Lulja e shkretëtirës

Autorja: Waris Dirie

Përkthyesja: Luljeta Krasniqi

Familja ime i takonte një fisi barinjësh në shkretëtirën e Somalisë. Si fëmijë, liria që të përfitoja nga pamjet e natyrës, tingujt dhe aromat e saj kanë qenë një gëzim i pastër. Ne i shihnim luanët duke u rrezitur në diell. Vraponim me xhirafat, zebrat dhe dhelprat. I ndiqnim nëpë rërë hyraxes – kafshë me madhësi lepuri. Isha shumë e lumtur.
Gradualisht këto ditë të lumtura u zhdukën. Jeta u bë shumë e vështirë. Qysh në moshën pesë vjeçare e kuptova se çka do të thoshte të jesh grua afrikane, të jetosh në vuajtje të tmerrshme, të jesh plotësisht e braktisur.
Gratë janë shtylla e Afrikës; ato kryejnë pjesën më të madhe të punëve. Edhe sot gratë janë të pafuqishme të marrin vendime. Ato nuk kanë të drejtë të flasin, madje nganjëherë as për faktin se më kë do të martohen.
Që në kohën kur isha rreth 13 vjeç, qeshë e preokupuar me traditat afrikane. Nuk qeshë më vajzë e vogël. U rrita tepër shpejt. Përpara vetes nuk pata zgjedhje tjetër përpos vuajtjes. Pikërisht në këtë kohë unë pata vendosur të arratisem.
Rrugëtimi im i ankthshëm filloi atëherë kur babai më njoftoi se kishte përgatitur martesën time. Më duhej të veproja shpejt, i thashë nënës sime që unë doja të ikja. Plani im ishte ta gjeja tezen time, e cila jetonte në Mogadishu, kryeqytet, vend në të cilin unë s’kisha qenë kurrë. Derisa babai im dhe anëtarët e tjerë të familjes po flenin, nëna më zgjoi nga gjumi dhe më tha, “Ik tani”.
Unë shikova përreth, por nuk kishte asgjë për të marrë me vete, as ujë, as qumësht e as ushqim. Këmbëzbathur dhe e mbështjellur me një shall përreth, u nisa drejt natës së errët të shkretëtirës.
Nuk e dija se cili drejtim shpiente në Mogadishu, vetëm ngarendja. Fillimisht ngadalë, sepse s’mund të shihja asgjë. Por, duke u ndriquar qielli, unë ndihesha si sorkadhe. Vrapova me orë të tëra.
Kah mesdita pashë që isha këputur së udhëtuari, isha futur thellë në rërën e kuqe. Peizazhi shtrihej përpara deri në pafundësi. E uritur, e etur dhe e lodhur, ngadalësova hapat dhe fillova të ecja.
Derisa isha duke bluar në mendje se çka mund të ndodhte më tutje, papritmas dëgjova një zë, “Waris…Waris…” Zëri i babait tim kumboi përreth meje. U tremba. Nëse arrin të më zërë, e di se do të më martojë.
Megjithqë unë kisha marrë kokën nën sqetull, babai më kishte rënë në gjurmë, duke i ndjekur gjurmët e hapave të mi nëpër rërë. Ai ishte shumë afër tani.
Fillova të vrapoja. Shikoja mbrapa dhe pashë atë duke ardhur pas bregut.
Edhe ai më kishte diktuar mua gjithashtu. E tmerruar, vrapova shpejt. Më bëhej sikur ne të rrëshqisnim përmbi valet e rërës; fluturova përmbi breg dhe ai mbeti poshtë në tjetrin, prapa meje. Dhe kështu ne vazhduam me orë të tëra, derisa u binda që nuk jam duke e ndier për një kohë. Tanimë nuk më thërriste .
Vazhdova vrapin deri në perëndim të diellit dhe nata ishte shumë e errët saqë s’mund të shihja asgjë. Në atë kohë isha tepër e uritur dhe këmbët i kisha të përgjakura. U shtriva të pushoj dhe më zuri gjumi nën një lis.
Në mëngjes hapa sytë nën diellin e përcëlluar. U zgjova dhe vazhdova rrugën duke vrapuar dhe kështu kaluan ditë të tëra përplot me uri, etje, frikë dhe dhimbje. Kur binte errësira sa s’mund të shihja dot, ndalesha të pushoja. Në mesditë ulesha nën një lis dhe bëja një sy gjumë.
Gjatë njërës prej këtyre dremitjeve një zë i lehtë më zgjoi. I hapa sytë dhe u përballa me fytyrën e një luani. Provova të qëndroj, por nuk kisha ngrënë disa ditë me radhë, kështu që këmbët e mia të dobësuara lëkundeshin dhe nuk më mbanin dot. U mbështeta prapa drurit, i cili po më strehonte nga dielli i pamëshirshëm afrikan. Rrugëtimit tim të gjatë nëpër shkretëtirë i kishte ardhur fundi. Nuk frikësohesha fare dhe isha gati të vdes.

“Eja e më gëlltit”, i thashë luanit. “Jam gati”.

Macja e madhe më shikonte ngultas dhe sytë e mi ishin të mbërthyer në sytë e tij. Ai i lëpiu buzët dhe lëvizte para dhe prapa, përballë meje, në mënyrë elegante dhe duke nuhatur. Ai mund të më bënte copë-copë përnjëherë.
Përfundimisht ai u kthye prapa dhe vazhdoi rrugën tutje, s’kishte dyshim për të vendosur se unë kisha një mish të freskët, por jo të vlefshëm për t’u ngrënë.
Kur e kuptova që luani nuk do të më mbyste, kuptova që Zoti kishte në plan të bënte diç tjetër me mua, kishte një arsye, për të cilën më mbajti të gjallë. “Çka do të jetë kjo?”.Pyetesha sikur t’u shpallja luftë këmbëve të mia. “Më çoni në drejtim të duhur”.

Fëmijë shkretëtire

Para se të arratisesha nga shtëpia, jeta ime ishte e lidhur kryesisht rreth natyrës dhe familjes. Si shumica e Somalianëve, ne jetonim një jetë pastorale, duke rritur gjedhet, delet dhe dhitë. Në jetën e përditshme devet na mundësonin të jetonim, duke na dhënë qumshtin për të na ushqyer dhe shuar etjen, në atë pronë aq të madhe ku ishim shumë larg prej ujit.
Në mëngjes ne zgjoheshim me lindjen e diellit. Puna jonë e parë ishte ta lëshonim vathën dhe të mjelnim kopenë. Kudo që shkonim ne mblidhnim degë drunjësh për të thurur vathën për shtazët, për t’i mbrojtur ato natën.
Ne i rrisnim kafshët së pari për të marrë qumshtin nga ato si dhe për të bërë tregti me mallra. Derisa isha akoma vajzë e vogël, kisha për detyrë ta dërgoja kopenë prej gjashtëdhjetë deri në shtatëdhjetë dele e dhi në shkretëtirë, për të kullotur. Kisha një shkop të gjatë me të cilin vetë dilja bashkë me kopenë time, duke kënduar këngën time të dashur dhe duke i udhëhequr ato.
Askush nuk posedonte kullosa në Somali, prandaj unë detyrohesha vetë t’i zbuloja vendet ku kishte mjaft bimë. Derisa kafshët kullosnin unë kujdesesha t’i ruaja ato nga grabitçarët. Hienat mund të rrëmbenin në mënyrë tinëzare qengjat apo kecat, të cilët bridhnin për ushqim. Frika vinte edhe nga luanët gjithashtu. Ata gjuanin në tufa, derisa unë isha e vetme që kujdesesha për to.
Si edhe anëtarët tjerë të familjes sime, as unë nuk e kisha idenë se sa vjeçare jam; vetëm mund t’ia qëlloja. Ne jetonim me stinët dhe diellin. Planifikonim lëvizjet tona përreth varësisht prej nevojës për shiun, planifikonim ditët në mënyrë që ta shfrytëzonim sa më tepër dritën.
Shtëpia jonë ka qenë një lloj kasolleje me kupolë, e thurur prej barit dhe e ndërtuar me shkopinj; ka qenë afër gjashtë këmbë në diametër. Kur vinte koha të shpërnguleshim, të lëviznim prej aty, ne e çmontonim kasollen dhe e lidhnim atë në kurrizet e deveve. Pastaj, kur gjenim një vend të përshtatshëm me ujë dhe bimë e vendosnim atë përsëri.
Kasollja na ofronte strehë nga dielli përcëllues i mesditës dhe ishte vend për ta ruajtur qumshtin e freskët. Natën ne fëmijët flinim jashtë nën qiellin me yje, të përqafuar të gjithë së bashku në një dyshek. Babai flinte në njërën anë dhe gjithnjë ishte mbojtësi ynë.
Babai ishte shumë i pashëm, rreth gjashtë këmbë i gjatë, truphollë dhe më lëkurëndritur se nëna. Nëna ishte shumë e bukur. Fytyra e saj ishte si një skulpturë Modigliani dhe lëkura e saj qe e errët dhe e lëmuar si të ishte gdhendur në mënyrë perfekte nga mermeri i zi.
Qëndrimi i saj ishte shumë i qetë dhe i heshtur. Por, kur ajo fillonte të fliste ishte me humor jashtëzakonisht të mirë, na tregonte mahi dhe thoshte plot gjëra të marra vetëm e vetëm të na bënte të qeshnim.

Ajo ishte rritur në Mogadishu, ku familja e saj kishte qenë shumë e pasur dhe me autoritet. Babai, në anën tjetër, gjithmonë kishte bredhur nëpër shkretëtirë. Kur kishte kërkuar të martohej me nënën time, gjyshja ishte përgjegjur, “Kurrë jo”. Megjithatë, nëna në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare ishte arratisur dhe martuar me babain.
Nëna ime me dashuri më thërriste Avdohol, shprehje e saj që kishte kuptimin “gojëvogël”. Por ajo më pagëzoi Waris, emër ky që ne e përdorim për lulen e shkretëtirës. Në vendin tim nganjëherë nuk bie shi muaj me radhë. Vetëm disa gjëra të gjalla arrijnë të mbijetojnë. Por, kur shiu bie, menjëherë shfaqen lulet e shkretëtirës, të verdha e të shkëlqyeshme, kjo është një mrekulli e natyrës.

Si u bëra grua

MT: Në një kulturë nomade, siç është kjo në të cilën jam rritur unë nuk ka vend për vajzat e pamartuara. Pra, nënat e kanë detyrë kryesore t’i ruajnë bijat e tyre, në mënyrë që ato të kenë mundësinë më të mirë për t’u martuar.
Derisa në Somali mbizotëron vetëdija se ekziston diçka e turpshme midis këmbëve të vajzave, femrat konsiderohen të ndyera, të pangopura seksualisht dhe të papërshtatshme për martesë për derisa ato pjesë – klitorisi, buzët e vogla dhe pjesa më e madhe e buzëve të mëdha-të jenë mënjanuar. Në bazë të kësaj bëhet mbyllja e tyre duke i qepur dhe duke lënë vetëm një vrimë të vogël dhe një vrragë ku gjanitalet preheshin, në mënyrën që quhet infibulim.
Pagesa e një jevgeje për ta bërë këtë syneti femrash është një prej shpenzimeve më të mëdha që pëson familja, por kjo konsiderohet si investim i mirë. Pa këtë syneti bijat e tyre nuk mund të futeshin në tregun e martesës.
Hollësitë lidhur me ritualin e prerjes asnjëherë nuk u shpjegohen vajzave – ato mbeten mister. Ti vetëm mund të jesh e vetëdijshme se diçka jo e zakonshme do të ndodh me ty kur të të vijë koha. Si rezultat i kësaj, të gjitha vajzat e reja në Somali me shqetësim pritnin këtë ceremoni, e cila shënonte kalimin e tyre në vajza të rritura. Kryesisht ky proces ngjante kur vajzat arrinin kohën e pubertetit, por me kohë ai filloi të aplikohej në gjenerata të reja e më të reja.
Një mbrëmje, kur isha vetëm rreth pesë vjeç, nëna ime erdhi e më tha, “Babai do të sjellë një jevgë. Ajo do të vijë këto ditë”.
Një natë para synetisë sime, familja ime pati një përkujdesje të veçantë për mua, më përgatitën më tepër ushqim për darkë. Nëna më tha të mos pija shumë ujë ose qumësht. Unë rrija zgjuar me një shqetësim të madh, përderisa befasisht ajo qëndroi sipër meje, duke ma bërë me shenjë që të lëvizja. E rrëmbeva batanien e vogël që kisha pranë dhe ashtu e përgjumur, duke m’u marrë këmbët shkova pas saj.
Ecnim përgjatë shkurreve. “Tani do të presim këtu”, tha nëna dhe u ulëm në tokën e ftohtë. Dita agonte e shndritshme; pastaj unë dëgjova ritmin e hapave të sandaleve të jevgës. Më pastaj pa e ndier afrimin e saj, pashë se ajo po qëndronte pranë meje, “Ulu atje”, ma bëri me shenjë në drejtim të një shkëmbi të sheshtë. Nuk kishte asnjë fjalë mes nesh. Ai ishte kryekëput biznes. Nëna më ndihmoi të mbështetesha në shkëmb. Ajo qëndronte pranë meje dhe tërhiqte kokën time në gjoksin e saj, këmbët e saj lëkundnin trupin tim. Unë i mbështolla krahët rreth kofshëve të saj. Ajo mori një cope rrënjë nga druri i vjetër dhe ma futi në gojë, “Kafshoje këtë”, më tha.
Nëna, pastaj u përkul dhe më pëshpëriti në vesh, “Provo të jesh vajzë e mirë, e dashur. Bëhu trime për hir të nënës dhe do të përfundojë shpejt.
Unë nxorra kryet mes këmbëve të mia dhe pashë jevgën. Jevga plakë më shikoi ashpër, kishte një shikim vdekjeje në sytë e saj dhe pastaj kërkoi diçka në strajcën e vjetër të vet. Ajo kërkoi me gishtrinjtë e saj të gjatë brenda strajcës dhe nxorri jashtë një teh brisku të thyer. Unë pashë gjakun e tharë nëpër dhëmbët e tehut të mprehtë. Ajo e pështyu atë dhe pastaj e fshiu për fustanin e saj. Derisa ajo e pastronte dhe e fërkonte fort atë, bota m’u errësua përreth, ndërsa nëna me duart e saj prapa meje m’i mbante sytë e mbyllur.
Pastaj ndjeva prerjen e mishit tim. E ndieja se si tehu i thikës lëvizte poshtë-lartë për kushedi sa nëpër lëkurën time. Ndjenja ishte e papërshkrueshme. Unë nuk lëvizja fare, duke e bindur veten aq sa mundja, aq gjatë sa vazhdoi edhe tortura. Për fat të keq këmbët filluan të më dridheshin dhe të tundeshin në mënyrë të pakontrolluar dhe përnjëherë fillova t’i lutesha zotit, që të përfundonte sa më shpejt. Shpejt edhe u krye, sepse unë arrita ta mbijetoj.
Kur u zgjova dhe nëna m’i hoqi duart nga sytë, pashë se si jevga kishte grumbulluar pranë saj një tubë me ferra nga druri i akacies. Ajo i kishte përdorur ato për të hapur vrimat në mishin tim, pastaj kishte futur perin e fortë, të bardhë duke e kaluar nëpër vrimat e hapura në mënyrë që të më qepte. Këmbët e mia ishin krejtësisht të topitura dhe dhembja në vendin midis tyre ishte tepër e madhe, e vazhdueshme dhe në atë moment kisha vetëm një dëshirë, që të vdes.
Kujtesa ime zgjati deri në momentin kur i hapa sytë dhe pashë se jevga kishte ikur. Këmbët i kisha të lidhura bashkë, me një rrip rrobash, i cili më mbante lidhur nga nyjet e këmbëve poshtë e deri në kërdhokulla, prandaj s’mund të lëvizja dot. E ktheva kokën prapa për ta shikuar shkëmbin dhe pashë që ai ishte i mbuluar nga gjaku thuajse atje ishte therrur ndonjë kafshë. Copëra të mishit tim shtriheshin në të dhe thaheshin në diell.
Dallgë të zjarrmisë ma rrihnin fytyrën, derisa nëna dhe motra ime e madhe Aman, më zvarritën nën hijen e një kaçubeje, derisa ato përfunduan së rregulluari një strehë për mua. Ashtu ishte zakoni; një kasolle e vogël përgatitej nën një dru dhe atje më duhej të pushoja dhe ta merrja veten, për disa javë të ardhshme.

Pas disa orësh pritjeje, isha duke vdekur dhe asesi s’mund t’ia pakësoja vetes dhembjet. Atëherë e thirra motrën time, e cila më rrokullisi në anën tjetër dhe hapi një gropëz të vogël në rërë duke më thënë “Shtrihu këtu!”
Së pari ndjeva një dhembje të fortë djegëse, sikur të më digjej lëkura nga thartira. Pasi që jevga më kishte qepur, më kishte ngelur vetëm një vrimë për urinim dhe më vonë për ciklin menstrual. Ishte një vrimë tepër e vogël me një diametër të një fijeje shkrepse.
Derisa ditët kalonin shumë ngadalë dhe unë rrija e shtrirë në kasolle, u infektova rëndë dhe pata ethe të rënda. Isha venitur nga shëndeti. Nëna më sillte ushqim dhe ujë edhe për dy javët, që më kishin ngelur.
E shtrirë atje në vetmi, me këmbët akoma të lidhura, s’mund të bëja asgjë, por vetëm çuditesha, Pse? Përse duhej bërë e tërë kjo? Në atë moshë unë nuk dija asgjë për seksin. E tëra që dija ishte se unë isha masakruar me lejen e nënës sime.
Si rezultat i synetisë sime unë vuaja shumë, por megjithatë isha me fat. Shumë vajza vdiqën nga gjakderdhja e madhe, shoku, infeksioni apo tetanosi. Duke marrë parasysh kushtet në të cilat kryhej kjo procedurë, ishte çudi dhe mrekulli që disa nga ne mbijetonin.

Martesa

Kam qenë rreth trembëdhjetë vjeç, kur një mbrëmje babai erdhi e më tha, “Eja këtu”, me një zë të butë. Zakonisht, ai ishte shumë i rreptë, prandaj fillova ta ndiej një dyshim.
Ai më uli në prehërin e tij. “E di”, filloi ai, “ti ke qenë gjithmonë shumë e mirë”. Tani kuptova se diçka serioze do të ndodhte. “Ti ke punuar gjithmonë shumë sa çdo mashkull tjetër, je kujdesur mirë për bagëtinë dhe dëshiroj të të them se do të më mungosh shumë”.
Kur e tha këtë, mendova se ai po frikësohej se edhe unë do të ikë, siç iku motra ime Aman, kur babai e pat caktuar martesën e saj.

E përqafova fort. “Oh, baba, unë nuk jam duke shkuar askund”.
Ai më largoi pak, më vështroi ngultas në fytyrë dhe më tha; “Po, do të shkosh, e dashur”. “Ta kam gjetur burrin”
“Jo baba, jo!”, e tunda kokën. “Unë nuk dua të martohem”.
Unë isha rritur kryeneqe, e pacipë dhe e patrembur. Babai dëshironte të më martonte, derisa unë isha akoma mall i çmueshëm, sepse asnjë burrë afrikan nuk donte të sfidohej nga gruaja e tij. U ndjeva e lënduar shpirtërisht dhe e alarmuar.
Të nesërmen derisa po milja dhitë babai më thirri: “Eja këtu, e dashura ime. Ky është z. –“
S’dëgjova më fjalë tjetër. Sytë e mi u mbërthyen në njeriun, i cili ishte ulur dhe po mbahej në bastunin e tij. Ai ishte të paktën gjashtëdhjetë vjeç dhe kishte një mjekërr të madhe e të thinjur.
“Waris, përshëndete z. Galod”. (Emrat janë të ndërruar për ruajtje anonimiteti).
“Tungjatjeta”, thashë unë me një zë të ngrirë, sa mezi e mblodha.
Budallai plak vetëm ishte ulur atje dhe ngërdheshej duke më buzëqeshur. Unë e pikasa me trishtim. Shikoja nga babai im dhe kur ai pa fytyrën time, përdori taktikën e tij më të qëlluar duke më shporrur që andej, me qëllim që unë të mos frikësohesha nga burri im i ardhshëm. “Shko e kryeji punët e tua”, më tha ai.
Unë u ktheva te dhitë e mia.
Të nesërmen herët në mëngjes, babai më thirri dhe më tha “tani ti e di që ai është burri yt i ardhshëm”.
“Por, baba ai ishte shumë i vjetër!”
Besoj se kjo është një zgjedhje e mirë. Ai është i vjetër që të dalë e të sillet përreth. Ai kurrë nuk ka për të të lënë. Ai do të kujdeset për ty e çka është edhe më mirë, babai ngërdheshej krenarisht – ai do të m’i ofrojë pesë deve për këtë.
Unë kujdesesha për dhitë atë ditë dhe e dija që kjo ishte hera e fundit që po kujdesesha për kopenë e babait. E paramendoja jetën time me një njeri të vjetër në ndonjë vend të izoluar të shkretëtirës. Unë do të detyrohem t’i kryej të gjitha punët, derisa ai të çalojë përreth me bastunin e tij. Do të jetoj e vetmuar pasi ai të pësojë sulm zemre, apo do të detyrohem t’i rris katër apo pesë fëmijë pasiqë ai të vdesë.
E binda veten – kjo jetë nuk është për mua.
Atë natë, pasi që të gjithë shkuan për të fjetur, unë shkova te nëna ime, e cila ende po qëndronte zgjuar dhe i pëshpërita, “Unë dëshiroj të arratisem”.
“Shhh, Qetësi! Ku ke vendosur të shkosh?”
“Në Mogadishu”. Motra ime Aman ishte atje.
“Shko të flesh tani”. Shikimi i saj i ngurtë më thoshte se kjo bisedë ishte mbyllur.
Derisa unë po fleja, nëna e gjunjëzuar në tokë poshtë afër meje, në mënyrë të lehtë m’i lëkundi krahët. “Ik-Ik, para se të zgjohet ai”, më pëshpëriti ajo lehtë në vesh. Ikja ime përmes shkretëtirës tani po fillonte.
I ndjeva krahët e saj të më shtrëngonin fort përreth. Në dritën e ngrysur unë përpiqesha ta shikoja fytyrën e saj, provoja t’i ngulitja e gdhendja në mendje tiparet e saj. Pata planifikuar të jem e fortë, por nuk munda sepse u mbyta në lot dhe e përqafova fort.
“Çdo gjë do të jetë në rregull”, më tha ajo. Vetëm të kesh shumë kujdes. Kujdes! Dhe Waris…, të lutem, edhe një gjë dua të ta them. Mos më harro!
“Kurrë s’do të të harroj, Nënë”. Unë u largova nga ajo dhe vrapova nëpër errësirë.

MOGADISHU

Mogadishu, port detar në Oqeanin Indian, ishte qytet shumë i bukur atëbotë. Duke ecur, zgjatja kokën për të shikuar ndërtesat e bardha e të mahnitshme, të rrethuara me drunj palmash dhe lule të shkëlqyeshme e shumëngjyrëshe. Pjesa më e madhe e asaj arkitekture ishte e ndërtuar nga italianët, në kohën kur ky vend ishte kryeqytet i Somalisë Italiane, të cilët i sollën këtij qyteti një frymë mesdhetare.
Unë arrita atje disa javë pasi që u arratisa nga shtëpia. Përgjatë kësaj rruge të afërmit e mi më strehuan dhe më treguan lajme për Aman-ën, si dhe më dhanë para që t’ia dilja mbanë këtij udhëtimi. Së pari në qytet, unë e gjeta rrugën për tek fqinjët e motrës sime dhe pyeta disa gra në treg nëse e njihnin Aman-ën.
“Isha duke menduar se sa shumë ngjani”, thirri njëra prej grave. Pastaj ajo i tha të birit të më dërgonte tek shtëpia e Amanës. Ne ecëm përgjatë disa rrugicave deri sa arritëm tek një shtëpizë e keqe. Unë hyra brenda, e gjeta motrën time duke fjetur dhe e zgjova nga gjumi.
“Ç’po bën ti këtu?”, më pyeti ajo e shtangur, duke më shikuar sikur t’i isha fanitur në ëndërr. U ula dhe ia tregova gjithë atë që më kishte ndodhur. Më në fund kisha dikë, me të cilin mund të flisja dhe të kuptohesha. Ajo ishte martuar me një njeri të mirë, i cili punonte shumë.
Ata po prisnin fëmijën e tyre të parë.
Ishte një shtëpi shumë e ngushtë, dydhomëshe dhe ajo me gjysmëzemre u pajtua që të qëndroja aty aq kohë sa të më nevojitej. Unë e pastroja shtëpinë, i pastroja rrobat si dhe bëja blerjet në treg.
Më pastaj kur Amana lindi një vajzë të vogël shumë të bukur, unë vazhdova të kujdesem për të.
Prapseprapë një gjë shihej qartë, që unë dhe motra ime nuk kishim asgjë të përbashkët. Ajo sillej në mënyrë arrogante duke më trajtuar njëlloj si motër të vogël, ashtu siç më kishte lënë para pesë apo sa vitesh më parë.
Ne kishim edhe të afërm të tjerë, të cilët i kisha takuar në Mogadishu, kështu që unë shkova dhe trokita në derën e teze Sahrusë, motrës së nënës sime dhe e luta atë nëse mund të qëndroja tek ata për një kohë.
“Ti ke shoqëri këtu”, më tha ajo. “Nëse dëshiron të rrish je e mirëseardhur”.
Gjërat u nisën me të mbarë, më mirë se që i kisha paramenduar. Edhe një herë fillova të ndihmoja rreth punëve të shtëpisë.
Isha tepër e brengosur për nënën që e kisha lënë pa asnjeri t’i ndihmojë në punët e saj dhe një ditë mendova që një ndihmë sa do e vogël do të ishte, nëse do t’i dërgoja para.
Kështu vendosa të gjeja punë. U ndala pranë një vendi ku ndërtohej diçka dhe e binda përgjegjësin e atyre ndërtimeve se unë mund të punoja dhe ta përzieja rërën njëjtë si edhe meshkujt.
Të nesërmen në mëngjes filloi karriera ime si punëtore ndërtimtarie. Ishte e tmerrshme. Kujdesesha për ta bartur barrën me rërë në shpinë tërë ditën si dhe për ta përgatitur një masë të stërmadhe të përzier me duart e mia. Çdonjëri mendonte se do ta lë këtë punë menjëherë, por unë qëndrova aty duke punuar plot një muaj. Deri atëherë pata kursyer 60$, të cilat ia dërgova nënës përmes një të njohuri, por ajo kurrë nuk kishte parë asnjë peni nga ato.
Fillova ta pastroj shtëpinë e tezes përsëri, kur një ditë erdhi Mohammed Chama Farah, Ambasadori i Somalisë në Londër. Ai ishte i martuar me një tjetër teze timen, motër e nënës, e quajtur Maruim.
Derisa po mblidhja pluhërat përreth në dhomën tjetër, rastësisht dëgjova atë duke thënë se ka nevojë të gjejë një shërbëtore para se të fillonte misionin e tij katër vjeçar diplomatik në Londër. Ky ishte një rast i mrekullueshëm për mua.
Unë e hoqa me një anë teze Sahrunë dhe i thashë,”Të lutem pyete atë nëse unë mund të bëhem shërbëtorja e tij”.
Ajo u kthye prapa në dhomën tjetër, u ul pranë dhëndrit të saj dhe e pyeti qetë, “Pse nuk e merrni këtë? Është me të vërtetë pastruese e mirë”.
Tezja më thirri dhe unë brofa nga gëzimi në derë. Qëndroja me fshesën e pluhurit në dorë, duke përtypur një qamqakëz.
Ambasadori u ngrys në fytyrë.
U ktheva nga tezja ime dhe i thashë,”I thuaj këtij që unë jam më e mira”.
“Waris, shhh!” Ajo u kthye duke i thënë atij “Është akoma e re. Do të jetë shumë e mirë.
Xhaxhi Mohammed qëndroi ulur për një moment, duke më shikuar me neveri. Në rregull. Të jesh këtu nesër pasdite. Do të udhëtojmë për Londër.
Londër. Nuk e dija ku ishte ky vend, por e dija që është shumë larg prej këtu, aq larg sa unë dëshiroja të jetë.
Isha në ethe nga shqetësimi.
Të nesërmen xhaxhi Mohammed erdhi të më merrte dhe më dha pasaportën. Unë e shikoja e habitur letrën e parë me emrin tim të shënuar në të. E përqafova fort teze Sahrunë dhe i lashë lamtumirën.

Shërbëtore në Londër

Kur shoferi e ngau makinën jashtë aeroportit përmes trafikut të mëngjesit të Londrës, mua më mposhti një ndjenjë e pikëllimit, ndjenjë e vetmisë, në atë vend krejtësisht të panjohur, me asgjë tjetër përreth meje, përveq fytyrave të bardha e të zbehta.
Bora e bardhë binte në trotuare, e lehtë ashtu siç rrëshqisnim edhe ne përmes lagjes luksoze me plot shtëpi. Kur u ndalëm përballë shtëpisë së xhaxhait tim, unë shikova dhe mbeta gojëhapur. Shtëpia e ambasadorit ishte pallat katërkatësh.
Ne ecëm nga dera kryesore e hyrjes dhe hymë brenda. Teze Maruim më përshëndeti dhe më priti tek dera.
“Hyr brenda”, më tha ajo me gjakftohtësi. “Mbylle derën”
Kisha planifikuar t’i hidhesha në përqafim, por qëndrimi i saj atje me stilin e saj perëndimor të veshjes, duart e saja të kryqëzuara më bënë të ndihesha ftohtë qysh në hyrje. “Së pari dëshiroj të të shpie rreth e rreth shtëpisë dhe të informoj për detyrat e tua”.
“Oh”, ofshava lehtë, duke ndier fluskën e fundit të energjisë që më kishte ngelur në trup, pas asaj nate të gjatë udhëtimi. “Teze, jam shumë e lodhur. Dëshiroj të shtrihem pak. a mund të shkoj të fle, ju lutem?”
Teze Maruim më dërgoi në dhomën e saj. Dhoma ishte e një madhësie sa e gjithë kasollja e familjes sime. Unë u mbështolla me batanie. Kurrë në jetën time nuk kam ndier diçka më të butë dhe më të shkëlqyeshme dhe fjeta menjëherë si të kisha rënë, në ndonjë tunel të gjatë të errët.
Të nesërmen në mëngjes unë po bridhja nëpër shtëpi, kur ajo më gjeti. “Mirë, ti qenke zgjuar. Të shkojmë në kuzhinë dhe të të tregoj se cilat janë detyrat e tua”.
E përcillja e hutuar. Dhoma shkëlqente me pllaka të kaltra të qeramikës dhe orendi ngjyrë krem. Furnela e madhe dominonte në qendër të kuzhinës. Tezja i hapte sirtarët duke i përplasur dhe duke më rrëfyer, “dhe këtu janë enët, kompleti me thika dhe mbulesat për tryeza. Nuk e kisha idenë se për çka ishte duke folur ajo.
Çdo mëngjes në orën gjashtë e gjysmë duhet ta servosh mëngjesin për xhaxhain: çaj lulesh dhe dy vezë të ziera. Unë e dua kafenë në dhomën time në orën shtatë. Pastaj duhet të përgatitësh petullat për fëmijët, ata zakonisht hanë në orën tetë, e qartë? Pas mëngjesit…“

“Teze, kush do të m’i mësojë mua gjithë këto gjëra? Çfarë petullash?”
Unë, më shikoi ngultas me një lloj paniku. Mori frymë ngadalë dhe tha, “unë do t’i bëjë këto një herë, Waris. Shiko mirë, dëgjo dhe mëso”. Unë pohova me kokë.
Unë detyrohesha t’i bëja punët rutinore pas një jave, për të vazhduar pastaj çdo ditë për katër vitet e ardhshme me radhë. Si vajzë, e cila kurrë nuk ka qenë e vetëdijshme për kohën, unë mësova ta shikoj orën dhe të jetoj me të.
Pas mëngjesit e pastroja kuzhinën, dhomën e tezes sime dhe banjon e saj. Pastaj vazhdoja punën nëpër çdo dhomë të shtëpisë, duke i mbledhur pluhurat, pastruar thellë me furçë të fortë dhe lustruar që të katër katet. Punoja deri në orët e vona të mbrëmjes kur shkoja për të fjetur. Kurrë nuk kisha ditë të lirë.
Anembanë Afrikës ekziston zakoni për familjet e pasura, që t’i marrin në përkujdesje fëmijët e familjarëve të varfër dhe këta fëmijë duhet të punojnë për mbarëvajtjen e tyre. Nganjëherë të afërmit i shkollojnë këta fëmijë dhe i trajtojnë ata si të tyret. Ishte e qartë se xhaxhai dhe tezja ime kishin gjëra më të rëndësishme në mendjen e tyre.
Gjatë verës së vitit 1983, kur isha gjashtëmbëdhjetë vjeçare, vdiç motra e xhaxhit Mohammed dhe bija e saj Sofia erdhi të jetojë me ne. Xhaxhai e regjistroi atë në shkollën fillore All Souls Church of England dhe rutina ime e mëngjesit tani përfshinte edhe dërgimin e Sofies në shkollë.
Në njërin nga mëngjeset e para, derisa po ecnim, pashë një njeri të huaj që më shikonte ngultas. Ishte i bardhë, rreth dyzetvjeç dhe kishte flokët të lidhura bisht. Ai kishte sjellur vajzën e tij në shkollë. Ai nuk e fshehte faktin që po më shikonte.

Pasi e lashë Sofien në shkollë, ai filloi të më vinte mbrapa dhe filloi të më fliste. Meqë unë nuk kuptoja anglisht, nuk e pata idenë se për çka po më fliste. E trembur ika për në shtëpi.
Prej atëherë, unë çdo ditë e takoja atë në shkollë, ai vetëm më buzëqeshte me respekt dhe vazhdonte punën e tij. Një ditë ai m’u afrua dhe më la në dorë një kartë. E palosa shpejt dhe e futa në xhep, pastaj u sigurova nëse ai kishte ikur tutje.
Kur u ktheva në shtëpi, ia tregova kartën njërës prej vajzave të teze Maruiamit dhe e pyeta se çka shkruante në të.
“Këtu shkruan se ai është fotograf”.
E pashë që kushërira ime donte të kthehej tek libri i saj, të cilin ishte duke e lexuar, prandaj e fsheha kartën në dhomën time. Një zë i brendshëm më thoshte ta ruaja dhe të besoja në të.
Kur afatit të qëndrimit të xhaxhit Mohammed po i vinte fundi, ai lajmëroi familjen se duhej të ktheheshin në shtëpi. Unë nuk isha e shqetësuar për shkak të kthimit në Somali, por dëshiroja të kthehem në shtëpi e pasur dhe e suksesshme, por deri atëherë unë kisha ruajtur vetëm një pjesë të vogël nga paga ime e përgjithshme. Ëndrra ime ishte të fitoja mjaft para, në mënyrë që t’ia bleja nënës një shtëpi dhe ta rregulloja atë. E ndieja se më duhej të qëndroja në Angli. Si mund ta realizoja këtë nuk e dija. Por, kisha një besim të madh.
Xhaxhi Mohammed na këshilloi të gjithëve për ditën kur duhej të niseshim dhe për nevojën që t’i kishim të gjithë pasaportat në rregull. Unë menjëherë e mbylla pasaportën time në një qese najlloni, e groposa atë në dhe, në kopsht dhe lajmërova se nuk po mundja ta gjeja asesi. Plani im ishte mjaft i thjeshtë: nëse nuk do të kisha pasaportë ata nuk do të mund të më kthenin prapa. Xhaxhai nuhati diçka të keqe aty, por unë i thashë, “vetëm më lejo të rri këtu. Unë do të gjendem mirë”.
Deri në mëngjesin para nisjes, unë nuk pata besuar se ata do të më lënë mua vetëm. Por, ata e bënë atë. Unë po qëndroja në trotuar, duke i përshëndetur dhe shikuar veturën derisa ajo u zhduk nga shikimi im. Isha e frikësuar dhe më duhej të luftoja me ndjenjën e papërmabajtur të panikut që kisha në vete.
E mora xhaketën time e hodha mbi supe, e zhvarrosa pasaportën time dhe dola në rrugë duke buzëqeshur.

“Shikohu në pasqyrë”

Po të njëjtën ditë hyra në një dyqan dhe aty takova një grua afrikane, të gjatë dhe mjaft atraktive, e cila po shikonte disa triko. Filluam të bisedonim në gjuhën somaliane dhe pashë që ajo ishte shumë e afërt. Ajo quhej Halwu.
“Ku jeton, Waris? Me çka merresh?”
“Oh, ti do të mendosh se jam e çmendur, por unë s’kam ndonjë vend ku të jetoj sepse familja ime sot u kthye në Somali. Xhaxhai im ishte ambasador, por tani dikush tjetër do ta zëvendësojë atë. Pra, në këtë moment unë nuk e kam idenë se ku do ta vendos kokën.
Ajo e tundi kokën, në mënyrë që të më qetësonte, sikur lëvizja e kokës së saj të mund të m’i shlyente të gjitha problemet e mia. “Unë kam një dhomë tek YMCA. Mund të vish dhe të qëndrosh një natë atje”.
Unë dhe Halwu shpejt u bëmë shoqe të afërta. Pas disa ditësh mora një dhomë tek YMCA, që ishte vetëm matanë rrugës në të djathtë. Pastaj fillova të shikoja të gjeja punë.
“Pse nuk fillon duke shikuar këtu afër?” më tha Halwu, duke bërë me gisht nga McDonald-i.
“Nuk është e mundur. Unë s’mund të flas anglisht e as të lexoj. Përveç kësaj, unë s’kam as leje për punë.
Por, ajo i dinte mirë të gjitha fshehtësitë e punës dhe falë kësaj unë fillova punën atje në kuzhinë. Pastroja enët, banakët, grilat dhe dyshemetë. Shkoja në shtëpi vonë në mbrëmje duke më ardhur era yndyrë. Por, nuk ankohesha, sepse të paktën tani mund ta mbaja vetveten, isha mirënjohëse që kisha gjetur punë.
Fillova të shkoja në shkollën e gjuhës, e cila ishte falas, për të mësuar si të shkruaj e lexoj anglisht. Për herë të parë, prej vitesh, ditët e mia nuk i takonin vetëm punës.
Nganjëherë Halwu më merrte në klubet e natës, ku e gjithë turma që ishte atje më bëhej që e njihnin atë. Duke sfiduar edukimin tim të rreptë afrikan, unë vazhdoja komunikimin tutje, duke e bindur veten që të bisedoja me të gjithë- meshkuj e femra qofshin lëkurëbardhë, qofshin lëkurëzinj. Më duhej t’i mësoja shkathtësitë e mbijetesës për këtë botë të re. Jeta ime po lëvizte pa vështirësi. Mund të ishin edhe ndryshime dramatike ato.
Një pasdite kur u ktheva në shtëpi nga McDonaldi, e nxorra jashtë kartën e fotografit, të cilën e kisha futur në pasaportë dhe u nisa drejt dhomës së Halwu-së. Ia tregova asaj kartën dhe ia shpjegova historinë dhe i thashë “unë njëmend asnjëherë se kam kuptuar se ç’donte ai”.
“Mirë”, më tha ajo, “pse nuk e thërret ta pyesësh”.
“Vetëm nëse flet ti me të. Anglishtja ime akoma nuk është e mirë”.
Ajo e bëri atë për mua dhe të nesërmen unë shkova ta vizitoj studion e Mike Goss-it. Nuk e kisha idenë se çka më priste, por kur e hapa derën, unë hasa në një botë tjetër. Në sallon gjithandej ishin të varur posterët shumë të mëdhenjë, të cilët spikasnin femra të bukura. “Oh!” fshava unë, duke u rrotulluar, kjo ishte ajo që e prisja. Ky ishte rast i mirë për mua.
Mike-u erdhi dhe më shpjegoi se posa më kishte parë, kishte dashur të më fotografojë. Unë po e vështroja ngultas me gojën hapur. “Kjo është ajo që desha? Fotografi si kjo?”. Unë bëra me dorë nga posterët.
“Po”, tha ai, duke pohuar me kokë në mënyrë të prerë.
“Ti ke një profil shumë të bukur”.
Dy ditë më vonë unë u ktheva përsëri në studio. Femra që bënte grimin më uli dhe filloi të punojë, duke ardhur tek unë me brushat, vatat, shpuzat, kremërat, të kuqtë e buzëve, pluhurat, duke më gudulisur me gishtrinjtë e saj dhe duke e tërhequr lëkurën time.
“Tani” – gruaja bëri një hap prapa dhe më shikoi e kënaqur-“shikohu në pasqyrë”.
Unë ngula sytë në xham. Fytyra ime ishte transformuar, krejtësisht e artë,e mëndafshtë dhe e shkëlqyer me makiazh. “Uauu!” “Shikomë!”
Gruaja më drejtoi tek Mike-u, i cili rrinte ulur në një stol. Unë fillova t’i studioja gjërat, të cilat kurrë nuk i kisha parë më parë: kamerën, dritat, pakot e baterive, spangot që vareshin si të ishin gjarpërinj.
“Në rregull, Waris”, tha ai. “Bashkoi buzët dhe përqendrohu përpara drejt. Rri drejt. Kjo është e tëra-bukur?”
Dëgjova një klik, përcjellur me një përplasje të fortë, e cila më bëri të trembesha. Shkrepëtima kaloi; dritat flakëruan për një pjesë të sekondit. Në njëfarë mënyre dritat më bënë që të ndihesha person tjetër.
Mike-u mori një copë letër nga fotoaparati dhe më bëri me shenjë që të lëvizja. Ai e tërhoqi jashtë shtresën e letrës siç po e shihja, një femër gradualisht po dilte në sipërfaqe nga faqja si në mënyrë magjike. Kur ai më ofroi polaroidin, unë mezi e njoha vetveten. Aty ishte një krijesë magjepsëse si njëra nga ato që pozonin në sallon.
Ata më kishin transformuar mua. Në vend të Waris-it shërbëtore, unë isha Waris-i fotomodele.

Operimi i mirëseardhur

Pak kohë më vonë, gruaja e agjensionit të fotomodeleve, e cila e kishte parë atë fotografi, më propozoi për një projekt pune. Nuk e kisha idenë se për çka e kishte fjalën, por ajo më dha para për taksi dhe unë shkova në atë adresë.
Vendi gëlonte me modele profesioniste, të cilat po ecnin krenare duke u tundur e shkundur, si të ishin luanesha, të cilat po kërkonin gjahun e vet. E përshëndeta njërën prej tyre. “Ç’po punohet këtu?” pyeta.
“Kalendari Pirelli”.
“Mmmm”. Solla kryet. “Faleminderit”. Çka është ajo?”
Fotografi Terence Donovan, më solli një çaj dhe më njoftoi me gjithë punën e tij. Shtrirë në tavolinë po qëndronte kalendari. Ai filloi ta shpalosë radhazi atë; secila faqe ishte ndryshe, femra që të mahnisnin me bukurinë e tyre. “Ky është kalendari Pirelli i vitit të kaluar”, më tha ai. “Këtë vit do të jetë më ndryshe, vetëm me vajza afrikane”. Ai ma shpjegoi tërë procedurën e punës. Në atë punë ndihesha shumë mirë dhe prej atëherë unë iu përkushtova plotësisht këtij profesioni. Kur puna u krye, fotografia ime pati fatin të zgjedhet për faqen e parë.
Karriera ime si fotomodele përparonte çdo ditë e më shumë. Punova në Paris, Milano dhe pastaj në Nju Jork, ku përnjëherë fillova të përparoj shpejt dhe të fitoj para më tepër se kurrë më parë. U paraqita në serinë e reklamave për artarinë, e veshur në veshjen e bardhë afrikane. Bëra reklama makiazhi për Revlonin dhe pastaj reklamova parfumin e tyre më të ri, Ajee. Mesazhi i reklamës ishte, “Nga zemra e Afrikës arriti aroma që pushtoi zemrën e çdo femre”.
U paraqita në reklamën e Revlonit bashkë me Cindy Crawford-in, Claudia Schiffer-in dhe Lauren Hutton-in. Këto projekte e pasuan njëri tjetrin dhe shumë shpejt unë u paraqita në revistat e mëdha të modës si Elle, Glamour, Italian Vogue dhe British dhe American Vogue.
Por, në tërë gjallërinë dhe suksesin e jetës sime të re, unë po bartja në vete plagët nga e kaluara. Vrima e vockël, të cilën synetia më kishte lënë hapur e lejonte urinën të rridhte pika pika për një kohë. Më nevojiteshin afër 10 minuta që të urinoja. Cikli im menstrual ishte gjithmonë i ankthshëm. Nuk mund të funksionoja për disa ditë me radhë çdo muaj; thjeshtë shkoja në shtrat dhe dëshiroja të vdisja, vetëm e vetëm të më pushonin dhembjet. Problemi pati arritur krizën derisa jetoja me xhaxhain Mohammed.

Herët një mëngjes derisa po bartja tabakun nga kuzhina në tryezën e dhomës së bukës, përnjëherë gjithçka m’u errësua dhe enët m’u përplasën në dysheme. Kur m’u kthye vetëdija, teze Maruim më tha “duhet të të dërgojmë te mjeku. Do të të caktoj një termin me mjekun tim këtë pasdite”.
Nuk i tregova mjekut që isha e bërë synet. Meqë nuk më kontrolloi, ai nuk e zbuloi fshehtësinë time. “Gjëja e vetme që mund të të jap janë hapet për kontracepcion, më tha ai. Ato do të ta ndalin dhembjen.
Fillova t’i merrja ilaqet, por ato krijuan ndryshime drastike në organizmin tim, të cilat ishin të çuditshme dhe jonatyrale. Duke parë që vazhdimisht kisha dhembje unë e ndërpreva marrjen e ilaqeve.
E tëra u përsërit përsëri në mënyrë edhe më të ashpër sesa ethet. Më vonë vizitova edhe shumë mjek të tjerë, por ata gjithashtu më preferonin hape kontraceptive. E kuptova që më duhej të bëja diçka tjetër. I thashë tezes, “Ndoshta më duhet të takoj ndonjë mjek të llojit të veçantë”.
Ajo më shikoi ashpër. “Jo”, tha prerë. “Dhe çka do t’i kishe thënë atij njeriu?”
“Asgjë. Vetëm dua t’i ndërpres dhimbjet, kjo është e tëra”. Unë e kuptova mesazhin e pathënë të komentit të saj: synetia është zakon yni afrikan – dhe jo çështje për të cilën mund të bisedosh me këta njerëz lëkurëbardhë.
Fillova ta kuptoja, megjithatë se kjo ishte vërtet ajo që duhet ta bëja- ose të vuaja dhe të jetoja si invalid për një të tretën e çdo muaji. Kur shkova tek zyrja e Dr. Michael Macrae, I thashë atij “ekziston dicka që nuk ju kam treguar, unë jam nga Somalia dhe unë…unë…”
Ai nuk më la as ta përfundoja fjalinë. “Shko dhe përgatitu, dua të të kontrolloj”. Ai e vërejti shikimin e tmerruar në fytyrën time: “Është në rregull” më tha ai.
Ai e porositi infermieren e tij, që të më tregonte se ku të përgatitesha, si të veshja rrobat dhe e pyeti atë nëse ishte ndokush në spital, i cili mund të fliste në gjuhën somaliane.
Por, kur ajo u kthye, solli me vete një burrë somalian. Mendova: “Oh, ky është një fat i keq, të bisedoj për këtë çështje duke shfrytëzuar një burrë somalian për përkthyes! Sa keq mund të bëhet kjo?
Dr. Macrae tha, “Shpjegoja kësaj që është shumë e mbyllur, unë nuk e di të paktën si e ka duruar kaq gjatë. Duhet ta operojmë sa më shpejt që është e mundur”.
Munda ta vërej që burri somalian nuk ishte i kënaqur. Ai e shikoi me zemrim mjekun dhe pastaj më tha mua, “Mirë, nëse me të vërtetë e dëshironi këtë, ata mund të ju hapin. Por, e dini ju, që kjo është kundër kulturës suaj? A e di familja juaj që ju po bëni këtë?”
“Jo” u pëgjigja unë.
“Gjëja e parë që dua t’ju them është ta bisedoni këtë me ata”
“Unë tunda kokën. Përgjigja e tij ishte tipike e një burri afrikan. Pas shumë vitesh, unë po arrija të operohesha. Unë përgatitesha për t’i kapërcyer disa probleme praktike dhe minutat e mia të fundit të dyshimit, por Dr. Macrae bëri punën e tij shumë mirë dhe për këtë i jam përjetë mirënjohëse. Ai më tha, “Ti nuk je vetëm. Femrat vijnë me këtë problem vazhdimisht. Shumë femra nga Sudani, Egjipti, Somalia, disa prej tyre janë shtatëzëna dhe të lemeritura. Prandaj, pa lejen e bashkëshortëve të tyre ato vijnë tek unë dhe unë e kryej siç është më së miri punën time”.
Brenda tri javësh unë mund të ulesha në toalet dhe të fishkëlloja nga gëzimi. S’kam mënyrë tjetër se si ta shpjegoj se çfarë lirie ishte ajo.

Kthimi në Somali

Në vitin 1995 BBC-ja më propozoi të bëj përgatitjen e një dokumentari për jetën time si fotomodele. Unë i thashë drejtorit, Gerry Pomeroy, se do ta bëja atë vetëm nëse ata do të më dërgonin në Somali dhe do të më ndihmonin ta gjeja nënën time. Ai u pajtua me këtë.
Stafi i BBC-së në Afrikë filloi të kërkojë me zell nënën time. Ne kaluam nëpër hartë dhe unë provoja t’u tregoj atyre regjionet kah lëvizte familja ime zakonisht. Pastaj u detyrova t’ua jap tërë emrat e fiseve dhe klaneve të familjes sime.
Befas nga shkretëtira u paraqitën shumë gra, të cilat pretendonin të ishin nëna ime, por asnjëra nuk ishte. Pastaj Gerry erdhi me një ide. “ne na duhet ndonjë lloj sekreti, të cilin vetëm nëna jote mund ta dijë”.
“Mirë, nëna ime ka pasur një emër përkëdhelës për mua – Avdahol”, thashë unë
“A do ta kujtojë ajo atë?”
“Patjetër.”
Prej atëherë, Avdahol u bë fjala sekrete për mua. Kur BBC-ja i intervistonte, gratë, ato mund t’i kalonin vetëm disa nga pyetjet e para, pastaj menjëherë identifikoheshin që nuk ishin nëna ime në bazë të emrit përkëdhelës, të cilin nuk mund ta qëllonin. Por, përfundimisht gazetarët e BBC-së më thirrën dhe më thanë: “mendojmë që e kemi gjetur atë”. Asaj gruaje nuk i kujtohej emri përkëdhelës, por ajo tha se e kishte një vajzë që quhej Waris, e cila punonte për një ambasador në Londër”.
Brenda disa ditësh ne fluturuam për Adis Ababa, Etiopi dhe morëm një aeroplan të vogël dymotorësh që të na dërgonte në Galadi, fshat në kufirin Etiopiano-Somalian, ku refugjatët somalian qenë mbledhur t’i shpëtonin luftës në vendin e tyre.
Unë fillova ta nuhasja ajrin e nxehtë të rërës dhe përnjëherë fillova ta kujtoj fëmijërinë e humbur. Çdo cikërrimë më kthente prapa në kujtime dhe përnjëherë fillova të vrapoja. E prekja tokën dhe e ledhatoja shumë dheun nëpër gishtërinjtë e mi. I prekja drunjët. Ata ishin të pluhurosur dhe të tharë, por e dija që koha për të rënë shi vinte shpejt dhe çdo gjë do të shkëlqente.
Pastaj takuam një grua, e cila nuk ishte nëna ime. Kërkonim nëpër fshat qoshe më qoshe, duke pyetur çdonjërin nëse kishin ndonjë informatë për familjen time. Një njeri në moshë të shtyer u nis nga unë dhe më pyeti, “A të kujtohem unë?”
“Mirë, unë jam Ismaili; jam nga po i njëjti fis prej nga është edhe babai yt. Jam shok shumë i afërt me të”. “Më vonë unë e kupova se cili ishte dhe u ndjeva e turpëruar që nuk e njoha, por unë nuk e kisha parë atë qysh kur nga fëmijëria. “Mendoj që e di se ku gjendet familja jote. Mendoj që mund ta gjej nënën tënde, por më duhen para për naftë”.
Ekipi i BBC-së u pajtua dhe i dha atij para kesh. Ai kërceu në traktorin e tij dhe menjëherë u largua duke lënë pas vetes një re me pluhur. Kaluan tri ditë pa pasur ndonjë shenjë për nënën. Gerry me kohë filloi të shqetësohej. “Të premtoj që nëna ime do të jetë këtu nesër në mbrëmje aty kah ora gjashtë”, i thashë atij. Nuk mund ta kuptoj pse e kisha një besim të tillë, ai më erdhi vetvetiu.
Të nesërmen Gerry vrapoi tek unë dhjetë minuta para se të bëhej ora gjashtë.
“E pabesueshme! Njeriu u kthye dhe ai ka një grua me vete; thotë që është nëna jote”.
Nga lart shihej ajo që Ismaili e solli dhe gruaja zbriti poshtë nga ulësja. Nuk mund t’ia shihja fytyrën, por nga mënyra se si e kishte vënë shaminë rreth kokës,munda të them menjëherë që ajo ishte nëna ime, vrapova tek ajo. “Oh, Nënë!”
Fillimisht ne vetëm biseduam rreth gjërave të thjeshta të përditshmërisë. Por, kënaqësia ishte kur unë ndjeva se si e kapërceu hendekun që ishte midis nesh. Babai kishte shkuar diku për të kërkuar ujë kur erdhi traktori, më tha ajo. Nëna më tregoi që babai ishte plakur shumë. Ai mund të dalë ende të zbulojë vrerësirat që do të sjellin shi, por atij patjetër i nevojiten syzet, sepse të pamurit e tij është i tmerrshëm.
Vëllai im i vogël Aliu ishte me të gjithashtu, bashkë me një kushëri timin. Unë e përqafoja Aliun dhe ai deshi të qante, “largohu, unë nuk jam më fëmijë. Unë jam bërë për martesë.
“Të martohesh! Sa vjeç je ti?”
“Nuk e di. Kam mjaft vjet sa të martohem”.
Natën nëna fjeti në një kasolle të një të afërmi tonë në Galadi, i cili na e dha atë ta shfrytëzonim. Unë fjeta jashtë bashkë me Aliun, si në ditët e vjetra. Posa u shtrimë natën, unë ndjeva një ndjenjë të tillë paqeje dhe lumturie.
Nëna filloi të më pyeste se çka mendoja unë për këtë e për atë.
“Po mirë, unë nuk i di të gjitha, por unë kam parë shumë dhe mësuar shumë, pra nuk mund ta paramendoj jetën time të kthehem e të jetoj në kaçubë”, i thashë.
Ata nuk dinin madje as ta kuptonin këtë ide bizare, por ishte vetëm një çështje lidhur me të cilën ata ndiheshin të sigurtë dhe me të cilën unë nuk mund të pajtohesha. Nëna ime ia filloi të më pyeste, “pse nuk po martohesh?” “Nënë, a duhet patjetër të martohem? A nuk dëshiron të më shohësh të suksesshme-të fortë, të pavarur?”
“Po mirë, por unë dua nipër e mbesa”. Gerry më bëri disa xhirime me nënën time. Meqë ajo e urrente këtë, thoshte: “largoje atë send nga fytyra ime”. Kameramani po pyeste se për çfarë arsyeje po qeshnim ne. “Ka të bëjë me diçka absurde nga e gjithë kjo”, iu përgjigja unë.
Të nesërmen në mëngjes para se aeroplani të vinte për të na marrë, unë e pyeta nënën time nëse ajo dëshironte të vinte dhe të jetonte me mua në Angli apo SHBA.
“Por ç’do të bëj unë atje?”
Kjo është pikërisht ajo që dua unë. Nuk dëshiroj që ti të bësh diçka. Ti ke punuar mjaft. Tani është koha të pushosh”.
“Jo. Babai yt po plaket dhe atij i nevojitem unë. Pranë tij mund të qëndroj vetëm unë. Nëse dëshiron të bësh diçka për mua, atëherë më siguro një vend në Somali ku mund të shkoj kur të jem e lodhur. Ky është vendi im. Kjo është e tëra që unë kam njohur në jetën time.
E përqafova fort. “ Të dua nënë. Do të vij përsëri për ty, mos e harro këtë.”

Misioni im

Deri tani karriera ime ka qenë mjaft e suksesshme. Jam paraqitur në shumë reklama, spote muzikore dhe kam punuar me fotografët më të mëdhenj në biznesin e modës. Jeta ime ishte e mrekullueshme.

I pata thënë nënës sime që unë nuk e kam takuar akoma personin e qëlluar për mua. Por pastaj një natë kah fundi i vitit 1995, unë e zbulova atë në një klub të vogël xhazi në Nju Jork. Ai ishte një tamburist i turpshëm me stil melankolik të viteve ’70 të Afrikës. Quhej Dana Murray dhe e kuptova që nga ai moment se ai ishte fati im.
Një mbrëmje më vonë gjatë darkës unë i thashë duke qeshur që një ditë prej ditësh unë do t’i lindja fëmijë. Për herë të parë në jetën time dëshiroja një mashkull. Shpejt e kuptuam që ishim të dashuruar dhe se dëshironim ta kalonim jetën tonë së bashku. Parashikimet e mia të çmendura u bënë realitet me lindjen e birit tonë më 13 qershor të vitit 1997. Ai ishte shumë i bukur, me flokë të zezë të mëndafshta dhe me këmbë dhe gishtërinj të gjatë.
E pagëzova Aleeke. Me gojën e tij të vogël, me faqet si shegë dhe kaçurrelat, ai dukej si një tortë e vogël me reçel.
Prej ditës kur lindi ai, jeta ime u ndërrua. Lumturia që më solli ai është gjithçka për mua tani.
Jeta – dhurata e jetës – është ajo që ka shumë rëndësi dhe ky është fakti, të cilin lindja e birit tim më bëri ta kuptoj.
Meqë po kaloja nëpër periudhën e të qenit grua, periudhë kjo e cila filloi para kohe me synetinë time në moshën pesëvjeqare dhe erdhi e u bë rreth i plotë me lindjen e birit tim, kur unë isha rreth 33 vjeç, unë pata edhe më tepër respekt për nënën time. E kuptova çfarë fuqie të pabesueshme posedojnë gratë somaliane.
Mendoja për vajzën që jetonte prapa në kaçubë, duke ecur mile të tëra për ujë për dhitë e saj derisa ajo ka dhemje të mëdha nga cikli menstrual dhe mezi arrin të qëndrojë në këmbë. Për gratë në muajin e nëntë të shtatëzënësisë duke kërkuar ushqim nëpër shkretëtirë për t’i ushqyer fëmijët e tyre të uritur. Për gruan, e cila do të qepet me pe e gjilpërë posa të lindë fëmijën, në mënyrë që vagina e saj të jetë e mbërthyer mirë për burrin e saj. Dhe për gruan e re, e cila ishte ende e qepur shtrëngueshëm dhe tani e kishte kohën të lindte fëmijën e vet të parë. Çka ndodh me të kur ajo shkon jashtë në shkretëtirë vetëm, sic bëri nëna ime?
Duke u pjekur dhe u shkolluar, mësova që për shkak të ritualit të egër, shumë femra në kontinentin e Afrikës jetojnë në dhimbje.
Dikush duhet të flasë jashtë për vajzat e vogla që heshtin. Dhe qysh se unë u arratisa, si edhe shumica prej tyre, unë e ndjeva në shpirt thirrjen se ishte fati im t’u ndihmoj atyre.
Pak kohë më vonë, Laura Ziv, shkrimtare nga revista e modës Marie Claire, caktoi një termin për të më intervistuar. Kur u takuam së pari, më pëlqeu menjëherë. I thashë, “unë nuk e di ç’lloj tregimi dëshironi ju nga unë, por të gjitha gjërat nga bota e fotomodeles i kam thënë një milion herë. Nëse më premtoni se do ta botoni, unë do t’ju rrëfej një tregim të vërtetë”.
Ajo tha, “Oh? Mirë, do të bëj siç është më së miri”, dhe e kyçi kasetofonin e saj. Unë fillova t’ia rrëfej asaj tregimin për synetinë time kur isha fëmijë. Diku kah gjysma, përgjatë intervistës, ajo filloi të qante dhe e ndali kasetofonin e saj. “Mendoj, që është e tmerrshme, ështe diçka e neveritshme dhe unë kurrë s’kam mund të ëndërroj se gjëra të tilla të ndodhin sot”.
“Kjo është çështja” thashë unë. “Njerëzit në perëndim nuk e dinë këtë”.
Një ditë pas intervistës, unë u ndjeva e tronditur dhe e hutuar. Të gjithë do t’i dijnë shumicën e sekreteve të mia personale. Shoqëria ime e ngushtë nuk e kanë ditur se c’ndodhi me mua kur qeshë e vogël dhe tani atë sekret po ua tregoj unë vetë miliona të huajve, mendoja.
Por, pas shumë mendimeve, unë e kuptova se më duhej të flisja për synetinë time; para se gjithash, ajo më bezdiste thellë. Përveç problemeve shëndetësore me të cilat përpëlitem akoma, unë kurrë nuk do ta ndiej kënaqësinë e seksit. Ndihem e gjymtuar dhe e di që jam e pa aftë për të ndryshuar atë që është shumë e ndijshme dhe me pak shpresë për të gjithë.
Arsyeja tjetër ishte shpresa ime për t’i vetëdijësuar njerëzit që kjo praktikë akoma ngjan edhe sot. Unë duhej të flisja jo vetëm për veten time, por për hirë të miliona vajzave që jetojnë me këtë problem dhe për ato që vdesin nga ajo.
Kur intervista u botua, jehona e saj ishte dramatike. Revista ishte përmbytur nga letrat. Unë fillova të jap më tepër intervista dhe të flas nëpër shkolla, organizata shoqërore dhe kudo tjetër ku mund t’i jepja publicitet çështjes.
Në vitin 1997 Fondacioni për Zhvillimin e Popullatës pranë Kombeve të Bashkuara (UNFPA), më ftoi që t’i bashkohem luftës së tyre për ta ndërprerë synetinë e femrave, apo gjymtimin gjenital të femrave(FGM), siç quhet ajo më me të drejtë sot. Organizata Botërore për Shëndetësi (WHO) kishte përpiluar disa statistika të vërteta, të tmerrshme të cilat e paraqitnin problemin në perspektivë. Pasi i pashë ata numra, m’u bë e qartë se ai nuk ishte vetëm problemi im.
Gjymtimi gjenital i femrave (FGM) praktikohet në mbi 28 vende në Afrikë. Tani rastet janë ndriçuar nëpërmes vajzave dhe grave në SHBA dhe Evropë, ku ndodhen një numër i madh i emigrantëve afrikanë. Kjo praktikë është zbatuar në më tepër se 130 milion vajza dhe gra në botë. Të paktën dy milion vajza janë të rrezikuara çdo vit që të jenë viktima – kjo nënkupton shifrën prej 6000 vetave, për çdo ditë.
Synetia zakonisht bëhet në rrethana primitive, nga gratë fshatare që përdorin thika, gërshërë, apo teha të mprehtë të gurtë. Ato nuk përdorin anestetik. Procesi kryhet në mënyrë shumë të vrazhdë. Dëmtimi më i vogël që ndodh është prerja dhe largimi i kokës së klitorisit. Një përfundim tjetër i spektrit është infibulimi, i cili ndodh tek 80% të femrave në Somali dhe i cili i privon vajzat të kënaqen me seksin gjatë tërë jetës së tyre.
Kur paramendoj se shumë vajza të reja kalojnë nëpër tërë atë përvojë, të cilën e kam kaluar, më thehet zemra dhe më kaplon hidhërimi.

Me krenari të madhe e pranova ofertën e UNFPA-së, që të bëhem ambasadore speciale dhe t’i bashkohem luftës së tyre. Unë do të kthehem në Afrikë që ta tregoj ngjarjen time dhe të flas hapur kundër këtij krimi.
Miqtë e mi e shprehën shqetësimin e tyre, që fanatikët do të provojnë të më vrasin, sepse shumë fundamentalistë e konsideronin gjymtimin gjenital të femrës (FGM) si praktikë të shenjtë e cila pretendohet nga Kurani. Mirëpo, kjo nuk është e vërtetë, sepse as Kurani, as Bibla nuk e përmendin gjymtim gjenital të femrës.
Unë vetëm lutem që një ditë asnjë femër të mos e përjetojë këtë dhimbje dhe kjo do të bëhet një gjë e të kaluarës. Ky është qëllimi për të cilin unë punoj tani.
Që nga momenti kur Zoti më shpëtoi nga luani, unë e ndjeva që ai kishte planifikuar diçka për mua, disa arsye për të më mbajtur mua të gjallë. Besimi im më thotë që Zoti më caktoi një detyrë që duhet kryer dhe kjo detyrë pra është misioni im.
Jam e sigurt që puna ime do të jetë e rrezikshme. Pranoj që do të jem e frikësuar. Por, mua më duhet ta shfrytëzoj rastin. Pikërisht kështu kam veprur gjatë tërë jetës sime.
(Marrë nga Reader’s Digest, Gusht 1999)

Përktheu: Luljeta Krasniqi