Censuruesit
Përkthyesi: Zef Simoni
I shkreti Juan! Një ditë e zunë befas, para se ta kuptonte se çka i qe dukur si fat ishte në të vërtetë vetëm lojë e poshtër e fatit. Gjëra që ndodhin kur nuk e ke mendjen dhe nuk ruhesh, siç ndodh shpesh. Juan-zeza e la lumturinë – ndjenjë që nuk duhet kurrë t’ia kesh besën – t’ia marrë mendtë kur mësoi nga një burim i fshehtë adresën e re të Mariana-s në Paris dhe mori vesh se ajo nuk e kishte harruar. Pa u menduar mirë, u ul në tryezë dhe i shkroi një letër, letrën që ia largon mendjen nga puna ditën dhe nuk e lë të flerë natën (ç’kishte shkruar, ç’kishte thënë në atë letër që i kishte dërguar Mariana-s?)
Juan-i e di se nuk do të ketë telashe përsa i përket përmbajtjes së letrës, ajo është e padëmshme, s’ka gjë të keqe. Po puna nuk mbaron me kaq. Ai e di se ata shqyrtojnë, nuhasin, gërmojnë dhe lexojnë midis radhëve të çdo letre, dhe kontrollojnë pikëzën më të vogël apo njollëzën më të rastësishme. E di se të gjitha letrat kalojnë dorë më dorë dhe u nënshtrohen lloj-lloj kontrolleve në zyrat e mëdha të censurës dhe se, në fund, vetëm pak letra arrijnë të vazhdojnë rrugën që kanë nisur. Zakonisht për këtë duheshin muaj, në mos vite, në qoftë se nuk del ndonjë ngatërresë; dhe gjatë gjithë kësaj kohe liria, ndoshta dhe jeta, e dërguesit, po edhe e marrësit, vihej në rrezik. Prandaj dhe Juan-i është i shqetësuar: nga mendimi se Mariana-s mund t’i ndodhë gjë për shkak të letrës së tij. Mariana-s, që më në fund duhet ta ndjejë veten të sigurt atje ku kishte ëndërruar gjithmonë të jetonte. Mirëpo ai e di se atë të Shtabit të Fshehtë të Censurës veprojnë në mbarë botën dhe përfitojnë nga ulja e çmimeve të biletave të avionit; ata asgjë s’i pengon që të arrijnë deri në atë lagje të humbur të Parisit, të rrëmbejnë Mariana-n dhe të kthehen në shtëpitë e veta të rehatshme të kënaqur që kanë kryer një mision fisnik.
Atëherë duhet t’i dalësh së keqes përpara, të bësh atë që të gjithë përpiqen të bëjnë: të prishësh makinën, t’i hedhësh rërë në rrotëza, t’i shkosh çështjes deri në fund në mënyrë që të jesh në gjendje të parandalosh atë që mund të ndodhë.
Ky ishte plani i mirëmenduar i Juan-it kur, si shumë të tjerë, bëri lutje për të hyrë në punë si censurues – jo se kishte ndonjë prirje a nevojë për atë punë: jo, lutjen e bëri vetëm që të kishte mundësi të kapte letrën që kishte shkruar vetë, mendim ngushëllues, sido që jo dhe shumë origjinal. E pranuan menjëherë, sepse censuruesit duheshin çdo ditë e më shumë, dhe askush nuk mori mundimin që të shqyrtonte hollësisht biografinë e tij.
Dega e Censurës mund dhe të dyshonte që lutja të ishte bërë për arsye që nuk kishin lidhje me punën, po s’ishte nevoja të tregohej shumë e rreptë me lutësit. Ata të Degës e dinin sesa e vështirë do të ishte për ata djem të shkretë të gjenin letrën që kërkonin, po dhe po ta gjenin, ç’rëndësi kishin një a dy letra, kur censuruesi i ri mund të kapte kushedi sesa të tjera? Kështu, pra, me qëllimin që i kishte vënë vetes, Juan-i arriti të hynte në Degën e Censurës së Zyrës Postare.
Jashtë, ndërtesa kishte një pamje të këndshme që binte në kundërshtim me hijen e rëndë që kishte brenda. Pak e nga pak Juan-i u rrëmbye i tëri nga puna dhe zuri ta ndjente veten të qetë ngaqë po bënte çmos të gjente letrën që i kishte dërguar Mariana-s. As nuk u mërzit kur, në muajin e parë të punës, e dërguan në Seksionin K, ku zarfat i kontrollojnë me kujdes se mos përmbajnë ndonjë lëndë shpërthyese.
Vërtet, që ditën tretë pasi kish filluar punë në atë vend, një shok humbi gishtin sa hapi një zarf, po shefi i Degës tha se i ziu e kishte pësuar thjesht nga pakujdesia. Juan-i dhe nëpunësit e tjerë u lejuan të rifillonin punën, sido që nuk e ndjenin veten fort të sigurt. Pas punës, njëri nga nëpunësit deshi të organizonte një grevë për të kërkuar ngritjen e rrogave për punë të rrezikshme për shëndetin, po Juan-i nuk mori pjesë; u mendua një copëherë, pastaj e paditi shokun te eprorët dhe kështu u ngrit në detyrë.
Të bësh diçka një herë s’do të thotë se e ke bërë zakon, tha me vete kur doli nga zyra e shefit. E kur e transferuan në Seksionin J, ku letrat i kontrollojnë me kujdes se mos kanë pluhur të helmuar, ai e ndjeu se kishte hipur një shkallë më lart.
Duke punuar me shumë zell, arriti shpejt të futej në Seksionin E, ku puna ishte edhe më interesante, se tani mund të lexonte dhe të analizonte përmbajtjen e letrave. Këtu mund të shpresonte që të kapte edhe letrën që kishte shkruar vetë dhe që, duke u nisur nga koha kur ishte dërguar, duhej t’i kishte përshkuar të gjitha seksionet dhe të ndodhej diku në seksionin ku punonte ai tani.
Nuk kaloi shumë dhe puna iu bë aq tërheqëse saqë nuk e kishte më fort të qartë qëllimin fisnik, për të cilin i pati hyrë. Nuk e shpëtonte pothuaj paragraf pa i hequr vijë me bojë të kuqe, dhe shumë letra i flakte pa mëshirë në koshin e materialeve të censuruara. Ishin ditë të tmerrshme. Gjithmonë habitej sesi ia bënin njerëzit për të gjetur rrugë të tërthorta e të stërholluara që të kalonin mesazhe subversive, dhe shqisat i qenë bërë aq të mprehta sa të shihte edhe prapa një fjalie të thjeshtë, të tillë si “moti nuk është i qëndrueshëm” ose “çmimet vazhdojnë të ngrihen”, dorën e dikujt që punonte fshehurazi për të përmbysur qeverinë.
Gjithë ai zell në punë bëri që të ngrihej lart e më lart. Po a e bënte kjo më të lumtur? Këtë nuk e dim. Në Sesionin B i binin në dorë shumë pak letra – vetëm letra që arrinin të kapërcenin pengesat e tjera – kështu që ai kishte kohë t’i lexonte e t’i stërlexonte, t’i kalonte në lupë, të shqyrtonte me mikroskop elektronik ndonjë shenjë që mezi dallohej dhe të përdorte shqisën e të nuhaturit aq shpesh saqë e ndjente veten të dërrmuar fare kur vinte koha të kthehej në shtëpi. Mezi ishte i zoti të ngrohte supën, të hante ndonjë frutë dhe binte në shtrat, i kënaqur që kishte kryer detyrën. E ëma e shihte e shqetësuar, po s’kishte ç’të bënte, s’e kthente dot në rrugë të mbarë. Sido që nuk ishte gjithmonë e vërtetë, ajo i thoshte: Lola të ka marrë në telefon, është në bar me vajzat, ato i ka marrë malli, të presin. Ose i linte një shishe verë të kuqe mbi tryezë. Po Juan-i nuk e tepronte kurrë: çdo teprim mund të bënte që të humbiste mprehtësinë mendore, dhe censuruesi që i thoshte vetes censurues duhej të ishte i hollë, i mprehtë dhe i zgjuar, gjithmonë gati për t’i kapur armiqtë. E kishin ngarkuar me një detyrë patriotike, dhe këtë duhej ta kryente me vetëmohim dhe përkushtim.
Shporta e letrave të censuruara që kishte pranë tryezës ishte më e mbushura në të gjithë Degën e Censurës, gjë që tregonte dhe mendjemprehtësinë e tij. Po bëhej gati të përgëzonte veten se kishte gjetur më në fund misionin e vet të vërtetë, kur më në fund i ra në dorë letra që i kishte shkruar Mariana-s. Natyrisht, nuk i erdhi fare keq ta censuronte si të gjitha të tjerat. Dhe natyrisht nuk bëri dot gjë që të mos e ekzekutonin mëngjesin e së nesërmes, një tjetër viktimë e përkushtimit në punë.