toalet.
Derisa zonja V, na njoftoi ne të dyja, vërejta se Gordana jashtëzakonisht e gjatë, është më shumë e dobët si biskonjë, me sy të zezë dhe me vija të rregullta të fytyrës, zbehtësinë e së cilës e theksonin akoma më shumë flokët ngjyrë gështenje të mbyllët, vende vende e përzier me fije të thinjura. Zbehtësia e saj nuk ishte e zakonshme. Pastaj e kuptova arsyen. Shtresa e trashë e pudrës i mbulonte hematomet në fytyrën e saj.
Gordana për një moment e solli një atmosferë të rëndë, e cila do të zgjatte, ndoshta më gjatë, po të mos ishte zonja V, e cila u kujtua të porosiste kafetë e pastaj menjëherë e imponoi bisedën rreth dobësisë së muslimanëve ndaj ceremonisë së pirjes së kafesë, bisedë të cilën i shoqi e pranoi me dëshirë. Gruaja e tij nuk merrte pjesë në bisedë, por dëgjonte me kujdes. Në një moment na u takuan shikimet. Më tha se unë po i dukesha më e re se në televizion. “Prandaj edhe kam punuar për gazetat”, i thashë sepse kjo qe e para fjalë që më ra ndër mend ta them. Desha ta mbaj “dialogun”. Kur më pyeti a e kam vështirë të punoj në rrethanat e reja, e dita që akulli u thye. Vetëm minutat më ndanin nga çasti, kur do ta shtypja sustën për inçizim.
Përkundër parashikimit të zonjës V., i shoqi insistoi që bisedën me të shoqen ta bëj pa prezencën e dikujt tjetër. Asaj, megjithatë nuk i pëlqeu kjo ide, por lëshoi pe, sepse i shoqi insistoi me këmbëngulje. Pastaj me pikëllim e komentoi faktin se ai me këmbëngulje po ikën nga “ai realitet”, thuajse mund të iket dhe thuajse “ajo ngjarje” nuk do t’i përcjellë tërë jetën.
U përpoqa ta qetësoj duke thënë se ndoshta e ka vështirë për shkakun tim dhe të zonjës V. Ajo pati sqarim tjetër. “Frikësohet të dëgjojë çfarë më kanë bërë. Po më çmend duke ma përsëritur se e vetmja gjë që është me rëndësi është fakti se jam gjallë. Thuajse, vdekja është më e keqja. Nganjëherë vdekja është më e mirë se jeta, se jeta e këtillë. O Zot, ç’po flas kështu! Jam e padrejtë. Çfarë do të mendoni ju, zonjë, për mua? Që jam grua gjarpërushë, që jam e tërbuar dhe mosmirënjohëse për faktin që kam një burrë të mirë?”
“Akoma jeni nën traumë. Edhe burri sigurisht është i tronditur. Shumë pak kohë kaloi nga “ajo ngjarje”. Ju duhet kohë që të kalojë”, u përpoqa ta qetësoj edhe një herë, duke vërejtur se Gordana është e gatshme t’ia plasë vajit.
“A po mendoni se koha mund të ndryshojë diçka? Nuk jeni, vallë aq naive? Ajo kryesorja, fakti që jam e dhunuar nuk mund të fshihet kurrë. Me kohë do të më kalojnë plagët nëpër trup. Pas disa ditësh nuk do të detyrohem që me kilogram pudër t’i fsheh njollat e hematomeve nëpër fytyrë. Nga jashtë, ndoshta çdo gjë do të duket normale, por nga brenda unë kurrë nuk do të jem si më parë. Unë nuk jam më unë. Nën fasadën time është dikush tjetër, një person tjetër. Atë nuk e kupton askush, askush që nuk e ka përjetuar “atë”.
Të gjithë janë të kujdesshëm ndaj meje, të gjithë janë të mirë, ndiejnë keqardhje për mua, por as vetë nuk e dinë pse. Askujt nuk po ia zë për të madhe, edhe unë do të veproja ashtu më herët. Miqtë, tek të cilët jemi vendosur janë të mrekullueshëm dhe njerëz të mirë, por as nuk janë të vetëdijshëm sa shumë më nevrikosin duke më ngushëlluar me faktin se kam kaluar mirë. Serbët vetëm më kanë “dhunuar”, kurse me mija janë vrarë dhe plagosur. Për ata, dhe për të gjithë të tjerët unë kam shpëtuar “komplet”, sepse plagët e mia as nuk janë vdekjeprurëse, as nuk shihen.
Ju jeni personi i vetëm që dëshiron të dijë çfarë më ka ndodhur. Ju jeni i vetmi person që nuk i shmanget temës. Keni kaluar njëqind kilometra për të dëgjuar dhe për të shënuar çfarë më ka ndodhur. Im shoq ju çmon si një gazetare trimëreshë të politikës. Që të dytë i kemi lexuar artikujt tuaj, por për mua është trimëri më e madhe kjo që po bëni tani. Dje, kur ju përmendi zonja V., menjëherë pranova të bisedoj me ju. Ai u pajtua me mua, sepse i erdhi keq të kundërshtojë para saj. E di fare mirë, se ajo me gjithë shpirt u mundua të na ndihmojë. Nëse udhëtojmë për në Sutonte më zë diçka me zonjën V. Në atë moment më la përshtypjen e një personi të pandihmë.
* * *
Kur e kthej pak filmin prapa, nuk më habit më asgjë. Eshtë për t’u habitur, se si kjo nuk më ndodhi më parë. Serbët fare nuk i fshehnin qëllimet e tyre. Derisa para botës vajtonin, se janë të rrezikuar, neve pa pardon na thonin, se jemi të tepërt në Banja Llukë. Kishin ushtrinë armatimin dhe mund të bënin çfarë të donin. Dhe do të bëjnë çdo gjë, derisa bota të mos lodhet nga frazat dhe t’ua pranojë atë “republikën e tyre të përgjakshme serbe”.
Fqinja ime serbe, qysh në muajin prill më tha që ta braktis Banja Llukën, nëse mendoj ta ruaj kokën të gjallë. Shumë banjallukas menjëherë ikën, në realitet e paguan daljen e tyre. Disa qenë të detyruar me dhunë të nënshkruajnë se vullnetarisht po i lënë banesat dhe çdo gjë tjetër. “Vullnetarë” të tillë dhuruesish të banesave dhe pasurive ka me mija e mija. Atyre që kundërshtonin, serbët ua minonin dyqanet, madje edhe shtëpitë, ose thjeshtë me dhunë i përzenin nga shtëpitë e tyre dhe sillnin “banorët” e rinjë. Disa i vranë, ose i deportuan në Manjaçë, në llogor.
Mos mendoni se të gjitha këto janë pasojë e një situate pa pushtet dhe se secili bën çfarë të dojë, derisa qeveria është e pafuqishme. Prapa terrorit, vrasjeve, deportimeve në llogore, mobilizimeve me dhunë, plaçkitjeve, eksplodimeve, dhunimeve, prapa largimeve nga puna të të gjithë kroatëve dhe muslimanëve… qëndron qeveria, policia dhe ushtria serbe. Kjo, zonjë, është terror i organizuar me qëllim që të gjithë ata që nuk janë serb, të detyrohen me dhunë ta braktisin BanjaLlukën, meqë nuk mund të na vrasin të gjithëve. Shumica e serbëve banjallukas pajtohet me këtë. Janë të rrallë ata që nuk e përkrahin atë republikën e tyre serbe. Fatkeqësisht, ai grusht i vogël i njerëzve që nuk e përkrahin pak mund të bëjë lidhur me këtë. Kur bëjnë diçka dhe i ndihmojnë dikujt ata e rrezikojnë jetën e vet. Të tillët autoamtikisht i klasifikojnë si “tradhtarë”.
Më tregoni, nëse po ju lodh me këto. Unë vetëm dëshiroj t’jua paraqes gjendjen, në të cilën, po të mos jeni serb mund të bëjnë me ju çfarë të dëshirojnë. Askujt nuk mund t’i drejtoheni për ndihmë: as policisë, as gjyqit, as komandës ushtarake. Ju injorojnë, madje edhe në spital, nëse jeni musliman. As nga Kryqi i Kuq, që nuk ka kurrfarë fuqie, por sipas definicionit duhet të tregojë vullnet të mirë t’i ndihmojë personit të pandihmë, nuk mund të presësh kurrfarë ndihme. Personeli në Kryqin e Kuq jep informata të rrejshme. Dje im bir, student në Zagreb, pohoi se kolegia e tij para pesëmbëdhjetë ditësh ka marrë nga Kryqi i Kuq informatën se prindërit e saj në Banja Llukë janë mirë dhe e përshëndesin, kurse ne fare mirë e dijmë se janë vrarë para dy muajsh. Shtëpinë ua hodhën në erë “akterë të panjohur”.
Siç po shihni lufta mund të përjetohet edhe nëse nuk jeni në Sarajevë ose Gorazhdë. Ne, në realitet, nuk kemi granatime, por kemi eksplodime të natës. Pasuria joserbe fluturon në ajër. Në Banja Llukë minojnë dhe rrënojnë çdo gjë që ka shenja të muslimanizmit. i rrënojnë edhe monumentet historike, të kursyera në të gjitha luftërat e mëhershme. Ashtu “dëshmojnë” që Banja Lluka nuk është qytet musliman dhe se ky qytet kurrë nuk ka qenë i tillë, edhe pse është fare e njohur se ata janë ardhacakë e jo muslimanët dhe kroatët.
Ju, zonjë me siguri mendoni që unë ushqej urrejtje primitive ndaj serbëve. Jo, zonjë. Mua më ka rritur serbja. Gjyshja ime nga ana e nënës, ka qenë serbe dhe unë ndaj serbëve nuk kam pasur kurrfarë urrejtjeje. Në fund të fundit kam studiuar në Beograd. Familja e babait është kroate, katolike, por kjo nuk ka qenë pengesë që femrat të martohen edhe me serbët edhe me muslimanët. Në Gradishkë, derisa isha e re, as që e kam ditur ç’është kombi dhe nacionalizmi. Për Banja Llukën, në të cilën jetova tetëmbëdhjetë vjet, mund të flas vetëm fjalët më të mira, ai qe qytet i vërtet kozmopolit. Kurrë nuk do të ngjante kjo që ngjau, po të mos e dëshironin këtë serbët. Muslimanët treguan durim dhe tolerancë të çuditshme gati të pakuptueshme dhe vërtet është neveritëse t’u mvishet fundamentalizmi. E di që këto janë dinakëri politike të propagandës serbe, por, s’ka rëndësi, është neveritëse. Nuk po jua them këto për shkak se jam e martuar me musliman, por këto janë thjeshtë fakte.
Tani gjendja është e padurueshme. Çmenduri, çmenduri e vërtet shoviniste. Kjo nuk po merr fund dhe nuk do të ketë fund, derisa serbët të mos dënohen, ndërsa kjo nuk do të ndodhë dhe ata akoma do të “pastrojnë” terrenin duke vrarë, rrënuar ose duke dhunuar. Edhe mua më dhunuan sipas një urdhëri, sepse im shoq dhe unë nuk deshëm të kuptojmë çfarë do të thoshte, kur na thanë se banesa jonë, që është pronë e jona, është “tepër e madhe” për ne.
Gabuam që nuk e braktisëm Banja Llukën më herët. Unë isha këmbëngulëse që të mbetemi. Tim shoq i thosha se nuk dua të ikë para atyre të çmendurve dhe t’ua lëmë të gjitha ato që kishim arritur t’i bëjmë me djersën tonë. Edhe prindërit e tij na bindnin të ikim. Nëna e tij më luste ta braktisim Banja Llukën, por unë qeshë këmbëngulëse si mushkë. E provokova fatin. Madje edhe dilja në qytet edhe pse ishte shumë rrezik. Burrat, muslimanët dhe kroatët policia ushtarake për çdo ditë i kap nëpër rrugë dhe i dërgon si nishane të gjalla në front. Gratë, para së gjithash muslimanet, i shmangen daljes në rrugë duke u frikësuar nga dhunimet.
Unë mendova se kjo mua nuk mund të më ndodhte, edhe pse nuk kisha fare arsye të ndihesha e sigurtë. Përkundrazi, në pikë të ditës mund të më shtynin në ndonjë farë hyrjeje dhe të më dhunonin e askush, vërtet askush, nuk do të luante as gishtin të më mbronte.
Një ditë para se të ndodhte ajo, na vizitoi njëfarë i ashtuquajtur komision nga komuna, një grua dhe dy burra me uniformë, që të na informojnë se mund ta lëshojmë Banja Llukën të sigurtë, nëse e nënshkruajmë njëfarë dokumenti. Do ta keni të qartë për çfarë komisioni bëhet fjalë, nëse ju them se madje edhe gruaja ishte e armatosur. Në momentin e parë mendova se kanë ardhur ta marrin tim shoq. Ai qe në kuzhinë, nuk arriti të fshehet në bodrum.
Ajo grua ma dha “dokumentin” ta nënshkruaj. I thashë se së pari duhet ta lexoj. Në një copë letër të fotokopjuar ishin të shkruara dy fjali. Fjalia e parë, përafërsisht thoshte se pushteti serb nuk na rrezikonte dhe ne vullnetarisht, për shkaqe familjare, dëshirojmë ta braktisim Banja Llukën. Në fjalinë e dytë thuhej se ne me dëshirën tonë heqim dorë nga banesa me gjithë pajisjet brenda. Në vendin ku duhej të ishin emrat tonë, ishte zbrazët dhe ishte shënuar me pika, që do të thotë se ai ishte formular ose njëri prej formularëve, të cilin me dhunë detyroheshin njerëzit ta nënshkruajnë. “Dokumenti” ishte i vulosur me njëfarë vule, por nuk arrita të shoh çfarë vule, a ishte civile, nga komuna, ose ushtarake, për shkak se ajo gruaja ma mori letrën nga dora duke më thënë ta nënshkruaj, derisa akoma kam kohë. I thashë se nuk do ta nënshkruaj, sepse nuk e kam burrin në shtëpi, ndërsa njëri prej meshkujve më tha se është në interesin tim të mos mendoj shumë. Atë njeri e kam parë disa herë në Borikë, ku kemi banuar. Njëherë pat qenë me të njëjtën uniformë, me të cilën erdhi në banesën time. Mendoj që jo shumë moti u shpërngul në lagjen tonë, me siguri në banesën e ndonjë familje të mjerë, e cila nën presionin e dhunës u detyrua të shpërngulet.
Kur shkuan im shoq më tha se është dashur ta nënshkruaj atë “dokument”. Qe shumë i frikësuar. Edhe unë atëherë ndjeva njëfarë ankthi, thuajse në lukth filloi të më rritet njëfarë baloni dhe të më ngjitet deri në fyt. Nuk mund të them se e parandjeva çfarë do të më ndodhë, por megjithatë kisha një parandjenjë të çudishme.
Të nesërmen më dhunuan në bodrumin e ndërtesës sonë. Qenë tre, dy ushtarë dhe një civil. Kurrë nuk i kam parë më parë, por i kam mbajtur në mend fare mirë. Çdo natë ua shoh fytyrat në ëndërr. Akoma nuk kam fjetur as edhe një natë normalisht.
Atë mëngjes qeshë te vjehrra. Më dha pak fasule nga kopshti i tyre, një gjysmë pule dhe disa vezë. Ajo dhe vjehrri jetojnë në anën tjetër të Banja Llukës. Kanë shtëpi. Janë plakur, që të dytë kanë me se shtatëdhjetë vjet, por fatmirësisht, kanë shëndet të mirë. Ata nuk mendojnë ta braktisin Banja Llukën. Me ta jeton edhe halla, motra e vjehrrit. Kanë fat që fqinjët e parë të tyre, serbë, janë njerëz shumë të mirë.
Ndodhi aty nga mesdita, kur u ktheva duke bartur në dorë ushqimin. Në të vëretet, kur hyra në ndërtesën tonë, sepse deri te nbanesa nuk arrita. Në hyrje më ndaloi një njeri, mjaft i shkurtër me trup, me një shtat të fuqishëm, “i ngjeshur”. Më ra në sy gjatësia e tij, sepse qe gati për një kokë më i vogël se unë. Më pyeti në cilën banesë banon Jokanoviqi. I thashë se njeri me atë mbiemër nuk ka në hyrjen tonë. Dhe pikërisht, kur e hapa gojën t’i them të provojë të pyes se mos janë ndoshta njëra prej tri familjeve, të cilat u vendosën në banesat e braktisura “vullnetarisht”, ndjeva që dikush nga prapa më kapi me duar. Tani më kujtohet vetëm shpuza e lagur në gojë dhe hundë.
Më zgjoi dhimbja e madhe në nofull. Kur i hapa sytë në gjysmerrrësirën e bodrumit e njoha fytyrën e njeriut, i cili më parë më ndaloi në hyrje. Rrinte i shtrirë mbi mua. Më dhunonte, kurse unë në atë moment çuditesha si nuk po bërtas. Vetëm pas disa çastesh e kuptova që dikush ma kishte lidhur fort gojën me njëfarë lecke. Së shpejti e kuptova se nuk jemi vetëm, sepse dikush m’i mbante duart, derisa personi tjetër m’i mbante këmbët. Nuk e kuptova menjëherë, ku isha e shtrirë. Vetëm më vonë e pashë se ai ishte një grumbull gazetash të vjetra, të cilat qysh në vjeshtë, fëmijët e hyrjes i kishin mbledhur, por kurrë askush nuk erdhi t’i merrte ato gazeta.
Derisa më dhunonte dhunuesi m’i shtypte gjinjtë duke ma sharë “nënën lavire” dhe duke u kërcënuar se me trupin tim do të bënte litar. Njëri nga shoqëruesit e tij, më duket se ishte ai që m’i mbante këmbët e ngacmonte duke i thënë “dobët po q…” dhe “atij p…” i duhet një “alet” më i mirë.
I ardhshmi, ai në uniformë më dhunoi nga prapa. Ai pastaj ia hodhi fjalën atij të tretit se ka mbetur edhe një “vrimë”. Ai i treti ma hoqi leckën nga goja. E zgjidhi me thikë. Instiktivisht klitha, kurse ai më goditi aq fort sa që u rrotullova në dyshemenë prej betoni. Në të njëjtin moment më kapi për flokësh dhe ma vuri thikën në fyt. Mendova se do të më therrte. M’u kërcënua se do ta bënte atë, nëse edhe një herë lëshoj ndonjë zë. Pas kësaj më hodhi në atë grumbullin e gazetave.
Disa çaste nuk ndërmori asgjë dhe pastaj më urdhëroi t’i afrohem murit fare dhe të ulem galiç… e kuptova çfarë ka ndër mend, vetëm kur e hoqi rrethatoren, i zbërtheu pantollonat dhe m’u afrua vetëm njëzet centimetra larg. Para se të ma fuste në gojë, kërkoi prej njerit prej atyre dy të tjerëve t’ia japë thikën.
Pas atij, edhe ai civili që më dhunoi i pari, duke mbajtur revolen në dorë më urdhëroi t’ia “thith” edhe atij. Kur fillova të vjell, më rrëzoi në dysheme dhe filloi të më rrahë. Më godiste me çizme kudo që arrinte, më së tepërmi në pjesë e poshtme të barkut. Nuk di a iu bashkangjitën edhe ata dy të tjerët. Mendoj që po, sepse derisa qeshë me vetëdije kisha ndjenjën se njëkohësisht po marr shumë goditje.
Kur erdha në vete, qëndroja e shtrirë në dyshemenë e bodrumit. Dikush po përpiqej të më tërhiqte. Në momentin e parë mendova se është im shoq, por doli se është fqinji, serb. Arriti disi të më tërheqë deri te ai grumbulli i gazetave. Nuk fliste asgjë. Mendoj se ndihej pakëndshëm për shkak se unë qeshë lakuriq. U përpoq të ma vishte fustanin, por hoqi dorë, kur pa se rrobat e mia ishin fare të grisura. Një kohë të shkurtër mbeta vetëm, derisa ai shkoi dhe solli një batanije, me të cilën më mbështolli. Më mori, si fëmijën dhe më dërgoi në banesën time.
Më vonë, me të shoqen erdhi në banesën time. E solli një shishe raki për t’i lagur leckat. Ai i thoshte tim shoq të nënshkruajmë dhe të ikim, sepse nuk kemi pse të humbim kokat tona. Askush nuk do të na mbronte. Ai të njëjtën pasdite me veturën e vet na dërgoi deri te vjehrra ime. Ne ia dhamë 20 litra benzinë, të cilat i patë marrë si rezervë, para se të na e vjedhin veturën, natyrisht “akterët e panjohur”. Im shoq i propozoi atij që e bija, e cila ishte martuar tash vonë të kalonte dhe të jetonte në banesën tonë. Pastaj im shoq më tregoi se fqinjit i kishte ardhur shumë keq, kur ia kishte dhënë çelësat e banesës.
Nga banesa morëm vetëm kopjuterin tim personal, dhuratën e tim shoq që e fitoi me rastin e pesëmbëdhjetë vjetorit të martesës, takëmin e argjendtë të ushqimit, stolitë e mia, dy piktura artistike, albumin me fotografi familjare dhe pak garderobë. Ato im shoq u kujtua t’i merrte, sepse unë nuk qeshë në gjendje as të mendoj, as të bëj diçka. Të gjitha të tjerat, duke përfshirë edhe librat, për të cilat më vjen keq më së shumti, mbetën në banesë. Ato, ndoshta edhe nuk do të më duhen. Kushedi a do të merrem më me profesionin tim.
Vjehrri u sëmur, kur më pa, por shpejt e mori veten dhe u shërua. Para mbrëmjes u vesh solemnisht dhe shkoi diku. Ajo ishte dalja e parë e tij në qytet pas tre muajsh. Tha se ndoshta do të kthehet vonë.
Për këto më tregoi im shoq më vonë, sepse unë tërë kohën rrija shtrirë në dhomën tjetër, derisa halla dhe vjehrra ndërroheshin për të m’i ndërruar leckat. Nuk di, ku kishte qenë vjehrri im. Im shoq e mori me mend se shkoi të kërkojë ndihmë nga ndonjëri prej shokëve të luftës, edhe pse ishte betuar se nuk do të kërkonte ndihmë nga asnjëri prej tyre, meqë nuk u distancuan kurrë nga ato që po i bënin serbët. Disa prej atyre partizanëve hapur e përkrahnin Karaxhiqin dhe e ngritnin në qiell Millosheviqin.
Vjehrri u kthye diku rreth mesnatës dhe i tha vjehrrës që qysh të nesërmen, nëse unë mund të udhëtoj mund të nisemi të kalojmë në Kroaci. U nisëm në rrugë vetëm pas tri ditësh, kur unë u bëra pak më mirë. A mund të më besoni që një veturë erdhi për të na marrë? Pas Okuçanit, kaluan nën kontrollin e kroatëve. Gjatë dy orësh vozitjeje, shoferi nuk e foli asnjë fjalë. Vetëm në fund tha se tani do të kalojmë te “ustashët” dhe lejet serbe, të cilat tërë kohën kishin qenë te ai nuk do të na duhen më. Im shoq e falënderoi për vozitje, kurse ai pa pikë turpi ia ktheu, se nuk ka nevojë për falënderim, sepse ai vetëm e zbatoi urdhërin. Përndryshe, sa i përket atij, ai do të vepronte ndryshe, ashtu siç e meritojnë “turkeshat” dhe “ustashët”.
Këtu jemi tashmë pesë ditë. Dje ishim në Zagreb, sepse unë duhej të shkoja në kontrollë mjekësore dhe dëshiruam gjithashtu ta shohim studentin tonë, birin e tim shoq nga martesa e parë. Nuk e kishim parë më shumë se një vit. E dua shumë, sikur ta kisha lindur vetë. Më quante “nënë”, sepse qe shumë i vogël, kur i vdiq e ëma. As nuk e mban në mend fytyrën e saj dhe vetëm fotografitë ia përkujtojnë.
Kur për një moment mbetëm vetëm më pyeti a më kanë dhunuar serbët. E pashë që mezi e shqiptoi pyetjen. E gënjeva. I thashë se vetëm më kanë rrahur. Para vjehrrës dhe vjehrrit nuk e fsheha tragjedinë time, por atij nuk munda t’ia them. Më tha se po i dukem disi si e humbur mu si “ato të mjerat”, me të cilat janë mbushur përplot gazetat dhe televizioni.
Novska, 29 shtator 1992
FATIMJA
Atë paradite, më 5 nëntor, në Press-qendër të asamblesë gjeta një porosi të zonjës V. që t’i lajmërohem urgjent. Si duket e kishte pritur thirrjen time, sepse e ngriti receptorin menjëherë duke më thënë që ta pres në orën dymbëdhjetë e tridhjetë. Nën murin te kiosku, nëse më përgjigjet. Para se ta lëshonte receptorin shtoi, se bëhet fjalë për “atë të njëjtën”. Mendova se përfundimisht pas përpjekjes së katërt do të ma “sjellë” Fatimen, refugjaten nga Foça, viktimë e dhunimit.
I vërejta, derisa e kalonin sheshin Bane Jelaçiq. Në realitet e njoha zonjën V. pranë së cilës ecte një grua me shami që ishte një kokë më e gjatë se ajo. Zonja V. e kishte kapur për krahu. Kur m’u afruan për nja dhhjetë metra përfundova që gruaja sigurisht është nga fshati. Arrita të fiksoj saktë pallton gati të zezë dhe tepër të shkurtër për gjatësinë e saj, nën të cilën ishte zgjatur një fund apo fustan me ngjyrë pak më të hapët. Kishte të mbathura çizme të zeza prej gome. Për të tjera nuk pat kohë, sepse më duhej të përqendrohesha në zonjën V., e cila në kalim e sipër dy-tri metra larg nga unë filloi të flasë. Në të vërtet, ma prezentoi gruan në shpejtësi dhe më tha se kemi në disponim dy orë që të “ngopemi së biseduari”.
Në atë moment Fatimja reagoi në panik duke e kapur për mënge: “Ju lutem mos më leni. Ç’do të bëj unë pa ju?” U tërhoqa disa hapa prapa duke ia lënë në dorë zonjës V. që të nxjerrë gështenjat nga zjarri. Iu deshën disa minuta që ta qetësonte. Nuk e dëgjova çfarë i tha, por kur në një moment e përqafoi e dita se mund të afrohem.
Qëndroja para një bisede të rëndë. Me atë 44-vjeçare më duhej të isha posaqërisht taktike. Mendova se një shëtitje e shkurtër nëpër Dolc do të mund t’ia tërhiqte vëmendjen nga ajo që po e priste. Qendra më e njohur tregtare e Zagrebit do të mund ta interesonte.
Derisa po ecte pranë meje heshtte dhe nuk tregonte asnjë shenjë impresionimi me Dolcin. Megjithatë, në një moment, tha si nëpër dhëmbë se treg të tillë nuk ka as Foça, as Gorazhda. Natyrisht, menjëherë u kapa për atë fije të hollë kashte, prandaj fillova t’ia shpjegoj se si në Dolac njeriu duhet të vijë në mëngjes, sepse tani është para mbylljes dhe tregu është bukur shumë i zbrazur.
Nuk reagoi në këto fjalë. Më përcolli pa thënë asnjë fjalë dhe në një moment u ndal dhe e nguli shukimin në një tezgë me mollë. E pyeti shitësen për çmimin e “molëve kanadeze”. Kjo e shikoi me habi. Nuk më kujtohet çmimi që e përmendi, por unë i bleva dy kilogram, duke synuar t’ia jap Fatimes në fund të bisedës sonë.
Pranë çantës sime gjithmonë të rëndë, pesha e shtuar më detyroi që menjëherë t’i propozoj Fatimes të ulemi në kafiteri, njërin prej atyre në skajtet e qendrës tregtare, ku nganjëherë pas blerjes kthehem të pushoj. Nuk e dinte ç’është “kafiteria”. Kur ia shpjegova më refuzoi.
Pastaj për të porosita edhe një çaj. Ata dy çaja, ndoshta qenë çajat e parë në jetë që i piu në kafene. Deri në fund të bisedës tregoi mosbesim dhe mbi të gjitha u tregua e pasigurtë, edhe pse tensioni i saj gradualisht filloi të binte. Vetëm në një moment më shikoi drejt në sy, një orë e gjysmë sa u përpoqa të nxjerr “sekretin” e saj, shikoja një fytyrë të shtangët dhe qepalla të gjata të lëshuara, të cilat gati ia preknin mollëzat jashtëzakonisht të theksuara. Para Fatimes e ndjeja veten si para një dere të mbyllur. E kisha çelësin, besimin e saj në zonjën V., por nuk dija si ta përdor. Kjo qe intervista më e rëndë.
* * *
Sa kohë ka që ndodheni në kamp?
FATIMJA : Ku?
Në lagjen për refugjatë.
FATIMJA: Ahaa, tashmë javën e dytë.
Ju jeni nga Foça?
FATIMJA: Jo, unë jam nga Xhihaniqi.
Xhihaniqi është fshat afër Foçës?
FATIMJA: Jo. Xhihaniqi është fshat afër Prusit, por nga ai fshat mund të shkosh edhe në Baliq, edhe në Bugojnë dhe Donji Vakuf.
E përmendët në treg Foçën dhe Gorazhdën, prandaj mendova se keni jetuar në Bosnien Lindore.
FATIMJA: Po, kam jetuar. Atje jam martuar. Burri im është nga atje, kurse unë kam lindur në Xhihaniq.
Mirë, ku keni jetuar?
FATIMJA: Në Gjigjevë, në të vërtet te Gjigjeva. Ne jemi pak më larg, në kodër, por i takojmë Gjigjevës. Komuna na përfshin ashtu. S’andejmi mund të shkosh edhe në Foçë, edhe në Gorazhdë, kahdo të të dojë qejfi. Por, deri në Gorazhdë të duhet një ditë e ndoshta edhe më tepër të udhëtosh me kalë. Burri im më së shpeshti shkonte në Foçë. Nisej atje në treg dhe kur duhej blerë diçka për shtëpi. Atje tek ne është bjeshkë. Mrekulli e Zotit. Kur më dërgoi atje mendova se kurrrë nuk do të mësohem, qeshë e re. U martova me të në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Erdhi në panair në Prusac. Unë qeshë atje me motrën. Ajo ishte më e vjetër kishte kaluar 22vjet. Por, ai ma vuri syrin mua. Edhe unë atij. Ishte i bukur si fotografi. Nuk kishte djalë më të bukur në panair. Më tha se është nga Foça. Unë e pyeta a është ky qytet i madh, kurse ai më tha po. Dhe ika me të. Si të mos ikja, kur sytë e tij nuk më dilnin nga mendja. Të kaltër si Drina.
Por më gënjeu, pakëz. Foçën as nuk e pashë. E pashë, por shumë më vonë. Kur më dërgoi të lind Malën, atëherë qeshë për herë të parë në Foçë. Pas fëmijës së parë, djalit, gjashtë fëmijë më vdiqën. Edhe i pari mezi mbeti gjallë. Kur mbeta me barrë me Malën, ai nuk duroi më. Tha: “Nuk do të shkosh më as te plakat, as te hoxhallarët. Do të të dërgoj në Foçë dhe le të të kontrollojnë mjekët”. Në spital më thanë që jam negative. Ndodh, me defekt. Edhe atij ia nxorrën gjakun, por ai thanë, pozitiv. Ai, ndodh, mundet. Unë e pyeta a do të më përzente, kurse ai më tha: “Hajt, mos u bë e marrë. Nuk do të përzë për asgjë në botë. Unë të dua ty më shumë se veten. Edhe po të jeshë “e shkruar”, e imja je”. Dhe për Zotin unë e linda Malën në spital. Katër kilogram e gjysmë. Tani e shkreta ka trembëdhjetë vjet.
A është bashkëshorti i juaj këtu me ju?
FATIMJA: Jo, mos e dhashtë Zoti. Serbët e mbajnë në burg në Foçë, nëse nuk e kanë vrarë të mjerin. Falë Zotit që nuk është me ne. Njëqind herë deri tani e kam falënderuar Zotin.
Pse? Për ç’arsye nuk dëshironi që burri i juaj të jetë me ju?
FATIMJA: Kështu, së paku nuk di gjë për turpin tim. Do të vriste veten po ta dinte se ma kanë marrë fytyrën.
A keni qenë të lumtur në martesë? A e doni burrin tuaj?
FATIMJA: Po të mos kisha qenë e lumtur, nuk do të qëndroja në atë vend të egër. Babai do të më kthente prapa, po ta kisha pasur unë keq. Si të mos e dua një njeri të tillë. Kush nuk do ta donte pasi është i mirë, shpirt njeriu. Kurrë nuk ma tha një fjalë të shëmtuar, kurrë nuk çoi dorë në mua. Por, këtë nuk do ta duronte.
Si arriti në burg?
FATIMJA: U nis për në Foçë që të shesë lopët. Shkoi pasdite dhe bujti një natë te një kushëri dhe prej andej u nis për në Foçë. Nuk u kthye. Kushëriri e dërgoi të birin të më tregojë se është në burg. Thotë, se kanë dëgjuar nga një njeri se e ka zënë policia serbe, ajo që u nda nga policia “e vërtetë”, boshnjake. Ai njeri tha se serbët në çdo moment mund ta sulmonin Foçën. Unë jam fajtore, unë ia mbusha mendjen t’i shesë lopët dhe të nisemi te familja ime. E parandjenim kobin.
Çfarë kobi?
FATIMJA: Kobin që e gjeti familjen e nënës sime. Gjatë asaj luftës, në dyzet e pestën. E vranë çetnikët tërë fshatin, vetëm katër mbetën gjallë nga treqind shpirtra. Familja e nënës është nga Vishegradi. Atë, nënën time, akoma qe vogëlushe asokohe, dhe tezen i shpëtuan gjermanët nga çetnikët. I sollën deri në Sarajevë. Pastaj kanë ardhur në Donji Vakuf. Nëna prej andej u martua në Xhihaniq. Çetnikët kishin masakruar shtatëmbëdhjetë nga familja e gjyshit dhe xhaxhait. Këto m’i ka tregua nëna ime. Për këtë arsye unë fillova të frikësohem, kur filluan të flasin në radio se serbët po frikësohen dhe se ne muslimanët po i rrezikojmë. Ndodh që ne i rrezikojmë ata, kurse shteti merrte nga ne dhe u jepte atyre falas. Vazhdimisht flisnin në Radio-Beograd se dofarë “muhaxhedinësh” po i frikësojnë serbët dhe se muslimanët janë dofarë “bereta të gjelbërta”. Thoshin se po ndodh që muslimanët duan që Bosnia të bëhet si Iraku(Irani) dhe gratë të mbajnë ferexhe.
Të gjitha këto janë gënjeshtrat e tyre. Më ka treguar burri im, kur u kthye një herë nga Foça dhe unë e pyeta a i kishte parë “muhaxhedinët” dhe ato “beretat” e gjelbërta, djalli i marrtë. “Jo, nuk i pashë”, tha ” për sytë e ballit nuk e pashë asnjë e pesë orë eca nëpër Foçë”.
Shkoi edhe në Gorazhdë dhe kur u kthye, më tha se as atje nuk i kishte parë as të parët, as të dytët. E kishte pyetur edhe një serb, Vasën, njeri i mirë a i kishte parë ai ata, siç i quan ti, mu-xha-he-di-nët dhe ata të tjerët, ato be-re-tkat, kurse Vaso i kishte thënë se ato janë budallallëk dhe se ai Milosheviqi dëshiron t’i përqajë serbët dhe muslimanët.
Unë frikësohesha dhe filova t’ia mbush mendjen burrit tim t’i shesim lopët dhe të ikim. Mendoja se është më mirë të mos jem atje. Serbia është afër, prej andej do të mësyhen. Dhe ja, ai shkoi. Por, nuk u kthye më. Desha edhe unë të nisem për në Foçë, por Mala nuk më la. Tha: “Do të të burgosin edhe ty nënë. Radioja lajmëroi, se serbët kanë filluar ta bombardojnë Foçën”.
Mala vazhdimisht më bindtte të ikim, të mos presim të kthehet babai, sepse ai nuk do të kthehet. Unë nuk bindesha. Një ditë erdhi ai kushëriri, i cili i kishte bërë konak burrit tim. E kishte marrë edhe familjen dhe nëpër pyll ishte nisur për në Gorazhdë. Na ftoi edhe neve të shkojmë me ta, por unë i premtova, se ne do të nisemi të nesërmen. “Duhet të përgatitemi”, i thashë unë, kurse ai ma ktheu: “Mos po bëhet vonë nesër. Serbët po djegin dhe po vrasin. Janë çmendur, u daltë i thati”.
Para mbrëmjes kodra u mori flakë. E dinim se po digjej fshati. E dogjën Gjigjevën. Pastaj dëgjova, se atë mëgjes e kishin sulmuar. Mala dhe unë nuk guxuam ta kalojmë natën në shtëpi. I morëm batanijet dhe fjetëm në pyll, nën një ah. Pylli ishte afër, pas shtëpisë, as njëqind metra larg. Në mëngjes u zgjuam dhe unë përgjova. Pashë se askush nuk është rreth shtëpisë. Qetësi, thuajse çdo gjë kishte vdekur përveç zogjëve. U kthyem në shtëpi të marrim gjërat që na nevojiteshin dhe ushqimin. Dhe pastaj djalli më çoi në shtallë, një lopë kishte mbetur aty. Nuk qe e jona, por e fqinjëve. Ndodhej te ne për ta ruajtur, derisa Zejna të kthehet nga e bija. I thashë vetes: zgjidhe kafshën, së paku le të kullotë. Dhe pastaj e pashë se gjinjtë i ishin fryrë. Jepte shumë qumësht. “Më duhet ta mjel”, mendova dhe sapo isha duke e përfunduar mjeljen, dëgjova një klithmë. E ktheva kokën, kurse ai në derën e shtallës…”
Çfarë ndodhi pas kësaj?
FATIMJA: ….. belaja, motër, belaja!
A ju sulmoi ai?
Në vend të përgjigjjes Fatimja e uli kokën. E përsërita pyetjen. Edhe më tutje mbrohej me anë të heshtjes. E lashë të qetë disa minuta, por pastaj vendosa të rrezikoj: “A ju dhunoi”, e pyeta. U ngrit me shpejtësi nga tryeza, qëndroi disa çaste në këmbë pa fjalë dhe përsëri u ul. Më vonë duke e ridëgjuar bisedën e inçizuar, përfundova se ajo do të ikte, po të dinte nga t’ia mbante.
I dhashë afat prej disa minutash që të mbledhë veten dhe pastaj ia përsërita pyetjen. Nuk u përgjigj. Provova përsëri duke e pyetur a e kishte njohur atë njeri. Heshtte, por nuk jepte më shenja se dëshironte të ikte. E përsërita pyetjen. Më shikoi me një shikim të shkurtër dhe për befasinë time e mori në dorë filxhanin me çaj tanimë të ftohtë. E prita, derisa e piu çajin dhe e pyeta, përse nuk dëshironte të tregonte çfarë i kishte ndodhur. “A do të lavdëroheshe ti me turpin tënd”, mu përgjigj me pyetje. I thashë se nuk ka arsye të turpërohet. Nuk e komentoi këtë, por e ndjeva se acarimi midis nesh filloi të zbutet pakëz. Vendosa ta shfrytëzoj këtë.
A ishte ai njeri vetëm?
FATIMJA: Jo nuk ishte. Qenë shumë. Pesëmbëdhjetë, ndoshta edhe më shumë. Nuk qenë dele që t’i numëroj.
A ishim me uniforma dhe a ishin të armatosur?
FATIMJA: Ushtri është ajo, ushtri serbe, nga Serbia, “shqiponjat”. Mala thotë, se nuk qenë ata, por arkanovët, Zoti ua ktheftë. E dogjën çdo gjë përgjatë Drinës, i vranë burrat, kurse grave ua morën fytyrën. Jetën ma helmuan dhe fëmijën ma shkatërruan, qentë ua hangshin mishin.
A e dhunuan edhe bijën tuaj?
FATIMJA: Nuk do t’i tregoj të gjitha edhe po të ma këputësh mishin. Pse, bona je e tillë. A ke ti eulad? A ke ti bijë? A do të flisje ti për turpin e saj? Si nuk po e kupton një nënë?
E di se e keni vështirë të flisni për dhunimin. Edhe gratë tjera, me të cilat kam biseduar, flasin për atë kundër dëshirës së tyre.
FATIMJA: Nuk po kupton. Askush që nuk e përjetoi këtë, nuk kupton. Ajo është turp për çdo grua të ndershme. Turp, po si jo. Si do të dal para burrit, nëse e shoh ndonjëherë. Po më thonë ta bind Malën të japë adresën. Nuk kam zemër ta bind. E di se nuk do të mund ta shikoja në sy.
Adresën e kujt?
FATIMJA: Adresë e birit tim në Gjermani. Atje është tashmë gjashtë vite. Parvjet edhe u martua. Atje shkoi pas shërbimit ushtarak. Ka një punë të mirë, është mekanik. Ai na shkroi letër dhe na ftoi të shkojmë atje, sepse në Bosnie do të bëhet luftë, kurse ne qeshnim me të prej nga ai në Gjermani mund ta dijë këtë.
Pse bija juaj nuk po e jep adresën? Kujt do të duhej t’ia jepte?
FATIMJA: Po, atyre nga Kombet e Bashkuara që po na vizitojnë, por mund t’ia japë edhe Kryqit të Kuq, por ajo nuk e tregon. As unë nuk do ta jepja, po të isha në vendin e saj. Si do të dalë para vëllait, ashtu e mjerë, e shkatërruar. Ajo thotë, se më me dëshirë do të mbytej në ujë.
Ju a nuk e dini adresën?
FATIMJA: Si do ta dija? Unë nuk i di ato shkronja gjermane. E di vetë se ka një “osten” dhe “shtrase”.
A jeni detyruar të shikoni, derisa e kanë dhunuar bijën tuaj?
FATIMJA: E vërtet je e mallkuar, dëshiron t’i dish të gjitha! Si nuk po të vjen turp, bona? Por, as “sikijatrat”, as ata që e shënojnë dhunimin, nuk pyesin ashtu. Nuk do t’u tregoja as atyre, mirëpo Mala u detyrua të shkojë te mjeku. E torturuan edhe nga përpara, edhe nga prapa dhe zoti na ruajt, edhe në gojë, të rrahin për vdekje, veshkët t’i shkatërrojnë dhe atëherë detyrohesh deshe apo nuk deshe t’i tregosh mjekut. Nuk ke nevojë as t’i tregosh, ai as nuk të pyet, ai tashmë e di. Si të mos e dinte, kur arrijnë autobusët dhe kamionët me gra dhe vajza fatkeqe.
A ju kanë rrahur shumë? A e kanë rrahur bijën tuaj?
FATIMJA: Mua më kanë rrahur shumë, sepse nuk mund të shikoja çfarë po i bëjnë asaj. Më goditnin në çdo pjesë të trupit. Ajo thotë se atë nuk e kanë rrahur, vetëm e kanë lagur me ujë. Ndoshta do ta kishin rrahur edhe atë, por ajo iku. Derisa mua “ma bënë atë”, asaj iu kthye vetëdija, ndodhi që erdhi në vete. Kur e pa se atë nuk po e shikojnë, iku dhe u fsheh në pyll. Dy veta u nisën pas saj. Gjuajtën me pushkë nëpër pyll, kurse ajo ishte fshehur në një kaçubë. Aty e kishte pritur Zinetën dhe Senën. Unë nuk e pashë gjatë kësaj kohe. Vetëm të nesërmen para dite unë erdha në vete. Zineta ma lante fytyrën, Ajo dhe Senoja më kishin zbritur nga dudi.
Çfarë dudi? Çfarë po bënit ju në dud?
FATIMJA: Nga dudi ynë, para shtëpisë. Qëndroja e varur në një degë. Mua nuk më kujtohet gjithë kjo. Zineta më vonë më tregoi, se isha lidhur për këmbësh dhe kisha qenë ashtu e varur. Kokën e kisha teposhtë. Ajo thotë se fytyrën e kisha si vishnje.
Kush është Zineta?
FATIMJA: Një grua e emancipuar, e mençur, shpirt njeriu. Ajo është nga Foça, kurse Seno është biri i saj, Senadi, një djalë shumë i mençur, një vit më i madh se bija ime. Ata qenë nisur nga Foça, kur serbët ia morën burrin. Ishin nisur nëpër pyll për të shkuar në Gorazhdë, sepse nëpër xhadenë kryesore nuk mund të shkohej nga ushtria serbe. Senoja i vogël kishte pasur njfarë harte. Ai më tha, se ajo mund ta zinte tërë Bosnien. Unë nuk i besova: sa e madhe është Bosnia, kurse ajo farë harte, si e quajnë, një copë letër. Mala më tha se kjo është e vërtetë, sepse edhe ajo në shkollë kishte një hartë të ngjashme. Ata e quanin hartë dhe në të ishte edhe Bosnia, edhe Jugosllavia dhe shtetet tjera.
Seno dhe Zineta hasën në bijën time derisa fshehej në kaçubë. Ajo i bindi ata që të nisen me të deri te shtëpia që të më varrosin mua. Kishte menduar se jam e vdekur. Zineta ishte mëdyshur, ishte frikësuar, por Senoja i vogël ishte nisur të shohë çfarë ka ndodhur, prandaj edhe ajo ishte nisur pas tij. Më tregoi, se mezi më kishin hequr nga dega e dudit. Shtëpia po digjej akoma, kurse shtalla nuk ishte më. Unë nuk i pashë, por ata më treguan, kur unë bëra pak më mirë. Ata për shkakun tim kishin mbetur atë ditë dhe natën e dytë e kishin kaluar në pyll. Unë nuk mund të ecja. Zineta m’i dha rrobat e saj për t’i veshur. Mala i veshi pantollonat dhe këmishën e Senos. Ne na u dogj çdo gjë. Nuk di a morën ato egërsirat ndonjë gjë apo jo.
Çfarë ndodhi me të tjerët në fshat?
FATIMJA: Në cilin fshat?
Fshatin tuaj. Ku ishin fshatarët e tjerë, a u dogjën edhe shtëpitë e tyre?
FATIMJA: Kokë gruaje, ti mua fare nuk më paske dëgjuar. Të thashë se edhe shtëpia e Zejnës u dogj. Edhe shtalla iu dogj, kurse ajo Zejna, kaherë ka shkuar te e bija në Mostar. I shoqi i vdiq para tri-katër vitesh. Gjingjeva ndodhet nga ana tjetër, pas kodrës. Të thashë se atje o dogj çdo gjë një natë para se të vinin te ne ata qentë. Unë nuk di ç’ndodhi me njerëzit e fshatit. Jo shumë moti dëgjova, se disa prej tyre janë vrarë.
Ku u nisët, kur ju bëtë më mirë?
FATIMJA: Unë nuk dija as nga të shkoj, as çfarë të bëj, mirëpo Zineta tha se mund të shkojmë vetëm në drejtim të Gorazhdës, përmes pyllit, sepse nëpër xhade është shumë rrezik. Ka shumë serb dhe tanke. Seno na udhëhiqte. Ai vazhdimisht i shikonte drunjtë dhe kërkonte dofarë rrathësh të kuq dhe të bardhë. Andej, më tha Mala sillen ata që ngjiten nëpër bjeshkë. Dhe për Zotin, arritëm të gjallë në Gorazhdë. Qe shumë rrezik. Njëherë për pak nuk hasëm në çetnikë, ndërsa dy herë pat përleshje armësh dhe plumbat na fluturonin mbi kokat tona. Para Gorazhdës i takuan ushtarët tanë. Ata u habitën, kur u tregoi Senoja nga cila anë kemi kaluar. Njëri prej tyre, një i ri, na futi në Gorazhdë.
Sa kohë qëndruat në Gorazhdë?
FATIMJA: Gati dy muaj. Qëndruam te disa miq të Zinetës. Njerëz të mrekullueshëm, por të varfër. I shpenzuan të gjitha. Nuk kishin më ushqim. Luftohej. Granatat binin çdo ditë dhe një ditë Zineta tha të nisemi në drejtim të Konjicës. Ajo rrugë qe shumë më e gjatë dhe më e rëndë. Me ditë të tëra udhëtuam nëpër pyll. Pikërisht, kur arritëm para vetë Konjicës, tashmë gjysmë ore ishim me dy udhëheqës të tjerë, të cilët duhej të na futnin në qytet, kur ra një granatë dhe e bëri Senon copë e grimë, kurse një pjesë e granatës i kaloi Zinetës nëpër dorë. Ranë më shumë se njëqind granata, por ajo e goditi mu atë. E mallkuar qofsha pse nuk më goditi mua!
Në Konjicë Zineta u detyrua të shkojë te mjeku, humbi shumë gjak. Kur na vendosën në një sallë ku, para luftës fëmijët kishin ushtruar, unë mendova se do të dërmoheshim, nuk mund të shtrije këmbët, s’kishte vend, ishte ngushtë, kurse refugjatë kishte me qinda. Posa e ndjeu Zineta veten më mirë, unë thashë të shkojmë më tutje, por ajo nuk mundte. E humbi dëshirën për jetë, e theu vdekja e Senos. Mirëpo, edhe ajo e pa se nuk mund të qëndrohej më shumë në Konjicë: që nga mëngjesi deri në mbrëmje kishim prezente urinë dhe granatat.
Vetëm pas dy muajsh, ajo gjeti disa njerëz, kroatë, të cilët menduan të shkojnë në Mostar dhe ne u nisëm me ta. Atje, përsëri çdo gjë ishte nën gërmadhë. Më ra ndër mend Zejna, e cila më kishte thënë, se kurrë nuk kishte parë qytet më të bukur se Mostari. Aty nuk e patëm mirë. Nuk u bëhej qejfi vendasve që po vinin refugjatët. Unë pyeta pse edhe ata janë kundër nesh, kurse një grua, katolike, refugjate si unë, më tha se kishte dëgjuar se Mostari duhet të bëhet qytet i kroatëve, për këtë arsye nuk i dëshirojnë muslimanët. Unë këto nuk po i kuptoj aspak. Mezi prita të na dërgojnë më tutje. Dhe një ditë për Zotin erdhën disa njerëz nga njëfarë komesariati dhe na thanë, se nesër do të nisemi. Dhe vërtet u nisëm, me dy autobusë. Të gjithë udhëtarët qenë gra me fëmijë dhe një numër shumë i vogël burrash pleq. Të gjitha gratë ishin të mjeruara.
Si e dini ju këtë, a keni biseduar me to për atë punë?
FATIMJA: Bona, për atë nuk bisedohet.
Si e dini ju pra që ishin “të mjeruara”?
FATIMJA: Si nuk do ta dija! Shikojnë përdhe, por edhe nëse të shikon, sytë i rrotullon pa ndjenja. Të gjitha ato, serbët i shkatërruan, u humbtë fara!
Ku ju dërguan?
FATIMJA: Në det. E pashë detin për herë të parë në jetën time. As nuk kam mund të marr me mend që ai ujë është aq i madh, në televizion ai nuk shihet. Edhe vogëlushja për herë të parë u këndell, kur e pa detin. I zgurdulloi sytë thuajse donte të përbinte. Pastaj përsëri u tërhoq në vete. Prej andej na vozitën me ditë të tëra, derisa na sollën këtu, në lagjen e refugjatëve. Zineta mbeti në njëfarë “promaje”(Promajna). Edhe atje gjithashtu ka shumë refugjatë. Ne tani po presim të na dërgojnë në ndonjë shtet tjetër. Në lagje flitet se shtetet tjera janë pajtuar të na pranojnë. Unë nuk e besoj këtë. Çfarë ju duhen gratë fatkeqe.
Zagreb, 5 nëntor 1991
Fatimja refuzoi t’i merrte mollët me vete në lagjen e refugjatëve. Pas insistimit tim këmbëngulës që të ma tregojë arsyen, më tha se mollë të tilla kishin pasur në pemishten e tyre. Natyrisht, e kuptova. Mollët kanadeze, do t’i zgjonin bijës së saj, Malës asociacione të dhimbshme për shtëpinë dhe krimin, i cili në mënyrën më brutale e kishte ndërprerë fëmijërinë e saj.
SELMA
Takimi i parë me Selmën qe i shkurtër dhe i pasuksesshëm. Doli vetëm për një moment nga “jugoja”, që të njihemi duke kërkuar falje për shkak se po ngutej shumë. Zonja V., e cila para një jave më paralajmëroi për “një rrëfim interesant” të një 29-vjeçareje nga Banja Lluka, kurse një ditë më herët e aranzhoi takimin e dështuar, po qëndronte në automobil duke mos e fikur motorin fare. Para se t’i jepte gas më tha, se do të më lajmërohet ndërkohë.
Më telefonoi vetëm kah fundi i javës së ardhshme dhe më propozoi që atë pasdite të shkoj në banesën e saj. Më tha se atje do të më priste Selma. Me të nuk duhej të bisedoja në mënyrë të tërthortë. Mund ta pyesja çfarë të doja. Është e gatshme ta hapë zemrën para meje. Natyrisht e pranova propozimin edhe pse për atë pasdite kisha në plan diçka tjetër.
Selma ma hapi derën menjëherë pas trokitjes së parë. U befasova, kur pashë se ende ishte në pizhamë, sipër të cilës kishte veshur një fustan shtëpie me një ngjyrë të kuqe të zbehtë. Përshtypjen ma rregulloi frizura e saj e krehur mirë dhe flokët të mbledhura në “frizurën-kërmill”. Nuk pata nevojë ta ndiej veten keq, që sapo e zgjova nga gjumi.
Derisa i shkova pas drejt kuzhinës së rreguluar mirë, më sqaroi se nga dritarja e kishte vërejtur ardhjen time. Dëshmi qenë filxhanat tashmë të përgatitur dhe zhezvja me kafenë sapo të zier, të cilat pas disa minutash i vuri mbi tavolinë. U ul përballë meje dhe i mbushi filxhanat me kafe.
Tani për herë të parë munda ta shoh me kujdes. Nuk vërejta se është nervoze. Përkundrazi, linte prështypjen e një personi të qetë. Formës së fytyrës së saj të rregullt i mungonte vetëm grimi. Në realitet, ngjyra natyrore e fytyrës. Fytyrën e kishte të zbehtë si një i vdekur. “Kjo grua po vdes”, mendova dhe gati më erdhi keq, pse erdha.
“Tani ndihem mirë”, më tha thuajse m’i lexoi mendimet. “Kam derdhur shumë gjak. Akoma nganjëherë kam marramendje”. I thashë se kjo do të kalojë, vetëm sa për ta mbuluar hutueshmërinë time. Nuk e komentoi këtë, por duke më bafasuar, menjëherë kaloi në temë. “A dëshironi të inçizoni apo të shënoni rrëfimin tim?”, më pyeti thuajse po frikësohej se do t’i iki. “Do të inçizoj”, i thashë në mënyrë të sjellshme mu si një praktikant fillestar.
Para se të fillonte, ma tërhoqi vërejtjen, që pa kurrfarë keqardhjeje, ta ndërprej në rast se e “teproj”. Një kohë të gjatë nuk kishte pasur rast të bisedonte me dikë dhe kur fillonte nuk dinte vetë të ndalej. Në kamp, kryesisht i dëgjonte refugjatët tjerë, kurse këtu në banesë tërë ditën është vetëm. “Zonja V. vjen vonë”, sqaroi ajo, “por, vjen shumë e lodhur dhe unë nuk kam zemër ta lodh me llomotitjen time. Të shoqin nuk po e shoh fare. Ai u vendos përkohësisht te i vëllai, me qëllim që unë të qëndroja këtu për t’u këndellur pas spitalit”.
“Ju keni qenë në spital”, e pyeta, kurse në kokën time përfundimisht filluan të ndezen dritat.
“Një ditë. Mu atë ditë që është dashur të bisedoj me ju. Mendova që zonja V. ju ka folur për abortimin. Mezi arriti ta aranzhonte atë”. “Më tregoni, pra, për të gjitha që i paraprinë shkuarjes suaj në spital, për ato që ju ndodhën në Banja Llukë”. Fjalët e mia tingëlluan ftohtë, mu si një urdhër. E kuptova se edhe Selma i kuptoi ashtu. Më erdhi keq, sepse unë nuk mendova ashtu. E kyqa kasetofonin, kurse Selma a hapi zemrën.
* * *
Që nga mesi i vitit 1991, në mesin e serbëve, me të cilët jam shoqëruar nuk munda më t’i njoh njerëzit e njëjtë çfarë më janë dukur me vite të tëra. Nuk pohoj se të gjithë ishin për luftë, por përnjëherë të gjithë filluan të flasin se si janë të rrezikuar, se si nuk mund të jetohet më bashkë dhe se është mirë secili të shkojë në anën e vet. Disa, madje hapur flisnin se si muslimanët duhet të shpërngulen nga Banja Lluka. U shmangesha njerëzve të tillë. U shmangesha grindjeve. Përpiqesha të punoj thuajse nuk po vërej asgjë të posaçme, thuajse nuk dëgjoj edhe ditën, edhe natën refrenin: “Muslimanë, korba të zi, ditët i keni të numëruara”.
Madje, në dhjetor e punësova një serbe edhe pse në konkurs u paraqit një muslimane. Pas shkurorëzimit, para dy vitesh, shitorja më takoi mua. Ish bashkëshorti im u martua përsëri. Dëgjova se para fillimit të luftës kishte shitur tërë pasurinë dhe ishte kthyer në Serbi, ku edhe e njoha me rastin e një ekskurzioni shkollor.
Kur filloi lufta e dija se edhe unë së shpejti do të detyrohem ta braktis Banja Llukën. Serbët e kishin tërë pushtetin dhe menjëherë filluan t’i torturojnë muslimanët, t’i minojnë shtëpitë, t’i thejnë lokalet, “kafiteritë”, dyqanet. Filluan edhe burgosjet dhe largimet masive të punëtorëve muslimanë dhe kroatë nga puna.
Kisha rreth 15.000 marka gjermane, por e gjeta personin e gabuar, i cili më premtoi se së bashku me një oficer të APJ-së, për tre mijë marka gjermane do ta rregullojë që me një aeroplan ushtarak të kaloj në Beograd dhe prej andej pastaj të shkoj kah të dua. Synoja të udhëtoj për në Minhen, te shoqja ime. Dëgjova se paratë e mia i shërbyen atij njeriu ta transferojë familjen e vet. Pastaj, disa më thanë se ajo s’është e vërtet, mirëpo ai fatkeq u burgos. Nuk pata kohë të hulumtoj rreth kësaj. Kërkova zgjidhje tjetër.
Pastaj një mikeshë nga shkolla, serbe më premtoi se i vëllai do të provojë të më ndihmojë ta braktisë Banja Llukën, prej të cilës nuk mund të dilej pa leje të posaçme. Një pasdite erdhi në banesën time, nga e cila që nga dita, kur ma ndaluan të punoj nuk dola asnjëherë. Më tha se pas dy ditësh ajo dhe i vëllai do të vijnë të më marrin. Nuk kërkoi para paraprakisht, por vetëm më tha t’i bëj gati të hollat dhe të marr me vete pasaportën dhe shumë pak gjëra personale. Ajo e mbajti premtimin. Të pasnesërmen ajo trokiti në derën e banesës sime, por unë më nuk qeshë atje. Qeshë një kat më poshtë, në banesën e fqinjit. Nuk di çfarë i thanë “banorët” e rinj. Di vetëm se doli nga ndërtesa duke vrapuar dhe hypi shpejt në veturën e të vëllait, e cila u nis menjëherë.
E shikova këtë nga dritarja, pas perdes. Nuk guxoja të lajmërohem. Askush nuk guxonte të dinte që jam aty, që ekzistoj. E unë ekzistoja. Ekzistoja si qenje amorfe, e rrahur për vdekje dhe e dhunuar.
Më dhunuan një ditë më herët, më 21 gusht. Ndoshi kjo herët në mëngjes, kur ata hynë me dhunë në banesën time. As nuk i ranë ziles, as nuk trokitën, thjeshtë e thyen derën.
Nuk di sa ishte ora. Di vetëm se më zgjoi një zhurmë jashtëzakonisht e tmerrshme. As nuk arrita të ngritem nga shtrati, kur ia behën në dhomën e fjetjes. Së pari pashë dy veta me uniforma, pa shenja, me shajkaça. “Çohu, kurvë! Na jep të hollat!” E tha këtë shumë qetë, duke u zgërdhirë. U ngrita, kurse ai tjetri ma grisi fustanin e natës. Provova ta marr pelerinën, mirëpo tjetri ma hodhi fjalën se nuk jam në sfilatën e modës dhe më urdhëroi t’ia jap menjëherë paratë, të gjitha që i kam.
U thashë se të hollat gjenden në dhomën tjetër, në dhomën e ditës dhe u nisa drejt derës, kurse ai më doli përpara dhe më kapi për krahërori. Më shtrëngoi aq shumë, sa që klitha. Më goditi me shuplakë, kurse tjetri ia hodhi fjalën duke i thënë të përmbahet, derisa të mos ua jap paratë. Më lëshoi dhe unë hyra në dhomën e ditës, në të cilën i takova edhe dy të tjerë. Ishin në uniforma. Njërin prej tyre e kisha parë edhe më herët. Kthehej shpesh në bufenë përballë dyqanit tim. Atëherë ishte civil. Nuk ia di emrin, por fytyrën ia kam mbajtur në mend.
Ai tashmë e kishte gjetur çantën time. Në të ishin një shumë e parave në dinarë dhe saktësisht 3000 DM, të cilat i kisha përgatitur, siç më kishte thënë mikesha, bashkë me pasaportën dhe disa fotografi. Tjetri po e bastiste dolapin, por nuk gjeti asgjë, sepse unë pjesën tjetër të parave i kisha fshehur në “nishanin” e fustanit, në të cilën kisha ndër mend të udhëtoj. Një pjesë tjetër, 4000 DM ishin në këpucë. Vazhduan të bastisin, në rrugë e sipër duke mbledhur stolitë nga ari. Nuk kam pasur kolekcion të madh, por qe një unazë shumë e çmueshme, dhuratë nga babai dhe një bylyzyk.
“I njohuri” im në fund e humbi durimin, më goditi duke kërkuar nga unë që t’ua jap edhe pjesën tjetër të parave dhe ma ofroi grykën e revoles në ashtin e tëmblave. I thashë se paratë janë në këpucë, kurse paratë tjera që i kam pasur ia kam dhënë një oficeri të APJ-së për fluturimin deri në Beograd. “Cilës APJ? S’ka më APJ, tani ajo është vetëm ushtri serbe, he nanën turke ty ta q….” më bërtiste.
Ai pas kësaj më dhunoi. Në dysheme. Duart m’i lidhi me rrethore. Në të vërtetë, i shtrëngoi dhe i lidhi për këmbzat e tavolinës. Tjetri ishte futur në kolltuk dhe shikonte duke dhënë vërejtje vullgare. U përpoqa të bërtas, mirëpo dhunuesi më godiste me grusht në gojë. Përpak nuk m’u zu fryma, sepse gjaku më derdhej në fyt.
Pas këtij më dhunuan edhe ata dy të tjerët, të cilët ia behën në dhomën time të gjumit. Njëri më rrahu, kurse tjetri jo. Kur i erdhi radha të katërtit, atij që tërë kohën shikoi çfarë po ndodh, së pari më goditi me rrethatore ashtu që në fund m’i liroi duart dhe më urdhëroi të gjunjëzohem. I hapi pantollonat dhe bërtiti: “Thithma, lavire!”
Pastaj më goditi me çizme, mirëpo para se të ndodhë kjo ata tre të tjerët dolën nga banesa. Ai mbeti, si duket duke shpresuar se do të gjejë akoma para. Ai më kujtohet si nëpër mjegull. E di se isha e shtrirë në dyshemenë e dhomës sime të ditës, e mbuluar me gjak, mirëpo nuk më kujtohet fare a kisha dhimbje. E vetmja gjë që më kujtohet është jehona e çizmeve. Pastaj edhe kjo mori fund. Çdo gjë u qetësua.
U përpoqa të ngritem, kur e ndjeva shtrëngimin e dorës së dikujt në krah. Mendova se erdhi përsëri ai. Nuk ishte. Qe kjo fqinja nga banesa nën banesën time. Nuk mund të besoja. Do ta prisja këdo tjetër, por vetëm atë jo. Që kur janë shpërngulur, para tri vitesh, nuk foli me mua, sepse në vend të mirëseardhjes ajo pati vërshim në banesën e saj falë pakujdesisë sime. Ajo qe aq këmbëngulëse në hidhërimin e saj sa që nuk pranoi t’ia paguajmë dëmin e as nuk pranoi që im shoq t’u ndihmonte në gëlqerosjen e banesës. Shembullin e saj e ndoqi edhe i shoqi, i cili më shmangej nga rruga, kur më takonte ndonjëherë, mirëpo kur nuk mund të më shmangej, në shkallë, në ndërtesë e ulte kokën.
Dhe mu kjo fqinjë, i vetmi person në ndërtesë, me të cilin nuk kam pasur kurrfarë raportesh, erdhi të ma ofrojë fijen e kashtës së shpëtimit. “Shpejt, shpejt, ata do të kthehen”, thoshte duke më ndihmuar të ngritem. Më çoi deri në banesën e saj. Në të vërtetë, më zhveshi duke zbritur shkallëve, sepse unë nuk mund të ecja.
Më fshehu në dollapin, në të cilin pas disa minutash filloi të më mungojë ajri. Gjëja e fundit që më kujtohet është zhurma karakteristike e fshirjes me leckë. Më vonë fqinjët më treguan se qenë detyruar t’i lajnë në shpejtësi gjurmët e gjakut nëpër banesë dhe shkallë.
Më zgjoi një prekje e ftohtë dhe e dhimbshme në fytyrë. Në fillim nuk shihja asgjë, mirëpo kur të pamurit m’u kthjelltësua pak, e njoha fqinjën time, e cila rrinte e gjunjëzuar pranë meje dhe me një leckë të lagur ma fshinte fytyrën. Përsëri u zhyta të terr dhe kur u zgjova rrija e shtrirë në dysheme. Trupi më ishte shtangur, mirëpo nuk ndieja dhimbje. Vetëm që tmerrësisht më ushtonte diçka në kokë. Vetëm pas përpjekjes së tretë arrita ta ngrit dorën drejt fytyrës. Preka me dorë një fashë të ashpër. Derisa e ngrita dorën vërejta vija ngjyrë hiri-të kaltër në mëngë. Dikush ma kishte veshur një pizhamë meshkujsh.
Rrija e shtrirë e palëvizshme duke provuar t’i lëvizë gishtat e këmbës. Të kuptuarit se nuk jam e paralizuar, nuk më pëlqeu posaçërisht. Në realitet, për mua ishte krejt njësoj. Pas një kohe bukur të gjatë, në dhomë hyri fqinja dhe kur vërejti se jam e zgjuar u përkul mbi mua dhe më pëshpëriti: “Mos ke frikë! Do ta jap një analgin”. Ma solli gotën me një lëng të bardhë, të cilën ma dha ta pij me anë të fijes së kashtës. Për atë heroizëm, më dukej, se nevojitej tërë një përjetësi. Lëngu qe i idhët, pramdaj gati nuk volla.
Nuk di a fjeta menjëherë, mirëpo ajo shije e idhët në gojë është gjëja e fundit që më kujtohet. Kur u zgjova përsëri në dhomë qe një errësirë e plotë. Kisha dhimbje në tërë trupin, por nuk e dëgjoja më ushëtimën në kokë. Filloi të më kujtohet: e thyen derën me dhunë, më dhunuan, më rrahën… Me orë të tëra qëndrova ashtu e shtrirë dhe vetëm diku nga mëngjesi më zuri gjumi, por më duket, se pas disa minutash më zgjoi një vaj fëmije.
M’u kujtua se fqinja kishte lindur fëmijë në muajin mars. Së shpejti dëgjova së pari një zë femra e pastaj një zë mashkulli që përzihej me të qarët e fëmijës. Në një moment e dëgjova gruan kur tha: “Lajmëro se nuk do të shkosh. Është më mirë të jesh këtu, nëse ata të çmendurit paraqiten përsëri.”
Tashmë qe zbardhur drita, kur gruaja hyri në dhomë me një gotë në dorë. Mendova që përsëri më solli atë lëngun e idhët. Qe një qumësht i ngohtë, qumështi më i ëmbël që kam pirë ndonjëherë, edhe pse të pirët përmes fijes së kashtës më shkaktoi dhimbje. Më pyeti a mund të lëviz, kurse unë iu përgjigja me mërmëritje. Desha ta pyes cila ditë është, por vetëm mërmërita. “Çfarë të kanë bërë! Egërsirat!”, tha dhe doli nga dhomaa.
Më vonë derisa m’i hoqi fashat, të cilat kundërmonin tmerrësisht, arrita ta pyes cila ditë është dhe sa është ora. Tha se së shpejti do të bëhet mesditë dhe se është 22 gushti. Përsëri m’i vendosi fashat prej mishit të freskët, “rriskat e mishit të lopës”, duke më sqaruar se mishi i freskët më së miri i shëron lëndimet dhe shumë më shpejt largohen të enjturat. Tha se do të më vendosë në shtrat, posa t’i kthehet i shoqi nga tregu. Ishin frikësuar se e kam kurrizin të lënduar, prandaj më kishin lënë të shtrirë në dysheme. Derisa fliste kujdesej për mua si një inferiere e shkathtë.
Pasdite, me ndihmën e saj arrita t’i bëj dy-tre hapa. Kjo qe ngjitja ime në Mont Everest. Kur pa se po e vështroj pizhamën, ma sqaroi se është e të shoqit pasi nuk arriti ta gjente të veten. “Nuk arrita të marr asgjë nga banesa jote, përveç këtij fustani, të cilin tashmë është dashur ta laj, edhe pse dyshoj që gjurmët e gjakut do të zhduken pa e zier.” Tha dhe e nxorri prej nën shtratit boshqen e vogël. Qe ky fustani, në të cilin pata vendosur ta braktis Banja Llukën. M’u kujtua edhe terri, edhe mikesha e cila më pat premtuar se do të vijë të më marrë me të vëllain. Por, nuk qeshë e sigurtë a u kam treguar dhunuesve se në nishanin e atij fustani kam qepur 5000 DM. I thashë, në realitet më shumë me gjestikulacione se sa me fjalë, i thashë ta shtrijë fustanin dhe ta heqë perin nga nishani. Kur e nxorri bankënotën e parë, buzëqeshi dhe tha se ka Zot, kur i nxorri edhe paratë tjera, më pyeti a kam pasur për qëllim ta braktis Banja Llukën. Pohova dhe disi arrita t’ia sqaroj planin që me aeroplan të kaloj në Beograd. Më shikoi disa çaste e pastaj me zë të lartë e tha dyshimin e saj: “Ndoshta ajo t’i ka kurdisur të gjitha. Në fund të fundit do të shohim. Nëse nuk paraqitet në orën nëntë e gjysmë, nuk është e pastër.”
Në orën nëntë e gjysmë, në realitet disa çaste më herët, hyri në dhomë dhe më ndihmoi t’i afrohem dritares. Më mbante derisa unë po shikoja përmes perdes. Kur para ndërtesës u ndal një “njëqind e njësh”, m’u lehtësua shpirti. “Më vjen mirë për ty”, më tha.
Në atë banesë mbeta 76 ditë dhe askush përveç atyre të dyve nuk e diti këtë. E mbanin fshehur, madje edhe nga miqtë e tyre më të afërt. Gjatë asaj kohe jeta ime ishte në duart e tyre. Po të merrej vesh, se po më mbanin fshehur, ndoshta edhe do t’i vrisnin edhe pse të dytë ishin serbë. Tani, me siguri më kuptoni pse nuk dua t’i publikoni emrat e tyre edhe pse e kanë merituar të shkruhen me shkronja të arta. Janë të rrallë njerëzit, të cilët do të rrezikonin jetën personale dhe fatin e fëmijës së vet me qëllim që të shpëtojnë personin, me të cilin as nuk kishin folur më parë.
Pas pesëmbëdhjetë ditësh djehesha shumë më mirë. Kisha akoma hematome nëpër trup, por mund të ecja. Një ditë fqinja më rrëfeu çfarë kishte ndodhur pasi ajo më kishte nxjerrë nga banesa ime. Ata, të poshtrit, dhunuesit ishin kthyer në banesaën time pas një ore ashtu që ajo dhe i shoqi kishin pasur kohë t’i pastrojnë gjurmët e mia të gjakut nëpër shkallë dhe në banesën e tyre. Natyrisht dhunuesit më kishin kërkuar, kishin pyetur për mua, madje kishin bastisur disa banesa, mirëpo nuk kishin dyshuar aspak, kur kjo u kishte thënë se unë isha personi i fundit në këtë botë, të cilës do t’i ndihmonte, sepse nuk kishte folur me mua që kur ishte shpërngulur në atë ndërtesë.
Nuk e pata lehtë të mësohem me jetën në ilegalitet. Në çdo moment më duhej të mendoja në faktin se me asgjë, madje edhe me erën e cigares nuk duhet ta zbuloj ekzistencën time. Natyrisht, e lashë duhanin dhe u mësova që me orë të tëra të qëndroj e qetë në një vend. Ndodhte që u vinin miqtë për vizitë dhe qëndronin deri vonë në mesnatë. Gjatë asaj kohe unë djersitesha nën shtrat, në dhomën “time” të vogël. Kur isha vetëm në banesë, nuk lëvizja, as nuk e ndizja dritën, e të mos flas se më shkonte ndër mend të përdorja banjon ose wc-enë.
Kur më mungoi menstruacioni, nuk dyshova në asgjë. E mora me mend se kjo ndodh për shkak të traumës. Shtatëzania ishte jashtë kombinimit në dyshimin tim, sepse me vite të tëra i kisha “thyer” pa sukses pragjet e klinikave në Sarajevë, Zagreb, Lublanë. Pata shkuar edhe në Lipik (dëgjova se serbët e shkatërruan plotësisht) dhe në Daruvar. Nuk mund të mbetesha shtatzënë. Mu për këtë arsye më la im shoq. Familja e tij dëshironin që djali i tyre i dëshirit t’u japë trashëgimtarë. Dyshova vetëm kur filluan të pështjellët në mëngjes dhe kur përnjëherë filluan të më pengojnë të gjitha erërat. Iu rrëfeva fqinjës. U zbeh e tëra. Atëherë për herë të parë e pashë se vërtet e kapi frika. Megjithatë, e mblodhi veten dhe më tha të mos brengosem sepse do të gjente ajo disi ndonjë zgjidhje për këtë. Atëherë ma pranoi se i shoqi tashmë kishte provuar, përmes të vëllait, oficer në Serbi që të më nxjerrë nga Banja Lluka, por ky i fundit kishte refuzuar këtë. Ndihesha mjerueshëm, por më e keqe se ndjenja e paaftësisë ishte të kuptuarit e faktit që pas gjithë atyre përpjekjeve që të mbetem shtatzënë, tani mbaja në mitër një fëmijë të padëshirueshëm. Mendoja…
* * *
Në këtë vend Selma e ndërpreu rrëfimin e saj. Në shirit ishin inçizuar pas kësaj së pari dënesje të qeta e pastaj çdo herë më të forta, të cilat në fund ishin kthyer në vajtim me britmë. E çkyqa kasetofonin, mirëpo ajo reagoi në mënyrë histerike. “Duhet ta përfundoj këtë”, bërtiti dhe e shtypi sustën e kasetofonit.
A thua vallë, munda ta lindja? Po ai gjatë tërë jetës së vet do të ishte i dëmkosur dhe atë vetëm për shkakun se unë desha të bëhem nënë. Zonja V. më propozoi ta lind dhe pastaj ta jap për adoptim. Unë nuk jam aq trime ta bëja këtë. Po ta lindja, nuk do të mund të ndahesha nga ai. A thua vallë pata ndonjë zgjidhje tjetër përveç atij abortimi të mallkuar? Po të mund ta bëja atë në Banja Llukë, do të shkoja në spital menjëherë.
Fqinja ime gjatë ditëve të ardhshme sillej me një rezervë bukur të madhe. E di se frikësohej. Nuk dinte si të më ndihmonte. Një pasdite i shoqi hyri në dhomën time. Përndryshe, nuk e praktikonte këtë. “Ju lutem, mos u dëshpëroni. Do të gjindemi disi. Por, unë do t’ju nxjerr nga ky vend, edhe me kusht që qielli të rrënohet”, më tha me qëllim që të më inkurajonte.
Pas disa ditësh m’i ktheu të hollat. Tha se së shpejti do të më nevojiten. Pastaj m’i solli një palë këpucë, nuk qenë të reja por numri i madhësisë më përshtatej. Nuk më sqaronte asgjë, por gjykuar sipas disponimit të saj më të mirë përfundova se nuk kishte dështuar çdo gjë dhe se megjithatë ekzistonte një shpresë.
Shpresa u rrit, kur më pyeti a do të mund ta qepja për dy ditë një kostum që do të dukej si uniformë. Iu përgjigja se po të kisha makinë qepjeje, për dy ditë do të mund ta veshja tërë një njësit. Doli nga dhoma dhe u kthye me një material, një gabarde ngjyrë hiri. Tha se ky kostum do të qepej për mua.
Makinën e qepjes, një “singericë” të re e solli i shoqi të njëjtën mbrëmje. E kishte blerë vetëm për 50 marka gjermane nga një stërshitës në rrugën “Gospodska”. Më tha menjëherë t’i përvishem punës, sepse deri pasnesër, në mbrëmje, duhet të jem gati. Mbeta e shtangur.
Të njëjtën mbrëmje, mbi tryezën e kuzhinës, me një palë gërshërë bukur të topitura e preva novitetin tim të modës. Të nesërmen “banesë-dhënësja” ime i hoqi pullat nga manteli i saj. Përshtateshin me ngjyrën e gabardenit. Isha duke e qepur pullën e fundit, kur i shoqi u kthye nga puna. Qe aq i befasuar, sa që nuk mund ta fshehte befasinë: “Ju nuk jeni njëra ndër rrobaqepëset e mira, ju jeni rrobaqepësja më e mirë”, më lavdëroi dhe pasta iu kujtua se më nevojitet edhe një bluzë dhe i propozoi të shoqes të kërkojë ndonjë të përshtatshme në garderobën e saj. Mirëpo, ajo nuk kishte asnjë këmishë me ngjyrë të kaltër dhe ai në fund e nxorri një këmishë të vet. Atëherë ma shpjegoi, se për kalimin tim në Kroaci ishte marrë vesh me disa “unproforë”, me pagesë, natyrisht. Unë duhej të dukesha si “unproforkë”.
Nuk di si e prita nisjen. Atë natë dhe tërë ditën e nesërme trupi m’u drodh nga shqetësimi, por edhe nga frika se mos do të dështojë gjithë plani. Siç po e shihni pati sukses. Nga banesa, nga skuta ime sekrete u nisa më 5 nëntor në orën 2 e 45 minuta para mëngjesit, duke e lënë fqinjën time, atë grua të dashur me lot në sy. Edhe unë qava. I shoqi më dërgoi me veturë deri te vendi i caktuar, deri te një shtëpi në rrugën “Nuria Pozderac”, ku duhej të më merrte njeriu që ishte në lidhje me “unproforët”. Gjatë rrugës deri atje fqinji m’i dha disa këshilla rreth pagesës që duhej t’ua bëja “unproforëve”, të cilët u ndërruan në katër ekipe – dy në Bosnie dhe dy në Kroaci.
Pikërisht në orën tre erdhëm në vendin e caktuar. Fqinji atëherë më tha të kujdesem për këmishën e tij, sepse ajo ishte këmisha e tij më e dashur. Para se ta hapte derën ma lëshoi në dorë njëfarë letre të vogël. Pastaj e pashë se në atë letër ishte një numër telefoni në Vjenë, në të cilin duhej të lajmëroja se “Petroviqët janë në Zagreb dhe janë mirë”, që do të thoshte se unë arrita të kaloj me sukses.
Me xhipin e UNPROFOR-it dhe me kapelën e kaltër në kokë u nisa nga një paralagje e Banja Llukës diku në orën shtatë në mëgjes. Gjatë udhëtimit nuk pati asnjë problem, duke përfshirë këtu edhe kalimin nga Bosnia në Kroaci. Problemi i vetëm qe vonesa dyorëshe e një ekipi të UNPROFOR-it. Në Zagreb arrita në mesditë. Pata një fat që personi i parë, të cilit iu paraqita në Kryqin e Kuq qe zonja V. Që nga ai moment ajo e mori përsipër kujdesin për mua. Kurrë nuk do të mund t’ia kthej të mirat asaj gruaje të mrekullueshme.
Para tri javësh ajo më gjeti punë. Punoj “në të zezë” në një butik mode. Do të më paguajnë shumë më pak se sa vlen puna ime, mirëpo unë jam e kënaqur. Posa të këndellem do t’i përvishem punës. Më duhen edhe 1800 marka për të kaluar ilegalisht në Gjermani. Natyrisht, ilegalisht. Si ndryshe? Unë jam person pa identitet.
Zagreb, 5 dhjetor, 1992