Poeti

Autorja: Marina Cvetajeva

Poeti – fjalën e nis që larg.
Poetin – fjala e nis larg.

Planeteve, zodiakëve… anës
E anës me gropa… Mes po-së dhe jo-së
Ai, madje, matet t’i bjerë kambanës,
Por kanxhën rren… se kometat në kozmos

Në udhë poetësh shkojnë. Tingujt në vehte
I mori – Ja lidheni! Ai prapë krenar –
Të mjerët ju! Eklipset e poetëve
Nuk parathuhen në kalendar.

Poet është ai që hartat përqesh
Dhe loz macemi me llogari e rëndesë,
Ai që pyet nga banga, thjesht,
Dhe Kantit me grusht i bie kresë,

Ai që në vaarrin e gurtë – Bastijë –
Ndihet si pema në lulëzim…
Ai që lotët s’ia pa kush t’i fshijë,
Është treni ku pa përjashtim
Të gjithë vonojnë…
– se udha e kometave –

E poetëve është: djeg, nuk ngroh me dhele,
Shkul, s’rrit me pekule. – vrull e zjarr, –
Udha jote yjore, flurudha me jele,
Që s’parashikohet në kalendar!
8 prill 1923

Thjeshtër, i verbër, ç’të bëj, më thoni,
Në botën njerkë, syshqyer në daç,
Ku haraç mëmash paguan pasioni! –
Ku rrufë po pate,
Ta presin – plaç!

Këngën zanat, e ç’të bëj unë!
– Si zjarr e akull! Si gaz e brengë!
Me hovet e mia të trillta – si mbi urë!
Me mosrëndesën e tyre
Në këtë botë të rëndë.

Këngëtar pa fat, ç’të bëj, ç’të lus
Në botën ku dhe më i nxiri – quhet gri!
Ku frymëzimin e ruajnë si në termus!
Në këtë botë përmasash
Me të pamatshmen poezi?
22 prill 1923