Shkalla e Jakobit

Autorja: Denise Levertov

Përkthyesja: Luljeta Lleshanaku

Shkallarja nuk është
Nyje fijesh rrezatuese,
një iluzion i ndritshëm
për këmbët e engjëllit
që vetëm sa e mat me sy vendin ku shkel
pa ndjerë nevojën ta prekë gurin.

Është e gurtë.
prej guri të trëndafiltë
që merr nuancë të ndezur butësie
vetëm sepse qielli pas saj
është i paqaratë,
një gri e errët e theksuar.

Është shkallare këndngushtë,
e ndërtuar pa hile.
Cilido shikon se si u duhet engjëjve
të hidhen nga njëra shkallë te tjetra,
duke u dhënë forcë ngritëse flatrave:

ndërsa njeriut kur ngjitet
i duhet të çjerr gjunjët dhe të provojë
forcën e duarve në këtë lojë. Guri i thërrmuar
ngushëllon këmbët e tij të lënduara. Flatrat fshijnë
pas tij. Poezia hipën në fron