Të rinjve që duan të vdesin

Autorja: Gwendolyn Brooks

Përkthyesi: Ukzenel Buçpapaj

Uluni. Merrni frymë. Nxirrni frymë.
Pushka pret. Liqeni pret.
Helmi mashtrues në shishen picugate
pret pret pret:
ka për të pritur një javë: ka për të pritur krejt Prillin.
Nuk keni pse vdisni pikërisht këtë ditë.
Vdekja do të përmbahet, do t’i llastojë vonesat tuaja.
Ju siguroj se vdekja pret. Vdekja
nuk është kurrë e zënë. Vdekja mund
të vijë te ju për drekë nesër. Ja pasnesër. Ja javën tjetër.
Vdekja banon aty ndanë rrugës; fqinja më fisnike;
mund t’ju takojë çdo çast; s’keni pse mbani rradhë.

S’është nevoja të vdisni sot.
Rrini këtu – edhe pse me zor a me dhimbje a me inat.
Rrini këtu. Shihni një herë ç’të reja do të kemi nesër.

Varrezat nuk pjellin jetë që të mund ta përdornit.
Mbajeni mend, Ju jeni Rinia. Ju jeni Pranvera.