Nëna

Autorja: Gwendolyn Brooks

Përkthyesi: Ukzenel Buçpapaj

Abortet s’kanë me ju lanë me ra në harresë.
Fëmijët që zutë e nuk i bëtë kanë me ju mbetë në kujtesë,
Ata topa të vegjël mishi të lagur me pak ose aspak flokë,
Këngëtarët dhe punëtorët që kurrë s’e shijuan këtë botë.
Nuk do t’i përkdhelni as nuk do t’i rrihni asnjëherë
As nuk do t’ua ndalni vajin as nuk do t’i gënjeni me sheqerka.
Kurrë nuk do t’u ikni, duke sunduar ofshamën hiremadhe,
Do të ktheheni sa për t’u dhënë me pi, për t’i kollofitur me sy nëne.

Në zërat e erës i kam dëgjuar zërat e fëmijëve të mi vrarë pa lindur.
I kam shtrënguar. I kam marrë me të mirë
Të shtrenjtit e mi të palindur rrasur te cicat që s’mund t’i thithnin.
U kam thënë, TË ËMBËLIT E MI, nëse mëkatova, nëse jua ndava
Fatin dhe gjirin
Dhe jetën s’ju lashë ta prekni, ta merrni në dorë,
Nëse jua vodha lindjet dhe emrat,
Lotët e bukur dhe lodrat dhe zemrat,
Dashuritë tuaja të lymosura a qiellore, maratesat tuaja, dhembjet, dhe vdekjet tuaja,
Nëse jua helmova fillimet e frymëmarrjeve në krua,
Më besoni, edhe në dashjen time isha e paqëllimshme,
Përndryshe, pse duhet të angullij,
T’angullij se krimi s’qe i imi por i atij? –

Sidoqoftë, ju keni vdekur.
A, e thënë ndryshe pak më zatetur,
Përjetë pa u krijuar keni mbetur,
Por edhe kjo, më thotë frikë e heshtur,
Nuk është e drejtë: o, çka të them, si ta shpalojë të vërtetën e fshehur?
Ju u lindët, kishit shtat, ndërruat jetë.
Por kurrë nuk qatë as nuk e vratë mendjen as nuk qeshët.
Më besoni, ju desha të gjithëve fort.
Më besoni, ju njoha, anipse nëpër terr, dhe ju desha, ju desha të gjithëve pa zort.