EDITORIAL – Nr. 6
Lëvizja e grave në Kosovë – të arriturat dhe defektet
Sa herë që prekim këtë temë duhet të jemi të vetëdijshëm se termi “lëvizje e grave në Kosovë” edhe mund të jetë i diskutueshëm, në kuptimin që një lëvizje karakterizohet me përpjekjet e një grupi për të arritur një qëllim të caktuar, e që në këtë rast do të ishte, më shumë të drejta dhe hapësirë më të madhe publike për gratë. Fakti që nisma e kësaj lëvizjeje përkon me fillimet e lëvizjes politike nacionale, në vitet 89-90, tregon që nisma e lëvizjes së grave në Kosovë është shumë komplekse dhe nuk është shumë e thjeshtë të definohet.
Te ne kjo lëvizje nuk lind sikur në vendet tjera europiane apo Amerikë e më gjerë. Këtu lind së bashku me lëvizjen nacionale dhe politike të të gjithë popullit, kurse në vendet tjera jemi mësuar ta shohim lëvizjen e grave si lëvizje separate që lind e shkëputur nga këto lëvizje politike apo nacionale. Me këtë konsiderojmë se lëvizja e grave në Kosovë ka një nismë specifike të veten. Këtë sa për ta zbutur pak, sepse, po ta shikojmë hollë- hollë, mund të thuhet se lëvizje të grave në Kosovë në pjesën më të madhe të këtyre viteve nuk ka pasur fare. Në kuptimin që ky term ka në botë. Këtu ka pasur pjesëmarrje të grave në lëvizjen popullore e nacionale që na del se është krejtësisht diçka tjetër. Synimet e grave në atë lëvizje aq të përgjithshme nuk vërehen, nuk dalin mbi sipërfaqe, mbesin pjesë e synimeve të përgjithshme. Kërkesat e grave mbesin pa zë. Duke qenë të këtilla këto mbesin në mëshirën e liderëve dhe u ndahen me gram sa herë që e do interesi ‘kombëtar’ apo interesi i partisë.
Gratë në Kosovë duhet të bëjnë një hap tjetër. Duhet të bëjnë diçka të shpejtë në intelektualizimin e kësaj lëvizjeje me hapjen e debatit për të arriturat dhe defektet e saj sepse konsiderojmë se pas një periudhe prej më shumë se një decenie ka ardhur koha që të shohim problemet, drejt, pa dorëza, pa glorifikime, pa mashtrime të vetvetes por edhe pa nihilizëm dhe mohim të rezultateve që me të vërtetë meritojnë të quhen të tilla. Konsiderojmë se debati do ta ndihmojë këtë lëvizje, sidomos qasja analitike dhe kritike duhet të na mësojë se pikërisht kjo është proces për përparimin dhe avansimin e kësaj lëvizjeje.
Sikur në çdo lëvizje të madhe shoqërore edhe këtu ka pasur gjithçka, prej angazhimeve amatoreske e diletanteske, involvimeve pirateske të profiterëve të ndryshëm që gjuanin fondet me një arrogance të paparë, e deri te angazhimet serioze të grave që kanë imponuar me seriozitetin e punës së tyre. Besojmë se që të gjitha këto manifestime duhet të jenë objekt analize ashtu që të forcohen anët pozitive po gjithashtu të flaken ato negative. Vetëm kështu mund të arrijmë që një proces tashmë të filluar ta zhvillojmë mëtutje dhe ta ngrisim në standarde më të avansuara.
Ka ardhur koha që të mos hezitojmë të angazhohemi në debat sepse vetëm kështu mund t’i kontribuojmë avansimit të lëvizjes. Duhet që të inkuadrohemi në debat, lirshëm dhe pa skepsë. Kështu dhe vetëm kështu mund të krijojmë kulturën e dialogut, kulturën e pozicionimit kritik dhe të guximshëm. Duhet të kemi guxim të ballafaqohemi hapur me ata që na ngushtojnë hapësirën po edhe duhet të kemi guxim t’i japim emër pengesave që i krijojmë vetë dhe që janë shfaqje që i kemi krijuar qoftë me angazhimin tonë apo me abstenimin tonë.