Metafizika e purpurtë

Autori: Ali Podrimja

Krijuesi kishte klithur: ja për një detaj, për një fjalë prita me vite të përfundoj idenë. Shqetësimi i tij është i arsyeshëm në një kohë kaotike kur ndodhin orë e çast ndryshime të papritura. Por sa më shumë që bëhen përpjekje rreth kufizimit të artit, aq më shumë shtohen dilemat dhe kundërshtimet ngaqë arti dhe vetë krijimtaria konsiderohen diçka e gjallë, një komunikim i pandërprerë i njeriut me njeriun, i njeriut me rrethin nga këndvështrimet që gjithnjë ndryshojnë në të mirë të vet artit. Ai krijues që ka dhunti të zbulojë e të paraqesë një këndvështrim të ri mbi gjërat që na përthekojnë gjendet pranë gurrës ku buron arti. Ai dhe vetëm ai Krijues, që ngritet mbi rregullat që kanë vendosur këndvështruesit e mëparshëm, ai dhe vetëm ai merr guximin që t’i kontestojë principet, shkollat, maniret fisnike, këshillat dashamirëse dhe shtrëngesat e tjera, që synojnë të vënë zap mbi artin, ta përkufizojnë e ta bëjnë të vdekshme atë që vazhdimisht gjallëron në ne e rreth nesh.
Nëse them se pikturat e Violeta Xhaferit janë të veçanta, e bëj këtë shkaku i lirisë sime, por dhe guximit, mënyrës së pikturimit si dhe aktit të saj krijues. Ngrit probleme e ide. Bën përpjekje të na lirojë nga ankthi. Na ofron madje dhe tablo të atilla që ndodh të na vënë buzën në një gaz të hidhur.
Ditë më parë në ekran përcillnim fundin e turpshëm të ish-Jugosllavisë (18 janar 2003, KTV), pastrimet etnike gjenocidale nga një shoqëri jo normale. Por kjo nuk përjetohej vetëm si tragjedi jona. E, ky absurditet ballkanas reflektohet edhe në tablotë e Violeta Xhaferit, ku kërkon rrënimin e mitit të së keqes, të bëhet kjo qoftë edhe përmes një pikturimi gati naiv ta quajmë, të arrihet e bukura, njerëzorja; ajo që na fisnikëron.
Piktorja e ka parashikuar një pjesë të ekspozitës si një instalim pikturash të pagëzuar Klik, onomatope kjo e ndërrimit të stacioneve përmes butonit dirigjues, pra dhe të Kosovës në universin e saj krijues e që në artet tona pamore është i pranishëm fare pak.
Mirëpo, tek i shikojmë punimet më të reja të Violeta Xhaferit habit mu këndvështrimi i saj unik, që do ta përkufizoja si metafizikë e purpurtë. Në tablotë e saja paraqiten situata idelike të martesës princore, por pa idilë; kortezhi i palestinezit të vrarë (mund të jetë ky i vrarë edhe i ndonjë nacionaliteti tjetër), por pa pikëllim; shembja e kullave binjake, por pa tragjedi; aksioni sportiv, por pa eufori absurde; skena pornografike, por pa epsh. Këtë qasje të piktores e kanë vlerësuar lart edhe kritikët e tjerë. Përmes përdorimit të ngjyrave fluoroshente, të ndezura, që t’i kujtojnë ato të reklamave, por që nuk kanë të bëjnë me realitetin, ku piktorja hedh edhe ndonjë figurë për të karikuar e për të ngritur shkallën e sarkazmës. Tablotë e tilla zakonisht përshkohen me një dush emocionesh shkaku i tejpashmërisë në një dimension ku nuk ka emocione në një realitet metafizik ku nuk ka dhembje, pikëllim, idilë, eufori as epsh.