Bora e verdhë e gushtit
Një ditë në mes të gushtit
borë e verdhë na ra.
Acaroi sytë e shastisur
dhe provokoi kriza astme
në tërë Sarandën
kurdoherë.
Nuk mbaron bora. Nuk shkrihet.
Sytë e qorruar i fërkoj me zor
dhe kollitem topa bore.
Kalamajtë lozin. Mirë bëjnë. Unë pyes
po çfarë? po pse? më thoni!
Shkencëtarin ta pyesim, më thonë
me një qese supesh të mbledhura.
Shkencëtarin e vjetër
nën një strehë librash të mbuluar me borë
nuk e pyetën fare. Nuk u lëvizën
Mirë është bora për turistët, thanë,
sepse nuk shohin gropat e rrugëve.
Pa mushkëritë edhe pa sytë,
Sarandën e këndoj, Sarandën
e vjetër të verës së përhershme,
që në verë na vdiq.
Një ditë në mes të gushtit
borë e verdhë na ra.