53.NUK DO TË MUND TA SHOH KURRË…
Më mirë të isha kallur nën dhe,
Sesa t’i shihja lotët ndër sy
E ta dëgjoja, kur qahej:
“Ç’farë tmerri! Ç’farë dhimbjeje!
Safo, po shtrëngohem të të braktis,
Kundër vullnetit e shpirtit!”
Dhe unë i thashë, për ta qetësuar:
“Shko, qofsh e lumtur, lamtumirë,
Më kujto, dhe mos harro sa të kam dashur!
Nëse e ke harruar do të të kujtoj,
Sa e sa të dashura që s’të vijnë në mendje,
Gjera që na e bënin jetën të gëzuar:
Kurorat që thurrja
Prej qindra lulesh
E t’i varja në qafën e brishtë.
Kurorat e hijshme të thurura
Manushaqesh e gonxhe trëndafilash,
Që t’i vendosja mbi flokë.
Varëset e sajuara me kujdes
Prej qindra lulesh,
Që t’i varja në qafën e njomë.
Vajin erëkëndshëm prej mire,
Kaq i rrallë dhe i denjë për një mbretëreshë,
Me të cilin të lyeja lëkurën e freskët.
Ndërsa në shtretët e butë,
Të shtruara nga duar të qeta vajzash,
Asnjë joniane nuk ishe kaq e nderuar.
Nuk kish asnjë kodër,
Nuk kish asnjë rrethinë të bukur,
Nuk kish asnjë rëke që të na ndante.
Dhe s’kish mbetur asnjë pyll në pranverë,
Ndër degët e të cilit dehej e çmendej bilbili,
Pa u shkelur nga këmbët tona!”