Ese për gruan shqiptare
HISTORIA, GJEOGRAFIA, FEJA
Le t’i drejtohemi miteve, të cilat japin një imazh të qartë të veçanësive të çdo populli, të ëndërrave dhe ecurisë së tij. Duke qenë një popull që ka jetuar në një trevë fqinje me helenët, pra me pjellësit e mitologjisë më të bukur të botës, ilirët e asaj kohe, stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, si të gjithë popujt e hershëm të Ballkanit janë përzier e shkëmbyer vazhdimisht me njeri-tjetrin, sa sot nuk e shkolisin dot me saktësi origjinën e tyre të pastër. Ata kanë në bazën e ndërtimit të tyre shpirtëror pikërisht degëzime të kësaj mitologjie. Ajo që ndodhte në botën helene rrezatohej, ringjizej, rithuhej, shndërrohej e bënte pjesë pastaj në psikologjinë e këtij populli që ka trashëguar në masë të madhe tragjizmin grek. Mitologjia greke, nga ana tjetër, ka pëthithur dhe bërë të sajën mitologjinë ilire. Kaq të përziera e të bëra njësh janë këto mite sa nuk e kupton më ku kanë lindur fillimsht, kush e mori nga tjetri, kush ja dha tjetrit. Fataliteti, për shembull. Mallkimi që zbret në shtatë brez. Tragjedia e Agamemnonit dhe Klitemnestrës të duket sikur ende përgjak tokat epirote dhe ilire; sakrifica e Ifigjenisë; hakmarrja e pasqyruar nga shqiptarët në formën më të ashpër, më të ftohtë dhe racionale të saj – në Kanun. Më duket sikur ende dëgjoj zërin e plakave bregdetase që, veshur kokë e këmbë në të zeza, edhe kur nuk u kishte vdekur njeri, flisnin për mallkimin si për një të keqe të pashmangshme, si një fatalitet. Nëse do të guxoja të përcaktoja një nga tiparet përgjithësuese të gruas shqiptare do të përmendja ndjenjën e fatalitetit. Ato ndjeheshin ftohtësisht dhe fatalisht të mallkuara sepse kishin lindur femra dhe jo meshkuj, dhe, si të tilla, nuk duhet ta gjykonin fatin, i cili nuk diktohej as nga Zoti. Ishte vetëm Fati ai që drejtonte jetën e njerëzve, filli i Arianës i shpleksur një herë e mirë dhe kundër tij nuk mund të bëjë asgjë. Ky fatalitet më duket se nuk është fshirë nga shpirti i grave shqiptare në një masë të madhe as sot, në këtë fund shekulli, kur shumë gjëra kanë ndryshuar në të mirë të tyre, po të flasim për një ndjeshmëri shumë më të madhe të opinionit publik ndaj barazisë së sekseve si dhe të akteve ndërkombëtare të nënshkruara në gjysmën e dytë të këtij shekulli.
Megjithëkëtë unë them se gratë gjatë gjithë historisë njerëzore ruajnë në nënndërgjegjen e tyre vetëm një periudhë të argjendtë, atë të matriarkatit, e vetmja periudhë e palumtur për burrat, por që shpejt u ndëshkua si e tillë nga Zeusi, kur burrat shpikën zota të fuqishëm dhe ndëshkimorë sipas modelit të tyre. Por jemi ende shpejt nga krijimi i feve monoteiste, ku Zoti është një e i vetëm dhe për më tepër i gjinisë mashkullore. Ai është Babai. Logjika e krijimit të jetës, sipas paganëve, kur lufta e sekseve nuk kish nisur akoma, do të shpinte në krijimin e një perëndie të gjinisë femërore, ashtu siç ishte Isida, e para e të parave perëndi.
Në mitologjinë e shëndritur helene janë të qarta edhe të dukshme shenjat e mbetura të matriarkatit. Zotat e Olimpit janë gjashtë modele grash dhe gjashtë modele burrash: Era, Demetra, Artemisa, Athina, Afrodita, Estia – Zeusi, Poseidoni, Apolloni, Ermesi, Aresi, Efesti. Athina vërtet lind nga koka e Zeusit, si më vonë Eva do të lindë nga një brinjë e Adamit, por Athina përfaqëson diturinë – më të lartën e vlerave, kurse Eva mëkatin. Pra ndryshimi është shumë i madh. Hendeku i pabarazisë, që në lidne të njeriut nuk ekzistonte, u hap dhe u thelua dalëngadalë, në interes të burrave. I referohem kësaj mitologjie dhe rikujtova disa nga tiparet e saj më kuptimplote përsa i përket raportit mes burrave dhe grave, sepse siç ajo shënoi fillimet e qytetërimit evropian, ashtu shënoi edhe sjelljet, prurjet, mentalitetet e popullatave që jetonin brenda dhe rreth saj. Do të shtoja se, në vijim të idesë së sakrificës së gruas shqiptare – në mitologjinë iliro-shqiptare nënat ndihmojnë dhe sakrifikohen për bijtë, motrat lajnë plagët e vëllezërve heronj për vite të pambaruara – kjo sakrificë ka më tepër rrënjë pagane se sa kristiane. Nëse për të krishterët vuajtja është e vetmja gjë që ata mund t’i ofrojnë perëndisë, shqiptarët e kuptojnë nocionin e sakrifikim – vuajtjes vetëm për gratë, sepse burrat nuk e kanë ndjerë ndo-njëherë veten të detyruar të vuajnë apo të sakrifikohen me vullnetin e tyre, por vetëm kur këto flijime u vijnë si detyrim. Shumë njerëz përpiqen të spjegojnë ngjarjet dramatike, tragjike që herë pas herë shpalosen në Shqipëri, karakterin e dhunshëm të burrave shqiptarë ndaj të tjerëve, por veçanërisht ndaj grave (le të kujtojmë skllavërinë e tmerrshme dhe kriminale që ata ushtrojnë ndaj vajzave që i rrëmbejnë dhe i detyrojnë të prostituohen) me mungesën e besimit, pavarësisht nga kishat dhe xhamiat që ata i ndërtojnë gjithandej nëpër vendin e tyre. Mundet që këtu ka një të vërtetë objektive, po qe se do të gjykojmë me pragmatizmin volterian dhe me idenë se Zotin, edhe sikur të mos ekzistojë, duhet ta krijojmë. Padyshim që mungesa e një përkushtimi të vërtetë fetar ndaj krishterimit apo myslimanizmit siç e kanë grekët, turqit, italianët apo polakët e popuj të tjerë evropianë apo mesdhetarë, sjell si rjedhojë mungesën e frikës ndaj ndëshkimit hyjnor dhe lirinë e plotë për t’u përgjigjur vetë para botës. Shqiptarët nuk patën kohë të bluanin dhe të përpunonin idetë fetare të asnjë feje të madhe. Koha mitologjike dhe pluriteiste, që në vetvete ishte shumë më e lirë dhe më lejuese për veprimet njerëzore, u gërshetua me mbrritjen e krishterimit në brigjet ilire, i cili vinte tek ilirët e pushtuar nga romakët jo si fe e përqafuar për shkak të një ideje të përcaktuar, siç u ndodhi të krishterëve të parë, por si fe pushtuesi. Dhe feja e pushtuesit nuk është asnjëherë ajo më e mira. Në shekujt që pasuan iliro-shqiptarët nisën të harronin origjinën pagane dhe të krishtëroheshin në mënyrë të natyrshme, duke përballuar njëkohësisht shkatërrimet e kryqëzatave që kalonin pikërisht nëpër Shqipëri dhe që linin pas tokë të djegur, kur ja behu pushtimi otoman i cili ushtroi dhunshëm konvertimin në islamizëm. Përsëri një fe pushtuesi. Pasoi një periudhë e çuditshme, disashekullore ku njerëzit shkonin në xhami duke pasur emra të krishterë, nënshkruanin me emra gjysëm myslimanë he gjysëm të krishterë, ktheheshin në shtëpi dhe adhuronin idhuj të tjerë nga ata zyrtarë. Derisa një ditë shpallën një parullë kombëtare: feja e shqiptarit është shqiptaria. Me këtë qetësoheshin të gjitha ndërgjegjet e brera nga konvertimi i padëshiruar, nga mosrespektimi sa duhet i fesë së dëshiruar, sepse as ajo nuk kishte mundur të kthehej në filozofi të jetës as në shekujt e luftrave të pambaruara kundër pushtueseve dhe nga mungesa e lirisë. Parulla shprehte në vetvete ëndërrën e një shteti të pavarur nga të tjerët, të lirë nga fetë e të tjerëve. Shqiptarët, në thellësi të tyre, pa e ditur, pa e kuptuar, pa e dashur dhe pa e kërkuar këtë, kishin ruajtur mjaft tipare pagane. Luftrat e pareshtura për të shpëtuar copën e vogël të tokës që u kishte mbetur nga dyndjet sllave nuk i kishin lejuar të qetësoheshin, të meditonin dhe të gërmonin në dijenitë e të fshehtat e fesë. Ata jetonin në alarm, me veshët e ngrehur në pritje të burisë që paralajmëronte ardhjen e atij apo këtij bajlozi. Zotit i luteshin tek rendnin tek armët e varura në mur dhe bënin kryq duke qëlluar. Nuk patën libra, dhe ato që kishin ua dogjën turqit për t’u hakmarrë 34 qëndresës së tyre kokëfortë. Asnjëherë Perëndimi i qytetëruar nuk tha një fjalë falënderuese për këta malësorë luftëtarë që e shndërruan vendin e tyre në pritë ndaj hordhive otomane, që nuk e kaptuan dot detin dhe kështu u shpëtua qytetërimi perëndimor. Ata nuk ishin të krishterë të përdëllyer si evropianët e përtej Adriatikur, por për botën e krishterë ngritën flamurët e heshtat, mbërthyen në gjoks parzmoret dhe nuk lejuan që ajo të shkelej nga këmba e të pabesit. Sepse ata kuptuan barbarinë, shkatërrimin, natën e zezë që do të binte mbi Evropë me ardhjen e turqve. Dhe nata e zezë ra vetëm mbi ta. Pas njëzetepesë vjet lufte në dyert e papushtueshme të këtyre rojeve evropiane – shqiptarëve, turqit të lodhur dhe të kushëzuar nga shumë faktorë, u hakmorrën vetëm mbi Ballkan e veçanërisht mbi Shqipëri, për shkak të qëndresës së saj. Në këtë periudhë të lemeritur, në këtë vuajtje pesëshekullore, në këtë tunel të zi e të pambarimtë, kur shqiptarët u vranë, u masakruan, u shpërndanë nëpër Itali e Greqi, u varfëruan, u robëruan, u tjetërsuan në kulturën dhe traditat e tyre, u ngjiz dalëngadalë, si ajo dritëza e vetëtitur në horizontin e errët, ideja e shqiptarizmës dhe jorëndësisë së fes. Edhe sot njerëzit, pavarësisht nga origjina e tyre fetare, të thonë: zoti është një për të gjithë, ç’rëndësi ka në është kristian a mysliman. Dhe venë në festat e tempujt e njeri-tjetrit pa asnjë kompleks. Martohen me njeri-tjetrin pa asnjë ngurrim. Komunizmi i instaluar pas Luftës së Dytë gjeti një tokë të përshtatshme për të shpallur ateizmin e vet, i cili që nuk u kushtoi shumë shqiptarëve, përveçse klerikëve katolikë që u persekutuan në masë, për shkak të vendosmërisë së tyre për të mos iu nënshtruar ideologjisë së pafe. Të tjerët, me përjashtime të pakta, nuk i dhanë ndonjë rëndësi. U shqetësuan intelektualët, në fshehtësi, sepse ju friguan agresivitetit të njerëzve dhe mungesës së jetës shpirtërore. Sepse kuptuan atë që perëndimi i krishterë, sidomos ai katolik, e ruan me fanatizëm: respektin për individin. Jeta e shqiptarit, e ndrydhur dhe shtypur për shkak të historisë së pushtimeve ndaj trysnisë së bashkësisë, do të bëhej edhe më e ndrydhur, ehe më e shtypur.
PERIUDHA E SOCIALIZMIT
I rikthehemi periudhës së komunizmit në Shqipëri dhe qëndrimit të tij ndaj grave. Është një nga periudhat më interesante për të kuptuar se si një regjim mund të jetë dyfaqësh dhe se si mund të sjellë të mira dhe të këqija njëkohësisht. Komunizmi dha të drejta të barabarta dhe mohoi të drejtat e njeriut. E detyroi gruan të shkonte në punë duke i dhënë kësaj mundësinë të jetonte në grup dhe të ndikonte e të ishte subjekt në jetën shoqërore. Bombardoi me të gjitha mjetet: me ideologjinë, kulturën dhe masat ndëshkimore paragjykimet, mentalitetet, budalla-llëket kanunore dhe ndjenjat diskriminuese ndaj grave. Në një divorc, gjyqi përgjithësisht merrte anën e grave dhe degdiste burrin në ndonjë punë krahu të vështirë nëse ai ishte sjellë keq dhe familja prishej për shkak të tij. Në të gjitha filmat dhe shfaqjet teatrore a estradeske të asaj periudhe gruaja ishte personazhi pozitiv ndërsa burri njeriu me lakra në kokë, i gabuari, i prapambeturi. Aq shumë iu mëshua kësaj ideje sa ne gratë nuk mund ta shihnim më veten aq të përsosur e pa gabime dhe burrat vetëm në dritë të keqe. Sidoqoftë asnjë burri nuk ja mbante të dilte hapur e të kukurisej në një emision televiziv duke u tallur me gratë. Komunistët i detyruan pleqtë kanunorë të maleve të dërgonin vajzat e tyre në aksionet e rinisë në ndërtimin e hekurudhave apo hapjen e terracave të agrumeve në jug të vendit. Unë isha gjashtëmbëdhjetë vjeç në atë kohë dhe më kujtohet fare mirë se si vinte dalëngadalë ndryshimi i malësoreve të ndrojtura që flinin në një barakë të gjatë, bashkë me ne, vajzat nga Tirana, Durrësi, Korça. Punonim bashkë, vallzonim në darkë, u prisnim flokët, u ndërronim veshjen, u tregonim për jetën tonë dhe për konceptet tona. Ato nuk ktheheshin më të njëjtat si kishin ardhur. Gruaja shqiptare e shfrytëzoi atë hapësirë që i lejoi socializmi dhe që padyshim ishte një situatë shumë më e favorshme se sa jeta e saj në të gjitha sistemet e mëparshme. Për të mos u zgjatur në numërimin e profesioneve që ajo arriti të ishte e aftë të mbulonte, të numrit pothuaj të barabartë që arriti të fitonte në studimet e larta dhe në ekipin e pedagogëve të universitetit, se në përgjithësi e mbulonte tetëdhjetë përqind sistemin arsimor dhe atë shëndetsor, do ndalem vetëm në fushën e artit. Gjatë viteve të socializmit, veçanërisht pas viteve ’60 e këtej pati një shpërthim të vërtetë talentesh në fushën e artit të skenës, të koreografisë, të interpretimit, të gazetares televizive. Aktoret shqiptare krijuan një hop cilësor që u imponua dukshëm në jetën e shoqërisë dhe krijoi një respekt e reputacion për figurën e gruas. Në ndryshim me kinematografinë botërore të atyre viteve, kur shpesh aktoret si Sofia Loren, Ana Magnani apo të tjera u kritikuan edhe si shprehëse më tepër të trupit se sa të shpirtit të tyre – ndonëse unë do ta veçoja Magnanin nga ky grupim – aktoret shqiptare, për shkak të një sërë faktorësh: nderi i famshëm i shqiptarit, opinoni, kultura konservatore e shoqërisë dhe rregullat strikte të vendosura nga regjimi për sjelljen e aktorit në skenë dhe vetë shmangien e skenave gjysëm erotike, nuk shprehën një prirje të tillë dhe iu përkushtuan plotësisht pasqyrimit të një bote shpirtërore sa më të thellë, por, njëkohësisht duke qenë, në mënyrë të përmbajtur edhe femërore. Në asnjë film shqiptar të atyre viteve nuk ka asnjë puthje, përshembull. Asokohe pati një lulëzim të vërtetë të artit skenik, të letërsisë dhe arteve të tjera, ku gratë ishin një shumicë ose një pjesë e barabaratë. Kjo ndikoi forcërisht në ndryshimin e sjelljeve të shoqërisë ndaj tyre dhe në një qëndrim tjetër të familjeve ndaj profesionit të vajzave dhe daljes së tyre në punë. Këngëtaret, aktoret, interpretueset e muzikës klasike, balerinat, radiofolëset, prezantueset e emisioneve dhe spektakleve ishin të panumërta. Kjo sasi padyshim do të sillte ehe ndryshime cilësore në jetën e përditshme dhe në opinionet e paragjykimet. Pati pak krijuese. Dy tre kompozitore, dy tre shkrimtare, dy tre poete, dy tre regjisore. Për mendimin tim kjo nuk është më çështje sistemi, sepse sistemi inkurajonte pjesëmarrjen në art dhe kulturë, por çështje e nivelit të zhvillimit të vërtetë, të brendshëm, të grave, që përmes ca rrugëve të fshehta e të padukshme, përmes ca sinjalesh që nuk kapen nga mendja e zakonshme, por nga ndjesitë e pulsimet e artistëve dhe shkrimtarëve, edhe kur sistemi është i mbyllur siç qe ai i yni, lidhet dhe komunikon me nivelin e zhvillimit botëror. Ky numër minimal grash që krijojnë art e letërsi është shenja, është sinjali alarmant që të thotë: kujdes, je ende shumë prapa, je vetëm një zbatuese, je ende një objekt, nuk je ti ajo që flet, që ideon, që mendon, që ndërton! Edhe sot, kur në të vërtetë ka rënë dukshëm edhe numri i madh i aktoreve dhe interpretueseve profesioniste dhe të talentuara dhe është zëvendësuar me çupëlina pa shkollë të profesionit me të vetmin talent që t’u pëlqejnë regjisorëve, edhe sot numri i krijueseve, i atyre që me penën e tyre të luajnë një rol protagonist në shoqëri është tepër tepër i vogël. Pra jemi ende shumë larg.
Me sa kuptoj është e kotë t’i detyrosh njerëzit me forcë të përqafojnë një ide të caktuar. Burrat iu rikthyen me shpejtësi të rrufeshme dëshirës së tyre të vjetër: nënshtrimit të grave, sapo nuk kishte më ndëshkime dhe demaskime nga ana e shtetit për shkak të sjelljes ndaj grave. Nga ana tjetër shteti socialist ndonëse u përpoq për futjen e gruas në jetën shoqërore, nuk lëvizi as gishtin për çlirimin e saj të vërtetë, domethënë për ndërgjegjësimin e saj për këtë liri të brendshme e cila lidhet me raportin me të tjerët, pra me burrin dhe me familjen. Doktoresha, inxhinierja, kryetarja e kooperativës, ministria, pasi kishte urdhëruar burrat tetë orë në punë, kthehej në shtëpi, pas kurrizit të saj mbylleshin dyert dhe ajo shndërrohej në skllave të burrit dhe të familjes së tij. Aty ishe vetëm, askush nuk të ndihmonte, askush nuk të dëftente se si fitohej liria jote e vërtetë, se si ajo prekej pak e pak, me mundim, me vuajtje, me përpëlitje, por vetëm ashtu ishte e vërtetë dhe jetëgjatë. Organizata e vetme e gruas së asaj kohe, ku çdo grua detyrimisht ishte anëtare, punoi tepër për arsimimin, higjenizimin e shëndetin e gruas dhe për pjesëmarrjen e saj në jetën shoqërore. Veprimtaret e asaj kohe kanë bredhur me këmbët e tyre fshatrat më të thella për të përhapur dritën e dijes, për të ndryshuar konceptet, kanë sakrifikuar edhe vetë jetën e tyre duke mbetur në ato fshatra, por nuk pati (nuk iu lejua) asnjë lidhje dhe asnjë kontakt me lëvizjen evropiane apo amerikane të gruas, që do ta vinte në unison me luftën e përbashkët. Përkundrazi, feminizmi si lëvizje dhe si teori perëndimore kundërshtohej dhe kritikohej si luftë seksesh. Në një kuptim pikëpamja joseksiste e organizatës së gruas shqiptare të asaj kohe ishte përparimtare dhe mund të shihet si një interpretim i ngjashëm me gender-in e sotëm. Nga ana tjetër, duke mos pranuar dhe duke mos u thelluar aspak në çlirimin etiak të gruas, duke mbetur vetëm në parametrat e jetës shoqërore dhe jo asaj të brendshme, individuale nuk u ngrit një bazë solide për të përballuar betejat e së ardhmes. Distancimi prej jetës shoqërore, thotë filozofi i njohur Louis Dumont, është kusht i zhvillimit shpirtëror individual, tek hulumton një kontekst tepër të ndërlikuar të dorëheqjes nga jeta shoqërore, si përshembull ajo e indianëve asketë etj. Sigurisht që, duke folur për barazinë nuk do të kaloja në një ekstrem të tillë, por duke lexuar përsiatjet e tij rreth zhvillimit shpirtëror individual m’u krijua lidhja midis këtyre ideve dhe mungesës së këtij zhvillimi tek shqiptarët gjatë regjimit komunist i cili ushtronte presion të fortë pikërisht ndaj këtij zhvillimi dhe merrte masat përkatëse për ta përballuar. Të njëjtën ide ka përpunuar pak a shumë edhe feminizmi evropianoperëndimor i cili vë re se shteti komunist kishte punuar shumë për anën shoqërore të emancipimit të gruas, por aspak për liberation-in e saj. Dhe ky liberation, ky çlirim vjen si rjedhojë e një thellimi në vetvete, në marrëdhëniet që ti si grua ke me botën e cila është përgjithësisht armike ndaj teje. Dhe ti duhet të përpunosh vetëmbrojtjet e tua, pasi të kesh njohur mirë veten dhe ta kesh pranuar atë ashtu siç është. Shteti komunist shqiptar, në linjën e tij të paluajtshme për të mos lejuar individin të zhvillohej si individ, ishte i vetmi nga shtetet e vendeve të ish kampit që nuk lejonte abortin, por e dënonte atë, i mbështetur në një politikë pronataliste. Sipas kësaj politike naive, të përzier me moskuptim të vërtetë të teorisë marksiste – që pretendonin se ndiqnin – dhe që e quan abortin të drejtë të gruas, ata e ndëshkonin atë jo filozofikisht, pra jo si vrasjen e jetës – argument i antiabortistëve – por si pengesë për rritjen e popullsisë që na duhej për t’i bërë ballë armikut të jashtëm i cili, gjithmonë sipas tyre, kërkonte të pushtonte Shqipërinë. Ndalesa e abortit është në të njëjtën valë me ndërtimin e bunkerëve dhe militarizimin e shqiptarëve. Dhe gratë shqiptare, që si të gjitha gratë në botë dhe në të gjitha kohrat, kur donin të abortonin, i gjenin mënyrat, duke e fituar këtë të drejtë me kokën e tyre. Ato përdrnin në fshehtësi mjete primitive të tmerrshme, që u kushtonin jo pak herë vetë jetën, për të përballuar jetesën e vështirë dhe pamundësinë ekonomike. Kontraceptivët dhe planifikimi familjar në përgjithësi nuk ekzistonin, duke krijuar kështu të tjera pengesa dhe të tjera mundime për bashkëjetesën dhe mirëkuptimin e çiftit. Gratë i shihje në çdo fund muaji të dridheshin nga frika e mbetjes shtatzanë, ndërsa burrat nervozë. Për seksin nuk flitej dhe gratë nuk dëshironin të dëgjonin për të. Ai ishte vetëm burim ngatërresash dhe shpesh heë fatkeqësish. Nuk u krye kurrë gjatë shtetit të atëhershëm ndonjë program edukimi seksual, i cili, për atë ideologji dhe për prapambetjen kulturore të vendit lidhej me degjenerimin perëndimor. Familjet rënkonin nën peshën e tabusë së seksit, çiftet nuk kishin asnjë komunikim të këtij lloji midis tyre dhe kontrolli shoqëror mbështeste fuqimisht këtë lloj jete. Të rejat dhe të rinjtë martoheshin me njëri-tjetrin pa asnjë lloj pregatitjeje dhe kalonin jetën në kontradikta të pafundme të mbyllura brenda mureve të shtëpisë. Ky është fati, psherëtinin gratë. Nënat, gjyshet, hallat, tezet të bënin presion dhe të thoshnin, mbylle gojën, mendo për fëmijët, ky është fati yt, si i gjithë neve. Asnjëherë, në asnjë mënyrë nuk fol për jetën e gruas, si një qenie njerëzore më vete, por gjithnjë si nënë, si bashkëshorte, si qytetare. Detyra e saj parësore ishte të respektonte rregullat e familjes dhe të sakrifikohej për hatër të fëmijëve dhe për hatër të nderit të familjes, edhe nëse i kishte rënë burri më i keq i qytetit a i fshatit. Të gjitha drejtoritë që merreshin me gruan nëpër ministria kishin emërtime të tilla si Nëna dhe fëmija, Gruaja dhe familja, Shëndeti i nënës dhe fëmijës, etj. Edhe sot e kësaj dite kur shoqatat e grave janë në kontakt me gjithë shoqatat më të përparuara të botës Komiteti që është ngritur pranë kryeministrit – dhe që është një fitore e lëvizjes së gruas shqiptare – quhet pa pikë kompleksi Komiteti i Gruas dhe i familjes! thua se familja është vetëm detyrë e gruas dhe burri lan duart prej saj. Unë nuk di ndonjë drejtori a komitet që të quhet Komiteti i burrit dhe i familjes. Në të vërtetë pak burra shqiptarë i shoh të ndjejnë përgjegjësi të vërtetë ndaj familjes. Duke e quajtur dhe zyrtarizuar si punë dhe detyrë grash, ata ja kanë kaluar më së miri në këtë jetë. Duke filluar që nga gjyshërit tanë që emigruan para Luftës së Dytë dhe që hsitoria shqiptare e quan atë emigracion një plagë shoqërore të së kaluarës. Padyshim ishte pasojë e gjendjes ekonomike dhe shoqërore. Padyshim që ata ikën në Amerikë, Australi dhe Evropë, por familjet, domethënë gratë dhe fëmijët e tyre i lanë këtu. Padyshim u dërguan para që andej, por nuk i rritën ata fëmijë dhe nuk mundën t’i dashurojnë ato gra që mbetën vetëm ballë përballë jetës. QË i zuri lufta dhe që mund të digjeshin, të vriteshin, ato gra dhe ata fëmijë, por baballarët punonin dhe jetonin përtej detit. Mendoj se po të kishin mbetur nënat rastësisht përtej detit (se nuk di që nënat të kenë ikur në emigrim dhe të lënë fëmijët në fshat) për ndonjë arsye kushedi çfarë dhe familjet e tyre t’i kishte zënë lufta, do të kishin gjetur anije, varka, trape dhe do të kishin kapërcyer detin e oqeanin e do të ishin gjendur pranë fëmijëve të tyre. Këta baballarë të ndershëm, të cilëve prej Amerike u interesonte fort nderi i grave, nuk u bënë të gjallë. I lanë gratë vetëm që të përballonin fashizmin dhe nazizmin, vetë luftën, vetë shtëpitë e djegura, t’i rindërtonin ato, të përballonin jetën, të shkollonin fëmijët, dhe pas shumë e shumë vjetësh të prisnin në derë plakun e ardhur prej andej tashmë të pafuqishëm për të ndenjur në mërgim, të ëmbël dhe të përmalluar për fëmijët që nuk i njihte për fytyrë. A mund të spjegohet e gjithë kjo me plagën shoqërore? Unë kam vështirësi ta pranoj këtë teori si përfundimtare. Ndjej se kemi të bëjmë me puse të thella e të vështira të shpirtit mashkullor, të cilin egozimi dhe liria e shfrenuar që i kanë dhënë shoqëritë njerëzore të sistemuara prej tyre, i shtyn dhe i ndihmon të pranojnë me lehtësi jetën e dyfishtë, mungesën e përgjegjësisë dhe lehtësinë me të cilën e braktisin ose nuk e ndihmojnë familjen. Janë shumë të kënaqur thellë-thellë kur vetë gratë emërtojnë një komitet Gruaja dhe familja. Edhe sot, kur emigracioni ka rifilluar, shohim të përsëriten, në mënyra sigurisht të ndryshme, por të ngjashme në thelb, të njëjtat dukuri. Gra që mbeten këtu dhe që punojnë tokën deri në shkatërrim fizik, me fëmijët pas bishtit të fustanit, burra që zhduken Greqisë e Italisë dhe që befas kthehen për të vrarë gruan se dikush u ka fryrë në vesh që ajo i ka tradhtuar. Më keq se gjyshërit tanë, të cilët të paktën nuk vinin me revole në xhep, po me para dhe me buzëqeshje optimiste prej amerikani.
Atëherë mund të themi se socializmi bëri vetëm gjysmën e punës me gratë – atë të jetës shoqërore, por nuk e preku gruan në thelbin e saj. Nuk i mësoi asgjë se si të luftonte, kur mbetet duarbosh para një shteti që nuk e mbron, por e diskriminon, para një shoqërie që për shkaqe të shumta nuk e favorizon barazinë, por ushqen agresivitetin dhe polarizimin e shtresave shoqërore e atë të sekseve. Megjithë fjalimet, parullat nëpër mure, teatrot, filmat, lakrat, dënimet, komisionet e lagjeve, të organizatës së partisë etj., nuk u depërtua thellësisht në raportin burrë grua, në atë që ndodh brenda mureve të shtëpisë dhe ku zhvillohen dramat më të ëmdha njerëzore. Mua më kujtohet se si gratë vinin nëpër mbledhjet apo veprimtaritë e pasdites, pra pas orarit të punës, me sy të fryrë nga të qarët dhe me rrethin e zi të syrit të goditur të mbuluar disi me pudër. Ardhja në atë mbledhje apo në atë veprimtari kishte kushtuar orë grindjesh me burrin që nuk donte ta linte të dilte nga shtëpia. Dhe sfida e tyre ishte që dilnin edhe pas ndonjë shpulle a grushti, edhe pas grindjesh të padurueshme. Veç aso kohe këta burra që në zyrat e tyre u bënin komplimenta kolegeve dhe i trajtonin si të barabarta, nuk ua mbante të dilnin hapur. Ata përpiqeshin të ushtronin dhunën brenda shtëpisë, jashtë hiqeshin përparimtarë se kishin frikë nga ndëshkimet partiake. Ato gra që e fituan atë liri me këmbënguljen e tyre, sot janë nënat e vajzave që nuk e kanë më atë kurajë. Sepse burrat janë dyfish agresivë dhe dyfish të trembur. Kanë frikë nga liria e grave dhe vajzave që fryn sapo hapen dyert. Sepse sipërfaqëria e shtetit socialist në trajtimin e barazisë u vërtetua që ishte e tillë sapo ai shtet nuk ekzistoi më. Konceptet dhe ligjet nuk ishin materializuar në mënyrë të natyrshme, por ishin detyruar me dhunë. Si të tillë nuk do ta kishin jetën të gjatë. Megjithatë ka mbetur një masë e madhe grash të cilat, duke kombinuar barazinë e shpallur nga ish-shteti dhe ato fitore që arritën atëhere në këtë drejtim, me toritë dhe praktikat e sotme botërore përpiqen të sjellin një frymë moderatore e liberatore në shoqëri, ndonëse ky zë është shpesh i goditur nga shtypi pa asnjë moral, nga qeveritë e ndryshme, që, me dëshirën për të pasur nën thundrën e tyre çdo grup shoqëror, nuk i gëlltisin dot grupet e pavarura nga partitë politike dhe i luftojnë në mënyra të ndryshme, të fshehta apo të hapura. Shoqëria shqiptare ishte mësuar të shihte qenësinë e grave ngado, një parlament gjysëm për gjysëm burra-gra, ministrira dhe ministre, drejtoresha ngado dhe kjo dukej si e fituar njëherë e përgjithmonë, pavarësisht se në atë parlament burra dhe gra ngrinin dorën po dhe jo si t’u jepej komanda.
Kur, në parlamentin e parë demokratik në fillimet e viteve ’90 ne pamë një sallë deputetësh ku shquheshin të merrnin pjesë gjithë ngurrim vetëm shtatë gra deputete në 150 burra, pësuam një si tronditje në kokë. U ngushëlluam me idenë se kjo kishte ndodhur dhe në vende e tjera ish-socialiste dhe thamë se do ta rimerrnim veten. U ngusëlluam edhe më kur dëgjuam gratë italiane, franceze, greke, engleze, të qaheshin dhe ato për shifra tepër të ngjashme në vendet e tyre dhe nisëm të mësoheshim me dukurinë e çuditshme. Derisa e kuptuam se tani e tutje do të ishte vetëm kështu, se ishte përsëri vështirë, por një vështirësi e ndryshme dhe se do të na duhej përsëri të luftonim gjatë, lodhshëm, dëshpërueshëm…
PUSHTETI
Kur flas për mungesën e një thellimi në botën e brendshme të grave për të ecur drejt çlirimit të saj (liberation) më kujtohet gjithnjë Sheherzadja dhe interpretimet e ndryshme që autorë të ndryshëm i bëjnë asaj. Fatima Mernisi thotë se tek Një mijë e një netët heroinat e Sheherzades nuk flasin për çlirimin e tyre, por e jetojnë, në mënyrë të rrezikshme e sensuale dhe gjithnjë ja dalin t’i kapërcejnë gjithë vështirësitë. Kjo tregimtare guximtare, që shpëtoi jetën e saj dhe jetën e shumë grave të tjera nga shpata e pamëshirshme e mbretit, është, për Mernisin, një figurë e jashtëzakonshme gruaje. Heroinat e saj gjejnë solidaritet tek njera-tjetra për t’ja dalë jetës dhe halleve që u bien mbi kokë dhe gra marokene, egjiptiane, algjeriane, tuniziane, brez pas brezi habiten dhe mahniten pas aftësisë së këtyre shembujve të zgjuarsisë femërore e i bëjnë idhujt e tyre. Për këto gra Sheherzadja është simboli i protestës dhe lirisë femërore që u nxit nëdërrat dhe dëshirën për liri brezave të tërë të grave. Kështu e sheh Mernisi këtë personazh, me syrin e gruas dhe tjetërsoj e sheh studiuesi i njohur italian Pietro Citati, me syrin e burrit. Në origjinën e këtyre rrëfimeve, thotë Citati, është tradhtia. Erosi femëror, mbizotërues, dinak dhe demoniak që papapëlqen skllevërit e zinj e shërbëtorët në vend të sovranëve të lartë, sfidon pushtetin… Sidoqoftë ai e pranon faktin se ato, në mënyrën e tyre, i bëjnë ballë pushtetit të egër mashkullor. Më tej, duke qenë megjithatë një mendje e shkëlqyer, Citati, shkruan: rrëfimi është një dhuratë femërore, një fjalë që një grua ja drejton një gruaje tjetër dhe burri mban vesh. (sipas një versioni Sheherazadja ja tregonte përrallat së motrës dhe mbreti dëgjonte pas perdes) Pra me fjalën e saj, vazhdon ai më poshtë, Sheherazadja largon vdekjen. Fjala madhështore femërore anullon forcën e pushtetit.
Dhe unë atëhere, në vazhdim të kësaj konsiderate të mrekullueshme të Citatit rreth Fjalës dhe origjinës së saj do të guxoja të mendoja se kur themi: E para qe fjala duhet në të vërtetë të mendojmë E para qe gruaja! Duke zëmëruar dhe ndërsyer kështu të gjithë lexuesit e interpretuesit e Biblës të cilët zotin e kanë krijuar dhe e përfytyrojnë vetëm si burë, zëtrashë, si komandues të vërtetë. Shtyhem dhe më tej në këto hulumtime heretike dhe kujtoj atë shprehjen tmerruese për çdo nënë Unë kur jap fjalën, ther djalën me të cilën mburren burrat shqiptarë, të falur vetëm ndaj nderit dhe besës dhe më kujtohet ai episodi i Biblës – prej nga dhe duhet ta ketë prejardhjen kjo shprehje – ku Zoti i ebrenjve e urdhëron Isakun të therë djalin e tij për një farë çështjeje që i dukej e arsyeshme kësaj perëndie, por nuk ma ha mendja se ndonjë nëne në botë në atë kohë e në këtë kohë ja ka ënda t’i vritet djali, sidomos nga i ati, për çfarëdo arsye hyjnore a nderore qoftë.
Po t’i kthehemi Sheherazades dhe bëmave të heroinave të saj. Ajo ka qarkulluar nëpër Lindje e nëpër Mesdheun e poshtëm si uragan dhe ka turbulluar mendje e zemra, ka ushqyer ide dhe veprime dhe ka frymëzuar veçanërisht gratë myslimane të atyre vendeve për të krijuar feminizmin e tyre që është i ndryshëm nga ai perëndimor, por origjinal. Ne në Shqipëri nuk kemi patur Sheherazade, burrat e kësaj treve i janë ruajtur mirë moshyrjes në malet shqiptare të rrëfimeve të tilla të rrezikshme dhe nuk mund të pohoj se kemi patur në të shkuarën e largët një shembull të tillë. Përgjithësisht, duke mos mbetur vetëm në gratë shqiptare, se do të ishte e pasaktë ta shihnim atë të shkëputur nga konteksti botëror, i cili, për gratë është tepër i unifikuar, ne, raca e grave, nuk mund të mburremi se kemi patur shumë paraaradhëse të shquara. Numri i mbretëreshave që kanë lënë emër për beteja a për qeverisje shteti është disi më i konsiderueshëm dhe ka zënë vend në histori. Dhe nuk është as ndonjë arsye për t’u mburrur nëse je një mbretëreshë që jep urdhëra për të prerë koka njerëzish. Po ashtu ai i heroinave nëpër luftra apo i Zhan D’Arkave, që, sidoqoftë nuk është ndonjë numër kushedise çfarë. I shkrimtareve, poeteve, jo dhe aq keq, por kurrsesi i krahasueshëm me atë të burrave. I shpikëseve…? Do të thoja se përveç ndonjë Mari Kryie e ndonjë tjetre nuk kemi si të krenohemi. I filozofeve? Keq puna. Politikane? Në këtë gjysëm të dytë shekulli diçka ka ndryshuar dhe tek-tuk del ndonjë grua e bën të ndjehet zëri i saj, por, nga ana tjetër, në rastin e politikës ndodhemi përpara dy problemesh: gratë që zgjidhen apo emërohen në poste të larta, duke qenë gjithnjë në numër tepër të vogël, të rrethuara nga burra dhe në mes të traditës së burrave për mënyrat dhe metodat e drejtimit të shtetit, ndjekin modelin mashkullor dhe sillen e veprojnë si ata. Urdhërojnë të bombardohen vende të tjera, njësoj si burrat, siç bëri Thaçeri kur ishte kryeministre. Nuk ndihmojnë lëvizjen e gruas dhe nuk krijojnë lobime me njera-tjetrën për të aprovuar ligje në favor të gruas, sepse ndjekin vetëm urdhërat e partisë ku bëjnë pjesë, siç ndodh tek ne dhe në vendet e tjera të ish-Lindjes, me sa jemi informuar. Kaq shumë sillen si burra (dhe kjo është një dukuri tepër e ngjashme sidomos me gazetaret, pothuajse në të gjitha vendet e botës) saqë shpesh shtyhem të mendoj se pushteti është neutral, nuk ka seks. Në çastin që ai apo ajo ka hypur në një karrike dhe nga kjo ngjitje varen jetë njerëzish që ata i kanë në dorë, diçka ndodh brenda këtyre njerëzve dhe nuk të ngjajnë më as si burra as si gra, por si një qenie e ndërmjeme që emërtohet pushtetar. Kur bie në të tilla mendime them gjithashtu se nuk mund të jetë e mundur një gjë e tillë. Nuk shndërrohet qënia kur hypën në pushtet, por zgjidhet një qënie gabim. Ajo është ajo që ka qenë përherë, vetëm me maskë në fytyrë të cilën e heq kur ulet në atë karriken e shumëdëshiruar. Gratë, po të kishin traditë qeverisjeje, traditë grupimi në politikë, shembuj të shkëlqyer të mëparshëm siç kanë burrat pa fund shembujt e tyre, nuk do të përpiqeshin t’u ngjanin burrave, por do të kishin mënyrën e tyre të të sjellurit e të të vendosurit, ashtu siç janë të ndryshme nga burrat në jetën e përditshme, sepse ashtu i ka bërë natyra. Gratë e qeverisin ndryshe nga burrat shtëpinë, sillen ndryshe ndaj problemeve të jetës dhe përgjithësisht gjejnë të tjera zgjidhje nga ato të burrave, sepse i ndryshëm është dhe ndërtimi psikofizik i yni nga i atyre. Atëhere pse duhet të ngjajnë me njeri-tjetrin si dy pika uji sapo hypin në pushtet? Sepse është i vetmi vend ku ne nuk kemi përvojë. As Perëndimi dhe as vendet e Lindjes, megjithë sloganet socialiste. Po ta vemë re me vëmendje ndarjen e pushteteve në regjimet ish-socialiste, në pamje të parë të duket se gjithçka është fifty-fifty. Parlamenti, ministritë, pjesëmarrja në shkolla e universitete dhe këtë të vërtetë nuk e luan topi se janë shifra dhe njerëz të vërtetë që kanë përfaqësuar ato shifra. Por, në Byronë Politike, ku merreshin vendimet e vërteta mbi politikën, ideologjinë dhe ekonominë e vendit, në këtë organ më të lartin e vendit që qëndronte mbi qeverinë dhe mbi parlamentin, nuk gjejmë më këtë raport entuziast. Në dymbëdhjetë anëtarë zgjidhej gjithnjë vetëm një grua, dhe ajo, me kalimin e viteve zgjidhej sa më pak e zgjuar, që as të mos kuptonte se përse bëhej fjalë. Pra qëndrimi i komunistëve shqiptarë që e fituan pushtetin me premtimin kryesor se do t’u jepnin barazinë të gjithë njerëzve dhe grave njësoj si burrave, ishte i ndërlikuar dhe i dyfishtë. Ata pranonin parimet marksiste mbi barazinë burrë-grua dhe u përpoqën t’i zbatonin ato në mënyrën e tyre, që u mundova ta spjegoja më lart, por askurrë deri në fund, deri në thelbin e saj të vërtetë. Në Byro, atje ku luheshin fatet, ata nuk i merrnin më parasysh parimet dhe kthenin sytë e zemrën andej nga lashtësitë, nga rregullat, kristiane e myslimane, nga ato kanunore që i ndihmonin të mos i kishin gratë nëpër këmbë.
KULTURA MASHKULLORE
Shqipëria është një vend mesdhetar, pastaj ballkanik dhe pastaj vetëm Shqipëri. Ajo nuk është as Lindje as Perëndim tha një herë kushedi pse, një udhëheqës shqiptar në fillim të tranzicionit, pra në vitet ’90, dhe shqiptarët rrudhën ballin për një kohë të gjatë për të kuptuar këtë gjë e gjëzë. Nganjëherë qeshnin me të, nganjëherë zemëroheshin sepse u dukej e rrezikshme. Mund të ndodhte përsëri që perëndimi të lante duart, si në kohë të pushtimit turk dhe të diktaturës komuniste kur harroi se ky vend ekzistonte dhe se ky popull vuante dhe ta linte përsëri vetëm, si të mos bënte pjesë në Evropë, për të cilën kishte dhënë kontribut të pamohueshëm. Mund t’i kthente krahët dhe Lindja, duke qenë shumica sllave dhe, kur mbarojnë ideologjitë e forta nisin e ngrenë krye nacionalizmat, siç dhe ndodhi. Por shqiptarët e dinë se nga janë dhe kujt i përkasin dhe kjo i bën ata të sigurt në tokat e tyre në Ballkanin e trazuar. Për ta të tjerët janë të ardhur, vetëm ata janë të lashtët, të vërtetët, si grekët dhe rumunët. Në Ballkan njerëzit grinden me kapituj historie dhe me hymne kompozitorësh të shekullit të dytë pas Krishtit, që, padyshim, tundin kokat të vendosur shqiptarët, janë tanët dhe jo të këtyre, që, kur ne ngrinim tempuj, bridhnin ende me lëkura kafshësh nëpër stepat e Azisë. Shqiptarët mburren se sa mbahet mënd, të paktën në dymijë vjet, nuk kanë sulmuar asnjë popull tjetër po vetëm janë mbrojtur nga sulmet e fqinjëve të tyre me oreks të pangopur. Se uk janë grindur kurrë për punë fesh dhe se luftën fetare as e kuptojnë pse mund të plasë. Se bashkëjetojnë fare mirë dhe nuk e lejojnë, pa bërë zhurmë, klerin e asnjë feje të fusë hundët në punët e shtetit. Nuk janë ksenofobë, nuk urrejnë asnjë popull, as turqit që i kanë pushtuar pesë shekuj, as gjermanët që i vunë zjarrin fshatrave të tyre, as italianët që i pushtuan një ditë me diell dhe kur nazistët i ndiqnin për t’i vrarë, i fshehën ushtarët ish-pushtues në shtëpitë e tyre. Për turqit thonë populli vëlla turk, për gjermanët kanë respekt të veçantë dhe i imitojnë në përpikmërinë e tyre e në gjëra të tjera, italianëve ua flasin gjuhën si të ishte shqip. Do të kishin shkuar mirë dhe me serbët sikur të mos kishte qenë problemi i Kosovës. U pëlqen të tregojnë me të gjithë dhe nuk kanë probleme martese me gjak tjetër. Studentët e parë nga Shqipëria në Bashkimin Sovjetik e vendet e tjera satelite erdhën shumica të martuar me vajza ruse, polake e bullgare dhe njerëzit i pritën mirë e i deshën, pavarësisht se më vonë ato gra të shkreta u përzunë, u persekutuan, u burgosën dhe u vranë nga diktatura me akuzën si spiune dhe agjente të revizionizmit sovjetik.
Të gjitha këto përcaktime që rendita më lart janë ndoshta cilësitë më pozitive të shqiptarëve siç janë dhe shumë të tjera. Por kultura e tyre është një kulturë thellësisht mashkullore dhe asnjë valë ndryshimesh historike, politike e shoqërore nuk ka mundur ta ndryshojë atë. Sigurisht, ka përmirësime të dukshme që janë pasojë e zhvillimit të një shoqërie, por, nëse flasim për një kulturë mashkullore në bazë të standarteve të sotme, ajo është ende shumë e fortë në Shqipëri.
Vajza dhe djali rriten në mënyrë të diferencuar brenda të njëjtës familje. Nënat, sipas kulturës së vjetër mesdhetare ë ka mbetur e fuqishme në Shqipëri adhurojnë djemtë dhe ë kur lindin i mësojnë ata të mos merren me asnjë punë qqë mund të tingëllojë femërore. Ato janë të parat, më parë se baballarët, që i mundojnë vajzat me punë dhe privilegjojnë djemtë. Unë kam shoqe të mijat, që, për fat të mirë, të paktën nuk janë të angazhuara në ëlvizjet e gruas, të cilat përdorin me mallëngjim shprehjen: tjetër lezet ka djali! Dhe pastaj vuajnë tmerrësisht kur vajzat e tyre përballin diskriminimin nëpër familjet ku martohen. Atëhere nisin e kritikojnë krushkat për mënyrën se si e kanë edukuar djalin ato, sa të prapambetura paskëshin qenë, etj. Etj., duke harruar se të njëjtën gjë kanë bërë dhe ato me djalin e tyre i cili, kur të rritet e të krijojë dhe ai familje do të jetë një tjetër tiran i ri. Deri në ditët kur shkenca përcaktoi qartë se si ngjizet një fëmijë dhe sqaroi ato qelizat x e y burrat shqiptarë dënonin gratë për mungesën e djemve. I ndanin, i persekutonin, i përbuznin. Gruaja që nuk lindëte djem shihej me sy të keq nga fisi i burrit si të sillte mallkim në atë fis dhe me keqardhje e dëshpërim nga familja e saj. Ajo lëvizte si hije nëpër shtëpi dhe qante për djemtë e palindur. Burri i saj konsiderohej fatkeq. Edhe sot përdoret shprehja gruaja më dhuroi një djalë, më bëri me djem, etj. Shumë vajza në zonat e thella të veriut quhen Shkurte. Kështu, me këtë bestytni prindi shpresonte t’i jepte fund lindjes së vajzave në familjen e tij. Kjo kulturë e ngulitur thellë në shekuj dhe që mund të spjegohet në një masë të rëndësishme me vazhdimësinë e emrit dhe të trashëgimisë, nuk u shkul as në kohën e komunizmit kur askush nuk mund t’i linte askujt asgjë, sepse nuk ekzistonte prona private. Sot me shpikjen e ekografit u ndodhëm papritur përpara një krimi: shumë burra, përgjithësisht nga zonat rurale kërkojnë të marrin vesh seksin e fëmijës që në muajin e barrës kur ai mund të kuptohet. Dhe ndodh që kur fëmija i mjerë qëllon të jetë vajzë dhe ky burrë tërë nder nuk e dëshiron gruan e tij të abortojë. Me shpresë se herën tjetër do të shohë në ekograf një mashkull. Gratë e zonave rurale nuk e kanë forcën e qëndresës si gratë e jugut apo ato të qyteteve të tjera. Ato rrojnë në frikë e në nënshtrim të një opinioni të gjerë që përmbledh fise e kushërinj, që të gjithë gjykues dhe urdhërues të jetës së saj. Kundër këtij krimi bëhen përpjekje të shumta; shoqatat propozojnë që seksi të tregohet kur nuk mund të kryhet më aborti, punonjësit socialë dhe psikologët pranë klinikave lodhen duke folur me çiftet për probleme të tilla, por unë them se ky është vetëm fillimi i një beteje tjetër shumë të vështirë. Kultura shqiptare, ndjekëse e patundshme e kulturës së vjetër mesdhetare e lidh fatin e vajzës me martesën dhe që e vogël apo tmerrohet nga loja e fatit. Do të jesh me fat po more burrë të mirë; qofsh me fat e marrç një burrë të mirë. Sapo martohet ajo bombardohet me këshilla se si duhet të trajtojë familjen e burrit që ata ta kenë me sy të mirë, që ajo të ketë emër të mirë, të mos i ndihet zëri etj. Këtë person e bën veçanërisht familja e saj vetë. Ajo është formuar dhe edukuar që sapo ka hyrë në adoleshencë se duhet të përgatitet t’i shërbejë burrit dhe fmiljes së tij. Është një sjellje tipike e zonave rurale dhe e qyteteve të vogla dhe shumë më pak në qytetet e mëdha dhe kjo sjell një diferencim tepër të ndjeshëm mes fshatit dhe qytetit, mes distrikteve dhe Tiranës. Vajzat që studiojnë në Universitetin e Tiranës, të ardhura nga rrethet, sapo e njohin jetëen krejtësisht të ndryshme të kryeqytetit, pa paragjykime dhe nënshtrim, nuk duan më të kthehen në qytetet prej nga kanë ardhur. Shpesh ato përdorin çdo mjet dhe çdo formë për të qëndruar aty dhe jo vetëm rezultatet e larta në mësime. Si pasojë kemi pak forca të reja e energjike në zonat që përmendëm, sepse këto energji e këto forca po përqëndrohen në Tiranë, në Durrës e fare pak në qytetet e tjera.
Në kontaktet e mija të para me feminizmin perëndimor dhe me kulturat perëndimore, kur munda të mos i njihja ato vetëm përmes librave e studimeve, por konkretisht në jetët dhe shtëpitë e tyre, më habiste një lloj analize që bëhej rreth raportit nënë-bijë. Është zakonisht një raport konfliktual, dëgjoja të thuhej dhe vrisja mendjen se ç’do të thoshte kjo, duke u munduar të fshihja injorancën time. Më vonë kuptova se ishte thjesht çështje ndryshimi kulturash. Në Itali apo Francë, apo në vendet e tjera perëndimore njerëzit po përpunonin me nge dhe me hollësi të gjitha detajet e pafundme dhe të ndërlikuara të një marrëdhënieje: xhelozitë e nënës kur vajza rritet dhe ka jetën e saj që nëna nuk mund më ta ketë, lloj-lloj kompleksesh – versione të kompleksit ë Edipit, acarim të vajzave me nënat, moskuptime, etj. Gjeja gra që ankoheshin për jetën e tyre dhe për nënat që kishin patur, të cilat nuk kishin komunikuar kurrë me to, por vetëm me vëllanë, babanë apo motrën tjetër, gati urrejtje, por në shumicën e rasteve moskomunikim të plotë. Unë, mbi të dyzetat, dhe që kisha shkruar disa romane u ndodha përpara një dukurie që e kisha pandehur rastësi, po jo dukuri. Pastaj, dalëngadalë, duke i hyrë më thellë kësaj analize, nisa të kërkoj arsyet e unitetit të plotë midis gjyshes-nënës dhe bijës në Shqipëri. Përgjithësisht gratë e një familjeje, po sidomos nënat me vajzat e tyre janë shumë të lidhura. Nënat mund të kenë privilegjuar djemtë dhe të kenë jetuar me kultin e tyre, por, nga ana tjetër ato e dinë se ç’e pret çdo vajzë nga babai, vëllai apo burri i saj. Ato bëhen bllok para këtij rreziku dhe armiku të vetëm – burrave dhe janë gjithnjë pranë njera-tjetrës. Një nënë në fshat të largët e di se i shoqi mund t’ja martojë vajzën me kë të dojë ai dhe ta marrë në qafë, se i vëllai mund ta detyrojë të mos shkojë në shkollë, në qytet, të mos i flasë kurrë një djali se i preket nderi këtij vëllai, se burri i ardhshëm do ta rrahë dhe do ta mundojë pa fund. Ajo dridhet për fatin e së bijës dhe përpiqet shpesh pa sukses, ta ndryshojë atë. Atëhere i qëndron pranë për gjithë jetën. Po kështu janë motrat të lidhura me njera-tjetrën. Edhe në qytete, edhe në Tiranë, vajzat, të martuara, e kalojnë pasditen tek nënat e tyre, megjithë fëmijët, duke qetësuar kështu, ngapak, vuajtjen dhe shtrëngesën që ndjejnë në shtëpinë e burrit.
Kur ato arrijnë të dalin shtëpi më vete dhe të mos jetojnë më me prindërit e tij, është fitorja më e madhe e jetës së tyre. Nëna, derisa vdes, është mbështetja e përjetshme e vajzës, ajo rron përherë me frikën se së bijës mund t’i ndodhë ndonjë fatkeqësi, ajo është i vetmi ngushëllim dhe mbrojtje e saj. Madje, me kalimin e kohës, edhe babai, dikur armiku dhe shtypësi, nis e pendohet për fatin e së bijës që e ka ndërtuar me duart e tij dhe shndërrohet mengadalë në aleat të heshtur. Unë kam parë shumë burra të dëshpëruar, me sy të trishtë që nuk dinë si ta ndërpresin dhunën që ushtrohet mbi bijat e tyre, tashmë ë martuara. Jam e bindur se me kalimin e kohës, me zbutjen e maskilizmit dhe me një jetë më normale, më të barabartë brenda familjes, do të zërë fill edhe tek ne raporti konfliktual nënë-bijë, pra kur këto të dyja të mos e shohin më burrin si rrezikun kryesor, i cili i zbeh rreziqet e tjera. Mjafton të rikujtojmë se Musolini, kur erdhi në fuqi shpalli menjëherë urdhëresa që i ndalonin gratë të emërtoheshin për shembull drejtoresha shkolle apo të merrnin pjesë në konkurset femërore. “Opinioni im për punët e shtetit, thoshte ai, është se duhet një kundërshtim i vendosur ndaj çdo lëvizjeje feministe. Gruaja nuk duhet të ketë rëndësi në shtetin tonë”. Po ashtu ideologët e tij si Oriani arrinin deri aty sa të shkruanin se gjenialiteti është mashkullor. Se metafizika dhe muzika, po ashtu, ishin mashkullore.
Kur në Shqipëri shoh se si familjeve patriarkale, të ndërtuara si piramidë, në majën e së cilës komandonte një burrë i rëndë i cili vendoste për fatet e një numri të madh njerëzish – burra dhe gra, që u vinin vargonj të pazgjidhshëm vetes dhe njeri tjetrit, – pra këtyre familjeve u largohen pa i pyetur vajza dhe djem, së brendshmi ndjej një lloj kënaqësie. Sepse baza e kësaj piramide shekullore është shkërmoqur në pak vjet dhe breza të tërë grash e kanë ëndërruar në netë fatzinj, duke gulçuar, shkërmoqjen e kësaj ndërtese të lemerishme. Po shohim ëndërrën e tyre të ketë filluar të realizohet, me mundim, me vuajtje, por ka filluar!
Ka shumë analistë dhe sociologë të vetëquajtur të famshëm e aksiomatikë që po vënë alarmin: Familja në Shqipëri po shkatërrohet! Nuk pyeten më prindërit! Po tronditet tradita jonë e mrekullueshme e respektit të birit për atin, të bijës për fisin! 70% për qind e divorceve (o tmerr!) kërkohen nga gratë! Gratë që divorcohen nuk pyesin për fëmijët po ju shkaktojnë atyre fatkeqësi të përjetshme!
I lexoj këto tituj apokaliptikë dhe me një ndjenjë çlirimi përfytyroj ato gra të reja që i bëjnë ballë dhunës dhe e denoncojnë atë! Ato nuk tuten si shumë të tjera, ato nuk durojnë! Ato janë edhe më kurajoze se një shoqatë e madhe gruaje, se një ligj në parlament, se një miting në shesh! Ato i bëjnë ballë gjithçkaje: varfërisë që mund t’i pllakosë me ndarjen, thashe-themeve, kontrollit shoqëror, opinionit vdekjeprurës, presionit të prindërve, hallave, tezeve, xhajave dhe dajave, lagjes dhe vetë qytetit! Ato duan të jenë të lira, dhe mua, kjo e dhënë – 70 për qind, më ngre lart moralin e ditës kur lexoj këtë statistikë. Shumica e këtyre divorceve, sipas të dhënave, kërkohen nga gratë për shkak të dhunës shtëpiake të ushtruar mbi to. Atëhere këtu kemi të bëjmë me një hop revolucionarizues, sepse kurrë më parë, rrallëherë edhe në periudhën e komunizmit, gratë e denonconin këtë dhunë. Ato duronin gjithë jetën, kokëulur, për hatër të fëmijëve, siç thonin dhe siç u thuhej, dhe ashtu vdisnin. Ashtu vdesin dhe shumë të tjera sot e kësaj dite. Askush nuk u mësonte apo u hidhte për diskutim se jeta të vjen vetëm një herë dhe se ajo duhet jetuar në mënyrë njerëzore. Se fëmijët e një çifti në konflikt mund të jenë të paktën më të qetë me prindër të ndarë se me prindër qdë vetëm grinden ose me nënën e gjakosur dy-tri herë në javë nga shkelmat e babait të dehur ose të padehur.
Më 1995 në Shkodër, në qytetin që krenohet për kulturën e tij të lashtë dhe për historinë që i zë fill në mjegullat e legjendave, më ndodhi një ngjarje tragjikomike. Isha e ftuar në një takim që organizohej në sallën e Universitetit mbi pajtimin e gjaqeve. Padyshim që ky problem nuk ndahej dot nga përmendja e Kanunit në të cilin gjakmarrja është e analizuar në kapituj të veçantë. Ndodheshin të pranishëm aty pajtues gjaqesh, priftërinj, – madje një ish prift i katolik i martuar tashmë, profesorë të universitetit, studentë, gazetarë, një intelektual kosovar dhe neve, përfaqësues të shoqatave të ardhura nga Tirana. Prania mashkullore nga pala shkodrane ishte shumë e ndjeshme, madje, tani që vras mendjen kujtohem se në atë auditor nuk kishte as edhe një fytyrë gruaje apo studenteje nga Shkodra. Që në këtë qytet fanatizmi dhe qëndrimi i ashpër ndaj gruas është më i thellë se në çdo qytet tjetër të Shqipërisë e dija, po nuk e dija se deri ku kishin shkuar punët. Pasi dëgjova historira pa fund të pajtuesve të gjaqeve që spjegonin metodat e tyre pajtuese nëpërmjet përdorimit të vetë Kanunit i cili brenda tij lejonte pajtimin me rregulla të veçanta dhe pas një frymëzimi të përgjithshëm për të lëvduar vlerat e rralla të këtij monumenti madhështor të kulturës shqiptare, ndërhyra për të thënë dhe unë disa mendime, si e ftuar që isha. Thashë, pa e njohur mirë përbërjen e sallës, se Kanuni vërtet është një dëshmi e vetëorganizimit shqiptar dhe e dashurisë shqiptare për ligjin dhe rregullin e shoqërisë, por nga ana tjetër, ne duhet t’ja lëmë atë historisë e ta mësojmë në shkollë si një të kaluar dhe të mbështetemi tek ligjet e sotme të shtetit demokratik. Ligje që nuk të lejojnë të vrasësh, për arsye që sot tingëllojnë primitive si dhe për asnjë lloj tjetër arsyeje. Pra nuk kemi pse të përmendim Kanunin si një faktor pozitiv, se kështu ju ngulet njerëzve përsëri në mendje etj. Diçka duhet të kem ngatërruar edhe për trajtimin e egër që i bëhet gruas në këtë Kanun, por nuk mund të kujtohem me saktësi sepse në atë sekondë e në atë çast e gjithë prania mashkullore e sallës së universitetit të Shkodrës, ose pothuajse e gjitha, mu vërsul duke më ulëritur e duke më sharë. Kameramani mezi mbante duart për të mos më gjuajtur, disa burra gërthisnin duke thënë se do të më prisnin flokët, sipas zakonit të koritjes, mua që kisha guxuar kritikoja Kanunin. Ish prifti u mundua të zbuste gjakrat duke thënë se unë kisha cicëritur si zogu në kafaz duke kujtuar se Kanuni më mbyllte në atë kafaz, por në të vërtetë ai veç më jepte lirinë. Ja mbatha nga ai grupim i rrezikshëm duke thënë – me një farë guximi që e gërmova përmes frikës se mos kthehesha në Tiranë me pamje të ndryshuar – se pandehja që isha në besë në Shkodër, por ja që shkodranët e paskëshin harruar besën e broçkolla të tilla të tjera shpëtimtare dhe përfundova në një bar ku përpiqeshin të më mblidhnin mendjen gazetarët e rinj shkodranë që më kishin ndjekur pas. M’u deshën disa vjet të merrja përsëri rrugën për në Shkodër, për këtë qytet që e kam dashuruar përmes veprave të shkëlqyera të shkrimtarëve e poetëve të tij të jashtëzakonshëm, për humorin e tij të hollë e elegant dhe për qëndresën e dëshpëruar, po dinjitoze që i bën varfërisë, krimit, fanatizmit, shkatërrimit. Ishte ftohtë kur shkova, kët dimër, ftohtë dhe pa drita, po gratë që ecnin rrugës ishin aq të bukura dhe qeshnin me gjithë zemër për kushedi çfarë arsyesh. Dhe u ndjeva keq me veten që e kisha marrë aq seriozisht atë ndodhi. Mendova me stilin shkodran se burrat e atij seminari atë ditë kishin dashur të bënin shaka me mua dhe se duhej të rezistoja dhe unë, ashtu si ato gra që ecnin rrugës gjithë hir e kurajë.
Kultura mashkullore shqiptare fillon atëhere kur nis e zë fill edhe shteti grek me ndarjen e tij klasore e shoqërore. Në mitologjinë e lashtë shqiptare, si dhe në atë greke në agimet e qytetërimit, orët dhe zanat e maleve janë aktive dhe jo pasive siç do të ndodhë më vonë. Ato lahen në ujrat e kristalta të ujvarave dhe, ashtu si Artemida, ngrijnë në vend meshkujt që guxojnë të prekin sadopak privacy-n e tyre. Deri në ato kohëra këto perëndira tokësore e hyjnore janë krenare, zëmërake, të pavarura, ndëshkuese po të paraqitet nevoja. Më pas, sidomos me ardhjen e Krishtërimit dhe me atë të Islamizmit më vonë, zanat dhe orët u strukën në guva e shpella dhe nuk u panë më. Ato u zëvendësuan shekull pas shekulli nga motra të devotshme që lajnë plagët e vëllait tash nantë vjet dhe nga gra vetëm besnike. Mesjeta shqiptare nuk i njohu dhe nuk i afroi asnjëherë trubadurët, Tristanin dhe Izolitën, Këngët e Rolandit, dashurinë e ndaluar, tradhtinë bashkëshortore – pasojë e martesave të kombinuara për interes. Ajo vazhdoi të rënkonte me telin e vetëm të lahutës dhe me vajin e melodisë jugore situatën e saj të veçantë, ëndërrën për liri. Për hir të saj asnjë dëshirë tjetër nuk mund të merrej parasysh, asnjë dashuri, asnjë arratisje, asnjë e drejtë njerëzore. Në Veri, sipas Kanunit, vajza kur martohej nuk kishte të drejtë të merrte asnjë prikë apo pajë nga shtëpia e të atit. Ajo shkonte atje vetëm me sëndykun e rrobave të saj dhe në raste ekstreme me plumbin e famshëm në atë sënduk, me të cilin babai i jepte të drejtë dhëndërit t’ja vriste të bijën nëse ajo e tradhtonte. Asnjë grosh, asnjë copë tokë, vetëm një plumb. Edhe sot e kësaj dite, kur u nda toka dhe prona përsëri pas pesëdhjetë vjetësh kolektivizim, kam parë me sytë e mi vëllezër motrash që kanë rrëmbyer pronat e tokat dhe i kanë lënë këto motra me gisht në gojë. Si në Veri ashtu dhe në Jug. Dhe këta burra nuk e kanë njohur kurrë Kanunin, e kanë mësuar në shkollë siç kanë mësuar historinë e Mesjetës, janë kryeqytetas, durrsakë apo vlonjatë modernë, gazetarë, ish komunistë – antipronë private! Me ligj nuk munden ta zaptojnë, por ata shfrytëzojnë nënshtrimin e motrave dhe bindjen e tyre të vjetër, të ngulitur ndaj së drejtës mashkullore në familje. Opinioni, ky kontroll vigjilent do të ndiqte me vëmendje, me zhurmë dhe me bujë motrën që do të hidhte në gjyq vëllanë, që do ta mbronte ligji, por që do ta përbuzte opinioni. Në fshat, sipas një studimi që kemi bërë, shumë gjyqtarë as nuk i pranojnë gratë kur ato paraqiten për të zgjidhur çështje pronësie. Bini burrin, u thonë, ndryshe nuk e fillojmë praktikën, ndonëse burri është në emigrim dhe ligji parashikon njëlloj të drejtën mbi pronën si të burrit dhe të gruas.
Ky zaptim e kjo egërsi që ndodh tani kuptohet ku e ka zanafillën: tek lakmia për të patur sa më shumë para dhe prona. Kanuni shkundet e shpluhuroset për t’i ardhur në ndihmë kujtdo, veriorit që e kishte trashëgimi dhe jugorit që nuk e njihte. Nëse nuk shqiptohet asfare kjo fjalë, shpërthen agresiviteti mashkullor pa pikë përmbajtjeje dhe të thotë: ti ikë e merr prona nga burri yt. Unë jam djali, vetëm mua më takon pasuria e prindërve. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë! Dikur, mendoj se mohimi tërësor i pronës që i bëhej gruas shqiptare kishte lidhje të ngushtë me rrethanat. Të qepur pas maleve dhe copave të ngushta të fushave, aty ku i kishin shtyrë dyndjet sllave dhe ku i merrte frymën pushtimi turk, shqiptarët duhet të krijonin një sistejm mbijetese të ngjashëm me atë spartan. Ata nuk mund të pranonin luksin e vendeve të tjera evropiane që u jepte tokë e pronë vajzave pas maratese dhe ajo i baratëte ato në shtëpinë e burrit. Po sikur kjo vajzë të martohej me një serb, larg qoftë me një turk? Me një grek? Me një italian? Atëhere toka e paktë shqiptare do të copëtohej pak e nga pak, do të shuhej pak e nga pak, do të harrohej cila kishte qenë. Për të shpëtuar, ruajtur dhe mbrojtur identitetin e tyre të rrezikuar nga të katër anët, shqiptarët duhet të ndërtonin një familje të fortë. Një familje e tillë realizohet më mirë kur gruas i mbyllet goja. Dhe gruas në Shqipëri iu mbyll goja në shekuj, në Jug, në Veri, në Shqipëri të Mesme, ngado. Nuk kishte asnjë zonë ku mund të thuash se ajo ishte e lirë dhe e respektuar. Asnjë fe e ndjekur dhe e praktikuar nga shqiptarët nuk toleronte më shumë se tjetra. Të gjithë për një ide dhe për një qëllim: feja e shqiptarit është shqiptaria! Kjo parullë nuk ka të bëjë vetëm me bashkëjetesën e feve. Ajo shpreh sintetikisht atë që analistët do ta thurnin në dhjetra faqe. Ajo të thotë se përveç lirisë, përveç Shqipërisë, deri sa të kemi frymë do të ndjekim vetëm këtë dritë dhe këtë synim. Të tjerat janë vetëm sakrifica. Është shumë e kuptueshme pse burrat i shtypin gratë që ditën kur morën me forcë frenat në dorë. Këtë nuk e kam shpikur apo spjeguar unë po dhjetra e qindra studiuese e mijëra e mijëra zgjuarsi të grave të thjeshta popullore. Spjegimi i mësipërm që dhashë për punë të tokave e pronave është një spjegim, një element që është më i dukshëm në Shqipëri për shkak të një rrethane të caktuar, por nuk është as i vetmi, as kryesori për shumë popuj dhe vende të tjera, si as edhe për vetë shqiptarët, që si gjithë popujt e vendet kanë arsyet e ditura e të njohura pse i diskriminojnë gratë. Që kur nisën të shkruajnë, dymijë e ca vjet më parë, filozofët e hershëm u menduan mirë të përcaktonin qëndrimin e tyre ndaj grave, për ta lënë trashëgim. Superioriteti i burrit ndaj gruas është në interesin e përbashkët të familjes, shkruante i madhi Aristotel. Eskili këmbëngulte se gruaja i jepte jetë vetëm farës së mbjellë në të. Në Bibël, pavarësisht se prej saj zakonisht përmendet vetëm njeri version, thuhet edhe se në fillim Zoti e krijoi gruan nga Hiçi bashkë me burrin. Sipas versionit tjetër, të njohurit, ajo mbin nga një brinjë e burrit. Pra diskriminimi ka nisur pakëz më vonë, si gjithnjë, kur më i forti fizikisht ka zbuluar se falë kësaj force mund të mbante nën thundër gjysmën tjetër të njerëzve. Të dy versionet hyjnë në kontradiktë menjëherë me njeri-tjetrin, ashtu si dhe në mitologjinë e vjetër greke ku disa perëndi detyrohen të jenë të virgjëra për gjithë jetën (Athina, Artemida) dhe disa të tjera si Venera janë shëmbëlltyrë e dashurisë dhe e lirisë. Kundërshtia grua – burrë dhe beteja për mbizotërim nga ana e burrit ka nisur që herët. Nga ajo brinjë prej nga përfytyrojnë të krishterët se lindi gruaja, u nguros përjetësisht shprehja burrë e grua, mish e thua që në shqip tingëllon për çudi e për ironi si shprehje barazie, por që në gjuhët e tjera shpreh më shumë varësinë e gruas nga mishi i burrit, pjesë e të cilit, sipas tyre, ajo është. Megjithatë le të të ndalemi pakëz atje ku dhe shumë të tjerë janë ndalur. Eva merr mollën, e ha dhe ja jep dhe Adamit, i cili sipas gjithë burrave të penduar (!?!) të krishterë, mashtrohet dhe e kafshon. Ndonëse u mallkua për jetë të jetëve për këtë gjest natyror prej nga nisi koncepti i mëkatit fillestar, sepse u bë i vdekshëm sapo hëngri atë mollë, veprimi i Evës në vetvete është një gjest rebelimi e kurajoje, si Prometheu kur u rrëmbeu zjarrin perëndive. Dhe me sytë e mendjes shoh një grua ebree, në shkretëtirë, në endjet e pafundme drejt Tokës së Premtuar, në një natë gjithë yje, tek i rrëfen burrit të saj këtë përfytyrim dhe ai e shkruan duke nisur kështu kapitujt e parë të Biblës… Por, duke e interpretuar sipas qëllimit të tij dhe duke vulosur varësinë e burrit prej gruas. Krishterimi dhe ndërtuesit e tij që patën për bazë mësimet e Shën Pjetrit, e urryen trupin me forcë, ata jetuan nën tmerrin se mos binin pre e ndjenjave dhe e dëshirave trupore dhe, në këtë mes, gruaja u quajt si rreziku më i madh. Vetëm Zoti në të shpëtoftë në këtë rast, vetëm ai mund të mbytë në heshtje, shpërthimet tona të turpshme… Gazetari amerikan S. Sulzberger që udhëtoi nëpër Shqipëri më 1938 u habit dhe u trondit nga qëndrimi i shqiptarëve ndaj gruas, të cilës ja hapnin varrin më të thellë se burrit, meqë mëkatet e saj ishin më të mëdha. Dhe, po të ndjekim përsiatjet e filozofit të njohur Trolç do të arrinim në përfundimin (gjithnjë sipas tij) se barazia e vërtetë arrihet vetëm në prani të Zotit. Në kushtetutën e Napoleonit nuk kishin të drejtë vote fëmijët, debilët mendorë dhe gratë. Islami arriti deri aty sa dhe flokët e grave t’i quante rrezik provokimi ndjenjash të palejueshme, kështuqë duheshin mbuluar. Al Bukhari, një shkruesit dhe interpretuesit e hershëm të Kuranit, i kundërshtuar me forcë nga gruaja e fundit e Muhametit Aishja, përsëriste me dëshirë thënien e vjetër të ebrenjve: tri gjëra e sjellin fatin e keq: shtëpia, gruaja dhe kali. Hegeli, i respektuari dhe i papërsëritshmi hegel, thotë: Shteti është vokacion i burrit… dhe më tej spjegon gjerë e gjatë se si burri ka të drejtë të ketë aktivitete jashtëmartesore, kurse gruaja jo. Në mendjen e tij ka qenë plotësisht i bindur se nuk po shkruante asnjë fjalë të padrejtë ndaj qëniesh të tjera njerëzore. Ai jetoi për njeriun dhe për të ardhmen e tij shkriu mendjen dhe shpirtin, por kurrsesi nuk mund të kuptonte se po shtypte një pjesë të këtyre njerëzve që nuk ishin të zinj, apo të kuq a të verdhë, për të drejtat e të cilëve nuk ka asnjë dyshim se do të luftonte, por thjesht gra.
Kur kërkojmë të kuptojmë mosdenoncimet e dhunës seksuale, inçestet, heshtjet kokëforta të grave në raste të moskomunikimit të plotë seksual me partnerin, fshehjet e çdo lloj problemi të tillë nga familja dhe opinioni shoqëror (kontrolli) dhe në Shqipëri jemi ende në këto faza, na vete mendje tek këto fillime të qytetërimit të njeriut, i cili e nisi rrugën me dënimin e grave, për faktin e vetëm se ato ishin gra. Ndrydhja për të mos folur për erosin, as për tragjedira si dhuna seksuale qoftë edhe në shtëpi apo ajo inçestuale, e ka origjinën pikërisht tek ata burra të përkorë të lashtësisë që ndaluan dashurinë dhe lirinë në emër të disa arsyeve dhe parimeve të rëndësishme të asaj kohe dhe të kësaj kohe, që butësisht mund t’i quajmë la raison d’etat. Nëse Muhameti nuk e kaloi keq jetën duke u martuar sa herë deshi dhe me kë deshi, Krishti i kapërceu të gjitha përfytyrimet e përdëllimit hyjnor. Ai nuk u lidh me asnjë grua, nuk kërkoi dashurinë e asnjë gruaje, përveç asaj të Zotit, atit të tij dhe as nënën e vet nuk e përmendte. Qëllimi i tij ishte tepër larg jetës tokësore dhe synonte fitimin e botës hyjnore të përtejme.
Por, qëndrimi i Krishtit në këtë pikë është tepër i vështirë për t’u përballuar me analiza apo gjykime në këtë punim modest, prandaj nuk i hyj më thellë. Do të doja vetëm të kujtoja një episod të jashtëzakonshëm në historinë e luftrave të Muhametit kur sulmoi Mekën për ta islamizuar, një episod tepër simbolik, që do ta huaj nga Fatima Mernisi. Në ushtrinë kundërshtare drejtonte dhe një grua, Hind Bint’Utba, e cila u dënua me vdekje prej profetit kur pushtoi qytetin. Pas disa traktativash gruaja u fal, me kusht që të betohej për rregulla dhe urdhëra të Muhametit. Dhe, kur ai e urdhëroi atë të betohej se nuk do të kryente kurrë tradhti bashkëshortore, ajo iu përgjigj kokëlartë: Një grua e lirë kurrë nuk tradhton!
Sidoqoftë, këta dy burra dhe pasuesit e tyre që shndërruan botën, që hapën portat e një qytetërimi dhe të një filozofie të re, të miliona e miliona njerëzish që besonin dhe besojnë në ta dhe në sakrificën e njerit e në forcën e mëndjes së tjetrit, vepra e të cilëve përmirësoi në shekuj strukturat shpirtërore dhe racionale të njerëzimit dhe të drejtimit të tij, këta dy burra dhe pasuesit e tyre sollën përfundimisht dhe një vizion të pëcaktuar qartë për gruan, i cili në rastin e krishtërimit u përpunua më tepër prej institucionit të kishës se sa prej vetë Krishtit. Prej asaj kohe u shkruan dhe u lexuan në kisha të diel për të diel rregullat e urdhërat nënshtruese ndaj grave, prej atyre njëzetepesë vjet luftë të profetit mysliman dhe pasueseve të tij sot miliona gra myslimane janë të dënuara ta shohin dritën nga brimat e ferexhesë, pavarësisht se shumë studiues ngulin këmbë se qëndrimi i Muhametit ndaj grave ishte shumë më i zbutur se sa u interpretua më vonë. Si përfundim ç’kishte qenë e turbullt, rebele, e thënë, por jo e kthjellët, ç’ishte dëshiruar, ëndërruar, kërkuar dhe vendosur vende-vende nga burrat për gratë, u bë realitet i përgjithshëm zyrtar, i ndjekur, pëlqyer dhe i pranuar njëzëri nga miliona e miliona burra. Ata kishin tashmë kode të paprekshëm, me vulë hyjnore për të ushtruar shtypjen e tyre, thënë dhe me fjalë të bukura, kur duhej.
Shqipëria nuk bën ndonjë përjashtim nga kjo trashëgimi kulturore dhe nga kjo ideologji. Ajo është pjesë e saj, që në embrion. I ka ngjisur dhe bërë të vetat, ka qenë dhe vetë ngjizëse dhe formuese – sepse dhe në trevat e saj ndodhte dhe krijohej historia – të gjitha sinjalet që kanë lëshuar mitologjitë, kodet e feve, zakonet e Mesdheut dhe të Evropës. Ajo është vetëm ca vjet më prapa nga grekët, italianët dhe evropianët e tjerë në zbutjen e mashkulloritetit, për shumë faktorë dhe rrethana.
Së pari, jo si grekët dhe italianët dhe evropianët e tjerë, shqiptarët thithën dhe bënë të tyret ligjeet dhe rregullat për gratë e të dy feve të mëdha. Gratë shqiptare patën fatin e keq që t’u binin mbi kokë të gjitha rrufetë ndëshkuese të Biblës dhe Kuranit, pavarësisht se shqiptarët nuk ishin praktikantë të devotshëm. Kur vinte puna për gratë, burrave u ngjalleshin ndjenjat fetare. Nga ana tjetër, mund të mos praktikosh fetë si në kohë të komunizmit, por kultura shekullore dhe sjelljet e saj mbeten.
Së dyti në Shqipëri siç u përpoqa të sqaroja më lart, sipas meje, gruas nuk i duheshin dhënë shumë të drejta për shkak të forcimit të familjes, e cila duhej për identitetin kombëtar dhe mbrojtjes nga asimilimi, që e dëshironin vazhdimisht popujt fqinjë. Edhe sot në Kosovë është detyrë patriotike të lindësh shumë fëmijë, për t’i bërë ballë persekutimit dhe prirjeve të serbëve për t’i asimiluara e dëbuar shqiptarët. Këto janë rrethana dhe kushtëzime historike, por tepër të gjata në kohë, derisa shndërrohen në aksioma të patundshme, duke u harruar origjinën dhe arsyen e lindjes.
Së treti, sistemi i mbyllur shqiptar i socializmit real u përpoq të ndryshonte gjendjen dhe të ulte nivelet e agresivitetit mashkullor, por veproi në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë kontakt me botën e jashtme për të hyrë në enë komunikuese me të, duke ndalur kështu procesin e zhvillimit natyror të përparimit njerëzor, i cili kryhet në mënyrë globale dhe jo i veçuar. I veçuar asfiksohet dhe përpëlitet në zhvillime gjysmake. Brodeli, autori që ka studiuar dhe kuptuar mesdheun ndoshta më mirë se shumë të tjerë, e sheh si dukuri të rrezikshme ndërprerjen jo të natyrshme të zhvillimit urban të një vendi. Lënia e njerëzve në zonat rurale pa zhvillim, pa mundësi komunikimi me zonat urbane sjell vetëm pasoja negative. Këtë gjë bëri shteti komunist kur pengoi për pesëdhjetë vjet lëvizjen e lirë të njerëzve dhe fshatarët kurrsesi nuk mund të zbrisnin e të vendoseshin në qytetet, të përfitonin nga urbanizimi dhe zhvillimi i tyre. Tani habitemi pse ata u sulën brenda një çasti aluçinant drejt qyteteve, pse gati sa nuk i shkatërruan ata, pse u shndërruan në një turmë të dëshpëruar dhe agresive herë-herë. Kur qytetarët e revoltuar ngrejnë zërin për qytetet e tyre të mbushur me fshatarë dhe malësorë që ecin të hutuar dhe të trullosur nëpër bulevardet, më kujtohet Brodeli dhe më ndërmendet Maco Ce Duni që thoshte në ato sentencat e tij, të cilat atëhere na dukeshin qesharako-enigmatike: do vijë dita kur fshati të rrethojë qytetin.
HESHTJA E GRAVE VARËSIA E TYRE NGA BURRI
Shpirtin njerëzor të lashtët e përfytyruan të gjinisë femërore (Psiche) Forca e fjalës e gruas, ëmbëlsia, magjia, aftësia e përfytyrimit dhe e fantazisë së ndezur, pasuria e madhe e dashurisë që mbush plot e përplot qënien e saj, dhënia e jetës duhet t’i kenë trembur shpejt burrat që nuk reshtën së ngrituri mure kështjellash rreth saj, së thurruri ligje dhe kanune. Shumë heë më duket sikur shpirti (në gjuhën shqipe është i gjinisë mashkullore) i cili lidhet me koncepte të tilla si dashuria, mëshira, liria, është ai që ata përpiqen të mposhtin dhe të mundin tek gratë. Prandaj dhe kanë arritur deri atje sa dhe disa të shprehen se gruaja është një qënie pa shpirt. Që mundohen ta mposhtin dhe në vetë veten e tyre kur e ndjejnë se i pushton dhe i rrëmben. Kaq shumë jemi rritur dhe edukuar me bindjen ndaj forcës mashkullore dhe ndarjes së cilësive apo ndjenjave në mashkullore dhe femërore (ëmbëlsia, dobësia, mëshira etj., femërore; hakmarrja, forca e karakterit, fshehja e ndjenjave, ashpërsia – mashkullore) sa e kemi nganjëherë të vështirë të pranojmë femëroritetin tek burrat. Përgjithësisht vajzat e reja shqiptare tërhiqen nga një kult klasik i mashkullit të fortë, mospërfillës, të vështirë e ndoshta edhe brutal. Nën vellon e një romantike të gënjeshtërit ky brutalitet duket sikur fsheh një shpirt të ashpër, por të mrekullueshëm. Vërej se edhe vajzat shqiptare që studiojnë jashtë vendit shprehen se nuk i tërheqin shumë djemtë e atjeshëm: janë si goca, thonë. Ato janë rritur dhe mësuar të shohin modelin e burrit të rëndë, për të mos thënë të egër, të babait me rol komandues, të vëllait vëzhgues dhe nënshtrues, të djalit që duhet të jetë i fortë dhe të femrës së dobët, të varur prej tij. Natyrisht, sapo lidhen me një model të tillë, ëndërrat romantike veniten shpejt e shpejt bashkë me freskinë e fytyrës, zëvendësohen me vuajtje e rënkime dhe me sy të nxirë nga grushtat e shpullat. Është i ngulitur kaq fort tek shqiptaret ky kult i mashkullit të fortë sa është e vështirë t’i bindësh se forca nuk qëndron tek ashpërsia e zërit, por tek zgjidhjet që njeriu i jep jetës dhe tek lumturia që u dhuron të afërmëve të tij. Një burrë që rreh gruan dhe që rron mbi kurrizin e saj e me punën e saj, është një burrë i dobët. Një tjetër që i krijon gruas ngrohtësi dhe dashuri në shtëpi, që nuk ja kufizon lirinë, që e ndihmon t’i zgjidhin bashkërisht hallet e jetës është një burrë i fortë. Por këtë gratë e kuptojnë shumë vonë, pasi janë martuar dhe kanë lindur fëmijë, kur divorci bëhet shumë më i vështirë dhe kontrolli shoqëror më i vëmendshëm. Në këtë çast kur jeta u duket një botë e zezë dhe pa zgjidhje ato nuk e shohin më si femëror burrin e ndonjë shoqes me të cilin ishin tallur e qeshur në vitet e fejesës. Këtu dalin përsëri në skenë nënat, të cilat tradicionalisht ushqejnë tek bijtë ndjenja nxitëse maskiliste me ndarjen e punëve dhe me luftën e vendosur që bëjnë kur vërejnë tek biri ityre shenja “dobësie” femërore ndaj një dukurie të caktuar. Janë pa fund rrëfimet e grave për ngjarje të tilla: burri i sapomartuar dëshiron ta ndihmojë gruan e tij në pastrimin e shtëpisë, mbajtjen e fëmijës apo larjen e enëve dhe pazarin, por nëse atë çast hyn në dhomë nëna e tij dhe e sheh me bebe në dorë, aq më zi me fshesë a me kusi për të larë, do të pëlcasë patjetër sherri kundër nuses si e pazonja t’i bëjë punët vetë e që i kërkon ndihmë burrit. Ai nuk do ta përsërisë më gabimin e ndihmës dhe nusja nuk do ta kërkojë më atë ndihmë që shoqërohet me pendimet e tij dhe me grindjen e së vjehrës. Gratë kështu i rikthehen heshtjes dhe varësisë. Vetëm nëpër filma kam parë burra që të vuajnë se i ka lënë e dashura. Në jetë ndodh përgjithësisht e kundërta. Në jetë gruaja kërkon vazhdimisht të jetë e pëlqyeshme për burrin, fizikisht dhe shpirtërisht. Ajo duhet të jetë e denjë për të. Gjithë revistat për gratë janë të mbushura me këshilla dhe metoda se si t’i biesh në sy burrit, si t’ja bësh që ta mbash atë mos të të lërë, duke ushqyer kështu në një mënyrë të tërthortë e padiskutueshme varësinë e gruas ndaj burrit. Spektaklet e miss-eve nuk janë gjë tjetër veçse simboli më i fortë i kësaj varësie të cilën vetë gratë e pranojnë pa u fyer. Kur më në fund Shqipëria hapi dyert ndaj botës, shpërtheu edhe moda e misseve. Jo vetëm njerëzit e shihnin spektaklin vjetor të Miss Albanias – të financuar dhe zhurmuar në përmasa të mëdha – të përsëritur disa herë në vit në kanalin televiziv shoqëror, por miss-i organizohej në të gjitha nivelet: në shkolla të mesme e universitete, në shkallët e pallateve të banimit, në kopshtet e kalamajve, në lagje dhe në fshatra. Dhe nëse ndonjë shoqatë grash do të belbëzonte diçka rreth shndërrimit të gruas në objekt seksi e tregtie do t’i suleshin duke e akuzuar si komuniste, të vjetëruar, prapakthyese, jomoderne, joperëndimore!
FEMËRORITETI
Gjatë sistemit komunist thuhet se mashkulloriteti është kërkuar dhe nxitur tek gratë. Mendoj se në Shqipëri ka patur dy faktorë përcaktues për këtë. Së pari, ka ekzistuar – siç e përmenda më sipër – tradita vendase shekullore e adhurimit të gruas trime, që zëvendësonte burrin apo vëllanë e vrarë në luftë apo që normalisht merrte pjesë në betejë. Në rastin ekstrem kemi dhe ato që mohonin seksin e tyre dhe visheshin si burra. Por nëse këto përfaqësonin sjellje të tejskajshme ehe jo të përditshme, përsëri femëroriteti nuk shihej me sy të mirë nga shoqëria shqiptare. Ajo vazhdimisht e ka dhunuar atë përmes qëndrimit të saj shumë të egër. Një vështrim i vëmendshëm vetëm i valleve dhe i poezisë popullore të bind për këtë. Në përgjithësi vallet popullore të ballkanasve, të ndikuara nga koreografia dhe melodia orientale, e ngjizur mbi atë tradicionale tepër të lashtë greko-iliro-trako-maqedonase, janë të përshkuara nga elementë erotikë në lëvizjet dhe ritmet e tyre, po të kemi parasysh tundjet e gjoksit, belit, etj. Asnjë lëvizje e tillë e ngjashme nuk verifikohet në vallet e grave të të gjitha krahinave. Ato të veriut, të gjalla, dinamike dhe të fuqishme janë të një bukurie të rrallë, si të shpërthyera nga vetë ashpërsia dhe magjia e maleve ku dhe kanë lindur; ato jugore kanë një hijeshi dhe dinjitet të veçantë, një qetësi e meditim që shtrihet mbi fushat e punuara, lumenjtë e argjendtë dhe kodrinat e gjelbëra. Lëvizjet, në të dy këto tipe vallesëh përqëndrohen në këmbët dhe duart, busti dhe mesi nuk lëviz. Madje edhe në vallet tiranase dhe të Shqipërisë së Mesme ku ndikimi turk ka qenë shumë më i ndjeshëm dhe ku muzika e ritmi i valleve është dukshëm i huazuar nga ato turke, vemë re se “vallja e belit” aq e njohur orientale, nuk ekziston. Gratë, të veshura me dimite, kryejnë rrethore, vijnë rrotull burrit të shtrirë përgjysëm në shesh i cili shpreh dëshirën e adhurimin e tij ndaj femrës e ajo përkulet me ëndje e elegancë, por nuk e lëviz as gjoksin dhe as belin si në modelin oriental nga i cili është përpunuar e “shqipëruar” kjo koreografi. Dhe këto valle që ekzekutoheshin vetëm nëpër dasma apo raste të tjera tepër tepër të rralla janë kulmi i lejuar i femëroritetit në shoqërinë shqiptare. Bukuria pranohej ajo natyrore dhe nuk njiheshin të fshehtat e ruajtjes së saj siç i njohin edhe gratë në fshatrat më të humbura të Orientit. As nuk përpunoheshin kremra me bimë e lëndë të tjera, as nuk nxitej kjo dëshirë nga nënat tek bijat. Trupi, fytyra, flokët, plakeshin natyrshëm, me kalimin e moshës, pa asnjë përpjekje për të zgjatur rininë; dyzetvjeçarja mendohej e moshuar, ndërsa joshja, koketëria, sjellja e dukshme femërore shihej me sy të rëndë nga ana edhe e vetë grave. Nuk ekzistonte asnjë edukim “femëror” nga nënat për bijat, përveç përgatitjes së vajzës për martesë. Dhe kjo përgatitje bëhej vetëm për betejën që atë e priste në shtëpinë e burrit. Ajo duhet të ishte amvisë e përkryer, e përmbajtur deri në vetmohim, e palodhur, e shëndetshme, pritëse dhe përcjellëse e sjellshme e fisit të burrit dhe nënë e përsosur. Ai është fati yt, nuk e ndërron dot, psherëtinin nënat, gjyshet, tezet dhe hallat për çfarëdolloj problemi të vështirë që i dilte vajzës së re gjatë asaj beteje të pambarimtë që quhej martesë. Kjo mungesë përgatitjeje vazhdoi edhe për brezin të cilit unë i përkas, i lindur shumë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, pra me nëna të dala nga një luftë çliruese jo vetëm kundër fashizmit, me një frymë të re në ndërtimin e një shoqërie që ato e përfytyronin të ndryshme nga ajo që sapo kishin lënë pas, as ky brez pra, nuk e njohu gjithashtu këtë përgatitje.
Së dyti, ndalesa e ashtuquajtur e femëroritetit që u orientua gjatë socializmit real, nuk ishte ndonjë urdhër i shkruar apo ligj i vendosur në parlament. Shoqëria shqiptare e ndërtimit socialist ndiqte modelet e vendeve të tjera socialiste, sidomos atë të Bashkimit Sovjetik. Të gjithë i mbajmë mend figurat e grave sovjetike nëpër pllakate e filma. Kolkozianet, stakanovistet e heroinat e atij vendi të paanë kishin fytyra të gjera, të kuqe nga dielli apo nga flaka e saldatriçes dhe këmbë e duar me muskuj. Ato ishin simboli i jetës së re që i kushtohej punës, atdheut, socializmit, idealit dhe jo vetvetes. Por ruset e gjalla, të martuara me shqiptarët gjatë studimeve të tyre në BS ishin tjetërsoj dhe jo si nëpër pllakate. Ato ishin, të bukura, elegante, të ëmbla, femërore. Ky kontrast ishte i njëjtë dhe për shqiptaret. Në pllakatet e pikturat e realizmit socialist ajo paraqitej sipas modelit sovjetik, këmbëmëdha e fytyrëkuqe, flokët rrasur e lidhur pas qafës, shikimin e vendosur drejt së ardhmes, drejt horizontit komunist. Në bulevard, në shtëpi dhe në shkollë a në Universitet gruaja ishte ndryshe; ishte e këndshme dhe e butë, e bukur dhe tërë etje për t’u dukur edhe më e bukur. Më kujtohet mbrëmja e parë e vallzimit në fakultetin e filologjisë ku kisha nisur studimet e larta. Duhet të përgatiteshim, por nëpër dyqane nuk ekzistonte asnjë prodhim që të ishte i përshtatshëm për një tualet mbrëmjeje. Sigurisht për vajzat asokohe nuk lejohej lyerja e buzëve me të kuq, por mund të vihej pak krem në fytyrë dhe kremra nuk kishte përveç një kremi që quhej Bukuria dhe që ishte i trashë dhe i fortë si gëlqere. U lyem të gjitha në fytyrë me të njëjtin kremtu, pasi kishim laraë flokët me sapunin e vetëm që ekzistonte atëhere për rroba, fytyrë dhe duar dhe që përmbante sodë pa fund. Hodhëm pak parfum që babai i një shoqes e kishte sjellë nga një udhëtim nga Franca dhe pastaj lyem qepallat. Por jo me rimel, se ai nuk gjendej dhe nuk qe parë ndonjëherë në magazinat shqiptare – e shihnim vetëm nëpër filma e nëpër reklamat e televizionit italian – por me bojë të zezë këpucësh, të cilën e merrnim me kujdes me fije shkrepseje dhe që rrezikonte të na binin të gjitha qepallat.
Femëroriteti mund të ndalohet, mund të mos aprovohet, mund të shihet shtrembër, por ai është pjesë e shpirtit të gruas, e cila, instinktivisht lufton për ta patur në qënien e saj edhe kur i duket se po zbaton me rigorozitet rregullat e shoqërisë. Sistemi komunist në Shqipëri nuk e ndaloi kurrë femëroritetin shprehimisht, por nuk e nxiti, përkundrazi, nxiti modelin mashkullor, gjë që nuk mund të arrihej plotësisht. Asokohe qarkullonte edhe një barcaletë fyese për gratë shqiptare, e shpkur nga burrat, si shprehje e pakënaqësisë së tyre ndaj kësaj prirjeje të tepëruar dhe e mungesës së sendeve elementare që i duhen një gruaje për t’u ndjerë mirë në paraqitjen e saj. Ishin dy burra me shërbim në Paris dhe pranë tyre kaloi një qënie njeriu erëmirë. Njeri nga burrat ktheu kokën dhe e ndoqi pas me sy atë qënie. Ç’iste ajo gjë? I tha shokut me kureshtje. Eh, femër, vëlla, femër, psherëtiu tjetri… Por gratë nuk u zemëruan me këtë barcaletë. Ato e tregonin dhe vetë dhe qeshnin bashkë me burrat.
Sidoqoftë unë nuk mund të bashkohem me ekzagjerimet që i bëheshin kësaj dukurie nga shumë njerëz që duan të shajnë me sa më shumë fuqi regjimin e kaluar dhe që thonë se nuk lejohej i kuqi i buzëve, gratë detyroheshin të visheshin si bura, se u ndalua me urdhër femëroriteti e të tjera të tilla. Nuk u ndalua asgjë, por nuk kishte asgjë. Gratë e martuara mund të lyheshin sa të donin me të kuqtë e buzëve të cilësisë së dobët që shitej nëpër dyqane dhe mund t’i bënin flokët permanent nëpër floktore, pavarësisht se në vend të llakut fiksues i lyenin me birrë që t’u qëndronte forma dhe binin erë si pjatë me biftek kur të afroheshin. Bigutina gjeje ngado, por të lintat ishin prej kambriku të fortë të Kombinatit të Beratit apo të atij “Stalin” dhe të vrisnin kur i vishje. Ne i qepnim rrobat tek rrobaqepëseet private, shumë herë në fshehtësi, duke shkuar natën, sipas valëve të revolucionit. Shumë herë pa ndrojtje dhe haptaz. Kur revolucionit i binte vigjilenca dhe ja merrte pak me gjumë, lulëzonin mjeshtëritë e vogla private si rrobaqepësit, mamitë e aborteve ilegale, prodhimet e kopshteve personale të fshatarëve që vinin e na sillnin vjedhurazi mish, djathë, vezë, dru, duke fituar kështu të gjithë këta diçka më tepër nga rroga e vogël e shtetit dhe qytetari kishte diçka më të bukur e origjinale në trupin e tij apo në shtëpinë e tij. Kur revolucioni ashpërsohej, si në rastin e ndikimit të revolucionit kulturor kinez, për ta zhdukur deri në rrënjë pronën private, zhdukeshin fshatarët mëngjeseve nga trotuarët ku shfaqeshin më parë, me gjithë majdanozin e hudhrat e tyre, tulateshin rrobaqepësit e qepnin vetëm për shtetin në repartet shtetërore dhe pranonin vizita private vetëm natën, visheshin më keq gratë nëpër mbrëmjet e vallzimit, psherëtinin më shumë burrat dhe gratë tek shihnin me perde të mbyllura shkëlqimin e jetës perëndimore që vetëtinte si parrajsë në televizionin italian dhe që krijonte imazhe të rreme. Në çastet ashpërsuese ndalohej për shembull minifundi për vajzat dhe flokët e zgjatura pas qafe të djemve. Për ters, në vitet shtatëdhjetë në Evropë shpërtheu moda flokëgjatë për djemtë e cila nuk mund të mos imitohej dhe në Shqipëri, por ato flokë të gjata ishin për ideologjinë shqiptaro – moralisto – komuniste shembull i degjenerimit dhe i degradimit perëndimor, si dhe shkurtimi i fustaneve. Shteti nuk jepte asnjë urdhër zyrtar, por nxiste organizatat e masave, veçanërisht atë të rinisë e cila ngrinte grupe revolucionare për të kapur rrugës vajzat me minifunde dhe djemtë flokëgjatë të cilët pastaj demaskoheshin nëpër shkolla a qendra pune dhe karikaturoheshin e turpëroheshin nëpër fletërrufera. Morali konservator shqiptar, i trashëguar në shekuj e aprovonte me shpejtësi këtë qëndrim që vinte prej shtetit dhe partisë së punës. Baballarët, të tmerruar dyfish – nga prishja e moralit të pastër shqiptar dhe nga rreziku se mos i demaskonin nëpër mbledhjet e partisë ata vetë, nisnin një luftë të egër brenda familjes. U masnin centimetrat e pantallonave vajzave dhe djemve (nuk duheshin të kapërcenin 22 cm gjerësi dhe të ngjanin kauboj), nuk duhet të ishin tepër të ngushta te gjuri, nuk të lejonin të dëgjoje radiot e huaja, të shihje televizionet e huaja, të detyronin të prisje flokët, të zgjasje fustanin. Më kujtohet, siç i kujtohet gjithë Tiranës së atyre viteve historia e atij djalit që kthehet në shtëpi dhe i ati, ushtarak, nis e e qorton i dëshpëruar pa masë. Në një mbledhje ushtarakësh, në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës, zyrtari i lartë, ministri a anëtari i byrosë që drejtonte mbledhjen, shquan në atë sallë ushtarakun fatkeq. Ja një baba i degjeneruar i një të riu të degjeneruar, e sulmon ai këtë oficer të gjorë e anonim, të cilit as i kishte shkuar mendja kurrë se djali i tij, për shkak të flokëve të lëshuara pakëz mbi qafë, ishte bërë i njohur në rrethet më të larta të hierarkisë ushtarake. Ndoshta jo pikërisht me këto fjalë, por me të ngjashme, oficerit iu mor nderi në sy të të gjithë kolegëve dhe eprorëve të tij dhe mbase do t’i kishte pushuar në vend zemra nga infarkti si atij nëpunësit të vockël të Çehovit kur i bërtiti gjenerali, por në Shqipëri ndodhi edhe më keq. Burri kthehet në shtëpi i dërrmuar e i zëmëruar, grindet me të birin, nga diku del një armë se ishin shtëpi ushtarakësh, nëna hyn në mes për të mbyllur sherrin dhe merr në gjoks plumbin gabimisht. Dhe vdes.
Gjithnjë më kujtohet ai episodi i famshëm midis Zhan Pol Sartrit dhe Simonë de Bovuarit ose më saktë ajo bisedë e tyre që u shndërrua në një fakt historik sepse u bë shkas për lindjen e Le Second Sexe. Ajo, e rritur dhe e formuar me një ndjesi pavarësie dhe barazie të fortë nuk ndjehet e diskriminuar në jetën e saj dhe ai i përgjigjet “Unë nuk jam dhe aq i sigurt”. Po ashtu mbetet si një slogan për të gjitha gratë e botës këmbëngulja e Virgina Voolf se çlirimi ekonomik do t’i jepte gruafs mundësinë të studionte, të shkruante, të ishte plotësisht e pavarur. Në Shqipëri ne ndodhemi tashmë para problemesh përgjithësisht mjaft të ngjashme me ato të botës perëndimore. Në kuadrin e gjerë të një evolucioni të ngadalshëm të përparimit drejt barazisë ne po luftojmë me feminizimin e varfërisë, rikthimin e analfabetizmit, mënjanimin nga jeta politike dhe shoqërore. Nga ana tjetër lindja dhe konsolidimi gjatë këtyre dhjetë vjetëve e një lëvizjeje të gruas mjaft interesante, të larmishme, bashkëpunuese dhe me nivele e standarde evropiane, është gjithnjë një shpresë jo e vogël. Kjo lëvizje përmes grupeve të saj po shtrihet në të gjithë vendin… Por synimi i këtij libërthi nuk ishte të flisja për organizimin e gruas në Shqipëri rreth së cilës duhet shkruar veçan dhe shumë gjerësisht për të kuptuar forcën e gruas shqiptare dhe dëshirën e saj për t’u organizuar e ndikuar në shoqëri. Synimi im ishte vetëm një përpjekje për të dhënë një pasqyrë të dukurive të shkuara e të sotme që ndikojnë në situatën e gruas shqiptare. Për të ndarë bashkë me lexuesin mbresat dhe përshtypjet, emocionet dhe trishtimet që më kanë ndjekur gjatë viteve të punës brenda kësaj lëvizjeje.